Dita Ndërkombëtare të së Drejtës për Informim – Institucionet e Kosovës vazhdojnë të mohojnë këtë të drejtë

Prishtinë, 28 shtator 2020 – FOL në Ditën Ndërkombëtare të së Drejtës për Informim, reagon ndaj qasjes së institucioneve publike dhe ju bënë me dije që kjo e drejtë qytetare po cenohet në baza ditore. Qytetarët vazhdojnë të mos kenë qasje në informata nga institucionet edhe për çështjet mjaft të rëndësishme të cilat u përkasin atyre.

E drejta e informimit është e drejtë e inkorporuar në të drejtën e lirisë së shprehjes, poashtu kjo e drejtë është e garantuar edhe me Kushtetutën e vendit dhe Ligjin për Qasje në Dokumente Publike. Si e drejtë, bazohet në parimin e demokracisë së mirëfilltë në të cilën ne si shtet duhet të thirremi. E drejta e informimit ndikon edhe në rritjen e llogaridhënies institucionale duke funksionalizuar raportin mes qytetarit dhe qeverisë.

Lëvizja FOL me 17 shtator 2020, ka bërë kërkesë për qasje në dokumente publike, në gjashtë institucione publike të cilat në baze të ligjit nr. 07/L-006 për Parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID 19 në territorin e Republikës së Kosovës, ngarkohen me zbatimin e këtij ligji siç janë: Policia e Kosovës, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë – Inspektorati Sanitar, Ministria e Shëndetësisë: Inspektorati Shëndetësor dhe Inspektorati Farmaceutik, Komunës së Prishtinës (Inspektoratin Komunal).

Kanë kaluar plotë dhjetë ditë nga koha kur FOL ka kërkuar qasje në këto informata dhe institucionet përgjegjëse të kontaktuara nuk kanë dërguar as edhe një informatë të vetme, përveç Policia e Kosovës dhe Komunës së Prishtinës, të cilat edhe ashtu nuk i kanë ofruar të dhënat e detajuara siç i kemi kërkuar.

Këto janë vetëm disa nga kërkesat e shumta që FOL dërgon tek institucionet e Kosovës dhe për të cilat nuk arrin të marrë përgjigje.

Në tërë ketë situatë të vështirë sa i përket të drejtës qytetare për informim ka ndikuar edhe dështimi i Kuvendit të Kosovës për përzgjedhjen e Komisionerit për Informim dhe Privatësi, i cili do të merret edhe me zbatimin e Ligjit për Qasje në Dokument Publike.

Andaj ne si FOL u bëjmë thirrje të gjitha institucioneve të respektojnë të drejtën e informimit dhe obligimet e tyre ligjore si dhe u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që të jenë këmbëngulës në mbrojtjen e të drejtave të tyre.

FOL do i ndjekë të gjithë hapat e mëtutjeshëm ligjor derisa të realizoj të drejtën e saj për të pasur qasje në informatat të cilat duhet të jenë publike.

Diskutim mbi Faktorin ndërkombëtar në luftimin e korrupsionit në Kosovë

Prishtinë, 25 shtator 2020 –  Lëvizja FOL ka mbajtur diskutimin online ku është diskutuar rreth faktorit ndërkombëtar në luftimin e korrupsionit në Kosovë me folësen Prof.Jehona Lushaku PhD.

Ky aktivitet realizohet nga Lëvizja FOL dhe Democracy Plus me mbështetje nga Ambasada Holandeze në Kosovë.

Punëtoria – “Ligji për Mbrojtjen e Sinjalizuesve – Si ta trajtojmë sinjalizimin në praktikë?”

Prishtinë, 24 shtator 2020 – Lëvizja FOL ka mbajtur punëtorinë “Ligji për Mbrojtjen e Sinjalizuesve – Si ta trajtojmë sinjalizimin në praktikë?

Qëllimi i kësaj punëtorie ishte të zhvillojë një udhëzues të përgjithshëm për sinjalizuesit në sektorin privat, duke u bazuar në 10 skenarë hipotetik të realizuar nga Lëvizja FOL për rastet e ndryshme të sinjalizimit. Pjesëmarrës në këtë punëtori ishin përfaqësuses nga shoqëria civile, institucionet publike dhe private.

Ky aktivitet është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë (Norëegian Embassy in Prishtina) dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile ( KCSF ) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA).

