Author: admin
FOL, IKD dhe INPO: KPK-ja të sigurojë përfaqësim gjinor me së paku tri anëtare gra, me zgjedhjen e anëtarit të ri nga radhët e PSRK-së
Prishtinë, 18 mars 2024– Organizatat joqeveritare të poshtëshënuara i bëjnë thirrje Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) që në përputhje me kompetencat që ka, të garantojë përfaqësimin gjinor në përbërjen e KPK-së me rastin e votimit për anëtarin e ri të Këshillit nga radhët e prokurorëve të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK).
KPK nga 27 marsi 2024 do të mbetet vetëm me dy anëtare gra në përbërjen e vet. Kjo pasi anëtares aktuale Merita Bina-Rugova i përfundon mandati më 27 mars 2024. E njëjta, në këtë pozitë ishte zgjedhur më 27 mars 2019.
Për plotësimin e kësaj pozite, Këshilli kishte shpallur konkursin më 13 shkurt 2024. Këtë konkurs, KPK e kishte shpallur me vonesa duke mos respektuar afatin kohor që kërkohet me Rregulloren Nr.06/2020 për Zgjedhjen e Anëtarëve Prokurorë të Këshillit Prokurorial të Kosovës, [Neni 6, par.1], ku përcaktohet se: “KPK-ja merr vendim për shpalljen e zgjedhjeve për anëtarë të saj nga radhët e prokurorëve, së paku tre (3) muaj para përfundimit të anëtarit të KPK-së”. Ky konkurs ishte shpallur një muaj e dy javë apo 43 ditë para përfundimit të mandatit të anëtares Bina-Rugova.
Pas shpalljes së konkursit për pozitën e anëtarit të KPK-së nga radhët e prokurorëve të PSRK-së, garës i janë nënshtruar prokurori Milot Krasniqi dhe prokurorja Habibe Salihu. Në zgjedhjet e mbajtura më 15 mars 2024, prokurori Krasniqi ka arritur të marrë 10 vota, ndërsa prokurorja Salihu tri vota. Kurse, dy vota ishin shpallur të pavlefshme. Në procesin zgjedhor morën pjesë 15 prokurorë të PSRK-së.
FOL, IKD dhe INPO i bëjnë thirrje KPK-së që të respektojë Ligjin për KPK dhe Rregulloren përkatëse për zgjedhjen e anëtarëve prokurorë, kjo me qëllimin e vetëm që të sigurohet përfaqësimi gjinor siç kërkohet me legjislacionin në fuqi.
Sipas Ligjit Nr.06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës, [neni 9, paragrafi 4], është përcaktuar se: “Anëtarët e Këshillit pasqyrojnë natyrën shumetnike dhe parimet e barazisë gjinore në Republikën e Kosovës dhe zgjedhen bazuar në kompetencën, përvojën dhe njohurinë e tyre”. Pra, sipas këtij Ligji, përbërja në KPK duhet të pasqyrojë parimet e barazisë gjinore.
Edhe sipas Rregullores përkatëse, konkretisht [Neni 5, par.2], Këshilli duhet të kujdeset dhe të bëjë vlerësimet paraprake mbi nivelin e përfaqësimit gjinor. Tutje, paragrafi 3 i po këtij neni ka paraparë se: “Nëse ka aplikues nga komunitetet joshumicë ose të gjinisë femërore, KPK-ja do të angazhohet të sigurojë që në përbërjen e saj të ketë së paku një (1) anëtar nga komunitetet joshumicë dhe së paku tre (3) anëtarë të gjinisë femërore”. Sipas rregullores përkatëse, kërkohet që në përbërjen e KPK-së minimumi të jenë tri (3) anëtare të gjinisë femërore.
Po ashtu, [neni 8, par. 15] i Rregullores përkatëse ka përcaktuar se: “Nëse KZ i KPK-së konstaton se përfaqësimi i tillë gjinor dhe etnik nuk është arritur sipas nenit 4 të kësaj rregulloreje, atëherë KPK-ja do ta zbatojë rregullën sipas së cilës kandidatët femra apo kandidatët nga radhët e komuniteteve joshumicë që kanë numër më të lartë të votave në nivel të të gjitha prokurorive ku mbahen zgjedhjet në proporcion me numrin e përgjithshëm të prokurorëve, zgjedhen me përparësi anëtarë të KPK-së. Në rast se kandidatët kanë vota të njëjta atëherë zgjedhja bëhet me short”.
KPK në të kaluarën ka pasur situata të tilla të ngjashme, e ku veproi në përputhje me legjislacionin në fuqi. Kujtojmë se në zgjedhjet e zhvilluara në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, në tetor të vitit 2020 në votimin e dytë në garë kishin qenë prokurorët Jovo Radoviq dhe Naim Beka. Prokurori Beka e kishte fituar besimin e prokurorëve me 11 vota, ndërsa prokurori Radoviq kishte marrë vetëm 9 vota. Megjithatë, edhe pse humbës i zgjedhjeve, prokurori Radoviq ishte zgjedhur anëtar i KPK-së, kjo për faktin e arritjes së qëllimit të përfaqësimit etnik në KPK, pasi prokurori Radoviq vinte nga komuniteti serb.
Për më tepër, kryesuesi i asaj kohe i KPK-së, Bahri Hyseni i kishte kërkuar ndjesë Bekës i cili e kishte fituar garën, duke thënë se kështu përcaktohej me rregullore dhe se kjo siç thoshte ai është bërë praktikë edhe në mandatet e mëhershme të KPK-së.
Edhe Strategjia për Sundimin e Ligjit (2021-2026) dhe Plani i Veprimit të saj, kishin kërkuar nga KPK që të zbatojë masat e politikave për sigurimin e përfaqësimit gjinor dhe etnik në përbërjen e saj. [Raporti Vjetor për Zbatimin e Strategjisë për Sundimin e Ligjit, mars 2023, fq.18].
Po ashtu, sipas Raportit të Progresit për Republikën e Kosovës për vitin 2023, Republika e Kosovës ende ka një përqindje të ulët të grave gjyqtare dhe prokurore në krahasim me shumicën e vendeve të tjera evropiane.
Ndryshe, pabarazia gjinore më e theksuar shprehet në pozitat udhëheqëse. Përqindja e grave në pozitat udhëheqëse nuk është ekuivalente me përqindjen e përgjithshme të grave prokurore në sistemin e drejtësisë. Kjo pasi, nga dhjetë pozita të kryeprokurorëve në vend, pozitën e kryeprokurorëve e mbajnë vetëm prokurorët burra. Pra, asnjë nga to nuk udhëhiqet nga gratë.
Mbi bazën e të lartcekurave, FOL, IKD dhe INPO i rekomandojnë KPK-së që me rastin e votimit për anëtarin e ri të KPK-së nga radhët e PSRK-së, të zgjedhë prokuroren Habibe Salihu si anëtare të re të KPK-së, në mënyrë që të sigurohet përfaqësimi gjinor së paku tri anëtare gra në përbërjen e KPK-së. Në të kundërtën, KPK do të veprojë në kundërshtim me Ligjin për KPK, Rregulloren përkatëse, Strategjinë për Sundimin e Ligjit dhe me standardet dhe praktikën e krijuar nga vetë ajo deri më tani.
Organizatat joqeveritare:
Lëvizja FOL
Instituti i Kosovës për Drejtësi
Iniciativa për Progres
FOL, IKD dhe INPO: KPK të shpallë sa më parë konkursin e ri për Kryeprokuror të Shtetit
Prishtinë- Organizatat jo-qeveritare: Lëvizja FOL, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) dhe Iniciativa për Progres, të hënën përmesë një komunikate për media, i kanë bërë thirrje Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), që në përputhje me kompetencat që ka, pas mos dekretimit të kandidatit për Kryeprokuror të Shtetit nga Presidentja e Republikës së Kosovës, të shpallë konkurs të ri për përzgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit.
Sipas tyre, Kosova është pa Kryeprokuror të Shtetit që nga prilli i vitit 2022, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Kështu, tani po bëhet dy (2) vite që kur Prokurori i Shtetit funksionon me u.d. të Kryeprokurorit të Shtetit. Me këtë rast, duhet theksuar se nevoja për të pasur Kryeprokuror të Shtetit nuk përjashton nevojën për një proces transparent dhe meritor për përzgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit”, thuhet në komunikatë.
Organizatat jo-qeveritare kanë rikujtuar se më 17 tetor 2023, Presidentja e Republikës së Kosovës ka njoftuar se nuk e ka dekretuar kandidatin e propozuar nga KPK për Kryeprokuror të Shtetit, duke e kthyer këtë proces në Këshillin Prokurorial të Kosovës.
