Intervistat për anëtarët e Bordit të RTK-së: Rishpallet konkursi për përfaqësues të komunitetit shqiptar
Prishtinë, 10 nëntor 2026 – Lëvizja FOL ka monitoruar procesin e intervistimit të kandidatëve për katër pozitat e lira në Bordin e Radio Televizionit të Kosovës (RTK).
Procesi i intervistimit është zhvilluar nga Komisioni Ad Hoc, i përbërë nga 11 deputetë: Fadil Demaku, Arbrie Nagavci, Arbresha Kryeziu, Armend Zemaj, Alban Bajrami, Fitim Haziri, Branislav Nikoliqi, Valon Ramadani, Albana Bytyqi, Albert Kinolli dhe Ganimete Musliu. Deputeti Valon Ramadani ishte i pranishëm vetëm në njërën nga intervistat dhe, për këtë arsye, nuk mori pjesë në vlerësimin me pikë të kandidatëve.
Konkursi për dy pozitat e rezervuara për përfaqësuesit e komunitetit shqiptar do të rishpallet, pasi shumica e kandidatëve u tërhoqën nga gara. Në garë kishte mbetur vetëm kandidati Dardan Beqiri, i cili, si kandidat i vetëm, nuk mund të ftohej në intervistë.
Ndërkaq, nga katër kandidatët që kishin aplikuar për pozitat e përfaqësuesve të komunitetit serb, në intervistë u paraqitën vetëm dy: Ana Kostic dhe Tamara Jorgic.
Edhe për pozitën e përfaqësuesit të komuniteteve joshumicë kishin aplikuar katër kandidatë, por në intervistë morën pjesë vetëm dy prej tyre: Aldin Shabani dhe Zuleyha U. Mecihan.
Komisioni vendosi që secili kandidat të ketë në dispozicion 20 minuta për t’iu përgjigjur pesë pyetjeve, të cilat ishin dakorduar paraprakisht nga anëtarët e Komisionit. Pyetjet e përgatitura kishin për qëllim të vlerësonin njohuritë bazë të kandidatëve lidhur me institucionin dhe funksionimin e tij.
Për votim në Kuvend u dërguan që të katër kandidatët.
Nga komuniteti serb:
Ana Kostić – 532 pikë
Tamara Jorgić – 429 pikë
Nga komunitetet joshumicë:
Aldin Shabani – 890 pikë
Zuleyha U. Mecihan – 955 pikë
Sa i përket procesit të vlerësimit, edhe në këtë rast, deputetët nuk i bënë publike pikët e dhëna për secilin kandidat pas përfundimit të intervistave. Në vend të kësaj, u publikuan vetëm pikët e përgjithshme, duke mos mundësuar transparencë të plotë mbi mënyrën se si është bërë vlerësimi individual i kandidatëve nga secili deputet.