Llogaridhënia dhe qeverisja me duar të pastra nuk e duron rehabilitimin e personave të dënuar për afera korruptive, Qeveria të ndal praktikën e promovimit të këtyre personave

Prishtinë, 17 nëntor 2023 – Organizatat e shoqërisë civile (OJQ-të) të poshtëshënuara reagojnë kundër vendimit të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës për kthimin e Nexhat Krasniqit në pozitën e Drejtorit të Departamentit të Infrastrukturës Rrugore.

Me 3 nëntor 2023, Departamenti Amerikan i Shtetit, vendosi në listën e sanksioneve Nexhat Krasniqin, ish-drejtorin e Departamentit të Prokurimit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, për shkak të përfshirjes në korrupsion të madh. Sipas DASh-it, në cilësinë e zyrtarit përgjegjës për dizajnimin dhe mbikëqyrjen e kontratave të prokurimit, ai kishte keqpërdorur pozitën e tij publike “duke pranuar ryshfet në këmbim të dhënies së kontratës për lejimin e ndërtimit të parkut industrial në komunën e Drenasit nga kompania operuese Eltoni.”

Integriteti dhe kredibiliteti i qeverisjës në një shoqëri demokratike të cilën e aspiron Republika e Kosovës dëshmohet duke ndërtuar dhe zbatuar vlera dhe standarte që promovojnë sundimin e ligjit dhe qeverisjen e mirë.  Llogaridhënia dhe qeverisja me duar të pastra nuk e duron rehabilitimin e figurës së përsonave të cilët kanë qenë të përfshirë në afera korruptive dhe që janë subjekt i sanksioneve nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shtet mik i Republikës së Kosovës.  Një qasje e tillë dëmton rëndë përpjekjet dhe përkushtimin e SHBA-ve dhe Bashkimit Evropian që përmes asistencës financiare dhe mbështetjes diplomatike për të ndërtuar dhe zhvilluar institucione kredibile, me integritet dhe të përkushtuara për të promovuar kërkesat për një shtet ku korrupsioni dhe dukuritë negative luftohen dhe asesi promovohen.

Në kundërshtim me frymën e parimeve themelore të një shteti demokratik dhe të së drejtës si dhe në kundërshtim me kërkesat e përditshme për të dhënë llogari dhe për të mos promovuar sjelljen kriminale, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka ri-sistemuar Nexhat Krasniqin në pozitën e Drejtorit të Departamentit të Infrastrukturës Rrugore.

Vendimi i tillë tregon mungesën e vullnetit të Qeverisë së Kosovës për të luftuar korrupsionin në nivelet më të larta të zyrtarëve publik, dëmton interesin publik dhe dëshmon paaftësinë e drejtuesve të dikastereve të caktuara të qeverisë për t’iu përgjigjur në mënyrë të duhur kërkesave për qeverisje të mirë. Në anën tjetër, drejtimi i punëve publike të rëndësishme siç është infrastruktura rrugore me persona të cilët kanë pasur probleme me ligjin, në rastin e tanishëm me dënim të formës së prerë,  zbeh besimin e publikut në institucionet publike të Kosovës.

Në shtator të vitit 2015, Gjykata Themelore në Prishtinë ka vërtetuar se Nexhat Krasniqi, se në cilësinë e zyrtarit publik kishte marrë ryshfet nga kompania Eltoni, për realizimin e Parkut Industrial në Drenas. Ai ishte dënuar me 26 muaj burgim për keqpërdorim të detyrës zyrtare por që pas ankesës së ushtruar në Gjykatë të Apelit, kjo e fundit kishte zvogëluar dënimin nga 26 muaj në 18 duke e ndryshuar edhe cilësimin juridik të veprës penale. Edhe përkundër faktit se denimi i shqiptuar nga gjykata ka arritur rehabilitimin ligjor, integriteti dhe kredibiliteti i të njejtit është i dëmtuar në masë të madhe që cenon besimin e publikut që i njejti të ushtroj funksione publike që lidhen me mbikqyrjen e projekteve të cilat mund të kalojnë shifrat dhjetëra milion Euro.

OJQ-të e poshtëshënuara kërkojnë nga Qeveria e Republikës së Kosovës, respektivisht Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës që të ndal praktikën e promovimit dhe rehabilitimit të personave të denuar për vepra penale korruptive si rrugë e vetme dhe e ruajtjes së integritetit institucional dhe promovimit të shtetit ligjor.

Organizatat nënshkruese:

Instituti i Kosovës për Drejtësi

Iniciativa për Progres INPO

Lëvizja FOL

Qeveria e Kosovës duhet t`a përmirësoj konsultimin dhe angazhimin e palëve të interesuara në procesin e negociatave në bashkim evropian

Prishtinë, 14 nëntor 2023 – Lëvizja FOL sot ka publikuar raportin “Si mund të përmirësojë Kosova konsultimin dhe angazhimin e palëve të interesuara në procesin e negociatave për anëtarësim në BE?”, raport i cili thellohet në përvojat e vendeve të rajonit në lidhje me rolin e shoqërisë civile, sektorin privat/odat ekonomike, akademinë, dhe palëve të tjera të interesuara në proceset e negociatave për anëtarësim në BE.

Raporti vë në qendër të vëmendjes rastin e Sllovenisë, Kroacisë, Bullgarisë dhe Rumanisë, vende që i’u nënshtruan integrimit gjatë një periudhe 10-vjeçare dhe gjithashtu shqyrton kontributet e OSHC-ve në politikëbërje pas anëtarësimit të vendeve të tyre në BE dhe

Burbuqe Kastrati nga Lëvizja FOL, e cila prezantoj gjetjet e këtij raporti, shtjelloj procesin e deritanishëm të anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian (BE), duke filluar prej paraqitjes së kërkesës për anëtarësim në dhjetor të vitit 2021 , shtatë vjet pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) ndërmjet Kosovës dhe BE-së në vitin 2015.

Kastrati shpjegoj rastet e vendeve të rajonit të Ballkanit, tashmë anëtarë të Bashkimit Europian, konkretisht rastin e Sllovenisë. Sipas saj, një nga faktorët që dha një kontribut të rëndësishëm në suksesin e Sllovenisë në procesin e integrimit evropian ishte sektori i gjallë i shoqërisë civile, i nxitur nga një kulturë e bashkëpunimit me institucionet publike. Gjithashtu, ajo tha se Komisioni Evropian gjithashtu nënvizoi rolin kryesor të OJQ-ve, që veprojnë si agjentë të shoqërisë civile, në informimin dhe përmirësimin e të kuptuarit të institucioneve, politikave dhe vlerave të BE-së në mesin e popullatës së përgjithshme në Slloveni. Gjatë procesit të anëtarësimit, Zyra e Komunikimit të Qeverisë Sllovene bashkëpunoi gjerësisht me OJQ të shumta për të shpërndarë informacione rreth institucioneve evropiane.

