Infosesion me gazetarët lokal të Komunës së Ferizajt mbi paditë SLAPP dhe të drejtat e gazetarëve

Ferizaj, 17 qershor 2025 – Në kuadër të projektit “Fuqizimi i lirisë së shprehjes dhe të drejtave të gazetarëve”, të mbështetur nga Safe Journalists, Lëvizja FOL ka organizuar një infosesion me gazetarët lokal të Komunës së Ferizajt.

Gjatë këtij takimi informues, u diskutua gjerësisht rreth fenomenit të padive SLAPP (Strategic Lawsuits Against Public Participation), dhe pjesëmarrësit patën mundësi të njihen nga afër me natyrën e këtyre padive, pasojat që ato mund të kenë në punën e gazetarëve dhe aktivistëve, si dhe mënyrat më efektive për t’u mbrojtur nga to.

Ky aktivitet është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të Lëvizjes FOL për të mbrojtur lirinë e shprehjes dhe të drejtat e gazetarëve në Kosovë, duke synuar të ndërgjegjësojë publikun dhe profesionistët e medias mbi kërcënimet që i kanosen lirisë së shprehjes dhe nevojën për reforma ligjore që parandalojnë abuzimin me paditë SLAPP.

Takim me përfaqësues të LVV-së

Prishtinë, 16 qershor 2025 – Grupi i OJQ-ve sot zhvilloi një takim me përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje: Ministren në detyrë dhe kandidate për Kryetare të Kuvendit, znj. Albulena Haxhiu; Ministrin në detyrë, z. Hajrullah Çeku; Sekretarin e Partisë, z. Alim Rama; si dhe këshilltarin e Kryeministrit në detyrë, z. Jeton Zylfa.

Gjatë takimit ndamë opinionet lidhur me krizën politike dhe institucionale në vend. U diskutuan mundësitë dhe mënyrat për zhbllokimin e situatës, në funksion të interesit publik dhe stabilitetit demokratik.

Ndër të tjera, theksuam rëndësinë që ka konstituimi i Kuvendit të ri si parakusht për rikthimin e normalitetit institucional dhe funksionimin e mekanizmave demokratikë. Në një situatë sfiduese për vendin, Kuvendi mbetet hapësira themelore për përfaqësim, vendimmarrje dhe mbikëqyrje demokratike.

Shoqëria civile mbetet e përkushtuar të kontribuojë në lehtësimin dhe zgjerimin e dialogut ndërpartiak dhe ndërshoqëror, si një hap drejt zgjidhjes së ngërçit aktual.

Takim me përfaqësues të LDK-së

Prishtinë, 12 qershor 2025 – Së bashku me kolegë nga shoqëria civile, dje zhvilluam një takim me përfaqësues të Lidhjes Demokratike të Kosovës – nënkryetaren znj. Hikmete Bajrami dhe sekretarin z. Imri Ahmeti – ku ndamë shqetësimet tona lidhur me krizën politike dhe institucionale.

Diskutuam opsionet për zhbllokimin e situatës, në funksion të interesit publik dhe stabilitetit demokratik.

Mbetemi të përkushtuar për të kontribuar në lehtësimin dhe zgjerimin e dialogut ndërshoqëror.

Përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile takuan Presidenten

Prishtinë, 5 qershor 2025 –  Ditën e përmbyllëm me një takim me Presidenten e vendit, znj. Vjosa Osmani Sadriu për të artikuluar shqetësimin tonë për krizën politike dhe institucionale dhe për të diskutuar opcionet për zhbllokimin e situatës. Theksuam se për ne si shoqëri civile, organizimi i zgjedhjeve lokale dhe zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare në të njejtën ditë është i papranueshëm.

Ne mbetemi të përkushtuar për të ofruar kontributin tonë në lehtësimin dhe zgjerimin e dialogut ndër-partiak por edhe me qytetarët e vendit për të tejkaluar ngërçin politik e institucional.

Përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile takuan krerët e subjekteve politike nga PDK dhe AAK

Prishtinë, 5 qershor 2025 –  Sot përfaqësues të organizatave të shoqërisë, në takime të ndara takuan krerët e subjekteve politike, z. Memli Krasniqi nga PDK dhe z. Ramush Haradinaj nga AAK. Këto takime po bëhen me qëllim të hapjes së një dialogu midis spekrit politik dhe shoqërisë civile drejt tejkalimit të bllokadës politike e institucionale.

Mesazhi ynë për të gjitha partitë politike është i qartë: të lëvizin nga pozicionet e tyre bllokuese dhe t’i hapin rrugë konstituimit të Kuvendit duke treguar përgjegjësi dhe qasje konsensuale.

