Punëtoria e dytë në lidhje me nevojën për anonimizimin e të dhënave personale e vendimeve gjyqësore

Lëvizja FOL ka zhvilluar sot punëtorinë e dytë në lidhje me nevojën për anonimizimin e të dhënave personale në përmbajtjen e vendimeve gjyqësore, me synim rritjen e transparencës së sistemit gjyqësor.

Kjo punëtori është organizuar në kuadër të Javës për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe ka për qëllimi të mundësoj një diskutim konstruktiv ndërmjet akterëve kyç, duke u fokusuar veçanërisht në vlerësimin e efektivitetit të kornizës ekzistuese ligjore në harmonizimin e tre aspekteve kryesore: të transparencës, privatësisë dhe administrimit të drejtë të drejtësisë në Kosovë.

Ky aktivitet u mbështet nga Departamenti i Shtetit Amerikan, përmes Byrosë Ndërkombëtare për Çështje të Narkotikëve dhe Sundim të Ligjit (INL).

FOL ka realizuar punëtorinë një ditore në Podgoricë

Podgoricë, 20 dhjetor 2023 – Lëvizja FOL me mbështetjen e UNDP Kosovo dhe në bashkëpunim me Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit/ Agencija za Sprečavanje Korupcije, ka realizuar punëtorinë një ditore në Podgoricë me disa zyrtarë raportues të institucioneve të Kosovës për sa i përket Planeve të Integritetit.

Qëllimi i kësaj punëtorie ishte njohja nga afër me mekanizmat raportues dhe monitorues të planeve të integritetit nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit të Malit të Zi .

Lëvizja FOL ka mbështetur gjithsej njëmbëdhjetë institucione publike në hartimin e këtyre planeve. Gjatë periudhës shtator-nëntor janë mbajtur punëtoritë/trajnimet me grupet punuese të këtyre institucioneve : Agjencia për Informim dhe Privatësi; Ministria e Ekonomisë; Akademia e Drejtësisë; Zyra e Kryeministrit; Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror; Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës; Ministria e Drejtësisë; Fondi i Sigurimeve Shëndetësore; Zyra Kombëtare e Auditimit; Komisioni Qendror i Zgjedhjeve si dhe Universiteti “Kadri Zeka”.

Planet e Integritetit janë obligim ligjor i paraparë në ligjin e ri për Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit. Ky dokument ka për qëllim të identifikojë proceset e ndjeshme ndaj sjelljeve dhe veprimeve që mund të jenë korruptive.

UNDP Kosovo

Swiss Development & Cooperation

Embassy of Sweden in Pristina

FOL dhe IKD: Komisioni i Venecias s’i përkrahu ndryshimet e MD-së për rritjen e përkohshme të anëtarëve të KPK-së në 19 deri në janar të vitit 2026

Prishtinë, 20 dhjetor 2023 – Komisioni i Venecias, në opinionin e publikuar me 18 dhjetor 2023 për Projektligjin e ri për Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK), nuk i ka mbështetur ndryshimet e reja sa i përket rritjes së përkohshme të numrit të anëtarëve në KPK në 19 anëtarë deri në janar të vitit 2026, ndryshime këto të propozuara me versionin e ri të Projektligjit për KPK, pas ndryshimeve të bëra nga Ministria e Drejtësisë. Sipas Projektligjit deri më 11 janar të vitit 2026, KPK-së parashihej ti shtohen edhe tetë ( 8 ) anëtarë jo-prokurorë të zgjedhur me shumicë të thjeshtë nga Kuvendi.

Megjithatë, rritja e përkohshme nuk është përkrahur nga opinioni i 18 dhjetorit 2023 të Komisionit të Venecias, ku ndër të tjera ky opinion thekson se: “Një Këshill prej 19 anëtarësh me kohë të plotë në një shtet me pak më shumë se dyqind prokurorë duket tepër i madh. Megjithatë, nëse kjo është arsyeja, nuk është e qartë se mbi çfarë parimi ligjvënësi propozon rritjen e anëtarësimit në mënyrë kaq dramatike vetëm për ta ulur atë në mënyrë drastike pas vetëm dy vjetësh”. [CDL-AD(2023)043, par 65]. Kjo nuk është hera e parë që Komisioni i Venecias nuk rekomandonte rritjen e numrit të anëtarëve të KPK-së në një vend të vogël si Kosova. Njëjtë kishte rekomanduar edhe në opinionin e muajit tetor 2021, lidhur me draft ligjin për KPK: “KPK do të bëhej shumë e madhe (mbi më shumë se 20 anëtarë), në raport me numrin e vogël të prokurorëve në Kosovë. Kjo zgjidhje sigurisht se do të ishte shumë e kushtueshme….” [CDL- AD (2021)051, Kosova, par. 61].

Komisionit i Venecias nuk e konteston faktin që ka rrezik të korporatizmit në përbërjen aktuale të KPK-së, megjithatë sipas Komisionit shtimi i tetë ( 8 ) anëtarëve jo prokurorë në KPK rrit rrezikun e politizimit të Këshillit, kjo pasi anëtarët shtesë që zgjedhen nga Kuvendi do të mund të zgjedhen nga shumica qeverisëse. “Edhe nëse ndryshimi i përbërjes mund të thuhet se është projektuar si një masë e jashtëzakonshme e vetme për të eliminuar kulturën e korporatizmit, një ndryshim i tillë po futet në një klimë polarizimi, do të jetë funksional vetëm për një periudhë të shkurtër kohore, më pak se dy vjet në skenarin më të mirë), është i mbushur me rreziqe bllokimesh dhe politizimi dhe krijon dyshimin se “KPK-ja e zgjeruar” do t’i nënshtrohet një ndikimi të konsiderueshëm politik përpara se të krijohet “KPK e reduktuar”. [CDL-AD(2023)043, par 62].

Se propozimi i MD-së ishte në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Strategjinë për Sundimin e Ligjit dhe vet opinonet e Komisionit të Venecias ishte paralajmëruar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) përmes komenteve të dërguara në MD në maj të 2023, dhe komenteve të dërguara grupit punues në qershor 2023. Analiza dhe komentet e IKD, janë pothuajse identike me komentet dhe rekomandimet e ofruara nga vet opinioni i Komisionit të Venecias që u publikua para disa ditësh.

Për më tepër, IKD dhe Lëvizja “FOL” kishin reaguar edhe publikisht me reagimin e 17 korrikut 2023, ku theksohej se përbërja me numër kaq të madh të anëtarëve të KPK-së, nuk është hasur as në vendet e rajonit e as më gjerë dhe se kjo zgjidhje ishte në kundërshtim me opinionet e Komisionit të Venecias.

