Doracak me 10 skenarë të reagimit rreth shkeljes së të dhënave personale

Prishtinë, 6 nëntor 2024

Lëvizja FOL në  bashkëpunim me Agjencinë për Informim dhe Privatësi ka publikuar një doracak i cili ka për qëllim që të ofroj një pasqyrë të qartë dhe gjithëpërfshirëse mbi situatat e përditshme ku privatësia dhe të dhënat personale mund të shkelën, si dhe për të ndihmuar qytetarët të kuptojnë të drejtat e tyre ligjore dhe hapat që mund të ndërmarrin për t’i mbrojtur ato.

Çdo skenar i paraqitur pasqyron sfidat reale me të cilat mund të përballen qytetarët e Kosovës në lidhje me privatësinë dhe përpunimin e të dhënave personale, duke përfshirë obligimet ligjore të institucioneve përkatëse dhe veprimet që mund të ndërmarrin qytetarët për të siguruar mbrojtjen e të drejtave të tyre.

Ky dokument u zhvillua duke përfshirë kontributin nga takimet e Fokus Grupit dhe sugjerimet e profesionistëve të fushës, me qëllim që të jetë një udhëzues praktik dhe edukativ për të gjithë ata që kërkojnë të kuptojnë më mirë të drejtat e tyre në lidhje me mbrojtjen e të dhënave personale.

Privatësia dhe mbrojtja e të dhënave personale janë të drejta themelore të njeriut, të cilat luajnë një rol të rëndësishëm në jetën e përditshme, veçanërisht në një shoqëri gjithnjë e më të ndërlidhur dhe të dixhitalizuar. Shkelja e privatësisë dhe përpunimi i paautorizuar i të dhënave personale janë shqetësime të mëdha që prekin të gjithë qytetarët, si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat.

Ky material do të shërbejë si një burim i vlefshëm për ngritjen e vetëdijes dhe përmirësimin e praktikave të mbrojtjes së privatësisë në Kosovë.

Doracakun me të gjithë skenarët e paraqitur mund ta gjeni këtu

*Ky dokument është realizuar si pjesë e projektit “Human Rightivism”, në kuadër të nismës “Gardianët e të dhënave: Forcimi i Politikave të Privatësisë dhe Ndërgjegjësimit në Institucionet Publike” që udhëhiqet nga Lëvizja FOL. Projekti implementohet nga Fondi për Zhvillim Komunitar (CDF) me mbështetjen e Ambasadës së Suedisë në Prishtinë.

Doracak me 10 skenarë të reagimit rreth shkeljes sëtë dhënave personale Download

Lëvizja FOL ka mbajtur mbledhjen Kuvendit të Anëtarëve

Prishtinë, 05 nëntor 2024 – FOL ka mbajtur sot mbledhjen e rregullt vjetore të Kuvendit të Anëtarëve.
Gajtë këtij takimi është bërë miratimi i Raportit Financiar dhe i Punës për vitin 2023.

Kuvendi kishte diskutuar dhe çështje të tjera rreth punës dhe aktiviteteve të FOL, ku ishin dhënë disa rekomandime nga anëtarët e kuvendit si dhe përgëzuan FOL-in për punën që po bënë.

Numri i anëtarëve të Kuvendit të Lëvizjes FOL arrin në 15, ndërkaq në këtë mbledhje prezent ishin 10 prej tyre.

Lëvizja FOL, falenderon të gjithë anëtarët e Kuvendit të organizatës për kontributin e dhënë në arritjen e objektivave të organizatës.

Institucionet e pavarura tregojnë mangësi në zbatimin e dispozitave ligjore mbi deklarimin e dhuratave

Prishtinë, 30.10.2024 – Lëvizja FOL sot ka publikuar raportin “Dhuratat e pranuara nga zyrtarët e institucioneve të pavarura të Kosovës (janar-dhjetor 2023)”, raport ky që ka për qëllim të sigurojë një analizë të detajuar të dhuratave protokollare dhe të rastit të pranuara nga zyrtarët e pesë institucioneve të pavarura të Kosovës gjatë periudhës janar-dhjetor 2023.

Albana Hasani, Hulumtuese në FOL, tha se deklarimi i dhuratave dhe pasurisë është ndër mekanizmat themelor në luftimin e korrupsionit, i cili mundëson analizimin e lëvizjeve financiare gjatë kohëzgjatjes së funksionit dhe përputhshmërinë me standardet etike dhe ligjore.

Sipas Hasanit, raporti që u publikua sot nga Lëvizja FOL analizon nivelin e zbatimit të dispozitave ligjore mbi pranimin e dhuratave të rastit dhe protokollare nga zyrtarët e 5 institucioneve të pavarura të Kosovës gjatë periudhës janar-dhjetor 2023. Institucionet e pavarura të përzgjedhura për monitorim janë: Banka Qendrore e Kosovës, Zyra Kombëtare e Auditimit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Dogana e Kosovës si dhe Autoriteti i Konkurrencës.

Të dhënat e paraqitura në raport janë siguruar përmes kërkesave për qasje në dokumente publike, drejtuar zyrtarëve përgjegjës të këtyre institucioneve, si dhe Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, si institucion kyç për mbikëqyrjen e pranimit të dhuratave.

Analiza e të dhënave të paraqitura në këtë raport, tregon se, ndonëse disa institucione kanë bërë përpjekje për të përmbushur obligimet ligjore për raportimin e dhuratave, ekzistojnë disa mangësi të rëndësishme në implementimin e kërkesave ligjore.

Gjetjet kryesore të këtij raporti janë:

  • Zyrtarët e Bankës Qendrore të Kosovës gjatë periudhës janar-dhjetor 2023 kanë pranuar 46 dhurata, prej të cilave 18 dhurata protokollare, ndërsa 28 të rastit. Pavarësisht kësaj, Banka Qendrore e Kosovës nuk ka dërguar kopjen e  katalogut të dhuratave të pranuara në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, obligim ky që duhet të kryhet nga institucionet deri me 31 mars të vitit vijues për vitin paraprak.
  • Zyrtarët e Zyrës Kombëtare të Auditimit gjatë vitit 2023 kanë pranuar 11 dhurata, 7 prej të cilave janë dhurata protokollare, ndërsa 4 të rastit. Zyra Kombëtare e Auditimit është i vetmi institucion, në radhët e institucioneve të monitoruara, që ka bërë deklarim të kopjes së katalogut të dhuratave në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit për vitin 2023.
  • Zyrtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe të Autoritetit të Konkurrencës gjatë periudhës së monitorimit nuk kanë pranuar asnjë dhuratë të rastit apo protokollare.
  • Ndërsa, zyrtarët e Doganës së Kosovës gjatë periudhës së monitorimit kanë pranuar vetëm 1 dhuratë protokollare. Sipas përgjigjes së zyrtarëve të Doganës së Kosovës, kjo dhuratë është vendosur në këndin e dhuratave në Doganën e Kosovës. Megjithatë, kopja e katalogut të dhuratës së pranuar nuk është deklaruar në APK, në periudhën e paraparë.