Copy Paste – Plagjiatura

Prishtinë, 22 shtator 2020 – Lëvizja FOL ka mbajtur diskutimin online ku është diskutuar për plagjiaturën në Kosovë, i ftuari i radhës  ishte Besart Kunushevci, krijuesi dhe drejtori i Platforma Akademia.

Platforma Akademia është testuar dhe vlerësuar nga ekspertët më të njohur ndërkombëtarë për vlerësimin e efikasitetit dhe cilësisë së sistemeve anti-plagjiaturë.

Ky aktivitet realizohet nga Lëvizja FOL dhe Democracy Plus me mbështetje nga Embassy of the Netherlands in Kosovo.

178 nga 388 gjyqtarë kanë publikuar aktgjykime gjatë muajit gusht 2020

Prishtinë, 18 shtator 2020 – Lëvizja FOL dhe BIRN Kosova me mbështetjen e USAID-Programi për Fuqizimin e Sistemit të Drejtësisë prezantojnë të dhënat nga monitorimi i publikimit të aktgjykimeve në të gjitha Gjykatat e Kosovës. Përmes infografikave në vazhdim ju mund të shihni publikimin e të gjitha aktgjykimeve nga të gjitha gjykatat e Kosovës për muajin gusht 2020.

 

 

 

 

Sqarim: Monitorimi i publikimit të aktgjykimeve për periudhën 1 gusht – 31 gusht 2020 është bërë për të gjitha gjykatat e Kosovës. Në fokus kanë qenë departamentet penale, civile, ekonomike dhe administrative. Po ashtu, ky monitorim ka përcjellë publikimin e aktgjykimeve sipas gjyqtarëve të gjykatave dhe departamenteve. Kryetari i Gjykatës Supreme, Apelit, kryetarët e gjykatave themelore si dhe gjyqtarët e Divizionit për Kundërvajtje nuk janë përfshirë në këtë monitorim.

Edhe gjatë muajit gusht është vërejtur se gjykatat kanë publikuar aktgjykime për gjyqtarët të cilët janë avancuar në pozita më të larta, kanë kaluar në departamentin e kundërvajtjes apo kanë dalë në pension. Kjo është arsyeja pse ka dallime në numrin e gjyqtarëve në gjykata dhe numrin e gjyqtarëve që kanë publikuar aktgjykime gjatë muajit gusht.

*Mohim i përgjegjësisë: Ky monitorim është mundësuar me mbështetjen e popullit Amerikan përmes Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Bashkëpunim Ndërkombëtar (USAID). Përmbajta e këtij artikulli është përgjegjësi vetëm e Lëvizjes FOL dhe BIRN Kosova dhe jodomosdoshmërisht reflekton këndvështrimet e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Bashkëpunim Ndërkombëtar apo Qeverisë së Shteteve të Bashkuara.

Agjencia për Informim dhe Privatësi kërkon nga Kuvendi autorizime të kundërligjshme

Agjencia për Informim dhe Privatësi kërkon nga Kuvendi autorizime të kundërligjshme

E nderuar Kryetare e Kuvendit të Kosovës znj. Vjosa Osmani,

Të nderuar anëtarë të Kryesisë së Kuvendit,

Ne, organizatat dhe aktivistët e poshtëshënuar, shprehim shqetësimin tonë të thellë me kërkesën e kundërligjshme të Agjencisë për Informim dhe Privatësi (AIP) për autorizim të posaçëm drejtuar Kuvendit të Kosovës.

Kërkojmë nga Kryesia e Kuvendit që të mos e përfillë këtë kërkesë të kundërligjshme dhe të mos i ofrojë autorizime të posaçme individëve në AIP. Më datë 17 korrik 2020, Bujar Sadiku, drejtori aktual i AIP-së, ia ka dërguar një shkresë Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes me të cilën kundërligjshëm kërkon për vete autorizim të posaçëm.

