Author: admin
Zyrtarët komunal të Ferizajt të pa informuar për Ligjin Mbi mbrojtjen e Informatorit
Ferizaj, 10 Korrik – Lëvizja FOL në serinë e debateve për Ligjin mbi Mbrojtjen e Informatorëve ka mbajtur takimin e radhës në qytetin e Ferizajt me temën “Pakoja Ligjore Anti-Korrupsion: Ligji mbi Mbrojtjen e Informatorëve”.
Në këtë debat të pranishëm ishin përfaqësues të qeverisë komunale, të gjykatës dhe prokurorisë themelore, përfaqësues të partive politike në nivel lokal, përfaqësues të sektorit privat, si dhe pjesëmarrës nga organizatat jo-qeveritare dhe mediat.
Fillimisht, Armend Mazreku, hulumtues në Lëvizjen FOL ka prezantuar të gjeturat e raportit në lidhje me Ligjin për Mbrojtjen e Informatorëve, kur Ferizaj ka qenë një ndër komunat që FOL ka testuar njohurit e zyrtarëve të kësaj komunë për këtë lig.
Ndërsa, Gjyqtari i Gjykatës Themelore, Ibrahim Idrizi, dhe prokurori i Prokurorisë Themelore, Rasim Maloku, kanë deklaruar se ligji në fjalë është një përparim konkret sa i përket normatizimit të fushës së raportimeve nga ana e zyrtarëve publikë, ku ndër të tjera kanë pranuar se gjatë procedurave hetimore dhe gjyqësore ka pasur edhe denoncime nga ana e zyrtarëve të ndryshëm komunalë.
Kryetari i qendrës së Vetëvendosjes në Komunë e Ferizajt, Faton Topalli, ndër të tjera ka shtruar edhe një varg pyetjesh në drejtim të ekzekutivit komunal: “sesa zyrtarët publikë e raportojnë korrupsionin, nëse Komuna e Ferizajt ka emëruar personin përgjegjës për mbikëqyrje të parregullsive, si dhe çfarë ka bërë Komuna konkretisht për informimin e zyrtarëve të saj sa i përket Ligjit mbi Mbrojtjen e Informatorëve”.
Në anën tjetër, drejtori për shëndetësi në Komunën e Ferizajt, Vesel Zhinipotoku, ka thënë se “Komuna e Ferizajt është e përkushtuar për promovimin dhe zbatimin e këtij ligji kaq të rëndësishëm për uljen e korrupsionit, duke shtuar se “zyra ligjore është adresa themelore që ka për detyrim të informojë dhe njoftojë zyrtarët publikë për ekzistimin dhe përmbajtjen e ligjeve”.
Faik Grainca, nënkryetar i degës së LDK-së në Ferizaj, ka pohuar me këtë rast se “Për dallim nga koha sa kishte qenë në qeverisje ai dhe subjekti që ai përfaqëson, personalisht u kishte ofruar ndihmë organeve të ndjekjes për hetimin e disa aferave korruptive që kishte ndodhur atëkohë, ndërkaq tash korrupsion është i rrënjosur tek krerët më të lartë komunalë”.
Mirëpo, akuzat e Graincës i ka hedhur poshtë shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Rafiz Sejdiu, i cili ka thënë se “shkeljet janë kryesisht minore dhe të natyrës administrative, gjë që edhe vetë përfaqësuesi i Vetëvendosjes dhe i LDK-së kanë theksuar të njëjtën gjë”.
Kryesuesi i Kuvendit, njëherit edhe kandidati për kryetar të qyteti të Ferizajt nga radhët e AAK-së, Xhavit Zariqi, ka drejtuar kritikat e tij në drejtim të Policisë, e cila sipas tij shpeshherë pengon zhvillimin e hetimeve nëpërmjet procedurave të ndërlikuara dhe të shumta.
Bashkim Fazliu nga Nisma Qytetare ka thënë se “korrupsioni s’mund të luftohet nga njerëzit që janë vetë të përfshirë në korrupsion”.
Ndërkaq, përfaqësuesi i organizatës INPO, Alban Haliti, ka thënë se “besimi i qytetarëve në institucionet tona është tejet i ulët si pasojë e mbylljes së institucioneve ndaj qytetarëve, e sidomos të asaj të prokurimit”. Në fund të këtij debati, u dhanë edhe rekomandime sa i përket promovimit dhe zbatimit të Ligjit për Mbrojtjen e Informatorëve.
Ky projekt u financua përmes grantit të Ambasadës Amerikane në Prishtinë.
FOL mirëpret fillimin e anëtarësimit të Kosovës në Organizatën Open Government Partnership (OGP)
Prishtinë, 9 korrik 2013 – Lëvizja FOL mirëpret vendimin e sotshëm të Qeverisë së Kosovës për fillimin e procedurave për anëtarësimin e vendit në organizatën Open Government Partnership (OGP).
FOL prej vitit 2012 e këtej ka kërkuar nga institucionet e vendit që të marrin hapat e duhur për anëtarësimin e Kosovës në këtë Organizatë kaq të rëndësishme për ndërtimin e një qeverisje të hapur dhe llogaridhënëse ndaj qytetarëve dhe institucioneve të tjera. Në kuadër të përpjekjeve të saja, për të koordinuar veprimet dhe hapat institucionalë drejt këtij anëtarësimi, FOL gjatë kësaj periudhe kohore ka qenë në komunikim të vazhdueshëm me përfaqësues të OGP-së, si dhe me institucionet e Republikës së Kosovës, duke përfshirë këtu Presidencën dhe Qeverinë. Prandaj, vendimi i sotshëm është një hap i duhur dhe konkret në drejtim të anëtarësimit të Kosovës në OGP.
Në të njëjtën kohë, anëtarësimi i Republikës së Kosovës në Open Government Partnership nuk është si qëllim në vetvete, por para së gjithash dhe mbi të gjitha nënkupton marrjen e përgjegjësive të mëdha brenda, por edhe në aspektin ndërkombëtar të Kosovës sa i përket ngritjes së nivelit të transparencës dhe llogaridhënies së institucioneve publike.
Përgjegjësitë e secilit vend anëtar janë si më poshtë:
– Transparenca Fiskale – Publikimi me kohë i dokumenteve esenciale të buxhetit dhe një sistem i hapur buxhetor;
– Qasja në informata – Ligji për qasje në informata i cili garanton të drejtën e publikut për t’u informuar dhe për qasje në të dhënat e qeverisë;
– Publikimi i të dhënave për zyrtarët publik ose të zgjedhur – Publikimi i të dhënave për të ardhurat dhe pasurinë e zyrtarëve publikë ose të zgjedhur;
– Angazhimi qytetar – Pjesëmarrja dhe angazhimi i qytetarëve në politik-bërje dhe vendim-marrje.
Përparimi në këto katër fusha do të matet me indikatorë objektiv dhe rezultatet do të verifikohen nga ekspertë ndërkombëtarë. Varësisht nga rezultatet e matjes vendet edhe do të vlerësohen nëse janë apo jo të përshtatshme për anëtarësim. Për t’u vlerësuar si të përshtatshme për anëtarësim vendet që pretendojnë të anëtarësohen duhet të marrin 75% nga pikët maksimale.
