Lëvizja FOL monitoroi intervistat për pozitën e Zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm për Çështje Operative dhe Teknologjike në RTK
Prishtinë, 12 nëntor 2026 – Lëvizja FOL ka monitoruar procesin e intervistimit të kandidatëve për pozitën e Zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm për Çështje Operative dhe Teknologjike në Radio Televizionin e Kosovës (RTK), i cili u zhvillua sot, më 12 nëntor 2026.
Intervistës iu nënshtruan gjithsej gjashtë kandidatë: Hysen Hundozi, Parim Krraba, Fetah Gjata, Adnan Fejza, Jeton Bajgora dhe Elvana Prekazi. Ndërkaq, kandidati Driton Beqiri nuk u paraqit në intervistë.
Komisioni vlerësues përbëhej nga Besnik Mehmeti, kryesues, Aferdita Rushiti, anëtare, dhe Serboljub Kuzic, anëtar. Procesi u monitorua nga Blerim Ruhani, përfaqësues i Sindikatës së Punëtorëve të RTK-së, Veton Rugova, përfaqësues i Federatës Sindikale të RTK-së, dhe Lëvizja FOL.
Sa i përket metodologjisë së vlerësimit, intervistimi u zhvillua mbi bazën e dy komponentëve të poentimit. Kandidatët u vlerësuan deri në 40 pikë për prezantimin e konceptit të strategjisë të tyre, për të cilin kishin në dispozicion 15 minuta, si dhe deri në 10 pikë për secilën përgjigje në pyetjet e parashtruara nga komisioni, me kohëzgjatje prej tre minutash për përgjigje.
Gjatë këtij procesi, sikurse edhe në monitorimet e mëparshme, telefonat mobil u larguan nga përdorimi, si për anëtarët e komisionit, ashtu edhe për monitoruesit, me arsyetimin se pyetjet mund t’u përcillen kandidatëve të tjerë, ndonëse një gjë e tillë nuk figuron e shkruar në asnjë rregullore të RTK-së.
Një aspekt pozitiv i evidentuar gjatë monitorimit ishte mënyra e zhvillimit të procesit të vlerësimit. Pas përfundimit të secilës intervistë, anëtarët e komisionit bënin të ditura pikët e ndara për kandidatin për secilën përgjigje, duke ofruar edhe arsyetimin për vlerësimin e dhënë. Kjo praktikë mundësoi që poentimi individual i secilit anëtar të komisionit të ishte i qartë dhe i evidentueshëm gjatë monitorimit.
Lëvizja FOL vlerëson se publikimi i rezultateve të detajuara dhe arsyetimi i pikëve të ndara nga komisioni janë elemente të rëndësishme për garantimin e transparencës, llogaridhënies dhe besueshmërisë në procesin e përzgjedhjes.
Nga gjashtë kandidatët e intervistuar për këtë pozitë, vetëm një ishte grua. Ky fakt evidenton mungesën e përfaqësimit të balancuar gjinor në mesin e kandidatëve për këtë pozitë drejtuese.
Lëvizja FOL do të vazhdojë të monitorojë proceset e rekrutimit në institucionet publike, duke avokuar për transparencë, meritokraci dhe llogaridhënie.
Vlerësimi i kandidatëve:
Nr. Kandidati Totali i pikëve Përqindja
1. Fetah Gjata 279 93.00%
2. Elvana Prekazi 236 78.66%
3. Parim Krraba 225 75.00%
4. Hysen Hundozi 208 69.33%
5. Adnan Fejza 205 68.00%
6. Jeton Bajgora 164 54.66%