Më konkretisht, z. Sadiku kërkon që Kuvendi a) ta lejojë të kryejë veprime që lidhen me funksionalizimin në plotni të Agjencisë, 2) ta fuqizojë me të drejtën e nënshkrimit të akteve nënligjore dhe 3) t’ia mundësojë të drejtën e vendimarrjes në fushën e inspektimeve dhe vendimeve që kanë të bëjnë me mbrojtjen e të dhënave personale dhe të drejtës së qasjes në dokumente publike. Sipas kësaj kërkese, ky autorizim do t’i hapte rrugë edhe implementimit të projekteve të financuara nga Bashkimi Europian. Fillimisht ne vlerësojmë se kërkesa e z. Sadiku nuk ka bazë ligjore, siç dëshmohet me faktin që letra nuk i referohet asnjë baze ligjore ekzistuese. Sipas Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale autorizimet e kërkuara nga Z. Sadiku janë në fakt kompetencë ekskluzive e Komisionerit për Informim dhe Privatësi dhe jo e drejtorit të përgjithshëm të AIP-së. Kompetencat e Komisionerit – i cili është titullari i institucionit – mund të ndryshohen vetëm me ligj. Për më tepër, rikujtojmë deputetët që Kuvendi i Kosovës nuk ka të drejtë që të amandamentojë ligje me autorizim të veçantë. Një gjë e tillë do të ishte e mundur vetëm përmes inicimit të ndryshim-plotësimit të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Në fund, një autorizim i tillë i kundërligjshëm nuk do të ndihmonte AIP të përfitonte nga fondet ndërkombëtare por do t’i rrezikonte ato në të ardhmen.

Në mbledhjen e saj të mbajtur më 15 shtator 2020, Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes lexoi kërkesën e AIP, me ç’rast nuk e aprovoi autorizimin e kërkuar. Kërkesa është përcjellë si informatë në Kryesi të Kuvendit. Ne kërkojmë nga Kryesia e Kuvendit të Kosovës që të mos e përfillë kërkesën e kundërligjshme të AIP për autorizim të posaçëm. Transferimi i kompetenacave të titullarëve të agjencioneve të pavarura përmes autorizimeve të posaçme nga Kuvendi do të krijonte precedent të rrezikshëm për pavarësinë e AIP-së dhe të agjencioneve të tjera.

Edhe njëherë, ne shprehim keqardhjen tonë që Kuvendi ka dështuar tre here që të zgjedhë Komisionerin për Informim dhe Privatësi. Rastet e tilla vetëm se e konfirmojnë rëndësinë dhe urgjencën që Kuvendi i Kosovës të ushtrojë mandatin e vet kushtetues dhe të përzgjedhë titullarin e kësaj agjencie të pavarur. Ne inkurajojmë Kuvendin që të rifillojë procedurën për përzgjedhjen e Komisionerit, të cilin proces ne do të vazhdojmë ta monitorojmë.

FOL

KCSF

KDI

D4D

GAP

COHU

GLPS

Flutura Kusari

Masat anti COVID s’po respektohen nga vet Qeveria

Prishtinë, 17 shtator 2020 –  Lëvizja FOL ka mbajtur sot konferencë për media me ç’rast ka shprehur shqetësimin e saj për moszbatim të vendimeve të institucioneve për parandalimin dhe luftimin e Covid-19, nga vetë institucionet publike.
Mexhide Demolli- Nimani, Drejtore Ekzekutive e Lëvizjes FOL tha, ne kemi pranuar informata nga punonjës të institucioneve të ndryshme në nivel qendror, të cilët janë thirrur të dalin në punë me orar të plotë nga data 14 shtator. “Në anën tjetër, vendimi i datës 1 korrik 2020 i Qeverise së Republikës së Kosovës, me Nr. 11/09, i obligon të gjitha institucionet publike që të punojnë me staf të reduktuar dhe angazhimin e tyre me punë nga shtëpia, si dhe përgjysmimin e personave në secilën zyre,  dhe duke pasur parasysh që ende ka numër të lartë të rasteve me COVID 19, i njëjti vendim ende nuk është shfuqizuar apo ndryshuar”, tha ajo.

Sipas saj, edhe në Vendimin e datës 28 korrik 2020, me Nr. 01/07, në pikën 11 të saj, Institucionet publike obligohen që të menaxhojnë paraqitjen e stafit ne punë në përputhje me Manualin për mbrojtjen nga përhapja e COVID 19.

“Për tu mbrojtur nga pandemia COVID 19 dhe për të  parandaluar përhapjen e saj, një ndër masat e përgjithshme është paraparë edhe mbajtja e distancës, e cila është e pamundur  te sigurohet nëse fillohet puna me staf dhe me orar të plotë nëpër institucionet shtetërore, ku numri i të punësuarve është relativisht i madh”, tha ndër të tjera ajo.

