Mbahet mbledhja e Kuvendit të Anëtarëve: Petrit Zogaj zgjedhet Drejtor Ekzekutiv

Prishtinë, 2 shtator 2011: Në bazë të Ligjit për Lirinë e Asocimit në Republikën e Kosovës dhe Statutin e organizatës, me datë 27 gusht 2011, është mbajtur mbledhja e Kuvendit të Anëtarëve të Lëvizjes FOL, i cili është organi kryesor vendimmarrës në organizatë. Në këtë mbledhje është miratuar raporti gjashtë mujor i punës dhe ai financiar për periudhën Janar-Qershor 2011.

Gjatë periudhës janar-qershor 2011, FOL ka realizuar 10 publikime të ndryshme (Raporte dhe Analiza), 5 konferenca për shtyp, janë organizuar 14 tryeza të rrumbullakëta në nivel qendror dhe lokal, janë koordinuar 2 deklarata të përbashkëta të Shoqërisë Civile, një reagim publik, kemi nënshkruar marrëveshje mirëkuptimi për monitorimin e prokurimit me Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Administratës Publike dhe Ministrinë e Shëndetësisë si dhe kemi organizuar dy turne të debatit për shkolla të mesme në formatin “Karl Popper”, një në Pejë dhe një në Vushtrri.

Në këtë mbledhje u bë zgjedhja e Drejtorit të ri të Lëvizjes FOL po ashtu u emërua Bordi i ri i organizatës. Me 17 vota për dhe 3 abstenime, Petrit Zogaj është zgjedhur drejtor i ri i Lëvizjes FOL. Me vota unanime anëtar të rinj të Bordit Këshillëdhënës të Lëvizjes FOL janë zgjedhur znj. Valdete Idrizi, z. Genc Salihu, z. Gëzim Visoka si dhe z. Halil Matoshi.

Petrit Zogaj është bashkëthemelues i Lëvizjes FOL dhe ka shërbyer deri tani në pozitën e Menaxherit të Programeve. Petriti ka përfunduar studimet për Shkenca Politike në Universitetin e Prishtinës.

Lëvizja FOL falënderon: Kuvendin e Anëtarëve, Bordin Këshillëdhënës, Stafin, posaçërisht falënderon drejtorin e deritanishëm të Lëvizjes FOL, z. Ramadan Ilazi, i cili dha një kontribut të jashtëzakonshëm për arritjen e objektivave të Lëvizjes FOL, të cilat kanë kontribuar në fuqizimin e Shoqërisë Civile në Kosovë.

Në dokumentet zyrtare kanë qasje vetëm zyrtarët

Prishtinë, 26 mars 2010 – Lëvizja ?Fol?, publikoi të premten një raport me titull “Qasje në dokumente zyrtare vetëm për zyrtarët”, për shtatë komuna të Kosovës, ndërkaq u theksua se me gjithë kërkesat e shumta të shoqërisë civile dhe shumë organizatave për qasje në dokumentet zyrtare, një gjë e tillë po realizohet vetëm për zyrtarët.

Kjo lëvizje thekson se në komunat për të cilat është prezantuar raporti ka shumë mangësi, duke përfshirë rifreskimin e ueb faqeve të tyre, mungesën e transparencës për informacionet financiare, përkatësisht qasjen në kontratat publike dhe monitorimin e procesit vendimmarrës në dhënien e tenderëve, transmeton KosovaLive komunikatën e lëvizjes ?Fol?.

Sipas raportit, megjithëse shumica e komunave marrin obligim nga Rregullorja për transparencë që t?i ftojnë shoqërinë civile të jetë pjesëmarrëse në hapjen e ofertave dhe vlerësimin e tyre, lëvizja FOL nuk ka arritur të verifikojë nëse në 7 komunat e përfshira në këtë raport një gjë e tillë është respektuar.

?Fol?, me këtë rast ka dhënë një sërë rekomandimesh; komunat duhet t?i përgatisin dhe publikojnë raportet vjetore për kërkesat për qasje në dokumente zyrtare, duhet të dihet më saktë numri i kërkesave që janë paraqitur për qasje në dokumente zyrtare, përgjigjet e dhëna si dhe arsyet e refuzimit të kërkesave eventuale.

Po ashtu rekomandohet që komunat të mirëmbajnë dhe krijojnë regjistrat e dokumenteve zyrtare që janë në dispozicion të qytetarëve mbi bazën e kërkesës, duhet t?i njoftojnë qytetarët për dokumentet të cilat mund t?i gjejnë në ueb faqe etj.

Në këtë raport po ashtu thuhet se të gjitha komunat, përveç Mitrovicës kanë rregullore komunale për transparencë që përbën një akt të vullnetit të mirë politik megjithëse zbatimi i rregullores është i mangët.

Po ashtu njoftohet se numri kërkesave për qasje në dokumente zyrtare në shtatë komunat arrin gjithsej në 27 për vitin 2009.

?Vetëm në komunën e Mitrovicës kanë qenë 22 kërkesa, të cilat thuhet se kanë marrë përgjigje pozitive, ndërkaq, komunat si Lipjani, Malisheva e Klina gjatë tërë vitit 2009 nuk kanë pasur asnjë kërkesë për qasje në dokumente zyrtare. Në Kamenicë e Vushtrri ka pasur vetëm nga një kërkesë ndërkaq në Podujevë kanë qenë vetëm dy kërkesa?, vlerëson raporti.

Ky rezultat sipas lëvizjes ?Fol?, është shumë shqetësues dhe dëshmon për një indiferencë të qytetarëve karshi institucioneve publike lokale sa i përket kërkesave për qasje në dokumente zyrtare.

Sipas tyre kjo mund të jetë edhe si pasojë e nivelit të ulët të besueshmërisë së qytetarëve në institucionet publike.

Indeksi i Transparencës së Institucioneve dhe ndërmarrjeve publike në Kosovë

Hulumtim politikash: Matja e transparencës së institucioneve dhe ndërmarrjeve publike në Kosovë

Përmbledhje ekzekutive e raportit

Ky studim është i pari i këtij lloji që bëhet në Kosovë dhe synon të masë transparencën e institucioneve dhe ndërmarrjeve publike që operojnë në vend. Përmes këtij studimi së pari është bërë një skenim sistematik i funksionimit të strukturave të brendshme të institucioneve dhe ndërmarrjeve publike përgjegjëse për çështjet e komunikimit dhe informimit publik, i cili ka prekur një gamë mjaft të gjerë çështjesh që kanë të bëjnë me komunikimin dhe informimin publik. Qasja ka qenë ajo e ndërtimit të institucioneve, gjë që nënkupton se ky studim është fokusuar vetëm në atë se në çfarë niveli institucionet dhe ndërmarrjet publike kanë zhvilluar kapacitetet e tyre për të siguruar zbatimin e plotë dhe efektiv të dispozitave kushtetuese dhe ligjore që garantojnë të drejtën e qytetarëve për qasje në dokumentet publike.

Duke qenë kështu, është shikuar ekskluzivisht ana formale e të gjitha elementeve të prekura të komunikimit dhe informimit publik për qëllim të sigurimit të transparencës.

Prandaj, pavarësisht se ndonjë institucion/ndërmarrje publike mund të ketë zhvilluar mekanizma jo-formalë, sipas të cilëve konsideron se do të merrte një vlerësim më të mirë duhet ta ketë të qartë se obligimet kushtetuese dhe ligjore për transparencë janë obligime për institucionin, dhe si të tilla duhet të institucionalizohen në mënyrë që të jenë të qëndrueshme, pavarësisht shkallës relativisht të lartë të ndryshimeve në staf. Duke shfrytëzuar indikatorë objektivë dhe të qartë, ky skenim sistematik është fokusuar në shumicën e çështjeve relevante nga perspektiva e ndërtimit të institucioneve, nga tri dimensione kryesore: infrastruktura rregullative, ajo e politikave/planeve dhe kapacitetet për implementimin efektiv.

