Reagim: Republika nuk mbahet vetëm me numra

Prishtinë, 28 prill 2026 – Lëvizja FOL shpreh shqetësim të thellë lidhur me mënyrën se si është proceduar me procesin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës së Kosovës. Në një rend kushtetues parlamentar, zgjedhja e Presidentit nuk është një veprim i rëndomtë politik, por procedurë e veçantë kushtetuese, e cila duhet të zhvillohet vetëm në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe me standardet e përcaktuara nga Gjykata Kushtetuese.

Ajo që ndodhi vonë mbrëmë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ku u tentua të zgjidhej Presidenti përmes një procedure të kontestueshme te ashtuquajtur nga vetë eksponentët e shumicës si proces “karate”, përbën rrezik serioz për funksionimin normal të institucioneve dhe për vetë rendin kushtetues.

Republika nuk mbahet vetëm me numra. Presidenti nuk është pronë e një shumice të përkohshme. Presidenti është institucion i unitetit të popullit. Për këtë arsye, procesi i zgjedhjes së tij nuk mund të shndërrohet në ‘ushtrim force’, në kalkulim partiak apo në lojë procedurale. Kushtetuta nuk është instrument për t’u përdorur kur i shërben pushtetit dhe për t’u anashkaluar kur e kufizon atë.

Shkelja me paramendim dhe me qëllim e Kushtetutës përbën akt shumë të rrezikshëm dhe të paprecedent në historinë e re të Republikës. Një veprim i tillë nuk është vetëm gabim procedural; është goditje ndaj parimit se pushteti buron nga Kushtetuta dhe ushtrohet vetëm brenda kufijve të saj. Sepse ajo krijon bindjen se institucionet mund të deformohen nga brenda, se rregullat mund të lakohen sipas nevojës politike dhe se shteti mund të trajtohet si pronë e atyre që përkohësisht e qeverisin. Kjo është pikërisht arsyeja pse situata është kaq e rrezikshme: sepse normalizon idenë se Kushtetuta mund të anashkalohet kur nuk i përshtatet shumicës së momentit.

Prandaj, fillimi apo vazhdimi i votimit pa praninë e së paku 80 deputetëve në sallë nuk mund të konsiderohet thjesht si çështje procedurale e brendshme e Kuvendit. Një veprim i tillë prek drejtpërdrejt rendin kushtetues, sepse synon të prodhojë pasoja juridike në mungesë të kushteve themelore që Kushtetuta kërkon për këtë proces.

Në këtë kuptim, shumica parlamentare dhe udhëheqja e Kuvendit kanë përgjegjësi të veçantë që të mos e trajtojnë Kushtetutën si pengesë teknike. Çdo procedim pa kuorumin e nevojshëm krijon precedent të rrezikshëm, dobëson parimin se pushteti ushtrohet vetëm brenda kufijve të përcaktuar me Kushtetutë dhe e fut vendin në një zonë të pasigurt institucionale.

Lëvizja FOL rikujton se demokracia nuk matet vetëm me numrin e votave që një shumicë mund t’i sigurojë në një moment të caktuar. Ajo matet edhe me gatishmërinë e asaj shumice për t’u ndalur kur Kushtetuta e kërkon këtë. Respektimi i kufijve kushtetues është kusht për legjitimitetin e çdo vendimi institucional.

Për këtë arsye, i bëjmë thirrje Kuvendit të Republikës së Kosovës, udhëheqjes së tij dhe të gjithë deputetëve që procesi i zgjedhjes së Presidentit të zhvillohet vetëm në përputhje të plotë me nenin 86 të Kushtetutës dhe me jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese. Çdo shmangie nga këto standarde nuk e zgjidh krizën institucionale; përkundrazi, e thellon atë, e dobëson besimin në institucione dhe e vendos vendin përballë një kontestimi të ri kushtetues.

Kosova ka nevojë për President të zgjedhur në mënyrë të rregullt, me proces të pastër dhe me legjitimitet të pakontestueshëm. Çdo rrugë tjetër është e dëmshme për institucionet, për rendin kushtetues dhe për besimin e qytetarëve në shtet.

Anëtarët e bordeve të RTK-së dhe KPM-së zgjidhen në procese të komprometuara

Prishtinë, 24 prill 2026- Ne, të poshtëshënuarit, shprehim zhgënjimin tonë me vendimin e partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, për përzgjedhjen e anëtarëve të bordit të Radio Televizionit të Kosovës dhe të Komisionit të Pavarur për Media në një proces të dokumentuar haptazi si të komprometuar.

Kandidatët e dy trupave drejtues të këtyre institucioneve janë përzgjedhur në procese të nxituara, pa transparencë dhe me procedura të çrregullta, të cilat e kanë pamundësuar zbatimin e parimit të meritokracisë.

Proceset kanë dështuar për arsyet në vijim: insistimi i deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje që ky proces të përmbyllej brenda një afati të shkurtër dhe koha e pamjaftueshme në dispozicion, organizimi i çrregullt si pasojë e presionit kohor, cenimi i trajtimit të barabartë të kandidatëve, metodologjia e paqartë dhe jo transparente, sidomos me vendimin që poentimi i kandidatëve të mos bëhet pas secilës intervistë, si dhe favorizimi politik i disa kandidatëve.

Në veçanti, është shqetësuese që në KPM është përzgjedhur Besnik Berisha, i cili gjatë mandatit të tij në këtë institucion, në përpjekje për t’u avancuar sa ishte anëtar në KPM, kishte shkelur ligjin për t’u bërë kryetar i bordit, dhe Luljeta Aliu Krasniqi, e cila ka lavdëruar dhe mbështetur Lëvizjen Vetëvendosje dhe njihet si mbështetëse e pushtetit.

Anëtarët e të dy bordeve do të veprojnë nën hijen e mandateve të marra në procese të komprometuara.

Ne do të monitorojmë me vëmendje të shtuar punën e të dy bordeve dhe do të informojmë publikun për veprimet e tyre.

Vlerësimi i procesit për përzgjedhjen e anëtarëve të bordit të Radio Televizionit të Kosovës

Vlerësimi i procesit për përzgjedhjen e anëtarëve të Komisionitt e Pavarur për Media

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK
Lëvizja FOL
Instituti i Kosovës për Drejtësi – IKD
Flutura Kusari, juriste e së drejtës së medias

VV-ja synon vazhdimin e kapjes së KPM-së nëpërmjet dy ish-anëtarëve që e dëmtuan më herët institucionin

Prishtinë, 22 prill 2026 – Ne, të poshtëshënuarit, pas monitorimit të procesit për përzgjedhjen e anëtarëve të Komisionit të Pavarur për Media (KPM), vlerësojmë se procesi është haptazi i komprometuar dhe nuk përmbush standardet minimale për të siguruar që përbërja e re e KPM-së do të garantojë rregullim dhe pluralizëm të mediave në Kosovë.

Komisioni Ad Hoc ka rekomanduar emra për votim në seancën e Kuvendit të Kosovës, të cilët janë dëshmuar me vendime të gjykatave të rregullta se kanë cenuar ose shkelur Ligjin për Komisionin e Pavarur për Media, apo persona që janë të njohur si propagandues të Lëvizjes Vetëvendosje. Një qasje e tillë cenon integritetin e procesit dhe besueshmërinë e publikut në pavarësinë dhe paanshmërinë e KPM-së, nëse këta persona potencialisht emërohen në KPM.

Në këtë drejtim, i rekomandojmë Komisionit Ad Hoc që ky proces të mos procedohet tutje dhe të kthehet në pikën zero për këto arsye:

Legjitimiteti i institucionit të KPM-së garantohet vetëm përmes një procesi të përzgjedhjes së anëtarëve të bazuar në ligj dhe me integritet. Ky proces nuk e ka garantuar këtë parim. Moszbatimi i këtij standardi cenon besueshmërinë e publikut dhe mediave që vendimet e KPM-së të perceptohen si të drejta dhe të pranueshme.

Në proces kanë aplikuar gjithsej 30 individë për gjashtë pozita të lira. Procesi i përzgjedhjes së anëtarëve të KPM-së është zhvilluar ndërmjet datave 17 dhe 20 prill, që përfshin gjithsej dy ditë pune, duke marrë parasysh fundjavën. Më 17 prill janë shqyrtuar dosjet e kandidatëve dhe është diskutuar metodologjia e intervistimit, ndërsa më 20 prill janë mbajtur 23 intervista. Procesi ka përfunduar rreth orës 19:30 të mbrëmjes së datës 20 prill. Paraprakisht, Komisioni Ad Hoc kishte dështuar të mblidhej për shkak të mungesës së kuorumit të plotë më 10 dhe 14 prill.