Tutje, IKD dhe “FOL” kishin kundërshtuar edhe çështjen e kuorumit ku sipas Projektligjit kuorumi deri më 11 janar të vitit 2026, formohet me gjysmën e anëtarëve të zgjedhur të Këshillit [Neni 21.3. i Projektligjit]. Në rast se të gjithë anëtarët e Këshillit zgjedhën, kuorumi formohet me dymbëdhjetë (12) anëtarë. Ky rregull zbatohet deri më 11 janar të vitit 2026 [Neni 21.3. i Projektligjit]. Kjo sipas IKD-së dhe FOL rrezikonte skajshmërisht politizimin e Këshillit, duke përfshirë rrezikun për bllokim të tërësishëm të vendimmarrjes, kjo pasi nëse zgjedhen të gjithë anëtarët jo prokurorë atëherë kuorumi do të formohet me 12 anëtarë të KPK-së, që në çdo rast do të krijonte një varësi nga shumica qeverisëse. Për të mos ardhur deri tek një bllokadë në vendimmarrje, ku interesat e ngushta të asnjë grupi nuk do të mbizotëronin, në opinionin e dytë, Komisioni i Venecias kishte rekomanduar që ligjvënësi kosovar, në koordinim me partnerët e tjerë të përcaktojë parametra specifikë të mekanizmave kundër-bllokadë, që KPK të mund të marrë vendime edhe kur anëtarët prokurorë dhe jo prokurorë nuk mund të arrijnë kompromis, e që në rastin konkret ky rekomandim i Venecias nuk ishte adresuar nga MD në Projektligjin e ri, as në përbërjen prej 19 anëtarëve as kur KPK do të mbetej vetëm me shtatë (7) anëtar pas vitit 2026. [CDL-AD(2022) 006, Kosova, par 15].

Edhe lidhur me këtë çështje, Komisioni i Venecias në opinionin e fundit, ka theksuar se çështja e kuorumit edhe nëse zgjedhen të gjithë anëtarët e KPK-së mund të rezultojë lehtësisht në një paralizë të KPK-së, ku ekziston rrezik i konsiderueshëm i bllokimeve nëse anëtarët joprokurorë të emëruar nga Kuvendi zgjedhin të mos marrin pjesë në mbledhje, duke paralizuar kështu veprimtarinë e KPK-së. Sipas Komisionit të Venecias, për të eliminuar mundësinë e bllokimeve, është rekomanduar që ligji të parashikojë masa disiplinore më të rrepta dhe efektive për mospjesëmarrje efektive në aktivitetet e KPK-së pa arsyetim të vlefshëm. [CDL-AD(2023)043, par 68].

Tutje, sa i përket zgjedhjes së tre (3) anëtarëve jo prokurorë nga Kuvendi, Komisioni i Venecias ka rekomanduar që të gjindet një zgjidhje e cila do të siguronte kontributin e ekspertëve dhe institucioneve të pavarura në procesin e përzgjedhjes. Komisioni nuk është bindur se mënyra dhe procedura e përzgjedhjes së tre (3) anëtarëve të zgjedhur nga Kuvendi ka trajtuar thelbin e rekomandimit të mëparshëm, i cili kërkonte të sigurohej një përbërje pluraliste e KPK-së me qëllim për të reduktuar rrezikun e politizimit në zgjedhjen e anëtarëve jo prokurorë. Ky propozim sipas Komisionit do të duhet të përpunohet më tutje për të vendosur një ekuilibër të drejtë midis rrezikut të korporatizmit në një KPK të dominuar nga anëtarët e prokurorë dhe rrezikut të politizimit të anëtarëve jo prokurorë të zgjedhur nga Kuvendi.

IKD dhe Lëvizja “FOL” në reagimin e bërë me 17 korrik 2023, kishin theksuar se dispozitat e Projektligjit të ri për KPK nuk ishin në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Strategjinë për Sundim të Ligjit dhe Opinionet e Komisionit të Venecias, duke konsideruar se ndryshimet e reja paraqisnin politizim objektiv të Këshillit. Si rrjedhojë, sipas IKD-së këto manovrime ishin vështirë të kalueshme në Gjykatën Kushtetuese, nëse eventualisht edhe ky Projektligj i nënshtrohet vlerësimit të kushtetutshmërisë nga ana e Gjykatës Kushtetuese me përmbajtjen që e ka aktualisht.

Në anën tjetër, duhet theksuar se IKD pas vënies në konsultim publik të këtij Projektligji nga Ministria e Drejtësisë, kishte dërguar komente në lidhje me këtë projektligj duke ofruar një zgjidhje adekuate dhe të përshtatshme lidhur me përbërjen e anëtarëve të KPK-së në të ardhmen, në harmoni me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese ku me vendimin e kësaj të fundit veçse është humbur mundësia e shkurtimit të mandateve të anëtarëve aktual. Sipas IKD-së, në mënyrë që të shmangej përbërja “korporatiste”, por edhe të bëhej balancimi në mes të përfaqësuesve të prokurorëve dhe kuvendit, KPK duhet të ketë shtatë (7) anëtarë, ku dy (2) anëtarë të zgjedhur nga sistemi prokurorial dhe Kryeprokurori i Shtetit sipas detyrës zyrtare dhe katër (4) anëtarë të zgjedhur nga Kuvendi, një prej të cilëve duhej të jetë prokurorë.

Me këtë përbërje, sipas IKD-së, prokurorët nuk do ta kishin shumicën në KPK por se këtë shumicë do ta kishte Kuvendi. Në anën tjetër kjo nuk mund të konsiderohej se Kuvendi e mbisundon me përbërje KPK, për faktin se Kuvendi do të obligohej që të paktën njërin nga anëtarët e saj ta zgjedhë një prokuror. Rrjedhimisht, në KPK do të ishin katër (4) prokurorë, njëri prej të cilëve zgjedhet nga Kuvendi. Kjo përbërje do të krijonte një balancë adekuate në mes të numrit të anëtarëve të KPK-së që zgjedhen nga sistemi prokurorial dhe atyre që zgjedhen nga Kuvendi.

IKD kishte paraparë që ripërtërija e përbërjes së KPK-së të jetë e përshkallëzuar kjo pasi sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese nuk mund të i’u merret mandati anëtarëve aktual të KPK-së dhe sipas IKD-së zgjidhja adekuate në këtë situatë do të ishte duke ruajtur mandatet aktuale të anëtarëve. Sipas IKD-së në dispozitat kalimtare, do duhej përcaktuar se deri me 1 janar 2026, kur KPK mbetet me dy anëtarë, përkatësisht një anëtarë prokuror dhe Kryeprokurori i Shtetit, anëtarët e KPK-së të cilët përfundojnë mandatin nuk do të kishin mundësi që të zëvendësoheshin me anëtarë të tjerë. Gjatë vitit 2025, Kuvendi do të duhej të zhvillonte procedurat për përzgjedhjen e katër (4) anëtarëve të KPK-së ku secili prej tyre, do të fillojë mandatin më 1 janar 2026, kur Këshilli do të mbetej me dy (2) anëtarë. Njëkohësisht, edhe sistemi prokurorial do ta zgjedhë edhe një anëtarë të KPK-së dhe si rrjedhojë, më 1 janar 2026, KPK do të ishte e kompletuar me shtatë (7) anëtarë.