Në lidhje me ketë është nxjerrë edhe Manuali për Parandalimin dhe Luftimin e COVID 19, ku ndër të tjera thuhet se  “punëdhënësit duhet të shqyrtojnë mundësinë e zhvillimit të rregulloreve dhe praktikave, siç janë oraret fleksibile (p.sh. puna nga shtëpia, ndërrimet e fuzionuara), për të rritur distancën fizike ndërmjet punonjësve dhe të tjerëve”.

Gjithashtu, në Ligjin për Parandalimin dhe  Luftimin e Pandemisë COVID-19 në Territorin e Republikës së Kosovës, përkatësisht në nenin 10, par. 4 dhe 7, thuhet se: “çdo person, institucion publik, privat apo publiko-privat, kanë për detyrë që të zbatojnë masat e përcaktuara nga organet kompetente, për mbrojtjen nga COVID-19”,  “mos respektimi i masave mbrojtëse përbën shkelje ligjore e cila ndëshkohet me këtë ligj dhe dispozitat ligjore në fuqi”,

Marrë parasysh bazën ligjore në fuqi, vlerësojmë se masat e marra nga Qeveria e Republikës se Kosovës në vendimet e lartcekura nuk janë duke u respektuar nga institucionet përkatëse, tha Demolli-Nimani.

Erblin Hoxha Koordinator në Lëvizjen FOL, tha se kemi pranuar raportime nga punonjësit e institucioneve publike të cilët përmes email-ave janë njoftuar nga zyrtaret përgjegjës për rikthimin e tyre në vendin e punës me orar të plotë që nga e hëna e kësaj jave.

Duke qenë se hapësirat e këtyre institucioneve nuk janë të bollshme në krahasim me numrin e lartë të të punësuarve, ministritë nuk i përmbushin standardet për distancë fizike, tha ai.

Edhe pse statistikat për dënimet e shqiptuara ndaj qytetareve dhe bizneseve janë publiku, e ku janë mbi 18 mijë dënime të shqiptuara për mos mbajtje të maskës, apo distancës, ne nuk kemi shifra sa i përket dënimeve të shqiptuara për personat zyrtar apo institucionet publike për mos-respektim masave anti-COVID, tha Hoxha.

Lëvizja FOL e sheh si shqetësuese vendosjen e standardeve të dyfishta, ku institucionet publike gjobisin qytetarët për mos-respektim të vendimeve të qeverisë dhe udhëzimeve te institucioneve publike, ndërsa vet institucionet duket që në heshtje kanë vendosur të mos i respektojnë ato.

Si të tillë, ne e vlerësojmë si të paligjshme vendimin e disa institucioneve publike për rikthim në punë të të gjithë stafit, me orar te plotë, pa vendim zyrtar.

FOL kërkon nga:

 

  1. Qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë duhet të limitoj kohën deri kur vendimet për kufizimet e tilla janë në fuqi apo kur duhet të rishikohen, si dhe të adoptojnë vendimet qeveritare sipas ligjit të ri për parandalimin e pandemisë.

 

  1. Qasja në informata të sakta duhet të jetë më e lehtë dhe i gjithë procesi të jetë me transparent

 

  1. Institucionet publike duhet te kenë koordinim me të mirë në mes tyre, në mënyrë që trajtimi i zyrtareve civil në institucione publike të mos jetë i bazuar në preferencat individuale të udhëheqësve të atyre institucioneve, por të jetë uniform për të gjithë.

 

 

Integriteti vs Korrupsioni

Prishtinë, 17 shtator 2020 – Lëvizja FOL ka mbajtur diskutimin online me temën “Integriteti vs Korrupsioni”.

Takimi ishte mbajtur përmes platformës online Zoom, ku pjesëmarrësit kishin rastin të diskutonin me Kreshnik Gashi – Redaktor Menaxhues në kallxo.com.

Ky aktivitet realizohet nga Lëvizja FOL dhe Democracy Plus me mbështetje nga Embassy of the Netherlands in Kosovo.

Debat i hapur me Kryeshefen Ekzekutive të Agjencisë për Barazi Gjinore, znj.Edi Gusia

Prishtinë 15 shtator 2020 – Lëvizja FOL ka mbajtur debat të hapur me Kryeshefen Ekzekutive të Agjencisë për Barazi Gjinore, znj.Edi Gusia.

Temë diskutimi ishte Roli i Agjencisë për Barazi Gjinore dhe perspektiva europiane.

Për shkak të gjendjes së krijuar nga COVID-19 diskutimi është mbajtur përmes platformës online Zoom.