Hapi tjetër është zhvillimi i një ‘Plani Nacional të Veprimit’. Në këtë Plan përshkruhen zotimet për veprime konkrete për qeverisje të hapur. Zotimet janë të strukturuara rreth disa sfidave kyçe me të cilat përballen të gjitha qeveritë, e ato sfida janë: Përmirësimi i shërbimeve publike, Rritja e integritetit publik, Menaxhimi më efektiv i burimeve publike, Krijimi i komuniteteve më të sigurta dhe Rritja e llogaridhënies së korporatave. Për më tepër, zotimet duhet të reflektojnë katër principet kryesore të qeverisjes së hapur: Transparencë, Pjesëmarrje qytetare, Llogaridhënie,Teknologji dhe Inovacion. Qeveritë duhet të fillojnë hartimin e këtij Plani duke paraqitur veprimet e tyre të deritanishme dhe strategji e programe të vazhdueshme lidhur me sfidat kyçe të përcaktuara nga vetë ato. Zotimet mund të ndërtohen mbi bazën e veprimeve të ndërmarra deri tash, të identifikojnë hapa të rinj për vazhdimin e reformave ose të iniciojnë veprime në fusha krejtësisht të reja.
Duke qenë në një niveli të lartë të korrupsionit, me mungesë të theksuar të transparencës dhe llogaridhënie tejet të ulët, ka bërë që qytetarët të humbin besimin e tyre në institucionet publike. Duke qenë në këtë nivel të qeverisjes, vendimi i marrë sot nga Qeveria e Kosovës është një obligim i madh për funksionimin e brendshëm të institucioneve tona, në raport me qeverisjen e hapur, llogaridhënien dhe përgjegjësinë ndërkombëtare që rrjedhimisht vjen me këtë rast.
Open Government Partnership (OGP) është një iniciativë shumëpalëshe ku përfshihen qeveritë, shoqëria civile dhe sektori i biznesit, që synon të sigurojë zotime për veprime konkrete nga qeveritë për të promovuar transparencën, fuqizimin e qytetarisë aktive, luftën kundër korrupsionit, dhe shfrytëzimin e teknologjisë së re për të fuqizuar qeverisjen e mirë.
Kjo iniciativë zyrtarisht ka filluar së funksionuari më 20 Shtator 2011, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, tani është plotësisht funksionale dhe ka bërë ndikimin e saj në hapjen e qeverive, gjegjësisht rritjen e transparencës dhe llogaridhënies. Me këtë rast 8 qeveritë e shteteve themeluese (Brazili, Indonezia, Meksiko, Norvegjia, Filipinet, Afrika e Jugut, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara) kanë miratuar deklaratën e OGP dhe kanë shpallur ‘Planet Nacionale të Veprimit të vendeve te tyre.
Përveç qeverive të shteteve themeluese, deri me 17 Prill 2012 edhe 39 qeveri të shteteve tjera e kanë miratuar deklaratën e OGP-së dhe kanë zhvilluar ‘Planin Nacional të Veprimit’, kurse deri me 24 Prill 2013 edhe 10 qeveri të shteteve tjera kanë miratuar zyrtarisht deklaratën e OGP-së dhe kanë zhvilluar Planin Nacional të Veprimit.
Nga rajoni shtetet të cilat kanë miratuar deklaratën e OGP-së dhe kanë zhvilluar dhe dorëzuar në komitetin mbikëqyrës Planin Nacional të Veprimit’ janë: Shqipëria, Mali i zi, Maqedonia, Bullgaria, Serbia dhe Turqia.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj në debatin e FOL dhe PIPS
Projekt-ligji për Amnisti të hiqet nga rendi i ditës
Prishtinë, 3 Korrik – Lëvizja FOL kërkon nga Kryesia dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës që ta heqin nga rendi i ditës miratimin e Projekt-ligjit për Amnisti. FOL vlerëson që ky projekti-ligj, në formën si është paraqitur dhe në përmbajtjen që ngërthen, është në kundërshtim të hapur me premisat themelore liberale të drejtësisë dhe me parimet e aplikuara nga ana e shoqërive të hapura dhe shteteve demokratike. Si i tillë, projekt-ligji cenon bazat e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së Republikës sonë. I ardhur pa ndonjë debat paraprak, dhe si pasojë e negociatave në mes të dy kryeministrave, atij të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, projekt-ligji në fjalë cenon esencialisht liritë, të drejtat dhe parimet themelore të njeriut , e të cilat liri janë ta garantuara më Kushtetutën e Republikës.
Si rast unik në botë, ky projekt-ligj do të shkaktonte lëkundje të një sistemi, e i cili sistem mbetet mjaftë i dobët, i pa-funksionalizuar dhe në pjesë të territorit krejtësisht i papranishëm.
Prandaj, FOL ju ka dërguar të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës kërkesën që ky projekt-ligj të hiqet komplet nga rendi i ditës për mbledhjen e radhës, dhe kësisoj të mundësohet hapja e një debati të gjerë shoqëror për çështjet që ndërlidhen me këtë projektligj dhe pasojat që do të sillte ai për vetë themelet e shtetit të Kosovës.
Në të kundërtën, nëse projektligji miratohet nesër në Kuvendin e Kosovës vetëm me një diskutim sa për sy e faqe, do të ishte një goditje e madhe për vetë frymën që përfaqëson Republika e Kosovës, si dhe do të përbënte një precedent të rrezikshëm dhe tejet të dëmshëm për procesin e shtet-ndërtimit dhe interesin e përgjithshëm të qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Indeksi i Transparencës IV
Indeksi i Transparencës IV Hulumtim politikash: Vlerësimi i transparencës së institucioneve të nivelit qendror, lokal dhe ndërmarrjeve publike në Kosovë pë…
Katër vjet angazhim në luftë kundër korrupsionit
Prishtinë, 25 qershor – Sot bëhen katër vjet nga themelimi i Lëvizjes FOL. Që nga themelimi i saj e deri më sot, Lëvizja FOL është angazhuar për ngritjen e nivelit të transparencës dhe llogaridhënies, nxitjen e pjesëmarrjes qytetare në jetën politike dhe publike, si dhe në mbështetje të proceseve të shtet-ndërtimit dhe të demokratizimit të vendit.
Megjithëse FOL filloi punën me një kompjuter të vetëm dhe një staf prej tre personave, sot në të janë të angazhuar pesëmbëdhjetë persona, rreth 300 aktivistë, si dhe mbi pesëdhjetë anëtarë të cilët në kuadër të Kuvendit të Anëtarëve në mënyrë të drejtpërdrejt qeverisin organizatën.
Për këto vite FOL ka organizuar tryeza të shumta, peticione të ndryshme, protesta dhe përformanca publike, publikime të ndryshme, shkolla të shumta për qytetari aktive, si dhe qindra aktivitete të ndryshme të cilat kanë pasur për synim përfshirjen e shoqërisë civile në procesin e shtet-ndërtimit nëpër të cilin po kalon vendi ynë.
