Reagim: Të ndalohet denigrimi i gjyqtarëve dhe sulmet ndaj gjyqësorit

Prishtinë, 9 dhjetor 2025 – Ne, organizatat e poshtëshënuara, dënojmë ashpër denigrimin e vazhdueshëm që u bëhet gjyqtarëve nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje përmes përfaqësuesit të saj, Alban Krasniqi, në Komisionin Qendror Zgjedhor.

Më 9 nëntor, Krasniqi ka publikuar një status në llogarinë e tij në Facebook, në të cilin fyen dhe denigron gjyqtarët e gjykatave dhe Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) me fjalë poshtëruese. Kjo sjellje ka për qëllim të dëmtojë kredibilitetin e sistemit gjyqësor, të nxisë publikun të përdorë diskurs negativ ndaj gjyqtarëve dhe të krijojë klimë armiqësore ndaj tyre.

Ne kërkojmë nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti që menjëherë të ndalojë sulmet ndaj sistemit gjyqësor dhe pushteteve tjera, siç janë mediat dhe organizatat e shoqërisë civile, sa herë që nuk pajtohet me to.
Ne u rikujtojmë anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje, e sidomos atyre që njëkohësisht ushtrojnë funksione publike, se e vetmja formë e kundërshtimit të vendimeve gjyqësore është përmes apelimit të tyre. Një gjë e tillë është e paraparë edhe me Rekomandimin CM/Rec (2010)12 të Këshillit të Europës për gjyqtarët: pavarësinë, efikasitetin dhe përgjegjësitë, sipas të cilit: “Nëse komentohen vendimet e gjyqtarëve, ekzekutivi dhe legjislativi duhet të shmangin kritikën që do të nënvlerësonte pavarësinë apo besimin në gjyqësor. Ata duhet të shmangin gjithashtu veprimet që mund të vënë në pikëpyetje vullnetin e tyre për të zbatuar vendimet e gjyqtarëve, përveç rasteve kur shprehin qëllimin e tyre për të apeluar vendimin.”

Ne konsiderojmë se sistemi gjyqësor është një shtyllë e fuqishme që mbron demokracinë në vend.

  1. Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD)
  2. Lëvizja FOL
  3. Instituti Demokratik i Kosovës (KDI)
  4. Instituti Musine Kokalari
  5. Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK)
  6. Rrjeti i Grave Gazetare të Kosovës (RrGGK)
  7. Flutura Kusari, aktiviste
  8. Iniciativa për Proges (INPO)
  9. Nisma e të Rinjëve për të Drejtat e Njeriut(YIHR)
  10. Qendra per Barazi dhe Liri (CEL Kosova)
  11. KMDLNj
  12. KIPRED
  13. SHL-Kosova- Rahovec
  14. Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS)
  15. QIKA
  16. Fourth Wave
  17. Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë
  18. OMM Gjethi
  19. Organizata ÇOHU!
  20. OJQ Pishtarët
  21. K-W4W
  22. Qendra per Zhvillimin e Grupeve Shoqerore (CSGD)

Reagim për shkeljen e parimit të neutralitetit diplomatik

Organizatat e shoqërisë civile, në kuadër të misionit të tyre për të promovuar dhe mbrojtur parimet dhe standardet demokratike dhe ruajtjen e integritetit institucional, shprehin shqetësim të thellë për raportimet lidhur me përfshirjen politike të Ambasadores së Republikës së Kosovës në Norvegji, znj. Nita Luci në kampanja të partive politike.

Prezenca e Ambasadores së Kosovës në Norvegji në një takim të një partie të vetme politike mund të krijojë perceptimin e anshmërisë politike gjatë ushtrimit të shërbimit diplomatik në të mirë të një subjekti të caktuar. Kjo prezencë, sidomos në prag të zgjedhjeve, rrezikon të interpretohet si ndërhyrje në procesin zgjedhor dhe bie ndesh me parimin e neutralitetit diplomatik. Për më tepër, ky rast ka potencial të dëmtojë imazhin dhe besueshmërinë e shërbimit diplomatik të Republikës së Kosovës.

Audienca kryesore e ambasadorëve janë institucionet e shtetit pritës, organizatat joqeveritare, bizneset dhe qytetarët e huaj. Përfshirja e ambasadorëve në ngjarje partiake shkon kundër praktikave diplomatike dhe parimit të mosndërhyrjes, si dhe dëmton frymën e një gare demokratike të lirë dhe të ndershme. Gara mes partive politike nuk është hapësirë ku diplomatët duhet të gravitojnë. Ky rast

nuk duhet lejuar të bëhet praktikë. 

Për të mbrojtur integritetin e përfaqësimit diplomatik, respektimin e ligjit dhe procesin zgjedhor, duhet të ndërmerren masa të qarta institucionale në pajtim me ligjin, duke forcuar llogaridhënien.

Në aspektin ligjor, ky veprim përbën shkelje të drejtpërdrejtë të Ligjit Nr. 03/L-122 për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Kosovës, i cili në Nenin 32 parasheh qartë obligimet e nëpunësve të shërbimit të jashtëm. Sipas këtij neni, nëpunësi i shërbimit të jashtëm është i obliguar: “të pezullojë aktivitetin e tij në një parti, organizatë ose shoqatë politike gjatë periudhës së shërbimit të jashtëm”.

Çdo përfshirje në aktivitete partiake nga një ambasador përbën jo vetëm shkelje ligjore, por edhe cënim të rëndë të parimit të paanshmërisë dhe profesionalizmit të shërbimit diplomatik.

Ne i bëjmë thirrje Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës që të reagojë pa vonesë, të sqarojë rastin publikisht dhe të zbatojë ligjin në mënyrë të barabartë dhe pa përjashtime. Mosveprimi institucional në raste të tilla përbën tolerim të shkeljes së ligjit dhe rrezikon normalizimin e politizimit të diplomacisë.

