Qeveria realizoj vetëm 33 % të Planit Kombëtar për zhvillim për periudhën janar-qershor 2024

Prishtinë, 1 gusht 2024 – Lëvizja FOL ka publikuar sot të dhënat nga monitorimi i Planit Kombëtar për Zhvillim për periudhën janar-qershor 2024.

Mexhide Demolli-Nimani – Drejtore në Lëvizjen FOL, tha se edhe këtë vit FOL ka bërë monitorimin e aktiviteteve të parapara në Planin Kombëtar për Zhvillim. “Qeveria e Kosovës nga 147 aktivitete të parapara të realizohen brenda periudhës janar-qershor 2024 ka arritur të realizoj vetëm 49 apo 33 % nga to, ndërkaq 59 apo 40 % nga to kanë mbetur të parealizuara. Ndërsa, për 39 aktivitete apo (27 %) nga tri ministri (Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Ministria e Financave dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit), FOL nuk ka pranuar përgjigje se sa janë realizuar aktivitetet e tyre për periudhën e parë gjashtë mujore.

Demolli-Nimani, listoi dhe ministritë të cilat s’kanë planifikuar asnjë aktivitet për periudhën e parë gjashtë mujore 2024 janë; Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Ministria e Zhvillimit Rajonal, Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria për Komunitete dhe Kthim.

Ndërkaq Burbuqe Kastrati, menaxhere e projektit në Lëvizjen FOL prezantoi të dhënat për secilën ministri sa i përket realizimit të aktiviteteve të parapara të përfundojnë brenda periudhës janar-qershor të vitit 2024 janë:

  • Zyra e Kryeministrit – kishte paraparë vetëm 16 aktivitete të realizohen gjatë periudhës janar-qershor 2024 në kuadër të Planit Kombëtar për Zhvillim, nga to janë realizuar 13 dhe 3 kanë mbetur pa u realizuar.
  • Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural – në kuadër të Planit Kombëtar për Zhvillim ka paraparë të përfundoj 8 aktivitete brenda periudhës janar – qershor 2024. Prej tyre kanë realizuar 6 ndërkaq 2 janë të parealizuara.
  • Ministria e Drejtësisë –  në kuadër të Planit Kombëtar për Zhvillim ka paraparë të përfundoj 36 aktivitete brenda periudhës janar- qershor 2024. Vetëm 14 janë përfunduar brenda afatit të paraparë ndërkaq 22 janë të pa përfunduara.
  • Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit – në kuadër të Planit Kombëtar për Zhvillim ka paraparë të përfundoj 3 aktivitete brenda periudhës janar- qershor 2024, prej të cilave ka realizuar 1 dhe 2 të tjera janë të parealizuara.
  • Ministria e Ekonomisë – në kuadër të Planit Kombëtar për Zhvillim ka paraparë të përfundoj 18 aktivitete brenda periudhës janar- qershor 2024. Vetëm 6 janë realizuar brenda afatit të paraparë ndërkaq 12 janë të parealizuara.
  • Ministria e Punëve të Brendshme – në kuadër të Planit Kombëtar për Zhvillim, ka paraparë të përfundoj 10 aktivitete brenda periudhës janar- qershor 2024. Vetëm 6 janë përfunduar brenda afatit të paraparë ndërkaq 4 janë të parealizuara.
  • Ministria e Mbrojtjes – ka paraparë të realizojë vetëm 1 aktivitet gjatë periudhës janar-qershor 2024 në kuadër të Planit Kombëtar Zhvillimor i cili ka mbetur i parealizuar.
  • Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë – nga 15 aktivitete të parapara të realizohen gjatë periudhës janar-qershor 2024 , ka realizuar 3 dhe 12 kanë mbetur të parealizuara.
  • Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal – ka paraparë të realizojë vetëm 1 aktivitet gjatë periudhës janar-qershor 2024 në kuadër të Planit Kombëtar Zhvillimor i cili ka mbetur i parealizuar.

Ndërkaq tri ministri nuk janë përgjigjur në pyetësorin e Lëvizjes FOL, dhe nuk dimë nëse i kanë realizuar aktivitetet e parapara apo jo.

  • Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit – në kuadër të Planit Kombëtar për Zhvillim ka paraparë të realizoj 11 aktivitetet brenda periudhës janar – qershor 2024.
  • Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve – në kuadër të Planit Kombëtar Zhvillimor ka paraparë të përfundoj 9 aktivitete brenda periudhës janar- qershor 2023.
  • Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës – në kuadër të Planit Kombëtar Zhvillimor ka paraparë të përfundoj 19 aktivitete brenda periudhës janar- qershor 2024.

Ajo çka duhet theksuar është se FOL ka bërë monitorimin e aktiviteteve të parapara të përfundojnë vetëm gjatë periudhës së parë gjashtë mujore (janar-qershor 2024).

Sipas Demolli-Nimanit, Lëvizja FOL ka bërë krahasimin ndër vite të realizimit të aktiviteteve në kuadër të Planit Kombëtar Zhvillimor të parapara të përfundojnë në periudhën janar-qershor për vitet 2022, 2023, 2024. Në vitin 2022 niveli i zbatimit të Planit të Punës së Qeverisë ka rezultuar të jetë 48%, ndërsa në vitin 2023 Qeveria e Kosovës ka realizuar 34% dhe në vitin 2024 ky plan është realizuar vetëm 33 % për periudhën e parë gjashtë mujore.

Të dhënat e plota mund ti gjeni këtu

Mirëpo për dallim nga gjashtëmujori i parë i vitit 2022 ku kanë qenë të planifikuara 2077 aktivitete, në vitin 2024 kanë qenë vetëm 147, pra 1930 aktivitete më pak se në vitin 2022. Gjithashtu për periudhën e njëjtë në vitin 2022 janë realizuar 947 aktivitete më shumë se në vitin 2024. Nga të dhënat e më sipërme del se puna e Qeverisë ka pësuar rënie në zbatimin e këtij plani në tri vitet e fundit.

