Thirrje për Aplikim: “Akademia e Juristëve të Rinj në Kosovë”

Prishtinë, 15 gusht 2023 – Lëvizja FOL hap thirrjen për aplikimin për Akademinë e Juristëve të Rinj në Kosovës, që do të zhvillohet nga datat 11-15 shtator 2023.

Akademia e Juristëve të Rinj në Kosovë organizohet në kuadër të Projektit Rritja e Transparencës dhe Arsimimit të Rinjve në Sektorin e Drejtësisë, mbështetur nga Departamenti i Shtetit Amerikan, përmes Byrosë Ndërkombëtare për Çështje të Narkotikëve dhe Sundim të Ligjit (INL).
Të drejtë aplikimi kanë studentët e drejtësisë, të sapo diplomuarit në Fakultetin Juridik si dhe profesionistët e rinj ligjor.

Akademia synon të ofrojë një platformë të gjerë dhe ndërvepruese për juristët/et e rinj/reja për të avancuar në nivel praktik aftësitë e tyre ligjore, për të fituar njohuri më të thella në disiplina të ndryshme të ligjit dhe për t’u rrjetëzuar me individë dhe profesionistë në fushën e sundimit të ligjit. Programi përfshinë sesione gjithëpërfshirëse mbi shkrimin ligjor, etikën ligjore, të drejtën kushtetuese të avancuar dhe organizimin shtetëror, të drejtën e procedurës civile, të drejtën penale materiale dhe procedurale si dhe trajtimin e rasteve të simuluara.

Të gjitha këto tema do të trajtohen nga një perspektivë interaktive e sjellë nga profesionist të fushave duke përfshirë gjyqtarë, prokurorë, avokat, përfaqësues nga Shoqëria Civile në Kosovë, përfaqësues të institucioneve tjera ligj-zbatuese dhe ekspert të njohur të fushave përkatëse.

Kriteret për aplikim dhe pjesëmarrje:
• studentë të drejtësisë në vitin e fundit të studimeve ose kandidatët që janë duke ndjekur një program të nivelit Master në Kosovë.
• të sapo diplomuarit në drejtësi, të cilët nuk kanë filluar ende karrierën e tyre profesionale ligjore, me kusht që të kenë diplomuar, në studimet themelore apo master, në vitin 2021 ose më vonë.
• praktikantë ligjor apo zyrtar ligjor nën moshën 25 vjet.

Përveç kritereve të mësipërme, ne jemi në kërkim të individëve që demonstrojnë një përkushtim të fortë ndaj edukimit të tyre ligjor dhe një interes të qartë për të përmirësuar aftësitë e tyre në shkrim, hartim, dhe hulumtim ligjor, si dhe për fushat përkatëse që ky aktivitet synon ti targetojë.

Akademia synon të jetë një javë mësimi të thellë, rrjetëzimi dhe një hap i rëndësishëm në karrierën tuaj ligjore.

Për të aplikuar, ju lutemi klikoni këtu

Afati i fundit për aplikim është 28.08.2023. Ju lutemi keni parasysh se numri i pjesëmarrësve në këtë Akademi është i kufizuar dhe ne inkurajojmë aplikimet e hershme. Aplikantët e suksesshëm do të njoftohen me email deri më 4 shtator 2023

Ne mezi presim të shqyrtojmë aplikimet tuaja dhe shpresojmë t’ju mirëpresim në shtator për një hap të jashtëzakonshëm në zhvillimin profesional.

Monitorimi i takimeve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës për periudhën prill – qershor 2023

Monitorimi i takimeve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës për periudhën prill – qershor 2023

Prishtinë, 31 korrik 2023 – Lëvizja FOL gjatë periudhës prill – qershor 2023 ka monitoruar takimet e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK) për të vlerësuar nivelin e transparencës dhe pajtueshmërinë e këtyre takimeve me Ligjin për Këshillin Gjyqësor të Kosovës.

Procesi i monitorimi është bërë përmes platformes elektronike Zoom. Gjatë kësaj periudhe tre-mujore, KGjK ka mbajtur gjithësej 5 takime. Për muajin prill janë mbajtur 2 takime, 1 takim për muajin maj dhe për muajin qershor 2 takime.