Arritjet tona për këto katër vite janë të shumta: qindra nxënës të shkollave të mesme kanë përfituar nga programi i debatit, i cili ofron mundësinë më të mirë për të rinjtë që të zhvillojnë potencialin e tyre të mendimit kritik, të pjesëmarrjes aktive dhe të reagimit. FOL ka qenë Organizata e parë që ka bërë hapjen e zyrave të prokurimit për mbikëqyrje dhe kontroll nga shoqëria civile, diçka që ka kontribuar drejtpërdrejt në reduktimin e mundësive për keqpërdorim. Po ashtu, kemi ofruar qytetarin me afër institucioneve publike, kemi marrë pjesë në shumë grupe punues të draftimit të ligjeve anti-korrupsion, kemi publikuar raporte të rregullta për nivelin e korrupsionit, të transparencës dhe të keqpërdorimeve në fushën e prokurimit publik. Një fushate një-mujore gjatë vitit 2011, në bashkëpunim me Kryeprokurorin e Shtetit, ka hapur këtë institucion, duke ulur paragjykimet tradicionale për institucionin e akuzës. Puna jonë ka inkurajuar organizata të tjera të shoqërisë civile që të vazhdojnë më tej këtë iniciativë.
Po ashtu, FOL gjatë këtij viti është përfshirë aktivisht në anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Open Government Partnership – OGP, ku anëtarësimi i Kosovës në këtë Organizatë do të nënkuptonte hapjen e institucioneve sa i përket mënyrës së shpenzimit të parasë publike që ato bëjnë.
FOL është e përkushtuar që të vazhdojë edhe më fuqishëm përpjekjet dhe kontributet e saja për ta sjellë institucionin më afër qytetarit, të ndikojë në uljen e korrupsionit në vend, si dhe të rrisë transparencën dhe llogaridhënien e institucioneve publike në shpenzimin e buxhetit të shtetit.
FOL falënderon të gjithë anëtarët e Bordit Këshillëdhënës, anëtarët e Kuvendit të FOL-it, aktivistët dhe mbështetësit, mediat dhe donatorët për ndihmën dhe përkrahjen e madhe që i kanë dhënë FOL gjatë këtyre viteve.
Forum Diskutimi për Ligjin mbi Mbrojtjen e Informatorëve
Prishtinë, 21 Qershor – Lëvizja FOL, në mbështetje të Ambasadës Amerikane në Prishtinë, ka mbajtur një Forum-Diskutim në lidhje me nivelin e zbatimit të Ligjit mbi Mbrojtjen e Informatorëve nga ana e zyrtarëve publikë.
Në këtë Forum të pranishëm ishin përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë, nga Këshilli I Pavarur Mbikëqyrës për Shërbyesit Civilë, anëtarë nga Komisioni për Legjislacion, nga Instituti Kosovar i Administratës Publike, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe të Korrupsionit, Agjencia Kundër Korrupsion, si dhe përfaqësues të organizatave të ndryshme jo-qeveritare.
Në këtë Forum, përveç që është bërë prezantim i të gjeturave të hulumtimit “Zyrtarët s’e fishkëllejnë korrupsionit: Niveli i njohurive dhe përvojës së zyrtarëve publikë rreth Ligjit mbi Mbrojtjen e Informatorëve”, është diskutuar gjithashtu edhe për dobësitë e Ligjit, zbatimi i tij nga ana e zyrtarëve në praktikë, si dhe për promovimin e tij tek zyrtarë të ndryshëm publikë.
Basri Gimolli, nga Divizioni për Politika dhe Legjislacion, deklaroi se “Ministria e Drejtësisë, si sponzorizuese e këtij Ligji e ka pasur për detyrë vetëm draftimin e ligjit, por jo edhe monitorimin e zbatimit të tij nga ana e zyrtarëve”.
Më tutje, ai ka shtuar se “Qëllimi i këtij Ligji është nxitja e zyrtarëve për të raportuar veprimet e kundërligjshme, por Ligji bazohet më shumë në vullnetin e mirë të zyrtarëve sesa në shtrëngimin e tyre juridik për ta denoncuar një vepër të caktuar kundërligjore.”
Më kritike është treguar anëtarja e Komisionit për Legjislacion nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje!, Albulena Haxhiu, e cila ka deklaruar se “Ky ligj ka nevojë të ridraftohet dhe të amendamentohet për shkak të shumë dobësive që përmban”. Ajo më tej ka shtuar se “ekziston frika e madhe e zyrtarëve publikë për t’i denoncuar rastet e korrupsionit përbrenda institucioneve të tyre përkatëse”.
Ndërkaq, Bajram Ajeti, Drejtor i Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbyesit Civilë, tha se “një numër i madh i zyrtarëve publikë s’janë të informuar fare për ekzistimin e Ligjit për Mbrojtjen e Informatorëve, së këndejmi duhet shikuar mundësitë sesi të promovohet Ligji në institucionet qendrore, lokale, si dhe në sektorin privat”.
Për më tepër, ai ka pohuar se “zyrtarët largohen në mënyrë arbitrare nga puna e tyre për shkak të frymës apo mentalitetit autoritar që ekziston në institucionet tona”.
Shemsi Igrishta, nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe të Korrupsionit, në mes tjerash ka prezantuar edhe shifrat e raportimeve të përgjithshme për vitin 2012, ku përfshihen edhe denoncimet e zyrtarëve publikë. Ai ka shtuar se “nga 297 shkresa sa janë pranuar gjithsej, 154 janë marrë parasysh si të bazuara dhe janë cilësuar si raste, si dhe 143 raste të tjera janë dërguar me raport të veçantë të prokurorit”.
Ndërkaq, Arton Demhasaj, përfaqësues nga organizata COHU! Ka shprehur kritikat e tij sa i përket nivelit të zbatimit të këtij ligji, si dhe për mënyrën e emërtimit dhe fushëveprimit të ligjit.
Samir Reka, Drejtor Ekzekutiv i INPO, tha se “Në nivelin lokal jo vetëm që s’zbatohet Ligji për Mbrojtjen e Informatorëve, por as që dihet për ekzistimin e aq më pak për përmbajtjen e tij”.
Në fund të Forumit, janë dhënë edhe një sërë rekomandimesh. Ndër më të rëndësishmet që janë propozuar janë si në vijim:
– Ligji të jetë më specifik sa i përket luftimit dhe parandalimit të korrupsionit;
– Të ndryshohet emërtimi i Ligjit;
– Të organizohen fushata promovuese se çka përmban Ligji;
– Komisioni për Legjislacion të organizojë diskutime publike në lidhje me zbatimin e Ligjit;
– Të caktohen zyrtarët përgjegjës për mbikëqyrje të parregullsive;
– Të gjenden mënyra sesi zyrtarët publikë të inkurajohen për të raportuar rastet e korrupsionit;
Ky projekt u financua përmes grantit të Ambasadës Amerikane në Prishtinë.
