Lëvizja FOL ka monitoruar procesin e intervistimit të kandidatëve për pozitën e Drejtorit të Radio Kosovës
Prishtinë, 11 nëntor 2026 – Intervistës iu nënshtruan gjithsej shtatë kandidatë: Arsim Halili, Bajram Lani, Hysen Hundozi, Milaim Shefkiu, Pajazit Krasniqi, Rexhep Tershnjaku dhe Blerim Krasniqi. Ndërkaq, kandidati Jeton Bajgora ishte tërhequr nga gara, ndërsa kandidati Driton Beqiri nuk u paraqit në intervistë.
Gjatë monitorimit, Lëvizja FOL ka evidentuar disa çështje që ngritin shqetësime lidhur me transparencën dhe kushtet në të cilat është zhvilluar procesi.
Sa i përket metodologjisë së vlerësimit, intervistimi është zhvilluar mbi bazën e dy komponentëve të poentimit. Kandidatët janë vlerësuar deri në 40 pikë për prezantimin e konceptit të tyre, për të cilin kishin në dispozicion 10 minuta, ndërsa vlerësimi i përgjigjeve në pyetjet e parashtruara nga komisioni është vlerësuar deri në 10 pikë për secilën pyetje, me kohë prej 3 minutash për përgjigje. Kjo metodologji ka përcaktuar mënyrën e vlerësimit dhe kohën në dispozicion për secilin kandidat gjatë intervistimit.
Fillimisht, monitoruesit nuk u lejuan të jenë të pranishëm gjatë kohës kur komisioni përcaktonte pyetjet që do t’u parashtroheshin kandidatëve. Kjo e ka kufizuar mundësinë e monitorimit të plotë të një faze të rëndësishme të procesit të vlerësimit.
Kryetarja e komisionit, Aleksandra Jovanoviq, kërkoi nga monitoruesit që t’i largonin pajisjet elektronike, përfshirë telefonat dhe laptopët, me arsyetimin se pyetjet mund t’iu dërgohen kandidatëve të tjerë. Monitoruesit kundërshtuan këtë kërkesë, duke theksuar se këto pajisje janë mjete të domosdoshme pune dhe se një kufizim i tillë nuk parashihet në legjislacionin, rregulloret apo udhëzuesit e RTK-së. Kryesuesja e panelit pas konsultimeve të vazhdueshme me dikë përmes telefonit, lejoi përdorimin e laptopit, ndërsa telefonat u kërkua të vendoseshin në një tavolinë tjetër.
Pas përfundimit të intervistave, kryetarja e komisionit kërkoi nga monitoruesit që të mos publikojnë pikët e secilit kandidat, me arsyetimin se kandidatët duhet të njoftohen fillimisht nga komisioni për rezultatet e vlerësimit. FOL vlerëson se transparenca e procesit dhe informimi i publikut për rezultatet janë elemente të rëndësishme të llogaridhënies, veçanërisht në proceset e përzgjedhjes për pozita të larta drejtuese në transmetuesin publik.
Sa i përket procesit të vlerësimit, ai është zhvilluar pas përfundimit të secilës intervistë. Secili anëtar i komisionit ka bërë të ditura pikët e ndara për kandidatin, për secilën përgjigje të dhënë. Kjo mënyrë e vlerësimit ka mundësuar që poentimi të bëhet në mënyrë individuale nga secili anëtar i panelit dhe të jetë i evidentueshëm gjatë procesit të monitorimit. FOL vlerëson se publikimi i rezultateve të detajuara të vlerësimit është i rëndësishëm për të siguruar llogaridhënie dhe besueshmëri në procesin e përzgjedhjes.
Vlen të theksohet se të gjithë kandidatët që iu nënshtruan procesit të intervistimit për pozitën e Drejtorit të RTK Radios ishin burra, duke evidentuar mungesën e përfaqësimit gjinor të balancuar në mesin e kandidatëve për këtë pozitë drejtuese.
Po ashtu, kushtet fizike në të cilat janë zhvilluar intervistat nuk kanë qenë të përshtatshme, për shkak të temperaturave shumë të ulëta në hapësirën ku është mbajtur procesi.
Lëvizja FOL do të vazhdojë të monitorojë proceset e rekrutimit në institucionet publike, duke kërkuar transparencë, meritokraci dhe llogaridhënie.
Vlerësimi i kandidatëve:
Kandidati Pikët totale Përqindja
Bajram Lani 263 87.60%
Hysen Hundozi 238 79.30%
Milaim Shefkiu 234 78.00%
Arsim Halili 226 75.30%
Pajazit Krasniqi 220 73.30%
Rexhep Tershnjaku 176 58.60%
Blerim Krasniqi 136 45.30%