Dihet se agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, në bazë të nenit 26 të Ligjit për Deklarimin e Dhuratave dhe Pasurisë, obligohet të inspektoj institucionet në lidhje me raportimin dhe regjistrimin e dhuratave. Ndërsa sipas të dhënave të pranuara nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, gjatë vitit 2023 Agjencia ka vizituar dhe inspektuar vetëm 13 institucione publike.

Bazuar në gjetjet e këtij raporti, Lëvizja FOL jep këto rekomandime, disa nga të cilat janë:

  • APK të rris numrin e institucioneve të inspektuara përtej 13 institucioneve që janë vizituar gjatë vitit 2023. Kjo do të ndihmojë në përmirësimin e mbikëqyrjes dhe në sigurimin që të gjitha institucionet publike të përmbushin kërkesat ligjore për raportimin dhe regjistrimin e dhuratave.
  • Të gjitha institucionet të dërgojnë në APK kopjet e katalogëve të dhuratave të pranuara deri me 31 mars të viti vijues, për vitin paraprak.
  • Të vendosen mekanizma të kontrollit të brendshëm për të monitoruar zbatimin e procedurave të deklarimit të dhuratave.
  • Të nxitet bashkëpunimi ndërmjet institucioneve të pavarura dhe Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit për shkëmbimin e informacioneve dhe praktikave të mira.

Raportin mund ta gjeni duke klikuar këtu

Dhuratat e pranuara nga zyrtarët e institucioneve të pavarura të Kosovës Download

Vendimet gjyqësore të publikuara gjatë periudhës korrik-shtator 2024

Lëvizja FOL ka vazhduar me monitorimin sistematik të publikimit të vendimeve gjyqësore nga të gjitha gjykatat e Republikës së Kosovës edhe në tre mujorin e tretë të vitit 2024.

Gjatë periudhës korrik-shtator 2024 në ueb-faqen zyrtare të KGjK-së janë publikuar gjithsej 11,947 vendime gjyqësore. Numrin më të madh të vendimeve gjatë këtij tre-mujori i ka publikuar Gjykata e Apelit, e cila ka publikuar gjithsej 1,829 vendime gjyqësore, duke u pasuar nga Gjykata Themelore e Gjakovës e cila ka publikuar gjithsej 1,697 vendime gjyqësore.

Nga këto vendime, 7,940 janë për lëndë civile, 2,262 për lëndë penale, 583 janë për lëndë përmbarimore, 212 për lëndë ekonomike dhe 583 për lëndë administrative.

Duhet theksuar se gjatë monitorimit, FOL ka evidentuar se gjykatat kanë publikuar edhe vendime të përseritura, ku për këtë tre-mujor janë evidentuar 53 vendime të përsëritura.

Publikimi i vendimeve gjyqësore, përveç që është obligim ligjor, paraqet edhe një hap të rëndësishëm në respektimin e vlerave të gjyqësisë transparente dhe bashkëkohore. Rrjedhimisht, neni 6 i Ligjit për Gjykatat, ka paraparë obligimin e të gjitha gjykatave që brenda 60 ditësh t’i publikojnë në ueb-faqet e tyre zyrtare të gjitha vendimet, si akte që shënojnë epilogun e një procesi gjyqësor.

Të dhënat e plota mund ti gjeni këtu

Ky aktivitet mbështetet nga Departamenti i Shtetit Amerikan, përmes Byrosë Ndërkombëtare për Çështje të Narkotikëve dhe Sundim të Ligjit (INL)

Infografikë - Vendimet gjyqësore të publikuara gjatë periudhës korrik-shtator 2024 Download

FOL ishte pjesë e panairit të Oranizatave të Shoqërisë Civile

Prishtinë, 16 shator 2024 – Lëvizja FOL i është bashkangjitur aktiviteteve të organizuara nga Forumi për Demokraci në kuadër të Kuvendit të Republikës së Kosovës, me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë.

Gjatë këtij aktiviteti, Lëvizja FOL ka prezantuar punën dhe angazhimin e saj në zhvillimin e demokracisë dhe promovimin e qeverisjes së mirë.

Të gjitha raportet e prezantuara gjatë këtij aktiviteti, mund t`i gjeni edhe në formë elektronike duke klikuar në linkun e mëposhtëm: https://shorturl.at/PD0Gy

Monitorimi i takimeve të Këshillit Prokurorial të Kosovës për periudhën janar – qershor 2024

Lëvizja FOL ka vazhduar monitorimin e takimeve te Këshillit Prokurorial të Kosovës, ku dhe ka publikuar infografikat mbi periudhën monitoruese janar – qershor 2024.

Gjatë periudhës së parë gjashtëmujore, KPK ka mbajtur gjithsej 11 takime. Nga 11 agjenda të publikuara në ueb faqen zyrtare të KPK-së, 9 prej tyre kanë arritur të publikohen në kohën e paraparë me Ligjin për

Këshillin Prokurorial të Kosovës, konkretisht me nenin 14, paragrafi 2, ku kërkohet që ‘’Rendi ditës së KPK duhet të bëhet publik së paku dyzet e tetë (48) orë para takimit.

Nga 11 takimet e mbajtura, agjendat janë publikuar në ueb faqen zyrtare të KPK në gjuhen shqipe po jo dhe në gjuhen serbe siç dhe parashihet me ligj.

Gjatë kësaj periudhe të monitorimit, 7 pika të rendit të ditës kanë qenë të mbyllura për publikun. Kurse vetëm disa vendime janë publikuar nga takimet e mbajtura.

Kliko këtu për ta shkarkuar infografikën

Ky aktivitet realizohet në kuadër të projektit ‘’Ngritja e vetëdijes dhe besimit të qytetarëve në institucionet e sistemit të drejtësisë’’, mbështetur nga Bashkimi Evropian.

Monitorimi i takimeve të Këshillit Prokurorial të Kosovës për periudhën janar - qershor 2024 Download

Monitorimi i takimeve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës për periudhën janar – qershor 2024

Lëvizja FOL ka vazhduar monitorimin e takimeve te Këshillit Gjyqësor të Kosovës, ku dhe ka publikuar infografikat mbi periudhën monitoruese janar – qershor 2024.

Gjatë periudhës së parë gjashtëmujore, KGjK ka mbajtur gjithsej 9 takime. Nga 9 agjenda të publikuara në ueb faqen zyrtare të KGjK-së, 8 prej tyre kanë arritur të publikohen në kohën e paraparë me Ligjin për

Këshillin Gjyqësor të Kosovës, konkretisht me nenin 14, paragrafi 2, ku kërkohet që ‘’Rendi ditës së KGjK duhet të bëhet publik së paku dyzet e tetë (48) orë para takimit.

Nga 9 takimet e mbajtura, agjendat janë publikuar në ueb faqen zyrtare të KGjK në gjuhen shqipe dhe në gjuhen serbe, sic dhe parashihet me ligj.

Gjatë kësaj periudhe të monitorimit, 10 pika të rendit të ditës kanë qenë të mbyllura për publikun. Kurse vetëm disa vendime janë publikuar nga takimet e mbajtura.