“Fatkeqësisht, kur po bëhen pesë (5) muaj nga nxjerrja e këtij njoftimi nga Presidentja e Republikës së Kosovës, KPK ende nuk ka vepruar në drejtim të zhvillimit të një procesi meritor dhe transparent për përzgjedhjen e kandidatit për Kryeprouror të Shtetit. Veprimi i vetëm i tyre ka qenë ripropozimi, pa proces të ri konkurues, i emrit të njëjtë për dekretim si Kryeprokuror të Shtetit”, theksohet me tej.
Sipas tyre, kjo mënyrë e veprimit nga KPK shpërfaqë mungesë të vullnetit të tyre për të zhvilluar një proces transparent dhe meritor për përzgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit, duke abstrahuar mos zhvillimin e një procesi meritor, transparent dhe me integritet të pakontestuar.
“Nëse deri më 17 tetor 2023 KPK nuk ka pasur përgjegjësi për vonesat që janë krijuar në këtë proces për shkak se propozimi ishte tek Presidentja e Republikës së Kosovës, që nga kjo datë e tutje, KPK është institucioni i vetëm përgjegjës pse Kosova nuk ka Kryeprokuror të Shtetit”. Në linjë me rekomandimet e dala nga vendimi i Presidentes së Republikës së Kosovës, gjetjet e koalicionit të OJQ-ve dhe thirrjeve të partnerëve ndërkombëtarë, KPK duhet të shpallë konkursin e ri për Kryeprokuror të Shtetit dhe të sigurojë një proces meritor dhe transparent, në mënyrë që emri i Kryeprokurorit të ri të Shtetit të dalë nga një proces me integritet të pakontestuar”, thuhet në komunikatën e OJQ-ve.
Sipas tyre, vendimi i Presidentes së Republikës së Kosovës konfirmoi gjetjet e kualicionit të OJQ-ve që monitoruan procesin e përzgjedhjes së kandidatit për Kryeprokuror të Shtetit. Sipas koalicionit të OJQ-ve, procesi i përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit nuk ka siguruar meritokraci, objektivitet dhe se kandidatët nuk janë trajtuar në mënyrë të barabartë, çka sipas koalicionit ky proces është shoqëruar me shkelje të shumta të procedurave.
“Ndaj këtij procesi, kishte reaguar Ambasada Amerikane, ajo Gjermane dhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, duke u shprehur të zhgënjyer me këtë proces. Duhet rikujtuar se integriteti i këtij procesi ishte cenuar qysh në fillim, pasi ishin tërhequr edhe nga monitorimi Ambasada Britanike, e cila ishte injoruar për dy muaj nga KPK dhe Kryeprokurori i Shtetit. Për më tepër edhe Raporti i Progresit për Kosovën për vitin 2022 ka theksuar zhgënjimin e ambasadave dhe shoqërisë civile për mungesën e drejtësisë, transparencës dhe parimeve të meritës në procesin e zhvilluar nga KPK, përfundon komunikata e OJQ-ve
Analizë ligjore – Dilemat praktiko-juridike të (pa)zbatueshmërisë së sinjalizimit në sektorin privat
Vendimet për shkeljet disiplinore për gjyqtarët dhe prokurorët (korrik-dhjetor 2023)
Lëvizja FOL në kuadër të projektit ‘’Ngritja e vetëdijes dhe besimit të qytetarëve në institucionet e sistemit të drejtësisë’’, ka vazhduar monitorimin e vendimeve të Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës në lidhje me ankesat disiplinore ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve, numrin e paneleve hetimore të krijuara dhe llojin e sanksioneve disiplinore të shqiptuara nga ana e këtyre institucioneve.
Gjatë periudhës korrik – dhjetor 2023, Këshilli Prokurorial i Kosovës ka shqiptuar 1 vendim për shkelje disiplinore ndaj prokurorëve. Lloji i sanksionit ka qenë: 1 vërejtje jopublike me shkrim.
Këshilli Gjyqësor i Kosovës gjatë kësaj periudhe ka shqiptuar 7 vendime për shkelje disiplinore ndaj gjyqtarëve. Llojet e sanksioneve kanë qenë: 2 propozime për shkarkim, 2 vërejtje publike me shkrim, 1 lirim nga përgjegjësia, 1 lirim për hedhjen poshtë si të palejuar të ankesës, 1 revokim I vendimit për suspendim.
Këto statistika janë bazuara në të dhënat zyrtare të pranuara nga Këshilli Gjyqësor I Kosovës dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës.
Të dhënat e plota mund ti gjeni këtu:
Ky projekt financohet nga Bashkimi Europian.
Qeveria e Kosovës realizoj vetëm 36 % të aktiviteteve të parapara të përfundojnë gjatë vitit 2023
Prishtinë 28 shkurt 2023 – Lëvizja FOL ka mbajtur sot konferencë për medie, ku ka publikuar të dhënat nga monitorimi i Planit Vjetor të Punës së Qeverisë, tashmë i quajtur Plani Kombëtar për Zhvillim.
Burbuqe Kastrati, menaxhere e projektit në Lëvizjen FOL, tha se edhe këtë vit FOL ka bërë monitorimin e aktiviteteve të parapara në Planin Kombëtar për Zhvillim. “Qeveria e Kosovës nga 655 aktivitete të parapara të realizohen brenda periudhës janar-dhjetor 2023 ka arritur të realizoj vetëm 234 apo 36%, nuk i ka realizuar 151 apo 23 %, dhe nuk kanë kthyer përgjigje për 270 aktivitete apo 41 %”, tha Kastrati duke shtuar se numrin e madh të aktiviteteve pa përgjigje e kanë shtuar edhe tri ministritë që nuk janë përgjigjur fare e që kanë pasur një numër të madh të aktiviteteve të parapara.
Kastrati theksoi gjithashtu se Zyra e Kryeministrit, Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë nuk janë përgjigjur fare në pyetësorin e dërguar nga ne, dhe gjithashtu një numër i madh i ministrive kanë lënë pyetje pa përgjigje.
Gjitashtu, Kastrati shpjegoj se të gjitha aktivitetet e parapara të përfundojnë brenda periudhës janar-dhjetor 2023 përmes pyetësorëve i’u janë dërguar sekretarëve të përgjithshëm të ministrive. Pra, sipas saj, të dhënat e prezantuara sot, janë të dhëna të marra direkt nga personat përgjegjës për realizimin e këtyre aktiviteteve.
