Author: admin
“Transparenca e investimeve publike në infrastrukturën rrugore”
Prishtinë, 5 nëntor 2010 – Lëvizja FOL ka mbajtur sot tryezën me temën: “Transparenca e investimeve publike në infrastrukturën rrugore”, me ç”rast ka publikuar edhe raportin me të njëjtin titull. Në këtë tryezë është trajtuar niveli i transparencës së këtyre investimeve, gjendja aktuale dhe hapat që duhet të ndërmerren në të ardhëm.
Ramdan Ilazi, drejtor ekzekutiv i Lëvizjes FOL deklaroj: “Kjo tryezë nuk ka për qëllim të njollos ndërtimet që janë duke u bërë në infrastrukturën rrugore, por nga ne kërkohet transparencë dhe llogaridhënie”. Ilazi tha se Publikimi i këtij raporti bëhet në kuadër të projektit “Transparenca e investimeve publike në infrastrukturën rrugore” me mbështetjen e USAID-it përmes Programit për Fuqizimin e Shoqërisë Civile i implementuar nga ISC 0 Instituti për Komunitete të Qëndrueshme.
Fidan Kalaja koordinator i projektit, prezantoj raportin “Transparenca e investimeve publike në infrastrukturën rrugore”. Sipas tij, investimet në infrastrukturën rrugore kanë qenë prioritet i qeverisë në këto tre vitet e fundit gjë e cila mund të shihet qartë edhe në planifikimin dhe në ndarjen e buxhetit për këtë sektor. “Vetëm në tri vitet e fundit (2008-2010), mesatarisht 30% deri në 50% i buxhetit të Republikës së Kosovës për investime kapitale është ndarë për projekte rrugore, kurse në tri vitet e ardhshme (2011-2013) parashihet që kjo përqindje do të shkojë deri në 60%.”, tha Kalaja. Sipas tij, duke u fokusuar kryesisht në projektin më të madh infrastrukturor pas lufte në Kosovë, Autostradën Morinë-Merdare, ky raport ka identifikuar disa nga mangësitë në rrafshin e respektimit të parimeve të transparencës siç janë mos informimi i publikut rreth planifikimit të këtij projekti e sidomos për koston e saktë financiare, mos dhënien e informacionit rreth burimeve të financimit të tij, refuzimi i qasjes në dokumentacionin e projektit pa ndonjë arsyetim të bazuar, si dhe krijimi i tendencës për anashkalimin e funksionit mbikëqyrës të Kuvendit në këtë proces. “Lëvizja FOL, do të iniciojë realizimin dhe hartimin e një dokumenti mbi standardet e transparencës dhe llogaridhënien e investimeve publike dhe projekteve të infrastrukturës rrugore. Ky dokument do të mëtoj të inkorporoj në vete bazën ligjore, kushtet për integrim në BE, standardet ndërkombëtare që rregullojnë këto aspekte dhe faktorë tjerë të ndërlidhur”, tha ai.
Ndërkaq, ish-kryetarja e komisionit për transport në Kuvendin e Kosovës, Myzejene Selmani tha se është dobësi e Ministrisë së Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit që asnjëherë nuk ka dhënë llogari për investimet e bëra. “Me përjashtim kur është diskutuar për trasenë e Autostradës, më asnjëherë nuk kemi ditur asgjë për këtë projekt strategjik. Dy herë e kemi ftuar ministrin Limaj që të jetë në Komisionin për Transport dhe ai nuk ka ardhur” , tha Selmani. Sipas saj, as ajo që ishte kryetare e Komisionit për Transport nuk e ka parë kontratën për ndërtimin e Autostradës mes MTPT-së dhe Becktel&Enka. “Sa i përket çmimit të ndërtimit të autostradës, gjatë një takimi me Komisionin Evropian është folur se kostoja e autostradës mund të kaloj edhe shifrën ekzistuese, mirëpo ne nuk kemi asnjë informacion zyrtarë”. Sipas saj rrugët në Kosovë mund të jenë ndërtuar sipas standardeve evropiane, mirëpo cilësia e tyre është tepër e dobët. “Çdo projekt rrugor kësaj qeverie zakonisht i ka kushtuar me plus 10 përqind të shumës totale për shkak të zvarritjes së punimeve që janë bërë, dhe kjo automatikisht ka dëmtuar qytetarin e Kosovës ngase ky buxhet është nga taksapaguesit e Kosovës”.
Avni Arifi, përfaqësues i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, tha se kjo qeveria ka zgjedhur infrastrukturën rrugore që të investoj, dhe ky ka qenë lajm i mirë, mirëpo edhe më i mirë do të ishte sikur këto projekte të ishin më kualitative dhe më transparente. “Sa i përket transparencës në infrastrukturën rrugore, Kosova ka përjetuar një katrahurë buxhetore. Plus fjala është për rrugë të një kualiteti shumë të dobët. Në Kosovë nuk do të ketë autostradë. Do të ketë dy segmente rrugore Vërmicë-Orllat dhe Fushë Kosovë-Besi” tha Arifi.
Edhe Eljesi Surdulli, drejtor ekzekutiv i Shoqatës Kosovare për Ndërtim të Rrugëve tha se qasja në dokumente zyrtare është shumë e vështirë në institucionet tona. Sipas tij në Draft ligjin për Ndërtim që është duke u hartuar, përveç një grupi të caktuar të tjerët nuk kanë qasje në të. “Shifrat që janë prezantuar në raportin e FOL “it nuk janë përfundimtare dhe janë më të vogla sa ato që ne shoqatë posedon. Këto shifra janë gati tri herë më të vogla” , tha Surdulli. Mungesa e koordinimit mes qeverisë qendrore dhe asaj lokale, sipas Surdullit sjell shumë parregullsi. “Si pasoj e mos koordinimit të këtyre institucioneve shumica e rrugëve në Kosovë janë ndërtuar pa leje ndërtimi”.
Ndonëse e kishte konfirmuar pjesëmarrjen, zëdhënës-ministri i Ekonomisë dhe Financave “në dorëheqje z. Bedri Hamza, ai nuk qe i pranishëm në tryezë.
