Lëvizja FOL në takim me Kryetaren e Kuvendit, Albulena Haxhiu

Prishtinë, 24 nëntor 2026 – Drejtorja e Lëvizjes FOL, Mexhide Demolli Nimani, së bashku me përfaqësues të organizatave të tjera të shoqërisë civile, u takua me Kryetaren e Kuvendit të Republikës së Kosovës, znj. Albulena Haxhiu, për të diskutuar mbi bashkëpunimin ndërmjet Kuvendit dhe shoqërisë civile.

Gjatë takimit, Drejtorja e FOL-it ngriti disa kërkesa konkrete për rritjen e transparencës dhe llogaridhënies së Kuvendit, ndër të cilat ishin:

  • Transmetimi i drejtpërdrejtë i mbledhjeve të komisioneve parlamentare;
  • Përfshirja reale dhe substanciale e kontributit të organizatave të shoqërisë civile në grupet punuese për hartimin e projektligjeve, përtej përfshirjes vetëm formale;
  • Transparenca në proceset e rekrutimit për pozita të larta, përmes vlerësimit dhe arsyetimit publik të deputetëve.

Lëvizja FOL mirëpret deklaratën e Kryetares Haxhiu se shoqëria civile shihet si aleate dhe partnere e Kuvendit.

Një Kuvend i hapur, transparent dhe llogaridhënës ndërtohet përmes veprimeve konkrete. FOL do të vazhdojë të monitorojë nga afër përmbushjen e këtyre zotimeve dhe zbatimin e kërkesave të ngritura.