Ndërkaq Viona Bunjaku, monitoruese në Lëvizjen FOL, prezantoi të dhënat për secilën ministri sa i përket realizimit të aktiviteteve të parapara të përfundojnë brenda vitit 2023. Këto të dhëna ishin:
- Zyra e Kryeministrit
ZKM kishte paraparë 74 aktivitete të realizohen gjatë periudhës janar – dhjetor 2023 në kuadër të Planit Kombëtar për Zhvillim, mirëpo nuk ka kthyer asnjë përgjigje për realizimin e tyre. Në lidhje me këtë, FOL ka dërguar ankesë në AIP dhe presim afatet ligjore që të kemi të dhëna për realizimin apo jo të këtyre aktiviteteve. - Ministria për Komunitete dhe Kthim
MKK për periudhën janar – dhjetor 2023 ka paraparë realizimin e 4 aktiviteteve prej të cilave ka realizuar vetëm 2, ndërkaq 1 aktivitetet nuk është përfunduar dhe për realizimin e 1 aktiviteti nuk kanë kthyer përgjigje. - Ministria e Shëndetësisë
MSH në kuadër të Planit Kombëtar për Zhvillim ka paraparë të përfundoj 32 aktivitetet brenda periudhës janar- dhjetor 2023, prej të cilave 14 i ka realizuar, 14 nuk i kanë realizuar dhe për 4 aktivitete nuk kanë kthyer përgjigje. - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit
MKRS në kuadër të Planit Kombëtar për Zhvillim ka paraparë të realizoj 41 aktivitetet brenda periudhës janar – dhjetor 2023. Përgjigje kemi marrë vetëm për 1 aktivitet të realizuar, 1 të pa realizuar dhe për 39 aktivitete të tjera nuk kemi pranuar përgjigje. - Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural
MBPZHR në kuadër të Planit Kombëtar për Zhvillim ka paraparë të përfundoj 22 aktivitete brenda periudhës janar – dhjetor 2023. Prej tyre kanë realizuar 10 ndërkaq 9 janë të parealizuara dhe 3 janë pa përgjigjje. Vlen të theksohet se kjo ministri ka dërguar përgjigje edhe për 24 aktivitete tjera realizimi i të cilave shtrihet përtej vitit 2023, dhe 6 aktivitete të tjera të cilat nuk ishin pjesë e PKZH-së. - Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve
MFPT në kuadër të Planit Kombëtar Zhvillimor ka paraparë të përfundoj 32 aktivitete brenda periudhës janar- dhjetor 2023. Vetëm 23 janë përfunduar brenda afatit të paraparë ndërkaq 8 janë të pa realizuara dhe 1 është pa përgjigje. - Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës
MMPHI në kuadër të Planit Kombëtar Zhvillimor ka paraparë të përfundoj 61 aktivitete brenda periudhës janar- dhjetor 2023. Vetëm 7 janë përfunduar brenda afatit të paraparë ndërkaq 6 janë të parealizuara, ndërkaq 48 janë pa përgjigje. - Ministria e Drejtësisë
MD në kuadër të Planit Kombëtar për Zhvillim ka paraparë të përfundoj 77 aktivitete brenda periudhës janar- dhjetor 2023. Vetëm 43 janë përfunduar brenda afatit të paraparë ndërkaq 31 janë të parealizuara dhe 3 janë pa përgjigjje. - Ministria e Zhvillimit Rajonal
MZHR nuk ka paraparë asnjë aktivitet, realizimi i të cilave fillon në janar dhe përfundon në dhjetor 2023. - Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit
MASHTI në kuadër të Planit Kombëtar për Zhvillim ka paraparë të përfundoj 32 aktivitete brenda periudhës janar- dhjetor 2023, prej të cilave ka realizuar 16 dhe 16 të tjera janë të parealizuara. - Ministria e Ekonomisë
ME në kuadër të Planit Kombëtar për Zhvillim ka paraparë të përfundoj 25 aktivitete brenda periudhës janar- dhjetor 2023. Vetëm 14 janë përfunduar brenda afatit të paraparë ndërkaq 9 janë të parealizuara dhe 2 janë përgjigje. - Ministria e Punëve të Brendshme
MPB në kuadër të Planit Kombëtar për Zhvillim, ka paraparë të përfundoj 93 aktivitete brenda periudhës janar- dhjetor 2023. Vetëm 46 janë përfunduar brenda afatit të paraparë ndërkaq 43 janë të parealizuara dhe 4 janë pa përgjigje. - Ministria e Mbrojtjes
MM nga 9 aktivitete të parapara të realizohen gjatë periudhës janar – dhjetor 2023 në kuadër të Planit Kombëtar Zhvillimor, nuk ka kthyer përgjigje. Andaj nuk dihet se sa prej tyre janë realizuar dhe sa jo. - Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë
MINT nga 80 aktivitete të parapara të realizohen gjatë periudhës janar – dhjetor 2023 në kuadër të Planit Kombëtar Zhvillimor, nuk ka kthyer përgjigje. Andaj nuk dihet se sa prej tyre janë realizuar dhe sa jo. - Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal
MPJD në kuadër të Planit Kombëtar për Zhvillim ka paraparë të përfundoj 15 aktivitete brenda periudhës janar – dhjetor 2023. Prej tyre 9 prej tyre janë të realizuara, 5 të pa realizuara dhe 1 pa përgjigje.
Sipas Bunjakut, ajo çka duhet theksuar është se shumë nga ministritë kanë dërguar dhe informacione shtesë sa i përket realizimit të planit, mirëpo FOL ka bërë monitorimin e aktiviteteve të parapara të përfundojnë gjatë vitit 2023 dhe jo ato që kanë filluar në vitin 2023 dhe janë paraparë të përfundojnë përgjatë tri viteve pra deri në vitin 2025.
Të dhënat e plota mund ti gjeni këtu:
Monitorimin e zbatimit të Planit të Punës së Qeverisë, Lëvizja FOL e ka bërë edhe në vitet e kaluara. Në vitin 2022, niveli i zbatimit të Planit të Punës së Qeverisë ka rezultuar të jetë 49%, ndërsa në vitin 2021, realizimi i Planit të Punës së Qeverisë ishte 56%.
Vendimet gjyqësore të publikuara gjatë periudhës tetor-dhjetor 2023
Lëvizja FOL ka vazhduar me monitorimin sistematik të publikimit të vendimeve gjyqësore nga të gjitha gjykatat e Republikës së Kosovës edhe në tre (3) mujorin e fundit të vitit 2023.
Gjatë kësaj periudhe, në ueb-faqen zyrtare të KGjK-së janë publikuar gjithsej 14,214 vendime gjyqësore. Numrin më të madh të aktgjykimeve gjatë këtij tre-mujori i ka publikuar Gjykata e Apelit, e cila ka publikuar gjithsej 3,111 vendime gjyqësore, duke u pasuar nga Gjykata Themelore e Gjakovës, e cila ka publikuar gjithsej 2,071 aktgjykime.
Nga këto vendime, 9478 janë për lëndë civile, 2947 për lëndë penale, 1108 për lëndë ekonomike dhe 681 për lëndë administrative.
Publikimi i vendimeve gjyqësore, përveç që është obligim ligjor, paraqet edhe një hap të rëndësishëm në respektimin e vlerave të gjyqësisë transparente dhe bashkëkohore. Rrjedhimisht, neni 6 i Ligjit për Gjykatat, ka paraparë obligimin e të gjitha gjykatave që brenda 60 ditësh t’i publikojnë në ueb-faqet e tyre zyrtare të gjitha vendimet, si akte që shënojnë epilogun e një procesi gjyqësor.
Të dhënat e plota mund ti gjeni këtu
Ky aktivitet mbështetet nga Departamenti i Shtetit Amerikan, përmes Byrosë së Narkotikëve Ndërkombëtar dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit (INL).
Sinjalizimi në sektorin privat – i paraparë në ligj, por i pazbatueshëm në praktikë
Lëvizja FOL, me mbështetjen e Aktivitetit të USAID-it për Integritet të Komunave të Kosovës, ka mbajtur sot punëtorinë për sinjalizimin në sektorin privat, me ç’rast u diskutua në lidhje me nivelin e zbatimit të mekanizmit të sinjalizimit në sektorin privat, si dhe u shpalosen gjetjet e analizës së Lëvizjes FOL të titulluar: “Dilemat praktiko-juridike të (pa) zbatueshmërisë së sinjalizimit në sektorin privat”, i cili vlerëson aspektin juridik dhe praktik të zbatimit të këtij mekanizmi në sektorin privat.
Drejtorja e Lëvizjes FOL, Znj. Mexhide Demolli – Nimani, tha se sinjalizimi në sektorin privat shërben si një mjet për të parandaluar dhe luftuar korrupsionin dhe shkeljet e tjera etike dhe ligjore brenda subjekteve të sektorit privat. Gjithashtu, znj. Nimani tha se ky mekanizëm përmirëson kulturën organizative të subjekteve private, duke nxitë një mjedis ku përgjegjshmëria dhe integriteti janë vlerat themelore të këtyre subjekteve.
Zv, Drejtorja e USAID KMI, znj. Afërdita Mekuli, prezantoi Aktivitetin e USAID-it për Integritet të Komunave të Kosovës, e cila tha se synimi i aktivitetit është të luftohet korrupsioni në prokurimin publik. Gjithashtu, sipas znj. Mekuli, raporti i Lëvizjes FOL ka nxjerr shumë sfida, si mungesa e sinjalizuesve ne sektorin privat, e cila krijon një kulturë të heshtjes dhe frikës në vendin e punës.
Drejtori i Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, z. Yll Buleshkaj, tha se e vlerëson punën e Lëvizjes FOL në këtë fushë, në mënyrë që të fuqizohen mekanizmat e brendshëm në bizneset private.
Gjithashtu, z. Buleshkaj sqaroj strukturat dhe procedurat e sinjalizimit, duke theksuar edhe rëndësinë e këtij mekanizmi në luftimin e dukurive negative.
Hulumtuesja e Lëvizjes FOL, znj.Albana Hasani, e cila prezantoi gjetjet e këtij raporti analitik, tha se, edhe pse ky ligj është hartuar konform standardeve të Bashkimit Evropian, pra konform Direktivës për mbrojtjen e personave të cilët raportojnë shkelje, gjetjet e Lëvizjes FOL dëshmojnë se zbatimi i tij në sektorin privat ka hasur në sfida tejet të mëdha.