Përditësimi i Platformës për Deklarimin dhe Krahasimin e Pasurisë për 236 zyrtarë publikë
Prishtinë, 20 Qershor – Lëvizja FOL, në kuadër të Platformës së Deklarimit dhe e Krahasimit të Pasurisë së Zyrtarëve të Lartë Publikë (http://levizjafol.org/al/deklarimet), ka përditësuar të dhënat e pasurisë së deklaruar për vitin 2012, e që janë bërë publike nga Agjencia Kundër Korrupsion në fund të muajit Maj 2013.
Në këtë Platformë janë gjithsej 236 zyrtarë të lartë, të cilët janë në pozita të larta që nga viti 2010 e deri më sot, përfshirë këtu 34 kryetarë komunash, 107 deputetë, 77 zyrtarë të lartë qeveritarë. Këtë vit janë përfshirë edhe 12 zyrtarë të lartë, si nga niveli lokal ashtu edhe nga ai qendror, që vijnë pas ndryshimeve në disa ministri.
Sipas deklarimeve të bëra në AKK, diferenca e pasurisë së zyrtarëve publikë që është rritur gjatë vitit 2012 krahasuar me vitin paraprak është si në vijim:
– Zëvendëskryeministri Behxhet Pacolli – 102,532,814.00 EURO;
– Deputeti Emin Gerbeshi – 1,747,100.00 EURO;
– Kryetari i Komunës së Suharekës, Blerim Kuqi – 684,859.00 EURO;
– Kryetari i Komunës së Drenasit, Nexhat Demaku – 360,420.00 EURO;
– Deputeti Hamza Balje – 195,300.00 Euro;
– Zëvendës ministri i diasporës, Nuredin Lushtaku, 101,000.00 EURO;
– Deputeti Lutfi Haziri – 94,829.00 EURO;
– Deputeti Muhamet Mustafa – 87,799.00 EURO;
– Presidentja Atifete Jahjaga – 52,673.00 EURO;
– Zëvendëskryeministri, Hajredin Kuçi – 36,712.00 EURO, etj.
Ndërkaq, zyrtarët publikë të cilët kanë pësuar rënie të pasurisë gjatë vitit 2012 krahasuar me vitin e mëparshëm janë:
– Deputeti Ramiz Kelmendi – 21,905,167.00 Euro;
– Deputeti Florin Kelmendi – 4,482,655.00 EURO;
– Deputeti Hashim Deshishku – 568,269.00 Euro;
– Zëvendësministri të Zhvillimit Ekonomik, Ramadan Hasani – 185,235.00 EURO;
– Ministri të Financave, Besim Beqaj – 185,235.00 EURO;
– Zëvendësministri të Administratës Publike, Nexhmedin Kastrati – 95,360.00 EURO;
– Kryeparlamentari Jakup Krasniqi – 20,000.00 EURO;
– Kryeministri Hashim Thaçi – 15,135.00 EURO etj.
Qytetarët e Kosovës mund t’i krahasojnë deklarimet e pasurisë dhe njëkohësisht t’i komentojnë ato për secilën kategori të deklaruar. Komentet që do të jepen në këtë platformë pas një periudhe të caktuar do të dërgohen në Agjencinë Kundër Korrupsion dhe në Prokurorinë e Shtetit, në mënyrë që të fillohen edhe hetimet për deklarimet që eventualisht nuk janë të sakta ose për nivelin e lartë të dallimeve nga viti në vit pa ndonjë shpjegim të arsyeshëm.
Për më tepër rreth pasurisë së zyrtarëve të lartë publikë, ju lutem vizitoni Platformën e Deklarimit dhe Krahasimit të Pasurisë së Zyrtarëve të Lartë Publikë.
Zyrtarët s’e fishkëllejnë korrupsionin
Prishtinë, 17 qershor – Lëvizja FOL ka mbajtur sot konferencën për media me ç’rast ka publikuar raportin: “Zyrtarët s’e fishkëllejnë korrupsionin: Niveli i njohurive dhe përvojës së zyrtarëve publikë rreth Ligjit për Mbrojtjen e Informatorëve”.
Armend Mazreku, hulumtues në Lëvizjen FOL, tha se “sikundër të gjitha ligjet në fushën e parandalimit dhe luftimit të korrupsionit, edhe Ligji për Mbrojtjen e Informatorëve vuan nga mangësi dhe zbrazëtira të shumta juridike”. Më tej, ai ka shtuar se “përveç aspekteve që ndërlidhen kryesisht me aspektet normative të këtij ligji, të gjeturat e këtij hulumtimi argumentojnë nivelin e varfër dhe të pamjaftueshëm të zyrtarëve publikë sa i përket denoncimit të veprave penale kundër detyrës zyrtare.”
Sipas hulumtimit të FOL rezulton se Ligji për Mbrojtjen e Informatorëve përmban shumë mangësi dhe zbrazëtira ligjore. Ndër to bëjnë pjesë: Emërtimi i gabuar dhe me konotacion negativ i Ligjit për Mbrojtjen e Informatorëve; Fushëveprimi i përgjithësuar i Ligjit dhe mos-specifikimi i tij në fushën e veprave penale kundër detyrës zyrtare që parasheh Kodi Penal i Kosovës; Paqartësia se cila instancë është përgjegjëse për pranimin e informatave; si dhe Mos-ndëshkimi i personave apo autoriteteve përgjegjëse në rastet kur ata/ato u zbulojnë identitetin raportuesve të korrupsionit.
Për më tepër, sipas të gjeturave të këtij hulumtimi vetëm 73.6% e zyrtarëve që mbajnë funksione të ndryshme publike janë të informuar për ekzistimin e Ligjit për Mbrojtjen e Informatorëve, ndërkaq 26.4% prej tyre nuk janë fare të informuar për ekzistimin apo mos-ekzistimin e tij. Më keq puna qëndron sa i përket përmbajtjes së Ligjit. Vetëm 15% e zyrtarëve publikë të nivelit qendror dhe lokal rezulton të kenë shumë njohuri për përmbajtjen e këtij Ligji; 60% deri diku, 21% pak dhe 4% kanë deklaruar të mos kenë fare njohuri – aspak. Po ashtu, sipas të dhënave të këtij hulumtimi, rezulton se vetëm 36% e zyrtarëve publikë kanë raportuar rastet e korrupsionit, ndërkaq 73% prej tyre kanë ‘mbyllur sytë’ para asaj që kanë parë.
Më tej, hulumtimi ka nxjerrë në pah edhe mungesën e personave zyrtarë për mbikëqyrje të parregullsive që do të duhej të caktoheshin nga institucionet publike; frikën e zyrtarëve nga masat ndëshkimore që mund të ndërmerren nga ana e eprorëve të tyre; si dhe mungesën e diskutimeve publike për nivelin e zbatimit të Ligjit, nga parlamentarët dhe përfaqësuesit e organizatave të shoqërisë civile.