Marrë parasysh se kemi të bëjmë me dallime në mes të institucioneve, është tentuar që metodologjia e mbledhjes së informatave (përkatësisht pyetësori i dërguar) të jetë sa më i përgjithshëm që ka qenë e mundur, por kjo gjithashtu nënkupton se personat që kanë punuar në plotësimin e tyre është dashur të kenë njohuri dhe kapacitete analitike të theksuara për të dhënë informata të plota në të gjitha çështjet e ngritura.

Më tej, marrë parasysh se njëra nga sfidat më të vështira në procesin e shtet-ndërtimit në Kosovë ka të bëjë me memorien institucionale, dhënia e informatave gjithëpërfshirëse dhe të sakta rreth secilës çështjeje të ngritur ka kërkuar si aftësi analitike të personave që kanë dhënë informatat për tërë fushëveprimtarinë e organizatës ashtu edhe koordinim të theksuar në mes të strukturave menaxheriale në mbledhjen e informatave specifike dhe relevante. Një element tjetër me rëndësi është se pasi që ky studimi është i pari i këtij lloji, është fokusuar kryesisht në vlerësim kuantitativ, me synimin që të konfirmohet ekzistimi ose mungesa e secilit element në infrastrukturën institucionale në të tria dimensionet e lartpërmendura.

Në këtë kontekst, përtej synimit për të marrë thjesht informata kuantitative mbi secilin element të kësaj infrastrukture, cilësia dhe plotësia e informatave të dhëna reflekton edhe shkallën e shprehisë së institucionit/ndërmarrjes publike të caktuar për të lehtësuar qasjen e publikut në dokumente publike. Kjo shprehi vërehet sidomos në informatat e dhëna nga ana e të dyja ndërmarrjeve publike, të cilat edhe në raste të mungesës së qartë të kornizës rregullative, shpesh janë vërejtur haptas se përpiqen të fshehin informata, përfshirë edhe pranimin e faktit se mungon infrastruktura rregullative. Në këtë mënyrë duket se shpesh e bëjnë të vështirë një vlerësim objektiv dhe ekskluzivisht kuantitativ.

Në vijim paraqitet rangimi i të gjitha institucioneve dhe ndërmarrjeve publike, sipas të Indeksit të Transparencës Institucionale (ITI):

1. Dogana e Kosovës ? 90, jo plotësisht e hapur;
2. Agjencia Kosovare Kundër Korrupsionit ? 69, gjysmë e hapur;
3. Korporata Energjetike e Kosovës ? 64, pjesërisht e hapur;
4. Ministria e Punëve të Jashtme ? 62, pjesërisht e hapur;
5. Policia e Kosovës ? 55.5, pjesërisht e hapur;
6. Kuvendi i Kosovës ? 53, i mbyllur;
7. Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ? 47, e mbyllur;;
8. Posta dhe Telekomunikacioni i Kosovës ? 43, e mbyllur;;
9. Zyra e Kryeministrit ? 41.5, e mbyllur;;
dhe 10. Prokuroria e Shtetit ? 3, e mbyllur.

Megjithëse ky studim i parë i këtij lloji tregon performancë përgjithësisht të dobët sa i përket infrastrukturës institucionale, ai synon të shërbejë si mekanizëm monitorues i vazhdueshëm për të përcjellë ngritjen e vazhdueshme të kapaciteteve institucionale për komunikim dhe informim publik, me synim përfundimtar rritjen e nivelit të përgjithshëm të transparencës së institucioneve dhe ndërmarrjeve publike, duke filluar nga krijimi i një qasjeje proaktive sa i përket qasjes në dokumente publike. Duke e bërë këtë lloj matjeje në mënyrë periodike, synohet të arrihen disa qëllime. Së pari, të identifikohen problemet dhe sfidat e secilit institucion dhe ndërmarrje publike sa i përket ndërtimit të infrastrukturës legjislative dhe asaj të politikave, por edhe të kapaciteteve institucionale dhe organizative, për implementimin e Ligjit për Qasje në Dokumente Zyrtare. Së dyti, këto gjetje specifike pritet t?u ndihmojnë institucioneve publike dhe ndërmarrjeve publike që të adresojnë ato deri në vlerësimin e radhës, në mënyrë që duke përcjellë përparimin e tyre, ato vazhdimisht të jenë në gjendje të përmirësojnë infrastrukturën legjislative e institucionale/organizative, si dhe të ngrisin kapacitetet implementuese. Së treti, duke e bazuar vlerësimin e transparencës në një punë rigoroze e sistematike, pritet që të pasurohet, fokusohet dhe kanalizohet debati publik mbi këtë çështje përmes ofrimit të të gjeturave që bazohen në të dhëna të marra nga vetë subjektet që mbulon studimi.

Për tre muaj 16 shkelje të procedurave të prokurimit nga Qeveria, Komunat si dhe ndërmarrjet publike

Prishtinë, 26 gusht 2011. Lëvizja FOL në kuadër të angazhimit të sajë për të luftuar korrupsionin, është përqendruar në sektorin e prokurimit, i konsideruar si sektori më i korruptuar në Kosovë. Si rezultat i punës së monitorimit të prokurimit janë edhe raportet e rregullta “Monitoruesi i Korrupsionit”, që FOL publikon ku pasqyrohen të gjeturat kryesore në procesin e dhënies së kontratave publike. Një raport i tillë është publikuar sot, i dyti që kur FOL ka filluar monitorimin e prokurimit në muajin mars 2011.

Gjatë një konferencës së sotme për shtyp ku u publikua “Monitoruesi i Prokurimit” për periudhën Prill-Qershor 2011, koordinator i projektit për Monitorimin e Prokurimit në Lëvizjen FOL, Fidan Kalaja, tha se “nga marsi i këtij viti kur Lëvizja FOL ka bërë kërkesa për monitorimin e zyrave të prokurimit të pesë ministrive, me tre nga këto ministri, me Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Administratës Publike dhe Ministrinë e Shëndetësisë ka arritur që të nënshkruaj memorandume mirëkuptimi ndërsa me dy ministri të tjera, atë të Arsimit dhe Infrastrukturës nuk kemi arritur që të bëjmë një gjë të tillë”. Ai më tepër shtoj se “që nga fillimi i monitorimit të Prokurimit në Ministrinë e Drejtësisë, FOL ka monitoruar 16 procedura të prokurimit (duke mos i përfshirë ri-tenderimet) prej të cilave janë anuluar ose ri-tenderuar 5 tenderë, në Ministrinë e Administratës Publike, kemi monitoruar 7 tenderë prej të cilëve një tenderë është ri-shpallur edhe dy herë të tjera.

Për herë të parë, me iniciativën e FOL, disa gazeta janë ftuar të monitorojnë procedurat e vlerësimit të ofertave milionëshe për ndërtimin e ndërtesës së MFSK. Kurse në Ministrinë e Shëndetësisë, megjithëse ka memorandum të nënshkruar me Ministrin Agani, zyra e prokurimit nuk ka qenë bashkëpunuese duke refuzuar pjesëmarrjen e FOL në takimet e vlerësimit të ofertave. FOL ka përgatitur një raport për keqpërdorime në këtë ministri edhe po presim që gjatë javës së ardhshme të diskutojmë këtë raport me ministrin, të cilin raport pas takimit do ta bëjmë edhe publik”.

