Efikasiteti gjyqësor në trajtimin e kontesteve të punës në Kosovë
Prishtinë, 28 korrik 2026 – Lëvizja FOL publikoi sot raportin monitorues “Efikasiteti gjyqësor në trajtimin e kontesteve të punës në Kosovë”, në kuadër të një konference që mblodhi përfaqësues të sistemit gjyqësor, Inspektoratit Qendror të Punës, organizatave të shoqërisë civile dhe mediave.
Raporti bazohet në monitorimin e 57 rasteve gjyqësore të trajtuara gjatë periudhës 2021–2025, të cilat paraprakisht kishin qenë objekt shqyrtimi nga Inspektorati i Punës. Analiza përfshin vendime nga Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Administrativ, Gjykata Komerciale (shkalla e parë dhe e dytë) si dhe Gjykata e Apelit.
Drejtorja ekzekutive e Lëvizjes FOL, Mexhide Demolli-Nimani, prezantoi gjetjet kryesore të raportit, duke theksuar se monitorimi evidenton vonesa të konsiderueshme në trajtimin e kontesteve të punës dhe sfida në ndarjen e kompetencave ndërmjet Inspektoratit të Punës dhe gjykatave.
Sipas raportit:
- Nga 57 rastet e monitoruara, vetëm 12 kanë marrë vendim të shkallës së dytë, ndërsa asnjë rast nuk ka përfunduar me vendim të Gjykatës Supreme.
- Pesë raste kanë shënuar vonesat më të mëdha në trajtim, ku procedurat kanë zgjatur deri në 6.65 vite.
- Në 4 nga 5 rastet me vonesat më të theksuara, Inspektorati i Punës kishte marrë vendime për çështje që gjykatat i konsiderojnë kompetencë ekskluzive të tyre, si kthimi në vendin e punës, kompensimet dhe anulimi i vendimeve.
- Në 82.5% të rasteve të monitoruara, gjykatat kanë aprovuar kërkesëpaditë kundër vendimeve të Inspektoratit të Punës, duke i anuluar ato.
Në panelin e diskutimit morën pjesë: z. Qerim Ademaj, gjyqtar në Gjykatën Supreme, z.Vesel Zhinipotoku, Drejtor i Departamentit për Cilësinë e Inspektimeve në Inspektoratin Qendror të Punës, dhe z.Gersi Gashi nga Qendra për Politika dhe Avokim.
Gjyqtari Qerim Ademaj theksoi se Ligji për Procedurën Kontestimore i trajton kontestet e punës si procedura prioritare dhe obligon gjykatat t’i shqyrtojnë ato me urgjencë. Ai vlerësoi se kohëzgjatja prej dy apo më shumë vitesh për një vendim në shkallën e parë është jashtë standardeve të një gjykimi brenda afatit të arsyeshëm dhe u pajtua me gjetjet e raportit për nevojën e rritjes së efikasitetit në trajtimin e këtyre rasteve.
Nga ana tjetër, Vesel Zhinipotoku bëri të ditur se vetëm gjatë vitit të kaluar Inspektorati Qendror i Punës ka pranuar mbi 1,600 ankesa për shkelje të të drejtave të punëmarrësve. Ai theksoi se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i dhjetorit 2022 ka sjellë qartësi më të madhe lidhur me kompetencat ndërmjet Inspektoratit dhe gjykatave, duke pranuar se më herët kishte pasiguri juridike në interpretimin e këtyre kompetencave.
Gersi Gashi nga Qendra për Politika dhe Avokim theksoi se kufizimi i kompetencave të Inspektoratit të Punës ndër vite ka ndikuar që një numër më i madh i kontesteve të punës të referohen drejtpërdrejt në gjykata, duke rritur ngarkesën e sistemit gjyqësor. Ai nënvizoi se rastet e referuara nga Inspektorati duhet të trajtohen me prioritet, duke pasur parasysh ndikimin e drejtpërdrejtë që ato kanë në mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve.
Sipas Gashit, megjithëse në sektorin publik ekzistojnë mekanizma administrativë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të punës, punëtorët e sektorit privat vazhdojnë të përballen me pasiguri juridike për shkak të kohëzgjatjes së procedurave gjyqësore. Ai shtoi se transferimi i kompetencave për trajtimin e kontesteve të punës në Gjykatën Administrative pritet të ndikojë në uljen e ngarkesës së gjykatave dhe në përshpejtimin e trajtimit të këtyre rasteve.
Përmes këtij raporti, FOL synon të kontribuojë në përmirësimin e efikasitetit të sistemit gjyqësor në trajtimin e kontesteve të punës, forcimin e sigurisë juridike dhe garantimin e mbrojtjes efektive të të drejtave të punëmarrësve. Gjetjet dhe rekomandimet e raportit synojnë të nxisin bashkëpunim më të mirë ndërinstitucional dhe harmonizim të praktikës ndërmjet Inspektoratit Qendror të Punës dhe gjykatave, në funksion të një sistemi më të drejtë dhe më efikas të mbrojtjes së të drejtave të punës.
Ky aktivitet u realizua në kuadër të projektit “Human Rightivism”, në kuadër të nismës “Llogaridhënia në Zbatimin e Ligjit të Punës dhe Transparenca e të Drejtave të Punëtorëve”, që udhëhiqet nga Lëvizja FOL. Projekti implementohet nga Fondi për Zhvillim Komunitar (CDF), me mbështetjen e Ambasadës së Suedisë në Kosovë
Raporti: Efikasiteti gjyqësor në trajtimin e kontesteve të punës në Kosovë
Dokument politikash për përmirësimin e zbatimit të legjislacionit të punës në Kosovë
.