Informimi dhe perceptimi i qytetarëve lidhur me paraqitjen e ankesave disiplinore kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve

Sot Lëvizja FOL ka organizuar konferencën “Sfidat e zbatimit të Ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve”, ku janë prezantuar gjetjet e raportit: “Informimi dhe perceptimi i qytetarëve lidhur me paraqitjen e ankesave disiplinore ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve”.

Folës në këtë konferencë ishin: Ministrja e Drejtësisë, znj. Albulena Haxhiu; zv. Avokati I Popullit, z. Niman Hajdari; z. Nicola Scaramuzzo, nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe z. Gëzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi – IKD.

Folësit kanë diskutuar mbi rëndësinë dhe sfidat e zbatimit të Ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke vënë theksin mbi rëndësinë e zbatimit të duhur të tij duke siguruar që gjyqtarët dhe prokurorët të mbahen përgjegjës sipas standardeve më të larta, duke nxitur një proces gjyqësor të drejtë dhe transparent.

Ministrja e Drejtësisë, znj. Albulena Haxhiu në fjalën e saj ka theksuar rëndësinë e këtij ligji për të rritur llogaridhënien e prokurorëve dhe gjyqtarëve. Po ashtu, ministrja Haxhiu tha se Ministria e Drejtësisë është në fazën finale të plotësim- ndryshimit të Ligjit për përgjegjsinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe adresimit të gjetjeve dhe rekomandimeve.

Ndërsa zv.Avokati i Popullit, z. Niman Hajdari ka diskutuar mbi mundësinë e qytetarëve që t’i drejtojnë ankesat te zyra e Avokatit të Popullit dhe mbi procedurat që qytetarët duhe t’i ndërrmarrin për t’i paraqitur ato. Z.Nimani potencoi që gjatë vitit 2022 ka pranuar 9 ankesa nga qytetarët, kurse ne vitin 2023 ka pasur rritje të numrit të ankesave.

Z.Nicola Scaramuzzo nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka potencuar rëndësine e organizatave të shoqërisë civile për t’i mbajtur institucionet më llogaridhënëse dhe transparente përmes punës së tyre në fushën e sundimit të ligjit.

Z.Gëzim Shala nga Instituti I Kosovës për Drejtësi ka vlerësuar raportin e publikuar nga FOL, i cili analizon trajtimin e rasteve të përgjegjësisë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve njëashtu informimin dhe perceptimin e qytetarëve mbi këtë ligj. Njëashtu, z.Shala ka cekur që sfida kryesore mbi këtë ligj mbetet tek arbitrariteti i gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe qasja selektvive e tyre mbi këtë ligj.

Raportin e plotë mund ta lexoni këtu

Full report in english

Kjo konferencë është organizuar në kuadër të projektit “Ngritja e vetëdijes dhe besimit të qytetarëve në institucionet e sistemit të drejtësisë” , mbështetur nga Bashkimi Evropian.

Informimi dhe perceptimi i qytetarëve lidhur me paraqitjen e ankesave disiplinore kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve Download