Megjithatë, këto komente ishin injoruar nga Ministria e Drejtësisë, e cila kishte zgjedhur një rrugë të shkurtër dhe jo adekuate.

Pas opinionit të Komisionit të Venecias, FOL dhe IKD rekomandon që të merren parasysh rekomandimet dhe konstatimet e dhëna nga opinioni i fundit i Komisionit të Venecias në mënyrë që të mos përsëriten gabime të ngjashme dhe të ketë vonesa të panevojshme, ku potencialisht edhe Projektligji i ri do ta ketë fatin e njëjtë sikurse i kaluari duke mos kaluar filtrin e Gjykatës Kushtetuese nëse dërgohet në këtë të fundit.

FOL mirëpret vendimin e Kuvendit të Kosovës për përsëritjen e konkursit për Anëtarët e Bordit të RTK-së

Prishtinë, 15 dhjetor 2023 – Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës asnjëri nga kandidatët e propozuar për votim nuk arriti të marrë votat e nevojshme për të qenë anëtar i Bordit të RTK-së.

FOL kishte monitoruar procesin e intervistimit dhe kishte kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që propozimet e kandidatëve ti trajtoj me seriozitet të lartë dhe me mundësinë e ripërsëritjes së konkursit, në mënyrë që të respektohen parimet e meritokracisë për pozitat e zgjedhura në institucionet me interes publik siç është Radio Televizioni Publik i Kosovës.

Gazetarët fitojnë Çmimin për Guxim Qytetar për vitin 2023

Prishtinë, 13 dhjetor 2023 – Në ndejën e fundvitit të organizuar nga FOL u bë edhe ndarja e Çmimit për Guxim Qytetar i cili këtë vit shkon për gazetarët, kameramanët dhe fotoreporterët që raportuan nga veriu i vendit pa mjete mbrojtëse duke rrezikuar kështu jetën e tyre për informimin e qytetarëve.

Mexhide Demolli Nimani, Drejtore e Lëvizjes FOL, tha se sot më shumë se kurrë, kemi nevojë për gazetarë të guximshëm. “Andaj le te jemi zëri i tyre dhe mburoja e tyre kundër çdo kërcënimi.”

Gazetaria e lirë dhe e paanshme është një shtyllë themelore e një shoqërie të shëndoshë dhe demokratike. Po ashtu, është jetike të dënojmë çdo formë dhune ndaj gazetarëve dhe të mbrojmë të drejtën e tyre për të raportuar pra frikë”, tha ajo.

Në emër të të gjithë gazetarëve që raportuan nga veriu i vendit çmimin e pranoi Kryetari i Bordit të AGK-së, Xhemajl Rexha.

Rexha falenderoj FOL-in për vlerësimin dhe tha se ky ka qenë një vit shumë i vështirë për gazetarët ku vetëm gjatë raportimeve nga veriu janë evidentuar 30 sulme ndaj gazetarëve. “Gjithashtu vlen të theksohet se shumica e gazetarëve që raportuan nga veriu ishin vajza dhe gra të cilat vërtetë rrezikuan shumë”, tha Rexha.

FOL po ashtu ndau mirënjohje Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK për angazhimin në sensibilizimin e publikut për rreziqet në të cilat gazetarët, kameramanët dhe fotoreporterët janë ballafaquar gjatë raportimeve në veri të vendit.

Poashtu mirënjohje iu nda edhe Flutura Kusarit, për përkushtimin e saj dhe dedikimin e jashtëzakonshëm në sigurimin e mjeteve mbrojtëse për gazetarët, kameramanët dhe fotoreporterët që raportojnë nga terrenet me rrezikshmëri.

Performanca “Realitetet e papame të transparencës radikale”

Prishtinë, 9 dhjetor 2023 – Sot shënuam Ditën Ndërkombëtare për Luftimin e Korrupsionit, për luftimin e një prej sfidave më të mëdha shtetërore dhe shoqërore, me ndikim kaq të madh në cilësinë e jetës tonë sociale dhe progresit institucional.

Korrupsioni nuk është kategori abstrakte, por e prekshme çdo ditë në jetën tonë. Me të gjitha format e shfaqjes së tij, ky fenomen rrezikon rëndë vlerat e përbashkëta shoqërore, degradon shpejt sistemin shëndetësor, i përul dhe stagnon përpjekjet për zhvillimin e arsimit të vendit, shkatërron mjedisin jetësor dhe dëmton shëndetin e qytetarëve, zmadhon pabarazitë e mëdha sociale dhe ekonomike, sfidon drejtpërdrejt zhvillimin ekonomik, legjitimitetin e përfaqësuesve të zgjedhur dhe besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë, si dhe krijon kushte të përshtatshme për përhapjen e krimit të organizuar dhe dukurive të tjera negative.

Luftimi i korrupsionit në Kosovën tonë kërkon veprim sistematik dhe bashkëpunim zingjiror të institucioneve publike, si dhe përfshirje aktive të të gjithë qytetarëve.

Krijimi i politikave të qëndrueshme, reformimi legjislativ, si dhe ndërtimi i institucioneve të forta, janë disa nga parakushtet për triumfim të gjithëmbarshëm në luftën kundër korrupsionit.

Raportet e ndryshme që analizojnë gjendjen faktike të rezultateve nga lufta kundër korrupsionit në Kosovë theksojnë se Kosova gjendet në stade të hershme të luftimit të korrupsionit.

Përpjekjet për pavarësi dhe paanshmëri të sistemit të drejtësisë ende vazhdojnë të mbeten sfiduese.

Rekomandimet e organizatave kredibile të vendit tregojnë se ndërhyrja e politikës, administrata joefikase dhe prania e lartë e korrupsionit janë pengesat kryesore për zbatimin e mekanizmave ekzistues për luftimin e korrupsionit.

Si konkluzion i pasqyrës së madhe, thuhet se Kosova ka punë të madhe para vetes në luftimin e korrupsionit dhe se ka ende shtigje për të shkelur deri në zbatimin në mënyrë adekuate të legjislacionit anti-korrupsion.

Është detyra jonë që të punojmë për të luftuar këtë fenomen, dhe të krijojmë një shoqëri të drejtë dhe të barabartë.

Pa këtë, demokracia dhe shtetësia do të na mbeten vetëm fjalë të thurura mirë në letër.

Ne, si Lëvizje FOL, Ditën Ndërkombëtarë kundër Korrupsionit kemi vendosur t`a shënojmë përmes një performance artistike, të emëruar si “Realitetet e papame të transparencës radikale”.

Vepra në prapavijë është, krijim i artistit Driton Selmani.

Performanca “Realitetet e papame të transparencës radikale” përmes fjalës dhe dritës shpërfaqen në këtë instalacion bashkëkohor, duke kombinuar fjalën, zërin dhe dritën.

Duke përmbysur gjuhën publike përmes formave jotradicionale, videoja pret narrativën e padurueshme të premtimeve të shkeluna të pushtetit.

