Zbatimi i Jurisprudencës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Kosovë 

Prishtinë, 28 maj 2025 – Lëvizja FOL, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) dhe Iniciativa për Progres (INPO), me përkrahjen e Ambasadës Gjermane në Prishtinë, organizuan tryezë të rrumbullakët me rastin e publikimit të raportit “Aplikimi i jurisprudencës së GjEDNj-së në Kosovë”.  

Ky raport është rezultat i një hulumtimi të përbashkët i cili përfshin monitorimin e 100 seancave gjyqësore dhe analizimin e 200 vendimeve gjyqësore, dhe nxori në pah një nivel të ulët të aplikimit të jurisprudencës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GjEDNj) në sistemin gjyqësor të Kosovës. 

Sa i përket seancave gjyqësore, jurisprudenca e GjEDNj-së është përmendur vetëm në dy raste një rast civil dhe një penal, dhe në të dyja rastet, ajo është përmendur nga vetë gjyqtarët. 

Në aspektin e vendimeve gjyqësore, raporti vë në dukje se aplikimi më i shpeshtë i jurisprudencës së GjEDNj-së gjendet në rastet civile (18.7%), ndërsa përqindja është më e ulët në rastet administrative (10%) dhe ato penale (8.7%).  

Raporti thekson se rëndësia primare për zbatimin e jurisprudencës së GjEDNj-së shfaqet tek gjykatat, përkundër faktit se zbatimi i jurisprudencës së GjEDNJ-së është obligim për të gjitha institucionet.  

Gjithashtu u publikua raporti me një përmbledhje vendimesh relevante të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GjEDNj), të cilat kanë rëndësi të veçantë për kontekstin ligjor dhe praktikën gjyqësore në Kosovë. Qëllimi i raportit është të shërbejë si një mjet referimi për gjyqtarët dhe prokurorët në kuptimin dhe zbatimin e standardeve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, siç janë interpretuar nga GjEDNj. Përmes interpretimit të rasteve të përzgjedhura, raporti ofron një pasqyrë të praktikës gjyqësore evropiane në fusha kyçe, si: e drejta për një proces të rregullt gjyqësor, ndalimi i torturës dhe trajtimit çnjerëzor, e drejta për mbrojtje efektive, liria e shprehjes, mbrojtja e pronës dhe barazia para ligjit. 

Pjese e tryezës së diskutimit ishin përfaqësues nga sistemi i drejtësisë, komuniteti ndërkombëtarë dhe organizatave të shoqërisë civile në vend.

Raporti: Përmbledhje e rasteve nga praktika gjyqësore e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GjEDNj)

Raporti: Aplikimi i jurisprudencës së GjEDNj-së në Kosovë

Shoqëria civile kërkon zgjidhje të menjëhershme për krizën institucionale

Deklaratë publike pas performancës simbolike para Kuvendit të Kosovës (27 maj 2025)

Sot, para Kuvendit të Republikës së Kosovës, organizatat e shoqërisë civile kanë realizuar një aksion protestues, për të ngritur zërin kundër bllokadës së pajustifikueshme që po vazhdon në përbërjen e re të legjislativit të vendit.

120 karrige të zbrazëta janë vendosur përballë hyrjes së Kuvendit – një për secilin deputet që, për më shumë se tre muaj, ka dështuar të përmbushë detyrimin më bazik të mandatit të tij, atë të përfaqësimit të qytetarëve përmes një Kuvendi funksional, përfaqësues dhe llogaridhënës. Karriget përfaqësojnë po ashtu boshllëkun institucional, mungesën e vullnetit politik dhe krizën e përfaqësimit që po e paralizon shtetin.

Çdo karrige mbante një mesazh të drejtpërdrejtë, duke reflektuar situatën aktuale, si dhe duke bërë thirrje për përgjegjësi, reflektim, bashkëpunim politik dhe veprim të menjëhershëm. Këto mesazhe janë zëri i qytetarëve, i shoqërisë civile, dhe i një publiku që nuk pranon më as heshtjen, as bllokadën, por kërkon rikthimin e funksionimit demokratik të institucioneve. Orët e vendosura përreth dhe zhurmat e tyre, simbolizojnë alarmin që duhet të zgjojë ndërgjegjen politike të të gjithë deputetëve dhe drejtuesve të partive, që po e mbajnë peng Kuvendin e Kosovës.

Ky aksion është vazhdimësi e reagimit tonë të mëparshëm, duke theksuar se kriza ka kaluar çdo kufi të tolerueshëm. Kuvendi jofunksional nuk është vetëm një problem procedural apo moment i zakonshëm tranzicioni – por pasqyron një krizë të thellë politike që po rrezikon funksionimin demokratik të shtetit, kontrollin parlamentar mbi qeverinë, miratimin e politikave zhvillimore dhe besimin qytetar në institucionet e zgjedhura. Në kohën kur vendi përballet me zhvillime të ndjeshme gjeopolitike, izolim financiar nga partnerët ndërkombëtarë dhe stagnim të proceseve zhvillimore, mosfunksionalizimi i Kuvendit është papërgjegjësi politike me pasoja të rënda.

Ne ritheksojmë thirrjen tonë ndaj udhëheqësve të partive parlamentare që të marrin përgjegjësinë e tyre institucionale dhe të gjejnë urgjentisht një zgjidhje për tejkalimin e kësaj bllokade. Dialogu, kompromisi dhe përqendrimi në interesin publik duhet të vendosen mbi çdo agjendë tjetër.

Shoqëria civile nuk do të qëndrojë indiferente përballë kësaj situate. Ne do të vazhdojmë të bëjmë presion të vazhdueshëm dhe të kërkojmë llogari, derisa Kuvendi i Republikës së Kosovës të bëhet funksional.

Lëvizja FOL ka publikar sot raportin: “Trajtimi i lëndëve të korrupsionit në dekadën e fundit në Kosovë – ndikimi i ndryshimeve legjislative”

Prishtinë, 26 maj 2025 – Lëvizja FOL në bashkëpunim me PIPS ka mbajtur sot tryezë diskutimi ku ka publikuar raportin “Trajtimi i lëndëve të korrupsionit në dekadën e fundit në Kosovë – ndikimi i ndryshimeve legjislative”, realizuar me mbështetjen e programit MATRA të Ambasadës së Mbretërisë së Holandës në Kosovë.

Ky raportin  ofron të dhëna statistikore dhe rekomandime konkrete për përmirësimin e qasjes institucionale në luftimin e korrupsionit dhe synon të kontribuojë në debatet publike, forcimin e llogaridhënies dhe transparencës në sistemin e drejtësisë në Kosovë.

Ky raport analizon periudhën e dhjetë viteve të fundit, përkatësisht nga viti 2015 deri në 2024, në dy blloqe kohore – 2015-2019 dhe 2020-2024, duke tentuar të identifikojë se sa kanë ndikuar reformimi ligjor, investimet institucionale dhe programet e trajnimit në uljen e korrupsionit, respektivisht a kanë pasur ose jo efekt pozitiv në trajtimin e rasteve të korrupsionit.