Hulumtuesi në Lëvizjen FOL, Armend Mazreku, prezantoi të dhënat e raportit “Monitoruesi i Prokurimit”, ku tha se “edhe gjatë kësaj periudhe të raportimit vërehet avazi i vjetër i shkeljeve ligjore nga ana e ministrive dhe institucioneve tjetra publike sa i përket procedurave të prokurimit”. Ai deklarojë se “Qeveria e Kosovës përgjatë periudhës prill-qershor ka bërë gjithsej 5 shkelje ligjore, këto shkelje kanë ndodhur në Ministrinë e Infrastrukturës, Ministrinë e Administratës Publike, Ministrinë e Financave, Ministrinë e Bujqësisë, Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve”. Gjithashtu sipas tij “ndërmarrjet publike përkatësisht Korporata Energjetike e Kosovës ka bërë shkelje në dy aktivitete të prokurimit, ndërsa komunat kanë bërë gjithsej 9 shkelje ligjore gjatë kësaj periudhe”.

FOL Hapur për prokurimin në Ministrinë e Drejtësisë

Lëvizja FOL ka mbajtur sot debatin e radhës të forumit FOL Hapur, ku është diskutuar për prokurimin në Ministrinë e Drejtësisë, duke përfshirë Tenderin për furnizim me mish dhe prodhime nga mishi në këtë Ministri.

Panelistë në këtë debat ishin Këshilltarja e Ministrit të Drejtësisë znj. Laura Zherka, Burim Tahiri u.d së zyrës së prokurimit në Ministrinë e Drejtësisë si dhe Admir Salihu nga Lëvizja FOL.

Laura Zherka, këshilltare e Ministrit tha “se Ministria e Drejtësisë ju ka bërë ftesë të gjitha partive politike, mediave dhe OJQ-ve që të marrin pjesë në monitorimin e procedurave të prokurimit në këtë ministri, po ashtu kjo ministri gjatë këtij mandati i ka bërë disa ndryshime sa i përket procedurave të prokurimit, duke filluar nga përzgjedhja e anëtarëve të komisioneve pranuese, të cilët zgjedhën 3 orë para se të hapen ofertat, gjë e cila nuk lë hapësirë për keqpërdorime, po ashtu ueb faqja e Ministrisë së Drejtësisë është i plotësuar me të gjitha detajet rreth tenderëve, shpenzimeve të kësaj Ministrie”, përfundoi ajo.

Burim Tahiri, po ashtu përsëriti që Ministria e Drejtësisë nga ky mandat është e hapur për të gjitha OJQ-të, dhe se gjitha shqetësimet e këtyre OJQ-ve merren parasysh nga kjo ministri. Sa i përket çështjes së tenderit për furnizim me produkte të mishit, ai tha se “procesi i prokurimit ka qenë i hapur”. “Pas përfundimit të procedurave të prokurimit ka qenë një ankesë e një operatori ekonomik, që ka bërë që OSHP-ja, të kthej në rivlerësim këtë tender”. Sipas tij, “vendimi i OSHP-së është respektuar, mirëpo është bërë kërkesë në KRPP për interpretim të ligjit, në bazë të së cilit është proceduar ky tender”. Pas takimit me KRPP-në, AKK-në të organizuar nga Ministri Hajredin Kuçi, është marrë vendim që ky tender të anulohet dhe të ri-tenderohet.

Admir Salihu, monitorues i Lëvizjes FOL tha “se monitorimi në Ministrinë e Drejtësisë është duke u bërë konformë memorandumit të mirëkuptimit me këtë ministri”. Sa i përket tenderit në fjalë “dyshimi jonë që nga fillimi kishte të bënte për ekzistimin e mundësisë së bashkëpunimit ndërmjet operatorëve ekonomik dhe njësisë kërkuese, si dhe mundësia që operatori ekonomik të ketë pasur njohuri rreth disponueshmërisë së mjeteve të ministrisë për këtë tender”. Lëvizja FOL në mënyrë aktive ka marrë pjesë në procedurat e hapjes së tenderëve dhe vlerësimit të tyre. Deri më sot Lëvizja FOL ka monitoruar 16 tender në këtë ministri, duke mos përfshirë ri-tenderimet. Sipas z. Salihu “gjatë kësaj periudhe janë hartuar 5 raporte, në të cilat ne i kemi trajtuar problemet e identifikuara gjatë procesit të tenderimit, ku rekomandimet nga këto raporte janë zbatuar nga kjo Ministri”.

Debati ka vazhduar me diskutim ndërmjet panelistëve dhe pjesëmarrësve të pranishëm në debat.

FOL Hapur me Ambasadorin Francez Fitou dhe Kryeredaktorin e Koha Ditore Agron Bajrami

Ambasadori Fitou tha se “ndërhyrja e Policisë së Kosovës në pikën 1 dhe 31 për ne ishte befasuese, mirëpo e nevojshme, ai tha se tash duhet të merremi me situatën e re, e cila është krijuar, e cila në një far forme është provokuar nga Qeveria e Kosovës”. Ai më tutje shtoi se “Qeveria e Kosovës duhet që të zbatoj masat e reciprocitetit në veri, mirëpo ne që të gjithë duhet të punojmë që situate atje të mos përkeqësohet edhe më shumë”. “Ndarja e veriut të Kosovës as që diskutohet, mirëpo ajo çka ne këshillojmë është që ti kthehemi edhe një herë zbatimit të Pakos së Ahtisarit, e cila pako jep mundësi të mëdha për decentralizim, dhe sa për mua është ndër dokumentet më fleksibile që ka Kosova, e përmes së cilës mund të gjejmë një zgjidhje për veriun e Kosovës”, shtoi ai.

Ambasadori Fitou tha se “sa i përket pranisë dhe rolit të institucioneve ndërkombëtare në veri, unë mendoj që njëherë për njëherë është mirë që KFOR-i të krijojë një lloj sigurie për qytetarët që janë atje, e në anën tjetër EULEX-i të përgatitet pak më shumë për përfshirje të sundimit të ligjit në veri”. “Në Kosovë nuk do të përsëritet Bosnja e dytë, nuk do të ketë ndarje, por ajo që ne duhet ti japim rëndësi është zbatimi i Pakos së Ahtisarit, luftimi i kontrabandës dhe krimit të organizuar, vendosjen e sundimit të ligjit, si dhe të punojmë për integrimin e Kosovës në BE”, përfundoi fjalimin e tij ambasadori Fitou duke dhënë siguri dhe garancë për këtë.

Kryeredaktori i gazetës Koha Ditore, z. Agron Bajrami tha se “gjatë 12 viteve të fundit ka pasur situata edhe më të ndjeshme, në të cilat është dashur që të intervenoj Qeveria e Kosovës në veri, mirëpo kjo nuk e bënë këtë vendim jo të drejtë. Ai më tej shtoi se “vendimi nga ana e Qeverisë së Kosovës, më shumë ka qenë vendim administrativo-politik, i cili realisht ishte i drejtë mirëpo jo i plotë”. Me ndërhyrjen e Qeverisë së Kosovës me datë 25 korrik, përveç që është dashur të merren nën kontroll pikat kufitare 1 dhe 31, është dashtë që në kuadër të këtij aksioni të izolohen strukturat paralele në veri, ndalja e krimit të organizuar atje, arrestimi i personave të përfshirë në kontrabandë dhe krim të organizuar. Ai tha se “Pakoja e Ahtisarit nuk ka asgjë tjetër pos që flet për decentralizim, mirëpo ajo që ne duhet të insistojmë në bisedimet me Serbin është që kjo të na njoh si shtet sovran, që do të ishte një zgjidhje e mirë jo vetëm për Kosovën, por edhe për tërë rajonin”.
Debati ka vazhduar me diskutim ndërmjet panelistëve dhe pjesëmarrësve të pranishëm në debat.

