Monitoruesi i Korrupsionit për muajin Korrik
Kuvendi i Kosovës ka mbajtur pesë seanca plenare, tri prej të cilave seanca solemne për: Tony Blair, fjalimi i Presidentit Sejdiu dhe mbështetja për Mendimin Këshill…
Kuvendi i Kosovës ka mbajtur pesë seanca plenare, tri prej të cilave seanca solemne për: Tony Blair, fjalimi i Presidentit Sejdiu dhe mbështetja për Mendimin Këshill…
Lëvizja “Fol” me rastin e publikimit të raportit “Monitoruesi i Korrupsionit” për muajin korrik vlerësoi se “Task Forca Anti-Korrupsion”, e cila vepron në kuadër të Prokurorisë Speciale, për herë të parë është funksionalizuar me rastin e arrestimit të Guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës, Hashim Rexhepi dhe për herë të parë prokurorët vendorë janë angazhuar në një rast të tillë, të nivelit të lartë.
Në kuadër të aktiviteteve kundër korrupsionit, nga statistikat që lëvizja “Fol” raporton shihet se nga 104 pyetje sa janë parashtruar në Kuvendin e Kosovës, vetëm 41 prej tyre janë bërë për afera të ndryshme korruptive, ndërkaq 63 sosh janë bërë për çështje tjera.
“Gjatë këtij intervali kohor, deputetët më aktiv në denoncimin e aferave korruptive janë Driton Tali me 13 pyetje parlamentare, Naim Rrustemi me 10, Riza Smaka me 5 dhe Gjylnaze Syla me 2”, thuhet në komunikatë, ndërsa ndër aktivitetet kryesore kundër korrupsionit të Qeverisë së Kosovës kanë qenë shkarkimi i zv.ministrit të Transportit dhe Telekomunkacionit të Kosovës, Gjergj Dedaj, miratimi i Projekt-Ligjit për Prokurimin Publik dhe inicimi i nxjerrjes së Ligjit Anti-Mafia.
Po ashtu, Policia e Kosovës ka filluar fushatën e saj anti-korrupsion përmes shpërndarjes së broshurave për sensibilizimin dhe vetëdijesimin e qytetarëve për denoncimin e aferave korruptive. Ka arrestuar edhe një zyrtar të pylltarisë në Komunën e Pejës, mirëpo është liruar nga gjyqtari i Gjykatës Komunale në Pejë, ani pse ka pasur fakte të mjaftueshme për dënimin dhe burgosjen e tij.
Në kuadër të Doganave të Kosovës janë shqiptuar 4 masa disiplinore dhe 4 zyrtarë tjerë janë suspenduar për shkak të shpërdorimit të detyrës zyrtare.
Ndërkaq, nga 177 artikuj të publikuar nga gazetat e përditshme (Koha Ditore, Zëri, Kosova Sot dhe Express), vetëm 62 janë realizuar si tema, ndërkaq 115 prej tyre si lajme. Derisa Koha Ditore dhe Zëri janë fokusuar më shumë në kritikat ndaj ekzekutivit të vendit dhe ndërmarrjeve publike, kritikat e Kosova Sot janë përqendruar më shumë në gjyqësorin e Kosovës.
Ndryshe, niveli i lartë i korrupsionit dhe krimit të organizuar në institucionet publike ka alarmuar edhe deputetët e Parlamentit Evropian. Në Rezolutën e miratuar për Kosovën është kërkuar që viti 2010 të jetë viti i luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. /Telegrafi/
Në Kosovë ndodh që një gjyqtar të punojë edhe si avokat, një deputet të punojë si anëtar i bordit të një ndërmarrje publike që zgjidhen pikërisht nga Parlamenti. Ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, megjithëse është i mangët, as përmbajtja e tij aktuale nuk zbatohet si duhet.
Lëvizja Fol në raportet e saj ka evidentuar raste të shumta të konfliktit të interesit. Në një tryezë të organizuar në Prishtinë me temën: “Konflikti i Interesit në institucionet Publike”, Petrit Zogaj ka thënë se në gjashtë komuna, janë evidentuar raste të shumta të konfliktit të interesit. “Gjatë kësaj periudhe kemi publikuar dy raporte. Njëri ka të bëjë me gjykatat dhe prokurorinë, ku janë identifikuar tre raste të konfliktit të interesit, ku tre gjykatës kanë ushtruar edhe funksionin e avokatit”, ka thënë Zogaj.
Sipas tij, gjatë muajit maj Lëvizja FOL ka publikuar listën me shtatë zyrtarë, ku katër nga këta janë deputet të Kuvendit të Kosovës të cilët shkelin në vazhdimësi Kushtetutën e vendit, dhe po ashtu kanë konflikt interesi.
Gjithashtu, Lëvizja FOL ka reaguar ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës Nr 03/134 për propozimin e deputetëve Naser Osmani dhe Slobodan Petroviq në Bordin e Agjencionit Kosovar të Privatizimit, vendim ky që bie ndesh me nenin 72 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Sefer Goxhuli udhëheqës i divizionit për parandalim të konfliktit të interesit në Agjencionin Kundër Korrupsion, theksoi se AKK është e bazuar në ligjin për parandalimin e konfliktit të interesit. Sipas tij mangësi e këtij ligji është se ai nuk rregullon çështjen e ushtrimit të dy funksioneve nga një zyrtarë në institucione publike.
Naim Rrustemi deputet i pavarur në Kuvendin e Kosovës ngriti disa shqetësime që kanë të bëjnë me shkeljet e ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit. Ai theksoj se ky ligj për sa i përket çështje se një zyrtarë institucional a i lejohet ushtrimi i funksioneve në dy institucione është shumë i qartë. “Neni 13 i këtij ligji në mënyrë të saktë dhe të qartë specifikon fushat dytësore ku një zyrtarë institucional mund të angazhohet”, tha Rrustemi. /indeksonline/
Lëvizja FOL e ka quajtur antiligjor vendimin e Qeverisë së Kosovës që deputeti i LDK-së, Naser Osmani të emërohet anëtar i Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Në komunikatën e kësj lëvizjeje, thuhet se vendimi i qeverisë është në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin sepse paraqet konflikt interesi. Poashtu, është kërkuar që Kuvendi i Kosovës të mos emëroj deputeitn tjetër, Slobodan Petrovic, në funksionin e anëtarit të AKP-së, sepse të gjitha ligjet parashohin që deputetët nuk mund të mbajnë poste tjera në ndërmarrjet publike.