Në pesëvjeçarin e parë, kompetencat e paqarta mes PSRK dhe prokurorive themelore krijuan mbivendosje hetimesh, ndërsa gjykatat, pa një departament të dedikuar, mbyllnin më pak se 40 % të çështjeve në vit. Trajnimet ishin të shumta por nuk sollën rritje të matshme të cilësisë së hetimeve. Nga viti 2020 nis një qasje më e strukturuar: themelohet Departamenti Special në Gjykatën Themelore të Prishtinës, miratohet Kodi i ri Penal me dënime më të ashpra dhe, shumë me rëndësi, Gjykata Supreme miraton Udhëzuesin specifik për lëndët e korrupsionit që synon unifikimin e politikës ndëshkimore. PSRK ruan efikasitet të lartë, veçanërisht më 2024, por prokuroritë e rregullta, sidomos ajo e Prishtinës, vazhdojnë të përballen me ngarkesë të madhe dhe variabilitet në rezultatet përfundimtare. Në anën gjyqësore, departamenti i ri ka hapur rrugë për trajtim më të fokusuar të rasteve kompleksë, megjithëse raportimi statistikor 2022-2024 mbetet i pa unifikuar dhe pengon një vlerësim të qartë të progresit real.

Në këtë tryezë morën pjesë përfaqësues të institucioneve dhe shoqërisë civile: Burim Ademi – gjyqtar në Gjykatën Supreme, Yll Buleshkaj – Drejtor i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Astrit Kolaj – Hulumtues nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, dhe Albert Avdiu – konsulent.

Drejtorja ekzekutive Mexhide Demolli Nimani theksoi se ky raport vlerëson efektivitetin e ndryshimeve legjislative dhe organizative në trajtimin e rasteve të korrupsionit në Kosovë gjatë periudhës 2015–2024 dhe është i ndarë në dy faza kryesore: 2015–2019 dhe 2020–2024.

Albert Avdiu, u shpreh se analiza fokusohet në periudhën pas vitit 2020, duke marrë për bazë ndryshimet e Kodit Penal dhe strukturat institucionale për ndjekjen e korrupsionit.  Ai theksoi mungesën e harmonizimit të të dhënave ndërmjet sistemit prokurorial dhe gjyqësor, si dhe nevojën për rishpërndarjen e lëndëve të korrupsionit në departamentet e përgjithshme të gjykatave themelore.

Gjyqtari Burim Ademi nënvizoi se ndryshimet e shpeshta në legjislacionin penal kanë krijuar paqartësi në praktikën gjyqësore sa i përket zgjidhjeve të rasteve kundër korrupsionit. Ai theksoi nevojën që Udhëzuesi i Gjykatës Supreme të jetë detyrues për gjyqtarët në rastet e trajtimit të lëndëve të korrupsionit.

Drejtori i APK-së, Yll Buleshkaj, duke potencuar nevojën për matje më të saktë të nivelit të korrupsionit, ka vlerësuar raportin dhe rëndësinë e të dhënave sasiore të korrupsionit dhe bashkëpunimit ndërinstitucional. Ai ngriti shqetësimin për mënyrën se si trajtohen rastet e mosdeklarimit të pasurisë dhe për mungesën e politikave ndëshkuese efektive.

Ndërsa hulumtuesi nga IKD, Astrit Kolaj, theksoi dështimin e disa prej rasteve të profilit të lartë për shkak të mungesës së palëve në seanca, mungesën e profilizimit  të prokurorëve dhe gjyqtarëve, dhe njëherazi potencoi nevojën për fuqizimin e politikave kundër korrupsionit.

Raportin e plotë në gjuhën shqipe mund ta gjeni këtu:

Raportin e plotë në gjuhën angleze mund ta gjeni këtu:

Trajtimi i lëndëve të korrupsionit në dekadën e fundit në Kosovë, ndikimi i ndryshimeve legjislative Download

Reagim i organizatave të shoqërisë civile për bllokimin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës

Prishtinë, 23 maj 2025 – Ne, organizatat e poshtëshënuara të shoqërisë civile, të angazhuara me përkushtim në mbrojtjen e demokracisë dhe funksionimit të shtetit të së drejtës, po e përcjellim me shqetësim të thellë dështimin e vazhdueshëm të deputetëve dhe deputeteve për të konstituuar Kuvendin e Republikës së Kosovës, si dhe refuzimin e udhëheqësve të partive politike për të bashkëpunuar dhe për të hyrë në dialog me qëllim të gjetjes së një zgjidhjeje që do t’i jepte fund kësaj krize institucionale.

Kriza institucionale që pasoi zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 ka kaluar çdo kufi të tolerueshëm dhe po dëmton jo vetëm Kuvendin, por edhe funksionimin e gjithë sistemit demokratik dhe institucional të vendit. Qeveria aktuale, të cilës i ka përfunduar mandati, po vazhdon të veprojë pa mbikëqyrje dhe kontroll parlamentar, situatë kjo e papranueshme për një shtet demokratik.

Në anën tjetër, Kuvendi jofunksional po e pamundëson miratimin e ligjeve të rëndësishme dhe vendimeve strategjike që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve dhe qytetareve, duke rrezikuar stabilitetin institucional, zhvillimin ekonomik dhe besimin qytetar në përfaqësim demokratik. Bllokada aktuale është duke vonuar e rrezikuar pranimin e fondeve nga Plani i Rritjes së BE-së, në kohën kur masat e vendosura nga BE dhe pezullimi pothuajse i tërësishëm i fondeve amerikane kanë reduktuar ndjeshëm mbështetjen financiare për Kosovën.

Zhvillimet gjeopolitike aktuale kërkojnë përgjegjësi dhe veprime të shpejta nga shtetet demokratike. Mosfuksionalizimi i Kuvendit të Kosovës është i papërgjegjshëm dhe i dëmshëm.  Ky stagnim rrezikon që vendet partnere të humbin besimin në aftësinë tonë për të ndërtuar institucione funksionale dhe për të vepruar si një shtet serioz në skenën ndërkombëtare.

U bëjmë thirrje udhëheqësve të partive parlamentare që të marrin përgjegjësinë që u është besuar dhe të veprojnë menjëherë për tejkalimin e krizës politike. Përmes dialogut dhe me fokus te zhvillimi i vendit dhe mirëqenia e qytetarëve, të arrijnë një marrëveshje që i jep fund bllokadës. Mungesa e vullnetit për bashkëpunim dhe përqendrim në interesin e përbashkët është e papranueshme dhe cenon thellë besimin publik në përfaqësimin demokratik.

Mosveprimi nuk është opsion. Çdo vonesë e mëtejme kërkon llogaridhënie publike.