Publikimi i vendimeve nga takimet e KGjK-së ështe obligim ligjor që rrjedh nga Ligji për Këshillim Gjyqësor, konkretisht në nenin 14, paragrafi 7, i cili ka përcaktuar se ‘’vendimet dhe të githa politikat e miratuara nga nen 14 i këtij ligji, do të publikohen në faqen zyrtare të Këshillit, brenda pesë ditëve nga miratimi i tyre’’.

Kliko këtu për ta shkarkuar infografikën

Ky aktivitet realizohet në kuadër të projektit, ‘’Ngritja e vetëdijes dhe besimit të qytetarëve në institucionet e sistemit të drejtësisë’’, mbështetur nga Bashkimi Evropian.

Monitorimi i takimeve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës për periudhën janar - qershor 2024 Download

Udhëzues Praktik mbi Qasjen në Drejtësi

Qasja në drejtësi është një parim themelor i shtetit të së drejtës, duke siguruar që individët të mund të mbrojnë të drejtat e tyre dhe të zgjidhin mosmarrëveshjet sipas një procesi të drejtë ligjor.
Lëvizja FOL nw kuader tw kampanjës ‘’Qasja në Drejtësi’’ ka krijuar ‘’Udhezuesin Praktik mbi Qasjen në Drejtësi’’ për të shërbyer si një burim gjithëpërfshirës, por i qasshëm për qytetarët e Kosovës.
Udhëzuesi është projektuar për të:

  • Siguruar një pasqyrë të qartë dhe koncize të sistemit të drejtësisë në Kosovë, duke përfshirë institucionet kryesore dhe rolet e tyre në procesin ligjor;
  • Përvijuar të drejtat themelore ligjore për të cilat duhet të jetë i vetëdijshëm çdo qytetar dhe si mund të ushtrohen këto të drejta brenda sistemit të drejtësisë;
  • Ofrojë udhëzime se si individët mund të kontribuojnë në promovimin e drejtësisë, duke përfshirë angazhimin qytetar dhe përpjekjet për të luftuar korrupsionin;
    • Përfshirë një drejtori të ndihmës juridike dhe burimeve, duke e bërë më të lehtë për qytetarët të kërkojnë dhe të marrin mbështetje ligjore kur është e nevojshme.

Udhëzuesi synon të çmitizojë proceset ligjore, të qartësojë të drejtat e qytetarëve dhe të sigurojë informacion praktik për orientimin në sistemin gjyqësor. Duke fuqizuar individët me njohuri dhe burime, ky udhëzues luan një rol vendimtar në promovimin e shkrim-leximit ligjor, nxitjen e kulturës së ligjshmërisë dhe inkurajimin e angazhimit aktiv qytetar.

Kliko këtu për ta lexuar/shkarkuar udhëzuesin:

Ky aktivitet është zhvilluar në kuadër të projektit ’’Ngritja e vetëdijes dhe besimit të qytetarëve në institucionet e sistemit të drejtësisë’’, mbështetur nga Bashkimi Europian.

Udhëzues Praktik mbi Qasjen në Drejtësi Download

Organizatat joqeveritare Lëvizja FOL, IKD dhe INPO nuk lejohen të monitorojnë procesin e intervistimit të kandidatëve për prokurorë

Prishtinë, 9 shtator 2024 – Organizatat joqeveritare Lëvizja FOL, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) dhe Iniciativa për Progres (INPO), shprehin shqetësim të thellë në lidhje me moslejimin e monitorimit të procesit për rekrutimin e 28 prokurorëve të rinj të shtetit nga ana e Komisionit për Rekrutim pranë Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK).

Sot me datë 9 shtator 2024, organizatat e sipërpërmendura janë paraqitur në ambientin ku është paraparë të mbahej intervistimi i kandidatëve për prokurorë, mirëpo zyrtarët përgjegjës me urdhër të Komisionit për Rekrutimin e Prokurorëve të Rinj, me sjellje të vrazhda dhe joprofesionale, kanë kërkuar nga përfaqësuesit e organizatave në fjalë që të lëshojnë objektin ku po parashihej të zhvilloheshin intervistat për prokurorë të rinj, me arsyetimin se kinse nuk u është dërguar organizatave në fjalë ftesa me shkrim nga komisioni për monitorim të procesit dhe se nuk kanë memorandum bashkëpunim me KPK-në për monitorimin e këtyre proceseve.

Me këtë rast informojmë publikun se FOL, IKD dhe INPO, më 5 shtator 2024 kanë njoftuar KPK-në se do të jenë prezente në procesin e intervistimit të kandidatëve prokurorë, duke dërguar me emër dhe mbiemër përfaqësuesit e organizatave. Mirëpo, monitoruesit në fjalë sot (9 shtator), nuk u lejuan të monitorojnë këtë proces me arsyetimin si më lartë.

Kujtojmë se rekrutimi i kandidatëve për prokurorë është një proces tejet i rëndësishëm për sistemin e drejtësisë dhe si i tillë për shkak të rëndësisë që ka kërkohet që të zhvillohet në atë mënyrë që të gjitha standardet, praktikat vendore dhe ndërkombëtare, duke përfshirë parimin e transparencës duhet të respektohen në plotni nga fillimi i procesit e deri në fund të tij.

Raporti Këshillëdhënës i prokurorëve evropianë në opinion numër 9 të vitit 2014 mbi normat evropiane dhe parimet që ndërlidhen me prokurorë, në pikën 12 përveç tjerash ka konstatuar se: Karriera dhe punësimi i prokurorëve duke përfshirë promovimin, organizimin e veprimet disiplinore dhe përjashtimin duhet të jenë të rregulluara me ligj dhe të administruara mbi kritere transparente dhe objektive në përputhje me procedurat e paanshme.

Po ashtu, rekomandimet e Këshillit të Evropës kishin kërkuar që Këshilli Prokurorial dhe ai Gjyqësor duhej të ishin llogaridhënës ndaj gjyqtarëve, prokurorëve, por edhe shoqërisë, e krejt kjo duke u arritur pikërisht përmes transparencës nëpër konkurset e tyre.

Rekomandimi i Këshillit të Evropës për pavarësinë, efikasitetin dhe përgjegjësitë e gjyqtarëve parasheh që Këshillat për gjyqësorin të tregojnë shkallën më të lartë të transparencës ndaj gjyqtarëve dhe shoqërisë, duke zhvilluar procedura të paracaktuara dhe vendime të arsyetuara. Këto rekomandime që janë dhënë nga Këshilli i Evropës janë në përputhje me opinionet e Këshillit Konsultativ të Gjyqtarëve Evropian (KKGJE), ku parasheh që transparenca në veprimet e ndërmarra nga Këshillat është një faktor thelbësor në besimin që qytetarët kanë në funksionimin e sistemit gjyqësor.

Ndryshe Lëvizja FOL, IKD dhe INPO kishin monitoruar procesin për avancim dhe transferim të nëntë prokurorëve në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, procesin për Kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale dhe asaj Themelore në Prishtinë, dhe se veprimi i sotëm për moslejim të organizatave për monitorim të këtij procesi duket i pakuptim dhe në kundërshtim me arsyetimin e dhënë se nuk ka memorandum mes KPK-së dhe organizatave për monitorim të proceseve.