FOL Hapur: “Per transparencën e investimeve publike në infrastrukturën rrugore”

Prishtinë 29 korrik 2011- Lëvizja FOL ka mbajtur sot debatin e radhës të forumit FOL Hapur, ku është diskutuar “Për transparencën e investimeve publike në infrastrukturën rrugore”, njëkohësisht është publikuar raporti mbi prokurimin në Ministrinë e Infrastrukturës. Panelist në këtë debat ishin Sekretari i Përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës, z. Skënder Gashi, si dhe Koordinator i projektit në Lëvizjen FOL, z. Fidan Kalaja.

Sekretari i përgjithshëm në këtë ministri, z. Skënder Gashi, tha se “duhet të promovohet transparenca sidomos kur është në pyetje paraja publike”. Ai theksoi se për “vitin 2009 janë realizuar nga kjo ministri rreth 207 projekte, për vitin 2010 rreth 92 sosh dhe për këtë gjashtë mujor të këtij viti janë realizuar 58 projekte”. Ai deklaroi se “kontrolli i brendshëm i financave publike, siguron llogaridhënien e menaxhmentit që siguron pajtueshmëri me legjislacionin relevant, përshkrimet e buxhetit dhe parimet e menaxhimit financiar, transparent, efikas, efektiv dhe ekonomik”. Sa i përket kontratës për ndërtimin e autostradës Morinë-Merdare ai than se “nuk ka qenë i përfshirë në këtë proces dhe se kjo kontratë kalon përtej kompetencave të tij si sekretar i kësaj ministrie”.

Koordinatori i Projektit, z. Fidan Kalaja tha se Ministria e Infrastrukturës, përpos që prinë për nga buxheti që i është ndarë për investime kapitale, ajo gjithashtu është e para edhe për nga numri i kontratave dhe vlera e tyre. Vetëm për dy vitet e fundit (2009-2010), kjo ministri ka nënshkruar rreth 270 kontrata, në vlerë prej rreth 821 milionë euro, duke përfshirë këtu edhe kontratën për ndërtimin e autostradës Morinë-Merdare.

Ai theksoj se një vëmendje e veçantë i është kushtuar analizimit të procedurave të prokurimit për përzgjedhjen e kompanisë mbikëqyrëse për autostradën. Sipas tij, Ministria e Infrastrukturës më datën 15 qershor 2011, ka shpallur fitues në tenderin për mbikëqyrjen e punimeve në autostradë kompaninë “Hill International”, oferta e të cilës ishte 6 milionë e 950 mijë euro. Në njoftimin për dhënie të kontratës të kësaj ministrie figuron se fitues është shpallur dega në Luksemburg e kësaj kompanie amerikane. Dy zëvendës presidentë të kësaj kompanie në Amerikë z. Robert L. Burnet dhe z. Mohamed A. El Zahabi, kanë punuar vite më radhë në korporatën amerikane “Bechtel”, e cila është kontraktuar për ndërtimin e autostradës.

Sipas këtij raporti ka raste ku kompanitë që kanë fituar tenderë kanë të punësuar njerëz nga partitë politike ose edhe janë të afërta me to. Raste të tilla janë ai i tenderit për sinjalizim vertikal dhe horizontal në rrjetin nacional dhe regjional të Republikës së Kosovës ku kompania fituese është shpallur kompania “RSM”, në të cilën figuron se merr pagë deputeti Rexhep Selimi. Dhe rasti tjetër është tenderi për rikonstruimin i rrugës Llukafc-Tomoc, ku kompania fituese “Victoria Invest International”, në historikun e saj paraqet ndërlidhjen e saj me politikanin Blerim Kuçi. Kompania fituese e njërit llot në tenderin”Sinjalizimi vertikal dhe horizontal në rrjetin nacional dhe regjional të Republikës së Kosovës” është kompania “Drenica”, ku pronari i saj z. Ismet Shamolli njëherësh është edhe zyrtar i “Eurokos”, kompani kjo që ka fituar njërin nga llotet e këtij tenderi. Sipas këtij raporti edhe në këtë vit Ministria e Infrastrukturës ka vazhduar me praktikat e shpërblimit të kompanive që janë treguar të papërgjegjshme dhe kanë zvarritur punët në projektet e mëhershme të MTPT-së, siç është rasti me kompaninë “Arda Rei”, e cila është kontraktuar për punimet në rrethrrotullim. Në tenderin për mirëmbajtjen verore dhe dimërore të rrugëve, sipas raportit gjatë shpalljes së fituesve të këtij tenderi Ministria e Infrastrukturës ka përdorur kriteret eliminuese të kompanive.

Ky aktivitet u mundësua me përkrahje të USAID përmes Programit për Fuqizimin e Shoqërisë Civile i implementuar nga ISC ” Instituti për Komunitete të Qëndrueshme

FOL shpall Qeverinë “Miss Korrupsioni”

Prishtinë, 19 korrik 2011 – Lëvizja FOL ka mbajtur sot performancën, me anë të së cilës është paraqitur mungesa e seriozitetit të institucioneve në luftimin e korrupsionit.

Në një garë të fortë ndërmjet institucioneve të Kosovës, të cilat kanë konkurruar për ta fituar çmimin “Miss Korrupsioni”, juria vlerësuese, e përbërë prej Raporteve Ndërkombëtare dhe nga monitorimi i vazhdueshëm që FOL u ka bërë institucioneve publike të Kosovës, me vota unanime ka vendosur që çmimin “Miss Korrupsioni” t”ia ndajë qeverisë së Kosovës. Duke marrë parasysh nivelin e lartë të korrupsionit, i cili është shtrirë gjithandej dikastereve qeveritare, vendimi i tillë nuk ka qenë as i papritur dhe as i befasishëm për zyrtarët e lartë qeveritarë.

Pas ndarjes së çmimit të parë, juria ka vendosur që çmimin “përcjellësja e parë e Miss Korrupsionit” ta fitojnë “dy bukuroshet” tjera: PTK dhe KEK. Ky çmim ka qenë rezultat i parregullsive të shumta në fushën e prokurimit, pagesat e mëdha jashtë-kontrolli dhe lidhja e kontratave të dëmshme për qytetarët e vendit.

Përveç këtyre dy çmimeve, juria ka vendosur që “përcjellësja e dytë e Miss Korrupsionit” të jetë sistemi gjyqësor i Kosovës. Arsyetimet e jurisë kanë qenë mungesa e gjyqtarëve dhe prokurorëve, parregullsitë e shumta që kanë shoqëruar (ri)zgjedhjen e tyre, si dhe mungesa e vullnetit për t”i zgjidhur lëndët korruptive.

Armend Mazreku analist i politikave në Lëvizjen FOL tha se përmes kësaj përformanse FOL shprehë pakënaqësinë e saj dhe të qytetarëve të Kosovës për nivelin e lartë të korrupsionit në institucionet e vendit. “Përveç kësaj, FOL i bën thirrje të gjitha institucioneve të vendit që ta marrin seriozisht luftimin e korrupsionit, të punojnë për hir të interesave të qytetarëve të Kosovës dhe ta etablojnë përfundimisht shtetin e të drejtës”, tha Mazreku.

Olofsson FOL Hapur: “Nuk kemi sistem të mirë-qeverisjes në Kosovë”

Prishtinë, 15 korrik 2011 – Lëvizja FOL ka mbajtur sot debatin e radhës të forumit “Fol Hapur” me Auditorinë e Përgjithshëm të Kosovës, z. Lars Lage Olofsso, ku është diskutuar “Përgjegjësia dhe Llogaridhënia e Shpenzimit të Parave Publike” por njëkohësisht edhe raportet e këtij institucioni që kanë të bëjnë me auditimin e pasqyrave financiare të institucioneve të Kosovës.