Shoqëria civile mbetet e gatshme të ofrojë kontributin e saj për tejkalimin e kësaj krize dhe rikthimin e funksionalitetit demokratik në vend.

Organizatat mbështetëse (renditja sipas alfabetit):

Advocacy Training & Resource Center (ATRC)
Asociacioni i Mediave të Pavaruara Elektronike të Kosovës (AMPEK)
Balkan Green Foundation (BGF)
CEL Kosova
Center for Eduction and Community Development-Friends
CIPOF Childproof
Community Building Mitrovica (CBM)
Community Development Fund (CDF)
Democracy Plus (D+)
Demokraci për zhvillim (D4D)
Dylberizim
Ekovizioni
Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF)
Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë
Forumi Kosovar i Aftësisë së Kufizuar
Forumi për Iniciativa Qytetare (FIQ)
Hyjneshat
Iniciativa për Progres (INPO)
Iniciativa Qytetare Skenderaj
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI)
Instituti GAP
Instituti i Kosovës për Drejtësi (KLI)
Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS)
Instituti Kosovar për Hulumtim dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED)
Instituti për Politika Sociale “Musine Kokalari”
Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP)
Instituti Sekhmet
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut
Kosovo Advocacy & Development Centre
K-W4W
Leadership Development Association Europe
Lëvizja FOL
New Social Initiative (NSI)
Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – Kosovë
OJQ “ACCESS”
OJQ “Vision02”
OJQ EC Ma Ndryshe
OJQ Fortesa
OJQ Mundësia
OJQ Politeia
OJQ Zana
OJQ Pishtarët
Organizata Bubble
Organizata ÇOHU!
Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim – ORCA
Qendra Kosova për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (KRCT)
Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSGJ)
Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS)
Qendra Kosovare për Zhvillim të Qëndrueshëm – QKZHQ
Qendra për Arsim e Kosovës – KEC
Qendra për Avokim dhe Kulturë Demokratike (ACDC)
Qendra për Barazi dhe Drejtësi
Qendra Për Politika dhe Avokim (QPA)
Qendra për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore – CSGD
QIKA
Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK)
Rrjeti i OJQ-ve AVONET
Rrjeti Qeliza
SHL – Kosova
Syri i Vizionit
The Foundation House (ish-IPKO Foundation)
YMCA Movement

FOL Hapur mbi Qasjen në Drejtësi

Në kuadër të projektit “Ngritja e vetëdijes dhe besimit të qytetarëve në institucionet e drejtësisë”, Lëvizja FOL, në partneritet me Qendra per Studime te Avancuara FIT  dhe me mbështetjen e European Union in Kosovo 🇪🇺, organizoi diskutimin me temën:

“Avancimi i Qasjes në Drejtësi – Sfidat dhe Rëndësia”.

Të ftuar në panel ishin:

Armend Hamiti – Prokuror, Prokuroria Themelore Prishtinë

Florent Zeqiri – Gjyqtar, Gjykata Komerciale

Qëndrim Gashi – Agjencia për Ndihmë Juridike Falas

Arrita Rezniqi – Hulumtuese, Instituti i Kosovës për Drejtësi

Gjatë diskutimit u prezantua “Udhëzuesi Praktik për Qasjen në Drejtësi”, një dokument që synon të fuqizojë qytetarët me njohuri ligjore dhe t’i udhëzojë në mënyrë të qartë brenda sistemit të drejtësisë.

Ky aktivitet është pjesë e fushatës “Qasja në Drejtësi”, e cila do të vijojë në komunat e Pejës, Gjilanit për të afruar qytetarët më pranë institucioneve dhe diskutimeve mbi qasjen në drejtësi.  

Lexo Udhëzuesin këtu:

Lëvizja FOL inicion themelimin e Grupit Punues Nacional kundër Padive SLAPP në Kosovë

Prishtinë, 16 Maj 2025 – Pas anëtarësimit të Lëvizjes FOL në Koalicionin për Luftimin e Padive SLAPP në Evropë (CASE), Lëvizja FOL ka mbajtur sot takimin e parë të Grupit Punues Nacional për Paditë SLAPP (Paditë Strategjike Kundër Pjesëmarrjes Publike) në Kosovë me përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, gazetarë dhe aktivistë.

Ky takim shënon një hap të rëndësishëm drejt luftimit të praktikave që synojnë të heshtin zërat kritikë dhe të frikësojnë gazetarët dhe aktivistët.

Gjatë diskutimeve, u theksua nevoja për krijimin e këtij grupi të strukturuar e gjithëpërfshirës, rëndësia e një strategjie të përbashkët për të identifikuar dhe kundërshtuar paditë SLAPP në Kosovë, si dhe hapat konkret për të ngritur vetëdijesimin dhe për të avokuar për ndryshime ligjore që mbrojnë lirinë e shprehjes.

Ky grup do të shërbejë si një platformë bashkëpunimi ndërmjet organizatave të shoqërisë civile, gazetarëve, juristëve dhe akterëve të tjerë relevantë për të ndaluar abuzimin me sistemin e drejtësisë për shkaqe intimidimuese.

Instalacioni: From Here to Anywhere

Prishtinë, 8 maj 2025 – Lëvizja FOL ka mbajtur sot konferencë me ç’rast ka prezantuar instalacionin “FROM HERE TO ANYWHERE”, në kuadër të shënimit të Ditës së Evropës.

Mexhide Demolli Nimani – Drejtore e Lëvizjes FOL tha se gjatë gjithë këtyre viteve, Kosova ka gëzuar bashkëpunim të vazhdueshëm dhe mbështetje të rëndësishme nga shtetet e Bashkimit Evropian – në ndërtimin e institucioneve, zhvillimin ekonomik, reformat në drejtësi dhe në rrugën drejt forcimit të sundimit të ligjit. Për këtë ndihmë dhe solidaritet, qytetarët e Kosovës janë mirënjohës dhe e vlerësojnë thellësisht kontributin evropian në ndërtimin e së ardhmes së vendit tonë.

Ambasadorja e Mbretërisë së Holandës në Kosovë, znj. Karin Boven tha se si pjesë e këtij festimi njëjavor, jam e kënaqur që sot bashkohemi për të shënuar këtë rast përmes artit. “Kjo vepër na fton të gjithëve të lëvizim, të ndalemi dhe ta përjetojmë veprën jo vetëm si vëzhgues, por si pjesëmarrës. Me çdo lëvizje të lëkundjeve, ne i japim jetë hapësirës. I shndërrojmë fjalët në lëvizje dhe lëvizjen në kuptim.  Sipas saj, kjo nuk është vetëm një vepër arti – është një ftesë për të jetuar vlerat që na lidhin si evropianë: unitetin, paqen dhe solidaritetin. “Faleminderit që na bashkoheni në këtë moment. Le të bëhet ky instalacion pjesë e ritmit tonë të përbashkët – diçka për t’u kthyer, për t’u lëkundur poshtë dhe për të endur me të. Në këtë Ditë të Evropës, le ta çojmë mesazhin e saj përpara: që nga këtu, me të vërtetë, mund të shkojmë kudo – së bashku”, tha Ambasadorja Boven.