Ky proces i kontestuar cenon rëndë pavarësinë institucionale të KPM-së, duke pasur parasysh që ky institucion rregullon sektorin mediatik në Kosovë dhe është thelbësore që anëtarët e tij të mos zgjidhen përmes ndikimeve politike apo interesave partiake.

Barazia dhe meritokracia: Ky proces është zhvilluar brenda një afati të shkurtër kohor dhe me metodologji të kontestuar. Edhe përkundër faktit se kryetari i Komisionit Ad Hoc, z. Alban Bajrami, ka bërë përpjekje që ky proces të zhvillohet mbi bazën e kritereve të qarta dhe të njëjta për të gjithë kandidatët, kjo në praktikë nuk është zbatuar drejt, duke cenuar parimin e barazisë dhe meritokracisë.

Mungesa e zbatimit të parimit të barazisë dhe meritokracisë cenon rëndë cilësinë e përbërjes së KPM-së dhe ka kufizuar profesionalizmin dhe konkurrencën e ndershme. Procesi është karakterizuar nga organizim i çrregullt, i ndikuar nga insistimi i partisë në pushtet që ai të përfundonte brenda një kohe shumë të shkurtër. Të gjitha takimet kanë nisur me vonesë, për shkak se deputetët kishin angazhime të tjera në të njëjtën kohë brenda parlamentit. Po ashtu, deputetët i kanë pranuar dosjet me vonesë dhe, nga momenti i pranimit të tyre deri në fillimin e intervistave, kanë pasur shumë pak kohë për shqyrtimin e rreth 30 dosjeve, të cilat përmbajnë qindra faqe. Në këto rrethana, nuk është realiste të pritet një shqyrtim i plotë dhe cilësor i këtij dokumentacioni brenda kësaj periudhe kohore.

Integriteti i procesit mbron transparencën dhe llogaridhënien. Edhe përkundër faktit se procedura e vlerësimit ka qenë deri diku e hapur, ajo nuk ka qenë e dokumentuar dhe e arsyetuar. Ky kufizim nuk u ka mundësuar palëve të interesuara dhe publikut të kuptojnë se si janë poentuar kandidatët, meqë procesi është shoqëruar me mungesë transparence në poentim. Vlerësimi i kandidatëve u bë vetëm pasi përfunduan të gjitha 23 intervistat dhe jo pas secilës intervistë, siç parashikojnë standardet minimale. Deputetët nuk kanë ofruar arsyetim për pikët e dhëna, duke u fshehur pas anonimitetit. Votimi është bërë në mënyrë anonime, duke mos lejuar asnjë formë monitorimi dhe rrjedhimisht është bërë e paqartë se sa pikë ka dhënë secili deputet për kandidatët. Se poentimi ka qenë i parregullt shihet edhe nga fakti se disa nga kandidatët, nga disa deputetë, u poentuan me 100 pikë, ndërsa i njëjti kandidat u poentua nga një deputet tjetër me 0 pikë, gjë që dëshmon se në këto raste kemi pasur vlerësim politik dhe jo profesional.

Po ashtu, është vërejtur sjellje joserioze e shumicës së deputetëve gjatë zhvillimit të intervistave, të cilët, përveç që nuk merrnin fare shënime, qëndronin në telefona edhe kur kandidatët ishin duke dhënë përgjigje. Kjo sjellje rrit edhe më shumë dyshimet rreth cilësisë së vlerësimit të kandidatëve.

Ky proces, për dallim nga procesi i përzgjedhjes së anëtarëve të bordit të RTK-së, është zhvilluar në atmosferë më të rregullt falë përkushtimit të kryetarit të komisionit, Alban Bajrami.

Komisioni Ad Hoc ka rekomanduar këta kandidatë për seancë plenare: Drita Morina, Besnik Berisha, Majlinda Aliu, Petrit Hasanaj, Vjona Sylejmani Shabani, Luljeta Aliu Krasniqi, Vlora Berisha, Hysni Mustafa. Për pozitat nga komunitetet janë propozuar Fatih Basha, Suada Dzogovic, Serpin Emrusi Halce dhe Ajten Kodraci.

Disa nga shkeljet kryesore të evidentuara gjatë procesit të monitorimit, të cilat e kanë bërë këtë proces të komprometuar, janë si në vijim:

Mungesa e metodologjisë

Një ndër shqetësimet kryesore në lidhje me këtë proces ka të bëjë me mungesën e një metodologjie të qartë, gjë që ka krijuar hapësirë që procesi të komprometohet në tërësi.

Metodologjia e intervistimit është diskutuar në takimin e parë më 17 prill, mirëpo në atë takim nuk është finalizuar. Diskutimet për metodologjinë kanë vazhduar edhe në ditën e intervistave, vetëm pak minuta para ardhjes së kandidatëve. Pas një diskutimi të shkurtër, deputetët janë pajtuar për pyetje të njëjta, të cilat janë parashtruar me rotacion.

Gjatë shqyrtimit janë ngritur çështje që lidhen me plotësinë e dokumentacionit dhe përmbushjen e kritereve të konkursit. Komisioni kishte vendosur që kandidatëve t’u jepet mundësia për plotësim të dokumentacionit. Vendimmarrja për lejimin e plotësimit të dokumentacionit tregon për një qasje më fleksibile, por njëkohësisht ngre çështje për konsistencën dhe barazinë në trajtimin e kandidatëve.

Po ashtu, në disa situata deputetët diskutonin se sa anëtarë duhet të dërgohen, nëse janë bashkuar listat që janë gjeneruar nga disa shpallje dhe sa prej tyre janë nga komunitetet, iskutime që tregojnë qartë se deputetët ishin të painformuar dhe të papërgatitur për zhvillimin e këtij procesi.

Paqartësitë rreth metodologjisë dhe nxitimi për ta përfunduar këtë proces sa më shpejt kanë krijuar një situatë ku disa kandidatë janë tërhequr, duke mos ardhur fare në intervistë, ndërsa një kandidat është tërhequr pasi është paraqitur në parlament për shkak të vonesave.

Rikthimi i ish-anëtarëve të KPM-së

Ndër kandidatët e rekomanduar për seancë plenare, dy persona kanë histori problematike me KPM-në. Besnik Berisha është ish-kryetar i kundërligjshëm i KPM-së, i cili u zgjodh më 17 janar 2025, vetëm tre ditë para skadimit të mandatit të kryetarit aktual, Jeton Mehmeti, përmes ndryshimit të kundërligjshëm të rregullores. Sipas padive të Institutit për Drejtësi të Kosovës, Gjykata Supreme ka anuluar ndryshimin ligjor dhe më pas Gjykata Themelore e Prishtinës e ka shpallur të paligjshëm vendimin e KPM-së për zgjedhjen e tij në pozitën e kryetarit.

Po ashtu, Luljeta Aliu Krasniqi, ish-anëtare dhe mbështetëse e hapur e pushtetit para dhe gjatë mandatit të saj në KPM, ka mbrojtur për vite të tëra Lëvizjen Vetëvendosje në debate publike. Këtë qëndrim ajo e ka vazhduar edhe gjatë zhvillimeve kyçe në institucion, përfshirë dëgjimet publike në Kuvend, në të cilat kritikohej pa të drejtë nga politikanët e pushtetit ish-kolegu i saj nga KPM-ja, Jeton Mehmeti.

Rrjedhimisht, konsiderojmë që rikthimi eventual i ish-kryetarit të kundërligjshëm Besnik Berisha dhe mbështetëses së pushtetit Luljeta Aliu Krasniqi e vendos KPM-në në rrezik të drejtpërdrejtë të presionit politik dhe krijon precedent që persona që kanë shkelur ligjin të favorizohen sërish politikisht.

Përfundim

Ne konsiderojmë që mungesa e metodologjisë, nxitimi i deputetëve dhe favorizimi i personave që në mandatin e kaluar kanë shkelur ligjin dhe kanë mbështetur haptazi pushtetin e bëjnë këtë proces tërësisht të komprometuar dhe e politizojnë edhe më shumë KPM-në.

Shkeljet e lartpërmendura kanë qenë lehtësisht të evitueshme dhe janë rezultat i nxitimit të Lëvizjes Vetëvendosje për të emëruar anëtarët e KPM-së, duke sakrifikuar parimet e meritokracisë dhe ofrimit të mundësive të barabarta për të gjithë kandidatët.

