Author: admin
Monitoruesi i Korrupsionit – Shtator-Tetor 2011
Raport mbi Monitorimin e Aktiviteteve Institucionale në Luftë Kundër Korrupsionit Shtator-Tetor 2011
FOL Hapur: Institucionet e Pakoordinuara Kundër Korrupsionit
Prishtinë, 25 nëntor 2011
Lëvizja FOL ka mbajtur sot debatin e radhës të forumit “FOL Hapur”, në të cilin është diskutuar për përgjegjësitë e institucioneve publike në luftën kundër korrupsionit.
Panelistë në këtë debat ishin Koordinatorja e Luftës Kundër Korrupsion në Prokurorinë e Shtetit, Znj. Drita Hajdari, Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsion, Z. Hasan Preteni, si dhe Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Z. Enver Peci
Koordinatorja e Luftës Kundër Korrupsion në Prokurorinë e Shtetit, znj.Drita Hajdari, tha “ne si prokurori e kemi formuar një grup të specializuar të prokurorëve për këtë fushë, respektivisht për fushën kundër korrupsion. Poashtu, ky institucion ka përgatitur strategjinë për luftën kundër korrupsion. Grupi i prokurorëve antikorrupsion takohet 1 herë në muaj dhe në takimet e këtij grupi flitet për çështjet më të rënda korruptive. Znj. Hajdari shtoi se “objektiv i prokurorisë së Kosovës është ngritja e transparencës përmes prokurorëve. Prokuroria është duke kryer punë të mirë kohëve të fundit, vetëm gjatë muajve janar-shtator 2011 janë ngritur 116 akte akuzuese. Më tej znj.Drita Hajdari theksoi se kallëzimet penale të cilat vijnë nga AKK nuk janë bazë e mjaftueshme për të ngritur aktakuza”.
…Objektiv i prokurorisë së Kosovës është ngritja e transparencës përmes prokurorëve…
Drejtor i Agjencisë Kundër Korrupsion, Z.Hasan Preteni tha se “Kosova i ka të gjitha institucionet për të luftuar korrupsionin, por qytetarët e saj nuk iu besojnë këtyre institucioneve. Sipas tij, “luftës kundër korrupsion po i mungojnë shifrat. Më tutje ai shtoi se “gjatë vitit 2010 kemi bërë 200 kallëzime penale por vetëm 6 aktgjykime janë shqiptuar për luftën kundër korrupsion”. Ai më tej shtoi se “AKK nuk është institucion që pretendon ti ndjekë, hetojë rastet, por ai nuk është as institucion i cili iu jep vetëm informata për raste korruptive prokurorisë. Z.Preteni pohoi se AKK nuk është i kënaqur me bashkëpunimin e AKK me institucionet tjera siç janë prokuroria dhe gjykatat.
Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Z.Enver Peci tha se “sistemi gjyqësor është duke kaluar nëpër fazën e reformimit, neve na duhen gjykatës të cilët do të specializohen në fushën kundër korrupsion, sepse lëndëve të kësaj fushe duhet t”u jepet më shumë përparësi, e sidomos rasteve politike, të cilat e dëmtojnë buxhetin tonë në masë të madhe. Ai më tej shtoi se “gjyqtarët e Kosovës, të cilët e pranojnë këtë punë duhet të guxojnë të merren më afera korruptive të nivelit të lartë, e këto raste t”i mos i besohen vetëm EULEX-it. Tani pagat e gjyqtarëve janë relativisht të mira, e krejt çka duhet është guximi i një gjyqtari të punojë në luftën kundër korrupsion”, përfundoi ai.
Matësi i së vërtetës: Deklaratat e pamatura të politikanëve
Deklarata: “Askush nuk më ka urdhëruar të tërhiqem. Ky qëndrim imi vlen vetëm deri më 1 nëntor, deri në kohën kur presim që grupet punuese të definojnë marrëveshjet e arritura”
Autori: Brajm Rexhepi ” Ministër i Brendshëm
Data: 13 korrik 2011
Vlerësimi: E PAVËRTETË
Arsyetimi: Jo vetëm në veri, por në të gjithë territorin e Kosovës qytetarët serbë vazhdojnë ta sfidojnë shtetin e Kosovës. Vetëm pak kilometra nga Prishtina qarkullojnë lirshëm veturat me tabela me iniciale të qyteteve të Kosovës e të lëshuara në Serbi. Ministri i Brendshëm, Bajram Rexhepi, i cili kishte paralajmëruar konfiskimin e këtyre targave pas 1 nëntorit, e ka bërë edhe një tolerim për serbët, duke u dhënë edhe një afat së paku deri më 31 dhjetor. Shtyrje nga njëri afat në tjetrin në pamundësi për t”i përmbushur premtimet.
“”
Deklarata: “”Me ketë do të marre fund edhe vendimi i 20 korrikut për ndalimin e importeve nga Serbia. Njohja e vulave doganore është fillim i njohjes së Kosovës nga Serbia. Me 16 shtator në vendkalimet kufitare me Serbinë në veri do të filloje funksionimi i doganave të Kosovës”.
Autori: Hashim Thaçi ” Kryeministër
Data: 7 Shtator 2011
Vlerësimi: E PAVËRTETË
Arsyetimi: Doganat e Kosovës në kufijtë me Serbinë janë të padobishme dhe nuk funksionojë, ashtu siç paralajmëroi kryeministri Thaçi. Edhe pse nuk shihet publikisht, aty mund të shkojnë çdo ditë doganierë kosovarë që nuk kanë asnjë punë për të bërë, pasi që dy muaj nga ky premtim kufijtë me Serbinë vazhdojnë të mbesin të mbyllur në veri. Vetëm ën pikat e tjera doganore tregtia zhvillohet, edhe pse në disproporcion të madh dhe në dobi të Serisë.
“”
Deklarata: “Pas aksionit të 25 korrikut, Kosova ka marrë nën kontroll edhe 30 % të territorit që praktikisht nuk e kishim më parë”
Autori: Adem Grabovci- Shef i Grupit Parlamentar të PDK-së
Data: 25 korrik 2011
Vlerësimi: E PAVËRTETË
Arsyetimi: Prishtina vazhdon të mos ketë kontroll efektiv në veri, dhe aq më pak të krejt territorit që përfshin 30 % e veriut të Mitrovicës, si dhe Zubin Potokun, Leposaviqin e Zvecanin. Deklarata e shefit të grupit parlamentar të PDK-së, Grabovci është krejtësisht e pavërtetë sepse nuk ka asnjë prani të institucioneve të Republikës së Kosovës në komunat që kontrollohen nga strukturat paralele ilegale serbe. Kjo është një tjetër deklaratë e pavërtetë në tentim për të mashtruar qytetarët e Kosovës.