Drejtoresha për Kulturë në Komunën e Prishtinës znj. Sibel Halimi tha i falënderoi organizatorët që e shndërruan këtë hapësirë në vepër arti. “Lëvizja është liri. Dhe të gjitha simbolikat që janë përdor në këtë instalacion na zhvendosin drejtë lirisë, drejtë thyerjës së barrierave jo vetëm fizike por edhe mendore”, tha Halimi.  

 

Autori Driton Selmani tha se skulptura fton qytetarët për reflektim dhe lojë, duke e kthyer lëvizjen në një akt simbolik të bashkimit përtej dallimeve dhe diversitetin si lojë. “E vendosur në një mjedis urban, vepra bëhet pjesë e jetës së përditshme – duke i dhënë hapësirës publike si dritë ashtu edhe thellësi”, tha Selmani.

Projekti u realizua nga Lëvizja FOL dhe Prishtina Institute for Political Studies (PIPS), me mbështetje nga programi MATRA i Ambasadës së Mbretërisë së Holandës në Kosovë, dhe me leje nga Drejtoria e Parqeve – Komuna e Prishtinës.

Lëvizja FOL i bën thirrje Institucioneve publike për transparencë dhe bashkëpunim me mediat

Prishtinë, 3 maj 2025 – Në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Medias,  Lëvizja  FOL shpreh shqetësim të thellë për gjendjen e lirisë së medias në Kosovë, e cila vazhdon të përkeqësohet. Raporti i publikuar dje nga “Reporterët pa Kufij” (RSF) ka vendosur Kosovën në pozitën më të ulët që nga paslufta duke shënuar një rënie të theksuar në indeksin global të lirisë së shtypit.

Lëvizja FOL shpreh shqetësim të thellë për lirinë e medias që po përballet me kufizime, linçime dhe mungesë të  transparencës nga ana e institucioneve shtetërore ndaj mediave dhe gazetarëve dhe ri-kujton se liria e medias nuk është vetëm një detyrim ligjor, por është një nga shtyllat e demokracisë dhe si e tillë duhet të ruhet dhe respektohet nga të gjitha institucionet e vendit. 

Lëvizja FOL i bën thirrje Qeverisë së Kosovës dhe institucioneve tjera të ndalojnë çdo formë presioni, ndërhyrje ndaj gazetarëve dhe të krijojnë një kulturë bashkëpunimi me median si partnere për transparencën dhe informimin e qytetarëve. Gjithashtu kërkojmë nga udhëheqësit politikë të tregojnë përgjegjësi më të lartë në promovimin e një diskursi që respekton lirinë e medias dhe pavarësinë e saj.

Në këtë ditë, shprehim mirënjohjen tonë për të gjithë gazetarët, që në përmbushje të misionit të gazetarisë për informim të drejtë dhe të saktë pavarësisht sfidave, presioneve apo kërcënimeve, vazhdojnë të ushtrojnë profesionin e tyre në mënyrë të shkëlqyer.

Lëvizja FOL i rikujton institucioneve publike se vetëm përmes bashkëpunimit me median, mund të ndërtojë besim me publikun dhe të forcojë demokracinë në Kosovë. 

Gëzuar Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Mediave për të gjithë gazetarët që nuk heshtin përballë presioneve dhe mbrojnë të drejtën për informim!

Reagim: KQZ të anuloj konkursin për pozitën e Drejtorit të Sekretariatit

Prishtinë, 18 prill, 2025 Lëvizja FOL, shpreh shqetësimin e saj lidhur me përmbajtjen e konkursit të shpallur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) për pozitën e Drejtorit të Sekretariatit, konkretisht me kërkesën për njohjen e gjuhës angleze në nivelin B2, të dëshmuar me certifikatë TOEFL ose IELTS, si kriter formal i detyrueshëm për aplikim.

Kjo kërkesë nuk gjen mbështetje në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e cila në nenin 5 përcakton se gjuhët zyrtare në nivel shtetëror janë gjuha shqipe dhe serbe. Po ashtu, edhe Ligji për Zyrtarët Publikë (08/L-197) i cili përcakton standardet dhe parimet themelore të pranimit në detyrë në institucionet publike, në nenin 9, kërkon që kandidati të zotërojë së paku njërën nga gjuhët zyrtare – pa paraparë ndonjë kërkesë për njohjen e gjuhëve të huaja.

Vendosja e këtij kriteri si obligues përbën kufizim të panevojshëm dhe jo proporcional, dhe bie në kundërshtim me parimet e qasjes së barabartë në shërbimin publik dhe pakëson të drejtat e garantuara me kushtetutë.  Kërkesa për certifikata ndërkombëtare jo vetëm që rrit barrën financiare për kandidatët, por gjithashtu përjashton kandidatë të kualifikuar që e zotërojnë gjuhën angleze përmes përvojës praktike, pa pasur mundësi të ndjekin certifikime të kushtueshme. Për më tepër, kjo kërkesë eliminon nga gara kandidatë të denjë dhe me përvojë të dëshmuar, vetëm për faktin se nuk flasin gjuhën angleze – gjë që nuk është e justifikueshme për një funksion që kërkon përmbushje të detyrave kryesisht në gjuhët zyrtare të vendit.

Prandaj lidhur me këtë Lëvizja FOL kërkon nga KQZ që:
1. të ndryshojë rregulloren përkatëse të brendshme, me qëllim që të eliminohet vendosja e kritereve të tilla pa bazë ligjore për pozita të larta publike, dhe

2. të bëjë rishpallje e konkursit për këtë pozitë, duke hequr këtë kriter diskriminues.

Lëvizja FOL mori pjesë në takimin vjetor të Koalicionit Evropian kundër SLAPP – CASE

Lëvizja FOL si anëtare e Koalicionit Evropian kundër SLAPP – CASE, mori pjesë në takimin vjetor të rëndësishëm të këtij koalicioni, i cili u mbajt më 8 prill në Bruksel, Belgjikë 🇧🇪.

Ky takim shërbeu si një platformë kyçe për të diskutuar zhvillimet e fundit, sfidat dhe strategjitë e përbashkëta në luftën kundër padive strategjike kundër pjesëmarrjes publike (SLAPP).

Koalicioni Evropian kundër SLAPP – CASE (Coalition Against SLAPPs in Europe) përfaqëson një rrjet të gjerë dhe të fuqishëm të organizatave nga e gjithë Evropa, të cilat janë thellësisht të angazhuara në mbrojtjen e të drejtës themelore të fjalës së lirë  dhe pjesëmarrjes së lirë publike.