Paraliza institucionale si kjo po shkakton dëme dhe humbje për të gjithë ne. Mungesa e ligjëvënies, mbikqyrjes së ekzekutivit, mospërmbushja e obligimeve për të përshpejtuar integrimet dhe zhvillimin ekonomik, po shpërfaqet në humbjen e besimit dhe durimit qytetar, por edhe të partnerëve ndërkombëtarë.

Takim me përfaqësues të Nismës Socialdemokrate

Prishtinë, 2 qershor 2025 – Takimi i sotëm me përfaqësues të Nismës Socialdemokrate shënoi një hap të parë drejt hapjes së dialogut ndërmjet spektrit politik dhe shoqërisë civile për tejkalimin e ngërçit institucional që ka paralizuar punën e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Nga perspektiva e shoqërisë civile, mbajtja peng e institucioneve për shkak të mosmarrëveshjeve politike është e papranueshme dhe dëmton drejtpërdrejt interesin publik, funksionimin demokratik dhe kredibilitetin e shtetit.

Në këtë takim, theksuam nevojën që konsensusi politik të ndërtohet mbi transparencë, përfshirje dhe përgjegjësi – jo vetëm për të zhbllokuar institucionet, por edhe për të rikthyer besimin e qytetarëve në proceset demokratike.

Ky ishte vetëm hapi i parë, ndërsa në ditët në vijim do të pasojnë takime të tjera me synimin për të thelluar diskutimet dhe për të kërkuar zgjidhje të qëndrueshme në funksion të stabilitetit institucional dhe të ardhmes demokratike të vendit.

Konferenca Përmbyllëse – Kosova Drejt Bashkimit Evropian: Rruga drejt një zgjidhjeje

Prishtinë, 28 maj 2025 – PIPS dhe Lëvizja FOL mbajtën konferencën përmbyllëse të projektit tonë të financuar nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Kosovë me programin MATRA “Rritja e llogaridhënies publike të procesit të integrimit evropian”.

Duke bashkuar ambasadorë, anëtarë të parlamentit nga të gjitha linjat partiake, zyrtarë qeveritarë dhe shoqërinë civile, konferenca kërkoi të shqyrtonte se si Kosova mund ta kapërcejë ngërçin aktual politik në të cilin ndodhet dhe të rigjallërojë rrugën e saj drejt BE-së.

Paneli i parë trajtoi dinamikat politike që bllokojnë progresin, duke përfshirë formimin e bllokuar të parlamentit, normalizimin me Serbinë, rëndësinë e konsensusit ndërpartiak dhe angazhimin strategjik të nevojshëm me pesë shtetet anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur.

Paneli i dytë u përqendrua në prioritetet e reformave të Kosovës sipas Planit të Rritjes së BE-së, duke u zhytur në dy shtylla kryesore: tranzicionin energjetik dhe sundimin e ligjit. Folësit vlerësuan progresin aktual dhe përputhshmërinë e këtyre sektorëve me standardet dhe mundësitë e financimit të BE-së.

Falënderojmë të gjithë folësit, pjesëmarrësit dhe të ftuarit për kontributet e tyre të vlefshme dhe shprehim mirënjohjen tonë të thellë për Ambasadën e Mbretërisë së Holandës për mbështetjen e tyre përmes programit MATRA.

Zbatimi i Jurisprudencës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Kosovë 

Prishtinë, 28 maj 2025 – Lëvizja FOL, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) dhe Iniciativa për Progres (INPO), me përkrahjen e Ambasadës Gjermane në Prishtinë, organizuan tryezë të rrumbullakët me rastin e publikimit të raportit “Aplikimi i jurisprudencës së GjEDNj-së në Kosovë”.  

Ky raport është rezultat i një hulumtimi të përbashkët i cili përfshin monitorimin e 100 seancave gjyqësore dhe analizimin e 200 vendimeve gjyqësore, dhe nxori në pah një nivel të ulët të aplikimit të jurisprudencës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GjEDNj) në sistemin gjyqësor të Kosovës. 

Sa i përket seancave gjyqësore, jurisprudenca e GjEDNj-së është përmendur vetëm në dy raste një rast civil dhe një penal, dhe në të dyja rastet, ajo është përmendur nga vetë gjyqtarët. 

Në aspektin e vendimeve gjyqësore, raporti vë në dukje se aplikimi më i shpeshtë i jurisprudencës së GjEDNj-së gjendet në rastet civile (18.7%), ndërsa përqindja është më e ulët në rastet administrative (10%) dhe ato penale (8.7%).  