Zbatimi i PKZH-së për periudhën janar-qershor 2024 Download

Reagim: Të dorëhiqet Bordi i Radio Televizionit Publik të Kosovës

Prishtinë, 24 korrik 2024

Pas situatës së krijuar me rastin e publikimit të artikullit “Slobodna Bosna” (Bosnja e Lirë), të transmetuar në RTK, Organizatat joqeveritare dhe aktivistët e poshtëshënuar kërkojnë dorëheqjen e Bordit të RTK-së për mungesë të pavarësisë dhe profesionalizmit në ushtrimin e mandatit të tyre.

Radio Televizioni i Kosovës (RTK) ka ri publikuar një informacion dezinformues me qëllim që të sulmojë mediat online Nacionale dhe Persikopi nën pretendimin që kontrollohen nga Serbia. Kjo narrativë e ushqyer ndër vite nga partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje ka për qëllim denigrimin e gazetarëve dhe cytjen e qytetarëve kundër tyre, gjë që përbën rrezik për sigurinë e tyre.

Në vend se të suspendonte të gjithë përgjegjësit për lëshimin e kësaj dezinformate, Bordi i RTK-se u mjaftua me një shprehje të “keqardhjes” për artikullin në fjalë dhe formimin e një komisioni për të “sqaruar situatën” duke mos u distancuar apo kërkuar falje. Është tejet shqetësues fakti që artikullin diznformues të publikuar nga RTK-ja, bordi e ka cilësuar si “kontravers” dhe ka deklaruar të pavërteta se kinse RTK nuk ka përmendur emrat e mediumeve. Kjo është bërë për të zbutur kështu skandalin që i ka ndodhur transmetuesit publik dhe duke anashkaluar faktin se ky lajm bie në kundërshtim me Ligjin e RTK-së, Statutin e RTK-së dhe Standardet Profesionale. Formimi i komisioneve është metodë e njohur që përdoret për të tej zgjatur procedurat me shpresën që publiku do të harrojë.

Përtej ngjarjes së fundit, një sërë zhvillimesh tjera kanë ndodhur në RTK që japin indikacione të qarta që bordi i transmetuesit nuk funksionon më i pavarur nga partia në pushtet. Këtu përfshihen detyrimi i ish drejtorit gjeneral Shkumbin Ahmetxhekaj që të dorëhiqet dhe ushtrimi i presionit ndaj tij, krijimi i një praktike të publikimit të informacioneve që shkelin standardet etike dhe ligjore siç ishte informacioni për dyshimet për atentate ndaj udhëheqësve të pushtetit, publikimi i videove të ndryshme që i ndihmojnë narratives qeveritare e deri tek lajmet si ky i fundit që për qëllim nuk e kanë informimin e publikut por bërjen e propagandës pro qeveritare.

Rrjedhimisht, ne konsiderojmë që bordi i RTK-së duke bërë lëshime të njëpasnjëshme ka lejuar shtrirjen e dorës së pushtetit në transmetuesin publik dhe nuk gëzon më kredibilitetin dhe pavarësinë e nevojshme për të vazhduar tutje mandatin e tyre dhe duhet të dorëhiqen nga pozitat e tyre.
Njëkohësisht i bëjmë thirrje Lëvizjes Vetëvendosje që të ndalë luftën e ashpër kundër mediave dhe gazetarëve që ka rezultuar me rënien e Kosovës 19 vende në indeksin e Reporterëve pa Kufij.

Organizatat dhe aktivistët nënshkrues:

  1. Lëvizja FOL
  2. Kosovo Law Institute
  3. Kosova Democratic Institute / Transparency International Kosova
  4. Iniciativa per Progres – INPO
  5. Youth Initiative for Human Rights – Kosovo (YIHR KS)
  6. Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK
  7. Prishtina Institute for Political Studies – PIPS
  8. Democracy Plus
  9. Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion – QIKA
  10. Institute for Development Policy (INDEP)
  11. EPIK Institute
  12. Instituti Kosovar për Hulumtim dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED)
  13. Imer Mushkolaj
  14. Flutura Kusari
  15. Agon Maliqi
  16. Institute for Social Policy “Musine Kokalari”
  17. sbunker
  18. Democracy for Development (D4D)
  19. Grupi për Studime Juridike dhe Politike

FOL ka bërë përditësimin e Platformës së Deklarimit të Pasurisë së zyrtarëve publikë për vitet 2022-2023

Prishtinë, 23 korrik 2023 – Lëvizja FOL bërë përditësimin e Platformës së Deklarimit të Pasurisë të zyrtarëve publikë për vitet 2022-2023 www.deklarimi.org

Platforma për krahasimin e pasurisë së zyrtarëve të lartë publikë përfshin rreth 500 zyrtarë të lartë publik, ku për secilin në mënyrë individuale qytetarët e Kosovës mund të shohin deklarimin e pasurisë së tyre si dhe të mund të krahasojnë rritjen e pasurisë së tyre ndër vite, pra gjatë periudhës që kanë pasur një post publik.

Vendimet gjyqësore të publikuara gjatë periudhës prill-qershor 2024

Lëvizja FOL ka vazhduar me monitorimin sistematik të publikimit të vendimeve gjyqësore nga të gjitha gjykatat e Republikës së Kosovës edhe në tre mujorin e dytë të vitit 2024.

Gjatë periudhës prill-qershor 2024 në ueb-faqen zyrtare të KGjK-së janë publikuar gjithsej 11,221 vendime gjyqësore. Numrin më të madh të vendimeve gjatë këtij tre-mujori i ka publikuar Gjykata Komerciale, e cila ka publikuar gjithsej 1,675 vendime gjyqësore, duke u pasuar nga Gjykata Themelore e Mitrovicës, e cila ka publikuar gjithsej 1,584 vendime gjyqësore.

Nga këto vendime, 7,364 janë për lëndë civile, 1,910 për lëndë penale, 1,287 për lëndë ekonomike dhe 402 për lëndë administrative.