Ky aktivitet është realizuar nga Lëvizja FOL dhe Democracy Plus me mbështetje nga Ambasada Holandeze në Prishtinë.

 

FOL për Dëgjimet Publike me Kryetaren e Kuvendit të Kosovës, znj.Vjosa Osmani

Prishtinë 10 shtator 2020 – Lëvizja FOL ka mbajtur diskutimin online me temën “FOL për Dëgjimet Publike”.

Ku ishte diskutuar për njohuritë e qytetarëve të Kosovës për dëgjimet publike, të cilat organizohen nga Komisionet e Kuvendit të Kosovës, si dhe rëndësinë e përfshirjes së qytetarëve në takime të tilla.

Panelist në këtë diskutim ishin Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, znj. Vjosa Osmani, z. Shefki Kastrati – National Democratic Institute (NDI) si dhe Allen Meta – D4D.

Gjatë këtij diskutimi FOL kishte bërë prezantimin e gjetjeve nga anketa elektronike, e cila ishte zhvilluar përmes rrjeteve sociale.

Ky aktivitet u realizua në bashkëpunim me Demokraci Plus, e i cili mbështetet nga Ambasada Holandeze në Prishtinë.

 

FOL Hapur për Hidrocentralet

Prishtinë, 3 shtator 2020 – Lëvizja FOL me mbështetjen e Qendrës së Trajnimeve dhe Burimeve për Avokim(Advocacy Training and Resource Center – ATRC) kanë organizuar diskutimin FOL Hapur për Hidrocentralet.

Temë diskutimi në këtë forum ishte shfuqizimi i vendimit të ministrisë për moratorium në ndërtimin e hidrocentraleve dhe konsultimet me publikun për çështjet e kësaj natyre deri më tani.

Panelistë në këtë diskutim ishin:

  1. Blerim Kuçi, Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit
  2. Hajrulla Çeku Anëtar i Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Infrastrukturë dhe Mjedis

znj. Eliza Hoxha, Kryesuese e Komisioni Hetimor Parlamentar mbi procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve.

 

Video nga ky diskutim mund ta shihni duke klikuar këtu.

179 nga 385 gjyqtarë kanë publikuar aktgjykime gjatë muajit korrik 2020

Prishtinë, 20 gusht 2020 – Lëvizja FOL dhe BIRN Kosova me mbështetjen e USAID-Programi për Fuqizimin e Sistemit të Drejtësisë prezantojnë të dhënat nga monitorimi i publikimit të aktgjykimeve në të gjitha Gjykatat e Kosovës. Përmes infografikave në vazhdim ju mund të shihni publikimin e të gjitha aktgjykimeve nga të gjitha gjykatat e Kosovës për muajin korrik 2020.

 

 

 

Sqarim: Monitorimi i publikimit të aktgjykimeve për periudhën 1-31 korrik 2020 është bërë për të gjitha gjykatat e Kosovës. Në fokus kanë qenë departamentet penale, civile, ekonomike dhe administrative. Po ashtu, ky monitorim ka përcjellë publikimin e aktgjykimeve sipas gjyqtarëve të gjykatave dhe departamenteve. Kryetari i Gjykatës Supreme, Apelit, kryetarët e gjykatave themelore si dhe gjyqtarët e Divizionit për Kundërvajtje nuk janë përfshirë në këtë monitorim.

Gjatë monitorimit të aktgjykimeve të publikuara në ueb-faqen e Këshillit Gjyqësor të Kosovës për periudhën e lartpërmendur është vërejtur se në total janë të publikuara 1391 aktgjykime, po kaq aktgjykime FOL dhe BIRN kanë shënuar në bazën e të dhënave.

Edhe gjatë muajit korrik është vërejtur se gjykatat kanë publikuar aktgjykime për gjyqtarët të cilët janë avancuar në pozita më të larta, kanë kaluar në departamentin e kundërvajtjes apo kanë dalë në pension. Kjo është arsyeja pse ka dallime në numrin e gjyqtarëve në gjykata dhe numrin e gjyqtarëve që kanë publikuar aktgjykime gjatë muajit korrik.

*Mohim i përgjegjësisë: Ky monitorim është mundësuar me mbështetjen e popullit Amerikan përmes Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Bashkëpunim Ndërkombëtar (USAID). Përmbajta e këtij artikulli është përgjegjësi vetëm e Lëvizjes FOL dhe BIRN Kosova dhe jodomosdoshmërisht reflekton këndvështrimet e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Bashkëpunim Ndërkombëtar apo Qeverisë së Shteteve të Bashkuara.