Kërkojmë nga ana e Qeverisë së Kosovës shfuqizimin e vendimit të saj për zgjedhjen e deputetit Naser Osmani në cilësinë e anëtarit të AKP-së, dhe po ashtu, kërkojmë nga Kuvendi i Kosovës që të mos e miratojë propozimin e Qeverisë që deputeti tjetër, Slobodan Petrovic, të jetë anëtar i Agjencisë Kosovare të Privatizimit”, citohen fjalët e Petrit Zogaj, në komunikatën e FOL-it.
Lëvizja FOL përmes kësaj komunikate mbështet vendimin e Bordit Drejtues të Bankës Qendrore të Kosovës të datës 26 Korrik 2010 si dhe kërkon nga Presidenti i Republikës së Kosovës që në mbështetje të Kushtetutës së Republikës së Kosovës përkatësisht Neni 184 mbi Kompetencat e Presidentit, të shkarkoj menjëherë nga posti i guvernatorit të Bankës Qendrore z. Hashim Rexhepi.
Z. Rexhepi ditë më parë është arrestuar nga Policia e Kosovës nën dyshimet për keqpërdorime dhe korrupsion për periudha të ndryshme kohore përderisa Gjykata e Qarkut i ka shqiptuar masën e paraburgimit prej 30 ditëve.
Petrit Zogaj, menaxher i programit në Lëvizjen FOL me këtë rast deklaroj: “Duke marrë parasysh që Banka Qendrore është një institucion shumë i rëndësishëm bankar, nuk duhet të lejohet që posti i Guvernatorit të jetë i zbrazet dhe të funksionoj me ushtrues detyre për një periudhë të gjatë. Prandaj, ne, kërkojmë nga Presidenti që menjëherë pas shkarkimit të z Rexhepi nga posti i Guvernatorit të BQK-së të fillojë procedurat e përzgjedhjes së Guvernatorit të ri të këtij Institucioni.”
Prishtinë, 26 Korrik 2010: Lëvizja FOL sot mbajti debatin për punën një vjeçare të Institucionit të Avokatit të Popullit bazuar në raportin vjetor 2008-2009. Debati u organizua me qëllim të diskutimit të gjerë për punën e këtij institucioni dhe koordinimin apo mbështetjen që ka ky institucion nga institucionet e tjera të vendit. Raporti i Avokatit të popullit thekson se numri më i madh i ankesave të qytetarëve deponohen për sistemin gjyqësor të Kosovës, ankesa për mosekzekutim të vendimeve të Gjykatave, zvarritje të mëdha të procedurave gjyqësore dhe për korrupsion real ose të perceptuar në tërë sistemin gjyqësor. Në bazë të raportit vjetor të këtij institucioni del se mesatarisht 4-5 ankesa në ditë pranon Avokati i Popullit nga qytetarët për abuzim me pushtetin, u shpreh Ramadan Ilazi, drejtor ekzekutiv i Lëvizjes FOL, i cili më tej shtoi se institucionet e Kosovës nuk i marrin parasysh rekomandimet e Avokatit të Popullit sikur edhe veprojnë me rekomandimet e institucioneve tjera të pavarura.
Raporti i institucionit të Avokatit të Popullit vë në pah tri fusha kryesore në të cilat qytetarët më së shumti i drejtojnë ankesat; 1) Ankesat për Gjyqësorin; 2) Ankesat për administratën publike në nivel lokal dhe qendror si dhe 3) ankesat për të drejtat ekonomike dhe sociale, u shpreh zëvendësi i Avokatit të Popullit Hilmi Jashari. Ai më tej shtoi se qytetarët drejtojnë shumë ankesa në gjykata për shkak të mosfunksionimit efikas të administratës publike dhe kjo paraqet probleme edhe në tej ngarkimin e gjykatave me lëndë. Për këtë, institucioni i Avokatit të Popullit ka rekomanduar që të krijohet Gjykata Administrative.
Arritja më e madhe është kategorizimi i këtij institucioni si detyrim Kushtetues, si dhe miratimi i Ligjit për Avokatin e Popullit, mirëpo disa rekomandime tona nuk janë marrë parasysh gjë që paraqet një sfidë të madhe për funksionimin e këtij institucioni, u shpreh mw tutje z. Jashari.
Alban Sutaj, zyrtar ligjor në ministrinë e Drejtësisë deklaroi se me fuqizimin e këtij ligji do të shtohet efikasiteti i institucionit të Avokatit të Popullit në mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Ky debat realizohet në kuadër të projektit “Fuqizimi i Dialogut Trekëndor Kundër Abuzimit të Autoritetit Publik Ndërmjet Avokatit të Popullit, Kuvendit të Kosovës dhe Shoqërisë Civile”, i mbështetur nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile(KCSF).
Aktivistët e lëvizjes “Fol”, nëpërmjet një marshi simbolik nëpër fshatrat e Prizrenit nga pritet të kalojë traseja e autostradës Vërmicë-Merdare, i kanë bërë thirrje institucioneve përgjegjëse që të ngrenë nivelin e transparencës në lidhje me jetësimin e këtij projekti madhor.
Përfaqësuesit e shoqërisë civile kanë vlerësuar se mos publikimi i detajeve në lidhje me kontratën për ndërtimin e kësaj rruge vetëm rrit dyshimet për keqpërdorime të mundshme të fondeve publike.
“Sot, jemi këtu për të mbështetur përpjekjet e gjithë shoqërisë kosovare për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar. Mungesa e transparencës përbën një indikator të fuqishëm për korrupsionin. Investimi më i madh që është bërë ndonjëherë në Kosovë është pikërisht rruga e kombit, që do të merr diku 25 për qind të prodhimit bruto të vendit. Ne jemi këtu për të kërkuar transparencë për investimet që do të bëhen në këtë projekt”, ka thënë udhëheqësi i Lëvizjes “Fol”, Ramadan Ilazi. Ai ka sqaruar se nisma për të vizituar fshatrat Vërmicë, Zhur e Shpenadi lidhet me faktin se nëpër këto lokalitete pritet të kalojë traseja e autostradës dhe se banorët e këtyre vendbanimeve kanë ngritur shqetësime të ndryshme në lidhje me ecurinë e procesit të shpronësimit të tokave në pronësi private.