Gjithashtu, lidhur me proceset e rekrutimit nëpër pozita publike, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) vazhdimisht njofton dhe dërgon ftesa për pjesëmarrje nëpër këto procese, e fundit ishte ftesa për monitorimin e intervistave të kandidatëve gjyqtarë për avancim në Gjykatën Supreme.

Prandaj, një veprim i tillë është për keqardhje dhe i njëjti cenon seriozisht dhe rëndë integritetin e procesit të emërimit të prokurorëve të shtetit dhe ul besimin e publikut se sistemi prokurorial ka për qëllim zhvillimin e procesit në mënyrë transparente dhe të bazuar në meritokraci.

Thirrje për Aplikim: “Akademia e Juristëve të Rinj në Kosovë” – 2024

Thirrje për Aplikantët
Akademia e Juristëve të Rinj në Kosovë (2024)

Drejtuar:
Studentëve të drejtësisë, të sapo diplomuarve dhe profesionistëve të rinj ligjorë.

A jeni jurist i sapo diplomuar apo student i drejtësisë në vitin e fundit të studimeve?


A keni synim që në karrierën tuaj të fokusoheni në drejtësinë penale si prokuror, gjyqtar apo avokat i fushës penale?

Jeni të interesuar të diskutoni në mënyrë interaktive dhe praktike aspekte të ndryshme të një procesi penal?

A dëshironi të bëheni pjesë e një aktiviteti trajnues dhe rrjetëzues me profesionistë të fushës penale dhe të drejtave kushtetuese në procedurën penale?

Nëse po, atëherë:

Lëvizja FOL ka kënaqësinë të njoftojë hapjen e aplikimeve për Akademinë e Juristëve të Rinj në Kosovë, që do të organizohet për herë të dytë radhazi. Këtë vit, Akademia e Juristëve të Rinj do të mbahet nga data 16 deri më 19 Shtator 2024.

Akademia e Juristëve të Rinj në Kosovë organizohet në kuadër të Projektit për Rritjen e Transparencës dhe Edukimin e të Rinjve në Sektorin e Drejtësisë, mbështetur nga Departamenti i Shtetit Amerikan, përmes Byrosë Ndërkombëtare për Çështje të Narkotikëve dhe Sundim të Ligjit (INL).

Këtë vit, Akademia do të fokusohet në procedurën penale. Ekspertë dhe profesionistë të njohur do të trajtojnë segmente të ndryshme të procesit penal, nga faza e hetimeve deri te aktgjykimi përfundimtar. Programi përfshin sesione gjithëpërfshirëse mbi shkrimin ligjor, etikën profesionale, të drejtën penale materiale dhe procedurale, si dhe raste të simuluara që përfshijnë elemente nga hetimet deri te trajtimi gjyqësor përfundimtar i rastit. Të gjitha këto tema do të trajtohen nga një perspektivë interaktive dhe dinamike, me përfshirjen e gjyqtarëve, prokurorëve, avokatëve dhe ekspertëve të tjerë të fushës.

Akademia synon gjithashtu të ofrojë një platformë të gjerë dhe ndërvepruese për juristët e rinj që të avancojnë në nivel praktik aftësitë e tyre ligjore, të fitojnë njohuri më të thelluara mbi drejtësinë penale dhe të rrjetëzohen me profesionistë të fushës.

Kriteret për aplikim dhe pjesëmarrje:

Kjo thirrje është e hapur për:

Studentë të drejtësisë në vitin e fundit të studimeve ose kandidatët që janë duke ndjekur një program të nivelit Master në Kosovë.

•  Të sapo diplomuarit në drejtësi, të cilët nuk kanë filluar ende karrierën e tyre profesionale ligjore, me kusht që të kenë diplomuar në studimet themelore (në vitin 2022 apo më vonë ose master në vitin 2023 apo më vonë.


 Praktikantë ligjorë ose zyrtarë ligjorë nën moshën 25 vjeç.

Në linjë me kriteret e mësipërme, ne jemi në kërkim të individëve që tregojnë një përkushtim të fortë ndaj edukimit të tyre ligjor dhe një interes të qartë për të përmirësuar aftësitë e tyre në shkrim, hartim dhe hulumtim ligjor, si dhe për fushat që ky aktivitet synon të mbulojë.

Akademia synon të jetë një aktivitet intensiv dhe një hap i rëndësishëm në karrierën tuaj ligjore.

Për të aplikuar, ju lutemi klikoni këtu:

Afati i fundit për aplikim është 06.09.2024. Ju lutemi kini parasysh se numri i pjesëmarrësve është i kufizuar, prandaj inkurajojmë aplikimet e hershme. Aplikantët e suksesshëm do të njoftohen me email deri më: 10.09.2024

Mezi presim të shqyrtojmë aplikimin tuaj dhe të ju mirëpresim në shtator për një hap të rëndësishëm në zhvillimin tuaj profesional.

Ekipi i Lëvizjes FOL

28 institucione publike nuk i kanë dërguar ende Planet e Integritetit në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit

Lëvizja FOL ka monitoruar zbatimin e Ligjit për Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, përkatësisht nenin 25 të tij, i cili i obligon institucionet e Kosovës të miratojnë Plane të Integritetit, qëllimi i të cilave është identifikimi i proceseve të ndjeshme ndaj sjelljeve dhe veprimeve që mund të jenë korruptive.

Procesi i hartimit dhe i dërgimit në APK i Planeve të Integritetit nga të gjitha institucionet publike do të duhej të përfundohej në janar të vitit 2024. Mirëpo, sipas të dhënave të siguruara nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, 28 institucione, përfshirë Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Ministrinë e Mbrojtjes, Këshilli Gjyqësor i Kosovës etj., nuk i kanë paraqitur ende në APK Planet e Integritetit, pra nuk kanë vepruar konform obligimeve ligjore.



Respektimi i obligimit ligjor për hartimin e Planeve të Integritetit ka një rëndësi të jashtëzakonshme për integritetin dhe përgjegjësinë e institucioneve publike në Kosovë. Këto dokumente janë një mjet i rëndësishëm për ngritjen e përgjegjësisë dhe ndjekjen e sjelljeve jo etike në sektorin publik.

Qeveria realizoj vetëm 33 % të Planit Kombëtar për zhvillim për periudhën janar-qershor 2024

Prishtinë, 1 gusht 2024 – Lëvizja FOL ka publikuar sot të dhënat nga monitorimi i Planit Kombëtar për Zhvillim për periudhën janar-qershor 2024.

Mexhide Demolli-Nimani – Drejtore në Lëvizjen FOL, tha se edhe këtë vit FOL ka bërë monitorimin e aktiviteteve të parapara në Planin Kombëtar për Zhvillim. “Qeveria e Kosovës nga 147 aktivitete të parapara të realizohen brenda periudhës janar-qershor 2024 ka arritur të realizoj vetëm 49 apo 33 % nga to, ndërkaq 59 apo 40 % nga to kanë mbetur të parealizuara. Ndërsa, për 39 aktivitete apo (27 %) nga tri ministri (Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Ministria e Financave dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit), FOL nuk ka pranuar përgjigje se sa janë realizuar aktivitetet e tyre për periudhën e parë gjashtë mujore.