Marrëdhëniet e Shoqërisë Civile me Bashkësinë Ndërkombëtare në Kosovë
“Korrupsioni: Ndërmjet Luftës dhe Retorikës”
Prishtinë, 29 tetor 2010 – Lëvizja FOL ka mbajtur sot tryezën me temën :”Korrupsioni: Ndërmjet Luftës dhe Retorikës”, me ç”rast ka publikuar raportin përmbledhës tremujor mbi aktivitetet institucionale në luftë kundër korrupsionit, i cili mbulon muajin korrik, gusht dhe shtator 2010. Pjesëmarrës në këtë Tryezë ishin përfaqësues nga; Prokuroria e Kosovës, Agjencia Kundër Korrupsioni, Shoqëria Civile si dhe përfaqësues tjerë nga institucionet publike të Kosovës.
Armend Mazreku, analist i politikave në Lëvizjen FOL tha se të dhënat që do t”i prezantojmë sot nuk janë vetëm shqetësim i yni por i të gjithë qytetarëve të Kosovës. “Është shumë shqetësuese raporti i fundit i organizatës Transparency International që e vendos Kosovën në vendin e 110 në kuadër të shteteve më të dështuara”, tha Mazreku, i cili prezantoj përmbledhjen e raportit 3 mujor “Monitoruesi i Korrupsionit”. Sipas tij, aktivitetet kryesore të Qeverisë së Kosovës gjatë tremujorit të tretë kanë qenë shkarkimi i zv. ministrit të Transportit dhe Telekomunikacionit të Kosovës, Gjergj Dedaj, miratimi i Projekt-Ligjit për Prokurimin Publik, inicimi i nxjerrjes së Ligjit Anti-Mafia dhe nxjerrja e vendimit për luftimin e ekonomisë informale. “Të gjitha këto aktivitetet nuk tregojnë seriozitetin e Qeverisë së Kosovës për luftimin e korrupsionit., duke marrë parasysh nivelin shumë të lartë të korrupsionit në vend”, tha ai.
Ndërkaq, Drita Hajdari. Koordinatore për Anti-korrupsion në Prokurorinë e Kosovës deklaroj se problemi kryesor në Prokurorinë e Kosovës është mungesa e prokurorëve. “Në Prokurorinë e Qarkut në Prishtinë janë vetëm pesë prokurorë, ndërsa numri i lëndëve për tu trajtuar tejkalon 1500 sosh. Nuk kemi ndikime direkte nga politika, mirëpo kjo gjendje çfarë është tregon se dikush dëshiron që ta paralizoj këtë sistem”, tha Hajdari. Sipas saj, Zyra për Anti-Korrupsion e formuar në Prokurorin e Kosovës tregon vullnetin e Kryeprokurorit për të luftuar këtë dukuri. “Kjo zyrë gjithashtu korrespondon me kërkesat dhe kushtet e Bashkësisë Ndërkombëtare si dhe me kërkesat dhe shqetësimet e qytetarëve të Kosovës”, u shpreh Hajdari. Ajo më tej shtoj, se aktualisht janë në fazën e identifikimit të rasteve që kanë të bëjnë me korrupsion, ku më pas këto raste procedohen me prioritet. “Nuk mjafton vetëm Kodi Penal i Kosovës për të luftuar korrupsionin por duhet gjithashtu të zbatohen edhe ligjet tjera, e po ashtu të miratohet edhe Ligji për Konfiskimin e Pasurisë”, tha ajo.
Deklaratë e Lëvizjes FOL përkitazi me Raportin e Transparency International
Prishtinë, 26 Tetor 2010 – Me rastin e publikimit të Indeksit të Perceptimit për Korrupsionin nga ana e Transparency International, Lëvizja FOL shprehë shqetësimin e saj në lidhje me nivelin e lartë të korrupsionit dhe shtrirjen e gjerë të tij në institucionet publike. Sipas këtij Raporti, Kosova renditet në vendin e 110, krahas vendeve më të korruptuara dhe më të dështuara në botë.
Ndonëse në njërën anë ky Raport paraqet një pikë të rëndësishme për Kosovën, ngase për herë të parë është përfshirë në kuadër të këtij Raporti, ana tjetër e zezë e këtij Raporti është që Kosova portretizohet ndër vendet më të korruptuara në botë. Kjo renditje tregon që aferat korruptive, jo vetëm që janë duke e dëmtuar Kosovën nga brenda, por janë duke e dëmtuar edhe në planin e jashtëm apo në atë ndërkombëtar.
Ky Raport konfirmon edhe njëherë, raportet e Lëvizjes FOL të publikuara me herët, kur i kemi bërë thirrje institucioneve tona që ta luftojnë seriozisht korrupsionin dhe të mos mjaftohen veç me deklarata dhe premtime boshe. Në këtë kuptim, ky Raport duhet të jetë një alarm për institucionet tona që ta luftojnë seriozisht korrupsionin, duke reduktuar kështu mundësinë e abuzimit me paranë dhe autoritetin publik në Kosovë.
Raporti i Progresit Made in Kosova
25 Tetor 2010, Prishtinë, Sot përmes një konference për media u promovua ?Raporti i Progresit Made in Kosova?, i cili ofronnjë pasqyrë alternative ndaj progresit në …
Publikohet “Raporti i Progresit Made in Kosova”
Prishtinë, 25 tetor – Gjashtë organizata të shoqërisë civile, në një konferencë për media, të organizuar të hënën në Prishtinë, kanë promovuar “Raportin e Progresit, Made in Kosova”,(http://levizjafol.org/images/uploads/files/Raporti_i_Progresit_Made_in_Kosova.pdf) i cili është një version kosovar në pritje të Raportit të Progresit të Komisionit Evropian për Kosovën, raport ky që ofron një pasqyrë alternative ndaj progresit në Kosovë, duke reflektuar pikëpamjen dhe vlerësimin e organizatave të shoqërisë civile kosovare mbi fushat esenciale të qeverisjes shtetërore.
Këtë raport e kanë përpiluar: Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, Lëvizja “Fol”, Instituti GAP, Klubi për Politikë të Jashtme (KPJ), Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) dhe Instituti Ballkanik i Politikave (IPOL).