“Ne nuk jemi kundër ndërtimit të rrugës, përkundrazi e mbështesim ndërtimin e saj, mirëpo kërkojmë që kjo rrugë të ndërtohet mbi bazën e transparencës së plotë dhe në mënyrë të drejtë, duke i lejuar hapësirë gjithë atyre qytetarëve që kanë ankesa legjitime që ato të trajtohen në mënyrë korrekte”, ka deklaruar Ilazi. Banorët e këtyre anëve kanë shprehur pakënaqësitë në lidhje me vlerësimin e pronave të tyre nga ana e institucioneve dhe, në të njëjtën kohë, janë ankuar se premtimet që kanë marrë nga udhëheqësit e dikastereve të qeverisë qendrore nuk janë respektuar.
“Sa i përket kompensimit të shpronësimit në Vërmicë, banorët janë të pakënaqur me Qeverinë dhe Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave. Kemi pas premtime të herë pas hershme edhe nga ministri Limaj dhe pushteti lokal i Prizrenit, të cilat nuk janë realizuar asnjëherë. Jemi të pakënaqur me shpronësimin dhe shumica e banorëve i janë drejtuar Gjykatës Supreme në lidhje me këto pakënaqësi, siç janë vlerësimi i shtëpive të banimit, oborreve e tokës, pasi çmimi është tejet i ulët – 800 euro për një ar, derisa për shtëpi banimi është 210 euro për një metër katrorë, ku vlerësimi bëhet edhe sipas vjetërsisë së shtëpive…”, ka theksuar Fehmi Fanaj nga Vërmica.
Ai ka cilësuar se aktiviteti i shoqërisë civile është i vonuar ngase procesi i shpronësimit është në zbatim e sipër. Edhe Hulusi Badallaj nga fshati Zhur ka thënë se prona e tij nuk është vlerësuar sa duhet.
Aktivistët e Lëvizjes “Fol” insistojnë që institucionet përgjegjëse të bëjnë publike kontratën për ndërtimin e autostradës nga konsorciumi “Bechtel&Enka”, të bëjnë publike procesin e tenderimit dhe të dokumentacionit që tregon arsyet e përzgjedhjes së këtij konsorciumi, pastaj kërkojnë angazhim të shtuar të legjislativit për monitorim dhe kërkim të llogaridhënies për këtë projekt, të bëhen publike projekt-buxheti dhe kostoja përfundimtare për ndërtimin e autostradës, kohëzgjatja e punimeve, shpalosja e detajeve rreth procesit të vlerësimit dhe shpronësimit të pronave private, si dhe rritjen e bashkëpunimit me shoqërinë civile
Kuvendi i Kosovës gjatë muajit qershor ka mbajtur katër seanca plenare. Gjatë këtyre seancave nuk është vërejtur ndonjë angazhim për të trajtuar …
Lëvizja Fol, në raportin e monitorimit të aktiviteteve institucionale në luftën kundër korrupsionit, gjatë muajit qershor, ka vlerësuar se vendësit mbesin të ndarë kur është në pyetje lufta kundër korrupsionit.
Jeta Bajrami, koordinatore e projektit Monitoruesi i korrupsionit deklaroi në një konferencë për media se ndërkombëtarët adresojnë këtë çështje në raportet/vlerësimet e tyre të përvitshme dhe qëndrimet deklarative. Bashkimi Evropian me Raportet e Progresit, e Departamenti Amerikan i Shtetit me raportet periodike për çështje të veçanta, mbesin vërejtjet publike që Kosova i merr pothuajse rregullisht viteve të fundit. Ndërsa raportet e organizatave jo qeveritare ndërkombëtare për Kosovën, kanë qenë të vazhdueshme dhe shpesh herë më të ashpra në adresimin e korrupsionit”.
Sipas Bajramit, vendasit mbeten të ndarë në qasjen për korrupsionin dhe luftën kundër tij. Përderisa pushtetarët zotohen për “zero tolerancë korrupsionit dhe krimit të organizuar”, opozita adreson të kundërtën, duke e cilësuar “qeverinë ” koka e korrupsionit”. “Qëndrimet e tyre për çështjen në fjalë ndryshojnë me ndërrimin e pushtetit, e bashkë me të edhe rolet e tyre. Përgjatë qeverisjes nën administrimin e UNMIK-ut, dhe pas shpalljes së pavarësisë, publiku kosovar në rolin e spektatorit ka mundur të përcjell rokadën e pushtetit dhe retorikën pothuajse boshe për luftën kundër korrupsionit. Çështja e statusit, e më pas bërja e shtetit, janë shndërruar Atutë kryesore pas të cilave politikanët kosovarë janë fshehur vazhdimisht”, tha ajo.
Armend Mazreku, zyrtar i analizimit dhe monitorimit në Lëvizjen FOL deklaroi se për periudhën Prill-Qershor 2010 në Gjyqësorin e Kosovës në kuadër të kategorisë “Shpërdorimi i Pozitës Zyrtare ose Autorizimit” nga 119 lëndë gjithsej për këtë kategori janë zgjidhur 10 dhe mbeten 109 lëndë të pazgjidhura. Sa i përket dhënies dhe marrjes së ryshfetit sipas tij, nga gjithsej 38 lëndë, vetëm 3 nga këto janë të zgjidhura.
Ai po ashtu ka thënë se Policia ka raportuar se 19 persona gjithsej janë arrestuar për periudhën Janar-Qershor 2010 për vepra të ndryshme të korrupsionit. Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës 68 raste të Korrupsionit janë të dërguara në Prokurori me raport të Prokurorit.
“Kuvendi i Kosovës gjatë muajit qershor ka mbajtur katër seanca plenare. Gjatë këtyre seancave nuk është vërejtur ndonjë angazhim për të trajtuar aferat e korrupsionit ose për kërkim të llogarisë për angazhimin e qeverisë në luftimin e korrupsionit”, tha Mazreku.
Sa i përket sistemit gjyqësor, ai shtoi se është bërë riemërimi i 76 gjyqtarëve dhe prokurorëve, janë realizuar edhe disa takime të Kryeprokurorit dhe është premtuar reformë e thellë e sistemit gjyqësor. Edhe KGJK-ja ka publikuar Raportin e II ” tre mujor (prill-qershor) në lidhje me rastet korruptive.