Ky koalicion punon në mënyrë aktive kundër padive abuzive që synojnë në mënyrë të padrejtë të heshtin zërat kritikë, duke përfshirë gazetarët e guximshëm, aktivistët e të drejtave të njeriut  dhe organizatat e shoqërisë civile që luajnë një rol jetik në mbikëqyrjen e pushtetit dhe promovimin e transparencës.

Pjesëmarrja e Lëvizjes FOL në këtë takim vjetor riafirmoi angazhimin tonë të palëkundur për të luftuar fenomenin shqetësues të padive SLAPP dhe për të kontribuar në mbrojtjen e një mjedisi të shëndetshëm për shprehjen e lirë dhe debatin publik në Kosovë dhe në rajon. Ne do të vazhdojmë të jemi aktivë brenda koalicionit dhe në nivel nacional për të ndërmarrë veprime konkrete kundër këtyre praktikave abuzive.

Gresa Caka-Nimani nderohet me mirënjohje për kontributin në promovimin dhe mbrojtjen e vlerave dhe parimeve të Kushtetutës

Prishtinë, 8 prill 2025 – Koalicioni i organizatave joqeveritare i përbërë nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Lëvizja FOL dhe Iniciativa për Progres (INPO), ka ndarë mirënjohje për Gresa Caka-Nimanin, ish-kryetare e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës.

Caka-Nimani u nderua me këtë mirënjohje, për angazhimin dhe kontributin e saj të rëndësishëm në promovimin dhe mbrojtjen e vlerave dhe parimeve të mishëruara në Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Mirënjohja për ish-kryetaren e Kushtetueses u nda të martën në shënimin e Ditës së Kushtetutës së Republikës së Kosovës, organizim ky nga Koalicioni i OJQ-ve- IKD, Lëvizja FOL dhe INPO.

Në këtë ngjarje, u theksua rëndësia historike e Kushtetutës, të arriturat dhe sfidat e jetësimit të Kushtetutës në praktikë.

Mexhide Demolli-Nimani rizgjedhet Drejtore Ekzekutive

Prishtinë, 04 prill 2025– Kuvendi i Anëtarëve të Lëvizjes FOL ka mbajtur mbledhjen e radhës ku është bërë zgjedhja e Drejtorit/es Ekzekutiv/e të Lëvizjes FOL.

Gjatë këtij takimi është bërë zgjedhja e Drejtorit/es të Lëvizjes FOL. Me 10 vota për, asnjë abstenim dhe asnjë kundër, Mexhide Demolli-Nimani rizgjedhet Drejtore Ekzekutiv e Lëvizjes FOL. Numri i anëtarëve të Kuvendit të Lëvizjes FOL arrin në 13, ndërkaq në këtë mbledhje prezent ishin 10 prej tyre.

Mexhide Demolli-Nimani është bashkëthemeluese e Lëvizjes FOL dhe nga maji i vitit 2018, ka shërbyer në pozitën e Drejtoreshës Ekzekutive.

Në mbledhjen e fundit është votuar dhe një anëtare e re e bordit të FOL, Luljeta Plakolli, ku me 10 vota pro Luljeta Pllakolli u bë pjesë e Bordit Lëvizjes FOL.

Lëvizja FOL, falenderon të gjithë anëtarët e Kuvendit të organizatës për kontributin e dhënë për arritjen e objektivave të organizatës.

Lëvizja FOL ka ndarë çmimet e garës për ese

Lëvizja FOL, në kuadër të “Kampanjës Qasja në Drejtësi”, ka ndarë çmimet e garës për ese mbi rëndësinë dhe sfidat e qasjes në drejtësi.

Kjo garë ishte organizuar për të gjithë studentët e nivelit baçelor dhe master dhe kishte për qëllim nxitjen e diskutimit dhe analizimit të çështjeve kyçe që ndërlidhen me drejtësinë.
Kjo garë ishte organizuar për të gjithë studentët e nivelit baçelor dhe master dhe kishte për qëllim nxitjen e diskutimit dhe analizimit të çështjeve kyçe që ndërlidhen me drejtësinë.

Fituesit e garës janë:
🏆 Vigan Gerdovci – Vendi i parë
🥈 Melisa Sejdiu – Vendi i dytë
🥉 Aurora Zekaj – Vendi i tretë

Kjo garë është pjesë e projektit “Ngritja e vetëdijes dhe besimit të qytetarëve në institucionet e sistemit të drejtësisë”, në partneritet me Qendra per Studime te Avancuara FIT, mbështetur nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë

Lëvizja FOL falënderon të gjithë pjesëmarrësit dhe i bën thirrje të bëhen pjesë e thirrjeve të ardhshme!

Ese: Avancimi i Qasjes në Drejtësi: Rëndësia dhe Sfidat – Vigan Gërdovci

Kjo ese është shkruar në kuadër të garës ‘’Qasja në Drejtësi: Rëndësia dhe Sfidat’’, si pjesë e projektit “Ngritja e vetëdijes dhe besimit të qytetarëve në institucionet e sistemit të drejtësisë”, në partneritet me Qendra për Studime te Avancuara – FIT, mbështetur nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.

Nga: Vigan Gërdovci

Padyshim, demokracia e  re Kosovës duhet të ballafaqohet me një çështje të vështirë, themelore – qasjen në drejtësi për të gjithë qytetarët, që kërcënon të pengojë përparimin tonë shoqëror. Si student në vitin e katërt të drejtësisë, mund të dëshmoj për numrin e pallogaritshëm të orëve dhe vendosmërinë e patundur që shumë nga fusha jonë ligjore duhet të shpenzojnë nëse duan të kapërcejnë realitetet tona të ngushta mbizotëruese në mënyrë që të përmbushin premtimin “jo gjithmonë të leht Padyshim, demokracia e sapolindur e Kosovës duhet të ballafaqohet me një çështje të rëndë, themelore – qasjen në drejtësi për të gjithë qytetarët – që kërcënon të pengojë përparimin tonë shoqëror. Si student në vitin e katërt të drejtësisë, mund të dëshmoj për numrin e pallogaritshëm të orëve dhe vendosmërinë e patundur që shumë nga profesioni ynë ligjor duhet të shpenzojnë nëse duan të kapërcejnë realitetet tona të ngushta mbizotëruese në mënyrë që të përmbushin premtimin “jo gjithmonë të bukur” për drejtësi të barabartë sipas ligjit. Në të vërtetë, forcat që pengojnë qasjen në drejtësi në shoqërinë tonë nuk janë aspak unike për Kosovën; anembanë botës, shumë sisteme drejtësie duken thuajse të mallkuar që të mos përmbushin vetë thelbin e tyre. Por disa prej nesh po punojnë në plane për ta ndryshuar këtë, dhe kjo ese është një nga ato plane.