Raporti vlerëson periudhën tetor 2009 ” tetor 2010 dhe mbulon marrëdhëniet Kosovë ” BE (integrimi evropian, roli i EULEX), progresin politik dhe institucional (konsolidimi i institucioneve, zgjedhjet, sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit, politika e jashtme), progresin ekonomik (politikat ekonomike, tregtia e jashtme, sektori financiar), standardet evropiane (prokurimi publik, punësimi, politikat sociale) dhe politikat sektorale (shoqëria civile, media, siguria, liberalizimi i vizave).
Qëllimi i këtij raporti, i cili është unik për shtetet që e marrin Raportin e Progresit nga Komisioni Evropian, është të ofrojë një pasqyrë alternative ndaj progresit (ku hyjnë edhe stagnimi dhe regresi) në Kosovë, duke reflektuar pikëpamjen dhe vlerësimin e organizatave të shoqërisë civile kosovare mbi fushat esenciale të qeverisjes shtetërore, u tha në konferencën për media.
Në të gjitha shtetet aspiruese të Bashkimit Evropian, vlerësimi i progresit të përgjithshëm shtetëror është fushë eksklusive e Komisionit Evropian, i cili përmes instrumentit të Raportit të Progresit jep mendimin e vet për zhvillimet njëvjeçare në këto shtete. Vlera e një instrumenti të këtillë është konstatuar të jetë e madhe, ndërsa efektet janë ndier drejtpërdrejtë në përmirësimin e performansës në sektorët më të kritikuar të qeverisjes shtetërore.
Një nga dimensionet më të diskutuara të Raportit të Progresit të KE-së gjatë viteve të fundit ka qenë kontributi i shoqërisë civile të shteteve që vlerësohen, respektivisht niveli i inkorporimit të inputeve të organizatave të shoqërisë civile. Për më tepër, shoqëria civile ende nuk po arrin të pozicionohet si aktor relevant për vlerësimin e progresit shtetëror, duke u kufizuar në një hapësirë që shpesh edhe margjinalizohet nga institucionet shtetërore.
Sipas konferencës për media, faktori motivues i iniciativës për të përpiluar një raport vendor të progresit ishte dëshira për të dalë nga një pozicion minimalist, drejt një faktorizimi relevant, që shoqërinë civile e shndërron në ofruesin e pasqyrës alternative të progresit shtetëror. Në këtë mënyrë, përveç Raportit të Progresit të Komisionit Evropian, shteti i Kosovës do ta ketë edhe raportin kosovar të progresit, i cili reflekton perspektivën vendore mbi progresin.
Disa nga risitë dhe përparësitë e organizatave që u angazhuan në hartimin e këtij raporti janë: aplikimi i instrumenteve dhe kritereve tona të vlerësimit dhe matjes së progresit, evitimi i përdorimit të gjuhës politikisht korrekte ose neutrale, adresimi i problemeve më të rëndësishme (rrezikshme) që e pengojnë progresin, trajtimi i çështjeve të cilat nuk preken nga Raporti i Progresit të KE-së dhe vlerësimi i rolit të prezencës së BE-së në Kosovë (konkretisht EULEX-it), u tha në konferencën për media të gjashtë organizatave të shoqërisë civile, me rastin e promovimit të “Raportit të Progresit, Made in Kosova”.
Kriza politike e institucionale ka ndaluar agjendën anti-krim dhe anti-korrupsion
Prishtinë, 21 Tetor 2010 – Lëvizja FOL shprehë shqetësimin e saj në lidhje me zhvillimet e fundit politike në vend, e të cilat kanë prodhuar një krizë institucionale, që do të dëmtoj proceset e shtet-ndërtimit dhe qeverisjen e mirë.
Në këtë kuptim, zhvillimet e fundit e kanë zhvendosur vëmendjen nga lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke u marrë me krizën e krijuar nga vetë politikanët në pushtet. Thirrja e lëvizjes FOL për më shumë vëmendje në këtë drejtim, nuk nënkupton që kriza të mos tejkalohet, por assesi nuk bën të shndërrohen në një alibi.
Planet e veprimit nga Prokuroria Speciale si dhe EULEX-i për ndjekjen e zyrtarëve dhe individëve të përfshirë në afera korrupsioni dhe krim të organizuar nuk duhet të shndërrohen ne letër pa vlerë. Gjyqësori duhet të angazhohet dhe të rrisë komunikimin me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në mënyrë që të parandalohet zgjedhja në poste publike e individëve që nuk kanë biografi të pastër për sa i përket korrupsionit dhe krimit të organizuar. Të mos përdorën zgjedhjet për të rehatuar dhe rehabilituar individët e korruptuar si dhe të përfshirë në krim të organizuar.
Nga kriza e prodhuar prej politikës, rrezikohet zhvillimi dhe mbarëvajtja e projekteve kapitale në Kosovë. Rreziku më së shumti prek investimet publike në infrastrukturën rrugore e cila përbën shumicën e investimeve kapitale. Projekte këto me një karakter strategjik dhe interes shtetëror, por që shpejt mund të shndërrohen në një mundësi të mirë për keqpërdorime të individëve në realizimin e kontratave publike për shkak të mungesës së mbikëqyrjes nga ana e institucioneve publike të Kosovës. Projekti i filluar i autostradës, i cili ka një karakter strategjik dhe interes shtetëror është shoqëruar me mungesë të transparencës qysh në fillimet e tij, e që mjaftë lehtë do të vazhdoj në këtë formë.
Çështja e financimit të partive politike në Kosovë, e në veçanti mungesa e transparencës së burimeve të financimit të fushatave të tyre zgjedhore prezanton një shqetësim thelbësor në luftën kundër korrupsionit. Kur mungojnë mekanizmat dhe institucionet të cilat do të siguronin llogaridhënie dhe transparencë të financimit të partive politike, fushatat zgjedhore mund të shndërrohen në një instrument për shpërlaje të parave. Ligji për Financimin e Partive Politike është pjesë e pakos legjislative kundër-korrupsionit që do të duhej të miratohej kohë më parë, mirëpo pa-arsyeje (përveç atyre politike) ky ligj është penguar të procedohet për aprovim dhe tani kriza politike e institucionale kontribuon mos nxjerrjes së këtij ligji. Kërkojmë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që të insistoj tek transparenca e prejardhjes dhe financave të partive politike.