“”
Deklarata: “Marrëveshjet fillojnë të zbatohen nga 1 nëntori i këtij viti. Nga kjo datë do të zbatohet ligji në gjithë territorin e Kosovës dhe do të eliminohen strukturat paralele, kurse qytetarët do të lëvizin lirshëm. Marërveshja për njohjen e vulave doganore ka një rëndësi shumë të madhe si në planin politik, ekonomik dhe në planin e bashkëpunimit rajonal. Me këtë marrëveshje praktikisht ka ndodhur njohja reciproke në mes të Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë në fushën e doganave”
Autori: Edita Tahiri
Data: 3 korrik 2011
Vlerësimi: E PAVËRTETË
Arsyetimi: Strukturat paralele në Kosovë janë më të fuqishme se ndonjëherë, dhe po bëjnë të fortin e po kontrollojnë veriun e vendit. Premtimi në korrik i zv/kryeministres Tahiri dukej më shumë dëshirë sesa mundësi reale, siç po e vërteton gjendja në terren. Lëvizje të lirë nuk ka një pjesë të mirë të territori, dhe gjendja jo që është përmirësuar, por është vështirësuar prej kohës së premtimit të zv/kryeministres Tahiri. Nga njohja e vulave doganore pa logo të Republikës së Kosovës, më së shumti ka përfituar Serbia.
“”
Deklarata: “Nëse kjo parti e merr qeverisjen pas zgjedhjeve të 12 dhjetorit, Kosova në shtator të vitit të ardhshëm do të jetë anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara OKB””.
Autori: Behgjet Pacolli
Data: 25 Nëntor 2010
Vlerësimi: E PAVËRTETË
Arsyetimi: Ky ka qenë premtimi më skandaloz parazgjedhor. Pacolli premtonte për 1 vit anëtarësim të Kosovës në OKB-së me partinë e tij në pushtet. AKR hyri në qeveri si partneri i vogël i koalicionit, kurse Pacolli një kohë ishte President e më shumë zv/kryeministër, e megjithatë Kosovës i mungojnë edhe mbi 20 njohje vetëm për të provuar anëtarësimin në organizatën botërore. Konkurrenca e brendshme për njohjet shpesh ka rezultuar kundër-produktive.
32 institucione publike, vetëm njëra transparente
Prishtinë, 18 nëntor 2011– Lëvizja FOL për të dytin vit me radhe ka bërë një studim politikash publike. Ashtu sikurse studimi i vitit 2010, edhe ky studim vlerëson transparencën e institucioneve dhe ndërmarrjeve publike që operojnë në Kosovë. Këtë vit Lëvizja FOL është fokusuar kryesisht në përparimet e bëra që nga studimi i vitit të kaluar në funksionimin e strukturave të brendshme të institucioneve dhe ndërmarrjeve publike që janë përgjegjëse për çështjet e komunikimit dhe informimit publik, natyrisht duke vlerësuar të njëjtat çështje si në raporti i kaluar.
Pra, edhe ky studim fokusohet në atë se deri në çfarë niveli institucionet dhe ndërmarrjet publike kanë zhvilluar kapacitetet e strukturave të tyre formale për të siguruar zbatimin e plotë dhe efektiv të dispozitave kushtetuese dhe ligjore që garantojnë të drejtën e qytetarëve për qasje në dokumentet publike, pra komunikimit dhe informimit publik, me qëllim të forcimit të transparencës dhe llogaridhënies ndaj publikut.
Gjatë konferencës së sotme për media u publikua analiza “Indeksi i Transparencës së Institucioneve dhe
Ndërmarrjeve Publike në Kosovë II” për vitin 2011. Analiza fokusohet në zbatimin e Ligjit për Qasjen në Dokumente Publike, nga ana e Zyrave të Komunikimit me publikun në Institucione përkatëse.
Drejtori i Lëvizjes FOL, Petrit Zogaj, tha se “pyetësori i është dërguar 32 Institucioneve Publike, nga të cilat 16 kanë kthyer përgjigje, ku vetëm 1 është ranguar si institucion i hapur. Doganat e Kosovës, përkatësisht Zyra për komunikim me Publikun, sipas studimit tonë vlerësohet të jetë zyra më transparente dhe e hapur në raport me: institucionet, mediat, shoqërinë civile dhe qytetarët e Kosovës. Prej 100 pikë sa është vlerësimi në total, 93 pikë i ka marrë kjo zyrë. Ndërkaq, Ministria e Komuniteteve dhe Kthimit sipas vlerësimit tonë ka marr vetëm 24 pikë nga 100, të cilat pikë e rangojnë si Institucioni më i mbyllur”.
Ju lutem gjeni në mënyrë tabelare rangimin e Institucioneve
Indeksi i Transparencës së Institucioneve dhe Ndërmarrjeve Publike (rangimi për 2010 dhe 2011 ” pasqyrë krahasuese):
NR. INSTITUCIONI/NDËRMARRJA PUBLIKE INDEKSI TRENDI
2010 2011
1. Dogana e Kosovës (DK) 90 93
2. Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) 47 55
3. Agjencia për Privatizim e Kosovës (APK) N/A 55 N/A
4. Ministria e Shëndetësisë (MSH) N/A 55 N/A
5. Kuvendi i Republikës së Kosovës (KRK) 53 50.5
6. Agjencia kosovare Kundër Korrupsionit (AKK) 69 48
7. Ministria e Integrimit Evropian (MIE) N/A 48 N/A
8. Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) N/A 45.5 N/A
9. Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ) 62 45
10. Zyra e Kryeministrit (ZKM) 41.5 42.5
11. Posta dhe Telekomunikacioni i Kosovës (PTK) 43 42.5
12. Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP) N/A 39 N/A
13. Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) N/A 39 N/A
14. Ministria e Drejtësisë (MD) N/A 29.5 N/A
15. Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZHE) N/A 24.5 N/A
16. Ministria e Komuniteteve dhe Kthimit (MKK) N/A 24 N/A
Përurimi i pjesshëm i projektit jo-transparent
Prishtinë, 12 nëntor – Sot, qytetarët e Kosovës do të vërshohen me lajmet e përurimit të segmentit të parë të autostradës Vermicë-Merdare. Sigurisht, protagonist kryesor i kësaj ceremonie do të jetë kryeministri Thaçi, i cili do të mbajë fjalime të gjata mbi projektin madhor që kjo Qeveri ka investuar dhe se si ky projekt ka punësuar mijëra të papunë dhe i ka dhënë hov zhvillimit ekonomik të vendit.
Kjo, natyrisht do të jetë në vazhdën e deklarimeve të njëpasnjëshme të retorikës së qeverisë Thaçi 1, e që ka vazhduar edhe me Thaçi 2, se si ky projekt është kombëtar, se kritikët e këtij projekti janë kundër rrugës së kombit, të cilët nuk e donin zhvillimin e Kosovës, të cilët nuk dëshirojnë krijimin e vendeve të reja të punës dhe akuzash të tilla, duke tentuar që ta anashkalojë tërësisht çështjen e transparencës së këtij projekti.