Kjo performancë nxjerr në pah realitetin aktual të zotimeve të pambajtuna, duke përdorë disponimin hamendësues për të dekonspiruar boshllëkun e autoriteteve. Nën tingujt e trompetës vepra bëhet kontradiktë e kohës së vet, duke kapë tensionin mes fjalëve të shkeluna dhe duke i kthy ato në tinguj radikalë.

Peisazhi i portretizuem pasqyron demokracinë e shkërmoqun, shpërfilljen dhe braktisjen – gjë që pasqyron nevojën e madhe për rimëkambje shoqënore.

Finalja e veprës ‘Le t’ketë dronë’ zbulon një koreografi radikale në vallen e transparencës së kalbun – një vështrim bindës që i shtyn shikuesit të përballen me mbeturinat e premtimeve të pambajtura në sferën socio-politike.

Lufta kundër korrupsionit padyshim se mund të zhvillohet edhe përmes artit, në mënyrë që t’i çlirojmë ‘barrierat e hekurta’ në zhvillimin progresiv të demokracisë tonë të re.

Këto barriera që na i ka vendosur korrupsioni, qoftë i nivelit të lartë apo jo, nuk mund t’i thyejmë asnjëherë ndryshe: përveçse duke luftuar në mënyrë të përbashkët!

Duke krijuar sinergjinë e duhur drejt luftimit aktiv të këtij fenomeni, çdo hallkë institucionale duhet të veproj, ndërsa secili prej nesh do të jetë falënderues.

*Ky aktivitet është financuar nga Rockefeller Brothers Fund. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e Lëvizjes FOL dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Rockfeller Brothers Fund.

#BashkeKunderKorrupsionit#levizjafol#institutiikosovesperdrejtesi#iniciativapërprogres

Lëvizja FOL dhe PIPS organizojnë diskutimin me temën “Ndikimi i korrupsionit në negociatat për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian”

Prishtinë, 08 dhjetor 2023 – Mexhide Demolli-Nimani, drejtoreshë e Lëvizjes FOL, të premten në tryezën e organizuar me temën “Ndikimi i korrupsionit në negociatat për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian”, ka thënë se ndikimi i korrupsionit në negociatat për anëtarësimin e Kosovës në BE, është i dukshëm dhe i drejtpërdrejtë.

Fillimisht, Demolli-Nimani tha se përderisa Kosova synon integrimin në BE, ndër problemet tjera sfidë mbetet korrupsioni.

“Kjo pengesë, jo vetëm që minon besimin e qytetarëve në institucionet tona, por edhe vë në dyshim seriozitetin e angazhimit tonë për vlerat evropiane”, tha ajo.

Sipas saj, korrupsioni pengon progresin e reformave, ndikon negativisht në ekonominë dhe krijon një imazh të paqëndrueshëm për vendin tonë, në sytë e partnerëve ndërkombëtarë.

E njëjta ka theksuar se është jetike që të ndërmarrim hapa konkret, për të luftuar këtë fenomen.

Sipas Demolli-Nimanit, ajo që shihet si nevojë e menjëhershme është zbatimi me rigorozitet i legjislacionin kundër korrupsionit.

“Kjo do të thotë, zbatim të plotë dhe të paanshëm të ligjeve, si dhe ndëshkimi i atyre që shkelin këto ligje, pa marrë parasysh pozitën apo statusin e tyre”, tha tutje ajo.

Demolli-Nimani, po ashtu, ka thënë se është thelbësore që institucionet tona të rrisin transparencën.

“Qytetarët duhet të kenë qasje të hapur në informacione mbi mënyrën se si merren vendimet dhe si shpenzohet paraja publike. Kjo do të ndihmonte në ndërtimin e një qeverisjeje më të përgjegjshme dhe në zvogëlimin e mundësive për korrupsion”, tha Demolli-Nimani.

Sipas saj, bashkëpunimi ndërkombëtar është çelësi dhe se  Kosova duhet të punojë ngushtë me Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe organizatat ndërkombëtare për të ndërtuar kapacitete dhe për te ndarë praktikat më të mira në luftën kundër korrupsionit.

“Sepse në këtë mënyrë, ne jo vetëm që do të përmirësojmë shanset tona për anëtarësim në BE, por edhe do të ndërtojmë një Kosovë me të fortë, më të drejtë dhe më të qëndrueshme për të gjithë qytetarët tanë”, tha e njëjta.

Lëvizja FOL,  të premten ka organizuar tryezën me temë diskutimi “Ndikimi i korrupsionit në negociatat për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian”, aktivitet ky në kuadër të “Javës Kundër Korrupsion 2023”, e cila organizohet me moton “Bashkë kundër Korrupsionit”, nga Koalicioni i Organizatave të Shoqërisë Civile, i përbërë nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Lëvizja FOL dhe Iniciativa për Progres (INPO).

Java Kundër Korrupsion organizohet falë mbështetjes së Departamentit të Shtetit Amerikan – Byrosë për Çështje të Narkotikëve Ndërkombëtarë dhe Zbatimit të Ligjit (INL).

Sot lansuam fillimin e projektit “Kosovo Green Action”

Prishtinë, 30 nëntor 2023 – Sot lansuam fillimin e projektit “Kosovo Green Action”, një nismë që synon rritjen e transparencës dhe llogaridhënies në zbatimin e agjendës së gjelbër në bashkëpunim me akterët relevant si dhe përmirësimin e qasjes në të dhëna për energji dhe klimë në Kosovë.

Dardan Sejdiu, Anëtar i Bordit në Balkan Green Foundation, mbajti një fjalim hyrës, duke theksuar rëndësinë e një projekti të tillë në Kosovë. Falenderime të veçanta iu drejtuan partnerëve dhe donatorit për përfshirjen e tyre.

Një diskutim interaktiv pasoi mbi “Angazhimin dhe progresi në agjendën e gjelbër në Kosovë”, ku u zbuluan iniciativat dhe planet për zbatimin e agjendës së gjelbër, duke e kthyer ngjarjen në një katalizator për ndryshime dhe një hap të bashkuar drejt një Kosove më të qëndrueshme dhe miqësore me mjedisin.

Ky projekt mbështete nga World Bank në kuadër të grantëve GPSA – Partneriteti Global për Përgjegjshmërinë Sociale i cili implementohet në bashkëpunim me Open Data Kosovo dhe Lëvizja FOL.

Organizatat e shoqërisë civile në Kosovë, i kanë drejtuar sot një letër të hapur znj. Ylva Johansson, Komisionere Europiane për Çështje të Brendshme

Prishtinë, 21 nëntor 2023 – Mbi 20 organizata të shoqërisë civile në Kosovë i kanë bërë thirrje Komisionit Europian që të tërheq Propozimin që i lejon udhëtim pa viza bartësve të pasaportave të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese e Serbisë (Koordinaciona uprava).