Kastrati gjithashtu shtjelloj edhe procesin e pranimit të Bullgarisë dhe Rumanisë në vitin 2020, e cila mori një qasje nga lart-poshtë. “Qeveritë negociuan me BE-në, duke miratuar legjislacionin përmes parlamentit përmes pazareve shpesh të ndërlikuara për të akomoduar interesa të ndryshme politike. Ky manovrim legjislativ lejoi pak hapësirë për liri veprimi politik. Shoqëria civile luajti një rol të konsiderueshëm, të profesionalizuara, të financuara nga burime perëndimore dhe të integruara në rrjetet transnacionale”, tha Kastrati.

Në fund Kastrati shpjegoj edhe rastin e Kosovës, ku tha se përfshirja e organizatave të shoqërisë civile dhe akterëve të tjerë në punën e strukturave të stabilizim-asociimit ka qenë e kufizuar dhe jo efektive. “Shpesh qeveria e Kosovës tenton të organizojë mbledhjet e strukturave të stabilizim-asociimit pa konsultime paraprake me shoqërinë civile dhe palët e tjera të interesuara për materialet e takimeve. Kur organizohen takime konsultimi me shoqërinë civile dhe akterë të tjerë, shpesh ato bëhen afër datës së takimeve të strukturave të stabilizimit asociimit dhe lënë pak hapësirë për ndryshime në agjendë. Veçanërisht shqetësuese është mungesa e përfshirjes. së akterëve të tjerë, përveç organizatave të shoqërisë civile, veçanërisht sektorit privat”, tha Kastrati.

“Qeveria e Kosovës duhet t`i njoh organizatat e shoqërisë civile si partnerë aktivë në proceset vendimmarrëse në kuadër të Strukturave të Stabilizim Asociimit. Kjo kërkon jo vetëm konsultim, por edhe

përfshirje të vërtetë, duke përkthyer kontributin e shoqërisë civile në rezultate të prekshme të politikave”, përfundoj Kastrati.

Raporti i publikuar i Lëvizjes FOL në fund ofron edhe disa rekomandime për Qeverinë, të cila janë:

1. Qeveria e Kosovës duhet të përgatisë një raport vlerësimi për përfshirjen e shoqërisë civile dhe palëve të tjera të interesuara në punën e strukturave të stabilizim-asociimit, në përputhje me Rregulloren QRK-Nr.13/2016.

2. Prioritizimi i fushatave të ndërgjegjësimit publik që komunikojnë përfitimet, sfidat dhe implikimet e integrimit evropian, duke larguar keqkuptimet dhe duke nxitur mbështetjen. Kjo është një fushë me të cilën shoqëria civile dhe qeveria e Kosovës kanë bashkëpunuar në mënyrë efektive në të kaluarën.

3. Qeveria duhet të rrisë konsultimet me sektorin privat në kuadër të procesit të integrimit evropian dhe të njohë rolin integral të sektorit privat, duke pasur parasysh fokusin ekonomik të Marrëveshjes së Stabilizim -Asociimit. Angazhimi i Odave të Ekonomisë dhe Tregtisë, së bashku me shoqatat specifike të sektorëve, në proceset e konsultimit dhe vendimmarrjes në lidhje me integrimin ekonomik.

4. Krijimi i praktikave transparente në lidhje me ndarjen e materialeve dhe agjendave të takimeve me organizatat e shoqërisë civile dhe palët e interesuara përpara takimeve zyrtare.

5. Përafrimi i Strategjisë së Qeverisë për Bashkëpunim me Shoqërinë Civile 2019-2023 me objektivat e anëtarësimit në BE.

6. Pranimi se procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE) është dinamik dhe mund të kërkojë ndryshime në strategji.

7. Krijimi i një platforme të bazuar në ueb, e dedikuar për të ndjekur progresin e plotë të nismave të BE-së me implikime të mundshme biznesi.

Publikimi i këtij raporti është bërë i mundur me mbështetjen e Mbretërisë së Holandës, përmes Ambasadës së Holandës në Kosovë.

Si mund të përmirësojë Kosova konsultimin dhe angazhimin e palëve të interesuara në procesin e negociatave për anëtarësim në BE? Download

Intervistimi i kandidatëve për anëtarë të bordit të RTK-së: jo transparent, jo meritor dhe pa integritet

Prishtinë, 1 nëntor 2023 – Lëvizja FOL sot ka monitoruar fazën e intervistimit të kandidatëve për anëtarë të Bordit të RTK-së, ku 13 kandidatë u intervistuan nga komisioni Ad-Hoc i Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Komisioni Ad-Hoc i Kuvendit të Kosovës përbëhej nga deputetët: Agim Veliu, Fitim Haziri, Fidan Jillta, Nijazi Isaku, Besim Muzaqi, Valon Ramadani, Isak Shabani, Armend Zemaj dhe Time Kadriaj. Ndërsa, deputeti Mërgim Lushtaku mungoi.

Kandidatët të cilët iu nënshtruan intervistës ishin: Donika Xhokli, Shukrije Rama, Ilir Bytyqi, Besa Maxhuni, Shpresa Jashari, Besnik Boletini, Naile Demiri, Driton Shaipi, Afrim Gashi, Albinot Maloku, Arta Berisha, Faton Shatmani, Mehmet Kalisi.

Pas vlerësimit të procesit të intervistimit 6 kandidatët të cilët i janë rekomanduar Kuvendit të Kosovës për votim janë:

1. Mehmet Kalisi (904 pikë),

2. Ilir Bytyqi (864 pikë),

3. Albinot Maloku (830 pikë),

4. Shukrije Rama (807 pikë),

5. Naile Demiri (719 pikë) dhe

6. Driton Shaipi (710 pikë).

Lëvizja FOL konsideron që procesi i intervistimit ka qenë i padrejtë, jotransparent dhe shkelje flagrante i parimit të meritokracisë.

FOL vlerëson se procesi i vlerësimit të kandidatëve

nuk kishte trajtim të barabartë të të gjithë kandidatëve gjatë intervistimit. Kandidatëtve nuk u janë bërë pyetjet e njëjta gjatë intervistimit, gjë që do të lejonte vlerësim objektiv të të gjithë kandidatëve. Anëtarët aktualë të bordit të RTK-së u janë bërë nënpyetje shtesë, të cilat pyetje sipas vlerësimit tonë ishin pyetje tendencioze. Tutje, kohëzgjatja e intervistave prej 15 minutave për një kandidat ishte e pamjaftueshme duke marrë parasysh peshën dhe kompleksivitetin e pozitës së të qenurit anëtar i bordit të RTK. Po ashtu pikët për kandidatë u dhanë në përfundim të të gjitha intervistave dhe jo pas çdo interviste, siç është praktika në Kuvendin e Kosovës.