Prej 5 agjendave të publikuara në ueb-faqen zyrtare të KGjK-së, 3 nga agjendat janë publikuar në kohën e paraparë me Ligjin për Këshillin Gjyqësor, konkretisht me nenin 14 paragrafi 2 ku kërkohet që “Rendi i ditës së Këshillit do të jetë publikisht i hapur së paku dyzet e tetë (48) orë para takimit.” Ndërsa 2 agjenda të tjera nuk janë publikuar me kohë ashtu siç e parashikon edhe legjislacioni në fuqi.

KGjK në mbledhjet saj ka marrë disa vendime dhe se të njëjtat janë publikuar në ueb-faqen e KGjK. Për këtë periudhë kohore KGjK ka marrë 76 vendime, prej të cilave vetëm 1 nuk është publikuar në ueb faqen zyrtare të KGjK-së.

Anëtarët më aktiv gjatë mbledhjeve të KGjK-së për këtë periudhë tre-mujore, të cilët kanë dhënë më së shumti kontribut në diskutimet e zhvilluara në këto takime, ishin: Drita Rexhaj, Avni Mehmeti dhe Fahret Vellija.

Detajet e këtij monitorimi i gjeni në linkun: https://levizjafol.org/wp-content/uploads/2023/07/Monitorimi-i-Mbledhjeve-t%C3%AB-KGJK-s%C3%AB.pdf

Ky projekt mbështetet nga Departamenti i Shtetit Amerikan, përmes Byrosë Ndërkombëtare për Çështje të Narkotikëve dhe Sundim të Ligjit (INL).

REAGIM: Kundër vendimit të Ministrisë së Industrisë për revokimin e licencës së Klan Kosovës

Prishtinë, 28 korrik 2023 – Lëvizja FOL dënon ashpër vendimin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, konkretisht të Komisionit për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve, mbi refuzimin e ankesës së Klan Kosovës.
Ky vendim është autoritar dhe përbën ndërhyrje të pastër politike ndaj medias së lirë e cila konsiderohet si shtylla e katërt e demokracisë. Fjala e lirë është e drejtë kushtetuese, e garantuar me Kushtetutën e Kosovës dhe cenimi i saj përben shkelje. Rrjedhimisht, nuk mund të ketë legjitimitet dhe të quhet demokratike një vendim i cili cenon lirinë e një medie.
Në një demokraci funksionale, media e lirë dhe e pavarur luan një rol të rëndësishëm në informimin e qytetarëve, zhvillimin e një debati të hapur dhe kritik ndaj qeverisjes dhe përgjegjësinë e institucioneve publike.
Prandaj, mbesim me shpresën që gjykata kompetente për shqyrtimin e ankesës të vendos në pajtim me normat kushtetuese dhe ligjore.

#meklankosova

Gjykata e Apelit me më së shumti vendime gjyqësore të publikuara për muajin qershor 2023

Prishtinë, 24 korrik 2023 – Lëvizja FOL edhe gjatë muajit qershor ka vazhduar të bëjë monitorimin e aktgjykimeve dhe aktvendimeve të publikuara në ueb faqen zyrtare të Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Të gjitha këto vendime të publikuara nga Gjykatat e Kosovës gjatë kësaj periudhe janë monitoruar një nga një sa i përket përmbushjes së kërkesave që përcaktohen me aktet nënligjore në fuqi.
Gjatë muajit qershor gjykatat kanë publikuar 2798 vendime gjyqësore në ueb-faqen zyrtare të Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Numrin më të madh të vendimeve i ka publikuar Gjykata e Apelit, përkatësisht 544 vendime gjyqësore.
Të dhënat e detajuara në lidhje me publikimin e vendimeve nga secila gjykatë në veçanti, duke përfshirë degët dhe depratamentet e tyre, mund t’i shihni në grafikonët e mëposhtëm.

FOL dhe IKD: Projektligji i ri, politizim objektiv i Këshillit Prokurorial i Kosovës

Prishtinë, 17 korrik 2023 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) dhe Lëvizja FOL, reagojnë ndaj vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës së datës 12 korrik 2023, me të cilin vendim është miratuar versioni i ri i Projektligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK), pas ndryshimeve të bëra nga Ministria e Drejtësisë. Kjo pasi fillimisht ligji i mëparshëm ku ishte ndryshuar përbërja e KPK-së, me 5 prill 2023 ishte shpallur kundër kushtetues nga Gjykata Kushtetuese.
Sipas ndryshimeve të reja të Projektligjit të ri, KPK do të ketë 19 anëtarë deri me 11 janar 2026. Pas kësaj date, Ministria e Drejtësisë ka propozuar që KPK të ketë 7 anëtarë me këtë përbërje.

