Bizneset e painformuara për ekzistimin e ligjit për mbrojtjen e sinjalizuesve

Prishtinë, 17 prill 2024

Lëvizja FOL, me mbështetjen e Aktivitetit të USAID-it për Integritet të Komunave të Kosovës, ka mbajtur tryezën e diskutimit në lidhje me sinjalizimin në sektorin privat, ku u shpalosen gjetjet e raportit të Lëvizjes FOL të titulluar: “Gjetjet e anketës mbi të kuptuarit dhe përceptimin e sinjalizimit nga punonjësit e sektorit privat”. Qëllimi i këtij raporti ishte që të vlerësohet niveli i informimit dhe perceptimi i subjekteve të sektorit privat për mekanizmin e sinjalizimit dhe se sa po zbatohet realisht ky mekanizëm në praktikë.

Pjesë e kësaj tryeze ishin: Përfaqësuesi i Aktivitetit të USAID-it për Integritet të Komunave të Kosovës, z. Stephen Carpenter, ; përfaqësuesi i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, z. Milot Shala; përfaqësuesi i Inspektoratit të Punës, z. Vesel Zhinipotokun; përfaqësues nga Aleanca Kosovare të Bizneseve, znj. Lumnije Ajdini; përfaqësuesi i subjektit privat Sh.P.K. “Liridoni”, z. Ngadhnjim Lajçi, si dhe përfaqësues të odave ekonomike në Kosovë dhe të organizatave të shoqërisë civile.

Drejtorja e Lëvizjes FOL, znj. Mexhide Demolli – Nimani, falënderoi pjesëmarrësit për prezencën dhe shpjegoj se kjo anketë vlerësoi shkallën në të cilën subjektet e sektorit privat janë të informuara për mekanizmin e sinjalizimit si dhe nivelin e zbatimit të Ligjit për Mbrojtjen e Sinjalizuesve në sektorin privat.

Përfaqësuesi i Aktivitetit të USAID-it për Integritet të Komunave të Kosovës, z. Stephen Carpenter, tha se gjetjet e Lëvizjes FOL tregojnë vlerën, dhe nevojën urgjente për përmirësimin e kësaj gjendjeje përmes trajnimeve. Sipas, z. Carpenter, përderisa sot ndajmë përvojat tona dhe strategjitë e ndryshme, të përqendrohemi më shumë për përmirësimin e kësaj fushe.

Hulumtuesja e Lartë në Lëvizjen FOL, znj. Albana Hasani, prezantoj gjetjet e këtij raporti. Përveç kësaj, znj. Hasani tha se për FOL gjetjet ishin rezultate befasuese, meqe është pritur që përqindja e bizneseve të painformuara në lidhje me sinjalizimin ka me qenë më e lartë, megjithatë, sipas saj, edhe këto shifra theksojnë domosdoshmërinë e ndërmarrjes së iniciativave për rritjen e informimit dhe ndërgjegjësimit të bizneseve lidhur me këtë ligj.
Drejtori i Departamenti për Planifikim Strategjik në Inspektoratin e Punës, z. Vesel Zhinipotoku, tha se këtë vit thuajse është filluar me një qasje më pozitive që të gjitha subjektet ekonomike të caktojnë zyrtarin përgjegjës për sinjalizim. Sipas z. Zhinipotoku, ka subjekte që paraprakisht i kanë caktuar personat përgjegjës, mirëpo sa janë efektiv lë për të dëshiruar. Gjithashtu, z. Zhinipotoku ndër të tjera tha se masa ndëshkimore nuk kanë shqiptuar për subjektet që nuk i kanë caktuar zyrtarët përgjegjës, përveç 1 rasti, në mënyrë që të punohet në preventivë dhe jo në ndëshkim.
U.D Udhëheqësi i Divizionit për Sinjalizim në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, z. Milot Shala, tha se gjendja është më e mirë në sektorin publik se sa në atë privat. Ai tha se agjencia është shumë e gatshme për të bashkëpunuar, sidomos në vetëdijesim dhe në trajnime.

Drejtorja e Aleancës Kosovare të Bizneseve, znj. Lumnije Ajdini, tha se situata reale nga bizneset është shumë më keq se sa që po e diskutojmë këtu. Bizneset nuk kanë qenë aspak të informuara as nga ministria as nga institucionet tjera relevante. Sipas znj. Ajdini, ky mekanizëm është shumë i vlefshëm sepse ka favore që e mbrojnë imazhin e kompanive në Kosovë. Gjithashtu, znj. Ajdini tha se numri i inspektorëve nuk është i mjaftueshëm për me e mbuluar këtë fushë.

Udhëheqësi i Departamentit Ligjor në Kompaninë ”Liridoni”, z. Ngazhnjim Lajçi, tha se mbetet sfiduese zbatimi i këtij mekanizmi sidomos kur ka të bëjë me ruajtjen e konfidencialitetit. Z. Lajçi tha se po vërehet në terren rritja e numrit të inspektorëve dhe sipas tij, kompania në të cilën punon ai kanë pasur vazhdimisht inspektime nga ky institucion.

Raportin e plotë mund ta gjeni këtu:

Raport: Gjetjet e anketës mbi të kuptuarit dhe perceptimin e sinjalizimit nga punonjësit e sektorit privat Download