Ftojmë Kuvendin e Kosovës të procedojë me përzgjedhjen e Komisionerit për Informim dhe Privatësi

Prishtinë, 12 gusht 2020 – Sot Komisioni Parlamentar për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes i’a ka dërguar Kuvendit listën e ngushtë të kandidatë(e)ve të kualifikuar për votim për pozitën Komisioner/e për Informim dhe Privatësi. Lista e ngushtë përbëhet nga kandidatët/et Bujar Sadiku, Krenare Sogojeva Dermaku dhe Muharrem Mustafa. Përveç listës së rekomanduar, Komisioni ka intervistuar edhe kandidatët Enver Bujari dhe Jeton Oruqi. Komisioner/e do të bëhet kandidati/ja që arrin të marrë 61 vota në Kuvendin e Kosovës.

Procesi i përzgjedhjes së Komisionerit/es është mbështetur nga projekti i Ambasadës Britanike “Rekrutimet e pavarura, llogaridhënëse, meritokratike dhe profesionale në Kosovë”. Bazuar në Memorandumin e Mirëkuptimit ndërmjet Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Ambasadës Britanike “institucionet e Kosovës zotohen të zgjedhin kandidatin më të mirë/të ranguar më së larti nga lista e ngushtë e përgatitur nga partneri zbatues.” Pas procesit të plotë të përzgjedhjes, ky projekt ka vlerësuar kandidaten Krenare Sogojeva Dermakun me më së shumti pikë (27 pikë).

Ne u bëjmë thirrje deputetëve dhe deputeteve të Kuvendit të Kosovës që në përputhje me zotimin e dhënë, të marrin parasysh vlerësimet e projektit të Ambasadës Britanike dhe votën e tyre ta bazojnë në këtë vlerësim profesional, e jo në preferencat e tyre politike e partiake. Pozita e Komisionerit/es për Informim dhe Privatësi është shumë më e rëndësishme për qytetarët dhe institucionet e vendit sesa preferencat ditore politike.

Paneli Intervistues, në kuadër të Komisionit Parlamentar është përbërë nga Fatmire Kollçaku, Bekë Berisha, Ganimete Musliu, Rasim Demiri dhe Ilir Tasholli. Deputeti Slavko Simiq, ndonëse fillimisht ka qenë anëtar i panelit intervistues, ka munguar gjatë procesit.

Procesi është monitoruar nga grupi ad-hoc i shoqërisë civile, si dhe Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë. Ne vlerësojmë gatishmërinë e Panelit Intervistues për hapjen dhe transparencën, si dhe mundësimin e monitorimit të këtij procesi në mënyrë të papenguar nga organizatat dhe aktivistët e shoqërisë civile. Poashtu, vlerësojmë përkushtimin dhe bashkëpunimin e stafit mbështetës të Komisionit për Siguri përgjatë gjithë procesit.

Duke ditur që me përzgjedhjen e Komisionerit do të fillojë edhe zbatimi i dy ligjeve shumë me rëndësi siç janë Ligji për Qasje në Dokumente Publike dhe Ligji për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, ftojmë Kuvendin e Kosovës që pa humbur kohë të procedojë me përzgjedhjen e Komisionerit/es për Informim dhe Privatësi.

Koalicioni ad-hoc përbëhet nga: Lëvizja FOL, Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile(KCSF), Grupi për Studime Politike dhe Juridike(GLPS), Çohu, Instituti Demokratik i Kosovës(KDI), Flutura Kusari, Instituti GAP dhe Instituti D4D.

Lëvizja FOL dhe Instituti i Prishtinës për Studime Politike – PIPS kanë nënshkruar projektin STAR Project

Prishtinë, 08 gusht 2020 – Lëvizja FOL dhe Instituti i Prishtinës për Studime Politike – PIPS kanë nënshkruar projektin STAR Project (Strengthening Transparency and Accountability for Reforms), ku në bashkpunim me Instituti i Prishtinës për Studime Politike – PIPS synojmë të rrisim transparencën e organeve qeveritare dhe llogaridhënien e zyrtarëve publik përmes mbikqyrjes së performancës së qeverisë në tërë ciklin e bërjes se politikave publike.

Falenderojmë Embassy of the Netherlands in Kosovo për mbështetjen e këtij projekti.