Duhet theksuar se gjatë monitorimit, FOL ka evidentuar se gjykatat kanë publikuar edhe vendime të përseritura, ku vetëm në muajin maj janë evidentuar 831 vendime të cilat nuk janë përfshirë në numrin e përgjithshëm.

Publikimi i vendimeve gjyqësore, përveç që është obligim ligjor, paraqet edhe një hap të rëndësishëm në respektimin e vlerave të gjyqësisë transparente dhe bashkëkohore. Rrjedhimisht, neni 6 i Ligjit për Gjykatat, ka paraparë obligimin e të gjitha gjykatave që brenda 60 ditësh t’i publikojnë në ueb-faqet e tyre zyrtare të gjitha vendimet, si akte që shënojnë epilogun e një procesi gjyqësor.

Të dhënat e plota mund ti gjeni këtu

Ky aktivitet mbështetet nga Departamenti i Shtetit Amerikan, përmes Byrosë Ndërkombëtare për Çështje të Narkotikëve dhe Sundim të Ligjit (INL)

Infografikë - Vendimet gjyqësore të publikuara prill-qershor 2024 Download

Sistemi gjyqësor në vitin 2023 ka pësuar regres në zgjidhjen e lëndëve të korrupsionit dhe të dhunës në familje në krahasim me vitin 2022

Prishtinë, 09.07.2024 – Lëvizja FOL sot ka publikuar raportet statistikore në lidhje mePerformancën e Sistemit Prokurorial dhe Gjyqësor në Zgjidhjen e Lëndëve të Korrupsionit dhe të Dhunës në Familje gjatë vitit 2023“. Ky raport adreson çështjen e performancës dhe efikasitet të shkallës së parë të sistemit gjyqësor dhe të atij prokurorial në zgjidhjen e lëndëve të korrupsionit gjatë periudhës janar – dhjetor 2023, si dhe shtjellon nivelin e ngarkesës së punës së këtyre institucioneve në zgjidhjen e këtyre lëndëve.

Raporti është bazuar në të dhënat statistikore zyrtare të pranuara nga Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës për vitin 2023. Për matjen e performancës së këtyre institucioneve mbi bazën e këtyre statistikave zyrtare, FOL ka përdorur metodologjinë e Komisionit Evropian për Efikasitetin e Drejtësisë (CEPEJ). Raporti nuk përfshinë cilësinë e lëndëve, apo cilësinë e punës së prokurorive dhe gjykatave, por vetëm matjen statistikore të tyre.

Albana Hasani dhe Viona Bunjaku, Hulumtuese në Lëvizjen FOL, prezantuan gjetjet kryesore të këtij raporti. Gjetjet në lidhje me zgjidhjen e lëndëve të korrupsionit janë listuar më poshtë.

  • Nga 1,106 lëndët e korrupsionit sa kanë qenë në punë në shtatë prokuroritë themelore dhe në atë speciale gjatë vitit 2023, kanë arritur të zgjidhen gjithsej 500 lëndë, përkatësisht 45 % e të gjitha lëndëve në punë. Ndërkaq pjesa prej 606 lëndëve (55%) kanë mbetur të pazgjidhura dhe janë bartur për vitin 2024.
  • Me këto shifra, rezulton se shkalla e zgjidhjes së lëndëve të korrupsionit në sistemin prokurorial në raport me vitin 2022 nuk ka pësuar ndryshim, ngaqë edhe në vitin 2022 ishin zgjidhur po ashtu 45% e lëndëve në punë.
  • Me këto shifra, ky sektor ka arritur normën e zgjidhjes se lendeve në 79% (pra ka arritë të zgjidh dukshëm më pak lëndë se sa ka pranuar), si dhe Normën e qarkullimit të lëndëve në 0.82 (pra ka zgjidhur 500 lëndë, ndërsa 606 lëndë kanë mbetë të pazgjidhura dhe janë bartur për vitin 2024).
  • Ndërkaq, Kohëzgjatja e përfundimit të të gjitha lëndëve të korrupsionit që kanë mbetur të pazgjidhura gjatë këtij viti (sipas trendit aktual të zgjidhjes se tyre) do të jetë 445 ditë. Ndërsa Indeksi i lëndëve të grumbulluara është arritur në 0.95 (për shkak se numri i lëndëve të trashëguara nga vitet paraprake është me i ulët në raport me numrin e lëndëve të zgjidhura gjatë vitit).
  • Ndërsa gjykatat themelore të Republikës së Kosovës gjatë vitit 2023 gjithsej në punë i kanë pasur 128 lëndë të korrupsionit, ndërsa kanë arritur të zgjidhin 56 lëndë, apo 44 % të të gjitha lëndëve që i kanë pasur në punë.
  • Pra shkalla e parë e sistemit gjyqësor këtë vit kishte pësuar regres në zgjidhjen e lëndëve të korrupsionit në raport me vitin 2022, ku ishin zgjidhur 59 % e lëndëve të korrupsionit që sistemi i ka pasur në punë.
  • Norma e qarkullimit të lëndëve në gjykatat themelore të Republikes së Kosovës gjatë vitit 2023 është arritur 0.77 (për shkak se ky sektor ka zgjidhur 56 lëndë, ndërsa 77 lëndë kanë mbetë të pazgjidhura), Ndërsa kohezgjatja e zgjidhjes sw lëndëve të korrupsionit ne gjykatat themelore të Republikes së Kosovës, që në këtë vit kishin mbetur të pazgjidhura, sipas trendit të zgjidhjes së tyre, është 474 ditë.

Ndërsa indeksi i lëndëve të trashëguara nga gjykatat themelore të Kosovës është arritur në 1.85 (që nënkupton se numri i lëndëve të trasheguara nga viti paraprak ishte dukshëm më i madh, se numri i lëndëve të zgjidhura gjatë këtij viti).