“Niveli i lartë i korrupsionit dhe krimit të organizuar në institucionet publike ka alarmuar edhe deputetët e Bundestagu-t gjerman. Disa nga ata kanë pohuar që “paratë e qytetarëve gjermanë po investohen në vila private të politikanëve kosovarë…ndaj edhe duhet një kujdes ma i shtuar i qeverisë gjermane për të kontrolluar mjetet financiare të taksapaguesve gjermanë sesi shfrytëzohen nga institucionet e Kosovës”, tha ai.
Mazreku ka përmendur edhe Raportin e Paralajmërimit të Hershëm të UNDP-së, ku korrupsioni dhe mungesa e rezultateve në këtë luftë po shkaktojnë edhe një trend të rënies së besueshmërisë në Qeverinë e Republikës së Kosovës.
Publikimi i këtij raporti u mundësua nga USAID-i përmes Programit për fuqizimin e Shoqërisë Civile i implementuar nga Instituti për Komunitete të Qëndrueshme(Institute for Sustainable Communities). /indeksonline/
Lëvizja FOL, përmes një letre i është drejtuar sot Agjencisë kundër Korrupsion, duke i kujtuar disa çështje që FOL ka ngritur muajt e fundit. Në letër thuhet:
Në frymën e bashkëpunimit të mirë që kemi krijuar, po ju shkruaj disa çështje që Lëvizja FOL ka ngritur muajt e fundit dhe po shpresojmë që të gjejnë reagim edhe nga Agjencia Kundër Korrupsionit:
1. Lëvizja FOL ka kërkuar nga Komuna e Prishtinës të dhëna për pronën e paluajtshme të disa prej zyrtarëve të lartë publik në Kosovë, mirëpo Komuna ka refuzuar qasjen në këto të dhëna. Duke qenë se Komuna nuk ka ofruar informacionin e kërkuar Lëvizja FOL ka bazë të supozoj se ky institucion mbase edhe është duke fshehur të dhëna që do të pasqyronin një realitet tjetër të pasurisë së paluajtshme nga ai i deklaruar i disa prej zyrtarëve publike në Kosovë. Kërkesa përkatëse është e bashkangjitur me këtë letër, përderisa ne kërkojmë nga Agjencia që të vazhdoj të trajtoj këtë çështje me Komunën e Prishtinës.
2. Në Shkurt të vitit 2010 Lëvizja FOL ka publikuar një raport tjetër të emëruar “Odisejada e ri-emërimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve” ku ka shqyrtuar raste të konfliktit të interesit. Konkretisht ne kemi konsideruar se Kryesuesja e KGJK-së, Lirie Osmani, (shqiptare) Bilgaip Maznikar (me kombësi turke) dhe Zhivojin Jokanoviq (me kombësi serbe) anëtarë të KGJK-së, që të tre ushtrojnë profesionin e avokatit. Lëvizja FOL është informuar përmes shtypit se AKK ka dërguar një letër Gjyqësorit të Kosovës përkitazi me këtë rast ne po shpresojmë se hetimi dhe angazhimi juaj do të sjell rezultate konkrete në këtë drejtim. Raporti në fjalë është bashkangjitur me këtë letër.
3. Me 11 Maj 2010 Lëvizja FOL pas një analize juridike dhe pas verifikimit të të dhënave mbi bazën e fakteve ka publikuar një raport i cili përmban 7 raste që konsideron se personat në fjalë janë potencialisht në konfliktit interesi sipas Legjislacionit në fuqi në Republikën e Kosovës. Lista është e bashkangjitur me këtë letër.
4. Lëvizja FOL konsideron se gjatë deklarimit të Prejardhjes dhe Pasurisë së Zyrtarëve të Lartë Publikë në Kosovë, disa prej tyre nuk kanë deklaruar gjendjen reale sa i përket kapitullit Aktiviteteve të tjera që zyrtari kryen krahas funksionit primar. Në rastin e Kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi nuk ka deklaruar se kryen edhe funksionin e Sekretarit të Partisë Demokratike të Kosovës. Gjithashtu, sa i përket deklaratave të pasurisë pothuajse shumica e zyrtarëve nuk kanë deklaruar edhe pasurinë e fëmijëve të tyre që është obligim sipas Ligjit për Prejardhjen dhe Deklarimin e Pasurisë dhe Dhuratave nga Zyrtarët e Lartë Publik. Ne shpresojmë se sa i përket kësaj çështje AKK-ja do të ndërmerr masat përkatëse.
Gjatë tryezës së organizuar nga Lëvizja FOL me 30 qershor 2010 mbi Transparencën e Institucioneve dhe Ndërmarrjeve Publike është prezantuar nga disa prej pjesëmarrësve shqetësimi se në fshatin ndërkombëtar katër ministra mund të kenë prona të cilat nuk i kanë deklaruar në formularin tyre të Pasurisë. Lëvizja FOL kërkon nga Agjencia që të ketë parasysh këto supozime për të nisur një proces hetimi. , thuhet në fund të letrës së Lëvizjes FOL
Hulumtim politikash: Matja e transparencës së institucioneve dhe ndërmarrjeve publike në Kosovë
Përmbledhje ekzekutive e raportit
Ky studim është i pari i këtij lloji që bëhet në Kosovë dhe synon të masë transparencën e institucioneve dhe ndërmarrjeve publike që operojnë në vend. Përmes këtij studimi së pari është bërë një skenim sistematik i funksionimit të strukturave të brendshme të institucioneve dhe ndërmarrjeve publike përgjegjëse për çështjet e komunikimit dhe informimit publik, i cili ka prekur një gamë mjaft të gjerë çështjesh që kanë të bëjnë me komunikimin dhe informimin publik. Qasja ka qenë ajo e ndërtimit të institucioneve, gjë që nënkupton se ky studim është fokusuar vetëm në atë se në çfarë niveli institucionet dhe ndërmarrjet publike kanë zhvilluar kapacitetet e tyre për të siguruar zbatimin e plotë dhe efektiv të dispozitave kushtetuese dhe ligjore që garantojnë të drejtën e qytetarëve për qasje në dokumentet publike.