Lidhur me këtë, organizatat e shoqërisë civile në Kosovë, i kanë drejtuar sot një letër të hapur znj. Ylva Johansson, Komisionere Europiane për Çështje të Brendshme, të cilën e gjeni të plotë në vijim:

Prishtinë, 21 nëntor 2023

E nderuara Komisionere znj. Johansoon,

Po ju shkruajmë si aktivistë e pjesëtarë të shoqërisë civile në Kosovë të shqetësuar thellë lidhur me propozimin nga Komisioni Europian për Këshillin e Bashkimit Europian COM(2023) 733 për ndryshimin e

Rregullores (BE) 2018/1806 sa i përket mbajtësve të pasaportave të Serbisë të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese e Serbisë (Koordinaciona uprava), me arsyetimin që ky grup i qytetarëve janë të vetmit në Ballkanin Perëndimor që nuk do të gëzojnë liri të lëvizjes në Zonën Shengen.

Ky propozim i juaji vjen në një kohë kur qytetarët serbë të Kosovës kanë filluar që masivisht të aplikojnë për pasaporta të Kosovës, duke ushtruar të drejtën e tyre të garantuar me Kushtetutë dhe legjislacionin e aplikueshëm, si dhe kur institucionet e Kosovës në bashkëpunim me organet tjera të sigurisë si KFOR-i dhe EULEX janë duke ofruar siguri të plotë për të gjithë qytetarët e vendit, e në veçanti për ata të komunitetit serb në veri të Kosovës. Kjo si pjesë e luftës së përbashkët të këtyre institucioneve ndaj strukturave kriminale prezentë në veriun e Kosovës për vite me radhë e të cilat kanë parandaluar me forcë çfarëdo përpjekje të qytetarëve serbë të Kosovës për t’u integruar në jetën shoqërore dhe politike të Kosovës. Si rrjedhojë e masave shtesë të sigurisë për qytetarët serbë si dhe, ndër të tjera, marrëveshjeve në mes të Kosovës dhe Serbisë të lehtësuara nga BE, shumëfishimi i numrit të qytetarëve serb që kërkojnë të pajisen me dokumente të Kosovës, përfshirë pasaportat dhe targa të veturave, është një zhvillim tejet pozitiv dhe jashtëzakonisht premtues për kthim të normalitetit në veri të vendit.

Në anën tjetër, të gjitha marrëveshjet në mes të Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuara nga BE të vitit 2023 dhe ato paraprake të viteve 2013 dhe 2015, e po ashtu edhe kriteret teknike të procesit të liberalizimit të vizave, njohin autoritetet e Kosovës si autoritetet e vetme legjitime që kanë të drejtën e lëshimit të pasaportave për qytetarët e Kosovës, përfshirë përgjegjësinë për verifikim të dhënave të bartësve të dokumenteve të udhëtimit, obligimet për riatdhesim, si dhe të gjitha përgjegjësitë tjera që përfshihen në këtë kuadër.

Nëse do të miratohet, ky propozim:

▪️ do ta lëndojë seriozisht qëllimin dhe zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë të vitit 2023 që bazohen në parimin e respektimit të integritetit dhe sovranitetit të dyanshëm, marrëveshjeve paraprake për largimin nga Kosova të strukturave paralele të shtetit të Serbisë, si dhe besueshmërinë e Bashkimit Europian si një ndërmjetësues i paanshëm në këtë dialog;

▪️ do të sfidojë seriozisht përparimet në integrimin e qytetarëve serb të Kosovës nëpërmjet pajisjes me dokumente të Kosovës, manifestuar ndër të tjera edhe nëpërmjet pajisjes masive me

pasaporta të Kosovës gjatë javëve të fundit;

▪️ do t’i nxisë dhe inkurajojë strukturat kriminale që veprojnë në pjesën veriore të Kosovës që të vazhdojnë me kërcënime e kanosje të qytetarëve serb të Kosovës që synojnë të integrohen në

jetën shoqërore dhe politike të vendit;

▪️ do të pranojë dokumente personale të lëshuara nga autoritete të cilat nuk kanë mundësi as teknike e as ligjore të verifikojnë të dhënat e bartësve të këtyre dokumenteve, rrjedhimisht të

vendosë në rrezik gjithë zbatimin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, proces ky i pritur aq gjatë nga ne dhe

▪️do të instalojë një precedent të rrezikshëm ku Bashkimi Europian do të legjitimonte pretendimet territoriale të Serbisë ndaj Kosovës, të manifestuar në këtë rast nëpërmjet lëshimit të paligjshëm

të dokumenteve për qytetarët e një vendi tjetër.

Si aktivistë të palodhur për një Kosovë demokratike,të të gjithë qytetarëve të saj e të integruar në BE, jemi të lumtur që nga 1 janari 2024 nuk do të ketë qytetarë të asnjë prej vendeve të Ballkanit Perëndimor të cilët me pasaportat e shtetit të tyre nuk do të mund të lëvizin lirshëm në Zonën Shengen. Kjo i përfshinë edhe qytetarët serb të Kosovës të cilët kanë të drejtën dhe mundësinë që të pajisen me pasaporta të Kosovës dhe të udhëtojnë lirshëm sikurse të gjithë kosovarët tjerë. Për këtë, ne do të vazhdojmë angazhimin tonë të pa ndalur që të kërkojmë dhe ndihmojmë veprime të institucioneve të Kosovës që të lehtësojnë integrimin e qytetarëve serb të Kosovë, përfshirë nëpërmjet pajisjes së përshpejtuar me pasaporta të Kosovës. Megjithatë, për të na fuqizuar në këtë përpjekje tonën, ne kemi nevojë për një Bashkim Evropian që do të jetë një partner i besueshëm dhe i drejtë, i cili nuk përjetohet se mban anë në një proces kaq të ndjeshëm politik, dhe që i respekton vlerat, premtimet dhe marrëveshjet e veta.

Mbi këto, ju bëjmë thirrje që pa vonesë të tërhiqni Propozimin COM(2023) 733 për ndryshimin e Rregullores (BE) 2018/1806 sa i përket mbajtësve të pasaportave të Serbisë të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese e Serbisë (Koordinaciona uprava). Gjithashtu, ju bëjmë thirrje që në përputhje me qëllimet dhe përmbajtjen e marrëveshjeve në mes të Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuara nga BE, të na bashkoheni në përkrahjen aktive të përpjekjeve të qytetarëve serbë për t’u pajisur me pasaporta të Kosovës, respektivisht të autoriteteve të Kosovës për të përshpejtuar procedurat e pajisjes së qytetarëve serbë me pasaporta të Kosovës.

Me respekt,

1. Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF)

2. Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS)

3. Instituti i Kosovës për Politika Europiane (EPIK)

4. Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD)

5. DokuFest

6. ÇOHU!

7. Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP)

8. Instituti i Kosovës për Demokraci (KDI)

9. Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSGJ)

10. Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS)

11. Lëvizja FOL

12. Demokraci Plus (D+)

13. Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK)

14. Iniciativa Kosovare për Stabilitet (IKS)

15. Instituti GAP

16. Demokracia për Zhvillim (D4D)

17. Iniciativa për Progres (INPO)

18. Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS)

19. Fondi për Zhvillim të Komunitetit (CDF)

20. Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA)

21. GERMIN

ka përfunduar ciklin e punëtorive në përkrahjen e institucioneve publike për hartimin e Planeve të Integritetit

Prishtinë, 20 nëntor 2023 – Lëvizja FOL me mbështetjen 🤝 e UNDP Kosovo dhe në bashkëpunim me Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit/ Agencija za Sprečavanje Korupcije, ka përfunduar ciklin e punëtorive në përkrahjen e institucioneve publike për 📝hartimin e Planeve të Integritetit.