Një muaj më parë, Platforma e Këshillit të Evropës për Sigurinë e Gazetarëve, pas një misioni faktmbledhës, konstatoi rënie të lirisë së medias në Kosovë dhe zhvillimet që kanë të bëjnë me KPM-në, sidomos sa i përket legjislacionit, ishin një ndër arsyet e këtij vlerësimi negativ. Pavarësia institucionale e KPM-së është kyçe për pluralizmin e medias dhe mund të garantohet vetëm përmes një komisioni të zgjedhur në një proces të rregullt dhe sipas meritokracisë. Komprometimi i këtij procesi, së bashku me atë për përzgjedhjen e anëtarëve të RTK-së, do të kontribuojë në përkeqësimin e mëtejmë të lirisë së medias në vend.

Thirrje për Aplikim: “Akademia e Juristëve të Rinj në Kosovë” – 2026

Thirrje për Aplikim

Akademia e Juristëve të Rinj në Kosovë (2026)
Mbrojtja dhe përfaqësimi ligjor pranë gjykatave të larta vendore dhe ndërkombëtare
14–17 Maj 2026
Innovation and Training Park (ITP), Prizren

Drejtuar:
Studentëve të drejtësisë, të sapo diplomuarve dhe profesionistëve të rinj ligjorë.

A jeni jurist i sapo diplomuar apo student i drejtësisë në dy vitet e fundit të studimeve?

A keni synim që në karrierën tuaj të fokusoheni në mbrojtjen dhe përfaqësimin ligjor para gjykatave të larta vendore dhe ndërkombëtare, duke përfshirë Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ)?

Jeni të interesuar të diskutoni në mënyrë interaktive dhe praktike aspekte të mbrojtjes gjyqësore strategjike, të drejtave të njeriut dhe standardeve të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ)?

A dëshironi të bëheni pjesë e një aktiviteti trajnues dhe rrjetëzues me ekspertë dhe praktikues të ligjit: avokatë, prokurorë, gjyqtarë dhe ish-gjyqtarë të gjykatave të larta?

Nëse po, atëherë:

Lëvizja FOL ka kënaqësinë të njoftojë hapjen e aplikimeve për Akademinë e Juristëve të Rinj në Kosovë, që këtë vit organizohet për herën e tretë. Akademia 2026 do të mbahet nga data 14 deri më 17 Maj 2026, në Innovation and Training Park (ITP) në Prizren, dhe do të jetë e përqendruar në temën “Mbrojtja dhe përfaqësimi ligjor pranë gjykatave të larta vendore dhe ndërkombëtare”.

Rëndësia e tematikës në kontekstin aktual të sundimit të ligjit në Kosovë:

Tematika e këtij viti merr rendësi të veçantë në dritën e zhvillimeve të fundit në sundimin e ligjit në Kosovë. Aplikimi i Republikës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës shënon një hap historik, i cili hap perspektivën që në të ardhmen jo të largët Kosova të bëhet palë në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ) dhe që qytetarët e saj të kenë qasje individuale në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) pas shterimit të mjeteve juridike vendore. Në këtë kontekst, ngritja e kapaciteteve të juristëve të rinj për të argumentuar çështje kushtetuese dhe të drejtave të njeriut, për të ndërtuar strategji të mbrojtjes dhe për të zbatuar standardet e jurisprudencës së GJEDNJ-së bëhet një domosdoshmëri profesionale dhe një shtyllë e mbrojtjes efektive të të drejtave të njeriut në rendin vendor.

Programi:

Programi i Akademisë do të trajtojë ndaras gjatë katër ditëve segmente të ndërlidhura si: shkrimi dhe arsyetimi ligjor në kontekst të mbrojtjes gjyqësore strategjike; bazat dhe metodologjia e litigimit strategjik për mbrojtjen e sundimit të ligjit; e drejta e lirisë dhe e sigurisë sipas nenit 5 të KEDNJ-së dhe nenit 29 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës; kriteret e pranueshmërisë dhe mbrojtja gjyqësore pranë GJEDNJ-së; e drejta për vendim të arsyetuar gjyqësor sipas nenit 6 të KEDNJ-së dhe nenit 31 të Kushtetutës; liria e shprehjes; mbrojtja kushtetuese sipas nenit 113.7 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës; dhe roli i shoqërisë civile në funksionimin dhe pavarësinë e sistemit të drejtësisë. Në ditën e fundit, pjesëmarrësit do të marrin role aktive në një rast gjyqësor të simuluar, duke zbatuar në praktikë njohuritë e fituara.

Ligjëruesit:

Të gjitha temat do të trajtohen nga ekspertë dhe praktikues të ligjit, duke përfshirë avokatë, prokurorë, gjyqtarë dhe ish-gjyqtarë të gjykatave të larta të vendit, të cilët sjellin përvojë të drejtpërdrejtë nga praktika vendore e jurisprudenca e GJEDNJ-së. Metodologjia është ndërtuar në mënyrë që sesionet të jenë interaktive, të bazuara në raste konkrete dhe në argumentim të drejtpërdrejtë me pjesëmarrësit.

Akademia synon t’u ofrojë juristëve të rinj një platformë ndërvepruese për të avancuar aftësitë e tyre ligjore në nivel praktik, për të fituar njohuri të thelluara mbi litigimin strategjik dhe mekanizmat vendorë e ndërkombëtarë të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, si dhe për të ndërtuar ura rrjetëzimi me profesionistët e sistemit të drejtësisë.

Kriteret për aplikim dhe pjesëmarrje:

  1. Studentë të drejtësisë në dy (2) vitet e fundit  të studimeve ose kandidatët që janë duke ndjekur një program të nivelit Master në Kosovë.
  2. Të sapo diplomuarit në drejtësi, të cilët nuk kanë filluar ende karrierën e tyre profesionale ligjore, me kusht që të kenë diplomuar në studimet themelore ose master në vitin 2024 ose më vonë.
  3. Praktikantë ligjorë ose zyrtarë ligjorë nën moshën 25 vjeç.

Në linjë me kriteret e mësipërme, ne jemi në kërkim të individëve që tregojnë një përkushtim të fortë ndaj edukimit të tyre ligjor dhe një interes të qartë për të përmirësuar aftësitë e tyre në shkrim, hartim dhe hulumtim ligjor, si dhe për fushat që ky aktivitet synon të mbulojë.

Akademia synon të jetë një aktivitet intensiv dhe një hap i rëndësishëm në karrierën tuaj ligjore.

Për të aplikuar, ju lutemi klikoni këtu

Afati i fundit për aplikime është 3 maj 2026.  Ju lutemi kini parasysh se numri i pjesëmarrësve është i kufizuar, prandaj inkurajojmë aplikimet e hershme. Aplikantët e suksesshëm do të njoftohen me email deri më: 7 maj 2026.

Mezi presim të shqyrtojmë aplikimin tuaj dhe t’ju mirëpresim në maj për një hap të rëndësishëm në zhvillimin tuaj profesional.

Kjo akademi organizohet me mbështetjen e Konrad-Adenauer-Stiftung (KAS)

Ekipi i Lëvizjes FOL

Procesi i përzgjedhjes së anëtarëve të Bordit të RTK-së është i komprometuar – emrat të mos dërgohen në Kuvend

Ne, të poshtëshënuarit, pas monitorimit të procesit për përzgjedhjen e anëtarëve të Bordit të Radio Televizionit të Kosovës vlerësojmë se ky proces është haptazi i komprometuar, i cili proces nuk plotëson standardet minimale përmes të cilit duhet të rekomandohen emrat e anëtarëve të Bordit të RTK-së. Mungesa e standardeve themelore të transparencës, barazisë dhe rregullsisë procedurale janë arsyet krysore të kompromentimit të këtij procesi. Prandaj, rekomandojmë që kandidatët e përzgjedhur nga Komisioni Ad Hoc të mos procedohen për votim në seancë plenare.

Ne vlerësojmë se procesi ka dështuar për arsyet në vijim: insistimi i deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje që ky proces të përmbyllej brenda një afati të shkurtër dhe koha e pamjaftueshme në dispozicion, organizimi i çrregullt si pasojë e presionit kohor, cenimi i trajtimit të barabartë të kandidatëve, metodologjia e paqartë dhe transparente sidomos me vendimin që poentimi i kandidatëve të mos bëhet pas secilës intervistë, si dhe shmangia nga standardet e vendosura në vitin 2021 gjatë procesit të rekrutimit të anëtarëve të Bordit të RTK-së.