Analisti i Politikave në Lëvizjen FOL, Armend Mazreku, deklaroi se institucionet e Kosovës përveç që duhet të jenë llogaridhënëse dhe transparente ndaj institucioneve tjera, ato duhet të jenë njashtu edhe ndaj qytetarëve të Kosovës.

Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, z. Lars Lage Olofsson, tha se një ndër detyrat e tij është që ndërtohet një auditor modern dhe që të kontribuojë për një qeverisje më të mirë në Kosovë. “Në Kosovë nuk kemi sistem të qeverisjes së mirë, ka mungesë të të kuptuarit të një sistemi të mirë të organizimit të punëve. Ky sistem nuk është vetëm për sektorin publik, sistemi duhet të nënkuptojë edhe përfshirjen e shoqërisë civile. Gjëja kryesore këtu është se kemi një burokraci në kuptimin e përzgjedhjes së njerëzve. Këta njerëz kanë përgjegjësi. Vet fakti që ky buxhet iu lihet në besim atyre, ata duhet ta bëjnë këtë në mënyrë më të mirë, në mënyrë transparente dhe kjo është përgjegjësi e të gjithëve. Kjo është shumë e lehtë për t”u bërë, mjafton të ketë vullnet për këtë”, tha Olofsson. Se si shfrytëzohen këto para, sipas tij është edhe qëllimi kryesor i Auditorit Gjeneral në Kosovë.

Më tutje Olofsson tha se secili duhet ta di detyrën e vet dhe përgjegjësinë që e ka. “duhet të ndërtojmë mekanizma të kontrollit dhe balancimit, në mënyrë që të ndërtohet një sistem i mirëfilltë demokratik”.

Ai deklaroi se gjatë kohës sa është këtu ka filluar të ketë një progres për një sistem më të mirë. “Me rëndësi është që gjërat të adresohen në nivelin e njëjtë. Me kalimin e viteve sistemi po bëhet më i mirë dhe kjo ka të bëjë më fushën e prokurimit. Po ashtu është shumë e rëndësishme të diskutohet financimi i partive politike. Partitë politike janë sektor privat e jo publik, pra nuk është standard i mirë evropian që ne të merremi me partitë politike. Nuk është punë e jona që të merremi me partitë politike. Kjo është një punë e KQZ-së, pastaj ne shkojmë e auditojmë KQZ dhe shohim se si e kanë bërë ata këtë punë dhe shohim se sa para i janë dhënë një partie”.

Olofsson deklaroi se kontrata me Bechtel & Enka për ndërtimin e Autostradës është njëra nga 40 projektet që do të auditohen gjatë këtij vitit. Sipas tij, njerëzit në Kosovë, s”mund të bëhen bashkë, si një komb, si një shtet për të ruajtur paranë publike. “Njerëzit këtu janë ndarë në familje, klane,etj,dhe nuk bëhen bashkë për të mbrojtur interesat e tyre. Edhe politikanët duhet të kenë më të qartë se çfarë vendime duhet të marrin. Kur ju jeni të ulur në një pozicion ku mund të merrni vendime, ju duhet ta keni shumë të qartë mënyrën se çfarë të ardhme mund të kenë fëmijët tuaj. Njerëzit këtu shohin vetëm në një afat shkurtër, vetëm për dy vite, andaj kjo duhet të ndryshohet e të mendohet edhe për gjenerata të tëra”.

Auditori Gjeneral premtoi se secilit institucion i troket në derë dhe i kujton se nuk po e bëjnë punën e tyre si duhet, dhe për këtë ai tha se nuk dëshiron që rekomandimet e tij të implementohen nga institucionet, sepse atëherë nuk do të mësojnë asgjë.

FOL: Të bëhen transparente konkluzionet e bisedimeve Kosovë-Serbi

Prishtinë, 7 korrik 2011: Lëvizja FOL kërkon nga Kryeministri i Republikës së Kosovës z. Hashim Thaçi që t`i njoftoj qytetarët e Republikës së Kosovës me konkluzionet e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Duke qenë të vetëdijshëm për rëndësinë e këtyre bisedimeve, për çfarëdo konkluzioni apo marrëveshje duhet të njoftohen edhe qytetarët e Kosovës. Transparenca dhe llogaridhënia në këtë proces bisedimesh me Serbinë do të ndihmonte në shumë aspekte, përfshirë nevojën që qytetarët e Kosovës e kanë për t`u siguruar se vendi do të përfitoj nga ky proces.

Në fillim të Qershorit në Forumin FOL Hapur është diskutuar për biesdimet Kosovë-Serbi. Konkluzionet e dala nga ky diskutim ishin se status quo në Kosovë po ndihmon krimin në veri të vendit, pastaj se Kosova është futur në negociata pa përgatitje paraprake të opinionit publik, pa strategji për pronësi publike në këtë proces si dhe është thënë se transparenca e këtyre bisedimeve është qenësore për të rritur mbështetjen e publikut për ndonjë marrëveshje eventuale.

Këtu mund të shkarkoni raportin nga diskutimi në FOL Hapur për bisedimet Kosovë-Serbi – http://levizjafol.org/images/uploads/files/Sfida_e_Dialogut_Kosove-Serbi.PDF

FOL Hapur me Prokurorinë në komunën e Prishtinës

Prishtinë, 29 qershor 2011- Lëvizja FOL në bashkëpunim me Kryeprokurorin e Shtetit, kanë zhvilluar debatin në komunën e Prishtinës, në kuadër të fushatës “Prokuroritë më afër qytetarit”. Pjesëmarrës në këtë debat kanë qenë përfaqësues të shoqërisë civile, mediat dhe qytetarë të këtyre komunave. Ndërsa në cilësinë e panelistëve të pranishëm kanë qenë Kryeprokurori i Prokurorisë së Kosovës z. Ismet Kabashi, Zëvendës kryeprokurore e Prokurorisë Speciale znj. Sevdije Morina, Kryeprokuror i Prokurorisë së Qarkut në Prishtinë z. Aleksandër Lumezi, Kryeprokuror i Prokurorisë Komunale në Prishtinë z. Haki Gecaj dhe znj. Drita Hajdari Koordinatore për Lëndë të Korrupsionit.

Petrit Zogaj nga Lëvizja FOL, duke i falënderuar të pranishmit tha se “Lëvizja FOL në bashkëpunim me Kryeprokurorin e Shtetit sot, po zhvillojnë debatin e shtatë në shtatë qendrat kryesore të Kosovës në kuadër të fushatës “Prokuroritë më afër qytetarit”, përmes së cilës të dyja palët synojnë të rrisin informacionin për rolin dhe punën e prokurorive, për të diskutuar rreth sfidave, pengesave dhe planeve për të ardhmen, të nxisin qytetarët të bashkëpunojnë me prokuroritë, si dhe për të diskutuar rreth percepcionit të krijuar për prokurorin në Kosovë”.