Demolli-Nimani, listoi dhe ministritë të cilat s’kanë planifikuar asnjë aktivitet për periudhën e parë gjashtë mujore 2024 janë; Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Ministria e Zhvillimit Rajonal, Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria për Komunitete dhe Kthim.

Ndërkaq Burbuqe Kastrati, menaxhere e projektit në Lëvizjen FOL prezantoi të dhënat për secilën ministri sa i përket realizimit të aktiviteteve të parapara të përfundojnë brenda periudhës janar-qershor të vitit 2024 janë:

  • Zyra e Kryeministrit – kishte paraparë vetëm 16 aktivitete të realizohen gjatë periudhës janar-qershor 2024 në kuadër të Planit Kombëtar për Zhvillim, nga to janë realizuar 13 dhe 3 kanë mbetur pa u realizuar.
  • Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural – në kuadër të Planit Kombëtar për Zhvillim ka paraparë të përfundoj 8 aktivitete brenda periudhës janar – qershor 2024. Prej tyre kanë realizuar 6 ndërkaq 2 janë të parealizuara.
  • Ministria e Drejtësisë –  në kuadër të Planit Kombëtar për Zhvillim ka paraparë të përfundoj 36 aktivitete brenda periudhës janar- qershor 2024. Vetëm 14 janë përfunduar brenda afatit të paraparë ndërkaq 22 janë të pa përfunduara.
  • Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit – në kuadër të Planit Kombëtar për Zhvillim ka paraparë të përfundoj 3 aktivitete brenda periudhës janar- qershor 2024, prej të cilave ka realizuar 1 dhe 2 të tjera janë të parealizuara.
  • Ministria e Ekonomisë – në kuadër të Planit Kombëtar për Zhvillim ka paraparë të përfundoj 18 aktivitete brenda periudhës janar- qershor 2024. Vetëm 6 janë realizuar brenda afatit të paraparë ndërkaq 12 janë të parealizuara.
  • Ministria e Punëve të Brendshme – në kuadër të Planit Kombëtar për Zhvillim, ka paraparë të përfundoj 10 aktivitete brenda periudhës janar- qershor 2024. Vetëm 6 janë përfunduar brenda afatit të paraparë ndërkaq 4 janë të parealizuara.
  • Ministria e Mbrojtjes – ka paraparë të realizojë vetëm 1 aktivitet gjatë periudhës janar-qershor 2024 në kuadër të Planit Kombëtar Zhvillimor i cili ka mbetur i parealizuar.
  • Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë – nga 15 aktivitete të parapara të realizohen gjatë periudhës janar-qershor 2024 , ka realizuar 3 dhe 12 kanë mbetur të parealizuara.
  • Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal – ka paraparë të realizojë vetëm 1 aktivitet gjatë periudhës janar-qershor 2024 në kuadër të Planit Kombëtar Zhvillimor i cili ka mbetur i parealizuar.

Ndërkaq tri ministri nuk janë përgjigjur në pyetësorin e Lëvizjes FOL, dhe nuk dimë nëse i kanë realizuar aktivitetet e parapara apo jo.

  • Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit – në kuadër të Planit Kombëtar për Zhvillim ka paraparë të realizoj 11 aktivitetet brenda periudhës janar – qershor 2024.
  • Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve – në kuadër të Planit Kombëtar Zhvillimor ka paraparë të përfundoj 9 aktivitete brenda periudhës janar- qershor 2023.
  • Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës – në kuadër të Planit Kombëtar Zhvillimor ka paraparë të përfundoj 19 aktivitete brenda periudhës janar- qershor 2024.

Ajo çka duhet theksuar është se FOL ka bërë monitorimin e aktiviteteve të parapara të përfundojnë vetëm gjatë periudhës së parë gjashtë mujore (janar-qershor 2024).

Sipas Demolli-Nimanit, Lëvizja FOL ka bërë krahasimin ndër vite të realizimit të aktiviteteve në kuadër të Planit Kombëtar Zhvillimor të parapara të përfundojnë në periudhën janar-qershor për vitet 2022, 2023, 2024. Në vitin 2022 niveli i zbatimit të Planit të Punës së Qeverisë ka rezultuar të jetë 48%, ndërsa në vitin 2023 Qeveria e Kosovës ka realizuar 34% dhe në vitin 2024 ky plan është realizuar vetëm 33 % për periudhën e parë gjashtë mujore.

Të dhënat e plota mund ti gjeni këtu

Mirëpo për dallim nga gjashtëmujori i parë i vitit 2022 ku kanë qenë të planifikuara 2077 aktivitete, në vitin 2024 kanë qenë vetëm 147, pra 1930 aktivitete më pak se në vitin 2022. Gjithashtu për periudhën e njëjtë në vitin 2022 janë realizuar 947 aktivitete më shumë se në vitin 2024. Nga të dhënat e më sipërme del se puna e Qeverisë ka pësuar rënie në zbatimin e këtij plani në tri vitet e fundit.

Zbatimi i PKZH-së për periudhën janar-qershor 2024 Download

Reagim: Të dorëhiqet Bordi i Radio Televizionit Publik të Kosovës

Prishtinë, 24 korrik 2024

Pas situatës së krijuar me rastin e publikimit të artikullit “Slobodna Bosna” (Bosnja e Lirë), të transmetuar në RTK, Organizatat joqeveritare dhe aktivistët e poshtëshënuar kërkojnë dorëheqjen e Bordit të RTK-së për mungesë të pavarësisë dhe profesionalizmit në ushtrimin e mandatit të tyre.

Radio Televizioni i Kosovës (RTK) ka ri publikuar një informacion dezinformues me qëllim që të sulmojë mediat online Nacionale dhe Persikopi nën pretendimin që kontrollohen nga Serbia. Kjo narrativë e ushqyer ndër vite nga partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje ka për qëllim denigrimin e gazetarëve dhe cytjen e qytetarëve kundër tyre, gjë që përbën rrezik për sigurinë e tyre.

Në vend se të suspendonte të gjithë përgjegjësit për lëshimin e kësaj dezinformate, Bordi i RTK-se u mjaftua me një shprehje të “keqardhjes” për artikullin në fjalë dhe formimin e një komisioni për të “sqaruar situatën” duke mos u distancuar apo kërkuar falje. Është tejet shqetësues fakti që artikullin diznformues të publikuar nga RTK-ja, bordi e ka cilësuar si “kontravers” dhe ka deklaruar të pavërteta se kinse RTK nuk ka përmendur emrat e mediumeve. Kjo është bërë për të zbutur kështu skandalin që i ka ndodhur transmetuesit publik dhe duke anashkaluar faktin se ky lajm bie në kundërshtim me Ligjin e RTK-së, Statutin e RTK-së dhe Standardet Profesionale. Formimi i komisioneve është metodë e njohur që përdoret për të tej zgjatur procedurat me shpresën që publiku do të harrojë.