Duke qenë kështu, është shikuar ekskluzivisht ana formale e të gjitha elementeve të prekura të komunikimit dhe informimit publik për qëllim të sigurimit të transparencës.
Prandaj, pavarësisht se ndonjë institucion/ndërmarrje publike mund të ketë zhvilluar mekanizma jo-formalë, sipas të cilëve konsideron se do të merrte një vlerësim më të mirë duhet ta ketë të qartë se obligimet kushtetuese dhe ligjore për transparencë janë obligime për institucionin, dhe si të tilla duhet të institucionalizohen në mënyrë që të jenë të qëndrueshme, pavarësisht shkallës relativisht të lartë të ndryshimeve në staf. Duke shfrytëzuar indikatorë objektivë dhe të qartë, ky skenim sistematik është fokusuar në shumicën e çështjeve relevante nga perspektiva e ndërtimit të institucioneve, nga tri dimensione kryesore: infrastruktura rregullative, ajo e politikave/planeve dhe kapacitetet për implementimin efektiv.
Marrë parasysh se kemi të bëjmë me dallime në mes të institucioneve, është tentuar që metodologjia e mbledhjes së informatave (përkatësisht pyetësori i dërguar) të jetë sa më i përgjithshëm që ka qenë e mundur, por kjo gjithashtu nënkupton se personat që kanë punuar në plotësimin e tyre është dashur të kenë njohuri dhe kapacitete analitike të theksuara për të dhënë informata të plota në të gjitha çështjet e ngritura.
Më tej, marrë parasysh se njëra nga sfidat më të vështira në procesin e shtet-ndërtimit në Kosovë ka të bëjë me memorien institucionale, dhënia e informatave gjithëpërfshirëse dhe të sakta rreth secilës çështjeje të ngritur ka kërkuar si aftësi analitike të personave që kanë dhënë informatat për tërë fushëveprimtarinë e organizatës ashtu edhe koordinim të theksuar në mes të strukturave menaxheriale në mbledhjen e informatave specifike dhe relevante. Një element tjetër me rëndësi është se pasi që ky studimi është i pari i këtij lloji, është fokusuar kryesisht në vlerësim kuantitativ, me synimin që të konfirmohet ekzistimi ose mungesa e secilit element në infrastrukturën institucionale në të tria dimensionet e lartpërmendura.
Në këtë kontekst, përtej synimit për të marrë thjesht informata kuantitative mbi secilin element të kësaj infrastrukture, cilësia dhe plotësia e informatave të dhëna reflekton edhe shkallën e shprehisë së institucionit/ndërmarrjes publike të caktuar për të lehtësuar qasjen e publikut në dokumente publike. Kjo shprehi vërehet sidomos në informatat e dhëna nga ana e të dyja ndërmarrjeve publike, të cilat edhe në raste të mungesës së qartë të kornizës rregullative, shpesh janë vërejtur haptas se përpiqen të fshehin informata, përfshirë edhe pranimin e faktit se mungon infrastruktura rregullative. Në këtë mënyrë duket se shpesh e bëjnë të vështirë një vlerësim objektiv dhe ekskluzivisht kuantitativ.
Në vijim paraqitet rangimi i të gjitha institucioneve dhe ndërmarrjeve publike, sipas të Indeksit të Transparencës Institucionale (ITI):
1. Dogana e Kosovës ” 90, jo plotësisht e hapur;
2. Agjencia Kosovare Kundër Korrupsionit ” 69, gjysmë e hapur;
3. Korporata Energjetike e Kosovës ” 64, pjesërisht e hapur;
4. Ministria e Punëve të Jashtme ” 62, pjesërisht e hapur;
5. Policia e Kosovës ” 55.5, pjesërisht e hapur;
6. Kuvendi i Kosovës ” 53, i mbyllur;
7. Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ” 47, e mbyllur;;
8. Posta dhe Telekomunikacioni i Kosovës ” 43, e mbyllur;;
9. Zyra e Kryeministrit ” 41.5, e mbyllur;;
dhe 10. Prokuroria e Shtetit ” 3, e mbyllur.
Megjithëse ky studim i parë i këtij lloji tregon performancë përgjithësisht të dobët sa i përket infrastrukturës institucionale, ai synon të shërbejë si mekanizëm monitorues i vazhdueshëm për të përcjellë ngritjen e vazhdueshme të kapaciteteve institucionale për komunikim dhe informim publik, me synim përfundimtar rritjen e nivelit të përgjithshëm të transparencës së institucioneve dhe ndërmarrjeve publike, duke filluar nga krijimi i një qasjeje proaktive sa i përket qasjes në dokumente publike. Duke e bërë këtë lloj matjeje në mënyrë periodike, synohet të arrihen disa qëllime. Së pari, të identifikohen problemet dhe sfidat e secilit institucion dhe ndërmarrje publike sa i përket ndërtimit të infrastrukturës legjislative dhe asaj të politikave, por edhe të kapaciteteve institucionale dhe organizative, për implementimin e Ligjit për Qasje në Dokumente Zyrtare. Së dyti, këto gjetje specifike pritet t”u ndihmojnë institucioneve publike dhe ndërmarrjeve publike që të adresojnë ato deri në vlerësimin e radhës, në mënyrë që duke përcjellë përparimin e tyre, ato vazhdimisht të jenë në gjendje të përmirësojnë infrastrukturën legjislative e institucionale/organizative, si dhe të ngrisin kapacitetet implementuese. Së treti, duke e bazuar vlerësimin e transparencës në një punë rigoroze e sistematike, pritet që të pasurohet, fokusohet dhe kanalizohet debati publik mbi këtë çështje përmes ofrimit të të gjeturave që bazohen në të dhëna të marra nga vetë subjektet që mbulon studimi.
Lëvizja FOL ka mbajtur sot tryezën e rrumbullakët me temën “Lufta kundër korrupsionit: Progresi dhe koordinimi ndërinstitucional”, me ç”rast ka publikuar një përmbledhje e raporteve mujore të deritanishme me aktivitetet e institucioneve në luftën kundër korrupsionit.
Pjesëmarrës në këtë takim ishin përfaqësues nga: Agjencioni Kundër Korrupsion, Prokuroria e Kosovës, EULEX-i, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Dogana e Kosovës, Shoqëria Civile dhe Mediat.