Sipas Hasanit, këto sfida kryesisht kanë të bëjnë kryesisht me mungesën e përcaktimit të saktë të institucioneve kompetente për të raportuar sinjalizimin e jashtëm, duke sjell një sërë vështirësish në identifikimin e këtyre institucioneve nga ana e të punësuarve në këtë sektor. Pra sipas znj. Hasani, raportimi i jashtëm në sektorin privat duhet të bëhet tek institucionet e ndryshme, të kategorizuara sipas llojit të rastit dhe natyrës për të cilin bëhet sinjalizimi dhe ligji nuk ofron udhëzime të tjera se ku duhet të drejtohen sinjalizuesit e sektorit privat për të sinjalizuar shkeljet apo keqpërdorimet.
Znj. Hasani shtjelloj zgjidhjet ligjore të Republikës së Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut në lidhje me procedurën e sinjalizimit në sektorin privat, ku tha se autoritetet kompetente për të raportuar janë të njëjta si për sektorin privat, ashtu edhe atë publik.
Gjithashtu sipas znj. Hasani, sipas të dhënave të pranuara nga Administrata Tatimore e Kosovës, aktualisht ne Kosovë operojnë 721 biznese me mbi 50 punëtore. Pra 721 biznese janë të obliguara që të caktojnë zyrtarët përgjegjës për sinjalizimin. Këto biznese, bashke me rregullatorët sipas fushave të përgjegjësisë, e kanë obligim ligjor që të përgatisin raporte vjetore lidhur me sinjalizimin për çdo vit përkatës dhe të njëjtin ta paraqesin ne Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, njëjtë sikurse institucionet publike.
Gjithashtu, znj. Hasani theksoj se në raportet vjetore të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit figuron se gjatë 3 viteve (pra gjate vitit 2020, 2021 dhe 2022) janë paraqitur vetëm 5 raporte vjetore nga subjektet e sektorit privat (3 raporte në vitin 2020, 2 në vitin 2021 dhe asnjë raport ne vitin 2022). Pra vetëm 5 biznese nga 721 sosh kane vepruar konform dispozitave te Ligjit për Mbrojtjen e Sinjalizuesve.
Përfaqësuesi i Inspektoratit të Punës në këtë punëtori, z. Vesel Zhinipotoku, tha se e vlerëson punëtorinë duke potencuar nevojën për të njohur më shumë ligjin dhe sfidat në implementim me gjithë akterët pjesëmarrës. Sipas z. Zhinopotokut, Inspektorati i Punës deri diku ka arritur që ta mbikëqyr implementimin e këtij ligji, gjithmonë brenda mundësive/kapaciteteve humane në inspektorat.
Gjithashtu, z. Zhinepotoku tha se do t`i obligojnë subjektet që parashihen me ligj, që ta caktojnë personin përgjegjës për sinjalizim dhe do ti informojnë për masa ndëshkimore. Deri më tani, inspektorati nuk ka raste që ka iniciuar procedurë ndëshkimore.
Edhe të ftuarit tjerë në këtë punëtori, si përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe përfaqësuesit e rregullatorëve të përgjegjësisë, vlerësuan punëtorinë dhe shprehën përvojën e tyre dhe sfidat e tyre në lidhje me sinjalizimin në sektorin privat.
Rekomandimet e Lëvizjes FOL, të dhëna në fund të raportit, janë :
- Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Drejtësisë, të bëj vlerësimin ex-post të Ligjit për Mbrojtjen e Sinjalizuesve për të vlerësuar efektivitetin e tij dhe për të shqyrtuar mundësitë për plotësim/ndryshimin e tij. Kjo e fundit me qëllim të specifikimit të autoriteteve kompetente që do të pranojnë dhe shqyrtojnë raportimet nga ana e subjekteve të sektorit privat, në mënyrë që të sigurohet implementimi i duhur i ligjit në praktikë.
- Në ndryshimet e mundshme të ligjit të përfshihen përfaqësuesit e bizneseve, përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe palë të tjera. Kjo në mënyrë që të sigurohet pjesëmarrja e të gjithë akterëve që mund të kontribuojnë në këtë drejtim.
- Të ri-përcaktohen institucionet kompetente për të pranuar, shqyrtuar dhe trajtuar sinjalizimin e jashtëm në sektorin privat, në mënyrë që të mos ketë hamendësime tek të punësuarit e sektorit privat se cilat janë këto institucione.
- Të rritet numri i stafit profesional të Inspektoratit të Punës, në mënyrë që të filloj mbikëqyrjen e zbatimit të këtij ligji për sektorin privat, dhe të kryej obligimet për inicimin e procedurave për kundërvajtje për subjektet që nuk i përmbushin obligimet e parapara me këtë ligj. Kjo do të kontribuonte në forcimin e aftësive të institucionit për të siguruar respektimin dhe zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e Sinjalizuesve në sektorin privat, duke ndihmuar në parandalimin dhe ndëshkimin e shkeljeve në këtë kontekst.
- Të parashihet obligimi për miratimin e udhëzimit administrativ mbi bazën e të cilit do të hartoheshin aktet e brendshme të institucioneve private për përcaktimin e procedurës për pranimin dhe trajtimin e rasteve të sinjalizimit.
- Të organizohen fushata ndërgjegjësuese për të punësuarit e sektorit privat në lidhje me obligimet që parashihen në LMS, si dhe për përfitimet e zbatimit të këtij mekanizmi.
FOL Hapur me Komisioneren për Informim dhe Privatësi
Lëvizja FOL në kuadër të Ditës Ndërkombëtare për Mbrojtjen e të Dhënave ka mbajtur një diskutim me Komisioneren për Informim dhe Privatësi, znj. Krenare Sogojeva Dermaku në forumin FOL Hapur, ku temë diskutimi ishin:
Shkelja e privatësisë nga faturat e hapura;
Të dhënat personale dhe mbrojtja e tyre ne sektorin shëndetësor dhe atë arsimor;
Mbrojtja e të dhënave, media dhe interesi publik.
Ky aktivitet u realizua me mbështetjen e Community Development Fund – CDF, dhe SIDA.
Punëtoria e dytë në lidhje me nevojën për anonimizimin e të dhënave personale e vendimeve gjyqësore
Lëvizja FOL ka zhvilluar sot punëtorinë e dytë në lidhje me nevojën për anonimizimin e të dhënave personale në përmbajtjen e vendimeve gjyqësore, me synim rritjen e transparencës së sistemit gjyqësor.
Kjo punëtori është organizuar në kuadër të Javës për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe ka për qëllimi të mundësoj një diskutim konstruktiv ndërmjet akterëve kyç, duke u fokusuar veçanërisht në vlerësimin e efektivitetit të kornizës ekzistuese ligjore në harmonizimin e tre aspekteve kryesore: të transparencës, privatësisë dhe administrimit të drejtë të drejtësisë në Kosovë.
Ky aktivitet u mbështet nga Departamenti i Shtetit Amerikan, përmes Byrosë Ndërkombëtare për Çështje të Narkotikëve dhe Sundim të Ligjit (INL).
FOL ka realizuar punëtorinë një ditore në Podgoricë
Podgoricë, 20 dhjetor 2023 – Lëvizja FOL me mbështetjen e UNDP Kosovo dhe në bashkëpunim me Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit/ Agencija za Sprečavanje Korupcije, ka realizuar punëtorinë një ditore në Podgoricë me disa zyrtarë raportues të institucioneve të Kosovës për sa i përket Planeve të Integritetit.
Qëllimi i kësaj punëtorie ishte njohja nga afër me mekanizmat raportues dhe monitorues të planeve të integritetit nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit të Malit të Zi .
Lëvizja FOL ka mbështetur gjithsej njëmbëdhjetë institucione publike në hartimin e këtyre planeve. Gjatë periudhës shtator-nëntor janë mbajtur punëtoritë/trajnimet me grupet punuese të këtyre institucioneve : Agjencia për Informim dhe Privatësi; Ministria e Ekonomisë; Akademia e Drejtësisë; Zyra e Kryeministrit; Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror; Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës; Ministria e Drejtësisë; Fondi i Sigurimeve Shëndetësore; Zyra Kombëtare e Auditimit; Komisioni Qendror i Zgjedhjeve si dhe Universiteti “Kadri Zeka”.
Planet e Integritetit janë obligim ligjor i paraparë në ligjin e ri për Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit. Ky dokument ka për qëllim të identifikojë proceset e ndjeshme ndaj sjelljeve dhe veprimeve që mund të jenë korruptive.