Mirëpo, që nga fillimi, ky projekt ka qenë tërësisht i mbyllur për taksapaguesit e vendit, shoqërinë civile dhe mediat. Megjithëse, investimi në këtë projekt do të vazhdojë të marrë më shumë se gjysmën e investimeve kapitale edhe për dy vitet e ardhshme, asnjëherë nuk është bërë publike kontrata e ndërtimit të saj, duke përfshirë burimet e financimit, koston përfundimtare, kohëzgjatjen dhe procesin e mbikëqyrjes së punimeve, përcaktimin e trasesë si dhe procesin e çështjes së shpronësimit.
Lëvizja FOL përkrah investimet kapitale në infrastrukturë, mirëpo është kundër investimeve që mbahen të mbyllura, jo-transparente dhe jo-llogaridhënëse për qytetarët dhe institucionet e Kosovës.
Prokurimi publike: Për tre muaj, 28 shkelje te evidentuara
Prishtinë, 11 nëntor 2011. Lëvizja FOL, ka organizuar konferencë për shtyp me rastin e publikimit të raportit “Monitoruesi i Prokurimit”, për periudhën korrik-shtator 2011. Ky publikim është bërë në kuadër të shumë aktiviteteve që Lëvizja FOL ka zhvilluar në fushën e prokurimit publik që nga marsi i këtij viti. Të gjeturat e këtij raporti bazohen në monitorimin që Lëvizja FOL ka bërë në institucionet e sistemit të prokurimit në Kosovë, përkatësisht të dhënat nxjerra nga monitorimi direkt që FOL ka bërë në autoritetet kontraktuese, hulumtime, vendimet të OSHP-së dhe mediat.
Menaxheri i programeve në Lëvizjen FOL, Fidan Kalaja, gjatë kësaj konference deklaroi se “përgjatë kësaj periudhe raportuese kanë ndodhur disa zhvillime në fushën e prokurimit. Në gusht të këtij viti, Qeveria e Kosovës ka miratuar ligjin e ri të prokurimit publik, i cili është aprovuar nga Kuvendi dhe ka hyrë në fuqi me dekretimin nga Presidenca e Republikës së Kosovës”. Sipas tij, është zhgënjyese se “ky ligj nuk përmban ndonjë ndryshim pozitiv sa i përket ngritjes së transparencës dhe llogaridhënies së procedurave të prokurimit”. Ai potencoi se “të gjeturat e para të analizës që Lëvizja FOL është dukë bërë për këtë ligj, tregojnë se ligji i ri për prokurim publik nuk ka reduktuar burokracinë, duke mos iu përgjigjur nenit 120 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, duke mos siguruar transparencë, llogaridhënie dhe efektivitet në shpenzimin e parasë publike”.
Gjatë kësaj periudhe Ministria e Brendshme është bastisur dhe ka pasur arrestime lidhur me hetimet për korrupsion dhe keqpërdorime në prokurimin e kësaj ministrie. Mirëpo Fidan Kalaja tha se “hetimet për keqpërdorime në prokurimin publik duhet të intensifikohen dhe të prodhojnë rezultate konkrete duke pasur parasysh nivelin e lartë të korrupsioni në këtë sektor”. Në këtë kontekst, “është alarmante gjendja e prokurimit në Ministrinë e Shëndetësisë, ku shqetësimet e ngritura nga Lëvizja FOL për keqpërdorimet në këtë ministri janë injoruar nga institucionet duke lejuar vazhdimin e avazit të keqpërdorimeve dhe korrupsionit me tenderët e kësaj ministrie” përfundoi ai.
Koordinatori i projektit, Armend Pajaziti, prezantoi të gjeturat e këtij raporti. Ai tha se gjatë kësaj periudhe raportues korrik-shtator “Qeveria e Kosovës ka bërë shkelje ligjore në 12 tenderë të ndryshëm”. Gjithashtu, Organi Shqyrtues i Prokurimit”OSHP ka gjobitur Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ndërsa ka kërcënuar me gjobë Ministrinë e Shëndetësisë për shkak të mos respektimit të vendimeve të OSHP-së nga ana e tyre. Sipas tij, “trendi i keqpërdorimeve dhe shkeljeve ligjore ka vazhduar edhe në ndërmarrjet publike PTK dhe KEK, gjë që tregon se këto ndërmarrje nuk kanë treguar vullnet që të parandalojnë keqpërdorimet dhe shkeljet që janë duke ndodhur në prokurimin e këtyre ndërmarrjeve”. “Është për t”u shqetësuar fakti që gjatë kësaj periudhe komunat kanë bërë shkelje ligjore në 14 tenderë të ndryshëm, gjë që përbën numër më të madh të shkeljeve në krahasim me shkeljet që komunat kanë bërë në periudhën paraprake,” shtoi Armend Pajaziti.
Gjatë kësaj konference, Lëvizja FOL ofroi rekomandime të cilat do të rrisnin nivelin e transparencës së këtyre procedurave dhe do të parandalonin keqpërdorimet dhe korrupsionin që është duke ndodhur në prokurimin publik në Kosovë.
Indeksi i Transparencës së Institucioneve dhe Ndërmarrjeve Publike në Kosovë II
Hulumtim politikash: Vlerësimi i transparencës së institucioneve dhe ndërmarrjeve publike në Kosovë për vitin 2011. Ky studim politikash publike është i d…
Indeksi i Transparencës së Institucioneve dhe Ndërmarrjeve Publike në Kosovë II
Monitoruesi i Prokurimit III
Raport mbi Parregullsitë Ligjore të Ministrive, Komunave dhe Ndërmarrjeve publike (PTK & KEK) Korrik-Shtator 2011
Deklarimi i Pasurisë 2010-2011
Analizë e shkurtër krahasuese për deklarimin e pasurisë së udhëheqësve të institucioneve kryesore publike në vitin 2010 dhe 2011
Dy huqjet e Agjencisë (Kundër) Korrupsionit
Prishtinë, 30 tetor 2011. Para dy dite, Lëvizja FOL ka publikuar raportin e saj krahasues mbi deklarimin e pasurisë së zyrtarëve të lartë publikë për vitet 2010-2011. Mirëpo, pas publikimit të këtij raporti, Agjencia (Kundër) Korrupsion, përmes një komunikate të saj për media, ka reaguar për, siç thuhej, disa “gabime logjike dhe matematikore që ky raport përmban”.