Përtej shkeljeve të evidentuara, procesi është zhvilluar në një klimë konfrontuese nga ana e disa deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje në raport me disa monitorues, të shoqëruar edhe me postime publike të papërshtatshme dhe tallëse nga një deputete e shumicës në drejtim të monitoruesve të këtij procesi.

Komisioni Ad-Hoc ka rekomanduar këta kandidatë për seancë plenare: Valmire Thaqi, Flokart Aliu, Fatos Mustafa, Arbrore Riza, Gëzim Brahaj, Xheraldina Cernobregu, Njomza Beqiri, Anita Toqi, Lulzim Beqiri, Fatmir Podrimaj, Ilirjan Himaj dhe Avni Zuka. Për pozitat nga komuniteti serb janë rekomanduar Vidosav Kostović, Ivana Milić ndërsa nga komunitetet jo shumicë janë rekomanduar Anesa Ćolakovič dhe Aldin Šabani.

Disa nga shkeljet kryesore të evidentuara gjatë procesit të monitorimit, të cilat e kanë bërë këtë proces të kompromentuar, janë të evidentuara si në vijim.

Koha e shkurtër në dispozicion

Në proces kanë aplikuar gjithsej 75 individë për tetë pozita të lira në Bordin e RTK-së: gjashtë nga komuniteti shqiptar, një nga komuniteti serb dhe një nga komunitetet joshumicë.

Procesi i përzgjedhjes së anëtarëve të Bordit të RTK-së është zhvilluar ndërmjet datave 9 dhe 16 prill 2026, që përfshinë gjithsej katër ditë pune, duke marrë parasysh fundjavën dhe Pashkët Ortodokse. Ditën e parë dhe të dytë janë mbajtur takimi konstituiv dhe takimi për shqyrtimin e dosjeve të aplikimeve, ndërsa vetëm dy ditë janë dedikuar për gjithsej 75 intervista. Procesi ka përfunduar në ora 1.30 të mëngjesit të datës 17 prill 2026 ndërsa intervista e fundit është zhvilluar pas orës 22.00.

Procesi është karakterizuar nga organizimi i çrregullt, i ndikuar nga insistimi nga partia në pushtet që ai të përfundohej brenda një kohe shumë të shkurtër. Fillimisht, të gjitha takimet kanë nisur me vonesë, për shkak se deputetët kishin angazhime të tjera në të njëjtën kohë brenda parlamentit.

Po ashtu, deputetët i kanë pranuar dosjet me vonesë dhe, nga momenti i pranimit të tyre deri në fillimin e intervistave, kanë pasur vetëm një ditë pune për shqyrtimin e 75 dosjeve, të cilat përmbajnë mijëra faqe. Në këto rrethana, nuk është realiste të pritet një shqyrtim i plotë dhe cilësor i këtij dokumentacioni brenda kësaj periudhe kohore.

Kandidatët janë njoftuar për intervistë vetëm një ditë më herët, disa prej tyre edhe në orët e vona të natës. Njësia mbështetëse e Komisionit u ka dërguar kandidatëve një email paraprak, përmes të cilit i ka njoftuar se intervistat mund të mbaheshin në javën në vijim, megjithatë ky njoftim nuk ka përbërë ftesë zyrtare. Kjo mënyrë organizimi ka cenuar mundësinë reale të disa kandidatëve për të marrë pjesë në proces. Disa prej tyre kanë kontaktuar përfaqësues të shoqërisë civile për të shprehur pamundësinë për të marrë pjesë, për shkak të kohës së shkurtër në dispozicion, pasi ndodheshin në udhëtim.

Mungesa e metodologjisë

Një ndër shqetësimet kryesore në lidhje me këtë proces ka të bëjë me mungesën e një metodologjie të qartë, gjë që ka krijuar hapësirë që procesi të komprometohet që në fillim.

Metodologjia e pyetjeve është diskutuar dhe vendosur në ditën e parë të intervistave, vetëm pak minuta para ardhjes së kandidatëve. Pas një diskutimi të shkurtër, deputetët janë pajtuar për pesë pyetje të njëjta, të cilat do të parashtroheshin me rotacion. Në ditën e dytë të intervistave, kryetarja e Komisionit ka ngritur çështjen nëse pyetjet duhej të ndryshoheshin, por deputetët e tjerë nuk janë pajtuar me këtë.

Fillimisht, ishte vendosur që kandidatët të cilët nuk i kishin dorëzuar të gjitha dokumentet të eliminoheshin, pasi atyre u ishte dhënë edhe një mundësi e dytë për plotësimin e dokumentacionit. Megjithatë, gjatë shqyrtimit të kandidatëve të caktuar, është konstatuar se disa prej tyre nuk kishin dorëzuar as dokumente bazike, siç është CV-ja, pavarësisht kësaj mundësie të dytë. Në këto raste, Komisioni ka ndryshuar qasjen e vendosur më herët, pa dhënë arsyetim përkatës, duke u ofruar disa kandidatëve mundësi shtesë për plotësim të dokumentacionit. Kjo qasje për disa kandidatë paraqet trajtim favorizues, duke iu ofruar edhe një mundësi të tretë.

Për më tepër, një kandidate fillimisht është përjashtuar pa një bazë të qartë procedurale dhe ligjore. Komisioni, megjithatë, nuk kishte marrë vendim formal për përjashtimin e saj dhe më pas e njëjta është ftuar. Në një rast tjetër, kandidati është ftuar vetëm pak orë para intervistës, dhe vetëm pasi kishte bërë publik faktin se nuk ishte ftuar për shkak të ngatërrimit të numrit të telefonit.

Kështu, mungesa e metodologjisë nuk është një mungesë formale. Ajo ka krijuar pasoja praktike në menaxhimin e këtij procesi, duke cenuar të drejtat e disa kandidatëve dhe duke krijuar qasje favorizuese për disa kandidatë të tjerë. Për këtë arsye, pasojat e një qasje të pastrukturuar me një metodologji profesionale e kompromentuan në tërësi procesin e përzgjedhjes së anëtarëve të Bordit të RTK-së.

Krahasimi me procesin e vitit 2021

Në vitin 2021, kur Lëvizja Vetëvendosje sapo kishte marrë pushtetin, në procesin e rekrutimit ishte treguar respekt dukshëm më i madh për regullësinë e procesit, metodologjinë dhe të drejtën e organizatave të shoqërisë civile dhe aktivistëve për të monitoruar procesin.

Për krahasim, komisioni i atëhershëm, i udhëhequr nga një deputet i opozitës, Armend Zemaj, ndonëse me shumicë nga Lëvizja Vetëvendosje, kishte mbajtur katër takime para fillimit të procesit të intervistimit. Në ato takime ishte diskutuar në detaje lista e kandidatëve dhe ishin diskualifikuar paraprakisht ata që nuk mund të vazhdonin në proces. Për dallim nga ajo kohë, në procesin aktual ka ndodhur që çështja e diskualifikimit të kandidatëve të trajtohet edhe pas intervistimit, në mes të garës.

Në atë kohë, Komisioni Ad Hoc kishte vendosur që pyetjet të përpiloheshin në ditën e intervistës dhe jo paraprakisht. Në procesin aktual pyetjet janë përpiluar paraprakisht, duke rritur rrezikun për cenimin e konfidencialitetit të tyre.

Po ashtu, në vitin 2021, poentimi i kandidatëve ishte bërë në mënyrë transparente. Pas secilës intervistë, të gjithë anëtarët e komisionit i bënin publike pikët për secilin kandidat dhe jepnin sqarimet përkatëse për vlerësimin e tyre. Në procesin aktual, ndonëse është rekomanduar përdorimi i së njëjtës metodologji, kryetarja e Komisionit Ad Hoc, Arbërie Nagavci, nuk ka pranuar zbatimin e metodologjisë së vitit 2021. Kështu, vetëm pasi anëtarët e Komisionit intervistuan 75 kandidatë, ata bënë vlerësimin e tyre pa arsyetim adekuat dhe në mënyrë anonime, ashtu që të mos kuptohej se si ka votuar secili deputet.

Një element tjetër dallues në raport me vitin 2021 lidhet me atmosferën në të cilën është zhvilluar i tërë procesi. Në atë kohë, procesi dhe intervistat ishin zhvilluar në një qasje miqësore dhe më korrekte institucionale në raport me monitoruesit.

Përfundim

Ne konsiderojmë që shkeljet e lartëpërmendura ka qenë lehtë të evitueshme dhe janë bërë nga nxitimi i Lëvizjes Vetëvendosje për të emëruar bordin e RTK-së duke sakrifikuar parimet e meritocracise dhe ofrimit të mundësive të barabarta për të gjithë kandidatët.