Armend Mazreku, analist në Lëvizjen FOL bëri prezantimin e raportit përmbledhës të Lëvizjes FOL e cila që nga muaji shkurt i këtij viti ka bërë monitorimin e institucioneve publike në monitorimin e korrupsionit. “Raporti i sotëm është raport përmbledhës që nga shkurt i këtij viti dhe në të përfshihen aktivitetet kryesore që kanë ndërmarr institucionet e vendit. Këto aktivitete të rëndësishme kanë qenë të pamjaftueshme për nivelin e lartë të korrupsionit që është tek ne”. ( për më shumë, gjeni të bashkangjitur në këtë email raportin përmbledhës).
Hasan Preteni, Shef i Agjencionit Anti-Korrupsion, tha se parakusht për zgjidhjen e problemeve janë debatet e parakohshme. “AKK-ja brenda katër muajve ka pranuar mbi 90 informata për afera korruptive. Çka e karakterizon këtë fazë është rritja e informacioneve nga zyrtarët publik për zyrtarët publik. 69 zyrtarë nuk e kanë deklaruar pasurinë e tyre në AKK. Kemi pranuar më shumë se 20 informacione që nuk e kanë plotësuar formularin mirë dhe nuk është e qartë prejardhja e pasurisë. Mbi 30 raste kanë zbrazëti dhe kemi kërkuar informata shtese nga zyrtarët”, tha Preteni.
Sipas tij, mangësi e krejt kësaj është edhe mos përfshija në kodin penal deklarimi i rrejshëm edhe mos deklarimi i pasurisë. “Dje ka përfunduar nënshkrimi i memorandumit që ka të bëjë me monitorimin e korrupsionit me EULEX-in, me Avokatin e Popullit, me Doganën, dhe me të gjithë mekanizmat tjerë”, tha ai. Sipas Pretenit, qytetaret e Kosovës kanë informacione për korrupsion, por janë të zhgënjyer për shkak të përfundimit të këtyre rasteve që sigurisht s”po rezultojnë pozitivisht.
Jakobs Wirds, Zëvendës i Kryeprokurorit të EULEX-it, tha se korrupsioni është gjëja e cila po na len mbrapa si shtet demokratik. “Korrupsioni krijon ngecje në gjithçka. Kosova ka ndërmarr shumë hapa për parandalim të korrupsionit po ka ende shumë për tu bërë. EULEX-i ka bërë shumë dhe ky mekanizëm është kyç për parandalimin korrupsionit. Nuk janë vetëm institucionet për luftimin e korrupsionit por duhet që edhe qytetarët ta raportojnë korrupsionin aty ku atë e shohin, në mënyrë që të luftojmë atë”, tha Wirdt.
Besim Kelmendi, nga Prokuroria e Shtetit tha se prokuroria ka bërë disa hapa për luftimin e korrupsionit, por nuk janë të kënaqur vetëm me këtë. “Ne po presim emërimin e prokurorëve ku do të kemi edhe prokuror që do të merren me lëndët e korrupsionit . Kemi një numër shumë të madh të lëndëve që janë grumbulluar dhe do të jetë një sfidë shumë e madhe për prokurorët e rinj”, tha Kelmendi. Ndërsa sa i përket Task Forcës, Kelmendi tha se kanë disa policë që kanë filluar të punojnë në këtë aspekt mirëpo presin të marrin edhe punëtor të rijnë. “Një fakt i mirë është se prokurorët kanë filluar të marrin në dorë këto raste në bashkëpunim me EULEX-in.
Është emëruar një Komision prej 6 anëtarësh që do të jetë në gjendje gatishmërie se cilët hapa duhet të ndërmerren në këtë drejtim. Po ashtu presim bashkëpunim nga Institucionet në mënyrë që të kemi raportim nga institucionet nga të cilët ata vijnë”, tha ai. Sipas Kelmendit, mungesa e një Ligji që mbron dëshmitarët pas procedurës penale, është arsyeja pse qytetarët hezitojnë të bashkëpunojnë me ne.
Sot Ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës z. Behar Selimi në zyrën e tij priti në një takim njohës pjesëtarët e Lëvizjes “FOL”. Pjesëtarët e Lëvizjes “FOL” u njoftuan për strategjinë e zhvillimit të Policisë së Kosovës, ndërsa në mes të tjerash u njoftuan edhe me formimin e strukturës së Policisë, Metodologjinë e re të qasjes policore ndaj komunitetit, rezultatet e arritura deri më tani dhe ato që priten në të ardhmen.
Pjesëtarët e Lëvizjes “FOL” të përfaqësuar nga Ramadan Ilazi, Petrit Zogaj, Venera Ramaj dhe Armend Mazreku theksuan edhe ndarjen e çmimit për organizatën më transparente në vend për vitin e kaluar e cila i ishte dhënë Policisë së Kosovës si dhe nevojën e vazhdimit të bashkëpunimit.
Ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë u njoftua edhe me “Monitoruesin e Korrupsionit” dhe u dakordua që lëvizja “FOL” të njoftohet me statistikat e numrit të rasteve të korrupsionit që hetohen nga Policia e Kosovës.
Prishtinë, 24 qershor 2010 – Përfaqësues të organizatave joqeveritare, në kuadër të marrjes së mbështetjes për kontekstin lidhur me Projektligjin për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit, përkatësisht nenit 22.1, të enjten kanë takuar Avokatin e Popullit, Sami Kurteshi, duke kërkuar nga ai trajtimin e kësaj çështjeje në aspektin e të drejtave të njeriut dhe Kushtetutës.
Drejtori ekzekutiv i KDI-së ka thënë se neni 22.1 i këtij Projektligji është i padrejtë, ngase parasheh që deputetët të gëzojnë të drejtën e pensionit suplementar qysh në moshën 50 vjeçare. Sipas tij, ky beneficion i rezervuar për deputetët nga vetë deputetët, është në kundërshtim me Kushtetutën dhe është diskriminuese në raport me qytetarët e Kosovës. Kryeziu ka shpjeguar po ashtu edhe rreth hulumtimit që ka bërë KDI lidhur me përvojat e vendeve të tjera. “Përveç Belgjikës e Shqipërisë që përcaktojnë moshën 55 vjeçare, shtetet tjera praktikojnë moshën 60 e 65 vjeçare”, ka thënë ai.