Për shkak të krizës në të cilën është futur shteti, procesi i emërimit të Prokurorëve ka ngecur duke pamundësuar kompletimin me prokurorë të Prokurorisë së Shtetit, veçmas në Prokurorinë e Qarkut në Prishtinë, ku janë të koncentruar mbi 90% e dosjeve të korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Të gjithë jemi të vetëdijshëm se përgjegjësia për ta menaxhuar dhe për ta tejkaluar këtë situatë është e politikanëve, që kanë marrë besimin e qytetarëve përmes votave. Nga përgjegjësia nuk mund të amnistohen as partitë politike parlamentare dhe jo-parlamentare.
Lëvizja FOL kërkon nga të gjitha institucionet relevante që, në kohën e krizës institucionale e politike, të reflektojnë maturi në veprimet e tyre, përgjegjshmëri në vendimet e tyre dhe llogaridhënie karshi interesave të qytetarëve të Kosovës.
Lëvizja FOL apelon tek të gjitha institucionet publike në Kosovë që ta marrin seriozisht luftën kundër korrupsionit, sepse, ky fenomen, jo vetëm që është duke goditur drejtpërdrejt interesat e qytetarëve të Kosovës, por është duke ndikuar negativisht edhe në planin e jashtëm, atë ndërkombëtar.
Monitoruesi i Korrupsionit për muajin Shtator
Nga 37 vendime të Qeverisë së Kosovës për muajin shtator vetëm një vendim ka qenë në drejtim të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të…
FOL: Një deklaratë e kryeministrit dhe një e ministrit Rexhepi, të pavërteta
Një deklaratë e kryeministrit Hashim Thaçi dhe një e ministrit Bajram Rexhepi, janë vlerësuar të pavërteta nga Lëvizja “Fol”, në konferencën për media të shtunën, me rastin e prezantimit të raportit të verifikimit të deklaratave të zyrtarëve të lartë shtetëror të Kosovës “Matësi i së vërtetës”, ku janë radhitur edhe dy premtime të thyera të ministrit Skënder Hyseni dhe ish-shefit të EULEX-it, Yves de Kermabon, si dhe një ndryshim qëndrimi i nënkryetarit të AAK-së, Blerim Shala. E pavërtetë është cilësuar deklarata e ministri të Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, më 18 gusht 2010, se “në gjysmën e muajit shtator Kosova zyrtarisht do të ketë strategjinë për liberalizim”, raporton KosovaLive.
Lëvizja “Fol” konstaton se zyrtarët kosovarë gjatë gjithë verës folën për udhërrëfyes për strategjinë e liberalizimit të vizave, por kur Brukseli u tregoi se ky nuk do të jetë udhërrëfyes, ata ndryshuan fjalorin. Për shkak të problemeve politike të vendit, do të quhet strategji për liberalizimin e vizave. Por, as ajo nuk ka ardhur ende në Kosovë, tash kur është mesi i muajit tetor. Zyrtarë të lartë qeveritarë kanë përmendur shumë herë fundin e verës, ose fillimin e vjeshtës për këtë hap të rëndësishëm, por ka rezultuar një premtim i pambajtur. Kosova në këtë mënyrë është shndërruar në geton e Ballkanit Perëndimor, si vendi i vetëm pa perspektivë të qartë të mundësisë për lëvizjen e lirë. “Unë nuk jam deputet, dhe nuk interpretoj vendimet e Kuvendit të Republikës së Kosovës, dhe vetëm implementoj ato vendime, ndërsa vendimet mbeten në autoritetin e Kuvendit”, është deklarata e dytë e pavërtetë e radhitur në “Matësi i së vërtetës” nga Lëvizja “Fol”, të cilën kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka bërë më 15 tetor 2010.
Me këtë deklaratë kryeministri është munduar të shfajësohet për presionin që i ka bërë Kuvendit, në lidhje me Strategjinë për PTK-në. Në seancën e 14 shkurtit, Thaçi e tha publikisht se nëse do të shtyhej këtë herë miratimi i strategjisë, ajo duhej patjetër të hynte në rendin e ditës në seancën e parë të radhës. Kjo është ndërhyrje e hapur në punën e legjislativit dhe imponim i agjendës së tij. Atmosfera e krijuar nga kryeministri çoi deri në kalimin jashtëligjor të Strategjisë, e cila duhet shqyrtuar e votuar edhe njëherë në përputhje me rregullat e Kuvendit.
Ndryshimi i qëndrimit i nënkryetarit të AAK-së, Blerim Shala, ka të bëjë me zgjedhjet. Ai më 29 shtator 2010 ka deklaruar se “Kosova nuk mund të hyjë në procesin e zgjedhjeve, sepse nuk është e gatshme teknikisht”, derisa partia opozitare, AAK, ka kërkuar gjatë gjithë kohës zgjedhje të
parakohshme, edhe kur vendi kishte institucione funksionale.
Arsyetim i vazhdueshëm i kësaj partie është se qeverisja aktuale nga partitë e koalicionit e bënë të domosdoshme mbajtjen e zgjedhjeve të reja. Por, në momentin kur vërtetë u krijuan kushtet për mbajtjen e tyre, AAK-ja del kundër. Mungesa e liderit të saj është domethënëse, por kjo parti, sikur edhe të tjerat duhet të kenë konsistencë të qëndrimeve politike.
“Shumë shpejt do të shihni fillimin e njohjeve të reja për shtetin e ri të Kosovës. Serbia do të befasohet”, ka deklaruar m 8 gusht 2010 ministri i Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni dhe ka bërë një premtim të thyer, konstaton Lëvizja “Fol”.
Entuziazmi i pas mendimit të GJND-së ka rezultuar një blof i madh i diplomacisë kosovare. Vetëm një shtet e ka njohur pavarësinë e Kosovës, që prejse GJND-ja e quajti të ligjshme pavarësinë e vendit.