Sipas Projektligji [neni 21.1.] deri më 11 janar të vitit 2026, KPK-së do ti shtohen edhe tetë (8) anëtarë jo-prokurorë të zgjedhur me shumicë të thjeshtë nga Kuvendi, pesë (5) prej të cilëve zgjedhen nga Kuvendi, dy (2) prej të cilëve zgjedhen në bazë të katër (4) nominimeve që pranohen nga Avokati i Popullit për përfaqësues nga radhët e anëtarëve të organizatave të shoqërisë civile, ndërsa një (1) pozitë rezervohet për profesorët universitar të drejtësisë. Sa i përket kuorumit deri më 11 janar të vitit 2026, kuorumi i Këshillit formohet me gjysmën e anëtarëve të zgjedhur të Këshillit [Neni 21.3. i Projektligjit]. Në rast se të gjithë anëtarët e Këshillit zgjedhën, kuorumi formohet me dymbëdhjetë (12) anëtarë. Ky rregull zbatohet deri më 11 janar të vitit 2026 [Neni 21.3. i Projektligjit]. Kështu, nga qëllimi fillestar për ta zvogëluar numrin e anëtarëve të KPK-së nga 13 në 7 anëtarë, MD-ja e ka rritur këtë numër në 19 anëtarë deri në vitin 2026.
Dispozitat në fjalë nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Strategjinë për Sundim të Ligjit dhe Opinionet e Komisionit të Venecias.
Më 11 gusht 2021, Qeveria miratoj Strategjinë për Sundim të Ligjit, e cila ishte derivat i procesit të Rishikimit Funksional të Sundimit të Ligjit në Kosovë. Strategjia në fjalë dhe dokumentet e politikave e theksonin problemin e numrit të madh të anëtarëve prokurorë në KPK. Por, rritja e numrit të anëtarëve të KPK-së në këtë mënyrë nuk parashihej si opsion. Në këtë situatë, Projektligji në fjalë është në kundërshtim me Strategjinë për Sundim të Ligjit të miratuar nga Qeveria.
Rritja e numrit të anëtarëve të KPK-së në 19, tetë (8) prej të cilëve do të zgjedhen me një shumicë të thjeshtë nga Kuvendi, dhe rregulla se kuorumi në KPK mund të krijohet vetëm edhe me pjesëmarrjen e anëtarëve të zgjedhur nga Kuvendi paraqet politizim objektiv të KPK-së. Secila Qeveri, supozohet se e ka edhe shumicën parlamentare në Kuvend. Si rrjedhojë, secila Qeveri, përmes Kuvendit, do të ketë mundësi që pa asnjë konsensus politik të zgjedhë anëtarët e KPK. Kuorumi në KPK do të varet pikërisht nga këta anëtarë. Si rrjedhojë, objektivisht, KPK do të jetë e politizuar. Këto rregulla janë në kundërshtim me Kushtetutën [neni 110.1] që përcakton se “Këshilli Prokurorial i Kosovës është institucion plotësisht i pavarur në kryerjen e funksioneve të tij, në pajtim me ligjin”.