Tri pengesa kryesore i pengojnë qytetarët e Kosovës të përdorin sistemin e drejtësisë. E para janë paratë. Në një vend ku mbi 60% jetojnë nën nivelin mesatar të të ardhurave, kostot që lidhen me marrjen e përfaqësimit ligjor dhe nevojat për të ndjekur një çështje gjyqësore janë një pengesë serioze. Dhe, siç do të shohim më vonë, vetë të ardhurat mesatare janë të fryra artificialisht dhe nuk përfaqësojnë një numër të madh njerëzish, mjetet e të cilëve bien shumë nën mesataren tashmë të pakët. Në këtë mjedis, ku njerëzit luftojnë për të përballuar jetesën, premtimi për një sistem ligjor të qasshëm për të gjithë është në rrezik serioz.

Problemi përkeqësohet nga natyra komplekse e proceseve ligjore dhe gjuha e padepërtueshme ligjore që përdorin profesionistët. Kjo gjuhë shpesh nuk i shërben qëllimit tjetër veçse të rrisë statusin e profesionistëve, por shërben për të tjetërsuar më tej qytetarët që supozohet se do të shërbehen nga sistemi. E gjithë kjo do të ishte mjaft e keqe, por përkeqësohet edhe më shumë nga nivelet e ulëta të arsimimit ligjor mes qytetarëve tanë. Shumica e njerëzve nuk e dinë se çfarë të drejtash kanë, dhe siç theksoi një studim i fundit, ata gjithashtu nuk e dinë se çfarë burimesh falas janë në dispozicion për t’i ndihmuar ata. I njëjti studim zbuloi se shumica e njerëzve e mbivlerësojnë koston e marrjes së ndihmës. Ky hendek i ndërgjegjësimit jo vetëm që dëmton individët e përfshirë, por gjithashtu dërgon një mesazh “drejtësia nuk është për të gjithë” për publikun.

Arritja e synimit për ngushtimin e këtij hendeku kërkon veprim të shumanshëm. Një pjesë e tij duhet të reformojë strukturat e vjetra, por një pjesë duhet të parashikohet dhe imagjinohet të jetë diçka ndryshe nga ajo që kemi aktualisht. Duhet të kemi diçka të re; ne nuk mund të mbështetemi vetëm në strukturat e vjetra për të arritur në diçka që është vërtet e drejtë. Shtytja e madhe në vitet e ardhshme duhet të jetë zgjerimi dhe forcimi i sistemit të qasjes në drejtësi që është falas dhe kryesisht i disponueshëm për të grupet e margjinalizuara.

Në zemër të studimit për drejtësi, është fuqizimi i individëve për të kapërcyer një sistem ligjor konfuz. Ligji dhe autoriteti mund dhe ndryshojnë – shpesh në mënyra që mund të mos jenë të dukshme derisa të jenë mbi ne. Mësimi i njerëzve se si të lundrojnë këto ndryshime nuk i mban ata vetëm në anën e djathtë të ligjit. Ai u jep atyre njohuri për të njohur kur ligji është në anën e tyre ose kur nuk është dhe më pas të bëjnë diçka për të.

Përveç kësaj, në kërkim të drejtësisë së vërtetë brenda Kosovës, reformimi i ligjeve ekzistuese nuk mjafton; ne gjithashtu duhet të ndryshojmë mendimin tonë për vetë konceptin e ligjit dhe atë që ai nënkupton për shoqërinë. Ndërsa përgatitemi për të hyrë në profesionin e avokatit, ne duhet të marrim seriozisht në konsideratë natyrën e punës sonë si në emër të klientëve tanë, ashtu edhe në emër të numrit të panumërt të cilët nuk mund dhe nuk pranojnë shërbimet tona. Natyra e punës sonë brenda sistemit ligjor është e lidhur ngushtë me të kuptuarin tonë të llojit të sistemit në të cilin dëshirojmë të jetojmë. Ekzistenca e sistemit juridik bazohet në funksionimin e drejtë dhe transparent të pjesëve të tij.

Ky vizion kërkon që ne të bëhemi edhe reformatorë edhe vizionarë. Ai na bën thirrje që të përdorim privilegjin tonë akademik për të nxitur ndryshime sistematike që promovojnë drejtësinë dhe qasjen brenda kornizës ligjore. Ka pa dyshim shumë mënyra për ta arritur këtë. Unë thjeshtë po ndaj një prej tyre, i cili ndodh të jetë projekti im dhe që mendoj se është një shembull mjaft i mirë i asaj për të cilën po flas kur përdor fjalët “i drejtë” dhe “i arritshëm”.

Për ta përmbledhur, besimi se të gjithë qytetarët e Kosovës mund të arrijnë drejtësinë nuk ka të bëjë vetëm me ligjin; ka të bëjë kryesisht me llojin e shoqërisë në të cilën duam të jetojmë. Aktualisht, ne po trajtojmë mangësi të rëndësishme, me reformat inovative si metodën tonë kryesore. Këto reforma janë të trefishta. Së pari, ne po zgjerojmë disponueshmërinë e ndihmës juridike falas për ata që kanë nevojë për të. Së dyti, ne po përmirësojmë edukimin ligjor publik që i japim shoqërisë sonë, për të siguruar që të gjithë të dinë se cilat janë të drejtat dhe detyrimet e tyre sipas ligjit. Dhe, së fundi, ne po thjeshtojmë procedurat ligjore për të reduktuar numrin e barrierave të rreme që vendosen.

Në prag të këtij rrugëtimi transformues, le t’i përkushtohemi ndërtimit të një të ardhmeje ku drejtësia nuk është thjesht një aspiratë, por një realitet i përjetuar nga çdo qytetar i Kosovës.

Ese: Avancimi i Qasjes në Drejtësi: Rëndësia dhe Sfidat – Melisa Sejdiu

Kjo ese është shkruar në kuadër të garës ‘’Qasja në Drejtësi: Rëndësia dhe Sfidat’’, si pjesë e projektit “Ngritja e vetëdijes dhe besimit të qytetarëve në institucionet e sistemit të drejtësisë”, në partneritet me Qendra për Studime te Avancuara – FIT, mbështetur nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.

Nga: Melisa Sejdiu

“Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar”, një frazë që i atribuohet William E. Gladstone, thotë një të vërtetë të qartë: mungesa e qasjes në drejtësi e vë në rrezik thelbin e njerëzimit. Megjithatë, për miliona njerëz në mbarë botën, sistemet ligjore vazhdojnë të jenë një labirint me pengesa territoriale, sociale dhe ekonomike, që e bëjnë drejtësinë e vërtetë asgjë më shumë se një ëndërr të paarritshme. Megjithëse sistemet ligjore synojnë të mbrojnë të drejtat e njeriut, të zgjidhin mosmarrëveshjet dhe të sigurojnë drejtësi, ato shpesh vijnë me shumë probleme. Këto probleme krijojnë një barrierë ligjore midis njerëzve dhe qasjes së tyre në drejtësi. Sidoqoftë, rëndësia e saj nuk mund të mbivlerësohet. Qasja në drejtësi luan një rol vendimtar në vendosjen e shtetit të së drejtës, sepse ajo e vë në praktikë teorinë e të drejtave themelore të njeriut.