Përtej ngjarjes së fundit, një sërë zhvillimesh tjera kanë ndodhur në RTK që japin indikacione të qarta që bordi i transmetuesit nuk funksionon më i pavarur nga partia në pushtet. Këtu përfshihen detyrimi i ish drejtorit gjeneral Shkumbin Ahmetxhekaj që të dorëhiqet dhe ushtrimi i presionit ndaj tij, krijimi i një praktike të publikimit të informacioneve që shkelin standardet etike dhe ligjore siç ishte informacioni për dyshimet për atentate ndaj udhëheqësve të pushtetit, publikimi i videove të ndryshme që i ndihmojnë narratives qeveritare e deri tek lajmet si ky i fundit që për qëllim nuk e kanë informimin e publikut por bërjen e propagandës pro qeveritare.

Rrjedhimisht, ne konsiderojmë që bordi i RTK-së duke bërë lëshime të njëpasnjëshme ka lejuar shtrirjen e dorës së pushtetit në transmetuesin publik dhe nuk gëzon më kredibilitetin dhe pavarësinë e nevojshme për të vazhduar tutje mandatin e tyre dhe duhet të dorëhiqen nga pozitat e tyre.
Njëkohësisht i bëjmë thirrje Lëvizjes Vetëvendosje që të ndalë luftën e ashpër kundër mediave dhe gazetarëve që ka rezultuar me rënien e Kosovës 19 vende në indeksin e Reporterëve pa Kufij.

Organizatat dhe aktivistët nënshkrues:

  1. Lëvizja FOL
  2. Kosovo Law Institute
  3. Kosova Democratic Institute / Transparency International Kosova
  4. Iniciativa per Progres – INPO
  5. Youth Initiative for Human Rights – Kosovo (YIHR KS)
  6. Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK
  7. Prishtina Institute for Political Studies – PIPS
  8. Democracy Plus
  9. Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion – QIKA
  10. Institute for Development Policy (INDEP)
  11. EPIK Institute
  12. Instituti Kosovar për Hulumtim dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED)
  13. Imer Mushkolaj
  14. Flutura Kusari
  15. Agon Maliqi
  16. Institute for Social Policy “Musine Kokalari”
  17. sbunker
  18. Democracy for Development (D4D)
  19. Grupi për Studime Juridike dhe Politike

FOL ka bërë përditësimin e Platformës së Deklarimit të Pasurisë së zyrtarëve publikë për vitet 2022-2023

Prishtinë, 23 korrik 2023 – Lëvizja FOL bërë përditësimin e Platformës së Deklarimit të Pasurisë të zyrtarëve publikë për vitet 2022-2023 www.deklarimi.org

Platforma për krahasimin e pasurisë së zyrtarëve të lartë publikë përfshin rreth 500 zyrtarë të lartë publik, ku për secilin në mënyrë individuale qytetarët e Kosovës mund të shohin deklarimin e pasurisë së tyre si dhe të mund të krahasojnë rritjen e pasurisë së tyre ndër vite, pra gjatë periudhës që kanë pasur një post publik.

Vendimet gjyqësore të publikuara gjatë periudhës prill-qershor 2024

Lëvizja FOL ka vazhduar me monitorimin sistematik të publikimit të vendimeve gjyqësore nga të gjitha gjykatat e Republikës së Kosovës edhe në tre mujorin e dytë të vitit 2024.

Gjatë periudhës prill-qershor 2024 në ueb-faqen zyrtare të KGjK-së janë publikuar gjithsej 11,221 vendime gjyqësore. Numrin më të madh të vendimeve gjatë këtij tre-mujori i ka publikuar Gjykata Komerciale, e cila ka publikuar gjithsej 1,675 vendime gjyqësore, duke u pasuar nga Gjykata Themelore e Mitrovicës, e cila ka publikuar gjithsej 1,584 vendime gjyqësore.

Nga këto vendime, 7,364 janë për lëndë civile, 1,910 për lëndë penale, 1,287 për lëndë ekonomike dhe 402 për lëndë administrative.

Duhet theksuar se gjatë monitorimit, FOL ka evidentuar se gjykatat kanë publikuar edhe vendime të përseritura, ku vetëm në muajin maj janë evidentuar 831 vendime të cilat nuk janë përfshirë në numrin e përgjithshëm.

Publikimi i vendimeve gjyqësore, përveç që është obligim ligjor, paraqet edhe një hap të rëndësishëm në respektimin e vlerave të gjyqësisë transparente dhe bashkëkohore. Rrjedhimisht, neni 6 i Ligjit për Gjykatat, ka paraparë obligimin e të gjitha gjykatave që brenda 60 ditësh t’i publikojnë në ueb-faqet e tyre zyrtare të gjitha vendimet, si akte që shënojnë epilogun e një procesi gjyqësor.

Të dhënat e plota mund ti gjeni këtu

Ky aktivitet mbështetet nga Departamenti i Shtetit Amerikan, përmes Byrosë Ndërkombëtare për Çështje të Narkotikëve dhe Sundim të Ligjit (INL)

Infografikë - Vendimet gjyqësore të publikuara prill-qershor 2024 Download

Sistemi gjyqësor në vitin 2023 ka pësuar regres në zgjidhjen e lëndëve të korrupsionit dhe të dhunës në familje në krahasim me vitin 2022

Prishtinë, 09.07.2024 – Lëvizja FOL sot ka publikuar raportet statistikore në lidhje mePerformancën e Sistemit Prokurorial dhe Gjyqësor në Zgjidhjen e Lëndëve të Korrupsionit dhe të Dhunës në Familje gjatë vitit 2023“. Ky raport adreson çështjen e performancës dhe efikasitet të shkallës së parë të sistemit gjyqësor dhe të atij prokurorial në zgjidhjen e lëndëve të korrupsionit gjatë periudhës janar – dhjetor 2023, si dhe shtjellon nivelin e ngarkesës së punës së këtyre institucioneve në zgjidhjen e këtyre lëndëve.

Raporti është bazuar në të dhënat statistikore zyrtare të pranuara nga Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës për vitin 2023. Për matjen e performancës së këtyre institucioneve mbi bazën e këtyre statistikave zyrtare, FOL ka përdorur metodologjinë e Komisionit Evropian për Efikasitetin e Drejtësisë (CEPEJ). Raporti nuk përfshinë cilësinë e lëndëve, apo cilësinë e punës së prokurorive dhe gjykatave, por vetëm matjen statistikore të tyre.

Albana Hasani dhe Viona Bunjaku, Hulumtuese në Lëvizjen FOL, prezantuan gjetjet kryesore të këtij raporti. Gjetjet në lidhje me zgjidhjen e lëndëve të korrupsionit janë listuar më poshtë.