Ndërsa sa i përket gjetjeve në lidhje me raportin për rastet e dhunës në familje, u deklarua se:

Shtatë gjykatat themelore të Republikës së Kosovës gjatë vitit 2023 gjithsej në punë kanë pasur 2,684 lëndë të dhunës në familje. Prej 2,684 lëndë sa ishin gjithsej në punë për vitin 2023, kanë arritur të zgjidhen 1,393 lëndë, apo 52% e lëndëve. Nëse krahasohet me vitin e kaluar, gjykatat themelore të Kosovës për vitin 2022 kishin pasur në punë gjithsej 1,608 lëndë ndërsa kishin arritur të zgjidhin 961 lëndë të dhunës në familje.

  • Bartja e numrit të madh të lëndëve nga viti në vit vazhdon ende të mbetet sfiduese për sistemin e drejtësisë. Në të gjitha gjykatat themelore të Kosovës, për vitin 2023 ishin bartur 1,887 lëndë, përkatësisht 70% e lëndëve që kanë qenë në punë në vitin 2023.
  •  Norma mesatare e zgjidhjes së lëndëve të  dhunës në familje në të gjitha gjykatat gjatë vitit 2023 ishte 175%, që nënkupton se numri i lëndëve të zgjidhura gjatë kësaj periudhe (1,393) ishte dukshëm më i lartë se numri i lëndëve të reja që ishin krijuar gjatë vitit (797 lëndë).
  • Norma e qarkullimit të lëndëve në sistemin gjyqësor është 1.07, që nënkupton se sistemi gjyqësor ka arritur të zgjidh 52% të të gjitha lëndëve në punë prandaj e ka arritur këtë normë. Ndërsa, 48% e lëndëve është bartur për vitin 2024.
  • Indeksi mesatar i lëndëve të grumbulluara në shtatë gjykatat themelore të Kosovës është 1.35, për shkak se numri i lëndëve të trashëguara nga viti paraprak ishte më i lartë pra (1,887 lëndë) ne raport me numrin e lëndëve të zgjidhura gjatë vitit 2023. Krahasuar me vitin e kaluar kjo përqindje është rritur dukshëm.
  • Gjatë periudhës janar – dhjetor 2023, gjithsej raste në punë në shtatë prokuroritë themelore në lidhje me veprat penale të dhunës në familje kanë qenë 4,337 lëndë.
  • Në këtë numër, pra, kanë kontribuar lëndët e bartura nga viti paraprak (1,381 lëndë), si dhe lëndët e reja të krijuara gjatë vitit (2,966 lëndë). Pra, shprehur në përqindje, mesatarisht 32 % e lëndëve të dhunës në familje në punë të shtatë prokurorive ishin të bartura nga vitet paraprake, ndërsa 68 % e lëndëve ishin lëndë të reja, të krijuar gjatë vitit 2023.
  •  Prokuroritë themelore të Republikës së Kosovës për vitin 2023 kanë arritur të zgjidhin 3,199 lëndë apo 74% e lëndëve,  përfshirë edhe numrin e lëndëve të trashëguara ndërsa pjesa tjetër pra 1,138 lëndë kanë mbetur pa u zgjidhur dhe janë bartur për vitin 2024.

Ndërsa, norma mesatare e qarkullimit të lëndëve në shtatë prokuroritë themelore gjatë kësaj periudhe ishte 2.81, që është krijuar mbi faktin se numri i lëndëve të zgjidhura gjatë kësaj periudhe (3,199 lëndë) ishte dukshëm më i madh në raport me lëndët që kanë mbetur të pazgjidhura (1,138 lëndë), e që janë bartur për vitin 2024.

Për vitin 2023 norma e qarkullimit të lëndëve është 2.81, qe rezulton me numër të madh të qarkullimit të lëndëve, dhe se janë bartur për vitin e ardhshëm si lëndë të pazgjidhura.

Indeksi mesatar i lëndëve të grumbulluara në shtatë prokuroritë themelore gjatë vitit 2023 është arritur në 0.43 dhe ka rrjedhur si pasojë e faktit se numri i lëndëve të dhunës në familje të trashëguara nga viti paraprak (1,381 lëndë) është më i ulët në raport me numrin e lëndëve të zgjidhura gjatë këtij viti (3,199 lëndë).

Bazuar në këto gjetje, Lëvizja FOL ka dhënë këto rekomandime:

  • Të rritet numri i prokurorëve dhe gjyqtarëve në departamentet përkatëse për krime të rënda, që merren me rastet e korrupsionit;
  • Të rritet bashkëpunimi ndër-institucional, si një premisë bazë për suksesin e veprimtarisë së sistemit të drejtësisë në luftimin e suksesshëm të korrupsionit;
  • Lëndët e korrupsionit, e veçanërisht ato të profilit të lartë, të trajtohen me prioritet absolut nga institucionet e sistemit të drejtësisë.
  • Të krijohet një njësi e veçantë në prokuroritë tjera themelore që merren me rastet e dhunës në familje, njësoj sikurse Njësiti për Dhunë në Familje në Prokurorinë Themelore të Prishtinës;
  • Të trajtohen me prioritet absolut rastet e dhunës në familje nga ana e sistemit gjyqësor dhe prokurorial të Kosovës, si dhe të ashpërsohen dënimet ndaj kryerësve të këtyre veprave penale;
  • Të intensifikohet bashkëpunimi i Ministrisë së Drejtësisë/Zyrës së Koordinatorit Nacional Kundër Dhunës në Familje me institucionet tjera përkatëse (me qëllim të forcimit të përpjekjeve për zbatimin e Ligjit për Mbrojte nga Dhuna në Familje);

Performanca e sistemit prokurorial dhe gjyqësor në luftën kundër korrupsionit gjatë vitit 2023

Performanca e sistemit prokurorial dhe gjyqësor në luftën kundër dhunës në familje gjatë vitit 2023

Performance of the Prosecution and Judicial System in the Fight against Corruption during 2023

Performance of the Prosecutorial and Judicial System in the fight against domestic violence during 2023

“Çmimi për Gjykatën më Transparente për vitin 2023” i ndahet Gjykatës Komerciale

Prishtinë, 1 korrik 2024 – Lëvizja FOL me mbështetje nga Departamenti i Shtetit Amerikan, përmes Byrosë Ndërkombëtare për Çështje të Narkotikëve dhe Sundim të Ligjit (INL), ka publikuar sot “Raportin mbi Monitorimin e Publikimit të Vendimeve Gjyqësore”, i cili përfshinë gjetjet nga monitorimi i publikimit të vendimeve nga Gjykatat e Kosovës për vitin 2023.