Siç u tha, projektligji paraprak për KPK ishte shpallur kundër kushtetues nga Gjykata Kushtetuese. Duke pasur parasysh rëndësinë e reformës në sistemin prokurorial, IKD rikujton se jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese dështon se interpretimi nga kjo gjykatë shtrihet përtej tekstit kushtetues, në frymën dhe vlerat kushtetuese. Si rrjedhojë, këto manovrime janë vështirë të kalueshme në Gjykatën Kushtetuese, nëse eventualisht edhe ky Projektligj i nënshtrohet vlerësimit të kushtetutshmërisë nga ana e Gjykatës Kushtetuese.
Tutje, një praktikë e tillë me numër kaq të madh të anëtarëve të KPK-së, nuk është hasur as në vendet e rajonit e as më gjerë. Kjo zgjidhje nuk ishte përkrahur nga ana e Komisionit të Venecias. “KPK do të bëhej shumë e madhe (mbi më shumë se 20 anëtarë), në raport me numrin e vogël të prokurorëve në Kosovë. Kjo zgjidhje sigurisht se do të ishte shumë e kushtueshme….” thuhej në raportin e Komisionit të Venecias [CDL- AD (2021)051, Kosova, par. 61].
Në këtë mënyrë, Projektligji për KPK i miratuar nga ana e Qeverisë, nuk është në linjë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Strategjinë për Sundimin e Ligjit dhe Opinionet e Komisionit të Venecias. Objektivisht, një zgjidhje e tillë e vendosë KPK para politizimit të skajshëm të Kuvendit, shumicën në secilin rast e ka Qeveria. Si të tillë, IKD dhe Lëvizja “FOL” vlerësojnë se Projektligji për KPK i miratuar në Qeveri nuk përmbushë domoshmërinë për reformë në KPK dhe i ekspozohet rrezikut për dështim të serishëm të këtij ligji.Në anën tjetër, duhet theksuar se IKD pas vënies në konsultim publik të këtij projektligji nga Ministria e Drejtësisë, ka dërguar komente në lidhje me këtë projektligj duke ofruar një zgjidhje adekuate dhe të përshtatshme lidhur me përbërjen e anëtarëve të KPK-së në të ardhmen, në harmoni me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese ku me vendimin e kësaj të fundit veçse është humbur mundësia e shkurtimit të mandateve të anëtarëve aktual. Sipas IKD-së, në mënyrë që të shmangej përbërja “korporatiste”, por edhe të bëhej balancimi në mes të përfaqësuesve të prokurorëve dhe kuvendit, KPK duhet të ketë 7 anëtarë, ku dy (2) anëtarë të zgjedhur nga sistemi prokurorial dhe Kryeprokurori i Shtetit sipas detyrës zyrtare dhe katër (4) anëtarë të zgjedhur nga Kuvendi, një prej të cilëve duhej të jetë prokurorë.

Me këtë përbërje, sipas IKD-së, prokurorët nuk do ta kishin shumicën në KPK por se këtë shumicë do ta kishte Kuvendi. Në anën tjetër kjo nuk mund të konsiderohej se Kuvendi e mbisundon me përbërje KPK, për faktin se Kuvendi do të obligohej që të paktën njërin nga anëtarët e saj ta zgjedhë një prokuror. Rrjedhimisht, në KPK do të ishin 4 prokurorë, njëri prej të cilëve zgjedhet nga Kuvendi. Kjo përbërje do të krijonte një balancë adekuate në mes të numrit të anëtarëve të KPK-së që zgjedhen nga sistemi prokurorial dhe atyre që zgjedhen nga Kuvendi.
IKD kishte paraparë që ripërtërija e përbërjes së KPK-së të jetë e përshkallëzuar kjo pasi sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese nuk mund të i’u merret mandati anëtarëve aktual të KPK-së dhe sipas IKD-së zgjidhja adekuate në këtë situatë do të ishte duke ruajtur mandatet aktuale të anëtarëve. Sipas IKD-së në dispozitat kalimtare, do duhej përcaktuar se deri me 1 janar 2026, kur KPK mbetet me dy anëtarë, përkatësisht një anëtarë prokuror dhe Kryeprokurori i Shtetit, anëtarët e KPK-së të cilët përfundojnë mandatin nuk do të kishin mundësi që të zëvendësoheshin me anëtarë të tjerë. Gjatë vitit 2025, Kuvendi do të duhej të zhvillonte procedurat për përzgjedhjen e katër (4) anëtarëve të KPK-së ku secili prej tyre, do të fillojë mandatin më 1 janar 2026, kur Këshilli do të mbetej me dy (2) anëtarë. Njëkohësisht, edhe sistemi prokurorial do ta zgjedhë edhe një anëtarë të KPK-së dhe si rrjedhojë, më 1 janar 2026, KPK do të ishte e kompletuar me 7 anëtarë.