E mbështetur nga:
Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS)
Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP)
Instituti EPIK
Lëvizja FOL
Instituti i Kosoves për Drejtësi (IKD)
Youth Initiative for Human Rights – Kosovo (YIHR KS) 
Instituti për Politika Sociale Musine Kokalari
Qendra e Kosovës për Studime të Sigurisë (QKSS)
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI)
Iniciativa për Progres (INPO)
Qendra per Studime te Avancuara FIT

FOL, IKD dhe INPO: Veprimet e pesë anëtarëve në KPK paraqesin tendencë për bllokimin e reformës në sistem prokurorial

Prishtinë, 2 dhjetor 2025–  Lëvizja FOL , “Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), dhe Iniciativa për Progres (INPO) (Tutje: Koalicioni i OJQ-ve), kanë përcjellë me shqetësim veprimet e kundërligjshme dhe abuzuese të një pjese të anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës, shumicën prej të cilëve mandati u skadon në muajin e ardhshëm, të cilët përmes vendimeve të kundërligjshme, në ditët e fundit të mandatit të tyre, synojnë haptazi sabotimin e reformës në KPK. Përmes këtyre veprimeve, ky grup i anëtarëve të KPK synon të mbajë shumicën në KPK edhe pas reduktimit të përbërjes së KPK.

Me 20 nëntor 2025, në një mbledhje pa kuorum, në kundërshtim me ligjin, një pjesë e anëtarëve të KPK-së shkarkoi kundërligjshëm U.D. Kryeprokurorin e Shtetit, z. Besim Kelmendi, duke caktuar në vend të tij në mënyrë të kundërligjshme z. Agron Qalaj. Në bazë të këtij vendimi, Qalaj morri pjesë në takimin e djeshëm, duke ua bërë kuorumin e nevojshëm një pjese të anëtarëve të KPK, shumica prej të cilëve kanë mandat vetëm deri në janar 2026, ashtu që të mundësohet vazhdimi i vendimeve të kundërligjshme.

Në takimin e djeshëm, KPK nuk miratoi raportin për zgjedhjen e anëtarit të ri në KPK. Kjo me arsyetimin se sipas tyre në këtë proces u premtuan favore dhe kishte presion ndaj prokurorëve për të votuar. Më këtë qasje të kundërligjshme, KPK synon që të përmbysë vullnetin e 74 prokurorëve, të cilët votuan për përfaqësuesin e tyre në KPK. Kjo përkundër se janë shtjerrur të gjitha procedurat administrative për konstatimin e shkeljeve në këtë proces.

Neni 12.1. i Rregullores Nr.05/2025 për Zgjedhjen e Anëtarëve Prokurorëve të KPK i jep mundësi kundërkandidatëve që në rast të pretendimit për shkelje procedurale, të parashtrojnë ankesë në KPK brenda 72 orëve. Kandidatja në këtë proces, e cila nuk mori numrin e votave të mjaftueshme për tu përzgjedhur në pozitën e anëtares së KPK, ushtroj këtë të drejtë dhe paraqiti ankesë në KPK. KPK refuzoi këtë ankesë me datën 13 nentor 2025. Sipas paragrafit 3 të këtij neni, “Pas shqyrtimit të ankesave, Këshilli brenda shtatë (7) ditëve shpall dhe certifikon rezultatet përfundimtare të procesit zgjedhor”.

Kështu, procedura administrative për përzgjedhjen e anëtarit të ri të KPK tanimë ka përfunduar dhe KPK ka obligim të hapur që të shpallë dhe certifikojë rezultatet brenda afatit shtatë (7) ditor, të cilin afat tanimë e ka tejkaluar. Sa i përket raportit, bazuar në nenin 12.1 të Rregullores në fjalë, ky raport paraqet vetëm një raport informues dhe në asnjë rrethanë nuk mund të synohet që përmes tij të përmbyset vullneti i 74 prokurorëve të cilët votuan për përfaqësuesen e tyre në KPK. Tentativat për të komprometuar procesin transparent që u zhvillua, përmes pretendimeve për presion, të padokumentuara nga institucionet e ndjekjes, janë përpjekje të pabazuara dhe jo etike për të shkelur vullnetin e prokurorëve të cilët votuan pro përfaqësueses së tyre të KPK.

Të gjitha këto veprime të kundërligjshme janë duke u marrë nga një pjesë e anëtarëve të KPK, shumicës prej të cilëve u kalon mandati në janar 2026, kur pritet të jetësohet reforma në KPK. Në këtë situatë, duke parë hapur abuzimin e ligjshmërisë nga KPK, përmes sigurimit të kuorumit përmes një vendimi të kundërligjshëm, Koalicioni i OJQ-ve i bënë thirrje Gjykatës që sa më parë të vendosë masë të përkohshme ndaj vendimit për shkarkimin e U.D. Kryeprokurorit të Shtetit. Nëse kjo nuk ndodhë, ka një rrezik real për vazhdimin e nxjerrjes së vendimeve të kundërligjshme, shkeljen e vullnetit të Prokurorëve për përzgjedhjen e përfaqësueses së tyre në KPK dhe sabotimin e reformës në KPK nga një pjesë e anëtarëve të KPK, shumica prej të cilëve e përfundojnë mandatin në muajin e ardhshëm.

Në anën tjetër, bazuar në deklaratën e Zyrës së Bashkimit Evropian, veprimet e KPK janë duke cenuar rrugën e Kosovës drejt Bashkimit Evropian. KPK duhet t’i ketë parasysh dhe t’i marrë seriozisht këto vërejtje, në mënyrë që të ruajë ligjshmërinë dhe integritetin e saj si institucion kushtetues që administron me sistemin e drejtësisë”.

Raporti preliminar i monitorimit të mediave gjatë fushatës zgjedhore për Zgjedhjet Lokale

Prishtinë, 28 tetor 2025 — Lëvizja FOL ka publikuar sot raportin preliminar të monitorimit të mediave gjatë fushatës zgjedhore për Zgjedhjet Lokale 2025, i cili përfshin një analizë të detajuar të mediave tradicionale, me synim vlerësimin e transparencës, paanshmërisë dhe qasjes së barabartë në mbulimin e fushatës zgjedhore.

Gjatë monitorimit janë analizuar kronikat zgjedhore dhe debatet televizive me qëllim matjen e hapësirës së ofruar për kandidatët dhe subjektet politike, si dhe nivelin e pjesëmarrjes dhe gjithëpërfshirjes së tyre në fushatën mediatike. Është matur minutazhi i dedikuar për secilin subjekt dhe kandidat, si dhe përqindja e hapësirës që u është kushtuar grave kandidate në krahasim me burrat.

Raporti thekson se temat kryesore të trajtuara në media gjatë fushatës lidhen kryesisht me çështje infrastrukturore dhe menaxhim lokal, ndërsa temat e transparencës, barazisë gjinore dhe përfshirjes qytetare kanë marrë shumë pak vëmendje.
 Përfaqësimi i grave në kronikat dhe debatet zgjedhore mbetet shumë i ulët, me vetëm 10% të hapësirës televizive të dedikuar për kandidate gra për kryetare komunash.