Mexhide Demolli – Nimani, Drejtoreshë Ekzekutive në Lëvizjen FOL, tha se publikimi i aktgjykimeve konsiderohet një prej segmenteve më të rëndësishme të sigurimit të transparencës në sistemin e drejtësisë. Pra nuk mund të flitet për transparencë dhe llogaridhënje në sistemin e drejtësisë, pa publikim të epilogjeve gjyqësore, tha ajo. Ajo theksoi se, edhe kësaj radhe, për të treguar një përqindje të saktë të shkallës së publikimit të aktgjykimeve nga Gjykatat e Kosovës, kemi ndërruar metodologjinë e vlerësimit. Pra kemi nxjerrur nga një përqindje të proporcionit ndërmjet lëndëve të zgjidhura në të gjitha gjykatat gjatë kësaj periudhe, dhe lëndëve të publikuara në ueb-faqen e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Ndër të tjera, Nimani theksoj se, duke i marrë parasysh gjetjet e gjithë këtij monitorimi për këtë periudhë kohore, Lëvizja FOL edhe këtë herë do të ndajë “Çmimin për Gjykatën më Transparente” i cili do t’i ndahet gjykatës që ka arritur përqindjen më të lartë të publikimit të aktgjykimeve në ueb-faqen e KGjK – së në raport me lëndët e zgjidhura gjatë vitit 2023.

Ky çmim këtë vit do t`i ndahet Gjykatës Komerciale, si gjykata që ka publikuar më së shumti vendime gjyqësore në raport me lëndët e zgjidhura (Dhoma e Shkallës së Parë ka zgjidhur 4,017 lëndë, ndërsa ka publikuar 2,755 vendime (69 % të lëndëve); Dhoma e Shkallës së Dytë ka zgjidhur 2,222 lëndë, ndërsa ka publikuar 1,710 lëndë (77% të lëndëve).

Drejtoresha e INL në Kosovë, Tamra Greig, tha se ndjehet shumë e lumtur me këto të gjetura dhe progresin e bërë nga gjykatat e Kosovës, me ç’rast ka inkurajuar vazhdimin e publikimit të aktgjykimeve. Po ashtu, shprehi gatishmërinë për mbështetjes e INL ndaj sistemit gjyqësor dhe shoqërisë civile, me qëllim që të monitorohet dhe të komentohet performanca e gjyqësorit.

Kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj, tha se publikimi i aktgjykimeve jo vetëm që rrit transparencën, por gjithashtu promovon llogaridhënien dhe besimin në sistemin gjyqësor. Duke falënderuar Lëvizjen FOL dhe INL në këtë drejtim, Kryesuesi Zogaj tha se fakti i publikimit të mijëra aktgjykimeve nga gjykatat e Kosovës është dëshmi e përkushtimit të gjyqësorit për të siguruar qasje të plotë për publikun.

Hulumtuesja e Lartë ne Lëvizjen FOL, Albana Hasani, tha se raporti përmban të dhënat nga monitorimi sistematik i publikimit të aktgjykimeve në ueb faqen zyrtare të KGJK-së, gjatë kësaj periudhe një vjeçare. Sipas Hasanit, gjatë vitit 2023, të gjitha gjykatat dhe degët e tyre kanë publikuar mbi 40,000 aktgjykime, një rritje prej 17% krahasuar me vitin 2022, i cili progres është dëshmi e përkushtimit për transparencë dhe qasje publike. Gjithashtu, Hasani shpjegoj metodologjinë e vlerësimit të aktgjykimeve, ku tregoj se janë krahasuar numrin e lëndëve të zgjidhura dhe numrin e lëndëve të publikuara në secilën gjykatë gjatë vitit 2023.

Kryetari i Gjykatës Komerciale, Mahir Tutuli, tha se ky çmim është vlerësim i përpjekjeve të stafit të kësaj gjykate, me qëllim të rritjes së transparencës dhe përmirësimit të qasjes në vendimet gjyqësore, përkundër vështirësive dhe sfidave si gjykatë e re.

Në fund të raportit, Lëvizja FOL ka dhënë edhe disa rekomandime me të cilat vlerëson se do të ngritej dinamika e publikimit të aktgjykimeve në periudhën kohore në vijim, disa prej të cilave janë: të ndryshohet Rregullorja e KGjK-së dhe të harmonizohet me Kodin e ri të Procedurës Penale, secila lëndë ta ketë numrin unik të lëndës; të gjitha aktgjykimet të publikohen në formatin PDF; si dhe të ndërmerren veprime sistematike për rritjen e numrit të vendimeve te publikuara, në mënyrë që të kemi një transparencë të qëndrueshme institucionale.

Raportin e plotë mund ta gjeni këtu

Raporti mbi monitorimin e publikimit të vendimeve gjyqësore Download

Shpërndarja e broshurës informuese : Sinjalizo, Reago, Ndrysho!

Me qëllim të shënimit të ditës ndërkombëtare të sinjalizuesve dhe ngritjes së ndërgjegjësimit të qytetarëve për sinjalizimin në sektorin privat, Lëvizja FOL ka shpërndarë broshurat informuese mbi Ligjin për Mbrojtjen e Sinjalizueseve.

Broshura përmban të dhëna të qarta rreth kuptimit të sinjalizimit, qëllimit, llojet e sinjalizimit, gjobat që mund të shqiptohen për mos-zbatimin e ligjit, si dhe për mbrojtjen që ju ofrohet sinjalizuesve.