Megjithatë, këto komente të IKD-së janë injoruar nga Ministria e Drejtësisë, e cila ka zgjedhur një rrugë të shkurtë dhe jo adekuate. Nga ajo që u tha më lartë, IKD dhe Lëvizja “FOL” konsideron se Projektligji i ri me ndryshimet e bëra nga Ministria e Drejtësisë ka humbur qëllimin dhe arsyen se pse në të vërtetë është filluar reforma në Këshillin Prokuorrial të Kosovës.
Me përbërjen prej 19 anëtarëve të KPK-së, ku 8 prej tyre do të jenë jo prokurorë rrezikohet skajshmërisht politizimi Këshillit, duke përfshirë rrezikun për bllokim të tërësishëm të vendimmarrjes, kjo pasi nëse zgjedhen të gjithë anëtarët jo prokurorë atëherë korumi do të formohet me 12 anëtarë të KPK-së, që në çdo rast do të krijonte një varësi nga shumica qeverisëse. Për të mos ardhur deri tek një bllokadë në vendimmarrje, ku interesat e ngushta të asnjë grupi nuk do të mbizotëronin, në opinionin e dytë, Komisioni i Venecias kishte rekomanduar që ligjvënësi kosovar, në koordinim me partnerët e tjerë të përcaktojë parametra specifikë të mekanizmave kundër-bllokadë, që KPK të mund të marrë vendime edhe kur anëtarët prokurorë dhe joprokurorë nuk mund të arrijnë kompromis, e që në rastin konkret ky rekomandim i Venecias nuk është adresuar nga MD as në përbërjen prej 19 anëtarëve as kur KPK do të mbetet me 7 anëtar pas vitit 2026. [CDL-AD(2022) 006, Kosova, par 15].

Realizimi i Planit të Punës së Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK) për vitin 2022

Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka arritur të përmbush 62% të Planit të Punës të vitit 2022

Prishtinë, 14 korrik – Lëvizja FOL, me mbështetjen e Byrosë së Narkotikëve Ndërkombëtar dhe çështjeve të Zbatimit të Ligjit, Lëvizja FOL ka publikuar sot raportin “Realizimi i Planit të Punës së Këshillit Gjyqësor të Kosovës për vitin 2022”, i cili adreson çështjen e përmbushjes së objektivave dhe aktiviteteve në këtë plan të punës gjatë vitit 2022.
Viona Bunjaku, monitoruese në Lëvizjen FOL potencoi se të gjeturat e këtij raporti janë bazuar në të dhënat e pranuara nga zyrtarët përgjigjjes të Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe nga ueb faqja zyrtare e KGjK-së.
Ndër të tjera, Bunjaku theksoj se nga 138 aktivitete sa ishin paraparë të realizohen në Planin e Punës së Këshillit Gjyqësor të Kosovës për vitin 2022, KGjK kishte arritur të përmbush 86 prej tyre apo 62% dhe 52 apo 38% e aktiviteteve të tjera nuk kishin arritur të finalizoheshin brenda kohës së paraparë në këtë plan.

Gjithashtu, Bunjaku përmendi objektivat të cilat janë realizuar në tërësi gjatë kësaj periudhe. Sipas saj, këto objektiva janë: besimi dhe besueshmëria e publikut, e cila parashihte implementimin e 3 aktiviteteve prej të cilave 2 janë realizuar gjatë vitit 2022 dhe 1 ka arritur të realizohet tre muaj me vonesë, pra në muajin e tretë të vitit 2023; transparenca dhe llogaridhënia është objektiva tjetër që parashihte realizimin e 16 aktiviteteve e cila ka arritur të realizohet brenda periudhës kohore.

Tutje, sipas Bunjakut, objektivat të cilat nuk kanë arritur të realizohen në tërësi, janë: objektiva ‘Administrimi efektiv dhe efikas i drejtësisë’, që parashihte realizimin e 50 aktiviteteve, ku prej tyre janë realizuar 29 aktivitete apo 58% ndërsa të pa realizueshme për këtë periudhe kohore kanë mbetur 21 aktivitete apo 42%;
Objektiva ‘Qasja në Drejtësi’ si objektivë me rëndësi të veçantë rreth informimit publik për qytetarët parashihte realizimin e 10 aktiviteteve ku prej tyre 3 janë realizuar apo 30% të kësaj objektive dhe 7 apo 70% nuk janë realizuar brenda kohës së paraparë me planin e punës;

Objektiva ‘Luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar’ përfshinte realizimin e 8 aktiviteteve, të cilat sipas përgjigjes së KGjK-së, nuk kanë arritur të realizohen në tërësi. Nga përgjigjja që kemi pranuar nga KGjK, kemi arritur të kuptojmë se vetëm aktivitetiti për Caktimin e Koordinatorit për Mbikëqyrjen e Zbatimit Planit Strategjik për Zgjidhjen Efikase të Lëndëve te Korrupsionit dhe Krimit te Organizuar te Strategjisë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, është realizuar në kuadër të kësaj objektive;
Objektiva ‘Monitorimi i zbatimit të kornizës ligjore dhe rregullative’ përfshinte realizimin e 15 aktiviteteve prej të cilave 9 prej tyre janë realizuar apo 53 % ndërsa 8 apo 47 % te tjera nuk kanë arritur te realizohen brenda periudhës së paraparë me planin e punës.