Raporti thekson se rëndësia primare për zbatimin e jurisprudencës së GjEDNj-së shfaqet tek gjykatat, përkundër faktit se zbatimi i jurisprudencës së GjEDNJ-së është obligim për të gjitha institucionet.  

Gjithashtu u publikua raporti me një përmbledhje vendimesh relevante të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GjEDNj), të cilat kanë rëndësi të veçantë për kontekstin ligjor dhe praktikën gjyqësore në Kosovë. Qëllimi i raportit është të shërbejë si një mjet referimi për gjyqtarët dhe prokurorët në kuptimin dhe zbatimin e standardeve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, siç janë interpretuar nga GjEDNj. Përmes interpretimit të rasteve të përzgjedhura, raporti ofron një pasqyrë të praktikës gjyqësore evropiane në fusha kyçe, si: e drejta për një proces të rregullt gjyqësor, ndalimi i torturës dhe trajtimit çnjerëzor, e drejta për mbrojtje efektive, liria e shprehjes, mbrojtja e pronës dhe barazia para ligjit. 

Pjese e tryezës së diskutimit ishin përfaqësues nga sistemi i drejtësisë, komuniteti ndërkombëtarë dhe organizatave të shoqërisë civile në vend.

Raporti: Përmbledhje e rasteve nga praktika gjyqësore e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GjEDNj)

Raporti: Aplikimi i jurisprudencës së GjEDNj-së në Kosovë

Shoqëria civile kërkon zgjidhje të menjëhershme për krizën institucionale

Deklaratë publike pas performancës simbolike para Kuvendit të Kosovës (27 maj 2025)

Sot, para Kuvendit të Republikës së Kosovës, organizatat e shoqërisë civile kanë realizuar një aksion protestues, për të ngritur zërin kundër bllokadës së pajustifikueshme që po vazhdon në përbërjen e re të legjislativit të vendit.

120 karrige të zbrazëta janë vendosur përballë hyrjes së Kuvendit – një për secilin deputet që, për më shumë se tre muaj, ka dështuar të përmbushë detyrimin më bazik të mandatit të tij, atë të përfaqësimit të qytetarëve përmes një Kuvendi funksional, përfaqësues dhe llogaridhënës. Karriget përfaqësojnë po ashtu boshllëkun institucional, mungesën e vullnetit politik dhe krizën e përfaqësimit që po e paralizon shtetin.

Çdo karrige mbante një mesazh të drejtpërdrejtë, duke reflektuar situatën aktuale, si dhe duke bërë thirrje për përgjegjësi, reflektim, bashkëpunim politik dhe veprim të menjëhershëm. Këto mesazhe janë zëri i qytetarëve, i shoqërisë civile, dhe i një publiku që nuk pranon më as heshtjen, as bllokadën, por kërkon rikthimin e funksionimit demokratik të institucioneve. Orët e vendosura përreth dhe zhurmat e tyre, simbolizojnë alarmin që duhet të zgjojë ndërgjegjen politike të të gjithë deputetëve dhe drejtuesve të partive, që po e mbajnë peng Kuvendin e Kosovës.

Ky aksion është vazhdimësi e reagimit tonë të mëparshëm, duke theksuar se kriza ka kaluar çdo kufi të tolerueshëm. Kuvendi jofunksional nuk është vetëm një problem procedural apo moment i zakonshëm tranzicioni – por pasqyron një krizë të thellë politike që po rrezikon funksionimin demokratik të shtetit, kontrollin parlamentar mbi qeverinë, miratimin e politikave zhvillimore dhe besimin qytetar në institucionet e zgjedhura. Në kohën kur vendi përballet me zhvillime të ndjeshme gjeopolitike, izolim financiar nga partnerët ndërkombëtarë dhe stagnim të proceseve zhvillimore, mosfunksionalizimi i Kuvendit është papërgjegjësi politike me pasoja të rënda.

Ne ritheksojmë thirrjen tonë ndaj udhëheqësve të partive parlamentare që të marrin përgjegjësinë e tyre institucionale dhe të gjejnë urgjentisht një zgjidhje për tejkalimin e kësaj bllokade. Dialogu, kompromisi dhe përqendrimi në interesin publik duhet të vendosen mbi çdo agjendë tjetër.

Shoqëria civile nuk do të qëndrojë indiferente përballë kësaj situate. Ne do të vazhdojmë të bëjmë presion të vazhdueshëm dhe të kërkojmë llogari, derisa Kuvendi i Republikës së Kosovës të bëhet funksional.