Procesi i përzgjedhjes së anëtarëve të Bordit të RTK-së është një proces i kompromentuar, i cili komprometim konsiston si për nga mënyra e dizajnimit të tij, organizimit të tij, trajtimit të kandidatëve dhe vlerësimit përfundimtar të tyre. Për këto arsye, bordi jofunksional i RTK-së nuk duhet të plotësohet në këtë mënyrë me anëtarë të rinjë sepse do të ketë pasoja afatgjate në pavarësinë dhe reputacionin e tij.

Një muaj më parë, Platforma e Këshillit të Europës për Siguri të Gazetarëve pas një misioni faktmbledhës gjeti se në Kosovë ka rënie të lirisë së medias dhe ndikimi politik në RTK-së ishte një ndër arsyet e këtij vlerësimi negativ. Pavarësia editoriale e RTK-së është kyçe për lirinë e medias në Kosovë dhe atë mund ta garantojë vetëm një bord i zgjedhur në një proces të rregullt.

Kompretimi i këtij procesi do të kontribuojë në përkeqësimin e mëtutjeshëm të lirisë së medias në vend.

Ne rekomandojmë që ky proces të kthehet në pikën zero, të dizajnohet në mënyrë adekuate duke respektuar të paktën standardet e zbatuara nga Lëvizja Vetëvendosje në vitin 2021 në procesin e njëjtë.

Kuvendi i Kosovës të pezullojë proceset e komprometuara për përzgjedhjen e anëtarëve të bordeve të RTK-së dhe KPM-së

Prishtinë, 15 prill 2026 – Ne, të poshtëshënuarit, kërkojmë nga Kuvendi i Kosovës që të pezullojë punën e komisioneve ad hoc për përzgjedhjen e anëtarëve të bordeve të Radiotelevizionit të Kosovës dhe Komisionit të Pavarur për Media, për shkak të shkeljes së parimeve themelore të transparencës, integritetit, profesionalizmit dhe ligjshmërisë. Komisionet duhet të vazhdojnë punën vetëm pasi të sigurohet zbatimi i standardeve që mundëson procese të drejta, profesionale, meritore dhe transparente. Komisioni ad hoc për përzgjedhjen e anëtarëve të RTK-së, në mbledhjet përgatitore të mbajtura deri më tani, ka shkelur këto parime në mënyrë të përsëritur.

Fillimisht, procesi është shënuar me mungesë të theksuar transparence. Komisioni ad hoc ka larguar kamerat pikërisht në momentin kur është diskutuar metodologjia dhe është bërë kontrollimi i dosjeve të kandidatëve, duke kufizuar qasjen e publikut në informacione me interes të lartë publik. Në këtë takim nuk janë diskutuar të dhëna personale, por vetëm aspekte teknike të dosjeve, përkatësisht nëse kandidatët kanë dorëzuar dokumentacionin e plotë. Rrjedhimisht, nuk ka pasur asnjë arsye për mbylljen e mbledhjes për media.

Gjatë zhvillimit të mbledhjes pa praninë e kamerave, komisioni Ad Hoc për RTK-në ka përdorur standarde të shumëfishta në shqyrtimin e aplikacioneve. Fillimisht, është vendosur që kandidatët që nuk kanë dorëzuar të gjitha dokumentet të eliminohen, sepse atyre u ishte dhënë një mundësi e dytë për plotësim të dokumentacionit. Më pas, gjatë shqyrtimit të kandidatëve të caktuar, është konstatuar se disa prej tyre nuk kishin dorëzuar as dokumente bazike si CV-ja, pavarësisht kësaj mundësie të dytë. Në këto raste, komisioni ka ndryshuar metodologjinë pa asnjë arsyetim, duke u ofruar atyre mundësi shtesë për plotësim. Ndërkohë, përderisa disa kandidatë janë favorizuar në mënyrë të hapur, të paktën një kandidat është përjashtuar në mënyrë të kundërligjshme.

Sa i përket procesit të intervistimit, praktika e deritanishme ka qenë që deputetët t’i përgatisin vetë pyetjet dhe të njëjtat pyetje t’u parashtrohen të gjithë kandidatëve, në mënyrë që të sigurohet trajtim i barabartë. Në këtë rast, megjithatë, është kërkuar që njësia mbështetëse e komisionit të përpilojë disa pyetje, nga të cilat secili deputet të përzgjedhë vetëm tri, duke krijuar hapësirë për trajtim të pabarabartë dhe mungesë standardizimi në vlerësim. Kjo metodologji pastaj ka ndryshuar pak minuta para nisjes së intervistimit të kandidatëve.

Për më tepër, komisioni ka paraparë vetëm dy ditë për intervistimin e 75 kandidatëve, respektivisht rreth 37 kandidatëve në ditë, duke u ndarë secilit vetëm 15 minuta. Kjo kohë është e pamjaftueshme për të paraqitur vizionin për rolin si anëtar i ardhshëm i bordit të RTK-së dhe për t’iu përgjigjur në mënyrë cilësore pyetjeve të deputetëve.

Procesi është dëmtuar edhe më tej nga fakti se kandidatët janë njoftuar më pak se 12 orë para intervistës, duke kufizuar ndjeshëm mundësinë për përgatitje adekuate. Po ashtu, deputetëve u janë shpërndarë dosjet e aplikimeve të premten, ndërsa nga e premtja deri të martën, më 14 prill, ata kanë qenë në pushim, pa pasur mundësi reale për t’i shqyrtuar ato. Kjo ka ndikuar që gjatë përgatitjes së procesit të intervisimit, deputetët e opozitës të largohen nga mbledhjet e komisioneve përkatëse

Sa i përket procesit për përzgjedhjen e anëtarëve të Komisionit të Pavarur për Media, gjendja është edhe më shqetësuese. Komisioni ad hoc ka dështuar të mblidhet për shkak të mungesës së kuorumit, ndërkohë që disa deputetë nuk i kanë pranuar dosjet e aplikimit as deri në orën 18:00 të datës 14 prill.

Ne konsiderojmë se nxitimi i Lëvizjes Vetëvendosje për të përfunduar me çdo kusht përzgjedhjen e anëtarëve të bordeve të RTK-së dhe KPM-së, pa u dhënë kohë të mjaftueshme deputetëve dhe kandidatëve për përgatitje, me metodologji të paqartë dhe afate të papërshtatshme, si dhe me përjashtimin e kamerave, dërgon sinjal të qartë për rrezikun e kapjes politike të këtyre institucioneve.

Prandaj, i bëjmë thirrje partisë në pushtet që të pezullojë këto procese dhe të sigurojë që procedurat e tilla të zhvillohen në kohë të arsyeshme, me transparencë të plotë, me standarde të njëjta për të gjithë kandidatët dhe pa asnjë formë favorizimi. Vetëm një proces i drejtë dhe i besueshëm mund të garantojë institucione të pavarura në shërbim të interesit publik.

Lëvizja FOL
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës
Kosovo Law Institute – Instituti i Kosovës për Drejtësi
Flutura Kusari – Aktiviste

Letër drejtuar partive politike: Konsensusi për zgjedhjen e Presidentit garanton stabilitet institucional

Prishtinë, 25 shkurt 2026

Letër drejtuar partive politike parlamentare, liderëve të tyre dhe deputetëve të Kuvendit të Kosovës

Konsensusi për zgjedhjen e Presidentit garanton stabilitet institucional

Ne, organizatat e nënshkruara të shoqërisë civile, duke vlerësuar zhvillimet politike aktuale  konsiderojmë se ekziston rreziku real që vendi të përballet sërish me zgjedhje të parakohshme për shkak të mungesës së marrëveshjes politike për zgjedhjen e Presidentit.

Duke pasur parasysh se vendi ka kaluar tashmë një periudhë të zgjatur pa stabilitet të plotë institucional, çdo vonesë e mëtejshme në konstituimin e plotë të institucioneve cenon funksionimin demokratik të institucioneve, zhvillimin ekonomik dhe besimin qytetar në sistemin politik.

Konsensusi për zgjedhjen e Presidentit është domosdoshmëri për stabilitetin institucional. Zgjedhjet e përsëritshme të parakohshme nuk duhet të konsiderohen si instrument për të garantuar funksionimin e institucioneve, por përkundrazi, ato e rrisin pasigurinë dhe dëmtojnë vazhdimësinë institucionale. Një President i zgjedhur me konsensus ofron stabilitet, siguron funksionimin normal të pushteteve dhe rrit besimin qytetar në institucionet e shtetit.