Përveç këtyre aspekteve të rëndësishme, hulumtimi po ashtu ka evidentuar përparësitë dhe dobësitë e legjislacionit të Kosovës krahasuar me atë të vendeve në rajon. Përderisa përparësi e legjislacionit të Kosovës sipas këtij hulumtimi mbetet ligji specifik në fushën e fishkëllimit dhe masave mbrojtëse që garanton ai në rastet kur zyrtarëve u zbulohet identiteti, në çështjet e tjera, që ndërlidhen kryesisht me fushëveprimin e ligjit, me instancat përgjegjëse për pranimin e informacioneve, me ndëshkimin e personave apo autoriteteve përgjegjëse që u zbulojnë identitetin të gjithë atyre që raportojnë apo denoncojnë praktikat abuzive, vendet në rajon qëndrojnë dukshëm më mirë në këtë aspekt.
Prokurimi elektronik i domosdoshëm për transparencë në shpenzimet publike
Prishtinë, 14 qershor – Lëvizja FOL, ka mbajtur sot konferencën me temën “Efektet e Prokurimit Elektronik në ngritjen e Transparencës së Prokurimit Publik”. Në këtë konferencë pjesëmarrës ishin përfaqësues nga Agjencia e Prokurimit Publik e Republikës së Shqipërisë, përfaqësues të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik në Kosovë si dhe përfaqësues të autoriteteve të ndryshme të prokurimit publik, shoqërisë civile dhe mediave.
Fidan Kalaja, nga Lëvizja FOL, deklaroj se FOL që nga viti 2011 është fokusuar në monitorimin e procedurave të prokurimit publik. “Duke pas parasysh që korrupsioni në prokurimin publik ka qenë i lartë dhe se ka mungesë shqetësuese të transparencës në këtë sektor, ne qysh në vitin 2011 kemi rekomanduar që institucionet publike duhet të fillojnë zbatimin e prokurimit elektronik për të minimizuar aferat korruptive në këtë sistem” tha ai. Duke pas parasysh se “Lëvizja FOL ka iniciuar procesin e anëtarësimit të Kosovës në Open Government Partnership – OPG, ngritja e transparencës së prokurimit publik përmes implementimit të prokurimit elektronik është kriter kryesor për anëtarësim dhe për këtë Qeveria e Kosovës duhet përshpejtojë hapat drejt fillimit të zbatimit të këtij sistemi” deklaroi Kalaja.
Ndërkaq, Bleda Muhollari nga Agjencia e Prokurimit Publik e Republikës së Shqipërisë, tha se në Shqipëri ky sistem ka filluar së aplikuari nga viti 2009. “Sistemi i prokurimit elektronik ofron përgatitje dhe administrim të sigurt, efikas dhe transparent të te gjithë dokumenteve që lidhen me procesin e tenderimit, duke mënjanuar formën e dorëzimit të dokumentacionit në letër dhe duke siguruar një rrjedhë të sigurt të të dhënave përgjatë gjithë procesit” deklaroj Muhollari. Sipas saj ky sistem redukton ndjeshëm kohën e aplikimit, eliminon dokumentacionin e panevojshëm, lehtëson dhe standardizon njohjen me kushtet e tenderit, garanton fshehtësinë e ofertës, gjeneron raporte si dhe ruajtjen elektronike të tyre për kontrolle të mëvonshme duke pakësuar mundësin e devijimeve korruptive. Muhollari deklaroj se duke përdorur këtë sistem “Shqipëria u bë vendi i parë në botë që zbaton një sistem të prokurimit elektronik për të gjitha procedurat e prokurimit të sektorit publik”. Gjithashtu sipas saj “zbatimi i këtij sistemi ka pasur efekt edhe në rritjen e konkurrencës së lirë “ku numri i ofertave për një procedurë tenderimi nga 2 ka kaluar mesatarisht në 7 oferta”.
Përfaqësuesi i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik në Kosovë, Abdyl Limani, deklaroj se Banka Botërore është në përgatitje të një plani strategjik të sistemit të prokurimit elektronik në Kosovë. “Do të ishte më lehtë që Kosova ta merr programin e Shqipërisë, mirëpo ekspertët nga Banka Botërore kanë menduar se secili shtet ka specifikat e veta, andaj edhe Kosova duhet të ketë një sistem të prokurimit elektronik të veçantë”, tha Limani. Sipas tij, deri më tani legjislacioni në fushën e prokurimit publik ka pësuar gjithsej 5 ndryshime. Edhe tani është në përgatitje për ndryshime tjera dhe së shpejti do të bëhen edhe ato. Limani deklaroi se sipas premtimeve që kanë marrë nga Banka Botërore deri në fund të këtij viti do të jetë gati edhe sistemi i prokurimit elektronik.
Alban Hashani nga Instituti Riinvest, tha se në një tryezë të ngjashme na është premtuar se në janar të këtij vit do të fillojmë me prokurimin elektronik dhe për këtë “do ishte mirë që KRPP-ja dhe institucionet publike të na jap një përgjigje të saktë se kur do të ndodh kjo”, tha Hashani.
Në këtë konferencë gjithashtu u diskutua rreth asaj se janë të gatshme dhe të përgatitura institucionet e Kosovës për implementimin e një sistemi të tillë duke pas parasysh aplikimin e teknologjisë më të avancuar elektronike. Mirëpo edhe pse u diskutuan shumë sfida që presin Kosovës rreth këtij procesi, konkludimi i përbashkët i pjesëmarrësve në këtë konferencë ishte se Kosova nuk duhet humbur më kohë dhe duhet fillojë sa më parë zbatimin e prokurimit elektronik duke pas parasysh efektet pozitive që ky sistem do i sjellë në mbarëvajtjen e procedurave të prokurimit publik në Kosovë.
Bordi Këshillëdhënës i Lëvizjes FOL zhvillojë mbledhjen e radhës për vitin 2013
Prishtinë, 13 qershor 2013 – Bordi Këshillëdhënës i Lëvizjes FOL ka mbajtur të enjten mbledhjen e radhës për vitin 2013. Në këtë mbledhje janë paraparë dhe është diskutuar për raportin vjetor të punës dhe atë financiar për vitin 2012 dhe për iniciativën e Lëvizjes FOL për anëtarësimin e Kosovës në Open Government Partnership-OGP.
Anëtarët e Bordit në mënyrë unanime miratuan raportin e punës dhe atë financiar për vitin 2012 pas prezantimit nga ana e menaxhmentit të Lëvizjes FOL. Gjithashtu në këtë takim Drejtori Ekzekutiv i Lëvizjes FOL informojë anëtarët e Bordit rreth iniciativës që FOL ka marrë për anëtarësimin e Kosovës në iniciativën globale për transparencë dhe mirëqeverisje pra në Open Government Partnership-OGP. Ndër të tjera Petrit Zogaj tha se “OGP është një iniciativë shumë palëshe, ku përfshihen qeveritë, shoqëria civile si dhe sektori i biznesit që synon të promovojë transparencën, fuqizimin e qytetarisë aktive, luftën kundër korrupsion si dhe shfrytëzimin e teknologjisë së re për të fuqizuar qeverisjen e mirë”. Duke pas parasysh nivelin e lartë të korrupsionit në vend, mungesën shqetësuese të transparencës dhe llogaridhënies së institucioneve publike, Lëvizja FOL duke u mbështetur nga Ambasada Britaneze në Kosovë pret interesim si nga Presidenca, Qeveria e Kosovës, institucione tjera si dhe sektori privat për anëtarësim në këtë organizatë. Ai tha se FOL ka arritur që të vendos kontaktet e para me Open Government Partnership-OGP dhe gjithashtu ka hartuar planin i cili parasheh veprimet që Kosova duhet të ndërmarrë në mënyrë që në prill të vitit 2014 të jetë anëtare e kësaj organizate.