Kryeprokurori i shtetit z. Kabashi tha se Prokuroria është shumë e interesuar që të jetë një institucion plotësisht transparent karshi qytetarëve, shoqërisë civile dhe medieve dhe për këtë falënderojë Lëvizjen FOL për angazhimin e saj në realizimin e kësaj fushate. Z. Kabashi tha se “sistemi prokurorial në Kosovës është duke u përballur me një problem sa i takon perceptimit publik ndaj prokurorisë, ku kjo e fundit në shumicën e rasteve perceptohet se përfaqëson sistemin gjyqësor, mirëpo duhet kuptuar dhe të bëhet dallimi se prokuroria është sistem i pavarur dhe është palë në procedurë”. Sipas tij “në vitin 2010 janë krijuar kushte shumë të favorshme që prokuroria të jetë një institucion më efikas, baza materiale e prokurorëve është përmirësuar dukshëm dhe procesi i emërimit dhe ri-emërimit të prokurorëve ka siguruar prokurorë më kredibilitet profesional dhe integritet të lartë moral dhe etik”. Ai shtoi se “prokuroria gjatë vitit 2010, ka arritur të procedojë 8.2% më shumë lëndë se sa në vitin paraprakë si dhe në këtë vit ka pasur shumë, më shumë raste të lajmërimit të vet qytetarëve në prokurori”. Prokuroria do ti kushtojë vëmendje të veçantë lëndëve që kanë të bëjnë me korrupsion dhe krim të organizuar, ku sipas kryeprokurorit Kabashi “në kuadër të Prokurorisë Speciale është krijuar task-forca për luftën anti-korrupsion dhe se e në të gjitha prokurorit e qarkut është caktuar nga një prokuror i cili merret me hetimin e këtyre rasteve”.

Debati ka vazhduar me Zëvendës Kryeprokuroren e Prokurorisë Speciale, znj. Sevdije Morina, e cila prezantoi historikun e funksionimit të kësaj prokurorie, ku tha se “kjo prokurori është themeluar në vitin 2006, ndërsa në vitin 2008 është miratuar ligji për Prokurorinë Speciale”. Ajo tha se kjo prokurori vëmendje të veçantë është duke i kushtuar trajtimit të lëndëve që kanë të bëjnë me krimin e organizuar dhe korrupsion, ku për këtë arsye në vitin e kaluar është themeluar edhe task-forca. Kjo prokurori sipas znj. Morina është e përbërë nga katër sektor, “sektori kundër terrorizmit, i krimeve të luftës, krimit të organizuar dhe shpëlarjes së parave, ku për secilin sektor janë të profilizuar prokurorë të posaçëm”. Znj. Morina përfundoi fjalimin e saj duke thënë se”rastet në prokurorinë speciale janë shumë të komplikuara dhe për këtë arsye procesi i hetimeve mund të shkoi deri në 24 muaj”. Nga viti 2006, kjo prokurori ka trajtuar 250 lëndë hetimore, ku nga këto lëndë 67 kanë qenë vetëm për krime të luftës.

Kryeprokurori i Prokurorisë së Qarkut të Prishtinës, z. Aleksandër Lumezi, tha se kjo prokurori është shumë e ngarkuar sa i përket numrit të lëndëve dhe territorit që e mbulon. Kjo prokurori sipas tij “përfshinë rreth 45% e territorit të Republikës së Kosovës, me rreth një milion banorë dhe përfshinë shumicën e institucioneve qendrore dhe publike të Kosovës”. Pa marrë parasysh këtë fakt, kjo prokurori ka qenë prokuroria më e suksesshme dhe më efikase “ku vetëm një prokuror ka proceduar me mbi 180 lëndë brenda vitit 2010”, tha z. Lumezi. Organi i akuzës sipas tij është duke bërë përpjekje maksimale që jetë një institucion llogaridhënës dhe transparent.

Debati ka vazhduar me z. Haki Gecaj, Kryeprokuror i Prokurorisë Komunale në Prishtinë i cili tha se “kjo prokurori ka 16 prokurorë, ku 2 nga ta janë deleguar në Prokurorinë e Qarkut dhe tani jemi në procesin e profilizimit të prokurorëve në bazë të natyrave hetimore”. Prokuroria komunale sipas z. Gecaj, është prokuroria më e ngarkuar “ku vetëm për vitin 2010 janë pranuar mbi 3400 lëndë për të rritur, mbi 165 lëndë për të mitur, rreth 1716 lëndë të ndryshme dhe 3943 kallëzime penale kundër personave të panjohur”. Ai tha se prioritet i kësaj prokurorie ka qenë hetimi mbi keqpërdorimet e komisionerëve gjatë zgjedhjeve të vitit të kaluar, ku vetëm për këtë janë “trajtuar rreth 64 lëndë dhe hetimet janë duke u zhvilluar dhe për raste të tjera”.

Pas kësaj, diskutimi u hap për pjesëmarrësit dhe kishte pyetje-përgjigje, në mes të pjesëmarrësve dhe panelisteve të ftuar në këtë debat.

FOL Hapur me Prokurorinë në qytetin e Mitrovicës

Mitrovicë, 27 qershor 2011 – Lëvizja FOL në bashkëpunim me Kryeprokurorin e Shtetit, kanë zhvilluar debatin në komunën e Mitrovicës, në kuadër të fushatës “Prokuroritë më afër qytetarit”. Pjesëmarrës në këto debate kanë qenë përfaqësues të shoqërisë civile, mediat, përfaqësues të partive politike dhe qytetarë të këtyre komunave. Ndërsa në cilësinë e panelistëve të pranishëm kanë qenë Kryeprokurori i Prokurorisë së Kosovës, z. Ismet Kabashi, Kryeprokurori i Prokurorisë së Qarkut në Mitrovicë, z. Shyqyri Syla, Kryeprokurori i Prokurorisë Komunale në Mitrovicë, z. Faruk Korenica.

Petrit Zogaj nga Lëvizja FOL, duke i falënderuar të pranishmit tha se ” këto debate po zhvillohen me qëllim të sqarimit të punës së prokurorëve, e cila jo rrallë ngatërrohet me punën e gjyqësisë dhe për shumë lëndë të pa kryera fajësohet prokuroria”.

Kryeprokurori i shtetit z. Kabashi pasi ka folur për strukturën organizative dhe përgjegjësit e prokurorisë, tha se “aktualisht në Kosovë janë të angazhuar 78 prokurorë ndërsa që duhet të jenë 146 sish”. Mirëpo, sipas tij, për të gjitha vendet e lira është shpallur konkursi dhe besohet se deri nga fundi i muajit tetor apo në fillim të nëntorit ky proces i përzgjedhjes së prokurorëve do të përfundoj. Ai tha se “në bazë të ligjit të ri, përzgjedhja e prokurorëve do të bëhet nga ana e Këshillit Prokurorial të Kosovës, dhe se besohet se më nuk do të mundet që ndokush të ndikoj në punën e tyre pasi që ata kanë kontratë të përjetshme të punës”. Sipas, Kabashit, në vitin 2010 prokuroria ka zgjedhur 71 % të lëndëve, ndërsa që 95 % të aktakuzave janë konfirmuar nga gjykatat. Sa i përket funksionimit të prokurorive në qarkun e Mitrovicës, Kabashi tha se jemi të njoftuar mbi gjendjen e vështirë për shkak të mos funksionimit të objektit në veri të Mitrovicës. Ai tha se nga e marta, do të fillon renovimi i objektit të prokurorisë në veri të Mitrovicës me këtë do të krijohen edhe lehtësira për punë e prokurorëve.

Ndërkaq, Shyqyri Syla, Kryeprokuror i Prokurorisë së Qarkut në Mitrovicë, tha se ka mungesë të prokurorëve e përveç kësaj në 20 metra katrorë punojnë 4 prokurorë. “Në mungesë të kushteve pasi që jemi duke vepruar në lokalet e gjykatës në Vushtrri ne jemi të detyruar që të funksionojmë vetëm me një prokuror kujdestar dhe punojmë vetëm lëndët emergjente”, tha Syla.