Ajo që është tejet shqetësuese dhe indikator i fuqishëm i mosrespektimit të parimit të meritokracisë është diskrepanca në poentimin e kandidatëve nga ana e anëtarëve të Komisionit për të njëjtin kandidat. Për shembull, dy kandidatë kanë marrë nga 4 pika në total nga deputetët Agim Veliu dhe Armend Zemaj dhe nga 100 pikë nga deputetët tjerë. Veliu dhe Zemaj nuk kanë ofruar asnjë arsyetim për poentimin minimal, gjë që nuk përkon me praktikat e krijuara gjatë proceseve rekrutuese me pjesëmarrjen e ekspertëve britanikë.

FOL ka monitoruar edhe procesin e kaluar të përzgjedhjes së anëtarëve të këtij bordi ku gjithashtu kandidati me më së shumti pikë ishte Mehmet Kalisi, përkundër faktit se i njëjti, në të kaluarën ka përdorur gjuhë fyese ndaj mediave dhe i cili gjatë intervistimit kishte përmendur si ide krijimin e një agjencie shtetërore të lajmeve në kuadër të RTK-së.

Lëvizja FOL vlerëson se mënyra e poentimit të kandidatëve nuk ka siguruar parimet e vlerësimit objektiv dhe të barabartë. Prandaj, i bëjmë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që këto propozime të kandidatëve ti trajtoj me seriozitet të lartë dhe me mundësinë e ripërsëritjes së konkursit, në mënyrë që të respektohen parimet e meritokracisë për pozitat e zgjedhura në institucionet me interes publik siç është Radio Televizioni Publik i Kosovës.

Gjatë periudhës janar-korrik 2023, Komisionet Hetimore të KPK kanë shqiptuar 4 vendime për shkelje disiplinore ndaj prokurorëve

Prishtinë, 6 tetor 2023 – Lëvizja FOL ka monitoruar vendimet e Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës në lidhje me ankesat disiplinore ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve, numrin e paneleve hetimore të krijuara dhe llojin e sanksioneve disiplinore të shqiptuara nga ana e këtyre institucioneve.
Gjatë periudhës janar – korrik 2023, Këshilli Prokurorial i Kosovës ka shqiptuar 4 vendime për shkelje disiplinore ndaj prokurorëve. Llojet e sanksioneve kanë qenë: 1 vërejtje publike me shkrim, 1 vërejtje jopublike me shkrim, 1 ulje e pagesë 30% në vit, 1 lirim nga përgjegjësia disiplinore.
Këshilli Gjyqësor i Kosovës gjatë kësaj periudhe ka shqiptuar 2 vendime për shkelje disiplinore ndaj gjyqtarëve. Llojet e sanksioneve kanë qenë: 1 lirim nga përgjegjësia disiplinore dhe 1 vërejte publike me shkrim.
Këto statistika janë bazuar në të dhënat zyrtare të pranuara nga Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës.
Ky projekt financohet nga Bashkimi Europian.

Këto statistika janë bazuar në të dhënat zyrtare të pranuara nga Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës Download

Monitorimi i mbledhjeve të Këshillit Prokurorial të Kosovës

Performanca e sistemit prokurorial dhe gjyqësor në zgjidhjen e lëndëve të korrupsionit

Performanca e sistemit prokurorial dhe gjyqësor në zgjidhjen e lëndëve të dhunës në familje

Analizë mbi mospërshtatjen e legjislacionit – rregullimi i gjyqësorit në Kosovë

Të kuptojmë dobësitë e Kosovës në shëndetësi dhe mjedis

Prishtinë, 15 shtator 2023 – Mbahet konferenca e organizatave të shoqërisë civile “Të kuptojmë dobësitë e Kosovës në shëndetësi dhe mjedis”. Fjalën e hapjes e mbajti ambasadorja Nancy Soderberg, drejtoreshë e Lartë Rezidente, NDI Kosovë

Në Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, përmes katër paneleve të ndryshme, përfaqësues të Shoqërisë Civile dhe Ministri i Shëndetësisë dhe Zëvendës Ministri i Mjedisit të Kosovës, kishin diskutuar gjetjet e OSHC-ve për gjendjen e mjedisit në Kosovë , dhe në sistemin e kujdesit shëndetësor.

Ndotja e lumenjve, depozitimi i mbetjeve në landfille sanitare, buxheti i pamjaftueshëm për menaxhimin e ujit dhe mungesa e burimeve njerëzore janë disa nga shqetësimet kryesore mjedisore të paraqitura nga koalicioni i OSHC-ve sot.

Ndërsa mungesa e kujdesit të duhur shëndetësor për qytetarët dhe vështirësitë financiare të Fondit për Kujdesin Shëndetësor të Kosovës, përmenden si disa nga vështirësitë në sistemin shëndetësor.
#NDI Kosovo, Democracy for Development (D4D), Ngo Aktiv, Internews Kosova, Instituti Columbus, Kallxo.com, Democracy Plus

Lëvizja FOL ka mbajtur punëtorinë e parë me grupin punues Agjencisë për Informim dhe Privatësi

Prishtinë, 15 shtator 2023 – Lëvizja FOL me mbështetjen e UNDP Kosova dhe në bashkëpunim me Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit/ Agencija za Sprečavanje Korupcije, do të përkrah pesë institucione të nivelit qendror për hartimin e Planeve të Integritetit.

Sot është mbajtur punëtoria e parë me grupin punues të Agjencisë për Informim dhe Privatësi.

Lëvizja FOL ka mbajtur Akademin e Juristëve të Rinj, e cila u mbajt nga 11 – 15 shtator në Prizren

Prizren 11-15 shtator 2023 – Lëvizja FOL me mbështetje nga Departamenti i Shtetit Amerikan, përmes Byrosë Ndërkombëtare për Çështje të Narkotikëve dhe Sundim të Ligjit (INL), ka mbajtur Akademin e Juristëve të Rinj e cila u mbajt për pesë ditë në Prizren nga 11-15 shtator 2023.

Në fjalën hyrëse Drejtorja Ekzekutive e Lëvizjes FOL, Mexhide Demolli – Nimani, i ka uruar mirëseardhje 35 juristëve të rinj, duke i falenderuar për interesimin për tu bërë pjesë e Akademisë dhe duke potencuar rëndësinë që ky organizim ka për ngritjen e tyre profesionale.