FOL dhe IKD: Komisioni i Venecias s’i përkrahu ndryshimet e MD-së për rritjen e përkohshme të anëtarëve të KPK-së në 19 deri në janar të vitit 2026
Prishtinë, 20 dhjetor 2023 – Komisioni i Venecias, në opinionin e publikuar me 18 dhjetor 2023 për Projektligjin e ri për Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK), nuk i ka mbështetur ndryshimet e reja sa i përket rritjes së përkohshme të numrit të anëtarëve në KPK në 19 anëtarë deri në janar të vitit 2026, ndryshime këto të propozuara me versionin e ri të Projektligjit për KPK, pas ndryshimeve të bëra nga Ministria e Drejtësisë. Sipas Projektligjit deri më 11 janar të vitit 2026, KPK-së parashihej ti shtohen edhe tetë ( 8 ) anëtarë jo-prokurorë të zgjedhur me shumicë të thjeshtë nga Kuvendi.
Megjithatë, rritja e përkohshme nuk është përkrahur nga opinioni i 18 dhjetorit 2023 të Komisionit të Venecias, ku ndër të tjera ky opinion thekson se: “Një Këshill prej 19 anëtarësh me kohë të plotë në një shtet me pak më shumë se dyqind prokurorë duket tepër i madh. Megjithatë, nëse kjo është arsyeja, nuk është e qartë se mbi çfarë parimi ligjvënësi propozon rritjen e anëtarësimit në mënyrë kaq dramatike vetëm për ta ulur atë në mënyrë drastike pas vetëm dy vjetësh”. [CDL-AD(2023)043, par 65]. Kjo nuk është hera e parë që Komisioni i Venecias nuk rekomandonte rritjen e numrit të anëtarëve të KPK-së në një vend të vogël si Kosova. Njëjtë kishte rekomanduar edhe në opinionin e muajit tetor 2021, lidhur me draft ligjin për KPK: “KPK do të bëhej shumë e madhe (mbi më shumë se 20 anëtarë), në raport me numrin e vogël të prokurorëve në Kosovë. Kjo zgjidhje sigurisht se do të ishte shumë e kushtueshme….” [CDL- AD (2021)051, Kosova, par. 61].
Komisionit i Venecias nuk e konteston faktin që ka rrezik të korporatizmit në përbërjen aktuale të KPK-së, megjithatë sipas Komisionit shtimi i tetë ( 8 ) anëtarëve jo prokurorë në KPK rrit rrezikun e politizimit të Këshillit, kjo pasi anëtarët shtesë që zgjedhen nga Kuvendi do të mund të zgjedhen nga shumica qeverisëse. “Edhe nëse ndryshimi i përbërjes mund të thuhet se është projektuar si një masë e jashtëzakonshme e vetme për të eliminuar kulturën e korporatizmit, një ndryshim i tillë po futet në një klimë polarizimi, do të jetë funksional vetëm për një periudhë të shkurtër kohore, më pak se dy vjet në skenarin më të mirë), është i mbushur me rreziqe bllokimesh dhe politizimi dhe krijon dyshimin se “KPK-ja e zgjeruar” do t’i nënshtrohet një ndikimi të konsiderueshëm politik përpara se të krijohet “KPK e reduktuar”. [CDL-AD(2023)043, par 62].
Se propozimi i MD-së ishte në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Strategjinë për Sundimin e Ligjit dhe vet opinonet e Komisionit të Venecias ishte paralajmëruar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) përmes komenteve të dërguara në MD në maj të 2023, dhe komenteve të dërguara grupit punues në qershor 2023. Analiza dhe komentet e IKD, janë pothuajse identike me komentet dhe rekomandimet e ofruara nga vet opinioni i Komisionit të Venecias që u publikua para disa ditësh.
Për më tepër, IKD dhe Lëvizja “FOL” kishin reaguar edhe publikisht me reagimin e 17 korrikut 2023, ku theksohej se përbërja me numër kaq të madh të anëtarëve të KPK-së, nuk është hasur as në vendet e rajonit e as më gjerë dhe se kjo zgjidhje ishte në kundërshtim me opinionet e Komisionit të Venecias.
Tutje, IKD dhe “FOL” kishin kundërshtuar edhe çështjen e kuorumit ku sipas Projektligjit kuorumi deri më 11 janar të vitit 2026, formohet me gjysmën e anëtarëve të zgjedhur të Këshillit [Neni 21.3. i Projektligjit]. Në rast se të gjithë anëtarët e Këshillit zgjedhën, kuorumi formohet me dymbëdhjetë (12) anëtarë. Ky rregull zbatohet deri më 11 janar të vitit 2026 [Neni 21.3. i Projektligjit]. Kjo sipas IKD-së dhe FOL rrezikonte skajshmërisht politizimin e Këshillit, duke përfshirë rrezikun për bllokim të tërësishëm të vendimmarrjes, kjo pasi nëse zgjedhen të gjithë anëtarët jo prokurorë atëherë kuorumi do të formohet me 12 anëtarë të KPK-së, që në çdo rast do të krijonte një varësi nga shumica qeverisëse. Për të mos ardhur deri tek një bllokadë në vendimmarrje, ku interesat e ngushta të asnjë grupi nuk do të mbizotëronin, në opinionin e dytë, Komisioni i Venecias kishte rekomanduar që ligjvënësi kosovar, në koordinim me partnerët e tjerë të përcaktojë parametra specifikë të mekanizmave kundër-bllokadë, që KPK të mund të marrë vendime edhe kur anëtarët prokurorë dhe jo prokurorë nuk mund të arrijnë kompromis, e që në rastin konkret ky rekomandim i Venecias nuk ishte adresuar nga MD në Projektligjin e ri, as në përbërjen prej 19 anëtarëve as kur KPK do të mbetej vetëm me shtatë (7) anëtar pas vitit 2026. [CDL-AD(2022) 006, Kosova, par 15].
Edhe lidhur me këtë çështje, Komisioni i Venecias në opinionin e fundit, ka theksuar se çështja e kuorumit edhe nëse zgjedhen të gjithë anëtarët e KPK-së mund të rezultojë lehtësisht në një paralizë të KPK-së, ku ekziston rrezik i konsiderueshëm i bllokimeve nëse anëtarët joprokurorë të emëruar nga Kuvendi zgjedhin të mos marrin pjesë në mbledhje, duke paralizuar kështu veprimtarinë e KPK-së. Sipas Komisionit të Venecias, për të eliminuar mundësinë e bllokimeve, është rekomanduar që ligji të parashikojë masa disiplinore më të rrepta dhe efektive për mospjesëmarrje efektive në aktivitetet e KPK-së pa arsyetim të vlefshëm. [CDL-AD(2023)043, par 68].
Tutje, sa i përket zgjedhjes së tre (3) anëtarëve jo prokurorë nga Kuvendi, Komisioni i Venecias ka rekomanduar që të gjindet një zgjidhje e cila do të siguronte kontributin e ekspertëve dhe institucioneve të pavarura në procesin e përzgjedhjes. Komisioni nuk është bindur se mënyra dhe procedura e përzgjedhjes së tre (3) anëtarëve të zgjedhur nga Kuvendi ka trajtuar thelbin e rekomandimit të mëparshëm, i cili kërkonte të sigurohej një përbërje pluraliste e KPK-së me qëllim për të reduktuar rrezikun e politizimit në zgjedhjen e anëtarëve jo prokurorë. Ky propozim sipas Komisionit do të duhet të përpunohet më tutje për të vendosur një ekuilibër të drejtë midis rrezikut të korporatizmit në një KPK të dominuar nga anëtarët e prokurorë dhe rrezikut të politizimit të anëtarëve jo prokurorë të zgjedhur nga Kuvendi.
IKD dhe Lëvizja “FOL” në reagimin e bërë me 17 korrik 2023, kishin theksuar se dispozitat e Projektligjit të ri për KPK nuk ishin në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Strategjinë për Sundim të Ligjit dhe Opinionet e Komisionit të Venecias, duke konsideruar se ndryshimet e reja paraqisnin politizim objektiv të Këshillit. Si rrjedhojë, sipas IKD-së këto manovrime ishin vështirë të kalueshme në Gjykatën Kushtetuese, nëse eventualisht edhe ky Projektligj i nënshtrohet vlerësimit të kushtetutshmërisë nga ana e Gjykatës Kushtetuese me përmbajtjen që e ka aktualisht.
Në anën tjetër, duhet theksuar se IKD pas vënies në konsultim publik të këtij Projektligji nga Ministria e Drejtësisë, kishte dërguar komente në lidhje me këtë projektligj duke ofruar një zgjidhje adekuate dhe të përshtatshme lidhur me përbërjen e anëtarëve të KPK-së në të ardhmen, në harmoni me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese ku me vendimin e kësaj të fundit veçse është humbur mundësia e shkurtimit të mandateve të anëtarëve aktual. Sipas IKD-së, në mënyrë që të shmangej përbërja “korporatiste”, por edhe të bëhej balancimi në mes të përfaqësuesve të prokurorëve dhe kuvendit, KPK duhet të ketë shtatë (7) anëtarë, ku dy (2) anëtarë të zgjedhur nga sistemi prokurorial dhe Kryeprokurori i Shtetit sipas detyrës zyrtare dhe katër (4) anëtarë të zgjedhur nga Kuvendi, një prej të cilëve duhej të jetë prokurorë.