Driton Selmanaj nga KDI ka vlerësuar se shuma e pensionit suplementar për deputetët është diskriminuese. “Neni 22.1 është diskriminues, pasi vlera e pensionit parashihet të jetë 50 % e pagës aktuale, e që është mjaft e madhe”, ka shtuar Selmanaj.
Ndërkohë, Ramadan Ilazi, drejtor ekzekutiv i Lëvizjes Fol, ka theksuar se deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk po i shërbejnë interesave të qytetarëve. “Deputetët po tregohen shumë të gatshëm për rregullimin e statusit të tyre, e aspak atë të qytetarit”.
Nga ana tjetër, Avokati i popullit ka premtuar se do të angazhohet rreth kësaj çështjeje. Ai ka thënë se do ta përcjell me vëmendje zhvillimin rreth kësaj çështjeje. “Do ta trajtoj këtë çështjeje dhe nëse gjejmë elemente diskriminuese dhe kundër-kushtetuese, bashkë me ju do të shqyrtojmë edhe mundësinë që këtë çështje ta referojmë në Gjykatën Kushtetuese”, ka thënë Kurteshi.
Kjo iniciativë është mbështetur edhe nga OJQ-të tjera dhe ka për qëllim nxitjen e Presidentit për ta kthyer Ligjin në Kuvend ne mënyre qe te të rishqyrtohet nga ana e deputeteve dhe te ri amendamentohet ne harmoni me Kushtetutën dhe gjendjen ekonomike sociale në vend .
21 Qershor 2010 Përfaqësues të organizatave joqeveritare kanë takuar të hënën presidentin e vendit, Fatmir Sejdiu, me ç”rast kanë kërkuar nga ai që në kuadër të kompetencave që ka, të kthej në Kuvend Ligjin për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetëve, tashmë të miratuar nga legjislativi. Të pranishëm në takim kanë qenë: Valdete Idrizi nga OJQ CMB, Ismet Kryeziu nga KDI, Ferdinand Nikolla nga FIQ dhe Ramadan Ilazi nga Lëvizja Fol. Sipas OJQ-ve, neni 22.1 i këtij Ligji, dëmton interesat e taksapaguesve, pasi parasheh që deputetët që kanë moshën 50 vjeçare të gëzojnë të drejtën e pensionit suplementar.
Përfaqësuesit e OJQ-ve kanë kërkuar nga Presidenti që në bazë të përgjegjësive kushtetuese të tij, ta kthej këtë ligj në Kuvend, në mënyrë që siç thanë ata, të zhvillohet një debat më i gjerë dhe të rregullohet çështja brengosëse e pensionimit të deputetëve, edhe me grupet tjera të përfshira në këtë çështje.
Në takim, përfaqësues të shoqërisë civile kanë thënë se ideja dhe brenga rreth këtij Ligji është norma e vlerës së pensionit suplementar. Ata kanë shpjeguar edhe përvojat e vendeve të tjera që nuk korrespondojnë me këtë ligj, ndërkohë kanë shtuar se mosha 50 vjeçare që një deputet të fitoj pensionin është diskriminuese dhe nuk është në përputhje me vlerat demokratike.
Nga ana e tij, Presidenti Sejdiu, duke i falënderuar përfaqësuesit e OJQ-ve për këtë mënyrë të trajtimit të kësaj çështjeje, ka premtuar se do ta angazhohet dhe do ta trajtoj këtë Ligj thellësisht me këshilltarët ligjor nga Zyra e Presidentit. Presidenti Sejdiu ka thënë se këtë çështje do ta shqyrtoj edhe në aspektin kushtetues dhe të drejtave të njeriut.
Po sot, në Presidencë ka arritur nga Kuvendi Ligji për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetëve, me ç”rast presidenti ka një afat kushtetues prej tetë ditësh për ta shqyrtuar para se ta miratoj.
Iniciativa e OJQ-ve ka ardhur ditë më parë, ku nëpërmjet një letre dërguar Presidentit, është kërkuar që të rikthehet projektligji për shqyrtim në Kuvend dhe të sfidohet neni 22.1 sipas të cilit: “Deputeti, pas përfundimit të mandatit, ka të drejtë për pension suplementar, nëse detyrën e deputetit në një mandat e ka ushtruar më gjatë se sa gjysma e kohëzgjatjes së mandatit të përcaktuar me ligj dhe e ka mbushur moshën 50 vjeçe.”
Në letër thuhet se përderisa mosha e pensionimit për shërbyesit civil në vend është 65 vjet dhe lartësia e pensionit përcaktohet sipas kontributeve të dhëna në Trustin Pensional gjatë karrierës së tyre, përfaqësuesit e popullit kanë privilegjuar veten e tyre duke përcaktuar moshën 50 vjeçare si moshë kur u takon pensioni suplementar me vetëm gjysmë mandati shërbim, dhe madje duke e bazuar atë në pagën e deputetit, e jo në pensionin mesatar në vend. Kjo nuk është e drejtë, veçanërisht kur kihet parasysh fakti se pensionistët kosovarë që kanë punuar mbi 40 vite për ndërtimin e këtij vendi, gëzojnë një pension simbolik prej vetëm 75 Euro në muaj.
Qeveria e Kosovës nuk ka shënuar ndonjë aktivitet konkret në luftën kundër korrupsionit. Zotimet e Kryeministrit Hashim Thaçi, dhe vartësve të tij, p&e…
Kuvendi i Republikës së Kosovës
Kryetari, z. Jakup Krasniqi
I nderuari z. Krasniqi,
Ju lutem, pranoni konsideratën dhe respektin tim të lartë për punën që bëni dhe institucionin që drejtoni.
Po ju shkruaj për të shprehur shqetësimin e Lëvizjes FOL, me deklarimet e Juaja të fundit për gjendjen në gjyqësorin e Kosovës. Përderisa pajtohem se gjendja në gjykatat dhe prokuroritë e Kosovës është e mjerueshme konsideroj se deklarimet e Juaja të fundit janë të dëmshme dhe mund të lexohen edhe si kërcënim për punën e gjyqësorit pikërisht tani kur Prokuroria Speciale ka filluar seriozisht luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Përderisa e kuptojmë pozitën Juaj si Sekretar i PDK-së, ju bëjmë apel që të mos ngatërroni angazhimet e Juaja në kapacitetin e Sekretarit të PDK-së me atë të Kryetarit të Kuvendit të Kosovës. Ashtu siç edhe Kushtetuta e Republikës e cakton, Gjyqësori është një pushtet i ndarë dhe deklarimet e Juaja të fundit për punën në gjyqësor si Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës i shohim si ndërhyrje në punët e gjyqësorit.