Në kuadër të prezantimit të raportit u mbajt edhe një panel interaktiv me panelistët dhe audiencën, ku të ftuar ishin:

Naile Dema, nënkryetare e Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, e cila theksoi nevojën për bashkërendim më të madh ndërmjet shoqërisë civile dhe mediave për të avancuar përfaqësimin e grave në diskutimin publik, veçanërisht në debate televizive.
 Ajo shtoi se, derisa partitë politike nuk kanë treguar ende gatishmëri për përfaqësim të drejtë dhe të barabartë gjinor, mediat dhe organizatat e shoqërisë civile duhet të luajnë një rol më aktiv për ta adresuar këtë pabarazi dhe për të ndikuar në ndryshimin e kulturës së raportimit publik.

Muhamet Hajrullahu, kryeredaktor në Telegrafi, komentoi mbi përqindjen e ulët të pjesëmarrjes së grave në debate, duke theksuar se kjo çështje lidhet drejtpërdrejt me mënyrën se si partitë politike zgjedhin përfaqësuesit e tyre për debatet televizive.
 Ai theksoi se partitë duhet ta ndryshojnë qasjen e tyre, duke u bërë më të hapura dhe duke siguruar që përfaqësimi gjinor të jetë i dukshëm, sidomos kur diskutohen temat e rëndësishme për vendin.
Sipas tij, vetëm përmes një përfshirjeje të qëndrueshme të grave në hapësirat publike mund të garantohet një debat politik më gjithëpërfshirës dhe përfaqësues.

Po ashtu, nga pjesëmarrësit u theksua rëndësia e funksionalizimit të Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM), si një mekanizëm i domosdoshëm për rregullimin e hapësirës mediatike dhe garantimin e transparencës dhe llogaridhënies së mediave gjatë fushatave zgjedhore.

Lëvizja FOL do ta publikojë raportin final të monitorimit pas përfundimit të procesit zgjedhor, përkatësisht pas raundit të balotazhit, ku do të prezantohen të dhënat përfundimtare.

Raportin preliminar mund ta gjeni duke klikuar këtu:

Raporti preliminar i monitorimit të mediave gjatë fushatës zgjedhore për Zgjedhjet Lokale Download

Letër e hapur në mbështetje të heqjes së masave të mbetura të BE-së ndaj Kosovës

Prishtinë, 20 tetor 2025

Për vëmendjen e:

z. ANTÓNIO COSTA – President i Këshillit Evropian
znj. URSULA VON DER LEYEN – Presidente e Komisionit Evropian
znj. KAJA KALLAS – Përfaqësuese e Lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Nënkryetare e Komisionit Evropian
z. AIVO ORAV – Shef i Zyrës së BE-së në Kosovë / Përfaqësues Special i BE-së

I nderuar z. Costa,
E nderuar znj. Von der Leyen,
E nderuar znj. Kallas,
I nderuar z. Orav,

Me respekt, ne organizatat e shoqërisë civile në Kosovë të nënshkruara më poshtë, po ju drejtohemi me këtë letër për të kërkuar që Bashkimi Evropian të heqë masat e mbetura ndaj Kosovës.

Përderisa e kuptojmë se Bashkimi Evropian ka pasur arsyet e veta për vendosjen e atyre që u përshkruan si masa të përkohshme dhe të kthyeshme, si organizata të shoqërisë civile të përkushtuara në avancimin e integrimit evropian të vendit tonë, jemi thellësisht të shqetësuara për ndikimin negativ që këto masa kanë shkaktuar në aspiratat evropiane të qytetarëve të Kosovës.

Më shumë se dy vjet më vonë, kemi parë se këto masa nuk rezultuan të jenë as të kthyeshme e as të përkohshme. Ato e kanë sfiduar, por jo edhe thyer, besimin dhe partneritetin që lidh Kosovën me Bashkimin Evropian dhe idealet e tij të parimeve, drejtësisë, solidaritetit dhe shpresës. Përtej ndikimit të tyre financiar, këto masa kanë dekurajuar përpjekjet për reforma, kanë kufizuar punën e shoqërisë civile dhe kanë zvogëluar ndihmën në sundim të ligjit, shëndetësi dhe arsim. Kjo situatë vazhdon të pengojë integrimin evropian të Kosovës, i cili mbetet vendi i vetëm në kontinent me orientim të qartë drejt BE-së që ende nuk ka marrë statusin e kandidatit.

Ne besojmë fuqimisht se heqja e plotë dhe përfundimtare e këtyre masave në këtë fazë është e përshtatshme dhe e nevojshme. Ndërsa tensionet janë ulur dhe pjesëmarrja politike është përmirësuar, situata në veri mbetet e ndërlikuar dhe kërkon angazhim të vazhdueshëm dhe ndërtim të besimit. Pjesëmarrja e serbëve të Kosovës në zgjedhjet e fundit lokale është një hap pozitiv drejt rikthimit të përfaqësimit dhe legjitimitetit. Sulmi terrorist në Banjskë dhe aktakuzat ndaj përgjegjësve shënuan një moment të rëndësishëm në përballjen me strukturat kriminale në veri. Këto zhvillime, megjithëse të brishta, nënvizojnë se llogaridhënia dhe dialogu janë thelbësorë për siguri dhe bashkëpunim të qëndrueshëm. Angazhimi konstruktiv dhe i balancuar i BE-së mbetet vendimtar për të ruajtur këtë përparim dhe për të mbështetur stabilitetin për të gjitha komunitetet.

Si organizata të shoqërisë civile, jemi mirënjohëse që në maj të vitit 2025 Bashkimi Evropian filloi tërheqjen graduale të masave ndaj Kosovës, si dhe për vendimin e Komitetit Ekonomik dhe Social Evropian për ta përfshirë Kosovën në iniciativën ECM, duke krijuar një hapësirë të re për përfaqësimin e zërit të qytetarëve në proceset evropiane. Besojmë se rrethanat që fillimisht nxitën vendosjen e masave tashmë nuk ekzistojnë më. Me rastin e krijimit të institucioneve të reja në nivel lokal, heqja e masave do të përcillte një mesazh pozitiv bashkëpunimi ndërmjet BE-së dhe Kosovës dhe do të forconte më tej besueshmërinë e BE-së dhe angazhimin e saj në rajon.