Lavdim Makshana nga IKD, potencoi se të gjeturat e këtij raporti janë mjaftë produktive, dhe se mund të shohim se ka nivel të rritjes së përmbushjes së planit të punës nga ana e KGjK-së.
Vullnet Bugaqku nga KDI, gjithashtu diskutoi rreth të gjeturave të raportit ku sipas tij është e befasuese se si objektiva qasja në drejtësi nuk ka arritur të realizohet. Gjithashtu, sa i përket objektives në lidhje me luftimin e korrupsionit, sipas raportit shihet se nuk është bërë mjaftueshëm.

Diskutimi “FOL Hapur” me Odën Ekonomike të Kosovës

Prishtinë, 12 korrik 2023 – Lëvizja FOL ka mbajtur sot diskutimin “FOL Hapur” me përfaqësues të Odës Ekonomike të Kosovës.

Gjatë këtij takimi u diskutua në lidhje me sfidat e bizneseve të përfaqësuara nga Oda Ekonomike e Kosovës në lidhje me implementimin e dispozitave të Ligjit të Punës, si dhe të dispozitave të Ligjit për Mbrojtjen Sinjalizuesve.

Ky aktivitet është realizuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian në kuadër të Projektit “Mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të punës për grupet e cënueshme në tregun e punës”. Përmbajtja e këtij aktiviteti është përgjegjësi e vetme e Lëvizjes FOL dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian’, Advocacy Training and Resource Center – ATRC ose BIRN Kosova.

IKD&FOL: Disa parregullsi dëmtuan integritetin e zgjedhjes së rektorit në Universitetin e Gjilanit

FOL&IKD: Disa parregullsi dëmtuan integritetin e zgjedhjes së rektorit në Universitetin e Gjilanit

Prishtinë, 12 korrik 2023 – Organizatat Jo-Qeveritare Instituti i Kosovës për Drejtësi dhe Lëvizja FOL (Tutje: Koalicioni), si organizata të specializuara në fushën e sundimit të ligjit në Kosovë dhe me përvojë të gjatë në monitorimin e proceseve rekrutuese, janë pajtuar që së bashku të bëjnë monitorimin e procesit të përzgjedhjes dhe emërimit të rektorit të ri të Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan, me 6 korrik 2023.

Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan pas zhvillimit të procesit të intervistave me katër (4) kandidatë, me 6 korrik 2023, ka zgjedhur Artan Dermakun, rektor të këtij Universiteti. Në konkursin e shpallur me 7 qershor 2023, kishin aplikuar pesë (5) kandidatë. Aplikimet i kishin dorëzuar kandidatët, Dukagjin Leka (UKZ), Xhevat Sopi (UKZ), Artan Dermaku (UKZ), Fadil Osmani (UKZ) dhe Xhavit Islami (AAB). Pas shqyrtimit të kandidaturave nga Komisioni i Shqyrtimit të Aplikacioneve, Këshilli Drejtues (KD) i ka rekomanduar vetëm katër (4) kandidatë, kjo pasi është refuzuar kandidatura e Xhavit Islamit.

Gjetjet e Koalicionit konsistojnë në atë se edhe pse përbërja e Këshillit Drejtues është me shtatë (7) anëtar, procesi i intervistimit të kandidatëve kishte filluar me përbërje të gjashtë (6) anëtarëve të KD-së, pasi anëtari i KD-së Urtak Hamiti nuk kishte qenë i pranishëm që nga fillimi i procesit të intervistimit të kandidatëve. Tutje, edhe pse i njëjti nuk ka qenë pjesë e tërë procesit të intervistimit të kandidatëve për rektor, i njëjti ka marrë pjesë në procesin e votimit për rektor.

