Çmimi për Guxim Qytetar për vitin 2025 shkon për aktivistët Flutura Kusari, Ehat Miftaraj, Eugen Cakolli, Agon Maliqi, Xhemajl Rexha,  Albert Krasniqi

Prishtinë, 15 dhjetor 2023 – Lëvizja FOL organizoi ceremoninë e fund vitit me ç‘rast u bë edhe ndarja e Çmimit për Guxim Qytetar, çmim ky i cili këtë vit shkon për aktivistët: Flutura Kusari, Ehat Miftaraj, Eugen Cakolli, Agon Maliqi, Xhemajl Rexha,  Albert Krasniqi, të cilët e kanë ngritur zërin aty ku rrezikohej demokracia, liria dhe integriteti institucional – duke dëshmuar se guximi qytetar vazhdon të jetë forca më e rëndësishme që mbron shoqërinë tonë.

Mexhide Demolli Nimani, Drejtore e Lëvizjes FOL, tha se sot më shumë se kurrë, kemi nevojë aktivistë të guximshëm. “Në një shoqëri ku mbrojtja e vlerave demokratike kërkon më shumë se mirëkuptim – kërkon guxim – aktivistët janë zëri që nuk lejon heshtjen të bëhet normë. Në një mjedis ku liria e shprehjes, integriteti institucional dhe të drejtat qytetare shpesh sfidohen, janë individët e përkushtuar ata që e mbajnë të ndezur dritën e llogaridhënies”, tha Demolli-Nimani. Sipas saj, me këtë ndarje çmimesh, ne nderojmë ata që, përkundër presioneve, sulmeve dhe tentativave për t’i heshtur, kanë mbetur të palëkundur në mbrojtje të interesit publik.

Luljeta Plakolli-Kasumi, anëtare e Bordit Këshillëdhënës të Lëvizjes FOL tha se themel i një shoqërie është zëri qytetar. “Faleminderit që keni zgjedhur zërin dhe që refuzoni të mbeteni indiferentë. Janë pikërisht njerëzit që nuk heshtin ata që e mbajnë gjallë interesin publik”, tha ajo.

……..

Aktivistja Flutura Kusari ngriti vazhdimisht zërin në mbrojtje të lirisë së shprehjes dhe të medias. Ajo avokoi për mbrojtje më të madhe të gazetarëve dhe kundërshtoi fuqishëm diskursin armiqësor që pushteti përdori ndaj gazetarëve dhe aktivistëve. Ajo ka avokuar kundër aprovimit të Ligjit për Komisionin e Pavarur të cilin pastaj e rrëzoi Gjykata Kushtetuese. Për shkak të aktivizmit të saj, ajo është ndër aktivistet më të sulmuara gra nga eksponentë të pushtetit.

……

Aktivisti Ehat Miftaraj ka luajtur rol kyç në ngritjen e zërit për transparencë dhe llogaridhënie në sektorin publik. Ai ka punuar fuqishëm për të ekspozuar praktikat korruptive në sektorin publik, përfshirë shkeljet në sistemin prokurorial dhe gjyqësor, shkeljet nga pushteti ekzekutiv, shkeljet kushtetuese dhe cenimin e të drejtave dhe lirive të njeriut. Miftaraj për shkak të qëndrimeve të tij publike ka qenë cak i sulmeve të papërshtatshme me theks të veçantë nga eksponent të partisë në pushtet dhe personave të asociuar me partinë në pushtet.

 ……

Aktivisti Eugen Cakolli ka qenë një nga figurat kryesore të shoqërisë civile në mbrojtje të integritetit zgjedhor, proceseve demokratike dhe funksionimit të institucioneve. Gjatë gjithë vitit ai ka ngritur në debatin publik shqetësimet lidhur me standardet e integritetit publik, përfshirë menaxhimin e proceseve zgjedhore, funksionimin dhe kufizimet e mandatit të Qeverisë në detyrë, si dhe bllokadën e zgjatur institucionale në Kuvend. Për shkak të angazhimit të tij në këto fusha – përmes artikulimit të shkeljeve procedurale, devijimeve nga standardet kushtetuese dhe keqpërdorimet e kompetencave institucionale – ai është ballafaquar me sulme dhe presione të vazhdueshme, si në rrjetet sociale dhe ashtu edhe në jetën e përditshme, nga eksponentë të pushtetit dhe mbështetësit e tyre.

…..

Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), Xhemajl Rexha është angazhuar gjatë gjithë vitit në mbrojte të sigurisë së gazetarëve në Kosovë dhe kundër sulmeve dhe fushatave denigruese kundër tyre online, të udhëhequra nga Qeveria dhe partia në pushtet. Rexha dhe AGK janë angazhuar në përkrahje të protestës dhe grevës së gazetarëve dhe punonjësve të tjerë të RTK-së që mbetën pa rroga dy herë brenda vitit. Rexha ka qenë i zëshëm në kritikën për Qeverinë dhe Kuvendin që miratoi Ligjin anti-kushtetues të KPM-së dhe për kontrollin partiak mbi Transmetuesin Publik, RTK. Ai ka qenë cak i sulmeve të vazhdueshme online nga përkrahës të pushtetit, duke përfshirë deputetë. Dy persona kanë aktakuzë për veprën penale “Kanosje” për shkak të kërcënimeve me jetë ndaj tij. Në vitin 2025, Rexha u votua për anëtar të Bordit Drejtues të Federatës Evropiane të Gazetarëve (EFJ), organizatë që përfaqëson mbi 300.000 gazetarë në kontinent.

…..

Aktivisti Albert Krasniqi është angazhuar në mënyrë të vazhdueshme në çështje që lidhen me funksionimin kushtetues të institucioneve në Kosovë, ruajtjen e integritetit të proceseve zgjedhore dhe garantimin e barazisë së garës politike. Angazhimi i tij ka përfshirë analizimin dhe kundërshtimin e veprimeve dhe praktikave që cenojnë rendin kushtetues, demokracinë dhe mbrojtjen e lirive dhe të drejtave politike. Përmes hulumtimeve, analizave dhe qëndrimeve të tij publike, ai ka adresuar shkeljet në financimin e fushatave zgjedhore dhe praktikat që dëmtojnë interesin publik dhe besimin qytetar. Për shkak të angazhimit dhe qëndrimeve të tij publike, Krasniqi ka qenë shpesh cak i sulmeve dhe presioneve nga eksponentë të pushtetit dhe persona të afërt me ta.

………

Agon Maliqi, përmes angazhimit të tij publik, ka sfiduar dhe dekonstruktuar përpjekjen sistematike të pushtetit për t’i instrumentalizuar krizat e sigurisë dhe tensionet me Serbinë si mjete për shtypjen e mendimit kritik dhe të të drejtave demokratike. Nëpërmjet shkrimeve dhe ndërhyrjeve publike, Maliqi ka avokuar për çmontimin e narracioneve populliste dhe militariste mbi dialogun me Serbinë dhe situatën në veriun e Kosovës — narracione këto të nxitura dhe të përforcuara nga politika zyrtare — duke vënë në pah pasojat e tyre të dëmshme për sigurinë, rendin kushtetues dhe perspektivën euro-atlantike të Kosovës. Si pasojë e këtyre qëndrimeve, Maliqi ka qenë objekt i vazhdueshëm i sulmeve, etiketimeve dhe kërcënimeve nga individë dhe rrjete të lidhura me partinë në pushtet.