Prandaj, me respekt ju bëjmë thirrje që Bashkimi Evropian të shqyrtojë heqjen e plotë të masave të mbetura. Hapat e parë për t’i tërhequr ato janë dëshmuar të suksesshëm, dhe një rikthim i plotë në normalitet do të ndërtonte mbi momentumin pozitiv të krijuar me organizimin e zgjedhjeve lokale. Populli i Kosovës vazhdon të përballet me sfida, dhe heqja e këtyre masave do të ofronte optimizëm të ri për rrugën tonë evropiane. Jemi të bindur se udhëheqja juaj do të bashkojë të gjitha shtetet anëtare rreth së mirës së përbashkët të BE-së dhe Kosovës.

Me respekt,

Organizatat nënshkruese:

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS)
Instituti i Politikave Evropiane të Kosovës (EPIK)
Instituti GAP për Studime të Avancuara
Fondacioni i Shoqërisë Civile të Kosovës (KCSF)
Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP)
Fondi për Zhvillimin e Komunitetit (CDF)
Rrjeti i Grave të Kosovës (KWN)
Instituti i Kosovës për Drejtësi (KLI)
Lëvizja FOL
Qendra për Trajnim dhe Burime për Avokim (ATRC)
Demokracia për Zhvillim (D4D)
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI)

Infosesion me gazetarët dhe aktivistët lokal të Komunës së Prishtinës mbi paditë SLAPP

Prishtinë, 19 shtator 2025 – Në kuadër të projektit “Fuqizimi i lirisë së shprehjes dhe të drejtave të gazetarëve”, të mbështetur nga Safe Journalists, Lëvizja FOL ka organizuar një infosesion me gazetarët, aktivistët dhe përfaqësues të organizateve të shoqërisë civile të Komunës së Prishtines.

Gjatë këtij takimi informues, u diskutua gjerësisht rreth fenomenit të padive SLAPP (Strategic Lawsuits Against Public Participation), dhe pjesëmarrësit patën mundësi të njihen nga afër me natyrën e këtyre padive, pasojat që ato mund të kenë në punën e gazetarëve dhe aktivistëve, si dhe mënyrat më efektive për t’u mbrojtur nga to.

Ky aktivitet është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të Lëvizjes FOL për të mbrojtur lirinë e shprehjes dhe të drejtat e gazetarëve në Kosovë, duke synuar të ndërgjegjësoj publikun dhe profesionistët e medias mbi kërcënimet që i kanosen lirisë së shprehjes dhe nevojën për reforma ligjore që parandalojnë abuzimin me paditë SLAPP.

Paditë SLAPP në Kosovë – Harmonizimi me standardet e Këshillit të Evropës dhe BE-së

Prishtinë, 18 shtator 2025 – Lëvizja FOL, si anëtare e Koalicionit Evropian Kundër Padive SLAPP (CASE) , sot ka mbajtur takimin e Grupit Nacional Kundër Padive SLAPP në Kosovë, ku u diskutua mbi përhapjen e këtij fenomeni si një sfidë serioze për demokracinë , të drejtat e njeriut dhe lirinë e shprehjes  në vend.

Drejtorja e Lëvizjes FOL, Mexhide Demolli Nimani, theksoi se themelimi i këtij grupi synon rritjen e vetëdijes publike për paditë SLAPP, identifikimin dhe kundërshtimin e tyre, mbështetjen për gazetarët dhe aktivistët e paditur , si dhe avokimin për ndryshime ligjore që garantojnë lirinë e shprehjes dhe pjesëmarrjen publike.

 Shefi i Njësisë për Sundimin e Ligjit në Zyrën e BE-së në Kosovë, Jarmo Helppikangas, përgëzoi Lëvizjen FOL për organizimin e këtij eventi dhe për hapat proaktivë në përfshirjen e aktorëve relevantë. Ai nënvizoi se legjislacioni i ardhshëm është jetik për lirinë e shprehjes dhe demokracinë , duke bërë thirrje për konsultim gjithëpërfshirës para miratimit.

 Gjyqtari i Gjykatës Themelore të Prishtinës, Ermir Ahmetaj, theksoi se ky aktivizim është një hap i rëndësishëm, duke kujtuar se edhe Raporti i KE për vitin 2024 ka evidentuar mungesën e një analize të qartë mbi paditë SLAPP. Ai shtoi se gjyqësori ka ndërmarrë hapa për trajtimin e rasteve të shpifjes dhe fyerjes, me mbështetje të BE-së dhe Këshillit të Evropës, dhe do të vazhdojë të jetë aktiv në zbatimin e dispozitave të reja ligjore.

Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha, tha se numri i padive është në rritje , duke theksuar se qëllimi i tyre është të demoralizojnë gazetarët dhe të pengojnë punën e tyre hulumtuese.

Ky takim synon të shërbejë si një mekanizëm bashkëpunimi ndërmjet shoqërisë civile, mediave, sistemit të drejtësisë dhe partnerëve ndërkombëtarë, për adresimin dhe parandalimin e këtij fenomeni.

Reagim mbi pezullimin e Dialogut Strategjik SHBA – Kosovë

Prishtinë, 12 shtator 2025 – Lëvizja FOL shpreh shqetësimin e thellë mbi njoftimin e sotëm të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Prishtinë lidhur me pezullimin e Dialogut Strategjik SHBA – Kosovë.

Ky vendim përbën një humbje të madhe për Kosovën dhe qytetarët e saj, pasi Dialogu Strategjik përbën një hapësirë të veçantë për ndërtimin e partneriteteve afatgjata diplomatike, si dhe për avancimin e zhvillimit ekonomik dhe demokratik të vendit tonë.

Veprimet konfrontuese të Qeverisë në detyrë kanë rritur tensionet dhe kanë cenuar besimin e partnerëve ndërkombëtarë. Në këtë situatë, bëjmë thirrje Qeverisë dhe gjithë akterëve politikë të tregojnë përgjegjësi të lartë, të ulin retorikën përçarëse dhe të rikthehen në rrugën e bashkëpunimit konstruktiv me partnerët tanë strategjikë.

Është urgjente që të ndërmerren hapa konkretë për të dëshmuar angazhimin e Kosovës ndaj bashkëpunimit ndërkombëtar dhe interesave të saj afatgjata strategjike.

Raport Monitorues për Zbatimin e Planit Lokal të Veprimit për Barazi Gjinore në Komunën e Hanit të Elezit (2024-2026)

Lëvizja FOL, në kuadër të projektit “Monitorimi dhe llogaridhënia me ndjeshmëri gjinore”, me
mbështetjen e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore (QKSGJ), ka realizuar monitorimin e
zbatimit të Planeve të Veprimit për Barazi Gjinore në komunat Hani i Elezit, Dragash dhe Prizren.