Kurse, Kryeprokurori Komunal i Mitrovicës, Faruk Korenica, gjendjen në këtë prokurori e vlerësoj alarmuese. “Kemi vetëm një prokuror dhe një zëvendës prokuror ndërsa që me ligj duhet të jenë 9 sish”. Sipas tij në këtë prokurori janë grumbulluar shumë lëndë dhe se një kohë është dashur të kërkohet nga stacionet e policisë që mos të dërgojnë më lëndë për arsye se nuk kanë as hapësirë ku me i lënë. “Punojmë në 15 m/katrorë dhe çka është më e keqja nuk kemi as një dhomë apo zyre ku do të bisedonim me dëshmitare” tha Korenica, duke shtuar se ka disa muaj që Kryeprokurori i Shtetit ka urdhëruar që të pranohet të gjitha lëndët dhe këtë jemi duke e bërë.

Pas kësaj diskutimi u hap për pjesëmarrësit dhe kishte pyetje-përgjigje, në mes të pjesëmarrësve dhe panelisteve të ftuar në këtë debat.

FOL Hapur me Prokurorinë në qytetin e Prizrenit

Prizren, 24 qershor 2011-Lëvizja FOL në bashkëpunim me Kryeprokurorin e Shtetit, kanë zhvilluar debatin në komunën e Prizrenit, në kuadër të fushatës “Prokuroritë më afër qytetarit”. Pjesëmarrës në këto debate kanë qenë përfaqësues të shoqërisë civile, mediat, përfaqësues të partive politike dhe qytetarë të këtyre komunave. Ndërsa në cilësinë e panelistëve të pranishëm kanë qenë Kryeprokurori i Prokurorisë së Kosovës, z. Ismet Kabashi, Kryeprokurori i Shtetit, Prokurorja e Prokurorisë së Qarkut në Prizren, znj. Ervehe Gashi, Kryeprokurori i Prokurorisë Komunale në Prizren, z. Enver Sokoli.

Petrit Zogaj nga Lëvizja FOL, duke i falënderuar të pranishmit tha se “sot është dita e tretë dhe debati i pestë ku Lëvizja FOL në bashkëpunim me Kryeprokurorin e Shtetit kanë nisur fushatën “Prokuroritë më afër qytetarit”, përmes së cilës synohet që publiku të informohet për punën dhe rezultatet e prokurorisë së shtetit dhe prokurorive tjera të qarkut dhe ato komunale”.

Kryeprokurori i shtetit z. Kabashi tha se “qëllimi i kësaj fushate është që opinioni publik të njoftohet për sistemin prokuroria, aktivitetet e prokurorisë dhe rezultatet e punës së prokurorisë në njërën anë dhe në anën tjetër që të marrim informata dhe ankesa nga ana e publikut në mënyrë që të përmirësojmë imazhin dhe të ngrisim nivelin e efikasitetit dhe transparencës së prokurorisë”. Gjithashtu sipas kryeprokurorit janë krijuar parakushtet normale që prokuroria të jetë një institucion i pavarur, ku “baza materiale e prokurorëve është përmirësuar dukshëm, krijimi dhe kompetencat e Këshillit Prokurorial dhe ligjet e miratuara në vitin e kaluar për gjykatat dhe prokurorinë”. Në këtë kontekst sipas tij duhet të merret parasysh se prokuroria ka ngritur akuza kundrejt 249 komisionerëve të partive politike që dyshohen për keqpërdorim të procesit zgjedhor të vitit të kaluar. Me ligjin e ri në vitin 2013, prokuroria themelore e cila do të krijohet në komunën e Gjakovës do të përfshijë dy komuna që aktualisht janë nën Prokurorinë e Qarkut të Prizrenit, komunën e Rahovecit dhe atë të Malishevës përfundoi fjalimin e tij Kryeprokurori i Shtetit z. Ismet Kabashi.

Debati ka vazhduar me Prokuroren e Prokurorisë së Qarkut në Prizren, znj. Ervehe Gashi, tha se “kjo prokurori ka 6 prokuror dhe si përparësi mund të konsiderohet ndërtimi i objektit të ri të kësaj prokurorie e cila ka avancuar punën e Prokurorisë së Qarkut të Prizrenit”. Për sa i përket institucioneve që kanë bërë kallëzime penale janë policia, përcjellë nga qytetarët, Agjencioni Anti-Korrupsion dhe Administrata Tatimore. Lëndët që kanë të bëjnë më korrupsion kanë qenë prioritet i prokurorisë së qarkut “ku kemi proceduar 13 lëndë, 10 nga to kanë përfunduar në paraburgim, 1 është hedhur poshtë dhe në 2 janë pushuar hetimet”.

Z. Enver Sokoli, kryeprokuror i Prokurorisë Komunale në Prizren tha se “gjatë vitit 2010 i kemi pasur rreth 3223”. Ai tha se prioritet i kësaj prokurorie ka qenë lufta kundër korrupsionit, lëndët për komisionerët e zgjedhjeve, lëndët për të mitur. Sipas tij “vetëm në vitin 2011, janë 34 lëndë që kanë të bëjnë me korrupsion”.

Pas kësaj diskutimi u hap për pjesëmarrësit dhe kishte pyetje-përgjigje, në mes të pjesëmarrësve dhe panelisteve të ftuar në këtë debat.

FOL-i, fol që dy vite

Prishtinë, 25 Qershor 2011 – Lëvizja FOL sot mbushi dy vjet të themelimit të saj. Përgjatë këtyre dy viteve, FOL ka qenë kujdestare e vëmendshme e funksionimit të institucioneve demokratike në vend. Puna jonë është është mbështetur nga opinioni publik, qytetarët, mediat dhe institucionet vendore. FOL-i e vlerëson lart mbështetjen e pamohueshme të mediave dhe qytetarëve për çështjet që i kemi ngritur dhe do të përpiqet të vazhdojë misionin me të njëjtën dinamikë, gjithnjë në funksion të mbrojtjes të interesit publik të qytetarëve.

FOL nuk do të hesht për zhvillimet në vend, duke insistuar vazhdimisht në krijimin e një ambienti të denjë për jetesë për të gjithë qytetarët e Kosovës.

FOL do të flasë gjithmonë për interesin qytetar!

“FOL Hapur” – Zbatimi e Ligjit për Gjykatat dhe Lufta Kundër Korrupsionit

Prishtinë, 24 Qershor 2011-Lëvizja FOL ka mbajtur sot debatin e radhës të Forumit “FOL Hapur”, ku është diskutuar për zbatimin e Ligjit për Gjykatat dhe luftën kundër korrupsionit. Të ftuar për të diskutuar mbi këtë temë ishin Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, z. Enver Peci dhe Drejtori për Parandalim të Korrupsionit në Agjencinë Kundër Korrupsion, Jetullah Aliu. Përveç kësaj, gjatë këtij debati është publikuar edhe Raporti pesë-mujor i aktiviteteve institucionale në luftë kundër korrupsionit (Janar-Maj 2011).

Kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci, deklaroi se edhe vetë gjyqësori e pranon dhe nuk është i kënaqur me të arriturat e deritanishme. “Problemi është nevoja për gjyqtarë shtesë, pasi që aktualisht një gjyqtarë mesatarisht ka 2000 lëndë në punë. Me qëllim te koordinimit të punëve dhe rritjes së besimit e qytetarëve, kemi hartur strategjinë për zgjidhje të lëndëve mbi bazën e viteve, ku qëllimi i saj është që lëndët të procedohen ashtu siç kanë arritur në gjykatë” , tha ai.
Sipas tij, niveli motivimit të stafit administrativ është i vogël edhe këto kanë qenë kushtet pse nuk ka mundur të instalohet nga një zëdhënës nëpër Gjykata, ku qytetarët do të mund të informohen më shumë. “Për të ardhur tek një sistem me të vërtet i besueshëm duhet kohë. Vetëm procesi i riemërimit i ka marrë së paku dy vjet dhe ne po mendojmë që në të ardhmen të mos emërohet asnjë gjykatës pa u hetuar mirë e kaluara e tij”. Prandaj, sistemi gjyqësor është në reformim e sipër, tha ai.