Në këtë kuptim, Lëvizja FOL dëshiron të sqarojë opinionin publik se të dyja çështjet që kjo Agjenci i ka adresuar janë të pavërteta dhe të paqëndrueshme:
1. Në lidhje më deklarimin e pasurisë së shefit të Agjencisë, z. Hasan Pretenit. Bazuar në ligjin për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë së Zyrtarëve të Lartë Publik, gjegjësisht sipas nenit 3, pika 1.1.9, udhëheqësit e agjencive duhet të deklarojnë pasurinë e tyre në Agjencinë (Kundër) Korrupsionit. Pra, ky nen dhe kjo pikë përfshin edhe z. Preteni që të bëjë deklarimin e pasurisë së tij në këtë institucion. Në ndërkohë, reagimi i Agjencisë thotë se z. Preteni e ka bërë deklarimin e tij në Komisionin Parlamentar për Mbikëqyrje të këtij institucioni. Nëse do të ishte kështu, atëherë si ndodhi që z. Preteni deklarimin në 2011 të bëjë në bazë të këtij ligji që ka hyrë në fuqi në shkurt të 2010″ Andaj, kjo është anti-ligjore, sepse në momentin që ka hyrë në fuqi ky ligji për DKPZLP, e ka abroguar dispozitën ligjore të ligjit paraprak për çështjen e deklarimit të zyrtarëve të këtij institucioni. Me këtë rast, z. Preteni i ka shkelur dispozitat e këtij ligji, dhe për këtë do të duhej të jepte përgjegjësi publike.
2. Çështja e dytë që Agjencioni vë në dyshim raportin e Lëvizjes FOL është edhe deklarimi i pasurisë së Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, z. Jakup Krasniqi. Sipas formularëve që Agjencia i ka publikuar në ueb-faqen zyrtare të saj, shihet qartazi që z. Krasniqi e ka publikuar të njëjtën pasuri, por me vlera të ndryshme për vitet 2010 dhe 2011. (shih të bashkangjitur formularët që janë nxjerrë nga ueb-faqja e saj). Prandaj, një reagim i tillë, jo vetëm që nuk është në funksion të këtij misioni, por, përkundrazi, i kontribuon edhe më shumë rritjes së korrupsionit dhe shtrirjes së gjerë të tij në institucionet publike.
Ne i bëjmë thirrje Agjencisë (Kundër) Korrupsion, që në vend se të merret me mbrojtjen e zyrtarëve të përfshirë në afera të ndryshme korruptive, të verifikojë prejardhjen e pasurisë së këtyre zyrtarëve, të cilët po e dëmtojnë interesin e përgjithshëm të qytetarëve të republikës tonë.
Ju lutem, gjeni të bashkangjitur ligjin: DKPZLP, si dhe formularët të deklarimit të pasurisë së z. Jakup Krasniqi, Kryetar i Kuvendit të Kosovës:
http://www.assembly-kosova.org/common/docs/ligjet/2010-151-alb.pdf
http://www.akkks.org/2010/Kuvendi_i_Republikes_se_%20Kosoves/Deputetet_e_Kuvendit/2010_Jakup%20Krasniqi%20-%20Kryetar%20i%20Kuvendit.pdf
http://www.akk-ks.org/2011/Kuvendi_i_Republikes_se_Kosoves/Jakup_Krasniqi.pdf
Zyrtarët e lartë nuk dëshirojnë të paraqiten si MILIONERË
Prishtinë, 27 tetor 2011. Lëvizja FOL në kuadër të projektit “Luftimi i konfliktit të interesit”, është përqendruar në fushën e deklarimit të pasurisë së zyrtarëve të lartë publikë, fushë kjo shume e ndjeshme për këta zyrtarë, të cilët në shumicën e rasteve ngurrojnë që të jenë transparentë në deklarimin e pasurisë së tyre. Si rezultat i punës së Lëvizjes FOL, sot është publikuar raporti “Deklarimi i pasurisë udhëheqësve të institucioneve kryesore publike për vitin 2010 dhe 2011”.
Në deklarimin e pasurisë së vitit 2011, është vërejtur qartë tendenca e zyrtarëve të lartë publikë që ta paraqesin si vit “shterpë” sa i përket pasurisë që posedojnë duke deklaruar rënie në pasurinë e tyre. Në këtë kontekst, drejtori i Lëvizjes FOL, Petrit Zogaj, përmendi rastin e Ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, i cili në deklarimin e pasurisë për vitin 2011 del me rreth 1.4 milionë euro më i varfër se në vitin paraprak, e që sipas analizës së Lëvizjes FOL kjo “varfëri” vjen si rezultat i mosdeklarimit të drejtë të vlerave për pasuritë e njëjta të deklaruara për këto dy vite”. Gjithashtu, pasuria e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, për vitin 2011 del se ka rënie për rreth 533 mijë euro, ku kjo rënie ka ardhur si rezultat i mos përputhjes së vlerave për pasuritë e njëjta të deklaruara. Krahasimi i pasurisë mes vitit 2010 dhe 2011 u bë edhe për kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, i cili për këtë vit pasurinë e tij e ka deklaruar për rreth 100 mijë euro më pak në krahasim me vitin 2010. Për këtë rënie, Kryeministri Thaçi nuk ka dhënë sqarime për 100 mijë eurot e tij që nuk figurojnë te kategoria e kursimeve.
Për dallim nga këta zyrtarë, ky vit ka qenë më me fat për Ministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Ra”ic, pasuria e të cilit është ngritur për rreth 200 mijë euro në krahasim me vitin 2010. Rast i ngjashëm, por me një rritje drastike të pasurisë, e ka paraqitur Komandanti i Përgjithshëm i FSK-së, Sylejman Selimi, diferenca e pasurisë së të cilit është ngritur për rreth 100 mijë euro vetëm në vitin e fundit.
Rast të veçantë përbën zëvendës kryeministri i parë, Behxhet Pacolli, i cili në vitin 2010, në mënyrë të paligjshme kishte kërkuar të mos i publikohej pasuria e tij.
Gjatë konferencës së sotme për shtyp, ku u publikua raporti “Deklarimi i pasurisë së udhëheqësve të institucioneve kryesore publike në vitin 2010 dhe 2011”, drejtori i Lëvizjes FOL, Petrit Zogaj, tha se “është kërkuar nga Agjencia Kundër Korrupsion, që deklaratat e pasurive të zyrtarëve të lartë publikë të verifikohen për saktësinë e tyre dhe rezultatet e verifikimeve të tilla të bëhen publike për qytetarët e Kosovës”. Ai më tutje shtoi se Lëvizja FOL do t”i dërgojë kërkesë edhe Prokurorisë së Kosovës, në mënyrë që të fillojnë hetimet rreth pasurisë së zyrtarëve të lartë.
Mbahet turneu i debatit “Mitrovica Open 2011”
Mitrovicë, 8″9 tetor 2011 – Lëvizja FOL së bashku me organizatën CBM nga Mitrovica dhe në bashkëpunim me organizatat: Iniciativa për Progres (INPO)-Ferizaj, Qendra Rinore-Malishevë dhe Qendra Rinore-Suharekë, kanë mbajtur me 8-9 tetor 2011, Turneun Kombëtar të debatit në formatin “Karl Popper” – “Mitrovica Open 2011” në temën “Debat mbi të miturit”. Formati i debatit “Karl Popper”, synon të prekë dhe trajtojë elementët thelbësorë të një çështjeje kontradiktore. Ai thekson mbi të gjitha zhvillimin e të menduarit kritik, tolerancës dhe vlerësimit të pikëpamjeve të ndryshme. Ky format është i zhvilluar në shkolla të mesme.