Me këtë përbërje, sipas IKD-së, prokurorët nuk do ta kishin shumicën në KPK por se këtë shumicë do ta kishte Kuvendi. Në anën tjetër kjo nuk mund të konsiderohej se Kuvendi e mbisundon me përbërje KPK, për faktin se Kuvendi do të obligohej që të paktën njërin nga anëtarët e saj ta zgjedhë një prokuror. Rrjedhimisht, në KPK do të ishin katër (4) prokurorë, njëri prej të cilëve zgjedhet nga Kuvendi. Kjo përbërje do të krijonte një balancë adekuate në mes të numrit të anëtarëve të KPK-së që zgjedhen nga sistemi prokurorial dhe atyre që zgjedhen nga Kuvendi.
IKD kishte paraparë që ripërtërija e përbërjes së KPK-së të jetë e përshkallëzuar kjo pasi sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese nuk mund të i’u merret mandati anëtarëve aktual të KPK-së dhe sipas IKD-së zgjidhja adekuate në këtë situatë do të ishte duke ruajtur mandatet aktuale të anëtarëve. Sipas IKD-së në dispozitat kalimtare, do duhej përcaktuar se deri me 1 janar 2026, kur KPK mbetet me dy anëtarë, përkatësisht një anëtarë prokuror dhe Kryeprokurori i Shtetit, anëtarët e KPK-së të cilët përfundojnë mandatin nuk do të kishin mundësi që të zëvendësoheshin me anëtarë të tjerë. Gjatë vitit 2025, Kuvendi do të duhej të zhvillonte procedurat për përzgjedhjen e katër (4) anëtarëve të KPK-së ku secili prej tyre, do të fillojë mandatin më 1 janar 2026, kur Këshilli do të mbetej me dy (2) anëtarë. Njëkohësisht, edhe sistemi prokurorial do ta zgjedhë edhe një anëtarë të KPK-së dhe si rrjedhojë, më 1 janar 2026, KPK do të ishte e kompletuar me shtatë (7) anëtarë.
Megjithatë, këto komente ishin injoruar nga Ministria e Drejtësisë, e cila kishte zgjedhur një rrugë të shkurtër dhe jo adekuate.
Pas opinionit të Komisionit të Venecias, FOL dhe IKD rekomandon që të merren parasysh rekomandimet dhe konstatimet e dhëna nga opinioni i fundit i Komisionit të Venecias në mënyrë që të mos përsëriten gabime të ngjashme dhe të ketë vonesa të panevojshme, ku potencialisht edhe Projektligji i ri do ta ketë fatin e njëjtë sikurse i kaluari duke mos kaluar filtrin e Gjykatës Kushtetuese nëse dërgohet në këtë të fundit.
FOL mirëpret vendimin e Kuvendit të Kosovës për përsëritjen e konkursit për Anëtarët e Bordit të RTK-së
Prishtinë, 15 dhjetor 2023 – Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës asnjëri nga kandidatët e propozuar për votim nuk arriti të marrë votat e nevojshme për të qenë anëtar i Bordit të RTK-së.
FOL kishte monitoruar procesin e intervistimit dhe kishte kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që propozimet e kandidatëve ti trajtoj me seriozitet të lartë dhe me mundësinë e ripërsëritjes së konkursit, në mënyrë që të respektohen parimet e meritokracisë për pozitat e zgjedhura në institucionet me interes publik siç është Radio Televizioni Publik i Kosovës.
Gazetarët fitojnë Çmimin për Guxim Qytetar për vitin 2023
Prishtinë, 13 dhjetor 2023 – Në ndejën e fundvitit të organizuar nga FOL u bë edhe ndarja e Çmimit për Guxim Qytetar i cili këtë vit shkon për gazetarët, kameramanët dhe fotoreporterët që raportuan nga veriu i vendit pa mjete mbrojtëse duke rrezikuar kështu jetën e tyre për informimin e qytetarëve.
Mexhide Demolli Nimani, Drejtore e Lëvizjes FOL, tha se sot më shumë se kurrë, kemi nevojë për gazetarë të guximshëm. “Andaj le te jemi zëri i tyre dhe mburoja e tyre kundër çdo kërcënimi.”
Gazetaria e lirë dhe e paanshme është një shtyllë themelore e një shoqërie të shëndoshë dhe demokratike. Po ashtu, është jetike të dënojmë çdo formë dhune ndaj gazetarëve dhe të mbrojmë të drejtën e tyre për të raportuar pra frikë”, tha ajo.
Në emër të të gjithë gazetarëve që raportuan nga veriu i vendit çmimin e pranoi Kryetari i Bordit të AGK-së, Xhemajl Rexha.
Rexha falenderoj FOL-in për vlerësimin dhe tha se ky ka qenë një vit shumë i vështirë për gazetarët ku vetëm gjatë raportimeve nga veriu janë evidentuar 30 sulme ndaj gazetarëve. “Gjithashtu vlen të theksohet se shumica e gazetarëve që raportuan nga veriu ishin vajza dhe gra të cilat vërtetë rrezikuan shumë”, tha Rexha.
FOL po ashtu ndau mirënjohje Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK për angazhimin në sensibilizimin e publikut për rreziqet në të cilat gazetarët, kameramanët dhe fotoreporterët janë ballafaquar gjatë raportimeve në veri të vendit.
Poashtu mirënjohje iu nda edhe Flutura Kusarit, për përkushtimin e saj dhe dedikimin e jashtëzakonshëm në sigurimin e mjeteve mbrojtëse për gazetarët, kameramanët dhe fotoreporterët që raportojnë nga terrenet me rrezikshmëri.
Performanca “Realitetet e papame të transparencës radikale”
Prishtinë, 9 dhjetor 2023 – Sot shënuam Ditën Ndërkombëtare për Luftimin e Korrupsionit, për luftimin e një prej sfidave më të mëdha shtetërore dhe shoqërore, me ndikim kaq të madh në cilësinë e jetës tonë sociale dhe progresit institucional.
Korrupsioni nuk është kategori abstrakte, por e prekshme çdo ditë në jetën tonë. Me të gjitha format e shfaqjes së tij, ky fenomen rrezikon rëndë vlerat e përbashkëta shoqërore, degradon shpejt sistemin shëndetësor, i përul dhe stagnon përpjekjet për zhvillimin e arsimit të vendit, shkatërron mjedisin jetësor dhe dëmton shëndetin e qytetarëve, zmadhon pabarazitë e mëdha sociale dhe ekonomike, sfidon drejtpërdrejt zhvillimin ekonomik, legjitimitetin e përfaqësuesve të zgjedhur dhe besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë, si dhe krijon kushte të përshtatshme për përhapjen e krimit të organizuar dhe dukurive të tjera negative.
Luftimi i korrupsionit në Kosovën tonë kërkon veprim sistematik dhe bashkëpunim zingjiror të institucioneve publike, si dhe përfshirje aktive të të gjithë qytetarëve.
Krijimi i politikave të qëndrueshme, reformimi legjislativ, si dhe ndërtimi i institucioneve të forta, janë disa nga parakushtet për triumfim të gjithëmbarshëm në luftën kundër korrupsionit.
Raportet e ndryshme që analizojnë gjendjen faktike të rezultateve nga lufta kundër korrupsionit në Kosovë theksojnë se Kosova gjendet në stade të hershme të luftimit të korrupsionit.
Përpjekjet për pavarësi dhe paanshmëri të sistemit të drejtësisë ende vazhdojnë të mbeten sfiduese.
Rekomandimet e organizatave kredibile të vendit tregojnë se ndërhyrja e politikës, administrata joefikase dhe prania e lartë e korrupsionit janë pengesat kryesore për zbatimin e mekanizmave ekzistues për luftimin e korrupsionit.
Si konkluzion i pasqyrës së madhe, thuhet se Kosova ka punë të madhe para vetes në luftimin e korrupsionit dhe se ka ende shtigje për të shkelur deri në zbatimin në mënyrë adekuate të legjislacionit anti-korrupsion.
Është detyra jonë që të punojmë për të luftuar këtë fenomen, dhe të krijojmë një shoqëri të drejtë dhe të barabartë.