Prandaj, u bëjmë thirrje të gjitha subjekteve parlamentare që:

– të angazhohen me seriozitet dhe përgjegjësi në dialog konstruktiv ndërpartiak,

– të vendosin interesin qytetar mbi kalkulimet partiake,

– të kontribuojnë në arritjen e një marrëveshjeje që siguron funksionimin e plotë institucional.

Shoqëria civile konsideron se stabiliteti institucional është interes publik dhe përgjegjësi e përbashkët politike. Çdo dështim për të arritur zgjidhje në afatin e mbetur do të konsiderohet dështim i vullnetit politik për të garantuar stabilitet dhe funksionalitet demokratik.

Ne mbesim të gatshëm dhe të përkushtuar të kontribuojmë në mënyrë konstruktive përmes dialogut, ekspertizës dhe mbështetjes publike për çdo proces që synon zgjidhje të qëndrueshme dhe institucionale.

Organizatat nënshkruese:

Demokraci Plus
Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF)
Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS)
Instituti GAP
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI)
Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D)
Instituti i Kosovës për Drejtësi (KLI)
Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP)
Lëvizja FOL
Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK)

Reagim lidhur me themelimin e grupit punues për hartimin e Projektligjit të Prokurimit Publik

Prishtinë, 4 shkurt 2026 – Ne, organizatat e shoqërisë civile të poshtëshënuara shprehim shqetësim të thellë lidhur me vendimin e Ministrisë së Financave për themelimin e një grupi punues për hartimin e Projektligjit të ri të Prokurimit Publik, në rrethana institucionale dhe procedurale që e bëjnë këtë proces seriozisht të diskutueshëm.

Së pari, nisja me nguti e proceseve për hartimin e ligjeve me rëndësi të lartë, si Ligji për Prokurimin Publik, është politikisht e papërshtatshme dhe institucionalisht e paarsyeshme në rrethana të mungesës së mandatit të plotë qeveritar. Hartimi i një ligji të tillë nuk është proces teknik, por proces normativ me pasoja afatgjata për sistemin e prokurimit publik dhe menaxhimin e fondeve publike, i cili kërkon stabilitet institucional, legjitimitet politik dhe proces të mirëfilltë konsultativ.

Së dyti, përbërja e grupit punues, pa përfshirjen e shoqërisë civile dhe ekspertëve të pavarur, përbën shkelje të Rregullores së Punës së Qeverisë. e cila parasheh në mënyrë eksplicite ftesën dhe përfshirjen e shoqërisë civile në grupet punuese për hartimin e akteve normative. Mosrespektimi i dispozitave që rregullojnë këtë çështje që në fazën fillestare të procesit cenon parimin e gjithëpërfshirjes, transparencës dhe konsultimit real, duke e reduktuar procesin ligjvënës në një ushtrim të mbyllur administrativ.

Prokurimi publik është një nga sektorët më të ndjeshëm ndaj korrupsionit, konfliktit të interesit dhe keqmenaxhimit të parasë publike. Në këtë kontekst, përjashtimi i shoqërisë civile nga faza e hartimit të ligjit dobëson kontrollin publik, ul besueshmërinë e procesit dhe rrezikon që ndryshimet ligjore të reflektojnë interesa institucionale, e jo interesin publik.

Ne vlerësojmë se nisja e këtij procesi, në këtë formë dhe në këto rrethana, është e nxituar dhe në kundërshtim me Rregulloren e Punës së Qeverisë. Çdo proces për hartimin ose ndryshimin e Ligjit për Prokurimin Publik duhet të zhvillohet përmes një qasjeje të hapur, transparente dhe gjithëpërfshirëse, me pjesëmarrjen aktive të shoqërisë civile dhe palëve relevante, dhe në rrethana të stabilitetit institucional që garantojnë legjitimitet dhe besim publik.

Demokraci Plus
Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile
Grupi për Studime Juridike dhe Politike
Iniciativa për Progres
Instituti Demokratik i Kosovës
Instituti i Kosovës për Drejtësi
Lëvizja Fol

FOL Hapur – Dita Ndërkombëtare për Mbrojtjen e të Dhënave Personale

Prishtinë, 28 janar 2026 – Lëvizja FOL organizoi forumin “FOL Hapur” në kuadër të Ditës Ndërkombëtare për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, me temën “Edukimi i të rinjve dhe informimi publik: Sfidat dhe mundësitë në mbrojtjen e të dhënave personale”.

Krenare Sogojeva-Dermaku, Komisionere e Agjencisë për Informim dhe Privatësi, theksoi se ndryshimi i mendësisë qytetare për privatësinë kërkon kohë dhe angazhim të vazhdueshëm, pasi niveli i njohurive për mbrojtjen e të dhënave personale mbetet ende fillestar. Ajo vuri në dukje se qytetarët shpesh publikojnë të dhëna personale pa qenë të vetëdijshëm për rreziqet e keqpërdorimit, veçanërisht në kohën e zhvillimeve të shpejta të inteligjencës artificiale.

Sipas saj, mbrojtja e të dhënave personale është përgjegjësi e përbashkët e institucioneve, mediave dhe shoqërisë civile. Ajo nënvizoi se Agjencia ka ndërmarrë masa konkrete, përfshirë vendosjen e sanksioneve, të cilat kanë ndikuar në rritjen e përgjegjësisë së kontrolluesve të të dhënave. Megjithëse ligji është modern, sfidë mbetet zbatimi praktik dhe edukimi i vazhdueshëm i qytetarëve.

Vëmendje e veçantë iu kushtua mbrojtjes së fëmijëve në internet, duke theksuar se publikimi i fotografive të fëmijëve pa pëlqimin e prindërve përbën shkelje ligjore. Sogojeva-Dermaku bëri thirrje për rol më aktiv të prindërve dhe përfshirjen e edukimit digjital dhe mbrojtjes së të dhënave personale në kurrikulat shkollore.

Xhemajl Rexha, Kryetar i Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), theksoi se kufiri ndërmjet interesit publik dhe mbrojtjes së privatësisë është veçanërisht i ndjeshëm në raportimin medial. Ai sqaroi se edhe kur interesi publik është i lartë, si në rastet penale, privatësia e individëve duhet të respektohet deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.

Rexha theksoi përgjegjësinë e mediave për respektimin e etikës profesionale, sidomos në rastet që përfshijnë fëmijë, ku publikimi i të dhënave personale apo fotografive pa pëlqimin e prindërve përbën shkelje serioze. Ai vuri në pah edhe rëndësinë e sigurisë digjitale të gazetarëve dhe mbrojtjes së burimeve të informacionit, duke theksuar nevojën për trajnime të strukturuara në këtë fushë.

Në këtë diskutim u theksua se, përmes bashkëpunimit ndërinstitucional, edukimit dhe respektimit të standardeve etike, mund të rritet përgjegjësia dhe të minimizohen shkeljet e privatësisë në hapësirën publike dhe mediale.

Koalicioni evropian CASE përshëndet prioritizimin e padive SLAPP nga ana e Këshillit Gjyqësor të Kosovës

Koalicioni Kundër Padive SLAPP në Evropë, Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF), Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), dhe Lëvizja FOL mirëpresin miratimin e Planit Strategjik për Përmirësimin e Qasjes në Drejtësi 2026-2028, i cili u jep prioritet zgjidhjes së rasteve gjyqësore që kanë të bëjnë me Paditë Strategjike kundër Pjesëmarrjes Publike (SLAPP).

Sipas strategjisë, gjykatësit në Kosovë në të gjitha instancat duhet t’i japin prioritet rasteve të padive SLAPP, në të cilat përfshihen gazetarët, punëtorët e mediave dhe aktivistët e shoqërisë civile dhe t’i zgjidhin ato me urgjencë. Gjithashtu, strategjia prioritizon rastet gjyqësore që ndërlidhen me shpifjen dhe sigurinë e gazetarëve dhe të anëtarëve të shoqërisë civile.

Strategjia është miratuar me 15 janar 2026 nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), trupi më i lartë i gjyqësorit, i cili është përgjegjës për mbikëqyrjen e gjykatave dhe rekrutimin e gjyqtarëve. Strategjia tre-vjeçare është një dokument detyrues për të gjithë gjyqtarët, dhe zbatimi i saj do të monitorohet nga afër.