Gjatë këtij projekti Lëvizja FOL ka mbështetur gjithsej njëmbëdhjetë (1️⃣1️⃣) institucione publike në 📝 hartimin e këtyre planeve. Gjatë periudhës shtator-nëntor janë mbajtur punëtoritë/trajnimet me grupet punuese të këtyre institucioneve: Agjencia për Informim dhe Privatësi; Ministria e Ekonomisë; Akademia e Drejtësisë; Zyra e Kryeministrit; Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror; Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës; Ministria e Drejtësisë; Fondi i Sigurimeve Shëndetësore; Zyra Kombëtare e Auditimit; Komisioni Qendror i Zgjedhjeve si dhe Universiteti “Kadri Zeka”.

➡️Planet e Integritetit janë obligim ligjor i dal nga Ligji për Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, i cili obligon institucionet qendrore, agjencitë e pavarura, si dhe autoritetet komunale të Kosovës të miratojnë plane të integritetit me qëllim të identifikimit të proceseve të ndjeshme ndaj sjelljeve dhe veprimeve që mund të jenë korruptive.

UNDP Kosovo

Swiss Development & Cooperation

Embassy of Sweden in Pristina

FOL ka mbajtur punëtorinë e parë ku ishte diskutuar rreth anonimizimit të dhënave personale në përmbajtjen e aktgjykimeve

Prishtinë, 17 nëntor 2023 – Lëvizja FOL ka mbajtur sot punëtorinë e parë ku temë diskutimi ishte anonimizimi i të dhënave personale në përmbajtjen e aktgjykimeve.

Qëllimi kryesor i kësaj punëtorie ishte të mundësoj një diskutim konstruktiv ndërmjet akterëve kyç, duke u fokusuar veçanërisht në vlerësimin e efektivitetit të kornizës ekzistuese ligjore në harmonizimin e tre aspekteve kryesore: të transparencës, privatësisë dhe administrimit të drejtë të drejtësisë në Kosovë.

Ky aktivitet u mbeshtet nga Departamenti i Shtetit Amerikan, përmes Byrosë Ndërkombëtare për Çështje të Narkotikëve dhe Sundim të Ligjit (INL).

Llogaridhënia dhe qeverisja me duar të pastra nuk e duron rehabilitimin e personave të dënuar për afera korruptive, Qeveria të ndal praktikën e promovimit të këtyre personave

Prishtinë, 17 nëntor 2023 – Organizatat e shoqërisë civile (OJQ-të) të poshtëshënuara reagojnë kundër vendimit të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës për kthimin e Nexhat Krasniqit në pozitën e Drejtorit të Departamentit të Infrastrukturës Rrugore.

Me 3 nëntor 2023, Departamenti Amerikan i Shtetit, vendosi në listën e sanksioneve Nexhat Krasniqin, ish-drejtorin e Departamentit të Prokurimit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, për shkak të përfshirjes në korrupsion të madh. Sipas DASh-it, në cilësinë e zyrtarit përgjegjës për dizajnimin dhe mbikëqyrjen e kontratave të prokurimit, ai kishte keqpërdorur pozitën e tij publike “duke pranuar ryshfet në këmbim të dhënies së kontratës për lejimin e ndërtimit të parkut industrial në komunën e Drenasit nga kompania operuese Eltoni.”

Integriteti dhe kredibiliteti i qeverisjës në një shoqëri demokratike të cilën e aspiron Republika e Kosovës dëshmohet duke ndërtuar dhe zbatuar vlera dhe standarte që promovojnë sundimin e ligjit dhe qeverisjen e mirë.  Llogaridhënia dhe qeverisja me duar të pastra nuk e duron rehabilitimin e figurës së përsonave të cilët kanë qenë të përfshirë në afera korruptive dhe që janë subjekt i sanksioneve nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shtet mik i Republikës së Kosovës.  Një qasje e tillë dëmton rëndë përpjekjet dhe përkushtimin e SHBA-ve dhe Bashkimit Evropian që përmes asistencës financiare dhe mbështetjes diplomatike për të ndërtuar dhe zhvilluar institucione kredibile, me integritet dhe të përkushtuara për të promovuar kërkesat për një shtet ku korrupsioni dhe dukuritë negative luftohen dhe asesi promovohen.

Në kundërshtim me frymën e parimeve themelore të një shteti demokratik dhe të së drejtës si dhe në kundërshtim me kërkesat e përditshme për të dhënë llogari dhe për të mos promovuar sjelljen kriminale, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka ri-sistemuar Nexhat Krasniqin në pozitën e Drejtorit të Departamentit të Infrastrukturës Rrugore.

Vendimi i tillë tregon mungesën e vullnetit të Qeverisë së Kosovës për të luftuar korrupsionin në nivelet më të larta të zyrtarëve publik, dëmton interesin publik dhe dëshmon paaftësinë e drejtuesve të dikastereve të caktuara të qeverisë për t’iu përgjigjur në mënyrë të duhur kërkesave për qeverisje të mirë. Në anën tjetër, drejtimi i punëve publike të rëndësishme siç është infrastruktura rrugore me persona të cilët kanë pasur probleme me ligjin, në rastin e tanishëm me dënim të formës së prerë,  zbeh besimin e publikut në institucionet publike të Kosovës.

Në shtator të vitit 2015, Gjykata Themelore në Prishtinë ka vërtetuar se Nexhat Krasniqi, se në cilësinë e zyrtarit publik kishte marrë ryshfet nga kompania Eltoni, për realizimin e Parkut Industrial në Drenas. Ai ishte dënuar me 26 muaj burgim për keqpërdorim të detyrës zyrtare por që pas ankesës së ushtruar në Gjykatë të Apelit, kjo e fundit kishte zvogëluar dënimin nga 26 muaj në 18 duke e ndryshuar edhe cilësimin juridik të veprës penale. Edhe përkundër faktit se denimi i shqiptuar nga gjykata ka arritur rehabilitimin ligjor, integriteti dhe kredibiliteti i të njejtit është i dëmtuar në masë të madhe që cenon besimin e publikut që i njejti të ushtroj funksione publike që lidhen me mbikqyrjen e projekteve të cilat mund të kalojnë shifrat dhjetëra milion Euro.

OJQ-të e poshtëshënuara kërkojnë nga Qeveria e Republikës së Kosovës, respektivisht Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës që të ndal praktikën e promovimit dhe rehabilitimit të personave të denuar për vepra penale korruptive si rrugë e vetme dhe e ruajtjes së integritetit institucional dhe promovimit të shtetit ligjor.