Broshura është shpërndarë edhe me Odën Ekonomike të Kosovës dhe Odën Ekonomike Gjermane. Gjithashtu broshura e njëjtë është shpërndarë edhe tek Inspektorati i Punës i Kosovës

Ky aktivitet mbështetet nga aktiviteti i USAID për Integritet të Komunave të Kosovës.

Sektori privat, “parajsë” dhe “ferr” për sinjalizuesit

Ka rreth 250 mijë kosovarë që punojnë në sektorin privat, në të cilin ekonomia informale është e përhapur, ka shkallë të lartë korrupsioni dhe në përgjithësi sundim të dobët ligji. Kjo gamë problemesh përbën “parajsë” për sinjalizim. Por, raportimi nga brenda mungon, sepse ambienti është “ferr” dhe frika për humbjen e vendit të punës është e madhe. Pse heshtja për t’u mbrojtur nga pasojat, nuk është zgjidhje?

Nga: Besnik Krasniqi

Ky OP-ED është shkruar nga gazetari për Lëvizjen FOL për të shënuar Ditën Ndërkombëtare për Mbrojtjen e Sinjalizuesve

Ka më shumë se një dekadë prej që një gazetar danez, mua dhe një grupi kolegësh pjesëmarrës në një konferencë që u organizua në Prishtinë, na u drejtua me fjalët: “Jeni me fat që punoni gazetarë në Kosovë. Është parajsë për ta bërë punën”.

Mesazhi lehtë u kuptua, sepse konstatimin e nxori pasi dëgjoi shumë histori të zbardhura nga gazetarët në Kosovë, si për abuzim me pushtetin, për keqqeverisje, për krime të llojllojshme e për tema që atij i dukej se lehtë mund të ktheheshin në skenarë filmi. Po, edhe për ngjarjet historike, si puna e shpalljes së pavarësisë.

Gazetarët danezë s’e kishin këtë “fat”. Kuptueshëm, nuk është “parajsë” për gazetarët një shtet që prej gati dy shekujsh e ka konsoliduar sistemin me të cilin edhe tash qeveris, që ka standard shumë të avancuar edhe qeverisjeje e edhe jetese, dhe që i përket një rajoni me nivelin më të lartë të demokracisë. Përtej këtyre, Danimarka është një nga bastionet ku punëtorët e sektorit privat i kanë më të avancuara kushtet e punës dhe të drejtat në punë.

Si Kosova për gazetarët, sektori privat përbën “parajsë” për sinjalizuesit potencialë. Pra, për rreth 250 mijë qytetarët e punësuar në të.

Në raportin e fundit që ka publikuar Komisioni Evropian, theksohet se “sektori privat vazhdon të pengohet nga sfidat strukturore të kahershme, siç janë ekonomia informale e përhapur, shkalla e lartë e korrupsionit dhe në përgjithësi sundimi i dobët i ligjit”.

Nisur nga kjo, pareshtur do të mund të sinjalizohej për një gamë të gjerë parregullsish, si për mohimin e të drejtave themelore që lidhen me vendin e punës, për shkeljet e ligjit, për mashtrimin, korrupsionin, dhe për praktika të tjera abuzive nga të cilat viktimë janë vet punëtorët, klientët e edhe shteti.

Por, raportimi nga brenda për abuzime të këtilla mungon, sepse ambienti brenda sektorit privat është “ferr”.

Rezultat të frikshëm ka nxjerrë anketa mbi të kuptuarit dhe perceptimin e sinjalizimit nga punonjësit e këtij sektori, që e publikoi në prill Lëvizja FOL. Një nga pyetjet ishte shumë konkrete: A keni pasur ndonjëherë ndonjë rast ku kompania juaj ka paraqitur ndonjë parregullsi ose veprim të jashtëligjshëm para organeve kompetente, si shmangie tatimi, kallëzim të ndonjë vepre penale e të tjera? Rezultati është alarmant – që të gjithë të anketuarit u përgjigjën me “Jo”. Pra, që nuk kanë paraqitur ndonjëherë parregullsi a veprime të jashtëligjshme.

Në dukje paradoksale, por është gjë që ecën paralelisht: Sa më i egër ambienti i punës, aq më e vogël gatishmëria për të sinjalizuar shkelje.

Shkalla e lartë e frikës nga hakmarrja që mbretëron në sektorin privat, tregon edhe për mungesë efektesh në terren, të Ligjit për Mbrojtjen e Sinjalizuesve. Ligji përmban dispozita që ofrojnë mbrojtje për punonjësit që sinjalizojnë, e edhe detyrime për punëdhënësit, jo veç për të mos ndërmarrë masa hakmarrjeje ndaj sinjalizuesve, por edhe për të krijuar akte të brendshme që rregullojnë procedurën e pranimit dhe trajtimit të rasteve të sinjalizimit. Ligji ka një dispozitë të përafërt me atë të Danimarkës, e me të cilën detyrohen punëdhënësit privatë që kanë më shumë se 50 të punësuar, që të krijojnë kanale të brendshme për raportim të parregullsive, e të cilat duhet të jenë të pavarura e të sigurta dhe të garantojnë edhe anonimitet e edhe konfidencialitet. Se detyrimet nuk janë përmbushur, e fakton edhe anketa e FOL-it, sipas së cilës “vetëm një pjesë e vogël (20%) e bizneseve të anketuara i janë nënshtruar inspektimit nga Inspektorati i Punës në lidhje me emërimin e zyrtarëve përgjegjës për sinjalizimin”.

Institucionet e shtetit, e para së gjithash Inspektorati i Punës, duhet të ndërmarrin veprime me urgjencë në funksion të zbatimit të ligjit në sektorin privat, sepse mungesa e veprimeve të këtilla rrit frikën për sinjalizim tek të punësuarit. Mosveprimi çon mesazh se mekanizmat shtetërorë janë të paaftë të garantojnë edhe mbrojtjen nga ndëshkimi. Për pasojë, dikush që sinjalizon, jo veç që ka frikë se mund ta humbet vendin e punës, por edhe se humb mundësinë për ta gjetur një vend të ri pune, nga brenga që asnjë punëdhënës nuk do që ta fus brenda biznesit dikë me prirje për të sinjalizuar për shkelje a abuzime.