Lëvizja FOL me mbështetjen e Fondacionit SOROS/KFOS që nga janarit i vitit 2010 kanë punuar me organizatat partnere INPO, SiV dhe YIHR për të krijuar klubet e debatit të qytetit si dhe për të trajnuar anëtarët e klubit në formatin e debatit Karl Popper. Ndërkaq që nga janari i këtij viti ky program është zgjeruar edhe në tri komuna të reja, në Mitrovicë, Malishevë dhe Suharekë.
Aktualisht në Kosovë kemi 6 klube të debatit në 6 komunat përkatëse, ku numri i debaterëve që vijnë nga shkollat e mesme të qytetit po rritet vazhdimisht. Ndërkaq, në klubin e debatit të qytetit të Ferizajt tashmë janë formuar edhe ekipe me debaterët të komunitetit RAE.
Gjatë ditës së shtunë me 08 tetor, për gjatë tre raundeve të debatit janë ballafaquar 16 skuadra nga 4 komuna të Kosovës: Ferizaj, Mitrovicë, Malishevë dhe Suharekë. Ndërkaq, çerekfinale, gjysmëfinalja dhe finalja e debatit janë mbajt të dielën. Në gjysmëfinale kanë arritur katër ekipe të cilat kanë grumbulluar më shumë pikë në bazë të numrit fitoreve dhe pikëve që kanë grumbulluar folësit e ekipeve. Gjysmëfinalistë të këtij debati ishin: Amazonat nga Ferizaj, Epigonet nga Malisheva, The MM Group dhe Wei8 nga Mitrovica. Në finale arritën klubi Epigonët nga Malisheva dhe Amazonat nga Ferizaj.
Gjyqtarë të këtij turneu ishin ish-debaterë të cilët më parë kanë marrë pjesë në debate të formatit “Karl Popper”. Ekipi i gjyqtarëve të cilët e gjykuan finalen e këtij turneu, shpallën fitues të këtij turneu skuadrën Epigonët nga Malisheva.
Katër rezolutat për të u cilat debatua në këtë turne ishin tema rreth të miturve, ku dy nga këto rezoluta ishin me kohë të limituar përgatitjeje ndërkaq për dy rezolutat tjera debaterët kanë pasur mundësi të përgatiten më herët.
Rezoluta e parë ishte: “Në disa raste të miturit duhet të gjykohen si të rritur”;
Rezoluta e dytë ishte: “Femrat nën 18 duhet të kenë leje të prindit për të abortuar”;
Rezoluta e tretë ishte: “Edukata fetare duhet të jetë lëndë shkollore”;
Rezoluta e katërt ishte “Nëse gjykohet një i mitur duhet të ketë një të mitur tjetër në juri”.
Turneu gjatë dy ditëve është mbajtur në gjimnazin “Frank Bradhi”, ndërsa finalja është mbajtur në Qendrën e Kulturës në Mitrovicë.
Ky është turneu i tretë që organizohet në njërën nga komunat përkatëse përderisa janë organizuar edhe dy turne tjera në komunat Ferizaj dhe Pejë gjithashtu janë organizuar edhe dy turne kombëtare.
Programi i debatit mbështet nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri të Hapur.
Prokurimi në Ministrinë e Shëndetësisë, JO i shëndoshë
Prishtinë, 02 tetor 2011 – Lëvizja FOL, ka mbajtur konferencë për shtyp, me rastin e tërheqjes nga Memorandumi i Mirëkuptimit për monitorimin e procedurave të prokurimit në Ministrinë e Shëndetësisë, i nënshkruar në mes të Lëvizjes FOL dhe ministrit të Ministrisë së Shëndetësisë me 10 qershor 2011 dhe publikimin e raportit mbi keqpërdorimet në prokurimin e kësaj ministrie. Arsyeja e tërheqjes së Lëvizjes FOL nga ky memorandum është mos zbatimi nga ana e kësaj ministrie përkatësisht nga zyra e prokurimit.
Menaxheri i programeve, Fidan Kalaja tha se “edhe pse Lëvizja FOL është përpjekur në vazhdimësi përmes komunikimit të vazhdueshëm, duke u takuar dy herë me ministrin z. Agani dhe duke e njoftuar atë për këtë gjendje nuk ka arritur të ketë sukses që ky memorandum të zbatohet. Për me keq ministri nuk është përgjigjur rreth raportit me shqetësimet, dyshimet dhe faktet që Lëvizja FOL ka adresuar në lidhje me keqpërdorimet që kanë dhe janë duke ndodhur me tenderë të kësaj ministrie”.
Sipas z. Kalaja, “”zaptimi” dhe “pronësia” mbi Ministrinë e Shëndetësisë nga sekretari i përgjithshëm z. Ilir Tolaj, përmes shefit të prokurimit z. Zenel Kuçi, ka bërë që ky memorandum të mos zbatohet duke e mbyllur dhe izoluar, thelluar mos-transparencën e procedurave të prokurimit më qëllim lejimin e vazhdimit të keqpërdorimeve kronike të parasë publike të qytetarëve të Kosovës, madje duke rrezikuar edhe shëndetin e tyre përmes produkteve jo-cilësore dhe pa afat”.
z. Kalaja përfundojë se “përpjekjes që këtë memorandum ta shfrytëzojnë në opinion publik se kinse Ministria e Shëndetësisë zhvillon procedura të prokurimit në mënyrë transparente dhe llogaridhënëse para qytetarëve, medieve dhe shoqërisë civile, sot Lëvizja FOL i jep fund duke siguruar dhe garantuar se ajo në vazhdimësi e ka monitoruar këtë institucion duke përgatitur dhe realizuar hulumtim investigativ për parregullsitë dhe keqpërdorimet që kanë ndodhur gjatë dhënies së tenderëve dhe realizimit të kontratave publike në këtë ministri.