  • Nga 1,106 lëndët e korrupsionit sa kanë qenë në punë në shtatë prokuroritë themelore dhe në atë speciale gjatë vitit 2023, kanë arritur të zgjidhen gjithsej 500 lëndë, përkatësisht 45 % e të gjitha lëndëve në punë. Ndërkaq pjesa prej 606 lëndëve (55%) kanë mbetur të pazgjidhura dhe janë bartur për vitin 2024.
  • Me këto shifra, rezulton se shkalla e zgjidhjes së lëndëve të korrupsionit në sistemin prokurorial në raport me vitin 2022 nuk ka pësuar ndryshim, ngaqë edhe në vitin 2022 ishin zgjidhur po ashtu 45% e lëndëve në punë.
  • Me këto shifra, ky sektor ka arritur normën e zgjidhjes se lendeve në 79% (pra ka arritë të zgjidh dukshëm më pak lëndë se sa ka pranuar), si dhe Normën e qarkullimit të lëndëve në 0.82 (pra ka zgjidhur 500 lëndë, ndërsa 606 lëndë kanë mbetë të pazgjidhura dhe janë bartur për vitin 2024).
  • Ndërkaq, Kohëzgjatja e përfundimit të të gjitha lëndëve të korrupsionit që kanë mbetur të pazgjidhura gjatë këtij viti (sipas trendit aktual të zgjidhjes se tyre) do të jetë 445 ditë. Ndërsa Indeksi i lëndëve të grumbulluara është arritur në 0.95 (për shkak se numri i lëndëve të trashëguara nga vitet paraprake është me i ulët në raport me numrin e lëndëve të zgjidhura gjatë vitit).
  • Ndërsa gjykatat themelore të Republikës së Kosovës gjatë vitit 2023 gjithsej në punë i kanë pasur 128 lëndë të korrupsionit, ndërsa kanë arritur të zgjidhin 56 lëndë, apo 44 % të të gjitha lëndëve që i kanë pasur në punë.
  • Pra shkalla e parë e sistemit gjyqësor këtë vit kishte pësuar regres në zgjidhjen e lëndëve të korrupsionit në raport me vitin 2022, ku ishin zgjidhur 59 % e lëndëve të korrupsionit që sistemi i ka pasur në punë.
  • Norma e qarkullimit të lëndëve në gjykatat themelore të Republikes së Kosovës gjatë vitit 2023 është arritur 0.77 (për shkak se ky sektor ka zgjidhur 56 lëndë, ndërsa 77 lëndë kanë mbetë të pazgjidhura), Ndërsa kohezgjatja e zgjidhjes sw lëndëve të korrupsionit ne gjykatat themelore të Republikes së Kosovës, që në këtë vit kishin mbetur të pazgjidhura, sipas trendit të zgjidhjes së tyre, është 474 ditë.

Ndërsa indeksi i lëndëve të trashëguara nga gjykatat themelore të Kosovës është arritur në 1.85 (që nënkupton se numri i lëndëve të trasheguara nga viti paraprak ishte dukshëm më i madh, se numri i lëndëve të zgjidhura gjatë këtij viti).

Ndërsa sa i përket gjetjeve në lidhje me raportin për rastet e dhunës në familje, u deklarua se:

Shtatë gjykatat themelore të Republikës së Kosovës gjatë vitit 2023 gjithsej në punë kanë pasur 2,684 lëndë të dhunës në familje. Prej 2,684 lëndë sa ishin gjithsej në punë për vitin 2023, kanë arritur të zgjidhen 1,393 lëndë, apo 52% e lëndëve. Nëse krahasohet me vitin e kaluar, gjykatat themelore të Kosovës për vitin 2022 kishin pasur në punë gjithsej 1,608 lëndë ndërsa kishin arritur të zgjidhin 961 lëndë të dhunës në familje.

  • Bartja e numrit të madh të lëndëve nga viti në vit vazhdon ende të mbetet sfiduese për sistemin e drejtësisë. Në të gjitha gjykatat themelore të Kosovës, për vitin 2023 ishin bartur 1,887 lëndë, përkatësisht 70% e lëndëve që kanë qenë në punë në vitin 2023.
  •  Norma mesatare e zgjidhjes së lëndëve të  dhunës në familje në të gjitha gjykatat gjatë vitit 2023 ishte 175%, që nënkupton se numri i lëndëve të zgjidhura gjatë kësaj periudhe (1,393) ishte dukshëm më i lartë se numri i lëndëve të reja që ishin krijuar gjatë vitit (797 lëndë).
  • Norma e qarkullimit të lëndëve në sistemin gjyqësor është 1.07, që nënkupton se sistemi gjyqësor ka arritur të zgjidh 52% të të gjitha lëndëve në punë prandaj e ka arritur këtë normë. Ndërsa, 48% e lëndëve është bartur për vitin 2024.
  • Indeksi mesatar i lëndëve të grumbulluara në shtatë gjykatat themelore të Kosovës është 1.35, për shkak se numri i lëndëve të trashëguara nga viti paraprak ishte më i lartë pra (1,887 lëndë) ne raport me numrin e lëndëve të zgjidhura gjatë vitit 2023. Krahasuar me vitin e kaluar kjo përqindje është rritur dukshëm.
  • Gjatë periudhës janar – dhjetor 2023, gjithsej raste në punë në shtatë prokuroritë themelore në lidhje me veprat penale të dhunës në familje kanë qenë 4,337 lëndë.
  • Në këtë numër, pra, kanë kontribuar lëndët e bartura nga viti paraprak (1,381 lëndë), si dhe lëndët e reja të krijuara gjatë vitit (2,966 lëndë). Pra, shprehur në përqindje, mesatarisht 32 % e lëndëve të dhunës në familje në punë të shtatë prokurorive ishin të bartura nga vitet paraprake, ndërsa 68 % e lëndëve ishin lëndë të reja, të krijuar gjatë vitit 2023.
  •  Prokuroritë themelore të Republikës së Kosovës për vitin 2023 kanë arritur të zgjidhin 3,199 lëndë apo 74% e lëndëve,  përfshirë edhe numrin e lëndëve të trashëguara ndërsa pjesa tjetër pra 1,138 lëndë kanë mbetur pa u zgjidhur dhe janë bartur për vitin 2024.

Ndërsa, norma mesatare e qarkullimit të lëndëve në shtatë prokuroritë themelore gjatë kësaj periudhe ishte 2.81, që është krijuar mbi faktin se numri i lëndëve të zgjidhura gjatë kësaj periudhe (3,199 lëndë) ishte dukshëm më i madh në raport me lëndët që kanë mbetur të pazgjidhura (1,138 lëndë), e që janë bartur për vitin 2024.

Për vitin 2023 norma e qarkullimit të lëndëve është 2.81, qe rezulton me numër të madh të qarkullimit të lëndëve, dhe se janë bartur për vitin e ardhshëm si lëndë të pazgjidhura.

Indeksi mesatar i lëndëve të grumbulluara në shtatë prokuroritë themelore gjatë vitit 2023 është arritur në 0.43 dhe ka rrjedhur si pasojë e faktit se numri i lëndëve të dhunës në familje të trashëguara nga viti paraprak (1,381 lëndë) është më i ulët në raport me numrin e lëndëve të zgjidhura gjatë këtij viti (3,199 lëndë).