Sipas Koalicionit, është e qartë që sipas Statutit të UKZ-së dhe Rregullores së Punës nuk kërkohet poentimi i intervistave me pikë dhe se të gjitha Universitetet në përgjithësi e ndjekin këtë praktikë. Por, është e rëndësishme që karakteri i intervistës të rregullohet me Rregulloren e veçantë të zgjedhjes së rektorit. Në këtë drejtim IKD dhe Lëvizja FOL rekomandojnë që të plotësohet rregullativa ligjore ku do të eliminoheshin të gjitha këto mangësi.

Po ashtu, IKD dhe Lëvizja FOL konsiderojnë se procedurat e zgjedhjes dhe votimit për rektor si në UKZ por edhe në të gjitha universitet publike duhet të jenë të qarta dhe të mos lënë hapësira për keqinterpretim të dispozitave. KD-ja duhet të miratojë rregullore të veçanta për zgjedhjen e rektorit ku duhet të parashihen edhe detajet më të vogla në procedurën e zgjedhjes apo shkarkimit të rektorit të UKZ-së.

Gjithashtu, IKD dhe Lëvizja FOL, kërkojnë nga organet drejtuese që të ndërmarrin masa ndaj anëtarit të KD-së, Urtak Hamitit për shkak të qasjes së tij jo etike dhe joprofesionale ndaj monitoruesve dhe tentimit të tij për t’i penguar monitoruesit në monitorimin e procesit edhe të votimit të zgjedhjes së rektorit të UKZ-së.

Tutje, Koalicioni i OJQ-ve gjatë monitorimit të këtij procesi konsideron që kryesuesi i KD-së Ilir Gjinolli ka dështuar të ushtrojë funksionin e tij si kryesues i këtij Këshilli dhe të sigurojë mbarëvajtjen e mbledhjes së KD-së, ashtu siç kërkohet me Statutin e UKZ-së dhe Rregulloren e punës së KD-së.

IKD dhe FOL, kërkojnë nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) që të ndërmarr masa ndaj kryesuesit të KD-së, Ilir Gjinolli, kjo për shkak të kërkesës së tij për ta larguar videon nga ueb-faqja e “Betimi për Drejtësi”. Sipas, Koalicionit kërkesa të tilla paraqesin ndërhyrje në punën e Organizatës dhe për më tepër, cenojnë rëndë parimin e transparencës, llogaridhënies dhe të drejtën e interesit publik që të jenë të informuar për procese të tilla të rëndësishme.

Diskutimi për çështjen e trajtimit të pacientëve jashtë institucioneve publike

Prishtinë, 3 korrik 2023 – Lëvizja FOL, si pjesë e koalicionit të përbërë nga D4D, Columbus, Internews Kosova, AGK dhe AKTIV, ka mbajtur sot diskutimin jo-formal me Zëvendës – Drejtorin e Fondit për Sigurime Shëndetësore, z. Bujar Kacuri.

Në këtë takim u diskutua në lidhje me sfidat në të cilat po përballet aktualisht Fondi për Sigurime Shëndetësore, bashkëpunimin ndër-institucional, çështjen e kornizës rregullative për trajtimin e pacientëve jashtë institucioneve shëndetësore publike, e çështje të tjera.

Ky aktivitet është mbështetur nga National Democratic Institut, në kuadër të projektit “Identifikimi dhe ekspozimi i korrupsionit: Sfidat në Sistemin e Kujdesit Shëndetësor Publik të Kosovës”. Mendimet e shprehura në këtë diskutim janë të autorëve dhe nuk shprehin pikëpamjet e NDI.

Doracak për sinjalizimin në sektorin privat

Ndërtimi i një ekosistemi digjital të sigurt dhe të qëndrueshëm: Adresimi i sfidave kryesore të sigurisë kibernetike në Kosovë

Ndërtimi i një ekosistemi digjital të sigurt dhe të qëndrueshëm

Byroja për Konfiksimin e Pasurisë nën llupën e Komisionit të Venecias

Gjykatat e Kosovës me 3681 vendime gjyqësore të publikuara për muajin maj 2023

Prishtinë, 27 qershor 2023 – Lëvizja FOL vazhdon të bëjë monitorimin e aktgjykimeve dhe aktvendimeve të publikuara në ueb faqen zyrtare të Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Të gjitha këto vendime të publikuara nga Gjykatat e Kosovës gjatë kësaj periudhe janë monitoruar një nga një sa i përket përmbushjes së kërkesave që përcaktohen me aktet nënligjore në fuqi.