Organizatat nënshkruese:

Instituti i Kosovës për Drejtësi

Iniciativa për Progres INPO

Lëvizja FOL

Qeveria e Kosovës duhet t`a përmirësoj konsultimin dhe angazhimin e palëve të interesuara në procesin e negociatave në bashkim evropian

Prishtinë, 14 nëntor 2023 – Lëvizja FOL sot ka publikuar raportin “Si mund të përmirësojë Kosova konsultimin dhe angazhimin e palëve të interesuara në procesin e negociatave për anëtarësim në BE?”, raport i cili thellohet në përvojat e vendeve të rajonit në lidhje me rolin e shoqërisë civile, sektorin privat/odat ekonomike, akademinë, dhe palëve të tjera të interesuara në proceset e negociatave për anëtarësim në BE.

Raporti vë në qendër të vëmendjes rastin e Sllovenisë, Kroacisë, Bullgarisë dhe Rumanisë, vende që i’u nënshtruan integrimit gjatë një periudhe 10-vjeçare dhe gjithashtu shqyrton kontributet e OSHC-ve në politikëbërje pas anëtarësimit të vendeve të tyre në BE dhe

Burbuqe Kastrati nga Lëvizja FOL, e cila prezantoj gjetjet e këtij raporti, shtjelloj procesin e deritanishëm të anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian (BE), duke filluar prej paraqitjes së kërkesës për anëtarësim në dhjetor të vitit 2021 , shtatë vjet pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) ndërmjet Kosovës dhe BE-së në vitin 2015.

Kastrati shpjegoj rastet e vendeve të rajonit të Ballkanit, tashmë anëtarë të Bashkimit Europian, konkretisht rastin e Sllovenisë. Sipas saj, një nga faktorët që dha një kontribut të rëndësishëm në suksesin e Sllovenisë në procesin e integrimit evropian ishte sektori i gjallë i shoqërisë civile, i nxitur nga një kulturë e bashkëpunimit me institucionet publike. Gjithashtu, ajo tha se Komisioni Evropian gjithashtu nënvizoi rolin kryesor të OJQ-ve, që veprojnë si agjentë të shoqërisë civile, në informimin dhe përmirësimin e të kuptuarit të institucioneve, politikave dhe vlerave të BE-së në mesin e popullatës së përgjithshme në Slloveni. Gjatë procesit të anëtarësimit, Zyra e Komunikimit të Qeverisë Sllovene bashkëpunoi gjerësisht me OJQ të shumta për të shpërndarë informacione rreth institucioneve evropiane.

Kastrati gjithashtu shtjelloj edhe procesin e pranimit të Bullgarisë dhe Rumanisë në vitin 2020, e cila mori një qasje nga lart-poshtë. “Qeveritë negociuan me BE-në, duke miratuar legjislacionin përmes parlamentit përmes pazareve shpesh të ndërlikuara për të akomoduar interesa të ndryshme politike. Ky manovrim legjislativ lejoi pak hapësirë për liri veprimi politik. Shoqëria civile luajti një rol të konsiderueshëm, të profesionalizuara, të financuara nga burime perëndimore dhe të integruara në rrjetet transnacionale”, tha Kastrati.

Në fund Kastrati shpjegoj edhe rastin e Kosovës, ku tha se përfshirja e organizatave të shoqërisë civile dhe akterëve të tjerë në punën e strukturave të stabilizim-asociimit ka qenë e kufizuar dhe jo efektive. “Shpesh qeveria e Kosovës tenton të organizojë mbledhjet e strukturave të stabilizim-asociimit pa konsultime paraprake me shoqërinë civile dhe palët e tjera të interesuara për materialet e takimeve. Kur organizohen takime konsultimi me shoqërinë civile dhe akterë të tjerë, shpesh ato bëhen afër datës së takimeve të strukturave të stabilizimit asociimit dhe lënë pak hapësirë për ndryshime në agjendë. Veçanërisht shqetësuese është mungesa e përfshirjes. së akterëve të tjerë, përveç organizatave të shoqërisë civile, veçanërisht sektorit privat”, tha Kastrati.

“Qeveria e Kosovës duhet t`i njoh organizatat e shoqërisë civile si partnerë aktivë në proceset vendimmarrëse në kuadër të Strukturave të Stabilizim Asociimit. Kjo kërkon jo vetëm konsultim, por edhe

përfshirje të vërtetë, duke përkthyer kontributin e shoqërisë civile në rezultate të prekshme të politikave”, përfundoj Kastrati.

Raporti i publikuar i Lëvizjes FOL në fund ofron edhe disa rekomandime për Qeverinë, të cila janë:

1. Qeveria e Kosovës duhet të përgatisë një raport vlerësimi për përfshirjen e shoqërisë civile dhe palëve të tjera të interesuara në punën e strukturave të stabilizim-asociimit, në përputhje me Rregulloren QRK-Nr.13/2016.

2. Prioritizimi i fushatave të ndërgjegjësimit publik që komunikojnë përfitimet, sfidat dhe implikimet e integrimit evropian, duke larguar keqkuptimet dhe duke nxitur mbështetjen. Kjo është një fushë me të cilën shoqëria civile dhe qeveria e Kosovës kanë bashkëpunuar në mënyrë efektive në të kaluarën.

3. Qeveria duhet të rrisë konsultimet me sektorin privat në kuadër të procesit të integrimit evropian dhe të njohë rolin integral të sektorit privat, duke pasur parasysh fokusin ekonomik të Marrëveshjes së Stabilizim -Asociimit. Angazhimi i Odave të Ekonomisë dhe Tregtisë, së bashku me shoqatat specifike të sektorëve, në proceset e konsultimit dhe vendimmarrjes në lidhje me integrimin ekonomik.

4. Krijimi i praktikave transparente në lidhje me ndarjen e materialeve dhe agjendave të takimeve me organizatat e shoqërisë civile dhe palët e interesuara përpara takimeve zyrtare.

5. Përafrimi i Strategjisë së Qeverisë për Bashkëpunim me Shoqërinë Civile 2019-2023 me objektivat e anëtarësimit në BE.

6. Pranimi se procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE) është dinamik dhe mund të kërkojë ndryshime në strategji.

7. Krijimi i një platforme të bazuar në ueb, e dedikuar për të ndjekur progresin e plotë të nismave të BE-së me implikime të mundshme biznesi.

Publikimi i këtij raporti është bërë i mundur me mbështetjen e Mbretërisë së Holandës, përmes Ambasadës së Holandës në Kosovë.

Si mund të përmirësojë Kosova konsultimin dhe angazhimin e palëve të interesuara në procesin e negociatave për anëtarësim në BE? Download

Intervistimi i kandidatëve për anëtarë të bordit të RTK-së: jo transparent, jo meritor dhe pa integritet

Prishtinë, 1 nëntor 2023 – Lëvizja FOL sot ka monitoruar fazën e intervistimit të kandidatëve për anëtarë të Bordit të RTK-së, ku 13 kandidatë u intervistuan nga komisioni Ad-Hoc i Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Komisioni Ad-Hoc i Kuvendit të Kosovës përbëhej nga deputetët: Agim Veliu, Fitim Haziri, Fidan Jillta, Nijazi Isaku, Besim Muzaqi, Valon Ramadani, Isak Shabani, Armend Zemaj dhe Time Kadriaj. Ndërsa, deputeti Mërgim Lushtaku mungoi.