Ndërkaq, drejtor për Parandalim të Korrupsionit në Agjencinë Kundër Korrupsion, Jetullah Aliu, tha se AKK-ja vazhdimisht e ka potencuar se korrupsioni në Kosovë ekziston dhe në përmasa shqetësuese dhe këtë e tregojnë edhe raportet e ndryshme ndërkombëtare. Sipas tij, rekomandimi i fundit i AKK-së ka qenë që Ligji për Prokurimin publik të amandamentohet. “Në raportin e fundit që kemi bërë publik, rreth deklarimit të pasurisë, na kanë dalë shumë milionerë, e që në këtë vend të varfër siç është Kosova e me një pagë të tillë është e vështirë të arrihet ajo pasuri”, tha Aliu. Sipas tij AKK-ja është duke punuar edhe sa i përket konfliktit të interesit, ku deri më tani janë duke u hetuar 30 raste për të cilat dyshohet se zyrtarët e lartë janë në konflikt interesi.

Analist i politikave në Lëvizjen FOL, Armend Mazreku, gjatë prezantimit të Raporti pesë-mujor të aktiviteteve institucionale në luftë kundër korrupsionit (Janar-Maj 2011), tha se Qeveria e Kosovës nga 80 vendime sa i ka marrë gjatë kësaj periudhe, vetëm 1 ka qenë në luftën kundër korrupsionit, përderisa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ka pasur më shumë aktivitete në luftën kundër korrupsionit. Sipas tij institucionet publike kanë shënuar një prapakthim sa i përket luftës kundër korrupsion.

FOL Hapur me Prokurorinë në qytetin e Gjilanit dhe Ferizajt

Gjilan-Ferizaj, 22 qershor 2011 – Lëvizja FOL në bashkëpunim me Kryeprokurorin e Shtetit, kanë zhvilluar debatin e radhës në komunën e Gjilanit dhe atë të Ferizajt, në kuadër të fushatës “Prokuroritë më afër qytetarit”. Pjesëmarrës në këto debate kanë qenë përfaqësues të shoqërisë civile, mediat, përfaqësues të partive politike dhe qytetarë të këtyre komunave. Ndërsa në cilësinë e panelistëve të pranishëm kanë qenë Kryeprokurori i Prokurorisë së Kosovës, z. Ismet Kabashi, z. Jetish Maloku, Kryeprokuror i Prokurorisë së Qarkut në Gjilan, znj. Rabije Jakupi, Kryeprokurore e Prokurorisë Komunale në Gjilan, z. Aleksandër Lumezi, Kryeprokuror i Prokurorisë së Qarkut në Prishtinë dhe z. Shukri Jashari , Kryeprokuror i Prokurorisë Komunale në Ferizaj.

Petrit Zogaj nga Lëvizja FOL, duke i falënderuar të pranishmit tha se “Lëvizja FOL në bashkëpunim me Kryeprokurorin e Shtetit kanë nisur fushatën “Prokuroritë më afër qytetarit”, përmes së cilës synohet që përmes informimit direkt të qytetarëve, medieve dhe shoqërisë civile, nga ana Kryeprokurori i Kosovës, kryeprokurorëve të qarqeve dhe ata komunale, të ngritët niveli i transparencës së këtij institucioni “.

Kryeprokurori i shtetit z. Kabashi tha se prokuroria e shtetit përmes kësaj fushate synon që prokuroria dhe prokurorët të jenë më afër qytetarëve, të i informojë ata me punën e prokurorisë dhe të i inkurajojë ata që të bashkëpunojnë ngushtë me prokurorinë”. Sipas tij viti 2010 ka qenë një vit i suksesshëm për prokurorinë ku “edhe pse prokurorët janë përballur me një vëllim të madh të punës, kualiteti i kësaj pune matet me vendimet pwr konfirmimin e lendeve, ky në 95% të lëndëve të prokurorisë janë konfirmuar nga ana e gjykatave”. Gjithashtu, sipas kryeprokurorit janë krijuar parakushtet normale që prokuroria të jetë një institucion i pavarur, ku “baza materiale e prokurorëve është përmirësuar dukshëm, krijimi dhe kompetencat e Këshillit Prokurorial dhe ligjet e miratuara në vitin e kaluar për gjykatat dhe prokurorinë”. Z. Kabashi në debatin e realizuar në Ferizaj tha së më ligjin e aprovuar vjet mbi gjykatat, komuna e Ferizajt do të bëhet me Gjykatë dhe Prokurori Themelore në vitin 2013.

Debati ka vazhduar me Kryeprokurorin e Prokurorisë së Qarkut në Gjilan, z. Jetish Maloku, i cili bëri një prezantim të shkurtër të punës së kësaj prokurorie për vitin 2010 dhe pjesën e parë të vitit 2011. Ai tha se “gjatë vitit 2010 kanë qenë rreth 335 lëndë, prej tyre janë ngritur 312 kallëzime penale që kanë përfshirë 422 persona të moshës madhore ku ky numër i lëndëve është shumë më i madh se sa në vitin 2009”. Sipas tij, lëndëve që kanë të bëjnë me korrupsionin dhe krimin e organizuar i është dhënë prioritet nga ana e prokurorisë së qarkut në Gjilan, ku “për vitin 2010 janë proceduar 8 raste, prej të cilave 6 janë zgjidhur dhe 2 janë nën hetime ndërsa për gjashtë mujorin e parë të vitit 2011 janë 10 rast, ku 7 nga to janë zgjidhur dhe 3 janë nën hetime”. Z. Maloku potencoi me qëllim ngritjen e transparencës së prokurorisë janë ndërmarrë shumë hapa që ky institucion të jetë i hapur për publikun si njëri nga elementet kryesore të kthimit të besimit të qytetarëve në këtë institucion.

Znj. Rabije Jakupi, Kryeprokurore e Prokurorisë Komunale në Gjilan, pasi bëri një prezantim të shkurtër të raportit të punës së kësaj prokurorie për vitin 2010, tha se “Prokuroria Komunale e Gjilanit është njëra nga prokuroritë më të suksesshme në Kosovë për sa i përket procedimit të lëndëve në gjykata dhe zgjidhjes së tyre”.

Në debatin e zhvilluar në Ferizaj, i pranishëm ishte edhe Kryeprokurori i Prokurorisë së Qarkut të Prishtinës, z. Aleksandër Lumezi, i cili tha se kjo prokurori është më e ngarkuara sa i përket lëndëve që kanë të bëjnë me korrupsion dhe krim të organizuar. Në këtë kontekst kjo prokurori “ka ngritur 12 aktakuza që kanë të bëjnë me korrupsion”.

Ndërsa z. Shukri Jashari, Kryeprokuror i Prokurorisë Komunale në Ferizaj, tha “se në këtë prokurori janë të angazhuar 4 prokurorë dhe se nga deri në qershor te vitit 2011 janë 1343 lëndë me persona të moshës madhore dhe 122 lëndë me persona të mitur”. Ai shtoi se kjo prokurori zbaton planin që çdo ditë të pranojë qytetarë në zyret e kësaj prokurorie me qëllim ngritjen e nivelit të transparencës së institucionit të prokurorisë.

Pas kësaj diskutimi u hap për pjesëmarrësit dhe kishte pyetje-përgjigje, në mes të pjesëmarrësve dhe panelisteve të ftuar në këtë debat.