Prandaj, ne ju bëjmë thirrje që të largoheni nga retorika politike nënçmuese ndaj gjyqësorit dhe të fokusoheni në përmbushjen e obligimeve kushtetuese që keni në drejtimin e Kuvendit të Republikës.
Në këtë kontekst nëse dëshironi të ndihmoni Gjyqësorin të pavarësohet edhe më tej dhe të fuqizohet, ju mund të përshpejtoni nxjerrjen e ligjit për Gjykata dhe atë për Prokurorinë si dhe një ligj tjetër të rëndësishëm në luftimin e korrupsionit, Ligjin për Konfiskimin e Pasurisë. Gjithashtu, ju mund të kontribuoni në rritjen e buxhetit për Gjyqësorin e Kosovës, i cili funksionon në kushte jo të mira. Shpresoj se do të konsideroni vërejtjet tona,
Me nderime,
Ramadan Ilazi
Drejtor Ekzekutiv i Lëvizjes FOL
Lëvizja FOL e vlerëson si të vërtetë dhe pajtohet me pohimin e kryeministrit Hashim Thaçi se populli po shpreh mosbesim ndaj udhëheqjes politike.
“Sot, ju mund të ndjeheni të zhgënjyer, sepse sot ka një krizë besimi ndaj politikës. Ju nuk jeni ende plotësisht të sigurt nëse Qeveria e mendon atë që e thotë kur deklaron se do të ballafaqohet drejtpërdrejt me korrupsionin dhe do ta çrrënjosë atë nga sistemi”, kishte deklaruar Thaçi në fjalimin e tij para disatësh. “Kur në vitin 2007, Hashim Thaçi, kryetar i PDK-së, garonte për të marrë pushtetin, premtoi se do të krijonte qeveri me personalitete të pakorruptueshme dhe që kanë kredo politike. Por, dy vjet pas qeverisjes me vendin, vetë qeveria dhe këto figura politike të PDK-së janë subjekt i hetimeve dhe dyshimeve për korrupsionin”, konstaton FOL në Matësin, tashmë të rregullt javor, të së Vërtetës së deklaratave të udhëheqësve.
Sipas kësaj lëvizjeje, Thaçi dhe kjo qeveri nuk kanë përmbushur as për së afërmi pritjet e qytetarëve që kanë besuar për një qeverisje më ndryshe të këtij vendi. FOL, megjithatë, thotë se Thaçi, në fjalimin e tij 13 minutash, e pranoi se kjo qeveri nuk e ka më besueshmërinë e popullit, duke dhënë premtime të reja, kur i kanë mbetur më pak se gjysma e mandatit qeverisës.
Nga fjalimi 13 minutash të kryeministrit Hashim Thaçi, të mbajtur më 8 qershor, në të cilin kryekëput i referohet Matësi i së Vërtetës, FOL ndërkaq nxjerr edhe një numër të pavërtetash, raporton KosovaLive.
FOL spikat si të pavërtetë pohimin e kryeministrit se qeveria po punon që të sigurojë “një sistem gjyqësor që punon pa ndërhyrje politike.” Kjo deklaratë ballafaqohet me shumë raporte ndërkombëtare dhe ato vendore, në të cilat shumë herë është përsëritur se ndërhyrja e politikës në drejtësi është problemi më i madh i funksionimit të këtij pushteti.
“Deklarata e kryeministrit është krejtësisht e pasinqertë, sidomos duke marrë parasysh faktin se Raporti i fundit i EULEX-it e akuzon drejtpërdrejt kryeministrin Thaçi për ushtrimin e ndikimeve të tij në procesin e gjykimit të pjesëtarëve të Grupit të Llapit,” thotë FOL.
Për më tepër, FOL shton se jomoralitetin e politikës se nuk dëshiron të ndërhyjë në gjyqësor e vulos deklarata e kryeparlamentarit Jakup Krasniqi, sipas të cilit, EULEX-i është joserioz në hetimet ndaj Limajt, dhe se menjëherë duhet ta ndërpresë këtë proces.
Të pavërtetë, por edhe “parullë të përditshme” të kryeministrit, FOL e quan pohimin se Kosova është një dhe se Kushtetuta e saj do të zbatohet në mënyrë të barabartë përgjatë gjithë territorit të këtij vendi, duke thënë se kjo demantohet çdo ditë në veri të Mitrovicës.
“As Kushtetuta dhe asnjë organ ligjor i shtetit nuk po mund t”u ofrojë siguri banorëve shqiptarë të veriut, që duhet të përballen vetë me sulmet e vazhdueshme të elementëve ekstremistë serbë. Madje, struktura të pushtetit serb po vazhdojnë të jenë aktive në këtë pjesë, ndaj edhe parulla e Kushtetutës që funksionon në krejt territorin vazhdon të mos vlejë,” konstaton FOL. Lëvizja FOL,njëherësh e quan të pavërtetë edhe pohimin se Qeveria që udhëheq Thaçi e ka thyer heshtjen dhjetëvjeçare, akumulimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë të jenë në ballë të kësaj beteje.
Duke rikujtuar se të gjitha qeveritë deri më tash kanë folur e përmendur korrupsionin, por asnjëra nuk e ka luftuar atë, Fol thotë se është e paqartë pse kryeministri Thaçi insiston se institucionet janë në krye të luftimit të korrupsionit, kur kjo është e pavërtetë, dhe për më tepër, ajo që po hetohet, por nga EULEX-i, është vet qeveria e Kosovës.
“Misioni i BE-së për sundimin e ligjit, EULEX, është duke i kryer hetimet e rasteve të mëdha të korrupsionit, ndërkaq arrestimet e Policisë së Kosovës nëpër komuna, po shfrytëzohen vetëm si propagandë e kryeministrit,” vlerëson Lëvizja FOL në Matësin e së Vërtetës. Faleminderit për rekomandimin