Të ftuar në ditën e parë të Akademisë ishin: znj. Tamra Greig – Drejtoreshë e Byrosë së Narkotikëve dhe Sundimit të Ligjit (INL) për Kosovën, e cila iu drejtua pjesëmarrësve duke i inkurajuar për të marrë pjesë në organizime të tilla, dhe duke vlerësuar pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve të drejtësisë për të ndarë përvojen e tyre me profesionistët e rinj.

z.Albert Zogaj – Kryesues i Këshillit Gjyqësor të Republikës së Kosovës, kishte ndarë me të pranishmit pikëpamjen e tij lidhur me vizionin, mundësitë dhe sfidat në sistemin e drejtësisë si dhe mbi etikën ligjore. Njëherazi, z. Zogaj kishte zhvilluar një diskutim me pjesëmarrësit e rinj mbi rëndësinë dhe nevojën për pavarësinë e sistemit të drejtësisë në Kosovë dhe elementet për garantimin e kësaj pavarësie.
Në pjesën e dytë të ditës, pjesëmarrësit jishin trajnuar nga Bashkim Hyseni – Gjyqtar në Gjykatën e Apelit, mbi shkrimin dhe arsyetimin ligjor sipas metodës IRAC, dhe aplikimin e kësaj metode në punën e një praktikuesi ligjor në Kosovë, për të vazhduar me punën dhe diskutimin në grupe me raste të simuluara, fasilituar nga Alban Krasniqi.

• DITA E DYTË E AKDEMISË SË DREJTËSISË

Në ditën e dytë të Akademisë për Juristët e Rinj, pjesëmarrësit së bashku me fasilituesin, Alban Krasniqin, kishin diskutuar mbi rëndësinë e të drejtave dhe garancive kushtetuese për sundimin e ligjit në kontekst të një procesi gjyqësor ⚖️.
Pjesëmarrësit kihsin zhvilluar një ushtrim grupor mbi konventat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe aplikimin e tyre në sistemin juridik në Kosovë, ku më pas i kanë prezantuar idetë e tyre lidhur më këto çështje.
Në pjesën e dytë të ditës, Gëzim Shala – Zyrtar i Lartë Ligjor në Institutin e Kosovës për Drejtësi, kishte diskutuar me pjesëmarrësit rreth rolit të organizatave të Shoqërisë Civile në sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut në shoqëritë pas tranzicionit dhe rritjen e trasparencës dhe llogaridhënjes së sistemit të drejtësisë në Kosovë.

• DITA E TRETË E AKADEMISË

Në ditën e tretë të Akademisë për Juristët e Rinj, i ftuar ishte Rrustem Thaqi – Gjyqtar i Gjykatës Supreme, ku kishte ligjëruar mbi aspektet e përgjithshme të procedurës civile: nisjen e procedurës, kushtet proceduriale, hapat përgatitor dhe mbi përmbajtjen dhe elementet e shkresave kryesore të kësaj faze të shqyrtimit gjyqësor civil.

Njëashtu, z.Thaqi, bashkë më pjesëmarrësit kishin diskutuar mbi procesin gjyqësor civil, sipas mjeteve juridike, në Gjykatën e Apelit dhe në Gjykatën Supreme.

Në pjesën e dytë të ditës, i ftuar ishte Afrim Shala – Gjyqtar i Gjykatës Supreme, ku kishte ligjëruar mbi veprat penale, tentative, bashkëpunimin në kryerjen e veprës penale si dhe korrupsionin zyrtar dhe veprat penale kundër detyrës zyrtare, për të vazhduar me pyetje të hapura nga pjesëmarrësit dhe diskutime në grup.

• DITA E KATËRT E AKADEMISË

Në ditën e katërt të Akademisë për Juristët e Rinj, e ftuar ishte znj.Zylfie Dema – Nënkolonele, në Policinë e Kosovës për të diskutuar rreth rolit dhe funksionit të Policisë për parandalimin dhe luftimin e kriminalitetit.

Sebahate Hoxha – Prokurore e Shtetit, ka diskutuar mbi rolin dhe funksionin e prokurorisë në luftimin e kriminalitetit me fokus në procesin gjyqësor penal në shkallën e parë.

E pranishme në Akademi ishte Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ku ka folur mbi Shtetin e së Drejtës dhe ka zhvilluar një diskutim të hapur me pjesëmarrësit sa i përket reformave të Ministrisë së Drejtësisë.

Në pjesën e dytë të ditës, Valon Kurtaj – Gjyqtar i Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka folur mbi shqyrtimin gjyqësor dhe vendimmarrjen në procesin penal dhe veprat penale të krimit të organizuar dhe krimet tjera në kompetencë të Departamentit Special.

Kreshnik Radoniqi, Gjyqtar në Departamentin Special të Gjykatës së Apelit, Kryetar i KQZ-së, ka diskutuar rreth karakteristikave të procedurës dhe lëndëve që trajtohen nga Departamenti Special nga Gjykata e Apelit duke vazhduar diskutimin me pjesëmarrësit rreth sistemit zgjedhor në Kosovë dhe procedurat për ndjekjen e shkeljeve dhe veprave penale kundër të drejtave të votimit.

• DITA E PESTË E AKADEMISË

Në ditën e fundit të Akademisë, Alban Krasniqi kishte diskutuar bashkë me pjesëmarrësit mbi rolin e lidershipit etik për sundimin e ligjit dhe sistemin e drejtësisë, për të vazhduar me punën e zhvilluar në grupe (raste të simuluara), ku më pas pjesëmarrësit patën rastin t’i prezantojnë ato.

Në pjesën e dytë të ditës, i ftuar ishte avokat Artan Çerkini, ku kishte diskutuar mbi rolin e aftësive litiguese për praktikuesit e rinj ligjor.

Në fund, pjesëmarrësve iu ndanë certifikata për përfundim të suksesshëm të Akademisë për Juristët e Rinj.
Lëvizja FOL, falendëron të gjithë pjesëmarrësit dhe folësit që u bënë pjesë e Akademisë, e cila ishte një përvojë e jashtëzakonshme.

Ky projekt mbështetet nga Departamenti i Shtetit Amerikan, përmes Byrosë Ndërkombëtare për Çështje të Narkotikëve dhe Sundim të Ligjit (INL).

Gjykata Komerciale publikon 700 vendime gjyqësore gjatë muajit korrik

Prishtinë, 13 Shtator 2023 – Lëvizja FOL ka vazhduar të bëjë monitorimin e publikimit të aktgjykimeve dhe aktvendimeve në ueb faqen zyrtare të Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Të gjitha këto vendime të publikuara nga Gjykatat e Kosovës gjatë kësaj periudhe janë monitoruar një nga një sa i përket përmbushjes së kërkesave që përcaktohen me aktet nënligjore në fuqi.