Shkeljet mund të mbeten të padukshme, nëse heshten nga ata që janë në dijeni për to. Por, pasojat mund të jenë zinxhirore dhe me kosto të mëdha. Po e zëmë, nëse një produkti që i ka skaduar afati për konsumim, i ndryshohen datat dhe ata që janë në dijeni nuk e raportojnë, atëherë rrezikohet shëndeti i klientëve. Një hetim pas një helmimi nga konsumimi i produkteve pa afat, potencialisht do ta zbardhte skandalin dhe një proces gjyqësor do të prodhonte pasoja të rënda për biznesin: pas dëmtimit të reputacionit, klientët humbin besimin; largimi i klientëve e çon biznesin në bankrot; bankroti nënkupton për të punësuarit humbjen e vendit të punës.

Heshtja për tu mbrojtur nga pasojat, nuk është zgjidhje. Me heshtje, praktikat e jashtëligjshme bëhen normë dhe kësisoj mirëmbahet “ferri” për sinjalizuesit në sektorin privat.

Së këndejmi, sektori privat duhet të kthehet në parajsë – pa thonjëza – për sinjalizuesin.

Kjo mund të bëhet përmes guximit për t’i raportuar çështjet që lidhen me kushtet dhe të drejtat e punës, shkeljet e ligjit, mashtrimin, korrupsionin, si dhe me praktikat e tjera abuzive, sepse një guxim i tillë pastaj rrit edhe moralin e punëtorëve e edhe zhvillimin e organizatës ku punojnë. Kjo mund të bëhet edhe me gatishmërinë e menaxhmentit të bizneseve për të përmbushur detyrimet ligjore që lidhen me sinjalizuesit, sepse kështu ata rrisin edhe besimin e punëtorëve në menaxhment, edhe demonstrojnë përkushtimin ndaj standardeve më të avancuara etike dhe të integritetit, e në afatgjatë evitojnë edhe pasojat për vet biznesin që e drejtojnë.

Ky aktivitet mbështetet nga Aktiviteti i USAID-it për Integritet të Komunave të Kosovës.
Pikëpamjet e autorit të shprehura në këtë artikull nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) ose të qeverisë së Shteteve të Bashkuara.

FOL Hapur: Dita Ndërkombëtare e Sinjalizuesve

Me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtarë të Sinjalizuesve, Lëvizja FOL organizoi diskutimin FOL Hapur mbi rëndësinë, efektivitetin dhe sfidat në zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e Sinjalizuesve.

Pjesë e këtij diskutimi ishte Drejtori i Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, z. Yll Buleshkaj, si dhe Drejtori i Departamentit për Planifikim Strategjik dhe Çështje Ligjore në Inspektoratin e Punës, z. Vesel Zhinipotoku.

Në këtë diskutim u trajtuan tema të ndryshme në lidhje me çështjen e mekanizmit të sinjalizimit, duke filluar nga rëndësia, efektiviteti, sfidat në zbatimin e tij, nevojën për vlerësimin ex-post të Ligjit për Mbrojtjen e Sinjalizuesve, si dhe nevojë për plotësim/ndryshimin e tij.

Ky aktivitet mbështetet nga Aktiviteti i USAID-it për Integritet të Komunave të Kosovës.

Raport Analitik: Dilemat praktiko-juridike të (pa)zbatueshmërisë së sinjalizimit në sektorin privat

Raport: Gjetjet e anketës mbi të kuptuarit dhe perceptimin e sinjalizimit nga punonjësit e sektorit privat

Broshura informuese: Sinjalizo, Reago, Ndrysho!

Udhëzuesi dhe formulari për paraqitjen e ankesave ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve

Lëvizja FOL ka përgatitur udhëzuesin dhe formularin për të lehtësuar procedurën e paraqitjes së ankesave për shkeljet disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Udhëzuesi është bazuar në Ligjin për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe në rregulloret përkatëse të këshillave për procedurën disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Ky udhëzues është realizuar në kuadër të projektit “Ngritja e vetëdijes dhe besimit të qytetarëve në institucionet e sistemit të drejtësisë” , mbështetur nga Bashkimi Evropian.

Udhëzuesin mund ta gjeni këtu

Udhëzuesi dhe formulari për paraqitjen e ankesave ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve Download

Informimi dhe perceptimi i qytetarëve lidhur me paraqitjen e ankesave disiplinore kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve

Sot Lëvizja FOL ka organizuar konferencën “Sfidat e zbatimit të Ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve”, ku janë prezantuar gjetjet e raportit: “Informimi dhe perceptimi i qytetarëve lidhur me paraqitjen e ankesave disiplinore ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve”.

Folës në këtë konferencë ishin: Ministrja e Drejtësisë, znj. Albulena Haxhiu; zv. Avokati I Popullit, z. Niman Hajdari; z. Nicola Scaramuzzo, nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe z. Gëzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi – IKD.

Folësit kanë diskutuar mbi rëndësinë dhe sfidat e zbatimit të Ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke vënë theksin mbi rëndësinë e zbatimit të duhur të tij duke siguruar që gjyqtarët dhe prokurorët të mbahen përgjegjës sipas standardeve më të larta, duke nxitur një proces gjyqësor të drejtë dhe transparent.

Ministrja e Drejtësisë, znj. Albulena Haxhiu në fjalën e saj ka theksuar rëndësinë e këtij ligji për të rritur llogaridhënien e prokurorëve dhe gjyqtarëve. Po ashtu, ministrja Haxhiu tha se Ministria e Drejtësisë është në fazën finale të plotësim- ndryshimit të Ligjit për përgjegjsinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe adresimit të gjetjeve dhe rekomandimeve.