Bordi Këshillëdhënës i dha mbështetje dhe e përkrahi këtë iniciativë të Lëvizjes FOL, e cila duhet parë si presion publik ndaj institucioneve tona për të bërë sa më transparente shpenzimet publike të tyre.
Mbledhja e Bordit ka vazhduar me pika të tjera të rendit të ditës ku edhe njëherë është rikonfirmuar mbështetja e plotë e tij karshi angazhimeve të Lëvizjes FOL në promovimin e luftës anti-korrupsion, ngritjen e transparencës dhe llogaridhënies së institucioneve publike.
Galeria e aktivitetit
Zyrtarët s’e fishkëllejnë korrupsionin
Hulumtim politikash: Niveli i njohurive dhe përvojës së zyrtarëve publikë rreth Ligjit për Mbrojtjen e Informatorëve.
Projektligji të mos lejojë fshehjen e pasurisë së zyrtarëve të lartë publikë
Prishtinë, 31 maj – Lëvizja FOL organizoi debatin me temën mbi Ligjin për Deklarimin e Pasurisë së Zyrtarëve të lartë Publikë, i cili ligj është në proces të ndryshimeve të rëndësishme dhe të harmonizimit më Kodin Penal të Kosovës. Të ftuar në këtë debat ishin përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë, Agjencionit Kundër Korrupsion, Agjencionit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, përfaqësues nga shoqëria civile dhe mediat.
Petrtit Zogaj, Drejtor Ekzekutiv i Lëvizjes FOL, deklaroi se qëllimi i këtij debati është që të diskutohet me akterët kryesor dhe palët të interesuara lidhur me plotësimin, ndryshimin dhe harmonizimin e këtij ligji me Kodin e ri Penal të Kosovës.
Ndërsa Sekretari i Përgjithshëm në Ministrinë e Drejtësisë z. Bedri Bahtiri, deklaroi se ndryshimi dhe harmonizimi i ligjeve ka dal si kërkesë nga Raporti i Studimit të Fizibilitetit. “Ne si ministri kemi pritur rekomandimet edhe të Agjenicionit Kundër Korrupsion, por edhe të Agjencionit për mbrojtjen e të dhënave Personale. Kemi mbajtur edhe debat me OJQ-të, andaj sapo të kemi edhe një version me ndryshimet e propozuar do ta dërgojmë tek të gjithë palët e interesuara për komente”. Sipas tij, për plotësimin dhe ndryshimin e këtij Ligji Ministria e Drejtësisë ka ftuar edhe ekspertë ndërkombëtar në mënyrë që të kemi një ligj duke u bazuar në praktikat e mirë nga vendet evropiane.
Afrim Atashi, përfaqësues i Agjencionit Kundër Korrupsion, tha se AKK-ja edhe në grupin punues ka kërkuar dhe është arrit që publikimi të bëhet, ndërkaq ka mbet e diskutueshme vetëm modalitetet rreth qasjes në regjistrat e publikuar. Sipas tij, AKK-ja ka kërkuar që të bëhen edhe disa ndryshime të tjera në ligj por që kanë qenë më shumë ndryshime teknike.
Ndërkaq, Mentor Hoxhaj, përfaqësues i Agjencionit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale,tha qëndrimi i Agjenicionit të cilin përfaqëson është kundër deklarimit të pasurisë së vëllait dhe motrës së zyrtarit të lartë, ndërkaq nuk janë kundër publikimit të këtyre të dhënave. Ndërkaq, kërkoj që formulari për deklarimin e pasurisë të hartohet së bashku nga dy Agjencionet, gjë e cila u kundërshtua nga AKK-ja.
Arton Demhasi, nga organizata Çohu, tha se praktikat e mira për të cilat po flitet, janë krijuar me ligje, të cilat ju kanë përshtat rrethanave të atij vendi. “Mendoj se asnjë ligj që e bëjmë duke marrë shembuj nga vendet e BE-së nuk do të na hyj në punë, sepse asnjë vend në Evropë nuk e ka nivelin e korrupsionit sa na në Kosovë që e kemi”, tha Demhasi.
Agron Behrami, nga Agjencioni Kundër Korrupsionit deklaroj se nuk mund të fillojnë me procedura pa i pas disa të dhëna shtesë që kërkohen. “Ne e dimë që në Kosovë ende ka shumë raste që jetojnë në bashkësi, mirëpo ka edhe aso raste që kanë deklaruar se jetojnë vetëm dhe pas hetimit është ka dal se ata jetojnë bashkë, andaj neve na duhet të dhëna më shumë se sa që publikohen për qytetarët”.
Galeria e aktivitetit




Prokuroria e Shtetit të iniciojë procedurë hetimore ndaj ministrit Ismaili
Prishtinë, 24 Maj – Sot, gazeta Zëri, në një shkrim të zgjeruar duke u mbështetur në dokumentet që posedon ka denoncuar përfshirjen e ministrit Fadil Ismaili në afera korruptive. Siç njofton kjo gazetë, ministri Ismaili ka qenë i përfshirë në afera të ndryshme korruptive dhe në konflikt të hapur të interesit derisa ka ushtruar funksione të ndryshme në Kompani Publike.
Këto materiale të publikuara do të duhej të ishin bazë e mjaftueshme që Prokuroria e Shtetit të inicojë hetime ndaj z. Ismailit. Besojmë që Prokuroria do t’a merr me seriozitetin e duhur çështjen e hetimeve dhe të deklarimeve për z Ismaili, por edhe për rastet tjera, që media dhe shoqëria civile po ngrit vazhdimisht.
Ministri Ismaili, i cili u emërua vetëm pak ditë më parë, ka marrë nën udhëheqje ministrinë ndër më të rëndësishmet në Qeverinë e Kosovës, pra Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik. Udhëheqja e këtij dikasteri qeveritar nga z. Ismaili, i cili përfshin procese të ndjeshme të ekonomisë së Kosovës, privatizimet e kompanive publike, orientimin strategjike ekonomik dhe të tjera, vihen në dyshim për shkak implikimit të tij shqetësues në afera të ndryshme korruptive dhe në konflikt interesi.
Po ashtu, duke qenë të zotuar deklarativisht që Qeveria e Kosovës do të ketë ‘zero tolerancë’ ndaj korrupsionit, Qeveria dhe kryeministri Thaçi do të duhej që të kenë një qëndrim në lidhje më të gjeturat e gazetës Zëri për z. Ismaili. Pa dyshim që është dhe mbetet përgjegjësi para së gjithash e Kryeministrit për përfshirjen e ministrave dhe kabinetit qeveritar në afera korruptive. Një gjë e tillë nuk do të duhej të mbetet peng e koalicionit qeveritar, duke bërë kompromise për të mos reaguar në raste të tilla, që zyrtarët qeveritar denoncohen për afera korruptive, e të cilat janë në dem të qeverisjes së vendit, në dëm të mirëmenaxhimit të pasurive publike dhe duke dëmtuar buxhetin publik dhe qytetarët e Kosovës.