Lëvizja FOL ka publikar sot raportin: “Trajtimi i lëndëve të korrupsionit në dekadën e fundit në Kosovë – ndikimi i ndryshimeve legjislative”

Prishtinë, 26 maj 2025 – Lëvizja FOL në bashkëpunim me PIPS ka mbajtur sot tryezë diskutimi ku ka publikuar raportin “Trajtimi i lëndëve të korrupsionit në dekadën e fundit në Kosovë – ndikimi i ndryshimeve legjislative”, realizuar me mbështetjen e programit MATRA të Ambasadës së Mbretërisë së Holandës në Kosovë.

Ky raportin  ofron të dhëna statistikore dhe rekomandime konkrete për përmirësimin e qasjes institucionale në luftimin e korrupsionit dhe synon të kontribuojë në debatet publike, forcimin e llogaridhënies dhe transparencës në sistemin e drejtësisë në Kosovë.

Ky raport analizon periudhën e dhjetë viteve të fundit, përkatësisht nga viti 2015 deri në 2024, në dy blloqe kohore – 2015-2019 dhe 2020-2024, duke tentuar të identifikojë se sa kanë ndikuar reformimi ligjor, investimet institucionale dhe programet e trajnimit në uljen e korrupsionit, respektivisht a kanë pasur ose jo efekt pozitiv në trajtimin e rasteve të korrupsionit.

Në pesëvjeçarin e parë, kompetencat e paqarta mes PSRK dhe prokurorive themelore krijuan mbivendosje hetimesh, ndërsa gjykatat, pa një departament të dedikuar, mbyllnin më pak se 40 % të çështjeve në vit. Trajnimet ishin të shumta por nuk sollën rritje të matshme të cilësisë së hetimeve. Nga viti 2020 nis një qasje më e strukturuar: themelohet Departamenti Special në Gjykatën Themelore të Prishtinës, miratohet Kodi i ri Penal me dënime më të ashpra dhe, shumë me rëndësi, Gjykata Supreme miraton Udhëzuesin specifik për lëndët e korrupsionit që synon unifikimin e politikës ndëshkimore. PSRK ruan efikasitet të lartë, veçanërisht më 2024, por prokuroritë e rregullta, sidomos ajo e Prishtinës, vazhdojnë të përballen me ngarkesë të madhe dhe variabilitet në rezultatet përfundimtare. Në anën gjyqësore, departamenti i ri ka hapur rrugë për trajtim më të fokusuar të rasteve kompleksë, megjithëse raportimi statistikor 2022-2024 mbetet i pa unifikuar dhe pengon një vlerësim të qartë të progresit real.

Në këtë tryezë morën pjesë përfaqësues të institucioneve dhe shoqërisë civile: Burim Ademi – gjyqtar në Gjykatën Supreme, Yll Buleshkaj – Drejtor i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Astrit Kolaj – Hulumtues nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, dhe Albert Avdiu – konsulent.

Drejtorja ekzekutive Mexhide Demolli Nimani theksoi se ky raport vlerëson efektivitetin e ndryshimeve legjislative dhe organizative në trajtimin e rasteve të korrupsionit në Kosovë gjatë periudhës 2015–2024 dhe është i ndarë në dy faza kryesore: 2015–2019 dhe 2020–2024.

Albert Avdiu, u shpreh se analiza fokusohet në periudhën pas vitit 2020, duke marrë për bazë ndryshimet e Kodit Penal dhe strukturat institucionale për ndjekjen e korrupsionit.  Ai theksoi mungesën e harmonizimit të të dhënave ndërmjet sistemit prokurorial dhe gjyqësor, si dhe nevojën për rishpërndarjen e lëndëve të korrupsionit në departamentet e përgjithshme të gjykatave themelore.

Gjyqtari Burim Ademi nënvizoi se ndryshimet e shpeshta në legjislacionin penal kanë krijuar paqartësi në praktikën gjyqësore sa i përket zgjidhjeve të rasteve kundër korrupsionit. Ai theksoi nevojën që Udhëzuesi i Gjykatës Supreme të jetë detyrues për gjyqtarët në rastet e trajtimit të lëndëve të korrupsionit.

Drejtori i APK-së, Yll Buleshkaj, duke potencuar nevojën për matje më të saktë të nivelit të korrupsionit, ka vlerësuar raportin dhe rëndësinë e të dhënave sasiore të korrupsionit dhe bashkëpunimit ndërinstitucional. Ai ngriti shqetësimin për mënyrën se si trajtohen rastet e mosdeklarimit të pasurisë dhe për mungesën e politikave ndëshkuese efektive.

