FOL ndan Çmimin për Guxim Qytetar për vitin 2023

Prishtinë, 13 dhjetor 2023 – Në ndejën e fundvitit të organizuar nga FOL u bë edhe ndarja e Çmimit për Guxim Qytetar i cili këtë vit shkon për gazetarët, kameramanët dhe fotoreporterët që raportuan nga veriu i vendit pa mjete mbrojtëse duke rrezikuar kështu jetën e tyre për informimin e qytetarëve.

Mexhide Demolli Nimani, Drejtore e Lëvizjes FOL, tha se sot më shumë se kurrë, kemi nevojë për gazetarë të guximshëm. “Andaj le te jemi zëri i tyre dhe mburoja e tyre kundër çdo kërcënimi.”

Gazetaria e lirë dhe e paanshme është një shtyllë themelore e një shoqërie të shëndoshë dhe demokratike. Po ashtu, është jetike të dënojmë çdo formë dhune ndaj gazetarëve dhe të mbrojmë të drejtën e tyre për të raportuar pra frikë”, tha ajo.

Në emër të të gjithë gazetarëve që raportuan nga veriu i vendit çmimin e pranoi Kryetari i Bordit të AGK-së, Xhemajl Rexha.

Rexha falenderoj FOL-in për vlerësimin dhe tha se ky ka qenë një vit shumë i vështirë për gazetarët ku vetëm gjatë raportimeve nga veriu janë evidentuar 30 sulme ndaj gazetarëve. “Gjithashtu vlen të theksohet se shumica e gazetarëve që raportuan nga veriu ishin vajza dhe gra të cilat vërtetë rrezikuan shumë”, tha Rexha.

FOL po ashtu ndau mirënjohje Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK për angazhimin në sensibilizimin e publikut për rreziqet në të cilat gazetarët, kameramanët dhe fotoreporterët janë ballafaquar gjatë raportimeve në veri të vendit.

Poashtu mirënjohje iu nda edhe Flutura Kusarit, për përkushtimin e saj dhe dedikimin e jashtëzakonshëm në sigurimin e mjeteve mbrojtëse për gazetarët, kameramanët dhe fotoreporterët që raportojnë nga terrenet me rrezikshmëri.