Pa këtë, demokracia dhe shtetësia do të na mbeten vetëm fjalë të thurura mirë në letër.
Ne, si Lëvizje FOL, Ditën Ndërkombëtarë kundër Korrupsionit kemi vendosur t`a shënojmë përmes një performance artistike, të emëruar si “Realitetet e papame të transparencës radikale”.
Vepra në prapavijë është, krijim i artistit Driton Selmani.
Performanca “Realitetet e papame të transparencës radikale” përmes fjalës dhe dritës shpërfaqen në këtë instalacion bashkëkohor, duke kombinuar fjalën, zërin dhe dritën.
Duke përmbysur gjuhën publike përmes formave jotradicionale, videoja pret narrativën e padurueshme të premtimeve të shkeluna të pushtetit.
Kjo performancë nxjerr në pah realitetin aktual të zotimeve të pambajtuna, duke përdorë disponimin hamendësues për të dekonspiruar boshllëkun e autoriteteve. Nën tingujt e trompetës vepra bëhet kontradiktë e kohës së vet, duke kapë tensionin mes fjalëve të shkeluna dhe duke i kthy ato në tinguj radikalë.
Peisazhi i portretizuem pasqyron demokracinë e shkërmoqun, shpërfilljen dhe braktisjen – gjë që pasqyron nevojën e madhe për rimëkambje shoqënore.
Finalja e veprës ‘Le t’ketë dronë’ zbulon një koreografi radikale në vallen e transparencës së kalbun – një vështrim bindës që i shtyn shikuesit të përballen me mbeturinat e premtimeve të pambajtura në sferën socio-politike.
Lufta kundër korrupsionit padyshim se mund të zhvillohet edhe përmes artit, në mënyrë që t’i çlirojmë ‘barrierat e hekurta’ në zhvillimin progresiv të demokracisë tonë të re.
Këto barriera që na i ka vendosur korrupsioni, qoftë i nivelit të lartë apo jo, nuk mund t’i thyejmë asnjëherë ndryshe: përveçse duke luftuar në mënyrë të përbashkët!
Duke krijuar sinergjinë e duhur drejt luftimit aktiv të këtij fenomeni, çdo hallkë institucionale duhet të veproj, ndërsa secili prej nesh do të jetë falënderues.
*Ky aktivitet është financuar nga Rockefeller Brothers Fund. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e Lëvizjes FOL dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Rockfeller Brothers Fund.
#BashkeKunderKorrupsionit#levizjafol#institutiikosovesperdrejtesi#iniciativapërprogres
Lëvizja FOL dhe PIPS organizojnë diskutimin me temën “Ndikimi i korrupsionit në negociatat për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian”
Prishtinë, 08 dhjetor 2023 – Mexhide Demolli-Nimani, drejtoreshë e Lëvizjes FOL, të premten në tryezën e organizuar me temën “Ndikimi i korrupsionit në negociatat për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian”, ka thënë se ndikimi i korrupsionit në negociatat për anëtarësimin e Kosovës në BE, është i dukshëm dhe i drejtpërdrejtë.
Fillimisht, Demolli-Nimani tha se përderisa Kosova synon integrimin në BE, ndër problemet tjera sfidë mbetet korrupsioni.
“Kjo pengesë, jo vetëm që minon besimin e qytetarëve në institucionet tona, por edhe vë në dyshim seriozitetin e angazhimit tonë për vlerat evropiane”, tha ajo.
Sipas saj, korrupsioni pengon progresin e reformave, ndikon negativisht në ekonominë dhe krijon një imazh të paqëndrueshëm për vendin tonë, në sytë e partnerëve ndërkombëtarë.
E njëjta ka theksuar se është jetike që të ndërmarrim hapa konkret, për të luftuar këtë fenomen.
Sipas Demolli-Nimanit, ajo që shihet si nevojë e menjëhershme është zbatimi me rigorozitet i legjislacionin kundër korrupsionit.
“Kjo do të thotë, zbatim të plotë dhe të paanshëm të ligjeve, si dhe ndëshkimi i atyre që shkelin këto ligje, pa marrë parasysh pozitën apo statusin e tyre”, tha tutje ajo.
Demolli-Nimani, po ashtu, ka thënë se është thelbësore që institucionet tona të rrisin transparencën.
“Qytetarët duhet të kenë qasje të hapur në informacione mbi mënyrën se si merren vendimet dhe si shpenzohet paraja publike. Kjo do të ndihmonte në ndërtimin e një qeverisjeje më të përgjegjshme dhe në zvogëlimin e mundësive për korrupsion”, tha Demolli-Nimani.
Sipas saj, bashkëpunimi ndërkombëtar është çelësi dhe se Kosova duhet të punojë ngushtë me Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe organizatat ndërkombëtare për të ndërtuar kapacitete dhe për te ndarë praktikat më të mira në luftën kundër korrupsionit.
“Sepse në këtë mënyrë, ne jo vetëm që do të përmirësojmë shanset tona për anëtarësim në BE, por edhe do të ndërtojmë një Kosovë me të fortë, më të drejtë dhe më të qëndrueshme për të gjithë qytetarët tanë”, tha e njëjta.
Lëvizja FOL, të premten ka organizuar tryezën me temë diskutimi “Ndikimi i korrupsionit në negociatat për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian”, aktivitet ky në kuadër të “Javës Kundër Korrupsion 2023”, e cila organizohet me moton “Bashkë kundër Korrupsionit”, nga Koalicioni i Organizatave të Shoqërisë Civile, i përbërë nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Lëvizja FOL dhe Iniciativa për Progres (INPO).
Java Kundër Korrupsion organizohet falë mbështetjes së Departamentit të Shtetit Amerikan – Byrosë për Çështje të Narkotikëve Ndërkombëtarë dhe Zbatimit të Ligjit (INL).
Sot lansuam fillimin e projektit “Kosovo Green Action”
Prishtinë, 30 nëntor 2023 – Sot lansuam fillimin e projektit “Kosovo Green Action”, një nismë që synon rritjen e transparencës dhe llogaridhënies në zbatimin e agjendës së gjelbër në bashkëpunim me akterët relevant si dhe përmirësimin e qasjes në të dhëna për energji dhe klimë në Kosovë.
Dardan Sejdiu, Anëtar i Bordit në Balkan Green Foundation, mbajti një fjalim hyrës, duke theksuar rëndësinë e një projekti të tillë në Kosovë. Falenderime të veçanta iu drejtuan partnerëve dhe donatorit për përfshirjen e tyre.
Një diskutim interaktiv pasoi mbi “Angazhimin dhe progresi në agjendën e gjelbër në Kosovë”, ku u zbuluan iniciativat dhe planet për zbatimin e agjendës së gjelbër, duke e kthyer ngjarjen në një katalizator për ndryshime dhe një hap të bashkuar drejt një Kosove më të qëndrueshme dhe miqësore me mjedisin.
Ky projekt mbështete nga World Bank në kuadër të grantëve GPSA – Partneriteti Global për Përgjegjshmërinë Sociale i cili implementohet në bashkëpunim me Open Data Kosovo dhe Lëvizja FOL.
Organizatat e shoqërisë civile në Kosovë, i kanë drejtuar sot një letër të hapur znj. Ylva Johansson, Komisionere Europiane për Çështje të Brendshme
Prishtinë, 21 nëntor 2023 – Mbi 20 organizata të shoqërisë civile në Kosovë i kanë bërë thirrje Komisionit Europian që të tërheq Propozimin që i lejon udhëtim pa viza bartësve të pasaportave të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese e Serbisë (Koordinaciona uprava).
Lidhur me këtë, organizatat e shoqërisë civile në Kosovë, i kanë drejtuar sot një letër të hapur znj. Ylva Johansson, Komisionere Europiane për Çështje të Brendshme, të cilën e gjeni të plotë në vijim:
Prishtinë, 21 nëntor 2023
E nderuara Komisionere znj. Johansoon,
Po ju shkruajmë si aktivistë e pjesëtarë të shoqërisë civile në Kosovë të shqetësuar thellë lidhur me propozimin nga Komisioni Europian për Këshillin e Bashkimit Europian COM(2023) 733 për ndryshimin e
Rregullores (BE) 2018/1806 sa i përket mbajtësve të pasaportave të Serbisë të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese e Serbisë (Koordinaciona uprava), me arsyetimin që ky grup i qytetarëve janë të vetmit në Ballkanin Perëndimor që nuk do të gëzojnë liri të lëvizjes në Zonën Shengen.