Ndërsa hulumtuesi nga IKD, Astrit Kolaj, theksoi dështimin e disa prej rasteve të profilit të lartë për shkak të mungesës së palëve në seanca, mungesën e profilizimit  të prokurorëve dhe gjyqtarëve, dhe njëherazi potencoi nevojën për fuqizimin e politikave kundër korrupsionit.

Raportin e plotë në gjuhën shqipe mund ta gjeni këtu:

Raportin e plotë në gjuhën angleze mund ta gjeni këtu:

Trajtimi i lëndëve të korrupsionit në dekadën e fundit në Kosovë, ndikimi i ndryshimeve legjislative Download

Reagim i organizatave të shoqërisë civile për bllokimin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës

Prishtinë, 23 maj 2025 – Ne, organizatat e poshtëshënuara të shoqërisë civile, të angazhuara me përkushtim në mbrojtjen e demokracisë dhe funksionimit të shtetit të së drejtës, po e përcjellim me shqetësim të thellë dështimin e vazhdueshëm të deputetëve dhe deputeteve për të konstituuar Kuvendin e Republikës së Kosovës, si dhe refuzimin e udhëheqësve të partive politike për të bashkëpunuar dhe për të hyrë në dialog me qëllim të gjetjes së një zgjidhjeje që do t’i jepte fund kësaj krize institucionale.

Kriza institucionale që pasoi zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 ka kaluar çdo kufi të tolerueshëm dhe po dëmton jo vetëm Kuvendin, por edhe funksionimin e gjithë sistemit demokratik dhe institucional të vendit. Qeveria aktuale, të cilës i ka përfunduar mandati, po vazhdon të veprojë pa mbikëqyrje dhe kontroll parlamentar, situatë kjo e papranueshme për një shtet demokratik.

Në anën tjetër, Kuvendi jofunksional po e pamundëson miratimin e ligjeve të rëndësishme dhe vendimeve strategjike që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve dhe qytetareve, duke rrezikuar stabilitetin institucional, zhvillimin ekonomik dhe besimin qytetar në përfaqësim demokratik. Bllokada aktuale është duke vonuar e rrezikuar pranimin e fondeve nga Plani i Rritjes së BE-së, në kohën kur masat e vendosura nga BE dhe pezullimi pothuajse i tërësishëm i fondeve amerikane kanë reduktuar ndjeshëm mbështetjen financiare për Kosovën.

Zhvillimet gjeopolitike aktuale kërkojnë përgjegjësi dhe veprime të shpejta nga shtetet demokratike. Mosfuksionalizimi i Kuvendit të Kosovës është i papërgjegjshëm dhe i dëmshëm.  Ky stagnim rrezikon që vendet partnere të humbin besimin në aftësinë tonë për të ndërtuar institucione funksionale dhe për të vepruar si një shtet serioz në skenën ndërkombëtare.

U bëjmë thirrje udhëheqësve të partive parlamentare që të marrin përgjegjësinë që u është besuar dhe të veprojnë menjëherë për tejkalimin e krizës politike. Përmes dialogut dhe me fokus te zhvillimi i vendit dhe mirëqenia e qytetarëve, të arrijnë një marrëveshje që i jep fund bllokadës. Mungesa e vullnetit për bashkëpunim dhe përqendrim në interesin e përbashkët është e papranueshme dhe cenon thellë besimin publik në përfaqësimin demokratik.

Mosveprimi nuk është opsion. Çdo vonesë e mëtejme kërkon llogaridhënie publike.

Shoqëria civile mbetet e gatshme të ofrojë kontributin e saj për tejkalimin e kësaj krize dhe rikthimin e funksionalitetit demokratik në vend.

Organizatat mbështetëse (renditja sipas alfabetit):