Takimet e gjata në Nju-Jork dhe premtimet për njohje nuk u kthyen asnjëherë në realitet. Ministri i Jashtëm, Hyseni me një rast foli edhe për ardhjen e 35 njohjeve për Kosovën pas GJND-së, por kjo mbeti larg realizimit, siç mbeti larg edhe befasia që Hyseni po i përgatiste Serbisë.
Premtim i thyer është cilësuar edhe deklarata e ish-shefit të EULEX-it, Yves de Kermabon, më 12 prill 2010. Ai ka deklaruar: “Prioriteti im kryesor është që t”i kthejë gjyqtarët dhe prokurorët serbë dhe shqiptarë në Gjykatën e Qarkut në Mitrovicë, në mënyrë që të ndahet drejtësia nga një sistem i vetëm gjyqësor, por lokal dhe shumetnik”.
Gjyqtarët shqiptarë të Gjykatës së Qarkut në Mitrovicë ka më shumë se dy vjet që punojnë në kushte shumë të vështira në Vushtrri, për shkak të pamundësisë për të punuar aty ku duhet, në pjesën veriore të Mitrovicës. Yves de Kermabon e përfundoi mandatin pa e realizuar atë që e ka quajtur prioritet, dhe pa dhënë ndonjë shpresë reale për kthimin e gjykatësve shqiptarë në vendet e tyre të punës
Nisin hetimet ndaj prokurorëve Biraj dhe Uka
(Koha.net) Prishtinë, 14 tetor ” Ata që kryejnë hetime e ngrenë akuza do të jenë vetë objekt hetimesh. Zyra e prokurorit disiplinor, që funksionon në kuadër të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, ka nisur të mërkurën një hetim kundër Metush Birajt, prokuror në Prokurorinë e Qarkut të Prizrenit, dhe Agron Ukës, prokuror nga Gjilani për të parë nëse kanë bërë shkelje, duke mos shkuar me kohë në gjykatë muajin e kaluar.
Të mërkurën, “Koha Ditore” ka raportuar se si këta dy prokurorë, ditën kur është dashur të mbahej seanca dëgjimore fiks 48 orë pas arrestimit të të dyshuarve, nuk kanë shkuar në seancë në orën 11:00, kohë kjo që ishte afati i fundit ligjor që të dyshuarit të mbaheshin në arrest, dhe janë bërë sebep që të dyshuarit t”i shpëtojnë paraburgimit. Bazuar në këtë raport, Zyra e prokurorit disiplinor ka nisur hetimet.
Nisjen e hetimeve e ka konfirmuar për gazetën koordinatori i hetimeve në Zyrën e prokurorit disiplinor, Kadri Begolli. “Ne sot kemi hapur hetim ex officio, bazuar në shkrimin e “Kohës Ditore”. Zyra jonë si pjesë e Këshillit Gjyqësor të Kosovës e ka për detyrë t”i hetojë sjelljet e pahijshme të gjyqtarëve dhe të prokurorëve. Për këtë rast ekziston një bazë e arsyeshme. Rrjedha e hetimit pastaj do të vërtetojë se a ka pasur sjellje të pahijshme”, ka thënë Begolli nëpërmjet telefonit. “Ne kemi hapur hetim disiplinor kundër këtyre dy prokurorëve në dy raste të ndara”, ka shtuar ai.
Prokurori Biraj ishte vonuar në seancë 45 minuta. Por vonesa e tij nuk kishte ndikuar te gjyqtari i procedurës paraprake Fillim Skoro, ani se kishin kaluar 45 minuta që gjashtë persona mbaheshin në ndalim në mënyrë të paligjshme.
Gjyqtari Skoro u kishte caktuar atyre nga një muaj paraburgim.
Burime brenda prokurorisë kanë bërë të ditur se vonesën e prokurorëve e ka shfrytëzuar mbrojtja si argument për moscaktimin e paraburgimit për të dyshuarit.
“Në rastin e Prizrenit mbrojta ka bërë ankesë kundër caktimit të paraburgimit brenda afatit ligjor, që është 24 orë. Për të shqyrtuar këtë ankesë është mbledhur një kolegj gjyqësor prej tre gjyqtarësh të shkallës së dytë dhe ua ka ndërprerë paraburgimin këtyre gjashtë personave. Argumenti që kishte ky kolegj ishte vonesa e prokurorit. Pikërisht kjo vonesë ka bërë që ata të lirohen”, ka thënë një burim brenda prokurorisë.
Në Gjilan, ndërkaq, prokurori tjetër që përfaqësonte organin e akuzës kundër pesë personave të tjerë, ishte vonuar një orë. E kur kishte shkuar në seancë nuk e kishte vendimin për nisjen e hetimeve, por vetëm kërkesën për paraburgim. Kjo nuk e ka bindur gjyqtarin e procedurës paraprake që të arrestuarve t”ua caktonte paraburgimin, por i ka liruar ata në procedurë të rregullt.
Sipas burimeve, mbrojtja kishte arritur që qysh në seancën e parë më 29 shtator ta bindte gjyqtarin që të mos ua caktonte paraburgimin pesë të dyshuarve të tjerë.
“Avokatët janë thirrur në vonesën e prokurorit dhe në argumentin se pas orës 11:00 të dyshuarit po mbaheshin në mënyrë të paligjshme, pasi që nuk kishte një vendim. Kjo e ka bindur gjyqtarin t”i lironte ata”, ka thënë burimi.
Të mërkurën, ka reaguar lëvizja “Fol” lidhur me vonesën e prokurorëve. Në një komunikatë për media kjo lëvizje ka kërkuar një hetim të hollësishëm për të sqaruar rrethanat e kësaj ngjarje.
“Fol” ka kërkuar nga kryeprokurori i shtetit, Ismet Kabashi, të urdhërojë një hetim për këtë vonesë. Lëvizja “Fol” po ashtu ka kërkuar edhe nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, përkatësisht nga Zyra e prokurorit disiplinor të hetojë këtë rast, i cili jep sinjale të qarta se puna nuk është duke ecur mirë
Lëvizja FOL kërkon hetim lidhur me vonesën e dy Prokurorëve për të shkuar në Gjykatë
Lëvizja FOL kërkon hetim lidhur me vonesën e dy Prokurorëve për të shkuar në Gjykatë
Prishtinë, 13 Tetor 2010: Lëvizja FOL po përcjell më vëmendje zhvillimet në Gjyqësorin e Kosovë dhe në këtë kuadër përshëndet progresin substancial dhe zhvillimet pozitive pas procesit të riemërimit të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve.