Ky raport është hartuar me qëllim monitorimin dhe vlerësimin e zbatimit të Planit Lokal të
Veprimit për Barazi Gjinore (PLVBGJ) në Komunën e Hanit të Elezit. Planet lokale të veprimit për
barazinë gjinore përbëjnë një mjet strategjik për ta integruar barazinë gjinore në funksionimin e
përditshëm të institucioneve. Ato përfshijnë objektiva të qarta, masa konkrete, ndarje të qarta
përgjegjësish, afate kohore dhe burime të nevojshme, si njerëzore ashtu edhe financiare, për
zbatimin e tyre. Përveç kësaj, këto plane parashikojnë mekanizma për ndjekjen e përparimit
dhe vlerësimin e ndikimit, duke siguruar që drejtuesit institucionalë të mbajnë përgjegjësi për
përparimin drejt barazisë gjinore. Përfundimisht, këto plane synojnë ndryshimin institucional
duke përfshirë perspektivën gjinore në rregullat, procedurat dhe praktikat e zakonshme të
institucioneve, duke e bërë barazinë gjinore pjesë përbërëse të veprimit të përditshëm.

Plani Lokal i Veprimit për Barazi Gjinore (PLVBGj) në Komunën e Hanit të Elezit është miratuar
në dhjetor të vitit 2023 nga Kuvendi Komunal, pas një procesi të hapur konsultativ që përfshiu
organizata të shoqërisë civile, përfaqësues të komunitetit dhe institucionet komunale. Ky
plan trevjeçar (2024–2026) është dokumenti i parë strategjik në nivel lokal në këtë komunë
që përcakton masa konkrete për avancimin e barazisë gjinore dhe integrimin e perspektivës
gjinore në politikat, shërbimet dhe buxhetimin komunal.

PLVBGj është përgatitur në përputhje me kornizat ligjore dhe strategjike të Kosovës, si dhe
me dokumentet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe barazinë gjinore, përfshirë Ligjin
për Barazi Gjinore, Programin për Barazi Gjinore 2020–2024, Agjendën 2030 për Zhvillim të
Qëndrueshëm (SDG 5), Konventën për Eliminimin e të gjitha formave të Diskriminimit ndaj
Grave (CEDAW), dhe Strategjinë e Barazisë Gjinore 2020-2025 e Bashkimit Evropian dhe Plani i
Veprimit për Barazinë Gjinore (GAP III) 2021-2025.

Raporti i plotë në gjuhën shqipe

The complete report in English

Potpun izveštaj na srpskom jeziku

Raport Monitorues për Zbatimin e Planit Lokal të Veprimit për Barazi Gjinore në Komunën e Hanit të Elezit (2024-2026) Download

Raport Monitorues për Zbatimin e Planit Lokal të Veprimit për Barazi Gjinore në Komunën e Dragashit (2024-2026)

Lëvizja FOL, në kuadër të projektit “Monitorimi dhe llogaridhënia me ndjeshmëri gjinore”, me
mbështetjen e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore (QKSGJ), ka realizuar monitorimin e
zbatimit të Planeve të Veprimit për Barazi Gjinore në komunat Hani i Elezit, Dragash dhe Prizren.

Ky raport është hartuar me qëllim monitorimin dhe vlerësimin e zbatimit të Planit Lokal të
Veprimit për Barazinë Gjinore (PLVBGJ) në Komunën e Dragashit. Planet lokale të veprimit për
barazi gjinore përbëjnë një mjet strategjik për ta integruar barazinë gjinore në funksionimin e
përditshëm të institucioneve. Ato përfshijnë objektiva të qarta, masa konkrete, ndarje të qarta
përgjegjësish, afate kohore dhe burime të nevojshme, si njerëzore ashtu edhe financiare, për
zbatimin e tyre. Përveç kësaj, këto plane parashikojnë mekanizma për ndjekjen e përparimit
dhe vlerësimin e ndikimit, duke siguruar që drejtuesit institucionalë të mbajnë përgjegjësi për
përparimin drejt barazisë gjinore. Përfundimisht, këto plane synojnë ndryshimin institucional
duke përfshirë perspektivën gjinore në rregullat, procedurat dhe praktikat e zakonshme të
institucioneve, duke e bërë barazinë gjinore pjesë përbërëse të veprimit të përditshëm.

Plani Lokal i Veprimit për Barazi Gjinore (PLVBGj) në Komunën e Dragashit është miratuar në
dhjetor të vitit 2023 nga Kuvendi Komunal, pas një procesi gjithëpërfshirës dhe konsultativ që
përfshiu institucionet lokale, grupet e grave asambleiste, organizatat e shoqërisë civile dhe
komunitetin e gjerë. Ky plan trevjeçar (2024–2026) është dokument strategjik që përcakton
prioritetet dhe masat konkrete për përparimin e barazisë gjinore në nivel komunal dhe
integrimin e saj në politikat publike, procedurat administrative, dhe planifikimin financiar të
komunës.

PLVBGj është përgatitur në përputhje me kornizat ligjore dhe strategjike të Kosovës, si dhe
me dokumentet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe barazinë gjinore, përfshirë Ligjin
për Barazi Gjinore, Programin për Barazi Gjinore 2020–2024, Agjendën 2030 për Zhvillim të
Qëndrueshëm (SDG 5), Konventën për Eliminimin e të gjitha formave të Diskriminimit ndaj
Grave (CEDAW), dhe Strategjinë e Barazisë Gjinore 2020-2025 e Bashkimit Evropian dhe Plani i
Veprimit për Barazinë Gjinore (GAP III) 2021-2025.

Raporti i plotë në gjuhën shqipe

The complete report in English

Potpun izveštaj na srpskom jeziku

Raport Monitorues për Zbatimin e Planit Lokal të Veprimit për Barazi Gjinore në Komunën e Dragashit (2024-2026) Download

Raport Monitorues për Zbatimin e Planit Lokal të Veprimit për Barazi Gjinore në Komunën e Prizrenit (2024-2026)

Lëvizja FOL, në kuadër të projektit “Monitorimi dhe llogaridhënia me ndjeshmëri gjinore”, me
mbështetjen e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore (QKSGJ), ka realizuar monitorimin e
zbatimit të Planeve të Veprimit për Barazi Gjinore në komunat Hani i Elezit, Dragash dhe Prizren.