Ky propozim i juaji vjen në një kohë kur qytetarët serbë të Kosovës kanë filluar që masivisht të aplikojnë për pasaporta të Kosovës, duke ushtruar të drejtën e tyre të garantuar me Kushtetutë dhe legjislacionin e aplikueshëm, si dhe kur institucionet e Kosovës në bashkëpunim me organet tjera të sigurisë si KFOR-i dhe EULEX janë duke ofruar siguri të plotë për të gjithë qytetarët e vendit, e në veçanti për ata të komunitetit serb në veri të Kosovës. Kjo si pjesë e luftës së përbashkët të këtyre institucioneve ndaj strukturave kriminale prezentë në veriun e Kosovës për vite me radhë e të cilat kanë parandaluar me forcë çfarëdo përpjekje të qytetarëve serbë të Kosovës për t’u integruar në jetën shoqërore dhe politike të Kosovës. Si rrjedhojë e masave shtesë të sigurisë për qytetarët serbë si dhe, ndër të tjera, marrëveshjeve në mes të Kosovës dhe Serbisë të lehtësuara nga BE, shumëfishimi i numrit të qytetarëve serb që kërkojnë të pajisen me dokumente të Kosovës, përfshirë pasaportat dhe targa të veturave, është një zhvillim tejet pozitiv dhe jashtëzakonisht premtues për kthim të normalitetit në veri të vendit.
Në anën tjetër, të gjitha marrëveshjet në mes të Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuara nga BE të vitit 2023 dhe ato paraprake të viteve 2013 dhe 2015, e po ashtu edhe kriteret teknike të procesit të liberalizimit të vizave, njohin autoritetet e Kosovës si autoritetet e vetme legjitime që kanë të drejtën e lëshimit të pasaportave për qytetarët e Kosovës, përfshirë përgjegjësinë për verifikim të dhënave të bartësve të dokumenteve të udhëtimit, obligimet për riatdhesim, si dhe të gjitha përgjegjësitë tjera që përfshihen në këtë kuadër.
Nëse do të miratohet, ky propozim:
do ta lëndojë seriozisht qëllimin dhe zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë të vitit 2023 që bazohen në parimin e respektimit të integritetit dhe sovranitetit të dyanshëm, marrëveshjeve paraprake për largimin nga Kosova të strukturave paralele të shtetit të Serbisë, si dhe besueshmërinë e Bashkimit Europian si një ndërmjetësues i paanshëm në këtë dialog;
do të sfidojë seriozisht përparimet në integrimin e qytetarëve serb të Kosovës nëpërmjet pajisjes me dokumente të Kosovës, manifestuar ndër të tjera edhe nëpërmjet pajisjes masive me
pasaporta të Kosovës gjatë javëve të fundit;
do t’i nxisë dhe inkurajojë strukturat kriminale që veprojnë në pjesën veriore të Kosovës që të vazhdojnë me kërcënime e kanosje të qytetarëve serb të Kosovës që synojnë të integrohen në
jetën shoqërore dhe politike të vendit;
do të pranojë dokumente personale të lëshuara nga autoritete të cilat nuk kanë mundësi as teknike e as ligjore të verifikojnë të dhënat e bartësve të këtyre dokumenteve, rrjedhimisht të
vendosë në rrezik gjithë zbatimin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, proces ky i pritur aq gjatë nga ne dhe
do të instalojë një precedent të rrezikshëm ku Bashkimi Europian do të legjitimonte pretendimet territoriale të Serbisë ndaj Kosovës, të manifestuar në këtë rast nëpërmjet lëshimit të paligjshëm
të dokumenteve për qytetarët e një vendi tjetër.
Si aktivistë të palodhur për një Kosovë demokratike,të të gjithë qytetarëve të saj e të integruar në BE, jemi të lumtur që nga 1 janari 2024 nuk do të ketë qytetarë të asnjë prej vendeve të Ballkanit Perëndimor të cilët me pasaportat e shtetit të tyre nuk do të mund të lëvizin lirshëm në Zonën Shengen. Kjo i përfshinë edhe qytetarët serb të Kosovës të cilët kanë të drejtën dhe mundësinë që të pajisen me pasaporta të Kosovës dhe të udhëtojnë lirshëm sikurse të gjithë kosovarët tjerë. Për këtë, ne do të vazhdojmë angazhimin tonë të pa ndalur që të kërkojmë dhe ndihmojmë veprime të institucioneve të Kosovës që të lehtësojnë integrimin e qytetarëve serb të Kosovë, përfshirë nëpërmjet pajisjes së përshpejtuar me pasaporta të Kosovës. Megjithatë, për të na fuqizuar në këtë përpjekje tonën, ne kemi nevojë për një Bashkim Evropian që do të jetë një partner i besueshëm dhe i drejtë, i cili nuk përjetohet se mban anë në një proces kaq të ndjeshëm politik, dhe që i respekton vlerat, premtimet dhe marrëveshjet e veta.
Mbi këto, ju bëjmë thirrje që pa vonesë të tërhiqni Propozimin COM(2023) 733 për ndryshimin e Rregullores (BE) 2018/1806 sa i përket mbajtësve të pasaportave të Serbisë të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese e Serbisë (Koordinaciona uprava). Gjithashtu, ju bëjmë thirrje që në përputhje me qëllimet dhe përmbajtjen e marrëveshjeve në mes të Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuara nga BE, të na bashkoheni në përkrahjen aktive të përpjekjeve të qytetarëve serbë për t’u pajisur me pasaporta të Kosovës, respektivisht të autoriteteve të Kosovës për të përshpejtuar procedurat e pajisjes së qytetarëve serbë me pasaporta të Kosovës.
Me respekt,
1. Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF)
2. Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS)
3. Instituti i Kosovës për Politika Europiane (EPIK)
4. Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD)
5. DokuFest
6. ÇOHU!
7. Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP)
8. Instituti i Kosovës për Demokraci (KDI)
9. Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSGJ)
10. Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS)
11. Lëvizja FOL
12. Demokraci Plus (D+)
13. Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK)
14. Iniciativa Kosovare për Stabilitet (IKS)
15. Instituti GAP
16. Demokracia për Zhvillim (D4D)
17. Iniciativa për Progres (INPO)
18. Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS)
19. Fondi për Zhvillim të Komunitetit (CDF)
20. Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA)
21. GERMIN
ka përfunduar ciklin e punëtorive në përkrahjen e institucioneve publike për hartimin e Planeve të Integritetit
Prishtinë, 20 nëntor 2023 – Lëvizja FOL me mbështetjen e UNDP Kosovo dhe në bashkëpunim me Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit/ Agencija za Sprečavanje Korupcije, ka përfunduar ciklin e punëtorive në përkrahjen e institucioneve publike për
hartimin e Planeve të Integritetit.
Gjatë këtij projekti Lëvizja FOL ka mbështetur gjithsej njëmbëdhjetë () institucione publike në
hartimin e këtyre planeve. Gjatë periudhës shtator-nëntor janë mbajtur punëtoritë/trajnimet me grupet punuese të këtyre institucioneve: Agjencia për Informim dhe Privatësi; Ministria e Ekonomisë; Akademia e Drejtësisë; Zyra e Kryeministrit; Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror; Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës; Ministria e Drejtësisë; Fondi i Sigurimeve Shëndetësore; Zyra Kombëtare e Auditimit; Komisioni Qendror i Zgjedhjeve si dhe Universiteti “Kadri Zeka”.
Planet e Integritetit janë obligim ligjor i dal nga Ligji për Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, i cili obligon institucionet qendrore, agjencitë e pavarura, si dhe autoritetet komunale të Kosovës të miratojnë plane të integritetit me qëllim të identifikimit të proceseve të ndjeshme ndaj sjelljeve dhe veprimeve që mund të jenë korruptive.
FOL ka mbajtur punëtorinë e parë ku ishte diskutuar rreth anonimizimit të dhënave personale në përmbajtjen e aktgjykimeve
Prishtinë, 17 nëntor 2023 – Lëvizja FOL ka mbajtur sot punëtorinë e parë ku temë diskutimi ishte anonimizimi i të dhënave personale në përmbajtjen e aktgjykimeve.
Qëllimi kryesor i kësaj punëtorie ishte të mundësoj një diskutim konstruktiv ndërmjet akterëve kyç, duke u fokusuar veçanërisht në vlerësimin e efektivitetit të kornizës ekzistuese ligjore në harmonizimin e tre aspekteve kryesore: të transparencës, privatësisë dhe administrimit të drejtë të drejtësisë në Kosovë.
Ky aktivitet u mbeshtet nga Departamenti i Shtetit Amerikan, përmes Byrosë Ndërkombëtare për Çështje të Narkotikëve dhe Sundim të Ligjit (INL).