KGJK-ja është ndër këshillat e parë gjyqësor në Evropë që u jep prioritet rasteve SLAPP, teksa afrohet afati i 7 majit 2026, për të bërë transpozimin e Direktivës së Bashkimit Evropian 2024/1069 dhe Rekomandimit të Këshillit të Evropës Cm/Rec(2024)2 kundër padive SLAPP. Kjo do të kontribuojë që paditë SLAPP të refuzohen nga ana e gjykatave në Kosovë në fazë sa më të hershme.

Kjo qasje e demonstron përkushtimin e fortë të KGJK-së për të mbrojtur të drejtën për pjesëmarrje publike, lirinë e medias, gazetarët dhe punonjësit e tjerë të medias nga ndjekjet ligjore abuzive. Shpresojmë që shembulli i njëjtë të ndiqet edhe në vendet tjera në Evropë.

 Koalicioni kundër padive SLAPP në Evropë, është lëvizja më e madhe anti-SLAPP në Evropë, dhe përbëhet nga më shumë se 120 organizata në gjithë kontinentin. Së bashku, ne punojmë për të ekspozuar abuzimet ligjore kundër aktivistëve dhe avokojmë për masa gjithëpërfshirëse mbrojtëse dhe reforma ligjore.

Konferenca Përmbyllëse: Ngritja e Transparencës dhe Integritetit në Sektorin e Drejtësisë në Kosovë

Prishtinë, 16 dhjetor 2025– Lëvizja FOL organizoi “Konferencën Përmbyllëse: Ngritja e Transparencës dhe Integritetit në Sektorin e Drejtësisë në Kosovë”, duke mbledhur përfaqësues të sistemit të drejtësisë, organizata të shoqërisë civile, akademinë si dhe organizata ndërkombëtare.

Konferenca shënoi përmbylljen e projektit trevjeçar “Rritja e Vetëdijes dhe Besimit të Qytetarëve në Institucionet e Drejtësisë”, i zbatuar nga Lëvizja FOL në partneritet me Qendra per Studime te Avancuara FIT, me mbështetjen e European Union in Kosovo.

Konferenca u hap me fjalë rasti nga Mexhide Demolli Nimani, Drejtore Ekzekutive e Lëvizjes FOL, e cila theksoi rëndësinë e përfshirjes së të gjithë akterëve, institucioneve të drejtësisë, shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtarë – në ndërtimin e një sistemi drejtësie transparent dhe të besueshëm.

Jarmo Helppikangas, Udhëheqës i Zyrës për Sundim të Ligjit dhe të Drejtat e Njeriut në Zyrën e BE-së në Kosovë, nënvizoi mbështetjen e vazhdueshme të Bashkimit Evropian për reformat në drejtësi dhe forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë.

𝗣𝗮𝗻𝗲𝗹𝗶 𝗜: ”Transparenca dhe Llogaridhënia në Sektorin e Drejtësisë”
Paneli i parë u fokusua në transparencën dhe llogaridhënjen brenda institucioneve të drejtësisë.

Panelistë ishin:
Arjeta Sadiku, Zv. Kryesuese – Këshilli Gjyqësor i Kosovës;
Visar Krasniqi, Anëtar – Këshilli Prokurorial i Kosovës;
Gzim Shala, Hulumtues – Instituti i Kosovës për Drejtësi;
Burbuqe Kastrati, Menaxhere e Projektit ne FOL, e cila prezantoi të gjeturat nga monitorimi i takimeve të Këshillit Prokurorial dhe Këshillit Gjyqësor, dhe vendimet mbi ankesat disiplinore ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Gjatë panelit u diskutua mbi publikimin e vendimeve, proceset disiplinore, rolin e monitorimit të shoqërisë civile dhe nevojën për rritjen e llogaridhënies institucionale, si element kyç për rritjen e besimit publik.

𝗣𝗮𝗻𝗲𝗹𝗶 𝗜𝗜: ”Fuqizimi i Kulturës së Integritetit përmes Edukimit”
Paneli i dytë u përqendrua në rëndësinë e edukimit dhe ngritjes së kapaciteteve në ndërtimin e një kulture të qëndrueshme të integritetit dhe parandalimit të korrupsionit.

Folës në panel ishin:
Yll Buleshkaj, Drejtor – Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit;
Vullnet Bugaqku, Hulumtues – Institutin Demokratik te Kosoves;
Bekim Baliqi, Dekan – Fakulteti Filozofik, Universiteti i Prishtinës;
Nur Çeku -Njohës i fushës së sinjalizimit.

Panelistët ndanë perspektiva mbi edukimin qytetar, etikën profesionale, sinjalizimin dhe rolin e të rinjve në ndërtimin e institucioneve me integritet.

Konferenca u përmbyll me diskutim të hapur, ku pjesëmarrësit nga institucionet e drejtësisë, organizatat e shoqërisë civile dhe organizatat ndërkombëtare ndanë reflektime dhe rekomandime konkrete për hapat e ardhshëm drejt një sistemi drejtësie më transparent, llogaridhënës dhe me integritet.

Çmimi për Guxim Qytetar për vitin 2025 shkon për aktivistët Flutura Kusari, Ehat Miftaraj, Eugen Cakolli, Agon Maliqi, Xhemajl Rexha,  Albert Krasniqi

Prishtinë, 15 dhjetor 2023 – Lëvizja FOL organizoi ceremoninë e fund vitit me ç‘rast u bë edhe ndarja e Çmimit për Guxim Qytetar, çmim ky i cili këtë vit shkon për aktivistët: Flutura Kusari, Ehat Miftaraj, Eugen Cakolli, Agon Maliqi, Xhemajl Rexha,  Albert Krasniqi, të cilët e kanë ngritur zërin aty ku rrezikohej demokracia, liria dhe integriteti institucional – duke dëshmuar se guximi qytetar vazhdon të jetë forca më e rëndësishme që mbron shoqërinë tonë.

Mexhide Demolli Nimani, Drejtore e Lëvizjes FOL, tha se sot më shumë se kurrë, kemi nevojë aktivistë të guximshëm. “Në një shoqëri ku mbrojtja e vlerave demokratike kërkon më shumë se mirëkuptim – kërkon guxim – aktivistët janë zëri që nuk lejon heshtjen të bëhet normë. Në një mjedis ku liria e shprehjes, integriteti institucional dhe të drejtat qytetare shpesh sfidohen, janë individët e përkushtuar ata që e mbajnë të ndezur dritën e llogaridhënies”, tha Demolli-Nimani. Sipas saj, me këtë ndarje çmimesh, ne nderojmë ata që, përkundër presioneve, sulmeve dhe tentativave për t’i heshtur, kanë mbetur të palëkundur në mbrojtje të interesit publik.

Luljeta Plakolli-Kasumi, anëtare e Bordit Këshillëdhënës të Lëvizjes FOL tha se themel i një shoqërie është zëri qytetar. “Faleminderit që keni zgjedhur zërin dhe që refuzoni të mbeteni indiferentë. Janë pikërisht njerëzit që nuk heshtin ata që e mbajnë gjallë interesin publik”, tha ajo.

……..

Aktivistja Flutura Kusari ngriti vazhdimisht zërin në mbrojtje të lirisë së shprehjes dhe të medias. Ajo avokoi për mbrojtje më të madhe të gazetarëve dhe kundërshtoi fuqishëm diskursin armiqësor që pushteti përdori ndaj gazetarëve dhe aktivistëve. Ajo ka avokuar kundër aprovimit të Ligjit për Komisionin e Pavarur të cilin pastaj e rrëzoi Gjykata Kushtetuese. Për shkak të aktivizmit të saj, ajo është ndër aktivistet më të sulmuara gra nga eksponentë të pushtetit.

……

Aktivisti Ehat Miftaraj ka luajtur rol kyç në ngritjen e zërit për transparencë dhe llogaridhënie në sektorin publik. Ai ka punuar fuqishëm për të ekspozuar praktikat korruptive në sektorin publik, përfshirë shkeljet në sistemin prokurorial dhe gjyqësor, shkeljet nga pushteti ekzekutiv, shkeljet kushtetuese dhe cenimin e të drejtave dhe lirive të njeriut. Miftaraj për shkak të qëndrimeve të tij publike ka qenë cak i sulmeve të papërshtatshme me theks të veçantë nga eksponent të partisë në pushtet dhe personave të asociuar me partinë në pushtet.