Gjashtë kandidatë në garë për Komisionerin/en e Agjencisë për Informim dhe Privatësi 

Prishtinë, 3 gusht 2020 – Koalicioni ad-hoc i përbërë nga Lëvizja FOL, Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile, Grupi për Studime Politike dhe Juridike, Çohu, Instituti Demokratik i Kosovës, Flutura Kusari, Instituti GAP dhe Instituti D4D kanë vazhduar monitorimin e procesit të përzgjedhjes së kandidatëve për Komisioner/e në kuadër të Agjencisë për Informim dhe Privatësi.

Komisioni për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes i Kuvendit të Kosovës është në proces të përzgjedhjes së kandidatëve për Komisioner/e në kuadër të Agjencisë për Informim dhe Privatësi dhe gjatë javës së ka përzgjedhur kandidatët në listën e ngushtë. Kjo është hera e tretë që Kuvendi tenton të përzgjedhe Komisionerin/en.

Gjashtë prej 12 aplikantëve të cilët janë përzgjedhur për intervistë janë: Bujar Sadiku, Enver Bujari, Jeton Oruqi, Krenare Sogojeva Dermaku, Muharrem Mustafa dhe Sadik Kryeziu. Përzgjedhja është bërë nga Komisioni për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes, asistuar nga projekti i financuar nga Ambasada Britanike.

Ftojmë këtë Komision që edhe gjatë intervistimin e kandidatëve, vlerësimi i tyre të jetë i drejtë dhe i paanshëm, të cilën fazë të përzgjedhjes, koalicioni ad-hoc, do ta monitorojë poashtu.

Poashtu, ftojmë këtë komision që t’i mundësojë organizatave joqeveritare dhe aktivistëve monitorimin e këtij procesi dhe t’i ofrojë atyre hapësirë të papenguar për të ushtruar rolin e tyre si mbikqyrës publikë.

Duke ditur që me përzgjedhjen e Komisionerit do të fillon edhe zbatimi i dy ligjeve shumë me rëndësi siç janë Ligji për Qasje në Dokumente Publike dhe Ligji për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, shpresojmë që në këtë pozitë të përzgjedhet një person kompetent, apolitik dhe me integritet të lartë moral dhe profesional.

 

Më shumë informacione nga proceset e kaluara:

 

Letër Vjosa Osmanit, Kryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe deputetëve të Kuvendit të Kosovës, 23 korrik 2020

Letër deputetëve: Kuvendi i Kosovës të procedojë me përzgjedhjen e Komisioneres për Informim dhe Privatësi, 7 gusht 2019

Ftojmë Kuvendin e Kosovës të procedojë me përzgjedhjen e Komisionerit për Informim dhe Privatësi, 11 korrik 2019

Komisioner i Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e Të Dhënave Personale,10 korrik 2019

 Letër Publike: Kandidatët Nga Procesi i Kaluar të Mos Zgjedhen Komisioner, 1 korrik 2019

Të Anulohet Përzgjedhja e Komisionerit për Informim dhe Privatësi, 15 Maj 2019

Komisioner i Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e Të Dhënave Personale, 14 maj 2019

 

 

Shoqëria Civile: Nuk do të lejojmë që Kelkos t’ia mbyll gojën aktivistit Adriatik Gacaferi

Deçan, 23 korrik 2020 – Koalicioni ad-hoc i organizatave të shoqërisë civile kanë mbajtur sot konferencë për media, me ç’rast është bërë dorëzimi i përgjigjes në padinë e ngritur nga kompania Kelkos ndaj aktivistit Adriatik Gacaferi.

Aktivisti Gacaferi, tha se kjo padi nuk do të më ndal të ngris zërin për çdo parregullsi që has në ambient. “Unë mendoj që padia ndaj meje nuk është thjesht një padi vetëm ndaj një aktivisti të mjedisit, por një tendencë që me i frikësu dhe me i ndal zërin të gjitha aktivistëve që protestojnë për krime mjedisore”.

Shpresa Loshaj, themeluese e organizatës Pishtarët tha se kompania Kelkos dëshiron të na frikësoj përmes këtyre padive.

“Është tronditëse se Kelkosi ka zgjedh taktika kërcënuese që janë të rrezikshme për demokraci. Nëse Kelkosi dëshiron të jetë pjesë e komunitetit tonë, duhet që sa më parë të fillojë të fokusohet se si të përmbushë kriteret ligjore dhe marrëveshjen me komunë të Deçanit sepse me kërcënime kot e ka. Ne nuk do te ndalemi deri të arrijmë qëllimin tonë”, tha Loshaj.