Gjatë muajit korrik gjykatat kanë publikuar 2705 vendime gjyqësore në ueb-faqen zyrtare të Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Nga 2705 vendime gjyqësore të publikuara në ueb faqen zyrtare vlen të përmendet se gjatë monitorimit kemi evidentuar 13 aktgjykime të përsëritura, andaj numri i përgjithshëm i vendimeve të publikuara është 2,692. Numrin më të madh të vendimeve i ka publikuar Gjykata Komerciale, përkatësisht 700 vendime gjyqësore.

Të dhënat e detajuara në lidhje me publikimin e vendimeve nga secila gjykatë në veçanti, duke përfshirë degët dhe departamentet e tyre, mund t’i shihni në grafikonët e mëposhtëm.

FOL u vizitua nga delegacioni i Institutit CEELI

Prishtinë, 06 shtator 2023 – Sot kishim kënaqësinë që në zyret e Lëvizjes FOL të mirëpresim delegacionin e Institutit CEELI, znj. Quinn O’Keefe – Drejtore Ekzekutive e The CEELI Institute, Arlind Puka – Zyrtar i Programit, Natálie Smutná – Online Learning Coordinator si dhe dy Gjyqtarët nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës Jonathan Hawley, dhe Anthony Porcelli.

Drejtorja ekzekutive e Lëvizjes FOL, Mexhide Demolli Nimani dhe Menaxherja e Programeve në FOL, Nora Bajrami i njoftuan me punën e FOL-it për gjatë viteve me fokus të veçantë në monitorimin e sistemit të drejtësisë dhe luftes kundër korrupsionit.

“E drejta për tu harruar” e panjohur nga qytetarët

Prishtinë, 9 shtator 2023 – Lëvizja FOL, me mbështetjen e Fondit për Zhvillimin e Komunitetit (CDF), dhe të SIDA-s në kuadër të projektit “Mbrojtja e të drejtave të njeriut përmes mbrojtjes së të dhënave: Forcimi i mediave dhe shoqërisë civile në Kosovë”, publikon sot raportin “E drejta e fshirjes së të dhënave personale (E drejta për tu harruar)”.
Ky raport ka për qëllim vlerësimin e zbatimit të së drejtës për t’u harruar, njëkohësisht duke synuar promovimin e kësaj të drejte tek qytetarët e Republikës së Kosovës.

Albana Hasani, Hulumtuese e lartë në Lëvizjen FOL tha se e drejta për tu harruar është e drejtë e re e paraparë në legjislacionin tonë. “Kjo temë është e pa trajtuar më parë, ka mungesë të raporteve, të artikujve e shkrimeve tjera në lidhje me këtë fushë. Pra ky është raporti i parë i bërë në këtë segment të privatësisë”, tha Hasani duke shtuar se ky raport synon të jap informacione tek qytetarët për këtë të drejtë që ju takon, në mënyrë që të shpërfaqet pasqyra e plotë e kuptimit dhe esencës të së drejtës për t’u harruar, si dhe është shtjelluar korniza ligjore kombëtare dhe ndërkombëtare në të cilën mbështetet e drejta e privatësisë dhe e drejta për tu harruar në veçanti.

“Kjo e drejtë, pra, ndërlidhet me të drejtën e individëve për të mos i`u përdorur të dhënat personale kur nuk ka interes publik dhe për shkak se të njëjtat nuk përputhen me qëllimet fillestare të mbledhjes së tyre. Pra është e drejtë që lidhet ngushtë me privatësinë dhe mbrojtjen e të dhënave personale”, tha ajo.
Për herë të parë në mënyrë normative, “E drejta për t’u harruar” u rregullua me 27 prill të vitit 2016 dhe filloj të zbatohet 2 vite më vonë, kur në vendet anëtare të Bashkimit Evropian hyri në fuqi Rregullorja e Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave.

Për shkak të rëndësisë që ka, e drejta e fshirjes së të dhënave personale apo e drejta për t`u harruar është inkorporuar edhe në Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale të Republikës së Kosovës, që është hartuar në përputhje me rregulloren e Bashkimit Evropian.
Sipas Agjencisë për Informim dhe Privatësi, që është institucioni kompetent për trajtimin e këtyre ankesave, e drejta për tu harruar është e drejtë pak e njohur nga qytetarët, prandaj edhe numri i ankesave të bëra në këtë institucion në lidhje me shkeljen e kësaj të drejte është tejet i vogël.

Sipas statistikave zyrtare të pranuara nga Agjencia për Informim dhe Privatësi, në vitin 2022 ka qenë vetëm 1 ankesë për përmbushjen e të drejtës për tu harruar. Ndërsa gjatë këtij viti kanë qenë 146 ankesa në lidhje me shkeljen e të dhënave personale në përgjithësi, 33 ndaj institucioneve publike dhe 113 ndaj institucioneve private.
Ndërsa sa i përket vendimeve të nxjerra, gjatë vitit 2022 AIP kishte nxjerrë 172 vendime, 23 vendime ndaj instit
ucioneve publike dhe 149 ndaj institucioneve private. Pra, këtu shihet se shkelja e të dhënave personale është bërë dukshëm më shumë nga institucionet private, se sa ato publike.
Prej këtyre vendimeve, 8 vendime kanë qenë dënime për shqiptimin e gjobave kundërvajtëse, 4 ndaj institucioneve publike dhe 4 ndaj institucioneve private. Vlera e këtyre vendimeve me gjobë arrinte shumën 169 mijë euro.

Për të arritur qëllimet dhe objektivat e këtij raporti, Lëvizja FOL ka intervistuar edhe përfaqësuesit e organizatave të shoqërisë civile dhe mediave në lidhje me atë se sa e shohin të rëndësishme mbrojtjen e të dhënave personale, si dhe se si e vlerësojnë nivelin e tyre të informimit për të drejtën për t`u harruar, në veçanti.
Në përgjithësi, të gjitha organizatat janë shprehur se kanë njohuri për këtë të drejtë, dhe që kanë zhvilluar aktivitete për promovimin e të drejtës së privatësisë, por jo edhe për të drejtën për tu harruar në veçanti.

Në fund, Lëvizja FOL rekomandon që të gjithë qytetarët të cilët pretendojnë se u janë publikuar të dhëna personale nga institucionet apo kompanitë, të dhëna që nuk kanë ndonjë interes publik, apo që e kanë humbur qëllimin fillestar të publikimit të tyre, të kërkojnë nga ta që të njëjtat të fshihen, dhe nëse të drejtat e tyre nuk realizohen, t`i drejtohen me ankesë Agjencisë për Informim dhe Privatësi ne mënyrë që ta përmbushin të drejtën e tyre.