Advocacy Training & Resource Center (ATRC)
Asociacioni i Mediave të Pavaruara Elektronike të Kosovës (AMPEK)
Balkan Green Foundation (BGF)
CEL Kosova
Center for Eduction and Community Development-Friends
CIPOF Childproof
Community Building Mitrovica (CBM)
Community Development Fund (CDF)
Democracy Plus (D+)
Demokraci për zhvillim (D4D)
Dylberizim
Ekovizioni
Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF)
Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë
Forumi Kosovar i Aftësisë së Kufizuar
Forumi për Iniciativa Qytetare (FIQ)
Hyjneshat
Iniciativa për Progres (INPO)
Iniciativa Qytetare Skenderaj
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI)
Instituti GAP
Instituti i Kosovës për Drejtësi (KLI)
Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS)
Instituti Kosovar për Hulumtim dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED)
Instituti për Politika Sociale “Musine Kokalari”
Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP)
Instituti Sekhmet
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut
Kosovo Advocacy & Development Centre
K-W4W
Leadership Development Association Europe
Lëvizja FOL
New Social Initiative (NSI)
Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – Kosovë
OJQ “ACCESS”
OJQ “Vision02”
OJQ EC Ma Ndryshe
OJQ Fortesa
OJQ Mundësia
OJQ Politeia
OJQ Zana
OJQ Pishtarët
Organizata Bubble
Organizata ÇOHU!
Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim – ORCA
Qendra Kosova për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (KRCT)
Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSGJ)
Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS)
Qendra Kosovare për Zhvillim të Qëndrueshëm – QKZHQ
Qendra për Arsim e Kosovës – KEC
Qendra për Avokim dhe Kulturë Demokratike (ACDC)
Qendra për Barazi dhe Drejtësi
Qendra Për Politika dhe Avokim (QPA)
Qendra për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore – CSGD
QIKA
Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK)
Rrjeti i OJQ-ve AVONET
Rrjeti Qeliza
SHL – Kosova
Syri i Vizionit
The Foundation House (ish-IPKO Foundation)
YMCA Movement

FOL Hapur mbi Qasjen në Drejtësi

Në kuadër të projektit “Ngritja e vetëdijes dhe besimit të qytetarëve në institucionet e drejtësisë”, Lëvizja FOL, në partneritet me Qendra per Studime te Avancuara FIT  dhe me mbështetjen e European Union in Kosovo 🇪🇺, organizoi diskutimin me temën:

“Avancimi i Qasjes në Drejtësi – Sfidat dhe Rëndësia”.

Të ftuar në panel ishin:

Armend Hamiti – Prokuror, Prokuroria Themelore Prishtinë

Florent Zeqiri – Gjyqtar, Gjykata Komerciale

Qëndrim Gashi – Agjencia për Ndihmë Juridike Falas

Arrita Rezniqi – Hulumtuese, Instituti i Kosovës për Drejtësi

Gjatë diskutimit u prezantua “Udhëzuesi Praktik për Qasjen në Drejtësi”, një dokument që synon të fuqizojë qytetarët me njohuri ligjore dhe t’i udhëzojë në mënyrë të qartë brenda sistemit të drejtësisë.

Ky aktivitet është pjesë e fushatës “Qasja në Drejtësi”, e cila do të vijojë në komunat e Pejës, Gjilanit për të afruar qytetarët më pranë institucioneve dhe diskutimeve mbi qasjen në drejtësi.  

Lexo Udhëzuesin këtu:

Lëvizja FOL inicion themelimin e Grupit Punues Nacional kundër Padive SLAPP në Kosovë

Prishtinë, 16 Maj 2025 – Pas anëtarësimit të Lëvizjes FOL në Koalicionin për Luftimin e Padive SLAPP në Evropë (CASE), Lëvizja FOL ka mbajtur sot takimin e parë të Grupit Punues Nacional për Paditë SLAPP (Paditë Strategjike Kundër Pjesëmarrjes Publike) në Kosovë me përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, gazetarë dhe aktivistë.

Ky takim shënon një hap të rëndësishëm drejt luftimit të praktikave që synojnë të heshtin zërat kritikë dhe të frikësojnë gazetarët dhe aktivistët.

Gjatë diskutimeve, u theksua nevoja për krijimin e këtij grupi të strukturuar e gjithëpërfshirës, rëndësia e një strategjie të përbashkët për të identifikuar dhe kundërshtuar paditë SLAPP në Kosovë, si dhe hapat konkret për të ngritur vetëdijesimin dhe për të avokuar për ndryshime ligjore që mbrojnë lirinë e shprehjes.

Ky grup do të shërbejë si një platformë bashkëpunimi ndërmjet organizatave të shoqërisë civile, gazetarëve, juristëve dhe akterëve të tjerë relevantë për të ndaluar abuzimin me sistemin e drejtësisë për shkaqe intimidimuese.

Instalacioni: From Here to Anywhere

Prishtinë, 8 maj 2025 – Lëvizja FOL ka mbajtur sot konferencë me ç’rast ka prezantuar instalacionin “FROM HERE TO ANYWHERE”, në kuadër të shënimit të Ditës së Evropës.