Megjithëse kemi progres, gjithashtu disa probleme në Gjyqësorin e Kosovës janë evidente. Rasti i fundit ku dy prokurorë njëri në Gjilan dhe tjetri në Prizren të cilët për arsyeje të pasqaruara janë vonuar për të shkuar në Gjykatën e Qarkut në Gjilan përkatësisht në Prizren është shqetësues.
Njëmbëdhjetë persona janë arrestuar më 27 Shtator të këtij viti nga Njësiti i Hetimeve për Krime Ekonomike dhe Korrupsion në Prizren. Me urdhër të Prokurorit atyre u është caktuar masa e ndalimit policor prej (48) orësh për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer vepra penale shpërdorim të pozitës zyrtare, falsifikim i dokumenteve zyrtare, nxjerrje e kundërligjshme e vendimeve gjyqësore dhe mashtrim.
Të arrestuarit një gjykatëse, një avokat, pesë zyrtarë të kadastrës, tre menaxherë- të ndërmarrjes PIK-Progres dhe një qytetar janë arrestuar pas një pune tetëmuajshe të policisë, rezultati i së cilës ka dalë se të dyshuarit në bashkëveprim me njëri-tjetrin kanë arritur që të falsifikojnë dhe të bëjnë bartjen e pronësisë nga pronat shoqërore të ndërmarrjes PIK-Progres tek persona privat, në mënyrë të kundërligjshme.
z. Metush Biraj, prokuror në Prokurorinë e Qarkut në Prizren si dhe z. Agron Uka, prokuror në Prokurorinë e Qarkut në Gjilan kanë munguar në ditën kur duhej të mbahej seanca dëgjimore për rastin e lartpërmendur megjithëse ishte afati i fundit ligjor për t”u mbajtur të dyshuarit në arrest. Ata kanë mbërritur në gjykatë gati një orë me vonesë. Si pasojë e kësaj vonese të arrestuarit i kanë shpëtuar paraburgimit.
Kjo vonesë mund të çojë në dëm punën tetë mujore hetimore të Policisë si dhe të vë në rrezik të gjithë dëshmitarët dhe kontribuuesit në ndërtimin e rastit.
Lëvizja FOL kërkon nga Kryeprokurori i Shtetit, z. Ismet Kabashi të urdhërojë një hetim për këtë vonesë. Lëvizja FOL po ashtu kërkon edhe nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës përkatësisht nga Zyra e Prokurorit Disiplinor të hetojë këtë rast i cili hep sinjale të qarta se puna nuk është duke ecur mirë.
###
LUFTA KUNDER KRIMIT TË ORGANIZUAR DHE KORRUPSIONIT TË MOS I NËNSHTROHET KRIZËS POLITIKE
Klubi për Politikë të Jashtme dhe Lëvizja FOL
LUFTA KUNDER KRIMIT TË ORGANIZUAR DHE KORRUPSIONIT TË MOS I NËNSHTROHET KRIZËS POLITIKE
Prishtinë, 5 Tetor 2010 – Lëvizja FOL dhe Klubi për Politikë të Jashtme kanë mbajtur sot konferencë për shtyp me ç”rast kanë dalë me një deklaratë të përbashkët sa i përket luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Ramadan Ilazi, drejtor ekzekutiv i Lëvizjes FOL deklaroj se Klubi për Politikë të Jashtme dhe Lëvizja FOL, si shumë qytetarë të Kosovës, kanë mirëpritur bastisjet e nisura nga EULEX ndaj bartësve institucional të dyshuar për përfshirje në krim dhe korrupsion. “Me vëmendje kemi përcjellë të gjitha këto veprime si dhe kemi evidentuar premtimet e zyrtarëve të EULEX-it dhe përfaqësuesve të lartë të Bashkimit Evropian, se së shpejti do të shohim rezultate të prekshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”. Sipas Ilazit, veprimet e lartpërmendura dhe premtimet e shumta kanë krijuar pritje edhe tek qytetarët e Kosovës për vendosjen e rendit dhe ligjit, bazuar në një model evropian.
Ilazi tha se KPJ dhe FOL shprehin shqetësimin për mungesën e rezultateve të prekshme në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, të paralajmëruara nga EULEX-i. “Dy organizatat tona vlerësojnë se ka ngecje evidente si në luftën kundër korrupsionit në nivele të larta institucionale ashtu edhe në luftimin e kriminalitetit në veri të Kosovës”, tha ai.
Ndërkaq , Ylli Hoxha, drejtor ekzekutiv i Klubit për Politikë të Jashtme, tha se vendimi i Gjykatës Kushtetuese, që rezultoi me dorëheqjen e Presidentit të vendit , paraqet një moment të rëndësishëm për Kosovën, në të cilin përçohet mesazhi i dominimit të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë mbi interesat politike apo individuale. “Ky moment i hapë rrugë organeve të drejtësisë që të vazhdojnë më tutje, me këmbëngulje, në trajtimin e mbi 100 dosjeve të zyrtarëve të lartë të dyshuar për korrupsion dhe krimit të organizuar. Dhe përderisa dosjet e tyre ende gjenden në sirtarët e Gjyqësorit, zyrtarët e lartpërmendur, të dyshuar për implikim në krim dhe korrupsion, ende vazhdojnë të mbajnë poste të larta në institucione dhe vazhdojnë të menaxhojnë paranë publike”, tha Hoxha. Sipas tij, KPJ dhe FOL, e konsiderojnë këtë gjendje si të papranueshme dhe thërrasin përgjegjësit institucional që urgjentisht të largojnë nga detyra këta zyrtarë. “Së fundmi, KPJ dhe Fol identifikojnë një tendencë të shfrytëzimit të krizës politike të krijuar nga dorëheqja e Presidentit për devijimin e vëmendjes së opinionit publik nga agjenda antikorrupsion dhe antikrim. KPJ dhe FOL konsiderojnë se është e papranueshme që drejtësia ti nënshtrohet cilitdo proces politik, si krizave politike ashtu edhe zgjedhjeve”, deklaroj Hoxha, duke shtuar se rrjedhimisht kriza politike e as zgjedhjet nuk guxojnë të shërbejnë si pretekst për mos nxjerrjen para drejtësisë të zyrtarëve të korruptuar.