Menaxheri i projektit, Armend Pajaziti, paraqiti shkurtimisht vargun e keqpërdorimeve të ndodhura në këtë ministri gjatë vitit 2011. Ai tha se “menaxhimi i depos së barnave bëhet nga kompania “Rimed”, e cila gjithashtu merr pjesë edhe në tenderë të tjerë, që paraqet konflikt të pastër interesi. Në bazë të informatave thuhet se barnat nuk menaxhohen mirë nga kjo kompani dhe se dyshohet se së bashku me zyrtarë të MSH-së dhe institucioneve tjera, bëjnë falsifikimin e dokumenteve për pranimin/dorëzimin e barnave, qoftë kur hyjnë në depo, apo edhe kur dalin nga depoja”. Më tutje ai shtoj se, “MSH ka shpërblyer me tenderë edhe zyrtarët të lartë të kësaj ministrie, siç është rasti me z. Hajrullah Fejza, i cili dyshohet se është i përfshirë në shumicën e keqpërdorimeve në tenderët e MSH-së dhe njihet si “pazargjiu i tenderëve””. Edhe pse Auditori i Përgjithshëm ka vërejtur se kompani të caktuara kanë furnizuar MSH-në me barna pa afat, kjo e fundit sipas Armend Pajazitit “ka vazhduar që ti shpërblejë të njëjtat kompani edhe këtë vit duke e dëmtuar edhe më tej buxhetin e Kosovës”.
Lëvizja FOL, do të vazhdojë monitorimin e procedurave të prokurimit të kësaj ministrie duke ndërmarrë dhe realizuar hulumtime të tilla, do të publikojë secilin keqpërdorim që do të haset dhe do të ndërmerren hapa tjerë që këto keqpërdorime të minimizohen.
Raport mbi të gjeturat faktike
Mos-implementimi i Memorandumit të Bashkëpunimit për Monitorim të Prokurimit në Ministrinë e Shëndetësisë.
Transparenca: realitet i panjohur për politikanët e Kosovës
Prishtinë, 28 Shtator 2011. Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të së Drejtës për të Ditur, Lëvizja FOL shprehë shqetësimin e saj për mungesën e transparencës së institucioneve në republikën tonë. Institucionet e Kosovës, marrë në tërësinë e tyre, ende fatkeqësisht vazhdojnë ta ushqejnë “logjikën” e vjetër të mbylljes për qytetar të Kosovës.
Lëvizja FOL, ka kërkuar në vazhdimësi që institucionet publike të jenë transparente për vendimet, aktivitetet dhe veprimet e tyre. Megjithatë, kërkesat tona në shumicën e rasteve janë injoruar, duke përfshirë edhe kërkesat tjera nga shoqëria civile dhe mediat. Shembujt të tillë kanë qenë kërkesat e vazhdueshme të shoqërisë civile për transparencë të bisedimeve Kosovë-Serbi, pastaj kërkesa për t”i bërë publike të gjitha shpenzimet e parasë publike, pastaj kërkesa drejtuar disa ministrive për t”i hapur zyret e prokurimit, etj. FOL konsideron se kjo mungesë e transparencës përbën ndër kërcënimet më serioze për proceset demokratizuese nëpër të cilat po kalon vendi ynë.
Madje, qeveria e Kosovës jo vetëm që nuk është treguar transparente në raport me qytetarët e Kosovës, por as me organin e vetëm demokratik në vend, Kuvendin e Kosovës. Në këtë kuptim, deputetët shpeshherë janë ankuar se për disa çështje nuk e kanë pasur as idenë më të vogël se çfarë është duke u bërë, siç është shembulli i kontratës së ndërtimit të autostradës dhe bisedimet Kosovë-Serbi, por jo vetëm.
Pikërisht për shkak të kësaj mungese të transparencës nga ana e institucioneve publike, FOL vitin e kaluar ka bërë dy padi në Gjykatën Komunale të Prishtinës për refuzimin e dy kërkesave tona nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Komunës së Prishtinës, përkatësisht bërjen e kontratës së ndërtimit të autostradës publike dhe qasjen në pasuritë e paluajtshme të disa liderëve shtetërorë. Edhe pas një viti, FOL nuk ka marrë asnjë informatë për statusin e këtyre lëndëve, gjë që tregon njëherazi influencën politike në gjyqësor.
Prandaj, FOL kërkon nga institucionet e republikës që të jenë transparente dhe llogaridhënëse ndaj qytetarëve të Kosovës, duke qenë se ky është kushti minimal i demokracisë.
Monitoruesi i Korrupsionit: Ligjet dhe vendimet anti-korrupsion, vetëm sa për sy e faqe
Prishtinë ” Lëvizja FOL sot ka mbajtur konferencën për shtyp, ku ka prezantuar raportin e saj dy mujor “Monitoruesi i Korrupsionit”, për periudhën korrik-gusht 2011. Sipas hulumtuesit të politikave, Armend Mazreku, “institucionet e Kosovës, marrë në tërësinë e tyre, nuk kanë shënuar progres në luftë kundër korrupsionit”. Më tutje, ai pohoi se “pavarësisht ndryshimeve të bëra në kuadër të legjislacionit anti-korrupsion, prapëseprapë ekzistojnë hapësira të mëdha juridike, të cilat do ta pamundësojnë edhe më tutje intensifikimin e aktiviteteve institucionale në luftë kundër korrupsion”.
Sipas këtij raporti rezulton se Qeveria e Kosovës gjatë dy muajve (korrik-gusht) ka miratuar gjithsej 88 (tetëdhjetetetë) vendime: 51 vendime në muajin korrik, ndërkaq 37 sosh në muajin gusht. Derisa në muajin korrik janë nxjerrë vetëm 3 vendime kundër korrupsionit, muaji gusht ka qenë edhe më keq: me vetëm 1 vendim. Në kuadër të këtyre vendimeve hyjnë miratimi i projekt-ligjit për Parandalim të Konfliktit të Interesit, ai për Deklarimin, Kontrollin dhe Prejardhjen e Pasurisë së Zyrtarëve të Lartë Publikë, ai për Mbrojtjen e Informatorëve, si dhe ai për Financimin e Subjekteve Politike;
Kuvendi i Kosovës gjatë dy muajve (korrik dhe gusht) ka mbajtur gjithsej 8 seanca plenare: 2 seanca të jashtëzakonshme dhe 6 sosh të rregullta. Prej tyre 7 janë mbajtur në muajin korrik dhe vetëm 1 në muajin gusht. Në seancat plenare të muajit korrik janë shqyrtuar projekt-ligjet për Mbrojtjen e Informatorëve; Prokurimin Publik; Deklarimin, Kontrollin dhe Prejardhjen e Pasurisë së Zyrtarëve të Lartë Publikë; Parandalimin e Konfliktit të Interesit si dhe ai për Financimin e Subjekteve Politike;
Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) është treguar shumë pak produktiv gjatë muajit korrik. Në kuadër të kategorisë “shpërdorim i detyrës zyrtare” 122 lëndë kanë qenë të pazgjidhura në fillim të periudhës raportuese, 1 lëndë është pranuar në punë, 1 lëndë kanë në proces të shqyrtimit, vetëm 2 lëndë janë zgjidhur, ndërkaq 121 lëndë kanë mbetur të pazgjidhura. Në kuadër të kategorisë “marrje e ryshfetit” kemi 20 lëndë të pazgjidhura në fillim të periudhës raportuese, asnjë lëndë të pranuar në punë, 30 lëndë në proces të shqyrtimit, asnjë lëndë të zgjidhur dhe 30 sosh të pazgjidhura në fund të periudhës raportuese. Ndërkaq në kuadër të kategorisë “dhënie e ryshfetit” kemi 14 lëndë të pazgjidhura në fillim të periudhës raportuese, 2 lëndë të pranuara në punë, 16 lëndë në proces të shqyrtimit, vetëm një lëndë të zgjidhur dhe 15 lëndë të tjera të pazgjidhura;
Sipas statistikave të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion (DHKEK) rezulton se në muajt korrik-gusht janë zhvilluar gjithsej 277 hetime: 151 raste në muajin korrik dhe 126 në muajin gusht. Prej këtyre hetimeve 11 zyrtarë kanë përfunduar të arrestuar: 3 në muajin korrik dhe 8 në muajin gusht. Gjithashtu, janë dërguar gjithsej 142 lëndë në Prokurori: 73 raste në muajin korrik dhe 69 raste të tjera në muajin gusht. Në kuadër të këtyre lëndëve 87 raste janë dërguar në prokurori me kryerës të njohur, 5 raste me kryerës N/N. Ndërkaq, në kuadër të rasteve të dërguara me raport të prokurorit janë gjithsej 50 raste: 21 raste të dërguara në muajin korrik dhe 29 raste në muajin gusht. Ndërkaq vlera e dëmeve të supozuara përllogaritet të jetë 1,226,300.00 “: 666,313.00 ” në muajin korrik dhe 559.987.00 ” në muajin gusht;
Doganat e Kosovës gjatë dy muajve kanë shqiptuar gjithsej 6 masa disiplinore. Në kuadër të tyre 6 kanë qenë në muajin korrik dhe asnjë lëndë e vetme në muajin gusht. Në kuadër të këtyre masave disiplinore 2 raste janë vërejtje me shkrim, 2 raste ndalim promovimi, 1 rekomandim për mos vazhdim të kontratës së punës, dhe 1 rast tjetër tjetër transfer në detyrë tjetër. Ndërkaq në kuadër të Sektorit për Standarde Profesionale janë paraqitur gjithsej 2 raste: 1 rast në muajin korrik për sjellje jo-profesionale dhe 1 rast tjetër në muajin qershor për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Publikimi i këtij raporti është përkrahur nga Ambasada Britaneze në Prishtinë.
Tenderi i GPS-ve: pranimi teknik premtohet për 10 ditë
Prishtinë 23 shtator 2011. Lëvizja FOL ka mbajtur sot debatin e radhës për prokurim, ku temë e debatit të sotëm ka qenë “Procesi i prokurimit në Ministrinë e Administratës Publike ” Tenderi: Sistemi i menaxhimit të shpenzimeve të automjeteve” apo i njohur si tenderi i GPS-ve. Ky tender kishte marrë vëmendjen e medieve dhe shume institucioneve, duke përfshirë edhe hetimet nga Agjencioni Kundër Korrupsion, përfaqësuesit e të cilit nuk ishin të pranishëm në debat.
Hulumtuesi i Politikave në Lëvizjen FOL, Armend Mazreku, pohoi se “qëllimi i këtij debati është të qartësojë lëmshin e krijuar me rastin e dhënies së tenderit të GPS-ve, në mënyrë që të fitohet një pasqyrë më objektive mbi qëndrimet e ndryshme që institucionet e përfshira kanë mbajtur në këtë proces prokurimi”.
Drejtori i departamentit të prokurimit në Ministrinë e Administratës Publike, Arton Berisha, tha “kjo ministri pasi ka bërë vlerësimin e ofertave për tenderin e GPS-ave, ka marr një ankesë nga Agjensioni Kundër Korrupsion, i cili është ankuar se kompania PBC Kosova i ka dokumentet e falsifikuara, dhe ne si drejtorat i prokurimit e kemi anuluar këtë tender, dhe më pas kemi marrë kritikë nga Ministria jonë për anulimin e këtij tenderi, pasi që vendimet e Agjensionit Kundër Korrupsion janë vetëm këshilluese dhe nuk duhet të merren si të prera. Më pas ne e kemi kthyer tenderin në rivlerësim dhe tenderi është fituar nga kompania PBC Kosova”.
Ndërsa eksperti i Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik, Besim Mulaj, i cili kishte hetuar lëndën në bazë të ankesës së kompanisë “Logistics Plus”, duke arsyetuar mendimin e tij dhe të panelit vlerësues të OSHP-së tregoi edhe komunikimin zyrtar që e kishte bërë me Kompanitë prodhuese për të verifikuar licencat që kishte kompania PBC. Më tutje ai ka pohuar se “Agjencioni Kundër Korrupsion i ka dërguar një letër ku akuzon kompaninë PBC Kosova se ka bërë falsifikim të dokumenteve dhe më vonë dërgon një shkresë zyrtare ku thekson se nuk bënë akuzë ndaj askujt, kjo është absurde për mendimin tonë”, u shprehë z.Mulaj.
Në anën tjetër, drejtori i kompanisë PBC Kosova, Gazmend Selmani, tha “në momentin kur janë hapur ofertat, dhe ne kemi qenë potencial për të fituar këtë tender, kompania konkurrente na ka kërkuar që ne të tërhiqemi nga ky tender. Nuk dua të supozoj se AKK është ndikuar nga ankuesi por ka një ndërlidhje të kësaj kompanie me shkresën e Agjensionit Kundër Korrupsion”. Z.Selmani në këtë debat prezantoi dokumente të ndryshme duke treguar se nuk ka asgje të falsifikuar në këtë tender. Më tutje, ai pohoi se pajisjen që e ka ofruar ka qenë më e avancuar se që është kërkuar në tender.
Një pretendim të tillë e ka konfirmuar edhe Zyrtari i Prokurimit i MAP, z. Berisha Tenderi i GPS-ve është dhënë në vitin 2010 dhe ende është në fazën e implementimit. Pjesa më e madhe e veturave zyrtare tashmë janë pajisur me GPS dhe është në përfundim e sipër qendra e kontrollit, e cila jep mundësi kontrolli vizual dhe në kohë reale për lokacionin e veturave zyrtare dhe sasinë e mbushjes me karburant. Z.Selmani nga PBC Kosova, i cili tha se brenda 10 dite mund të bëhet edhe pranimi teknik i përmbushjes së kontratës.
Mbahet mbledhja inauguruese e Bordit Këshillëdhënës të Lëvizjes FOL: Genc Salihu caktohet kryesues
Prishtinë, 07 shtator 2011. Është mbajtur mbledhja inauguruese e Bordit Këshillëdhënës të Lëvizjes FOL, me ç”rast u diskutua për gjendjen e përgjithshme të organizatës, duke përfshirë procesin e zgjedhjeve të zhvilluar në Lëvizjen FOL, raporti gjashtëmujor i punës dhe ai financiar për periudhën janar-qershor 2011, si dhe qëndrimet e organizatës karshi zhvillimeve të fundit politike në vend.