Ky raport është hartuar me qëllim monitorimin dhe vlerësimin e zbatimit të Planit Lokal të
Veprimit për Barazinë Gjinore (PLVBGJ) në Komunën e Prizrenit. Planet lokale të veprimit për
barazi gjinore përbëjnë një mjet strategjik për ta integruar barazinë gjinore në funksionimin e
përditshëm të institucioneve. Ato përfshijnë objektiva të qarta, masa konkrete, ndarje të qarta
përgjegjësish, afate kohore dhe burime të nevojshme, si njerëzore ashtu edhe financiare, për
zbatimin e tyre. Përveç kësaj, këto plane parashikojnë mekanizma për ndjekjen e përparimit
dhe vlerësimin e ndikimit, duke siguruar që drejtuesit institucionalë të mbajnë përgjegjësi për
përparimin drejt barazisë gjinore. Përfundimisht, këto plane synojnë ndryshimin institucional
duke përfshirë perspektivën gjinore në rregullat, procedurat dhe praktikat e zakonshme të
institucioneve, duke e bërë barazinë gjinore pjesë përbërëse të veprimit të përditshëm.

Plani Lokal i Veprimit për Barazi Gjinore (PLVBGJ) në Komunën e Prizrenit është miratuar në
tetor 2024 nga Kuvendi Komunal, pas një procesi gjithëpërfshirës që përfshiu konsultime me
institucionet publike lokale, organizatat e shoqërisë civile, përfaqësues të komunitetit dhe
mekanizmat ekzistues për çështjet gjinore. Ky plan trevjeçar (2024–2026) është dokumenti
kryesor strategjik i komunës për integrimin e barazisë gjinore në politikat lokale, shërbimet
publike dhe planifikimin buxhetor.

PLVBGj është përgatitur në përputhje me kornizat ligjore dhe strategjike të Kosovës, si dhe
me dokumentet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe barazinë gjinore, përfshirë Ligjin
për Barazi Gjinore, Programin për Barazi Gjinore 2020–2024, Agjendën 2030 për Zhvillim të
Qëndrueshëm (SDG 5), Konventën për Eliminimin e të gjitha formave të Diskriminimit ndaj
Grave (CEDAW), dhe Strategjinë e Barazisë Gjinore 2020-2025 e Bashkimit Evropian dhe Plani i
Veprimit për Barazinë Gjinore (GAP III) 2021-2025.

Raporti i plotë në gjuhën shqipe

The complete report in English

Potpun izveštaj na srpskom jeziku

Raport Monitorues për Zbatimin e Planit Lokal të Veprimit për Barazi Gjinore në Komunën e Prizrenit (2024-2026) Download

Raporti i monitorimit të mediave gjatë fushatës zgjedhore – Zgjedhjet e përgjithshme për Kuvendin e Kosovës (9 shkurt 2025)

Monitorimi i mediave gjatë fushatës zgjedhore është një komponentë kyçe për vlerësimin e transparencës dhe paanshmërisë së mbulimit mediatik. Ky raport, i përgatitur nga Demokracia në Veprim (DnV), analizon hapësirën e dedikuar për subjektet politike dhe kandidatët në mediat tradicionale dhe ato sociale gjatë periudhës zgjedhore (11 janar – 8 shkurt 2025).
Ky raport synon të ofrojë një bazë të fuqishme për përmirësimin e transparencës dhe barazisë në mbulimin mediatik të zgjedhjeve në të ardhmen.
Në pjesën në vijim, do të paraqiten gjetjet kryesore të këtij raporti të monitorimit:

• DEBATET TELEVIZIVE
Nga 409 debatet e zhvilluara gjatë kësaj fushate zgjedhore, dominojnë ato vetëm me një subjekt politik (223 debate), pasuar nga debatet vetëm me analistë (131 debate).
Gjatë kësaj fushate vërehet mungesa e ballafaqimit të subjekteve politike, ku vetëm 47 debate përfshinin ballafaqime mes subjekteve ( 34 debate me shumë subjekte, dhe 13 debate në mes dy subjekteve).
Pjesëmarrja e grave në debate ishte vetëm 21%, ndërsa pjesëmarrja e kandidatëve burra 79%.

• KRONIKAT ZGJEDHORE
Gjatë periudhës së fushatës zgjedhore, u transmetuan rreth 69 orë kronika zgjedhore në 11 televizione.
LDK dhe PDK kishin mbulim më të lartë (791 dhe 762 minuta), ndërsa Lista Serbe kishte vetëm 103 minuta.
Kandidatët për kryeministër patën 1123 minuta ekspozim, ndërsa kandidatët e tjerë për deputet vetëm 547 minuta.
Përfaqësimi i grave ishte i ulët: vetëm 16% e kronikave përfshinin gra, ndërsa pjesa tjetër (84%) ishte e dedikuar për kandidatët burra.

• PORTALET DHE TRANSMETIMET LIVE
Gjatë fushatës zgjedhore janë monitoruar 15 faqe zyrtare të portaleve në Facebook. Gjatë kësaj kohe ishin publikuar 293 transmetime të drejtpërdrejta nga portalet, që përfshinin 18,000 minuta mbulim.
Këto portale kanë transmetuar 305 orë e 4 minuta në faqet e tyre zyrtare. Prej kësaj hapësire, AAK-NISMA ka pasur 205 orë e 53 minuta, LDK 55 orë e 22 minuta, PDK 37 orë e 44 minuta, LVV 5 orë e 58 minuta, dhe subjektet tjera 7 minuta.
Mungesa e transparencës mbi sponsorizimin e këtyre transmetimeve ishte vënë re në pjesën më të madhe të transmetimeve live.

• AKTIVITETI NË RRJETIN SOCIAL “FACEBOOK” DHE FAQET ZYRTARE
Kandidatët për kryeministër postuan 579 postime në rrjetin social “Facebook”, ku Lumir Abdixhiku (LDK) udhëhoqi me 188 postime.
Faqet zyrtare të partive politike publikuan 1615 postime, ku më së shumti prej tyre kishte LVV (403 postime).


DnV rekomandon garantimin e përfaqësimit proporcional dhe të drejtë të kandidatëve dhe subjekteve politike në media, shmangien e lajmeve të njëanshme dhe gjuhës së urrejtjes, si dhe përshpejtimin e emërimit të anëtarëve të rinj të KPM për funksionalizimin e institucionit.


