Lëvizja FOL ka publikar sot raportin: “Trajtimi i lëndëve të korrupsionit në dekadën e fundit në Kosovë – ndikimi i ndryshimeve legjislative”

Prishtinë, 26 maj 2025 – Lëvizja FOL në bashkëpunim me PIPS ka mbajtur sot tryezë diskutimi ku ka publikuar raportin “Trajtimi i lëndëve të korrupsionit në dekadën e fundit në Kosovë – ndikimi i ndryshimeve legjislative”, realizuar me mbështetjen e programit MATRA të Ambasadës së Mbretërisë së Holandës në Kosovë.

Ky raportin  ofron të dhëna statistikore dhe rekomandime konkrete për përmirësimin e qasjes institucionale në luftimin e korrupsionit dhe synon të kontribuojë në debatet publike, forcimin e llogaridhënies dhe transparencës në sistemin e drejtësisë në Kosovë.

Ky raport analizon periudhën e dhjetë viteve të fundit, përkatësisht nga viti 2015 deri në 2024, në dy blloqe kohore – 2015-2019 dhe 2020-2024, duke tentuar të identifikojë se sa kanë ndikuar reformimi ligjor, investimet institucionale dhe programet e trajnimit në uljen e korrupsionit, respektivisht a kanë pasur ose jo efekt pozitiv në trajtimin e rasteve të korrupsionit.

Në pesëvjeçarin e parë, kompetencat e paqarta mes PSRK dhe prokurorive themelore krijuan mbivendosje hetimesh, ndërsa gjykatat, pa një departament të dedikuar, mbyllnin më pak se 40 % të çështjeve në vit. Trajnimet ishin të shumta por nuk sollën rritje të matshme të cilësisë së hetimeve. Nga viti 2020 nis një qasje më e strukturuar: themelohet Departamenti Special në Gjykatën Themelore të Prishtinës, miratohet Kodi i ri Penal me dënime më të ashpra dhe, shumë me rëndësi, Gjykata Supreme miraton Udhëzuesin specifik për lëndët e korrupsionit që synon unifikimin e politikës ndëshkimore. PSRK ruan efikasitet të lartë, veçanërisht më 2024, por prokuroritë e rregullta, sidomos ajo e Prishtinës, vazhdojnë të përballen me ngarkesë të madhe dhe variabilitet në rezultatet përfundimtare. Në anën gjyqësore, departamenti i ri ka hapur rrugë për trajtim më të fokusuar të rasteve kompleksë, megjithëse raportimi statistikor 2022-2024 mbetet i pa unifikuar dhe pengon një vlerësim të qartë të progresit real.

Në këtë tryezë morën pjesë përfaqësues të institucioneve dhe shoqërisë civile: Burim Ademi – gjyqtar në Gjykatën Supreme, Yll Buleshkaj – Drejtor i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Astrit Kolaj – Hulumtues nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, dhe Albert Avdiu – konsulent.

Drejtorja ekzekutive Mexhide Demolli Nimani theksoi se ky raport vlerëson efektivitetin e ndryshimeve legjislative dhe organizative në trajtimin e rasteve të korrupsionit në Kosovë gjatë periudhës 2015–2024 dhe është i ndarë në dy faza kryesore: 2015–2019 dhe 2020–2024.

Albert Avdiu, u shpreh se analiza fokusohet në periudhën pas vitit 2020, duke marrë për bazë ndryshimet e Kodit Penal dhe strukturat institucionale për ndjekjen e korrupsionit.  Ai theksoi mungesën e harmonizimit të të dhënave ndërmjet sistemit prokurorial dhe gjyqësor, si dhe nevojën për rishpërndarjen e lëndëve të korrupsionit në departamentet e përgjithshme të gjykatave themelore.

Gjyqtari Burim Ademi nënvizoi se ndryshimet e shpeshta në legjislacionin penal kanë krijuar paqartësi në praktikën gjyqësore sa i përket zgjidhjeve të rasteve kundër korrupsionit. Ai theksoi nevojën që Udhëzuesi i Gjykatës Supreme të jetë detyrues për gjyqtarët në rastet e trajtimit të lëndëve të korrupsionit.

Drejtori i APK-së, Yll Buleshkaj, duke potencuar nevojën për matje më të saktë të nivelit të korrupsionit, ka vlerësuar raportin dhe rëndësinë e të dhënave sasiore të korrupsionit dhe bashkëpunimit ndërinstitucional. Ai ngriti shqetësimin për mënyrën se si trajtohen rastet e mosdeklarimit të pasurisë dhe për mungesën e politikave ndëshkuese efektive.

Ndërsa hulumtuesi nga IKD, Astrit Kolaj, theksoi dështimin e disa prej rasteve të profilit të lartë për shkak të mungesës së palëve në seanca, mungesën e profilizimit  të prokurorëve dhe gjyqtarëve, dhe njëherazi potencoi nevojën për fuqizimin e politikave kundër korrupsionit.

Raportin e plotë në gjuhën shqipe mund ta gjeni këtu:

Raportin e plotë në gjuhën angleze mund ta gjeni këtu:

Trajtimi i lëndëve të korrupsionit në dekadën e fundit në Kosovë, ndikimi i ndryshimeve legjislative Download