Mexhide Demolli Nimani – Drejtore e Lëvizjes FOL tha se gjatë gjithë këtyre viteve, Kosova ka gëzuar bashkëpunim të vazhdueshëm dhe mbështetje të rëndësishme nga shtetet e Bashkimit Evropian – në ndërtimin e institucioneve, zhvillimin ekonomik, reformat në drejtësi dhe në rrugën drejt forcimit të sundimit të ligjit. Për këtë ndihmë dhe solidaritet, qytetarët e Kosovës janë mirënjohës dhe e vlerësojnë thellësisht kontributin evropian në ndërtimin e së ardhmes së vendit tonë.

Ambasadorja e Mbretërisë së Holandës në Kosovë, znj. Karin Boven tha se si pjesë e këtij festimi njëjavor, jam e kënaqur që sot bashkohemi për të shënuar këtë rast përmes artit. “Kjo vepër na fton të gjithëve të lëvizim, të ndalemi dhe ta përjetojmë veprën jo vetëm si vëzhgues, por si pjesëmarrës. Me çdo lëvizje të lëkundjeve, ne i japim jetë hapësirës. I shndërrojmë fjalët në lëvizje dhe lëvizjen në kuptim.  Sipas saj, kjo nuk është vetëm një vepër arti – është një ftesë për të jetuar vlerat që na lidhin si evropianë: unitetin, paqen dhe solidaritetin. “Faleminderit që na bashkoheni në këtë moment. Le të bëhet ky instalacion pjesë e ritmit tonë të përbashkët – diçka për t’u kthyer, për t’u lëkundur poshtë dhe për të endur me të. Në këtë Ditë të Evropës, le ta çojmë mesazhin e saj përpara: që nga këtu, me të vërtetë, mund të shkojmë kudo – së bashku”, tha Ambasadorja Boven.

Drejtoresha për Kulturë në Komunën e Prishtinës znj. Sibel Halimi tha i falënderoi organizatorët që e shndërruan këtë hapësirë në vepër arti. “Lëvizja është liri. Dhe të gjitha simbolikat që janë përdor në këtë instalacion na zhvendosin drejtë lirisë, drejtë thyerjës së barrierave jo vetëm fizike por edhe mendore”, tha Halimi.  

 

Autori Driton Selmani tha se skulptura fton qytetarët për reflektim dhe lojë, duke e kthyer lëvizjen në një akt simbolik të bashkimit përtej dallimeve dhe diversitetin si lojë. “E vendosur në një mjedis urban, vepra bëhet pjesë e jetës së përditshme – duke i dhënë hapësirës publike si dritë ashtu edhe thellësi”, tha Selmani.

Projekti u realizua nga Lëvizja FOL dhe Prishtina Institute for Political Studies (PIPS), me mbështetje nga programi MATRA i Ambasadës së Mbretërisë së Holandës në Kosovë, dhe me leje nga Drejtoria e Parqeve – Komuna e Prishtinës.

Lëvizja FOL i bën thirrje Institucioneve publike për transparencë dhe bashkëpunim me mediat

Prishtinë, 3 maj 2025 – Në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Medias,  Lëvizja  FOL shpreh shqetësim të thellë për gjendjen e lirisë së medias në Kosovë, e cila vazhdon të përkeqësohet. Raporti i publikuar dje nga “Reporterët pa Kufij” (RSF) ka vendosur Kosovën në pozitën më të ulët që nga paslufta duke shënuar një rënie të theksuar në indeksin global të lirisë së shtypit.

Lëvizja FOL shpreh shqetësim të thellë për lirinë e medias që po përballet me kufizime, linçime dhe mungesë të  transparencës nga ana e institucioneve shtetërore ndaj mediave dhe gazetarëve dhe ri-kujton se liria e medias nuk është vetëm një detyrim ligjor, por është një nga shtyllat e demokracisë dhe si e tillë duhet të ruhet dhe respektohet nga të gjitha institucionet e vendit. 

Lëvizja FOL i bën thirrje Qeverisë së Kosovës dhe institucioneve tjera të ndalojnë çdo formë presioni, ndërhyrje ndaj gazetarëve dhe të krijojnë një kulturë bashkëpunimi me median si partnere për transparencën dhe informimin e qytetarëve. Gjithashtu kërkojmë nga udhëheqësit politikë të tregojnë përgjegjësi më të lartë në promovimin e një diskursi që respekton lirinë e medias dhe pavarësinë e saj.

Në këtë ditë, shprehim mirënjohjen tonë për të gjithë gazetarët, që në përmbushje të misionit të gazetarisë për informim të drejtë dhe të saktë pavarësisht sfidave, presioneve apo kërcënimeve, vazhdojnë të ushtrojnë profesionin e tyre në mënyrë të shkëlqyer.