Ndërsa zv.Avokati i Popullit, z. Niman Hajdari ka diskutuar mbi mundësinë e qytetarëve që t’i drejtojnë ankesat te zyra e Avokatit të Popullit dhe mbi procedurat që qytetarët duhe t’i ndërrmarrin për t’i paraqitur ato. Z.Nimani potencoi që gjatë vitit 2022 ka pranuar 9 ankesa nga qytetarët, kurse ne vitin 2023 ka pasur rritje të numrit të ankesave.

Z.Nicola Scaramuzzo nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka potencuar rëndësine e organizatave të shoqërisë civile për t’i mbajtur institucionet më llogaridhënëse dhe transparente përmes punës së tyre në fushën e sundimit të ligjit.

Z.Gëzim Shala nga Instituti I Kosovës për Drejtësi ka vlerësuar raportin e publikuar nga FOL, i cili analizon trajtimin e rasteve të përgjegjësisë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve njëashtu informimin dhe perceptimin e qytetarëve mbi këtë ligj. Njëashtu, z.Shala ka cekur që sfida kryesore mbi këtë ligj mbetet tek arbitrariteti i gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe qasja selektvive e tyre mbi këtë ligj.

Raportin e plotë mund ta lexoni këtu

Full report in english

Kjo konferencë është organizuar në kuadër të projektit “Ngritja e vetëdijes dhe besimit të qytetarëve në institucionet e sistemit të drejtësisë” , mbështetur nga Bashkimi Evropian.

Informimi dhe perceptimi i qytetarëve lidhur me paraqitjen e ankesave disiplinore kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve Download

Ekipi 311 fitues i Turneut Kombëtar i Debatit – Kosova Open 2024

Në kuadër të projektit ”Kosovo Green Action”, Lëvizja FOL ka organizuar Turneun Kombëtar të Debatit formal “Kosova Open 2024″ i cili u mbajt me datat 07-09 qershor 2024 në hapësirat e Gjimnazit Loyola në Prizren.

Pjesë e këtij Turneu ishin rreth 70 të rinj e shkollave të mesme nga pesë komuna të Kosovës: Prishtinë, Mitrovicë, Ferizaj, Kamenicë dhe Obliq.

Nga e premtja deri të dielën të rinjtë pjesëmarrës debatuan mbi temat rreth Agjendës e Gjelbër, dhe problemet kryesore të mjedisit duke qenë kështu pjesë e garës më të madhe të debatit në vend. 

Duke u bazuar në performancën që kanë treguar, folësit më të mirë të këtij turneu u shpallën:

1.Folësja e parë më e mirë, Viona Humolli

2.Folësja e dytë më e mirë, Jona Olloni

3.Folësja e tretë më e mirë, Hënë Haxhimusa

4.Folësi i katërt më i mirë, Blin Zhilipotoku

5.Folësja e pestë më e mirë, Medina Shkodra

(trophy) Ndërsa ekipi fitues në nivel vendi u vlerësua Ekipi 311, i përbërë nga Jona Olloni dhe Viona Humolli nxënëse të Gjimnazit Xhevdet Doda në Prishtinë. Duke qenë fituese të këtij turneu, vajzat kanë fituar për shkollën një fond i cili do të përdoret për të instaluar panel solar në këtë mënyrë do të ndikojnë në shpenzimet e shkollës dhe të përçojnë mesazh rreth rëndësisë së mbrojtjes së mjedisit.

Lëvizja FOL falënderon secilin pjesëmarrës, gjyqtarët, koordinatorët lokal, ekipin organizativ, vullnetarët që ky turne u realizua në mënyrën më të mirë të mundshme.

Ky projekt është i mbështetur nga Ëorld Bank në kuadër të Partneriteti Global për Përgjegjshmëri Sociale dhe implementohet nga Lëvizja FOL, Balkan Green Foundation dhe Open Data Kosovo.

Trajnim me biznese në Komunën e Gjakovës mbi sinjalizimin në sektorin privat

Lëvizja FOL ka vazhduar me trajnimet me biznese në Komunën e Gjakovës mbi sinjalizimin si një mjet kundër korrupsionit për të forcuar integritetin në sektorin privat.

Trajnimi do të ofroj njohuri të vlefshme praktike për biznese sa i përket zbatimit të Ligjit për Mbrojtjen e Sinjalizuesve. Programi është krijuar për të shkëmbyer njohuri mbi çështjet që lidhen me raportimin dhe përpjekjet kundër korrupsionit në këtë sektor dhe do të mbahet në shtatë rajone të Kosovës.

Ky aktivitet mbështetet nga USAID – Kosovo Municipal Integrity.

Trajnim me biznese në Komunën e Pejës mbi sinjalizimin në sektorin privat

Lëvizja FOL ka vazhduar me trajnimet me biznese në Komunën e Pejës mbi sinjalizimin si një mjet kundër korrupsionit për të forcuar integritetin në sektorin privat.

Trajnimi do të ofroj njohuri të vlefshme praktike për biznese sa i përket zbatimit të Ligjit për Mbrojtjen e Sinjalizuesve. Programi është krijuar për të shkëmbyer njohuri mbi çështjet që lidhen me raportimin dhe përpjekjet kundër korrupsionit në këtë sektor dhe do të mbahet në shtatë rajone të Kosovës.

Ky aktivitet mbështetet nga USAID – Kosovo Municipal Integrity.

Trajnim me biznese në Komunën e Prizrenit mbi sinjalizimin në sektorin privat

Lëvizja FOL ka vazhduar me trajnimet me biznese në Komunën e Prizrenit mbi sinjalizimin si një mjet kundër korrupsionit për të forcuar integritetin në sektorin privat.

Trajnimi do të ofroj njohuri të vlefshme praktike për biznese sa i përket zbatimit të Ligjit për Mbrojtjen e Sinjalizuesve. Programi është krijuar për të shkëmbyer njohuri mbi çështjet që lidhen me raportimin dhe përpjekjet kundër korrupsionit në këtë sektor dhe do të mbahet në shtatë rajone të Kosovës.

Ky aktivitet mbështetet nga USAID – Kosovo Municipal Integrity.