Debat rreth transparencës dhe llogaridhënies në komunën e Podujevës
Podujevë, 21 Maj 2013 – Lëvizja FOL ka organizuar debatin me temën “Puna një vjeçare e Komunës së Podujevës – Transparenca dhe Llogaridhënia”. Panelist në këtë debat ishte z. Agim Veliu, Kryetar i Komunës së Podujevës. Po ashtu, të ftuar të tjerë ishin edhe përfaqësues të subjekteve politike në këtë komunë, këshilltar komunal, kryetar të bashkësive lokale, media dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Fidan Kalaja, nga Lëvizja FOL tha se “qëllimi i organizimit të këtyre debateve është promovimi i transparencës së institucioneve të nivelit lokal”. Për të arritur këtë FOL po realizon sot këtë debat me kryetarin e Komunës së Podujevës, e që debate të tilla janë dhe do të zhvillohen edhe në komuna tjera të Kosovës.
Kryetari i Komunës së Podujevës Agim Veliu, tha se “sa herë flitet për llogaridhënie dhe transparencë dihet se bëhet fjalë për buxhetin, shpenzimet, investimet etj”. Ai në pika të shkurta prezantojë rreth buxhetit dhe kategorive të shpenzimeve të tij duke theksuar se “buxheti i Komunës së Podujevës për vitin 2012 ka qenë mbi 17 milion euro, dhe ndonëse nuk është shpenzuar 100 % mund të themi se buxheti është shpenzuar në masën e dëshiruar”, Sipas tij, me këtë buxhet janë realizuar një numër i madh i projekteve ku ndër të tjera kryetari Veliu veçoj investimet në infrastrukturën rrugore, investimet në shëndetësi, në sektorin e bujqësisë, në atë të kulturës, e po ashtu edhe në ndërtimin e 11 shtëpive për rastet sociale etj. “Më e rëndësishme është që gjatë vitit 2012 kemi realizuar 205 procedura të prokurimit ku asnjë procedurë e prokurimit komunës së Podujevës nuk është anuluar dhe nuk ka pasur asnjë ankesë nga operatorët konkurrues për arsye se është respektuar ligji në përpikëri” tha Veliu.
Nexhat Llumnica, nga Lëvizja për Bashkim, tha se kryetari nuk po i përmbush premtimet e dhëna në vitin 2009, sidomos sa i përket përmirësimit të gjendjes në arsim. Ai tha se “ende ka mungesë të shkollave, cilësia është shumë e dobët, kemi arsimtarë që jep mësim në katër lëndë të ndryshme, e ajo më shqetësuesja është dhuna në shkolla, ku nxënësit rrahën nga arsimtarët e tyre”.
Këshilltari komunal nga PDK, Kadri Avdiu tha se mungesa e transparencës vetvetiu të shpie në dyshime se mund të ketë zhvillim të aferave korruptive. Sa i përket raportit financiar që është diskutuar në Kuvend “kemi vërejtur disa mospërputhje në raportin e tre mujorit të këtij viti”, tha Avdiu.
Edhe Naim Qunaku, po ashtu nga radhët e PDK-së, tha se si “çështje shqetësuese konsiderojmë që nuk kemi situatë të kënaqshme si për hartimin e projektbuxhetit, si për raportimet në kuvendin komunal, po ashtu ka pas disa projekte që janë realizuar pa kaluar fare nëpër kuvend”. Sipas tij, është shumë qesharake që për tre mujorin e këtij viti janë shpenzuar rreth 280 mijë euro për mallra dhe shërbime, ndërkaq është po e njëjta shumë edhe për investime kapitale.
Sqarim për qytetarët dhe Komunën e Prishtinës
Prishtinë, 5 Maj 2013 – Lëvizja FOL ka dy vite që angazhohet monitorimin e në fushës së Prokurimit Publik. Ky angazhim ka ardhur si rezultat i hulumtimeve tona paraprake, në të cilat është vërejtur që aferat korruptive dhe keqpërdorimet e parasë publike në masë të madhe ndodhin në faza të ndryshme në prokurimin publik, duke përfshirë të dyja nivelet- atë qendror dhe lokal.
Ne monitorojmë procedurat e prokurimit publik në institucione në mënyrë direkte, me pjesëmarrje fizike në proces dhe në mënyrë indirekte, përmes hulumtimit të institucioneve dhe të institucioneve të prokurimit publik. Gjatë kësaj periudhe dy vjeçare, FOL ka publikuar raporte, analiza dhe reagime të ndryshme në lidhje më politikat e prokurimit publik.
Më 04 maj 2013, Lëvizja FOL ka publikuar raportin e rregullt tre mujor, “Monitoruesi i Prokurimit Janar-Mars 2013”, i cili përfshinë dhe bënë interpretim e vendimeve të Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik, me qëllim të senzibilizimit të opinionit publik mbi gjendjen e përgjithshme të respektimit të procedurave dhe dizpozitave ligjore gjatë zhvillimit të aktiviteteve të prokurimit publik. Siç e dimë, Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik është organ i pavarur shqyrtues i cili në bazë të Ligjit për Prokurim Publik 04-L-042, është i autorizuar që të shqyrtojë respektimin e dispozitave ligjore gjatë zhvillimit të procedurave në fjalë.
Raporti i publikuar ka pasur të njëjtin qëllim. Në këtë raport rreth Komunës së Prishtinës ne i kemi paraqitur të dhënat nga vendimet që OSHP-ja i ka ndërmarrë kundrejt saj gjatë zhvillimit të procedurave të prokurimit publik. Shkeljet ligjore që Komuna e Prishtinës i ka bërë në tri aktivitete të ndryshme të prokurimit publik janë konstatuar në vendimin e OSHP-së me nr 377/12 të datës 23.01.2013 për tenderin “Furnizimi dhe montimi i kamerave në semafor dhe në shkolla”, pastaj në vendimin me nr 15/13 të datës 20.02.2013 për tenderin “Furnizim me kripë industrial për sezonin e dimrit” dhe po ashtu në vendimin me nr 53/13 të datës 28.03.2013 për tenderin “Furnizimi dhe montimi i kamerave në semafor dhe në shkolla”- Ri-vlerësim.
Për ta dëshmuar këtë, ju lutemi të klikoni në linçet e vendimeve në fjalë: (http://oshp.rks-gov.net/repository/docs/vendimet/2013/Instalimi-i-kamerave-ne-semafor-dhe-ne-shkolla.pdf http://oshp.rks-gov.net/repository/docs/vendimet/2013/Furnizim_me_kripe_industriale.pdf http://oshp.rks-gov.net/repository/docs/vendimet/2013/Montimi-i-kamerave-ne-semafor.pdf)
Komuna e Prishtinës përmes një reagimi publik, të dielën ka ngre akuza të paqëndrueshme ndaj lëvizjes FOL.