Lëvizja FOL i rikujton institucioneve publike se vetëm përmes bashkëpunimit me median, mund të ndërtojë besim me publikun dhe të forcojë demokracinë në Kosovë. 

Gëzuar Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Mediave për të gjithë gazetarët që nuk heshtin përballë presioneve dhe mbrojnë të drejtën për informim!

Reagim: KQZ të anuloj konkursin për pozitën e Drejtorit të Sekretariatit

Prishtinë, 18 prill, 2025 Lëvizja FOL, shpreh shqetësimin e saj lidhur me përmbajtjen e konkursit të shpallur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) për pozitën e Drejtorit të Sekretariatit, konkretisht me kërkesën për njohjen e gjuhës angleze në nivelin B2, të dëshmuar me certifikatë TOEFL ose IELTS, si kriter formal i detyrueshëm për aplikim.

Kjo kërkesë nuk gjen mbështetje në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e cila në nenin 5 përcakton se gjuhët zyrtare në nivel shtetëror janë gjuha shqipe dhe serbe. Po ashtu, edhe Ligji për Zyrtarët Publikë (08/L-197) i cili përcakton standardet dhe parimet themelore të pranimit në detyrë në institucionet publike, në nenin 9, kërkon që kandidati të zotërojë së paku njërën nga gjuhët zyrtare – pa paraparë ndonjë kërkesë për njohjen e gjuhëve të huaja.

Vendosja e këtij kriteri si obligues përbën kufizim të panevojshëm dhe jo proporcional, dhe bie në kundërshtim me parimet e qasjes së barabartë në shërbimin publik dhe pakëson të drejtat e garantuara me kushtetutë.  Kërkesa për certifikata ndërkombëtare jo vetëm që rrit barrën financiare për kandidatët, por gjithashtu përjashton kandidatë të kualifikuar që e zotërojnë gjuhën angleze përmes përvojës praktike, pa pasur mundësi të ndjekin certifikime të kushtueshme. Për më tepër, kjo kërkesë eliminon nga gara kandidatë të denjë dhe me përvojë të dëshmuar, vetëm për faktin se nuk flasin gjuhën angleze – gjë që nuk është e justifikueshme për një funksion që kërkon përmbushje të detyrave kryesisht në gjuhët zyrtare të vendit.

Prandaj lidhur me këtë Lëvizja FOL kërkon nga KQZ që:
1. të ndryshojë rregulloren përkatëse të brendshme, me qëllim që të eliminohet vendosja e kritereve të tilla pa bazë ligjore për pozita të larta publike, dhe

2. të bëjë rishpallje e konkursit për këtë pozitë, duke hequr këtë kriter diskriminues.

Lëvizja FOL mori pjesë në takimin vjetor të Koalicionit Evropian kundër SLAPP – CASE

Lëvizja FOL si anëtare e Koalicionit Evropian kundër SLAPP – CASE, mori pjesë në takimin vjetor të rëndësishëm të këtij koalicioni, i cili u mbajt më 8 prill në Bruksel, Belgjikë 🇧🇪.

Ky takim shërbeu si një platformë kyçe për të diskutuar zhvillimet e fundit, sfidat dhe strategjitë e përbashkëta në luftën kundër padive strategjike kundër pjesëmarrjes publike (SLAPP).

Koalicioni Evropian kundër SLAPP – CASE (Coalition Against SLAPPs in Europe) përfaqëson një rrjet të gjerë dhe të fuqishëm të organizatave nga e gjithë Evropa, të cilat janë thellësisht të angazhuara në mbrojtjen e të drejtës themelore të fjalës së lirë  dhe pjesëmarrjes së lirë publike.

Ky koalicion punon në mënyrë aktive kundër padive abuzive që synojnë në mënyrë të padrejtë të heshtin zërat kritikë, duke përfshirë gazetarët e guximshëm, aktivistët e të drejtave të njeriut  dhe organizatat e shoqërisë civile që luajnë një rol jetik në mbikëqyrjen e pushtetit dhe promovimin e transparencës.

Pjesëmarrja e Lëvizjes FOL në këtë takim vjetor riafirmoi angazhimin tonë të palëkundur për të luftuar fenomenin shqetësues të padive SLAPP dhe për të kontribuar në mbrojtjen e një mjedisi të shëndetshëm për shprehjen e lirë dhe debatin publik në Kosovë dhe në rajon. Ne do të vazhdojmë të jemi aktivë brenda koalicionit dhe në nivel nacional për të ndërmarrë veprime konkrete kundër këtyre praktikave abuzive.