Kandidatët të cilët iu nënshtruan intervistës ishin: Donika Xhokli, Shukrije Rama, Ilir Bytyqi, Besa Maxhuni, Shpresa Jashari, Besnik Boletini, Naile Demiri, Driton Shaipi, Afrim Gashi, Albinot Maloku, Arta Berisha, Faton Shatmani, Mehmet Kalisi.

Pas vlerësimit të procesit të intervistimit 6 kandidatët të cilët i janë rekomanduar Kuvendit të Kosovës për votim janë:

1. Mehmet Kalisi (904 pikë),

2. Ilir Bytyqi (864 pikë),

3. Albinot Maloku (830 pikë),

4. Shukrije Rama (807 pikë),

5. Naile Demiri (719 pikë) dhe

6. Driton Shaipi (710 pikë).

Lëvizja FOL konsideron që procesi i intervistimit ka qenë i padrejtë, jotransparent dhe shkelje flagrante i parimit të meritokracisë.

FOL vlerëson se procesi i vlerësimit të kandidatëve

nuk kishte trajtim të barabartë të të gjithë kandidatëve gjatë intervistimit. Kandidatëtve nuk u janë bërë pyetjet e njëjta gjatë intervistimit, gjë që do të lejonte vlerësim objektiv të të gjithë kandidatëve. Anëtarët aktualë të bordit të RTK-së u janë bërë nënpyetje shtesë, të cilat pyetje sipas vlerësimit tonë ishin pyetje tendencioze. Tutje, kohëzgjatja e intervistave prej 15 minutave për një kandidat ishte e pamjaftueshme duke marrë parasysh peshën dhe kompleksivitetin e pozitës së të qenurit anëtar i bordit të RTK. Po ashtu pikët për kandidatë u dhanë në përfundim të të gjitha intervistave dhe jo pas çdo interviste, siç është praktika në Kuvendin e Kosovës.

Ajo që është tejet shqetësuese dhe indikator i fuqishëm i mosrespektimit të parimit të meritokracisë është diskrepanca në poentimin e kandidatëve nga ana e anëtarëve të Komisionit për të njëjtin kandidat. Për shembull, dy kandidatë kanë marrë nga 4 pika në total nga deputetët Agim Veliu dhe Armend Zemaj dhe nga 100 pikë nga deputetët tjerë. Veliu dhe Zemaj nuk kanë ofruar asnjë arsyetim për poentimin minimal, gjë që nuk përkon me praktikat e krijuara gjatë proceseve rekrutuese me pjesëmarrjen e ekspertëve britanikë.

FOL ka monitoruar edhe procesin e kaluar të përzgjedhjes së anëtarëve të këtij bordi ku gjithashtu kandidati me më së shumti pikë ishte Mehmet Kalisi, përkundër faktit se i njëjti, në të kaluarën ka përdorur gjuhë fyese ndaj mediave dhe i cili gjatë intervistimit kishte përmendur si ide krijimin e një agjencie shtetërore të lajmeve në kuadër të RTK-së.

Lëvizja FOL vlerëson se mënyra e poentimit të kandidatëve nuk ka siguruar parimet e vlerësimit objektiv dhe të barabartë. Prandaj, i bëjmë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që këto propozime të kandidatëve ti trajtoj me seriozitet të lartë dhe me mundësinë e ripërsëritjes së konkursit, në mënyrë që të respektohen parimet e meritokracisë për pozitat e zgjedhura në institucionet me interes publik siç është Radio Televizioni Publik i Kosovës.

Gjatë periudhës janar-korrik 2023, Komisionet Hetimore të KPK kanë shqiptuar 4 vendime për shkelje disiplinore ndaj prokurorëve

Prishtinë, 6 tetor 2023 – Lëvizja FOL ka monitoruar vendimet e Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës në lidhje me ankesat disiplinore ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve, numrin e paneleve hetimore të krijuara dhe llojin e sanksioneve disiplinore të shqiptuara nga ana e këtyre institucioneve.
Gjatë periudhës janar – korrik 2023, Këshilli Prokurorial i Kosovës ka shqiptuar 4 vendime për shkelje disiplinore ndaj prokurorëve. Llojet e sanksioneve kanë qenë: 1 vërejtje publike me shkrim, 1 vërejtje jopublike me shkrim, 1 ulje e pagesë 30% në vit, 1 lirim nga përgjegjësia disiplinore.
Këshilli Gjyqësor i Kosovës gjatë kësaj periudhe ka shqiptuar 2 vendime për shkelje disiplinore ndaj gjyqtarëve. Llojet e sanksioneve kanë qenë: 1 lirim nga përgjegjësia disiplinore dhe 1 vërejte publike me shkrim.
Këto statistika janë bazuar në të dhënat zyrtare të pranuara nga Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës.
Ky projekt financohet nga Bashkimi Europian.

Këto statistika janë bazuar në të dhënat zyrtare të pranuara nga Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës Download

Monitorimi i mbledhjeve të Këshillit Prokurorial të Kosovës

Performanca e sistemit prokurorial dhe gjyqësor në zgjidhjen e lëndëve të korrupsionit

Performanca e sistemit prokurorial dhe gjyqësor në zgjidhjen e lëndëve të dhunës në familje

Analizë mbi mospërshtatjen e legjislacionit – rregullimi i gjyqësorit në Kosovë

Të kuptojmë dobësitë e Kosovës në shëndetësi dhe mjedis

Prishtinë, 15 shtator 2023 – Mbahet konferenca e organizatave të shoqërisë civile “Të kuptojmë dobësitë e Kosovës në shëndetësi dhe mjedis”. Fjalën e hapjes e mbajti ambasadorja Nancy Soderberg, drejtoreshë e Lartë Rezidente, NDI Kosovë

Në Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, përmes katër paneleve të ndryshme, përfaqësues të Shoqërisë Civile dhe Ministri i Shëndetësisë dhe Zëvendës Ministri i Mjedisit të Kosovës, kishin diskutuar gjetjet e OSHC-ve për gjendjen e mjedisit në Kosovë , dhe në sistemin e kujdesit shëndetësor.

Ndotja e lumenjve, depozitimi i mbetjeve në landfille sanitare, buxheti i pamjaftueshëm për menaxhimin e ujit dhe mungesa e burimeve njerëzore janë disa nga shqetësimet kryesore mjedisore të paraqitura nga koalicioni i OSHC-ve sot.

Ndërsa mungesa e kujdesit të duhur shëndetësor për qytetarët dhe vështirësitë financiare të Fondit për Kujdesin Shëndetësor të Kosovës, përmenden si disa nga vështirësitë në sistemin shëndetësor.
#NDI Kosovo, Democracy for Development (D4D), Ngo Aktiv, Internews Kosova, Instituti Columbus, Kallxo.com, Democracy Plus