Drejtori Ekzekutiv i Lëvizjes FOL, Petrit Zogaj, falënderoj anëtarët e Bordit Këshillëdhënës për vullnetin dhe përkushtimin e tyre që ta ndihmojnë organizatën. Duke theksuar rëndësinë e Bordit në procesin vendimmarrës në organizate, z. Zogaj shprehu bindjen se bashkëpunimi me Bordin Këshillëdhënës do të sjellë suksese të reja për Lëvizjen FOL.
Anëtarët e Bordit Këshillëdhënës përshëndetën proceset e zhvilluara në Lëvizjen FOL dhe njëherësh ofruan përkrahjen dhe mbështetjen e tyre në zhvillimin dhe avancimin e organizatës në realizimin e misionit të saj. Gjithashtu gjatë kësaj mbledhje Kryesues i Bordit Këshillëdhënës u zgjodh z. Genc Salihu, i cili do të koordinojë aktivitetet e Bordit të Lëvizjes FOL. Mbledhja e ardhshme Bordit Këshillëdhënës do të mbahet më 8 dhjetor të këtij viti.
Matësi i së vërtetës ” Deklaratat e pamatura të politikanëve
Deklarata: “Kontrabanda në pikat 1 dhe 31 është ndaluar 100 për qind. Kemi filluar për herë të parë të vëmë rend dhe ligj edhe në pjesën më të largët të territorit të Republikës së Kosovës”
Autori: Hashim Thaçi ” Kryeministër
Data: Gusht 2011
Vlerësimi: E PAVËRTETË
Arsyetimi: Kryeministri i vendit ka thënë shumë herë pas aksionit të 25 korrikut, se me këtë aksion dhe vendosjen e KFOR-it ishte ndaluar 100 % kontrabanda në veri të vendit. Por, në mbledhjen e datës 7 shtator (e mërkurë), Thaçi e demantoi vetveten duke thënë se po punohet për ndaljen e kontrabandës në veri. Gjithashtu, kryeministri demantoi veten edhe për doganierët në pikën 31 për të cilët tha se janë atje tash e një kohë. Në mbledhjen e së mërkurës kryeministri ka thënë se po punohet që të vendosen doganierët në pikat 1 dhe 31.
Deklarata: “Zyrtarët serb të cilët qëndrojnë ilegalisht në Kosovë dhe që marrin pjesë në dhunë nuk mund të jenë bashkëbisedues”
Autori: Edita Tahiri, negociatore e Kosovës,
Data: 2 gusht 2011
Vlerësimi: E PAQËNDRUESHME
Arsyetimi: Zv/kryeministrja dhe negociatorja e Kosovës, Edita Tahiri e ka thënë me shumë besim më se Borislav Stefanoviq nuk është i denjë për t”u ulur në një tavolinë bisedimesh me të. Kjo për faktin se ai po hynte ilegalisht vazhdimisht në Kosovë. Por, një muaj më vonë, Tahiri e ka takuar në Bruksel pikërisht njeriun e njëjtë, edhe pse publikisht është shfaqur e padisponueshme. Më vonë, Tahiri ka thënë se kishte kërkuar edhe zëvendësimin e Stefanoviqit, por për këtë vendos Beogradi. Duke e ditur se nuk është në duart e saj, Tahiri ose do të duhej të refuzonte negocimin me Stefanoviqin, ose të mos i komentonte fare aktivitetet e tij.
Deklarata: “Në drejtim të Qeverisë së Kosovës nuk ka ardhur asnjë letër, asnjë kërkesë. Por, në asnjë rrethanë nuk do të lejojë që Qeveria e Kosovës të interferojë në punët e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Pushtetet janë të ndara. Qeveria e Kosovës kryen me përgjegjësi të lartë vendimet e institucionit, organit që e ka zgjedhur, të Parlamentit të Kosovës”
Autori: Hashim Thaçi ” Kryeministër
Data: 13 korrik 2011
Vlerësimi: E PAVËRTETË
Arsyetimi: Kryeministri Thaçi ka ndërruar shumë shpejt mendim për çështjen e imunitetit, duke e demantuar vetveten brenda një kohë të shkurtër. Kur u ngrit çështja e imunitetit të deputetëve, në shumë paraqitje dhe intervista, siç e dëshmojnë këto deklarata ai ka thënë se kjo ishte një çështje në të cilën Qeveria e Kosovës nuk do të ndërhynte, sepse respektonte ndarjen e pushteteve. Por, vetëm disa ditë më vonë ai shfrytëzoi të drejtën për t”iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese, duke e gjeneralizuar problemin dhe duke kërkuar sqarim imuniteti për të gjithë bartësit e posteve shtetërore. Në fakt, kryeministri u tregua kontradiktor dhe u shfaq sërish i gatshëm të ndryshojë deklaratat dhe qëndrimet sa herë të dojë.
Deklarata: “Ekziston një urdhër, që nëse qytetarët e Kosovës të nacionalitetit serb hasen me targa të cilat ka filluar t”i lëshojë Qeveria e Serbisë, ato duhet të konfiskohen. Ai urdhër është valid dhe ai urdhër nga ne do të implementohet edhe në të ardhmen”
Autori: Bajram Rexhepi, Ministër i Brendshëm
Data: 26 prill 2011
Vlerësimi: VE PAVËRTETË
Arsyetimi: Ministri i Brendshëm ka treguar sërish se është jokonsistent në qëndrimet e tj. Vetëm pak kohë pas kësaj deklarate, ai ndryshoi gjithçka duke thënë se kjo çështje do të zgjidhej me dialog. Më 13 korrik Rexhepi tha se i kishte kërkuar drejtorit të policisë që të tolerojë posedimin e dokumenteve të tilla serbe, por vetëm deri më 1 nëntor të këtij viti. Tanimë nuk është e qartë, në bazë të zhvillimeve, nëse edhe kjo do të ndryshojë, që do të nënkuptonte edhe një tjetër ndryshim të qëndrimit të ministrit Rexhepi.
Deklarata: “Operacioni i kryer mbrëmë nga autoritetet e Kosovës nuk ishte i dobishëm”
Autori: Fernando Gentilini, përfaqësues Special i BE-së për Kosovën
Data: 25 korrik 2011
Vlerësimi: E PAVËRTETË
Arsyetimi: Kjo deklaratë e njeriut të parë të BE-së në Kosovë bie në kundërshtim të hapur me atë që e promovon formalisht, EULEX-i. Misioni evropian thotë se ka ardhur në Kosovë për të ndihmuar forcimin e sundimit të ligjit, ndërkohë që duke kërkuar kthimin e gjendjes së para 25 korrikut, në fakt kërkon kthimin e mbretërimit të paligjshmërisë në këtë pjesë të Republikës së Kosovës.