Bazuar në këto gjetje, Lëvizja FOL ka dhënë këto rekomandime:

  • Të rritet numri i prokurorëve dhe gjyqtarëve në departamentet përkatëse për krime të rënda, që merren me rastet e korrupsionit;
  • Të rritet bashkëpunimi ndër-institucional, si një premisë bazë për suksesin e veprimtarisë së sistemit të drejtësisë në luftimin e suksesshëm të korrupsionit;
  • Lëndët e korrupsionit, e veçanërisht ato të profilit të lartë, të trajtohen me prioritet absolut nga institucionet e sistemit të drejtësisë.
  • Të krijohet një njësi e veçantë në prokuroritë tjera themelore që merren me rastet e dhunës në familje, njësoj sikurse Njësiti për Dhunë në Familje në Prokurorinë Themelore të Prishtinës;
  • Të trajtohen me prioritet absolut rastet e dhunës në familje nga ana e sistemit gjyqësor dhe prokurorial të Kosovës, si dhe të ashpërsohen dënimet ndaj kryerësve të këtyre veprave penale;
  • Të intensifikohet bashkëpunimi i Ministrisë së Drejtësisë/Zyrës së Koordinatorit Nacional Kundër Dhunës në Familje me institucionet tjera përkatëse (me qëllim të forcimit të përpjekjeve për zbatimin e Ligjit për Mbrojte nga Dhuna në Familje);

Performanca e sistemit prokurorial dhe gjyqësor në luftën kundër korrupsionit gjatë vitit 2023

Performanca e sistemit prokurorial dhe gjyqësor në luftën kundër dhunës në familje gjatë vitit 2023

Performance of the Prosecution and Judicial System in the Fight against Corruption during 2023

Performance of the Prosecutorial and Judicial System in the fight against domestic violence during 2023

“Çmimi për Gjykatën më Transparente për vitin 2023” i ndahet Gjykatës Komerciale

Prishtinë, 1 korrik 2024 – Lëvizja FOL me mbështetje nga Departamenti i Shtetit Amerikan, përmes Byrosë Ndërkombëtare për Çështje të Narkotikëve dhe Sundim të Ligjit (INL), ka publikuar sot “Raportin mbi Monitorimin e Publikimit të Vendimeve Gjyqësore”, i cili përfshinë gjetjet nga monitorimi i publikimit të vendimeve nga Gjykatat e Kosovës për vitin 2023.

Mexhide Demolli – Nimani, Drejtoreshë Ekzekutive në Lëvizjen FOL, tha se publikimi i aktgjykimeve konsiderohet një prej segmenteve më të rëndësishme të sigurimit të transparencës në sistemin e drejtësisë. Pra nuk mund të flitet për transparencë dhe llogaridhënje në sistemin e drejtësisë, pa publikim të epilogjeve gjyqësore, tha ajo. Ajo theksoi se, edhe kësaj radhe, për të treguar një përqindje të saktë të shkallës së publikimit të aktgjykimeve nga Gjykatat e Kosovës, kemi ndërruar metodologjinë e vlerësimit. Pra kemi nxjerrur nga një përqindje të proporcionit ndërmjet lëndëve të zgjidhura në të gjitha gjykatat gjatë kësaj periudhe, dhe lëndëve të publikuara në ueb-faqen e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Ndër të tjera, Nimani theksoj se, duke i marrë parasysh gjetjet e gjithë këtij monitorimi për këtë periudhë kohore, Lëvizja FOL edhe këtë herë do të ndajë “Çmimin për Gjykatën më Transparente” i cili do t’i ndahet gjykatës që ka arritur përqindjen më të lartë të publikimit të aktgjykimeve në ueb-faqen e KGjK – së në raport me lëndët e zgjidhura gjatë vitit 2023.

Ky çmim këtë vit do t`i ndahet Gjykatës Komerciale, si gjykata që ka publikuar më së shumti vendime gjyqësore në raport me lëndët e zgjidhura (Dhoma e Shkallës së Parë ka zgjidhur 4,017 lëndë, ndërsa ka publikuar 2,755 vendime (69 % të lëndëve); Dhoma e Shkallës së Dytë ka zgjidhur 2,222 lëndë, ndërsa ka publikuar 1,710 lëndë (77% të lëndëve).

Drejtoresha e INL në Kosovë, Tamra Greig, tha se ndjehet shumë e lumtur me këto të gjetura dhe progresin e bërë nga gjykatat e Kosovës, me ç’rast ka inkurajuar vazhdimin e publikimit të aktgjykimeve. Po ashtu, shprehi gatishmërinë për mbështetjes e INL ndaj sistemit gjyqësor dhe shoqërisë civile, me qëllim që të monitorohet dhe të komentohet performanca e gjyqësorit.

Kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj, tha se publikimi i aktgjykimeve jo vetëm që rrit transparencën, por gjithashtu promovon llogaridhënien dhe besimin në sistemin gjyqësor. Duke falënderuar Lëvizjen FOL dhe INL në këtë drejtim, Kryesuesi Zogaj tha se fakti i publikimit të mijëra aktgjykimeve nga gjykatat e Kosovës është dëshmi e përkushtimit të gjyqësorit për të siguruar qasje të plotë për publikun.

Hulumtuesja e Lartë ne Lëvizjen FOL, Albana Hasani, tha se raporti përmban të dhënat nga monitorimi sistematik i publikimit të aktgjykimeve në ueb faqen zyrtare të KGJK-së, gjatë kësaj periudhe një vjeçare. Sipas Hasanit, gjatë vitit 2023, të gjitha gjykatat dhe degët e tyre kanë publikuar mbi 40,000 aktgjykime, një rritje prej 17% krahasuar me vitin 2022, i cili progres është dëshmi e përkushtimit për transparencë dhe qasje publike. Gjithashtu, Hasani shpjegoj metodologjinë e vlerësimit të aktgjykimeve, ku tregoj se janë krahasuar numrin e lëndëve të zgjidhura dhe numrin e lëndëve të publikuara në secilën gjykatë gjatë vitit 2023.

Kryetari i Gjykatës Komerciale, Mahir Tutuli, tha se ky çmim është vlerësim i përpjekjeve të stafit të kësaj gjykate, me qëllim të rritjes së transparencës dhe përmirësimit të qasjes në vendimet gjyqësore, përkundër vështirësive dhe sfidave si gjykatë e re.

Në fund të raportit, Lëvizja FOL ka dhënë edhe disa rekomandime me të cilat vlerëson se do të ngritej dinamika e publikimit të aktgjykimeve në periudhën kohore në vijim, disa prej të cilave janë: të ndryshohet Rregullorja e KGjK-së dhe të harmonizohet me Kodin e ri të Procedurës Penale, secila lëndë ta ketë numrin unik të lëndës; të gjitha aktgjykimet të publikohen në formatin PDF; si dhe të ndërmerren veprime sistematike për rritjen e numrit të vendimeve te publikuara, në mënyrë që të kemi një transparencë të qëndrueshme institucionale.

Raportin e plotë mund ta gjeni këtu

Raporti mbi monitorimin e publikimit të vendimeve gjyqësore Download