Gjithashtu, kërkohet rritja e mbikëqyrjes ndaj mediave tradicionale dhe online për respektimin e standardeve profesionale, sigurimi i transparencës në financimin e mediave dhe reklamave politike për të shmangur ndikimin e grupeve të interesit, si dhe ofrimi i udhëzimeve dhe trajnimeve nga KPM për OShM-të mbi përgatitjen dhe dorëzimin e ditarëve të transmetimit.

Raporti i plotë në gjuhën shqipe

The complete report in English

Potpun izveštaj na srpskom jeziku

Raporti i monitorimit të mediave gjatë fushatës zgjedhore - Zgjedhjet e përgjithshme për Kuvendin e Kosovës (9 shkurt 2025) Download

Shoqëria Civile – Protestë para Kuvendit

Prishtinë, 3 korrik 2025 – Edhe sot, si organizata të shoqërisë civile, ishim para Kuvendit për t’ua kujtuar deputetëve se bllokada institucionale ka një kosto reale për vendin dhe qytetarët. Me vërshëllima dhe nën moton #ShtetiNëPauzë, ua kujtuam se komoditeti në këtë krizë nuk janë zgjidhje.

Në këtë tentativë të 41-të për konstituim, është e pamohueshme që pasojat e kësaj gjendje po thellohen, me humbje të kredibilitetit politik, kosto ekonomike – përfshirë qindra miliona euro nga fondet e Bashkimit Evropian dhe institucioneve financiare ndërkombëtare, si dhe me ndikim tek jetët e qytetarëve. E gjithë kjo, sepse mungon vullneti politik për të marrë përgjegjësi dhe për të gjetur një kompromis. Ne u bëjmë thirrje partive dhe deputetëve që të ulen dhe të gjejnë marrëveshjen e nevojshme për të rikthyer funksionimin e Kuvendit dhe për të mbrojtur interesin publik. Qytetarët kanë votuar për institucione që punojnë, jo për një teatër të pafund bllokadash.

Reagim i organizatave të shoqërisë civile – Kuvendi nuk mund të mbetet peng – Bllokada institucionale po cenon rendin demokratik

Prishtinë, 30 qershor 2025 – Kuvendi i Republikës së Kosovës është institucioni më i lartë përfaqësues dhe bazamenti i demokracisë parlamentare. Përmes tij, themelohen institucionet e tjera të vendit dhe garantohen parimet kushtetuese të ndarjes dhe kontrollit të pushteteve. Prej më shumë se dy muaj e gjysmë, vendi qëndron pa një Kuvend të konstituuar. Ky vakum institucional ka penguar miratimin e ligjeve, mbikëqyrjen demokratike të Qeverisë dhe trajtimin e çështjeve urgjente që prekin jetën e qytetarëve.

Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese rikthen qartësinë procedurale


Në këtë kontekst, Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i datës 26 qershor 2025 (rasti KO124/25) ishte një ndërhyrje e domosdoshme për të adresuar paqartësitë procedurale dhe për të përcaktuar qartë kufijtë kushtetues dhe rregullat e konstituimit të Kuvendit. Gjykata ritheksoi se kjo procedurë është e sanksionuar nga Kushtetuta, Rregullorja e Kuvendit, dhe praktikat parlamentare të konsoliduara ndër vite – dhe çdo devijim nga to përbën shkelje të rendit kushtetues.
Gjykata theksoi se partia fituese e zgjedhjeve ka të drejtë të propozojë kandidatin për Kryetar të Kuvendit, por kjo e drejtë nuk është absolute – ajo është e lidhur ngushtë me detyrimin për të ndërtuar shumicë përmes bashkëpunimit me grupet tjera parlamentare.

Devijimet e Kryesuesit të seancës dhe instrumentalizimi politik

Takimi i datës 8 prill 2025, i mbajtur mes Kryetarit të Kuvendit të legjislaturës së kaluar dhe përfaqësuesve të partive politike, ka shërbyer si bazë për përgatitjen e seancës konstituive. Ai përcaktoi qartë rendin e ditës dhe nuk parashihte votim të fshehtë. Çdo veprim në kundërshtim me këtë marrëveshje është jokushtetuese, dhe si e tillë përbën shkelje të parimeve të besimit të ndërsjellë dhe të praktikës parlamentare.
Megjithatë, z. Avni Dehari, si Kryesues i seancës, ka devijuar nga rendi i dakorduar, ka shtyrë procedurat, ka propozuar një komision për votim të fshehtë pa bazë ligjore dhe ka lejuar përbërjen e tij pa përfaqësim adekuat të partive të tjera parlamentare. Kjo përbën një ndërhyrje të papranueshme në procedurën e konstituimit të Kuvendit, si dhe është cenuar parimi i përfaqësimit të drejtë parlamentar, duke e shndërruar këtë proces në një veprim njëpartiak dhe jo-konsensual.
Me veprimet e tij, z. Dehari nuk ka qenë një lehtësues i procesit demokratik, por është shndërruar në instrument të bllokadës. Ai ka shkelur parimin e neutralitetit që i kërkohet një kryesuesi të seancës konstituive.

Standardet demokratike nuk mund të ndryshohen njëanshëm


Gjykata Kushtetuese ka theksuar se Kuvendi duhet të përmbyllë procesin e konstituimit brenda afatit 30-ditor. Po ashtu, Gjykata Kushtetuese ishte e qartë se votimi për Kryetarin e Kuvendit duhet të jetë i hapur, ashtu siç ka qenë në çdo seancë tjetër konstituive deri më tash. Përpjekja për të imponuar një votim të fshehtë përmes mjeteve të njëanshme është precedent i papranueshëm dhe cenues i integritetit të procesit.
Për më tepër, krahasimi me votimin për nënkryetarët është i pabazë. Rregullat për nënkryetarët burojnë nga nevoja për përfaqësim politik dhe etnik, ndërsa zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit është akt i vullnetit politik që kërkon konsensus dhe marrëveshje.
Gjykata ka bërë të qartë se si partia fituese, ashtu edhe partitë e tjera duhet të bashkëpunojnë në mirëbesim për të zgjedhur Kryetarin e Kuvendit. Shkelja e këtij parimi është shkelje e frymës së Kushtetutës.