Raportin e plotë mund ta gjeni këtu

Lëvizja FOL do të vazhdojë me monitorimin rreth zbatimit të kësaj të drejte dhe të ankesave eventuale nga qytetarët.

Punëtoria dy ditore e Trajnimit për Trajner të Akademisë së Drejtësisë rreth Gjykimit të Rasteve të Korrupsionit

Prishtinë, 05 shtator 2023 – Eshtë mbajtur punëtoria dy ditore e Trajnimit për Trajner të Akademisë së Drejtësisë rreth Gjykimit të Rasteve të Korrupsionit nga trajnuesit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës z. Jonathan Haëley dhe z. Anthony Porcelli prej Federal Judicial Center (FJC) të angazhuar nga The CEELI Institute.

Ky trajnim është duke u realizuar në kuadër të projektit “Lufta efektive kundër korrupsionit” (ECAC) përkrahur nga IFES dhe CEELI Institute, ku FOL është partner për Kosovën.

Kjo është punëtoria e dytë në kuadër të këtij trajnimi i cili është hartuar për të përmirësuar aftësitë e trajnerëve dhe për të përditësuar metodologjinë dhe kurrikulat e tyre ekzistuese.

Punëtorinë Rajonale për Strategjinë Kundër Korrupsionit

Prishtinë 1 shtator 2023 – Lëvizja FOL në kuadër të projektit “Lufta efektive kundër korrupsionit” (ECAC) përkrahur nga IFES, ka mbajtur sot “Punëtorinë Rajonale për Strategjinë Kundër Korrupsionit”.
Qëllimi i kësaj punëtorie një ditore ishte identifikimi i boshllëqeve ekzistuese në zhvillimin e strategjive kundër korrupsionit, me fokus në bashkëpunimin rajonal.
Pjesëmarrës në këtë punëtori ishin përfaqësues të institucioneve dhe shoqërisë civile nga vendi dhe rajoni.
Punëtoria u hap me një diskutim mbi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal në luftën kundër korrupsionit, sfidat në draftimin e strategjisë kundër korrupsionit dhe shkëmbimin e përvojave dhe praktikave që nxisin transparencën dhe mirëqeverisjen e institucioneve.

Të ftuar ishin: z. Yll Buleshkaj – Drejtor i Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit/ Agencija za Sprečavanje Korupcije (Kosovë), znj. Jelena Perovic – Drejtore e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit (Mali i Zi), znj. Marta K. Gazideda – UNDP Kosovo dhe z. Vedat Sagonjeva – Drejtor i Zyrës për Planifikime Strategjike pranë Zyrës së Kryeminstrit.
Prezent ishin edhe: Nuri Bajrami nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (Maqedoni e Veriut), Hener Shanaj – Drejtoria e Përgjithshme Kundër Korrupsionit (Shqipëri), Nikola Lekic – Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (Mali i Zi), German Filkov – Center for Civil Communications – CCC (Maqedoni e Veriut), Jasna Filipovic – Centar za primenjene evropske studije (Serbi), si dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile në Kosovë të cilët janë pjesë e grupit punues për hartimin e strategjisë kundër korrupsionit.

Në pjesën e dytë të ditës, është mbajtur sesioni mbi identifikimin e boshllëqeve dhe praktikave më të mira, ku pjesëmarrësit janë ndarë në grupe dhe kanë diskutuar mbi praktikat e suksesshme në draftimin e strategjisë kundër korrupsionit duke përfshirë mënyrat se si të rritet bashkëpunimi mes vendeve të rajonit, vetëdijesimi qytetarë, dhe edukimi në fushën kundër korrupsionit.
Pas kësaj, grupet kanë ndarë perspektivat e tyre mbi kornizën ligjore ekzistuese, nevojën për forcim të mekanizmave që mbajnë institucionet përgjegjëse për implementim të strategjisë kundër korrupsionit.

Rekomandimet e dala nga kjo punëtori do të i prezatohen grupit punues të Qeverisë së Kosovës per hartimin e strategjisë kundër korrupsionit.

Kapacitetet aktuale të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit nuk mjaftojnë për përmbushjen e obligimeve ligjore

Prishtinë, 30 gusht 2023 – Lëvizja FOL, me mbështetjen e IFES në kuadër të projektit “Lufta Efektive Kundër Korrupsionit”, ka publikuar sot raportin “Kapacitetet e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit në përmbushjen e obligimeve ligjore”.
Në këtë raport, Lëvizja FOL ka analizuar kapacitetet aktuale të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit mbi mundësitë e përmbushjes së mandatit ligjor, kompetencat dhe përgjegjësit, në raport me rritjen e vëllimit të punëve të paraparë me miratimin e ligjeve të reja që e mbulojnë fushëveprimatarinë e kësaj agjencie.

Albana Hasani, Hulumtuese në Lëvizjen FOL, prezantoj gjetjet e këtij raporti. Hasani tha se dihet se me hyrjen në fuqi të Ligjit për Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit dhe të Ligjit për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë dhe të Dhuratave, kompetencat dhe përgjegjësitë e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit janë rritur në masë të madhe.
Kjo rritje e përgjegjësive ndikohet veçanërisht nga rritja e numrit të zyrtarëve publik të cilët obligohen t`a deklarojnë pasurinë. Pra, krahas rreth 5,000 zyrtarëve publik që kanë qenë të obliguar të deklarojnë pasurinë, me dispozitat e Ligjit të ri për Deklarimin e Pasurisë ky numër i zyrtarëve është rritur në rreth 20,000 zyrtarë.

Por sipas Hasanit, pavarësisht shumëfishimit të punëve dhe përgjegjësive, të këtij institucioni të bëra nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, organi ligjvënës ka paraparë rritje minimale të buxhetit të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit për vitin 2023.

Hasani ka theksuar gjithashtu se, sipas Ligjit për Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2023, buxheti i Agjencisë ka pësuar ngritje vetëm për 12.000 euro, apo vetëm 2.21% në krahasim me vitin 2022. Pra, sipas Hasanit, kjo nënkupton se Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, si shkak i kostos buxhetore, do ta ketë të pamundur të realizoj obligimet që i janë shtuar me ligjet e ndryshuara.