Me Raportin tonë, ne nuk kemi marrë nën mbrojtje asnjë biznes, por vetëm iu kemi referuar vendimeve të OSHP-së. Prandaj akuzat e Komunës janë absurde dhe shpërfaqin mosgatishmërinë për t`u monitoruar dhe për t`u përballur me faktet e ofruara nga shoqëria civile për veprimet e tyre me paratë e taksapaguesve.
Lëvizja FOL bënë monitorim të rregullt në disa ministri, e të cilat janë të përfshira në raportin e djeshëm, kompani publike (KEK dhe PTK) si dhe komunat e Kosovës. Pra, monitorimi ynë nuk ka të bëjë vetëm me komunën e Prishtinës, por edhe me 7 institucione të tjera të niveleve të ndryshme.
Konsiderojmë se nuk është nën përgjegjësinë e Komunës të na tregojë se kur duhet reagojmë ne. Sa për ilustrim, ne kemi reaguar edhe ndaj çështjes që e kanë ngritur në reagim ata.
Nëpërmjet një reagimi me 1 shkurt 2013, FOL ka kërkuar krijimin e një Komisioni Ad-Hoc për skandalin e pasaportave biometrike. Për më tepër klikoni linkun: https://ëëë.facebook.com/notes/l%C3%ABvizja-fol/kuvendi-i-kosov%C3%ABs-t%C3%AB-krijoj%C3%AB-komision-ad-hoc-p%C3%ABr-hetim-parlamentar-n%C3%AB-mpb-dhe-in/10151421106389413).
Prandaj, konsiderojmë se reagimi i komunës nuk merret me përmbajtjen, por me interpretimin e reagimit sipas dëshirës.
Ia qartësojmë komunës së Prishtinës se veprimtaria jonë është publike, ndaj edhe jemi vërë në mbrojtje të interesit publik. Ekipi prej 15 vetash i FOL-it është i angazhuar t`i bëjë përgjegjës dhe të ndërgjegjshëm zyrtarët publik, gjë e cila mungon në të gjitha nivelet e qeverisjes.
Misioni ynë është dhe mbetet mbështetja e Qeverisjes së Mirë dhe Qytetarisë Aktive
Për tre muaj, në tetë institucione, njëzet tenderë të parregullt
Prishtinë, 4 Maj – Lëvizja FOL sot ka publikuar raportin e saj të rregullt “Monitoruesi i Prokurimit” për periudhën janar-mars 2013. Në këtë raport pasqyrohen shkeljet dhe parregullsitë ligjore të ministrive, ndërmarrjeve publike (KEK dhe PTK) dhe komunave gjatë zhvillimit të procedurave të prokurimit publik.
Kenan Tora nga Lëvizja FOL tha se “Ministritë, Ndërmarrjet Publike (KEK dhe PTK) dhe Komunat e Republikës së Kosovës edhe në periudhën e parë tre mujore të këtij viti kanë vazhduar trendin e shkeljeve dhe parregullsive ligjore në fushën e prokurimit publik. Në këtë periudhë tre mujore, institucionet e lartë-përmendura kanë bërë shkelje ligjore në gjithsej 20 tenderë të ndryshëm. Nga ana e Organit Shqyrtues të Prokurimit prej këtyre 20 tenderëve 17 janë kthyer në ri-vlerësim, kurse 3 sosh janë kthyer në ri-tenderim”.
Sipas të gjeturave të këtij raporti, ministritë kanë shkelur dispozitat ligjore të prokurimit publik në 3 tenderë të ndryshëm, duke vazhduar me KEK dhe PTK ku kanë bërë shkelje ligjore në 11 tenderë të ndryshëm, si dhe komunat të cilat kanë bërë shkelje ligjore në gjithsej 6 tenderë.
Duke pas parasysh nivelin e lartë të keqpërdorimeve dhe aferave korruptive, si dhe nivelin e ultë të transparencës së proceduarve të prokurimit publik, Kenan Tora më tej ka pohuar se “Lëvizja FOL ka rekomanduar fillimin e ndryshimeve në Ligjin e Prokurimit Publik, me qëllim që të përgatitet baza e mirëfilltë ligjore për funksionalizmin e prokurimit elektronik”. Kjo, sipas përfaqësuesit të kësaj Lëvizje, “do të kishte efekt të drejtpërdrejtë në rritjen e transparencës dhe llogaridhënies, si dhe në zvogëlimin e mundësisë për keqpërdorime dhe shkelje ligjore në këtë fushë.
Monitoruesi i Prokurimit për periudhën janar-mars 2013
Lëvizja FOL ka publikuar raportin e saj të rregullt “Monitoruesi i Prokurimit” për periudhën janar-mars 2013. Në këtë raport pasqyrohen shkeljet dhe parreg…
Raport krahasues 2011-2012: Korrupsioni përtej perceptimit publik
Prishtinë, 21 Prill – Lëvizja FOL, në kuadër të punës së saj kundër korrupsionit, ka dizajnuar një platformë të re: Statistikat e Korrupsionit në Kosovë. Kjo është mundësuar duke shkrirë punën trevjeçare të ekipit të FOL në monitorimin e korrupsionit në Kosovë.
Armend Mazreku, hulumtues në Lëvizjen FOL, tha se “Në kuadër të kësaj platforme të re do të bëhet publikimi i rregullt i statistikave që tregojnë korrupsionin përtej perceptimit publik, duke i mundësuar opinionit të gjerë publik dhe institucioneve publike që t’i lexojnë në mënyrën e tyre këto të dhëna për të kuptuar dhe analizuar më mirë punën dhe kontributin e tyre dhe hapësirat ku nevojiten përmirësime”.
Kjo platformë përfshinë të dhëna krahasimtare të institucioneve, agjencive, medieve dhe raporteve ndërkombëtare për nivelin e korrupsionit në Kosovë.
Armend Mazreku, gjatë prezantimit të dhënave të kësaj platforme, theksoi që: “bazuar në të dhënat e publikuara Prokuroritë në Kosovë për vitin 2011 kanë ngritur gjithsej 214 akte akuzuese, ndërsa në vitin 2012 kanë ngritur gjithsej 172 akte të tilla. Gjykatat për vitin 2011 kanë zgjidhur 136 raste, ndërsa në vitin 2012 kanë zgjidhur 180 raste. Policia ka arrestuar 97 persona për vitin 2011 dhe 56 në vitin 2012. Qeveria e Kosovës në vitin 2011 ka miratuar 4 vendime anti-korrupsion dhe gjithashtu 4 të tjera për vitin 2012. Agjencioni Anti-Korrupsion në vitin 2011 ka dërguar në prokurori 39 raste, ndërkaq në vitin 2012 rreth 52 raste. Sa i përket konfliktit të interesit, Agjencioni ka identifikuar 54 raste në vitin 2011 dhe 131 raste në vitin 2012. Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar/Konfiskuar në vitin 2011 ka administruar asete të sekuestruara në vlerë prej rreth 73 mijë euro, ndërsa në vitin 2012 mbi 2.5 milionë euro”.


