Bllokada po thellohet


Më datë 28 qershor 2025, në vazhdimin e seancës konstituive, u shkel qartazi aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese. Përmes instrumentalizimit të Kryesuesit, Lëvizja Vetëvendosje jo vetëm që po refuzon bashkëpunimin, por po zvarrit qëllimisht procesin për të imponuar një zgjidhje të njëanshme – veprim ky drejtpërdrejt kundërkushtetues.
Janë tashmë 39 tentime të dështuara për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit – 39 herë që seanca është kthyer në skenë të manipulimit procedural dhe të interesave të ngushta partiake e personale, për shkak të një qasje obstruksioniste. Deputetëve po u mohohet e drejta për të ushtruar funksionin e tyre, ndërsa qytetarët po mbeten pa përfaqësim funksional.

Thirrje për përgjegjësi dhe rikthim të funksionalitetit


Kuvendi nuk është pronë e askujt. Ai nuk mund të mbahet peng nga vullneti i një subjekti të vetëm politik. Demokracia kërkon funksionim, respekt të procedurave, dhe vullnet për kompromis.
U bëjmë thirrje të gjitha partive politike, e në veçanti partisë fituese, që të përmbushin detyrimet e tyre kushtetuese dhe të mundësojnë zhbllokimin e procesit. Kuvendi duhet të kthehet në funksion – për të miratuar ligje, për të mbikëqyrur qeverinë dhe për të përfaqësuar interesin qytetar.

Organizatat mbështetëse (renditja sipas alfabetit):


Advocacy Training & Resource Center (ATRC)
Asociacioni i Mediave të Pavaruara Elektronike të Kosovës (AMPEK)
Balkan Green Foundation (BGF)
CEL Kosova
Center for Eduction and Community Development-Friends
Community Building Mitrovica (CBM)
Community Development Fund (CDF)
Democracy Plus (D+)
Demokraci për Zhvillim (D4D)
Fondacioni Lumbardhi
Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë
Forumi për Iniciativa Qytetare (FIQ)
GERMIN
Grupi për Hulumtimin e Politikave në Ballkan (BPRG)
Hyjneshat
Iniciativa për Progres (INPO)
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI)
Instituti Edutask
Instituti i Kosovës për Drejtësi (KLI)
Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS)
Instituti Kosovar për Hulumtim dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED)
Instituti për Politika Sociale “Musine Kokalari”
Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP)
Instituti Sekhmet
Koalicioni i OJQ–ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF
Kosovar Youth Council
K-W4W
Leadership Development Association Europe
Lëvizja FOL
Neë Social Initiative (NSI)
NGO AKTIV
Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – Kosovë
OJQ Activism Roots
OJQ EC Ma Ndryshe
OJQ EcoZ
OJQ Gjethi
OJQ Politeia
OJQ PONTIS
OJQ Pishtarët
Organizata ÇOHU!
Qendra Kosova për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (KRCT)
Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSGJ)
Qendra për Avokim dhe Kulturë Demokratike (ACDC)
Qendra Për Politika dhe Avokim (QPA)
Qendra për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore – CSGD
Qendra Sociale SËOK Kosova
QIKA
Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK)
Rrjeti i OJQ-ve AVONET
Rrjeti Qeliza
SHL – Kosova
Syri i Vizionit

Drejtorja e Dole Institute of Politics viziton Lëvizjen FOL

Prishtinë, 30 qershor 2025 – Audrey Coleman, drejtorja e Institutit Amerikan të Politikës Dole Institute of Politics në Universitetin e Kanzasit, vizitoi sot Lëvizjen FOL.

Znj. Coleman u prit nga drejtorja ekzekutive e organizatës, znj. Mexhide Demolli Nimani, e cila e njoftoi nga afër për punën, misionin dhe iniciativat kryesore të FOL-it.

Ky takim shërbeu si një mundësi për të shqyrtuar mundësitë e bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët, veçanërisht në promovimin e qeverisjes së mirë, transparencës dhe forcimit të vlerave demokratike. Njëashtu shënon vazhdimin e trashëgimisë së lidhjes së senatorit Bob Dole për ruajtjen dhe avancimin e marrëdhënieve me Republikën e Kosovës.

Infosesion me gazetarët dhe aktivistët  lokal të Komunës së Prizrenit mbi paditë SLAPP

Prizren, 27 qershor 2025 – Në kuadër të projektit “Fuqizimi i lirisë së shprehjes dhe të drejtave të gazetarëve”, të mbështetur nga Safe Journalists, Lëvizja FOL ka organizuar një infosesion me gazetarët lokal të Komunës së Prizrenit.

Gjatë këtij takimi informues, u diskutua gjerësisht rreth fenomenit të padive SLAPP (Strategic Lawsuits Against Public Participation), dhe pjesëmarrësit patën mundësi të njihen nga afër me natyrën e këtyre padive, pasojat që ato mund të kenë në punën e gazetarëve dhe aktivistëve, si dhe mënyrat më efektive për t’u mbrojtur nga to.

Ky aktivitet është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të Lëvizjes FOL për të mbrojtur lirinë e shprehjes dhe të drejtat e gazetarëve në Kosovë, duke synuar të ndërgjegjësoj publikun dhe profesionistët e medias mbi kërcënimet që i kanosen lirisë së shprehjes dhe nevojën për reforma ligjore që parandalojnë abuzimin me paditë SLAPP.

Shoqëria Civile – Protestë para Kuvendit

Prishtinë, 25 qershor 2025 – Sot, në prag të vazhdimit të 37-të të seancës konstituive, NE – aktivistë të shoqërisë civile përmes një proteste para Kuvendit të Kosovës, kundërshtuam sjelljet bllokuese të deputetëve të zgjedhur dhe  kërkuam nga liderët e partive politike t’i japin fund krizës institucionale.

Papërgjegjësia dhe tentativat për t’a normalizuar një gjendje e cila ka kaluar çdo kufi të normales janë të papranueshme. Kuvendi është shndërruar në një cirk të demokracisë, ndërsa qytetarët po vuajnë pasojat e këtyre humbjeve.

Ne besojmë që zgjidhja e problemit gjindet tek vullneti politik dhe konsensusi. Gjykata Kushtetuese nuk mund ta zgjidhë këtë ngërç, sepse bllokada nuk është çështje procedurale e ligjore. Edhe po të ketë vendim të Gjykatës Kushtetuese, prapëseprapë duhet që deputetë të tregojnë vullnet politik. Andaj  kërkojmë arritjen e një marrëveshjeje politike, e cila normalisht është përgjegjësi e partisë fituese.

#Deputetë, emri juaj është bllokadë

#Kur t’ju bohet boll, kallëzoni

#Konsensusi është baza e demokracisë

#ShtetiNePauze