Gjithashtu, pavarësisht shumëfishimit të vëllimit të punëve të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, numri i të punësuarve në këtë institucion edhe gjatë këtij viti do të vazhdoj të mbetet i njëjtë sikurse në vitin paraprak, pra vetëm 43 të punësuar. Pra agjencia vazhdon punën me stafin që e kishte para plotësim/ndryshimeve legjislative, ndërsa kërkesa e agjencisë për plotësime të stafit vazhdon të mbetet ende e pa aprovuar nga institucionet kompetente.
Pra, planifikimi buxhetor i bërë nga Qeveria e Kosovës dhe i miratuar nga Kuvendi i Kosovës nuk i përmbush nevojat dhe kërkesat e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit në përmbushjen e obligimeve ligjore.

“Gjithashtu, duhet të theksohet se Strategjia dhe Plani i Veprimit për Parandalimin e Korrupsionit, hartimi i së cilës deri në hyrjen në fuqi të ligjit të ri ishte në kompetencë të agjencisë, e tani ka kaluar në kompetencë të Qeverise (dhe pra agjencia e bën vetëm monitorimin e zbatimit të saj), nuk është hartuar ende. Pra, Institucionet e Republikës së Kosovës edhe pas një periudhe të gjatë kohore, po vazhdojnë të kenë mungesë të Strategjisë dhe Planit të Veprimit për Luftimin e Korrupsionit”, ka thënë ndër të tjera Hasani.
“Pra procesi i hartimit të këtij dokumenti te rëndësishëm është ne fazën fillestare te tij dhe do të shohim nëse i njëjti do te finalizohet brenda kohës se parapare”, ka përfunduar Hasani.

Bazuar në të gjeturat e këtij raporti, Lëvizja FOL ka dhënë disa rekomandime, disa prej të cilave janë:
• Të rritet buxheti i destinuar për Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit në rishikimin e buxhetit për vitin 2023. Kjo rritje buxhetore do t’i mundësonte agjencisë t’i përmbushë obligimet e ngarkuara me ligjin e ri në mënyrë efektive, si dhe të përmbushë objektivat e saj në luftimin dhe parandalimin e korrupsionit.

• Të përmbushen kërkesat e agjencisë për rritjen e numrit të stafit të agjencisë dhe për përmirësim të infrastrukturës së objektit të agjencisë.

• Të ngritën kapacitetet profesionale të agjencisë dhe aspektet tjera të avancimit të zyrtarëve të agjencisë në trajtimin e rasteve të konfliktit të interesit, të sinjalizimit, si dhe të deklarimit të pasurisë përmes trajnimeve.

• Si dhe qe Qeveria e Kosovës të ndërmarrë hapa të shpejtë në drejtim të finalizimit të Strategjisë Shtetërore dhe Planit të Veprimit për Parandalimin dhe Luftimin e Korrupsionit.

Nga 175 aktivitete të parapara të përfundojnë në gjashtë mujorin e parë të vitit 2023, janë përfunduar vetëm 60 prej tyre

Prishtinë 22 gusht 2023 – Lëvizja FOL ka publikuar sot të dhënat nga monitorimi i Planit Vjetor të Punës së Qeverisë, tashmë të quajtur Plani Kombëtar për Zhvillim.
Znj. Mexhide Demolli-Nimani, drejtore e Lëvizjes FOL tha se para se të prezantojmë realizimin e aktiviteteve për secilën ministri, do prezantojmë disa të dhëna sa i përket përmbajtjes së këtij plani. “Plani Kombëtar për Zhvillim është përpjekja e tretë e Qeverisë Kurti 2 për planifikimin operacional të punës së saj, duke ndërruar formën e planifikimin për secilin vit që nga ardhja në pushtet”, tha ajo, duke shtuar se pikërisht për ketë kanë bërë edhe një analizë të shkurtër të këtij plani. Një nga të metat e mëdha të këtij lloji të planifikimit është vështirësia e zyrtarëve publik për planifikim të mirëfilltë dhe kuptim të PKZH-së, e cila përsëritet për çdo vit.

Sipas znj. Demolli – Nimani, Lëvizja FOL ka identifikuar këto të gjetura kryesore:

– Elementet kryesore të Planit Kombëtar për Zhvillim (tani e tutje: PKZh) janë: qëllimet zhvillimore dhe strategjike të shoqëruar me tregues të ndikimit dhe tregues kryesor të rezultateve, masat strategjike të shoqëruara me tregues të rezultateve, veprimet e shoqëruara me tregues të produkteve, peshimi i masave strategjike dhe veprimeve, afatet kohore, buxheti dhe elemente tjera më pak të rëndësishme.
Plani ka një logjikë rrjedhëse, mirëpo pas analizimit të të njëjtit, vërehet së në fakt planifikimi operacional ka mangësi të tepërta të cilat e bëjnë planin të pa lexueshëm, të pa kuptueshëm dhe që nuk tregon asgjë apo edhe e fsheh zbatimin e vërtetë të PKZh.

– Aktivitetet e parapara në PKZh nuk korrespondojnë me Programin Legjislativ për vitin 2023. Për shembull, Ministria e Shëndetësisë në Planin Legjislativ gjithashtu ka paraparë 5 projektligje por asnjëra nuk është përfshirë në Planin Strategjik Kombëtar; Ministria e Drejtësisë në Planin e saj Legjislativ kishte paraparë miratimin e 9 projektligjeve, ndërsa në Planin Strategjik Kombëtare janë paraparë vetëm 8 projektligje; Zyra e Kryeministrit ka parapare miratimin e 5 projektligjeve në Planin Legjislativ por vetëm 1 prej tyre është përmendur edhe në Planin Strategjik Kombëtare.

– Masat strategjike të PKZh-së janë intervenimet të cilat ndërmerren për një periudhë 3 vjeçare, të cilat shoqërohen me tregues, veprime dhe buxhet përkatës. Sidoqoftë, hartimi i masave nga ana e ministrive nuk ka uniformitet. Mungesa e uniformitetit vërehet në nivelin e masës: në disa raste janë jashtëzakonisht specifike ndërsa në disa raste të tjera janë pothuajse të barasvlershme si vet qëllimi strategjik. E njëjta vlen edhe për nivelin e treguesve. Edhe pse për masa strategjike është dashur të caktohen tregues të rezultateve, ato janë përzier me tregues të produkteve, e në raste të caktuara edhe me ato të ndikimit.
Po ashtu, në shumë raste buxheti mungon dhe nuk dihet se sa shpenzohet për një masë të caktuar për arritjen e treguesve të vendosur. Një nga shkaqet për këtë është mungesa e kapaciteteve analitike për lidhjen e buxhetit dhe shpenzimeve me procesin dhe rezultatet e synuara.