Pengesat me të cilat përballen njerëzit kur kërkojnë qasje në drejtësi janë të shumta, por ato mund të kategorizohen në tre grupe kryesore: barriera ligjore, barriera gjeografike dhe barriera sociale dhe ekonomike. Barrierat ligjore përfshijnë një gamë të gjerë çështjesh, duke përfshirë mungesën e njohurive ligjore, e cila është thelbësore për qasjen në drejtësi. Siç është vënë në dukje nga Këshilli i Evropës (2019), ndërkohë që arsimimi ligjor njihet si një element thelbësor i qasjes në drejtësi, ka të dhëna të pamjaftueshme se sa mirë janë të vetëdijshëm individët për të drejtat e tyre dhe mekanizmat për mbrojtjen e tyre. Proceset komplekse së bashku me terminologjinë e specializuar dhe rregullat teknike priren të jenë të vështira për t’u lundruar për një person mesatar.

Përveç kompleksitetit të proceseve ligjore, barrierat gjeografike paraqesin një sfidë tjetër të rëndësishme. Për individët që jetojnë në zona të largëta ose rurale, qasja në drejtësi dhe burime ligjore është shpesh e kufizuar ose e padisponueshme. Në varësi të qasjes së tyre në transport dhe nëse ata banojnë në një rajon urban apo rural, njerëzit ndikohen nga distanca e gjykatës dhe koha e udhëtimit në mënyra të ndryshme. Për shkak të lëvizjes së tyre të kufizuar, më pak mundësi transporti dhe kufizimeve financiare, gratë shpesh përballen me më shumë vështirësi. Mungesa e ambienteve të kujdesit për fëmijët në zonë e bën gjithashtu më të vështirë për gratë ndjekjen e drejtësisë. Qasja në gjykatat e specializuara, si ato që trajtojnë çështjet që përfshijnë abuzim në familje ose dhunë në familje, bëhet edhe më sfiduese për njerëzit që jetojnë në zonat rurale, sepse këto gjykata zakonisht gjenden në zonat urbane.

Ndërsa barrierat gjeografike krijojnë sfida për qasjen në drejtësi, ato shpeshherë shumëzohen nga sfida më të gjera sociale dhe ekonomike. Kufizimet financiare e bëjnë më të vështirë për shumë njerëz, veçanërisht ata nga grupet e varfëra ose të margjinalizuara, qasjen në burimet ligjore, gjë që promovon një cikël të pafund në të cilin qasja në drejtësi kufizohet si nga disavantazhet gjeografike ashtu edhe nga ato ekonomike. Sipas Shoqatës Ndërkombëtare të Avokatëve (2015), varfëria kontribuon dhe është pasojë e dështimeve të sistemit të drejtësisë. Grupet me të ardhura të ulëta dhe të margjinalizuara preken në mënyrë disproporcionale nga financimi i pamjaftueshëm dhe burimet e pamjaftueshme në sistemet e drejtësisë, sepse shpesh atyre u mungojnë mjetet financiare për të kapërcyer këto probleme strukturore. Mohimi i qasjes së barabartë në drejtësi për njerëzit në varfëri e bën më të vështirë për ta ushtrimin e të drejtave të tyre ekonomike dhe sociale, duke përfshirë të drejtat e tyre për pronë dhe punë, duke i bërë ata më të prirur për shfrytëzim. Për më tepër, çështje të tilla si diskriminimi, arsimimi minimal dhe qasja e kufizuar në informacion kanë një lidhje me varfërinë, duke e bërë edhe më të vështirë për individët vulnerabël qasjen e drejtë në drejtësi.

Si përfundim, është e sigurt se njerëzit përballen me sfida të shumta kur përpiqen të kenë qasje në drejtësi. Megjithatë, ka arsye për shpresë, pasi reformat aktuale dhe ndryshimet e ardhshme mund t’i zvogëlojnë këto barriera dhe përfundimisht t’u mundësojnë individëve të ushtrojnë në mënyrë më efektive të drejtat e tyre.

Janë ndërmarrë reforma për të adresuar këto sfida. Transparenca në procedurat gjyqësore luan një rol vendimtar në besimin e publikut dhe llogaridhënien në sistemin ligjor gjithashtu. Finlanda, për shembull, zbatoi Aktin për Publikimin e Procedurave Gjyqësore në 2007, i cili siguron që procedurat gjyqësore dhe dokumentet e gjykimit të jenë të hapura për publikun, përveç në rrethana të caktuara. Ky ligj përfshin dispozita për mbrojtjen e informacionit të ndjeshëm, si çështjet që kanë të bëjnë me shëndetin ose sigurinë personale, ndërkohë që promovon hapjen. Në mënyrë të ngjashme, projektet ndërkombëtare si iniciativa EUKOJUST në Kosovë fokusohen në rritjen e transparencës dhe harmonizimin e kornizave ligjore.

Teknologjia po luan gjithashtu një rol të madh në bërjen e drejtësisë më të qasshme. Zgjidhja e mosmarrëveshjeve në internet (ODR) është një shembull se si platformat dixhitale u mundësojnë njerëzve në zona të largëta ose të varfra të zgjidhin mosmarrëveshjet ligjore pa shkuar në gjykatë. Kjo metodë ul kostot dhe thjeshton procesin, duke përfituar komunitetet e margjinalizuara. Për më tepër, edukimi ligjor dhe ndërgjegjësimi i publikut janë çelësi për tejkalimin e këtyre barrierave. Duke informuar individët për të drejtat e tyre, programet publike të edukimit ligjor i ndihmojnë njerëzit të angazhohen me sistemin ligjor dhe të mbrojnë të drejtat e tyre në mënyrë efektive.

Si përmbledhje, edhe pse shumë njerëz ende e konsiderojnë qasjen në drejtësi si një qëllim jorealist, rëndësia e saj në mbrojtjen e barazisë dhe drejtësisë nuk mund të mohohet. Barrierat ligjore, gjeografike dhe financiare janë të rëndësishme, por të menaxhueshme. Një sistem gjyqësor më gjithëpërfshirës, ku të gjithë mund të ushtrojnë të drejtat e tyre, është i mundur në të ardhmen për shkak të përmirësimeve të vazhdueshme në edukimin ligjor, teknologjinë dhe transparencën.

Ese: Avancimi i Qasjes në Drejtësi: Rëndësia dhe Sfidat – Aurora Zekaj

Kjo ese është shkruar në kuadër të garës ‘’Qasja në Drejtësi: Rëndësia dhe Sfidat’’, si pjesë e projektit “Ngritja e vetëdijes dhe besimit të qytetarëve në institucionet e sistemit të drejtësisë”, në partneritet me Qendra për Studime te Avancuara – FIT, mbështetur nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.

