FOL kërkon rishqyrtimin e vendimit të Komisionit për Legjislacion lidhur me kandidaturën për drejtor të APK-së
Prishtinë, 26 nëntor 2026 – Lëvizja FOL shpreh shqetësimin lidhur me vendimin e Komisionit për Legjislacion të Kuvendit të Kosovës për refuzimin e kandidaturës së drejtorit aktual të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Yll Buleshkaj. FOL vlerëson se ky vendim duhet të rishqyrtohet, duke marrë parasysh kuadrin ligjor në fuqi në kohën e zgjedhjes së tij, qëllimin e dispozitës kalimtare të ligjit të ri dhe parimet e sigurisë juridike dhe mbrojtjes së të drejtave të fituara.
Yll Buleshkaj është zgjedhur drejtor i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit në dhjetor të vitit 2021, në kohën kur ishte në fuqi ligji i mëparshëm, i cili parashihte mandat pesëvjeçar dhe mundësinë e rizgjedhjes edhe për një mandat tjetër. Rrjedhimisht, mundësia për të konkurruar për një mandat të dytë ishte pjesë e kuadrit ligjor mbi bazën e të cilit ai ishte zgjedhur dhe kishte filluar ushtrimin e funksionit.
Me hyrjen në fuqi të ligjit të ri në vitin 2022, u përcaktua mandati pesëvjeçar pa të drejtë rizgjedhjeje. Megjithatë, duke qenë se drejtori aktual ishte zgjedhur sipas dispozitave të ligjit paraprak, ligjvënësi përfshiu një dispozitë kalimtare, përmes së cilës ruajti zbatimin e dispozitave të ligjit të mëparshëm lidhur me llogaritjen e mandatit të tij. FOL vlerëson se kjo dispozitë duhet të interpretohet në përputhje me qëllimin dhe frymën për të cilën është përfshirë në ligjin e ri, e jo në mënyrë të ngushtë dhe të shkëputur nga konteksti juridik në të cilin është miratuar.
Lëvizja FOL ka qenë pjesë e grupit punues për hartimin e këtij ligji dhe ka njohuri të drejtpërdrejta për diskutimet dhe qëllimin e dispozitave të tij. Bazuar në këtë përvojë, qëndrimi ynë është se dispozita kalimtare synonte ruajtjen e pozitës juridike të drejtorit të zgjedhur sipas ligjit paraprak, përfshirë mundësinë që ai të konkurronte edhe për një mandat tjetër.
Për më tepër, FOL konsideron se çështja duhet të vlerësohet edhe në dritën e parimit të sigurisë juridike dhe mbrojtjes së të drejtave të fituara. Ndryshimi i mëvonshëm i kuadrit ligjor nuk duhet të interpretohet në atë mënyrë që të cenojë në mënyrë retroaktive pozitën juridike të krijuar mbi bazën e ligjit në fuqi në kohën e zgjedhjes.
Në këtë rast, mundësia për të konkurruar për një mandat të dytë ishte e paraparë shprehimisht me ligjin mbi bazën e të cilit z. Buleshkaj ishte zgjedhur. Për rrjedhojë, FOL vlerëson se kjo mundësi duhet të merret në konsideratë gjatë interpretimit dhe zbatimit të dispozitave kalimtare të ligjit të ri. Mohimi i kësaj mundësie përmes aplikimit të kufizimit të ri, pa marrë parasysh rrethanat juridike në të cilat është zgjedhur drejtori aktual, cenon sigurinë juridike dhe pritjet legjitime të krijuara nga legjislacioni paraprak.
Për këto arsye, Lëvizja FOL i bën thirrje Komisionit për Legjislacion që ta rishqyrtojë vendimin për refuzimin e kandidaturës së Yll Buleshkajt dhe të mundësojë rikthimin e tij në garë. FOL thekson se kërkesa për rikthimin e kandidaturës nuk nënkupton mbështetje për zgjedhjen e tij, por respektim të parimeve të ligjshmërisë, sigurisë juridike dhe trajtimit të barabartë të kandidatëve në procesin e përzgjedhjes.