– E metë tjetër e planit është mungesa e komunikimit të masave strategjike me qëllimet strategjike apo me treguesit e vendosur në qëllimet strategjike. P.sh., Ministria e Drejtësisë orienton masat e saj në politika si koncept dokumentet, strategjitë apo ligjet, ndërsa treguesit kryesor të ndikimit janë tregues për zvogëlimin e kohës për raste në nivele të ndryshme gjyqësore. Edhe pse politika të rëndësishme për ndryshime, të njëjtat nuk komunikojnë me treguesit e qëllimeve strategjike.
Mirëpo, kjo tregon në veçanti mungesën e kuptimit të PKZh-së nga ana e zyrtarëve publikë dhe planifikimin jo të mirë operacional në metodologji dhe formë.

– Peshimi është zbulimi i ri i Qeverisë në planifikimin operacional, për të cilin nuk ka informacione dhe nuk ka ndonjë shpjegim se pse bëhet apo si kalkulohet. Në këtë plan ne kemi dy raste kur bëhet peshimi: një tek masat strategjike dhe një tek aktivitetet.

Peshimi ka pesë nivele, nga 1 si më e ulëta deri në 5 si më e larta. Mirëpo, edhe në mungesë të shpjegimeve apo formulave/kalkulimeve, vërehet një mungesë e madhe uniformiteti në vlerësime që mund të zbërthehen sipas masave strategjike, veprimeve, institucioneve apo edhe qëllimeve zhvillimore e strategjike.
Ka raste kur një koncept dokument vlerësohet 5 e ka raste kur vlerësohet 3. E njëjta edhe me veprimet tjera më të parëndësishme, ku përfundimi i veprimit nuk ka ndonjë efekt në arritjen e treguesit të rezultateve, e sidomos në treguesit kryesor të rezultateve dhe treguesve të ndikimit. Pra, ka të meta të mëdha në peshim, me aq sa mund të kuptohet nga tabela e PKZh-së.

– Veprimet janë pjesa kryesore operacionale e PKZh-së ku reflektohen intervenimet që ndërmerr Qeveria për arritjen e synimeve. Në shumë raste veprimet janë jo të nivelit të njëjtë: ka veprime të cilat janë të përgjithshme të cilat interpretohen në forma të ndryshme dhe që matet me tregues të ndryshëm, kryesisht të produktit, që shpesh herë janë ngatërruar me tregues të inputit apo me tregues që nuk tregojnë asgjë.
Ndërsa afatet për veprime janë vendosur se kur ato fillojnë dhe kur përfundojnë. Mirëpo një pjesë e madhe e tyre kanë afate të vazhdueshme për 1 vit apo 3 vite. Pra, fillon në janar dhe mbaron në dhjetor të vitit përkatës, apo kështu përsëriten për secilin vit. Ky është edhe një tregues që veprimet janë veprime jo reformuese por rutinore, të cilat edhe po të mos vendosen në plan, ato do të realizohen nga ministritë.
Ndërkaq Albana Hasani, Hulumtuese e Lartë në Lëvizjen FOL prezantoj realizimin e aktiviteteve për secilën ministri:

Pasqyra e realizimit të aktiviteteve të parapara në gjashtë mujorin e parë të vitit 2023 nga ana e dikastereve të Qeverisë:
– MASHT – Nga 10 aktivitete të parapara të përfundojnë në tre mujorin e dytë të vitit 2023, 4 prej tyre nuk janë përfunduar.

– ZKM – Ka planifikuar 47 aktivitete që të përfundohen deri në fund të 3 mujorit të dytë, ndërkaq ka realizuar vetëm 12 prej tyre.

– MPBZHR – ka planifikuar të realizoj 5 aktivitete nga të cilat i ka përfunduar të gjitha.

– MSH – ka planifikuar 14 aktivitete prej të cilave i ka realizuar vetëm 8 aktivitete.

– MKK – ka paraparë vetëm 1 dhe atë e ka realizuar.

– MZHR – ka paraparë vetëm 1 dhe atë e ka realizuar.

– MM – ka parapare vetëm 2 aktivitete prej të cilave vetëm një është realizuar.

– MAPL – ka planifikuar vetëm 4 aktivitete dhe ka realizuar ka realizuar 3 dhe 1 nuk e kanë realizuar.

– MD – ka planifikuar 14 aktivitete të përfundojnë brenda 6 mujorit të parë. Nga to 5 janë përfunduar, 6 nuk janë përfunduar ndërkaq për dy të tjera nuk kanë ofruar përgjigje.

– MPB – ka planifikuar 16 aktivitete, prej te cilave ka realizuar vetëm 2.

– MFPT – ka planifikuar 8 aktivitete prej të cilave i ka përfunduar 6 dhe 2 nuk janë realizuar.

– MINT – ka paraparë 18 aktivitete prej të cilave 7 i ka përfunduar dhe 10 nuk i kanë përfunduar dhe për 1 nuk kanë ofruar përgjigje.

– ME – ka planifikuar 5 aktivitete prej të cilave ka përfunduar vetëm 3 ndërkaq 2 nuk janë realizuar ne afatin e paraparë.
– Ndërkaq këto ministri nuk kanë kthyer përgjigjje: MMPHI(e cila i kishte të planifikuara 15 aktivitete për këtë periudhë), MPJD(e cila i kishte të planifikuara 7 aktivitete) dhe MKRS(kishte paraparë 8 aktivitete). Prandaj aktivitetet e tyre nuk janë përfshire fare në kalkulim.

Në tërësi, në 6 mujorin e parë të vitit 2023 në Planin Kombëtar për Zhvillim është paraparë realizimi i 175 aktiviteteve, prej të cilave kanë arritur të realizohen vetëm 60 nga to brenda afatit të paraparë.

Si përfundim, Lëvizja FOL ka nxjerrë këto konkluzione:
– Planifikimi i punës së Qeverisë është i pakuptueshëm, i pa lexueshëm dhe metodologjia e përdorur nuk tregon zbatimin e vërtetë, madje në disa raste e fshehë zbatimin e ulët.
– Metodologjinë e planifikimit të punës së Qeverisë nuk e kuptojnë as vetë zyrtarët publikë të cilët e hartojnë PKZH-në.
– Aktivitetet e parapara në PKZh nuk korrespondojnë më Programin Legjislativ për vitin 2023.
– Qëllimet, masat, veprimet, peshimi dhe buxheti janë të ndërlikuara, të përziera, jo uniforme dhe mungojnë në shumë raste.
– Elementet e PKZH-së nuk komunikojnë njëra me tjetrën: masat strategjike apo veprimet e propozuara nuk ndikojnë në arritjen e rezultateve të caktuara.
– Afatet kohore janë të vendosura në atë mënyrë që mund të interpretohen edhe si nisje edhe si mbarim, kur për këto vendosen statistika, gjë që fsheh mungesën e zbatimit apo zbatimin e ulët.