Nga: Aurora Zekaj

Drejtësia është më shumë se thjesht një koncept në librat juridikë. Është rrahja e zemrës së një shoqërie që dëshiron t’i trajtojë të gjithë me respekt dhe drejtësi. Imagjinoni një botë ku çdo person, pavarësisht prejardhjes, gjuhës apo pasurisë, mendon se zëri i tij ka rëndësi. Për disa, kjo mund të duket si një ëndërr e pamundur, por për Kosovën, është një qëllim për të cilin ia vlen të përpiqesh.

Formimi i një shoqërie do të thotë shumë më tepër sesa miratimi i legjislacionit; përkundrazi, kjo do të thotë se pavarësisht nga situata e jetës, njeriu duhet të jetë në gjendje të qaset në drejtësi kur është e nevojshme. Një gjyqësor transparent dhe efikas është baza për ndërtimin e besimit te njerëzit. Por çfarë ndodh kur njerëzit e humbin atë besim? Çfarë ndodh kur një person që përballet me një padrejtësi nuk di ku të drejtohet, ose, më keq akoma, di por nuk mund të përballojë rrugën për të kërkuar drejtësi për shkak të pengesave financiare apo gjeografike?

Në Kosovë, lufta për qasje në drejtësi është një realitet i përditshëm për shumë njerëz. Merrni, për shembull, një nënë beqare në një fshat rural që përpiqet të rrisë fëmijët e saj, të mbrojë shtëpinë e saj dhe të mbajë familjen e saj të sigurt. Për të, drejtësia nuk është ndonjë ideal abstrakt; ka të bëjë me sigurimin e një të ardhmeje për fëmijët e saj. Ajo dëshiron të jetë në gjendje të mbrojë të drejtat e saj, por sistemi është kundër saj.

Ajo ka detyrën e vështirë të kalojë një sistem gjyqësor tashmë të mbingarkuar me lëndë dhe procesi mund të zgjasë me muaj apo edhe vite. Kostoja e punësimit të një avokati është shpesh shumë e lartë për të, dhe madje edhe kur ndihma është e disponueshme, procesi është aq i ndërlikuar dhe i frikshëm sa ajo mund të heqë dorë para se të fillojë. Për t’i bërë gjërat më keq, shumë njerëz, si nëna vetushqyese në këtë rast, nuk dinë se ku të drejtohen për ndihmë ose pengohen nga problemet me gjuhën ligjore dhe madje dhe vendndodhjen.

Kjo ngërthen një çështje më të gjerë: qasja në drejtësi nuk ka të bëjë vetëm me të kuptuarit e ligjit, por përkundrazi po i jep personit mjete dhe burime për të lundruar rreth një sistemi që duket i ndërtuar për t’i mbajtur ata jashtë.

Edhe me shumë sfida, ka njëfarë shprese. Vitet e fundit, disa nga barrierat që i pengojnë njerëzit të marrin drejtësi janë hequr. U iniciuan programe të ndihmës juridike, duke u mundësuar atyre që kanë nevojë të marrin këshilla ligjore dhe përfaqësim, pavarësisht nga mundësia e tyre për të paguar. Iniciativa të tilla mund të jenë shpëtimtare për ata që përndryshe nuk do të përballonin një avokat.

Për sa kohë që mund të jetë rruga përpara, ajo nuk është pa shpresë. Çdo hap drejt qasjes në drejtësi do të thotë një hap drejt një shoqërie më të barabartë. Që ky rrugëtim të ketë sukses, të gjithë ne – qytetarë, politikëbërës dhe organizata – duhet të bashkohemi për ta bërë drejtësinë realitet për të gjithë.

Ajo që me të vërtetë duhet të fillojmë të bëjmë progres është zhvillimi i partneriteteve ndërmjet sektorit publik, institucioneve private dhe shoqërisë civile. Kjo kërkon investim në arsim – jo vetëm në avokatë dhe gjyqtarë, por edhe në qytetarë mesatarë – në mënyrë që ata të kuptojnë të drejtat e tyre dhe si t’i mbrojnë ato. Po aq i rëndësishëm do të jetë përdorimi i vazhdueshëm i teknologjisë për ta bërë këtë proces sa më të thjeshtuar dhe të qasshëm në një mënyrë transparente, në mënyrë që njerëzit të mund të marrin ndihmë më lehtë.

Ëndrra për një shoqëri të drejtë nuk është e paarritshme. Kosova ka mundësinë të udhëheqë me shembull, duke treguar se pavarësisht nga madhësia e një vendi, një përkushtim i thjeshtë, por i fortë për drejtësi dhe barazi mund të transformojë vërtet jetën e qytetaëve të saj. Duke punuar së bashku, ne mund të ndërtojmë një të ardhme ku çdo person, pavarësisht nga prejardhja, gjuha apo pasuria e tij, të ketë mundësinë për të qasur drejtësinë që meriton. Kreativiteti është një nga hapat kryesorë drejt drejtësisë për të gjithë. Nuk mjafton vetëm të punosh brenda sistemit tradicional. Duhet të mendojmë jashtë kutisë për zgjidhje të ndryshme që do ta bëjnë drejtësinë më të qasshme.

Po sikur qendrat e lëvizshme të ndihmës juridike të krijoheshin për të shkuar në zonat rurale për të vënë në dispozicion ndihmën juridike për ata që nuk mund të shkojnë në sallën e gjyqit? Kjo do të ishte një mënyrë e thjeshtë për të kapërcyer hendekun për ata që jetojnë në zona të largëta. Ose, po sikur të kishte aplikacione celulare të krijuara për t’u dhënë qytetarëve këshilla ligjore të kuptueshme lehtë në gjuhët e tyre? Mjete të tilla mund t’i fuqizojnë njerëzit të kuptojnë të drejtat e tyre dhe t’i ndihmojnë ata të lundrojnë me besim në sistemin ligjor.

Historitë personale kanë gjithashtu fuqinë për të frymëzuar ndryshim. Shpesh, kur njerëzit janë të ekspozuar ndaj betejave të të tjerëve, mbi të gjitha kur historitë përfshijnë një përpjekje për të kapërcyer barrierat drejt qasjes në drejtësi, kjo i motivon ata të veprojnë. Një i ri që tregon se si ndihma juridike falas ia ndryshoi jetën, ose një nënë që përshkruan betejën e saj për të drejtat e saj dhe, në të vërtetë, fitoren mbi to, nxit shpresën te të tjerët ndërsa e shtyn sistemin të përmirësohet. Këto tregime tregojnë se drejtësia nuk është thjesht një grup rregullash – është një gjë e gjallë, frymëmarrëse që mund të transformojë jetët.

Arritja e një sistemi drejtësie të qasshëm nuk është një detyrë e lehtë, por as e pamundur. Për ta arritur këtë, Kosova duhet të fokusohet në më shumë se vetëm reforma ligjore; ajo ka nevojë për një ndryshim kulturor në të cilin drejtësia do të perceptohej si një e drejtë themelore e njeriut, sesa një privilegj për pak njerëz.