 ……

Aktivisti Eugen Cakolli ka qenë një nga figurat kryesore të shoqërisë civile në mbrojtje të integritetit zgjedhor, proceseve demokratike dhe funksionimit të institucioneve. Gjatë gjithë vitit ai ka ngritur në debatin publik shqetësimet lidhur me standardet e integritetit publik, përfshirë menaxhimin e proceseve zgjedhore, funksionimin dhe kufizimet e mandatit të Qeverisë në detyrë, si dhe bllokadën e zgjatur institucionale në Kuvend. Për shkak të angazhimit të tij në këto fusha – përmes artikulimit të shkeljeve procedurale, devijimeve nga standardet kushtetuese dhe keqpërdorimet e kompetencave institucionale – ai është ballafaquar me sulme dhe presione të vazhdueshme, si në rrjetet sociale dhe ashtu edhe në jetën e përditshme, nga eksponentë të pushtetit dhe mbështetësit e tyre.

…..

Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), Xhemajl Rexha është angazhuar gjatë gjithë vitit në mbrojte të sigurisë së gazetarëve në Kosovë dhe kundër sulmeve dhe fushatave denigruese kundër tyre online, të udhëhequra nga Qeveria dhe partia në pushtet. Rexha dhe AGK janë angazhuar në përkrahje të protestës dhe grevës së gazetarëve dhe punonjësve të tjerë të RTK-së që mbetën pa rroga dy herë brenda vitit. Rexha ka qenë i zëshëm në kritikën për Qeverinë dhe Kuvendin që miratoi Ligjin anti-kushtetues të KPM-së dhe për kontrollin partiak mbi Transmetuesin Publik, RTK. Ai ka qenë cak i sulmeve të vazhdueshme online nga përkrahës të pushtetit, duke përfshirë deputetë. Dy persona kanë aktakuzë për veprën penale “Kanosje” për shkak të kërcënimeve me jetë ndaj tij. Në vitin 2025, Rexha u votua për anëtar të Bordit Drejtues të Federatës Evropiane të Gazetarëve (EFJ), organizatë që përfaqëson mbi 300.000 gazetarë në kontinent.

…..

Aktivisti Albert Krasniqi është angazhuar në mënyrë të vazhdueshme në çështje që lidhen me funksionimin kushtetues të institucioneve në Kosovë, ruajtjen e integritetit të proceseve zgjedhore dhe garantimin e barazisë së garës politike. Angazhimi i tij ka përfshirë analizimin dhe kundërshtimin e veprimeve dhe praktikave që cenojnë rendin kushtetues, demokracinë dhe mbrojtjen e lirive dhe të drejtave politike. Përmes hulumtimeve, analizave dhe qëndrimeve të tij publike, ai ka adresuar shkeljet në financimin e fushatave zgjedhore dhe praktikat që dëmtojnë interesin publik dhe besimin qytetar. Për shkak të angazhimit dhe qëndrimeve të tij publike, Krasniqi ka qenë shpesh cak i sulmeve dhe presioneve nga eksponentë të pushtetit dhe persona të afërt me ta.

………

Agon Maliqi, përmes angazhimit të tij publik, ka sfiduar dhe dekonstruktuar përpjekjen sistematike të pushtetit për t’i instrumentalizuar krizat e sigurisë dhe tensionet me Serbinë si mjete për shtypjen e mendimit kritik dhe të të drejtave demokratike. Nëpërmjet shkrimeve dhe ndërhyrjeve publike, Maliqi ka avokuar për çmontimin e narracioneve populliste dhe militariste mbi dialogun me Serbinë dhe situatën në veriun e Kosovës — narracione këto të nxitura dhe të përforcuara nga politika zyrtare — duke vënë në pah pasojat e tyre të dëmshme për sigurinë, rendin kushtetues dhe perspektivën euro-atlantike të Kosovës. Si pasojë e këtyre qëndrimeve, Maliqi ka qenë objekt i vazhdueshëm i sulmeve, etiketimeve dhe kërcënimeve nga individë dhe rrjete të lidhura me partinë në pushtet.

Mbrojtja e Sinjalizuesve në Kosovë Mes Ligjit dhe Realitetit

Prishtinë, 10 dhjetor 2025- Lëvizja FOL ka organizuar tryezë  diskutimit “Mbrojtja e sinjalizuesve në Kosovë: Mes ligjit dhe realitetit”, në kuadër të “Javës Kundër Korrupsionit 2025”, e cila zhvillohet nga Koalicioni i OJQ-ve FOL, IKD dhe INPO, nën moton “Bashkë kundër korrupsionit”.

Drejtoresha ekzekutive e Lëvizjes FOL, Mexhide Demolli-Nimani, tha se qëllimi i kësaj tryeze është të mbledhë në një vend sinjalizues, përfaqësues institucionalë, ekspertë ligjorë dhe organizata të shoqërisë civile, për të diskutuar sfidat dhe mundësitë në zbatimin praktik të Ligjit për Mbrojtjen e Sinjalizuesve, sidomos në rastet kur preken interesa të mëdha ekonomike dhe buxheti i shtetit.

“Edhe pse Kosova ka një ligj relativisht të avancuar për mbrojtjen e sinjalizuesve, zbatimi i tij vazhdon të përballet me pengesa serioze: mungesë informimi nga shumë udhëheqës institucionalë, keqkuptim të rolit të ‘sinjalizuesit’ dhe ‘zyrtarit përgjegjës’ (si në rastin e KPK-së), si dhe vështirësi reale për të garantuar konfidencialitetin e raportimit”, u shpreh ajo.

Ajo shtoi se në sektorin privat situata është edhe më sfiduese: shumica e bizneseve nuk janë të informuara për ekzistimin e ligjit, mungon caktimi i zyrtarëve përgjegjës, inspektimet janë të pakta, nuk ka procedura kundërvajtëse të iniciuara, raportimi vjetor pothuajse mungon, dhe vetëm rreth 40% e të punësuarve shprehen të gatshëm të sinjalizojnë – një tregues i qartë i frikës dhe mosbesimit në mekanizmat aktualë.

Milot Shala, udhëheqës i Divizionit për Sinjalizim në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, tha se vetëdijësimi për sinjalizim është rritur ndjeshëm gjatë viteve të fundit. Sipas tij, institucionet publike kanë raportuar 20 sinjalizime në vitin 2023, 50 raste në vitin 2024, dhe afër 90 raste këtë vit, çka përbën një dëshmi se sinjalizimi po shfrytëzohet gjithnjë e më shumë si mekanizëm ligjor.

Në tryezë foli edhe avokati Ardian Bajraktari, përfaqësues i sinjalizueses Makfirete Dibrani, udhëheqëse e Divizionit për Menaxhimin e Resurseve Ujore në MMPHI, e cila kishte raportuar keqpërdorime financiare brenda ministrisë. Ai tregoi reagimet institucionale, përfshirë përgjigjen e Policisë së Kosovës, duke theksuar se rasti i Dibranit ka ngritur një debat publik të rëndësishëm për guximin qytetar dhe ndikimin e sinjalizimit në mbrojtjen e buxhetit të shtetit.

Bajraktari po ashtu tha se znj. Dibrani është përballur me kërcënime, duke e cilësuar këtë si tregues të mungesës së angazhimit serioz institucional për trajtimin e rasteve të sinjalizimit.

Flamur Kabashi, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se sinjalizuesit duhet të shihen si mbrojtës të interesit publik dhe të shtetit, e jo si kundërshtarë të institucioneve, siç shpesh perceptohen.

FOL Hapur mbi Qasjen në Drejtësi – Pejë

Pejë, 9 dhjetor 2025– Lëvizja FOL në kuadër të projektit “Ngritja e vetëdijes dhe besimit të qytetarëve në institucionet e sistemit të drejtësisë”, në partneritet me Qendra per Studime te Avancuara FIT dhe me mbështetjen e European Union in Kosovo 🇪🇺, organizoi panelin me temën: “Avancimi i Qasjes në Drejtësi – Sfidat dhe Rëndësia”, me studentët e Fakultetit Juridik – Universiteti i Pejës “Haxhi Zeka”, ku patën rastin të diskutojnë drejtpërdrejt me Kryeprokuroren e Prokurorisë Themelore Pejë, znj. Lumturije Vuçetaj.

Ky diskutim synoi të thellojë debatin publik mbi sfidat dhe mundësitë për përmirësimin e qasjes në drejtësi për të gjithë qytetarët. Gjatë ngjarjes, u prezantua dhe “Udhëzuesin Praktik për Qasjen në Drejtësi”, dokument i cili ka për qëllim të fuqizojë qytetarët me njohuri ligjore dhe t’i orientojë ata në sistemin e drejtësisë.

Udhëzuesin mund ta gjeni këtu