Gjatë muajit maj gjykatat kanë publikuar 3681 vendime gjyqësore në ueb-faqen zyrtare të Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Numrin më të madh të vendimeve i ka publikuar Gjykata e Apelit, përkatësisht 560 vendime gjyqësore, për t’u pasuar nga Gjykata Komerciale me 489 vendime të publikuara gjatë kësaj periudhe.

Të dhënat e detajuara në lidhje me publikimin e vendimeve nga secila gjykatë në veçanti, duke përfshirë degët dhe depratamentet e tyre, mund t’i shihni në grafikonët e mëposhtëm.

FOL avokon për një të ardhme digjitale më të sigurt në Kosovë

Prishtinë, 26 qershor 2023 – Levizja FOL me mbështetjen e Internews dhe USAID, ka organizuar webinarin e dytë me fokus në çështjet thelbësore të lirisë së internetit dhe sigurisë kibernetike në Kosovë. Në këtë webinar u diskutua mbi dobësitë brenda infrastrukturës sonë digjitale që paraqesin kërcënime të rëndësishme për sigurinë dhe privatësinë e qytetarëve tanë, bizneseve dhe institucioneve qeveritare.
Paneliste në këtë webinar ishte Krenare Sogojeva Dermaku, Komisionere e Agjencisë për Informim dhe Privatësi. Ajo tha se institucionet duhet të kuptojnë rëndësinë e një zyrtari për mbrojtjen e të dhënave, i cili luan një rol vendimtar në mbrojtje të të dhënave personale dhe kjo më pas ul ndjeshëm rrezikun e krimit kibernetik. “Shoqëria jonë ka nevojë shumë për fushata vetëdijesuese sa i përket mbrojtjes së të dhënave personale, sepse gjendja aktualisht nuk është në nivelin e duhur”, tha Sogojeva Dermaku.
Lëvizja FOL mbetet e përkushtuar për të mbrojtur një të ardhme digjitale më të sigurt në Kosovë. Së bashku, duke qëndruar të informuar, duke marrë masat e nevojshme paraprake dhe duke mbrojtur masa të forta të sigurisë kibernetike, ne mund të mbrojmë peizazhin tonë në internet dhe të mbrojmë interesat më të mira të qytetarëve tanë.

FOL ka përmbyllur “Javën e Sinjalizimit”

Prishtinë, 23 qershor 2023 – Lëvizja FOL ka organizuar “Javën e Sinjalizimit” me një sërë aktivitetesh të ndryshme, me qëllim të rritjes së vetëdijës së shoqërisë për rëndësinë e sinjalizmit në luftimin e korrupsionit dhe të keqpërdorimeve.

• Me 19 qershor Lëvizja FOL ka organizuar diskutimin “FOL Hapur” për sifdat në zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e Sinjalizuesve me Drejtorin e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit (APK), z.Yll Buleshkaj, si dhe me Drejtorin e Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), z. Ismet Kryeziu.

• Me 20 qershor Lëvizja FOL ka organizuar diskutimin “FOL Hapur” me përfaqësues të bizeneseve të Komunës së Mitrovicës dhe të Vushtrrisë, ku në mes të tjerash, u diskutua edhe për obligimet dhe kërkesat që parasheh Ligji për Mbrojtjen e Sinjalizuesve për punëtorët e sektorit privat.

• Me 21 qershor Lëvizja FOL ka organizuar punëtorinë një-ditore me përfaqësues të shoqërisë civile dhe të institucioneve të të tjera relevante. Qëllimi i kësaj punëtorie ishte evidentimi i sfidave të sinjalizimit në sektorin privat.

• Me 22 qershor Lëvizja FOL ka mbajtur Diskutimin “FOL Hapur” më përfaqësues të bizneseve në Komunën e Gjilanit, ku ndër të tjera, temë e diskutimit ishte edhe çështja e kërkesave që i parasheh Ligji për Mbrojtjen e Sinjalizuesve në sektorin privat.

Lëvizja FOL do të vazhdoj edhe me aktivitete të tjera informuese dhe vetëdijësuese për publikun, me qëllim të përmbushjes së misionit të saj në luftën kundër korrupsionit.

#KQYR #NGO #FOL #SINJALIZO