Ramadan Ilazi shtoi se qytetarët e Kosovës, bazuar në hulumtimet e bëra të opinionit publik, kanë shprehur qëndrimin e tyre se korrupsioni është problemi kryesor i vendit. “Kërkojmë nga EULEX-i që në përputhje me këtë prioritet të fillojë të jep rezultate të prekshme në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe me këtë të shërbejë si inspirim për institucionet e Kosovës për vendosjen e një shteti ligjor në Kosovë. Ky në fakt është menduar të jetë edhe misioni i Eulex-it!!!”, tha Ilazi.
Konferencë: Baza ligjore në Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Kosovë
Lëvizja FOL ka organizuar një konferencë, në të cilën ka publikuar analizën “Parandalimi dhe luftimi i konfliktit të interesit në Kosovë”. Fokusi kryesor i kësaj analizë është ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Institucionet Publike. Prezantuesi i kësaj analize Petrit Zogaj tha se:”qëllimi i publikimi të kësaj analize të politikave është hulumtimi dhe identifikimi i zbrazësive që ligji në fjalë është shoqëruar prej miratimin në Kuvendin e Kosovës me 2007, si dhe plotësim ndryshimi që është bërë në vitin 2009″. Duke shpjeguar më në detaje analizën, u tha që ligji në fjalë ju referohet të dy dokumenteve më të larta juridike të vendit për periudhat në fjalë. Pra, i referohet Kornizës Kushtetuese dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Për shkak të këtij problemi analiza rekomandon a) që brenda një afati të shkurtër kohor të bëhen ndryshimet e nevojshme, për arsye që të përfshihen të gjitha institucionet publike., e të cilat me ligjet aktuale për parandalimin e konfliktit të interesit nuk janë, b) të krijohet Komisioni Mbikëqyrës i Kuvendit të Kosovës dhe c) të miratohet një Rregullore ose dokument i ngjashëm për zbatimin e këtij ligji.
Sefer Goxhuli nga Agjencioni Kundër Korrupsion tha se “kjo analizë na shërben t”i kalojmë këto boshllëqe në luftën për parandalimin e konfliktit të interesit. Ne, jemi të obliguar të punojmë konform ligjeve aktuale të zbatueshme në Kosovë. Në viti 2011, ky ligj do të jetë pjesë ë strategjisë legjislative, që shpresojmë që do të jetë më specifik.”. Po ashtu, z Goxhuli tha se konflikti i interesit është paradhomë e korrupsionit”.
Panelisti tjetër në këtë konference, z Parim Olluri prezantoj disa raste konkrete që zyrtar të lartë publik kanë konflikt të drejtpërdrejt ose edhe të tërthortë të interesit në ushtrimit të detyrës zyrtarë. Z Olluri tha se: “Agjencioni Kundër Korrupsion nuk ka bërë asgjë për disa raste të konfliktit të interesit ani pse ka pasur informacionet e duhura”.
Ndërkaq, panelisti tjetër nga Mali i Zi, z Aleksandar Maskovic që përfaqësonte organizatën MANS shpjegoj se “që nga viti 2002 deri në 2008 gjashtë herë është dërguar ligji për parandalimin e konfliktit të interesit në Kuvendin e Malit të Zi”. Po ashtu z z. Maskovic tha së problemi i konfliktit të interesit është pak a shumë i ngjashëm edhe në Mal të Zi, për faktin që ka shumë zyrtar të lartë të shtetit, të cilët ushtrojnë funksione të dyfishta.
Hajrullah Çeku, Kryesues i Bordit Mbikëqyrës të Lëvizjes FOL në përmbledhje të konferencës tha: ” Konflikti i Interesit ka tre nivele. Niveli i parë janë zyrtarët e lartë, të cilët janë direkt të përfshirë në konflikt të interesit. Niveli i dytë janë të afërmit e zyrtarëve të lartë publik. Dhe niveli i tretë, e që sipas tij janë më problematike, përfshihen strukturat “gree”,të cilat kanë pushtet dhe se këtë pushtet e shfrytëzojnë ë të gjitha nivelet e pushtetit”.
Parandalimi dhe luftimi i konfliktit – Analizë e shkurtër politikash
Ashtu sikur edhe për llojet e tjera të fenomeneve korruptive, perceptimi publik është se në Kosovë konflikti i interesit është mjaft i përhapur dhe se ky f…
Parandalimi dhe luftimi i konfliktit – Analizë e shkurtër politikash
Dy padi ndaj Institucioneve Publike
Prishtinë, 28 shtator 2010 ” Sot, në Ditën Ndërkombëtare të së Drejtës për Ditur Lëvizja FOL deponoj në Gjykatën Komunale të Prishtinës padi ndaj Komunës së Prishtinës dhe Ministrisë së Transportit dhe Postë-telekomunikacionit për refuzim të qasjes në dokumentet zyrtare.
Lëvizja FOL me 26 Mars 2010 ka bërë kërkesë në Komunën e Prishtinës për të pasur qasje për të dhënat e pasurisë së paluajtshme të këtyre zyrtarëve të lartë: Presidentit të Republikës së Kosovës z. Fatmir Sejdiu, Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës z. Jakup Krasniqi, Kryeministrit të Kosovës z. Hashim Thaçi, Gani Thaçi (vëllai i Kryeministrit Thaçi), z.Bardhyl Sejdiu (djali i Presidentit Sejdiu) z. Fatmir Limaj, Ministër i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit i z. Demir Limaj (vëllai i z. Fatmir Limaj). Kërkesa e njëjtë i është ripërsëritur edhe me 12 Maj 2010, mirëpo Komuna e Prishtinës nuk është përgjigjur asnjëherë. Padia ndaj Ministrisë së Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit ka të bëjë me refuzimin e qasjes në kontratën për ndërtimin e autostradës Morinë- Merdare.
Gjithashtu, sot Lëvizja FOL realizoi një takim me Kryeprokurorin e Shtetit ku i dha një çmim për arritjet në përmirësimin e marrëdhënieve me publikun dhe rritjen e transparencës së këtij institucioni.
Gjatë takimit Ramadan Ilazi drejtor ekzekutiv i Lëvizjes FOL shprehi mirënjohjen për punën dhe vullnetin e Kryeprokurorit z. Ismet Kabashi për të përmirësuar efikasitetin e punës së organit të akuzës dhe rritjen e transparencës së këtij institucioni. “Besueshmëria e qytetarëve është qenësore për suksesin në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Kjo mund të arrihet përmes transparencës. Shpresojmë se do të dëgjojmë lajme të mira sa i përket luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, tha Ilazi.
Ndërkaq, Kryeprokurori i shtetit, z. Ismet Kabashi, deklaroj: “Ne do të punojmë për të përmirësuar sa më shumë transparencën e punës sonë, brenda kufizimeve të cilat i kemi, dhe falënderoj Lëvizjen FOL për mbështetje në këtë aspekt”.
Mbledhja e rregullt e Bordit Mbikëqyrës të Lëvizjes FOL
Prishtinë, 24 shtator 2010 – Në përputhje me nenin 9.3. të Statutit të Lëvizjes FOL, është mbajtur mbledhja e Rregullt e Bordit Mbikëqyrës të organizatës. Mbledhja është kryesuar nga kryesuesi i Bordit Hajrulla Çeku. Në këtë mbledhje u diskutua për raportin financiar dhe raportin e punës në organizatë për periudhën Janar-Qershor 2010. Po ashtu Bordi Këshillëdhënës u njoftua me punimet e Kuvendit të Anëtarëve të Lëvizjes FOL mbajtur me 21 Shtator 2010.
Monitoruesi i Korrupsionit për muajin Gusht
Nga 34 vendime të Qeverisë së Kosovës për muajin gusht as edhe një vendim i vetëm nuk ka qenë në drejtim të luftës kundër korrupsionit dhe k…
Lëvizja FOL publikon Raportin ‘Monitoruesi i Korrupsionit’
Prishtinë ” 21 qershor 2010 –Lëvizja FOL ka mbajtur sot një Konferencë për Media, në të cilën është prezantuar Raporti i muajit gusht për aktivitetet institucionale në luftë kundër korrupsionit.
Zyrtari i Analizimit dhe Monitorimit në Lëvizjen FOL, Armend Mazreku, ka pohuar se: Nga 34 vendime të Qeverisë së Kosovës për muajin gusht as edhe një vendim i vetëm nuk ka qenë në drejtim të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ky muaj shënjon njëkohësisht edhe muajin më të dobët të aktiviteteve qeveritare në luftë kundër korrupsionit; Prokuroria Speciale e Kosovës është duke hetuar 73 raste të korrupsionit, 38 prej të cilave janë të profilit të lartë. Ndërkaq, në Veri të Kosovës janë duke u hetuar 25 raste, nga të cilat 6 konsiderohen me prioritet: për krim të organizuar dhe korrupsion; Gjyqësori i Kosovës për muajin korrik ka zgjidhur vetëm 3 lëndë që kanë të bëjnë me afera korruptive, ndërkaq 270 prej tyre kanë mbetur të pazgjidhura, duke demonstruar kështu një niveli mjaft të dobët të funksionimit të tij;
Në Policinë e Kosovës gjatë dy muajve (korrik dhe gusht) janë paraqitur 67 raste të shpërdorimit të detyrës zyrtare, 16 raste përvetësim gjatë ushtrimit të detyrës, 11 raste marrje të ryshfetit dhe vetëm 1 rast dhënie të ryshfetit;
Nga 35 artikuj të publikuar nga gazetat e përditshme (Koha Ditore, Zëri, Kosova Sot dhe Express), vetëm 21 janë realizuar si tema, 9 lajme dhe 5 intervista. Derisa Koha Ditore dhe Zëri janë fokusuar më shumë në kritikat ndaj Ekzekutivit të vendit dhe ndërmarrjeve publike, kritikat e Kosova Sot janë përqendruar më shumë në Gjyqësorin e Kosovës. Ndërkaq, fokusi i gazetës Express kryesisht ka qenë tek dështimet e ministrive të LDK-së dhe të Komunës së Prishtinës; Në kuadër të Doganave të Kosovës janë paraqitur 2 raste: 1 rast për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe 1 rast për dëmtim të pronës së Doganave të Kosovës; Lëvizja FOL ka publikuar Raportin e saj “Trekëndëshi i Bermudës”, në të cilin është pasqyruar mungesa e bashkëpunimit ndër-institucional (Prokurori, AKK dhe EULEX) në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Ky Projekt është përkrahur nga USAID përmes Programit për Fuqizimin Civile dhe i implementuar nga Instituti për Komunitete të Qëndrueshme (ISC).
Mbledhja e Rregullt Vjetore të Kuvendit të Anëtarëve të Lëvizjes FOL
Prishtinë, 21 shtator 2010 – Lëvizja FOL në përputhje me nenin 6.1 dhe 6.2 të Statutit të organizatës ka mbajtur mbledhjen e Rregullt Vjetore të Kuvendit të Anëtarëve të cilën e kryesoi znj. Nora Bajrami. Në këtë mbledhje është aprovuar ndryshimi i Statutit të organizatës, është bërë miratuar Rregullorja e Punës, politikave dhe procedurave të brendshme të funksionimit të Lëvizjes FOL. Po ashtu është diskutuar dhe miratuar raporti financiar dhe raporti i punës për periudhën Janar-Shtator 2010. Në këtë mbledhje po ashtu është vendosur që anëtarë të rinj të Bordit Mbikëqyrës të organizatës, të jenë edhe Milva Ekonomi si dhe Agon Maliqi.