Ndërkaq, avokatja Rina Kika tha se postimi në Facebook i Adriatikut është i mbrojtur brenda lirisë së shprehjes, që është e drejtë e garantuar me Kushtetutën e Kosovës. Sipas praktikës gjyqësore të GjEDNj-së, që mbizotëron ndaj të drejtës sonë vendore, nuk gëzojnë mbrojtje vetëm deklarimet që pëlqehen dhe që shihen si jo-ofenduese, por edhe ato që shokojnë, ofendojë e shqetësojnë.  Adriatiku në postimin e tij në Facebook, ka shprehur qëndrimin e tij si aktivist i ambientit që i ka përcjellë këto raportime dhe ka pasur për qëllim që t’ia sjellë në vëmendje publikut dhe të institucioneve një çështje me interes të përgjithshëm siç është mbrojtja e ambientit në Grykën e Deçanit. Për këtë arsye deklarimi i tij është i mbrojtur brenda lirisë së shprehjes, si e drejtë fundamentale njerëzore”, tha Kika, duke shtuar se sot është dorëzuar përgjigjja në padi me anë të së cilës kemi kërkuar nga gjykata që ta refuzojë si të pabazuar këtë padi.

Mexhide Demolli-Nimani tha se në këtë konferencë përfaqëson zërin e dhjetëra organizatave të shoqërisë civile të cilat i japin mbështetje Adriatikut dhe Shpresës në këtë rast. “Të gjitha organizatat e nënshkruar në këtë letër përveç që i japin mbështetje Adriatikut dhe Shpresës, gjithashtu shprehim shqetësimin tonë për trendin e përdorimit të padive strategjike kundër pjesëmarrjes publike ndaj aktivistëve dhe gazetarëve. Po ashtu konsiderojmë se paditë  SLAPP nëse  do të ishin të suksesshme në Gjykatë do të përbënin një kërcënim të demokracisë dhe të drejtës së lirisë së shprehjes”, tha ajo, duke shtuar se si organizata të shoqërisë civile do të vazhdojnë të punojnë në luftimin e padive SLAPP.

 

Koalicioni Ad-Hoc përbëhet nga: Lëvizja FOL, Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF),Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Debate Center, D4D, KFOS, OJQ Era, Flutura Kusari, Ardian Nrecaj, Çohu!, Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), Demokraci Plus, Nisma për të Drejtat e Njeriut – Kosovë (YIHR), Grupi për Mbrojtjen e Ujërave dhe Mjedisit, Kosovo Mountain Club, Instituti i Kosovës për Drejtësi, Instituti GAP, BIRN Kosova, Internews Kosova, Pishtarët, Instituti EPIK, Syri i Vizionit, CEL Kosova, KEN Network, Integra, Sbunker,Organizata EcoZ, Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, Shoqata e Intelektualeve të Pavarur në Deçan, Albert Heta, Qendra Kosovare për Studime Gjinore, OJQ TOKA, GAIA Kosovo, INJECT, Rrjeti i Grave të Kosovës, Qendra për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore – CSGD, Community Building Mitrovica, ADMOVERE, KMDLNj, Let’s Do It Peja, Ec ma Ndryshe, POLIS, ‘Ecopana’, Let’s Do It Kosova.

Letër mbështetëse për aktivistët Adriatik Gacaferi dhe Shpresa Loshaj

Gjykata Themelore e Prishtinës prinë me publikimin e aktgjykimeve edhe në muajin qershor

Prishtinë, 22 korrik 2020 – Lëvizja FOL dhe BIRN Kosova me mbështetjen e USAID-Programi për Fuqizimin e Sistemit të Drejtësisë prezantojnë të dhënat nga monitorimi i publikimit të aktgjykimeve në të gjitha Gjykatat e Kosovës.  Përmes infografikave në vazhdim ju mund të shihni publikimin e të gjitha aktgjykimeve nga të gjitha gjykatat e Kosovës për muajin qershor 2020.

 

 

 

Sqarim: Monitorimi i publikimit të aktgjykimeve për periudhën 1 qershor – 30 qershor 2020 është bërë për të gjitha gjykatat e Kosovës. Në fokus kanë qenë departamentet penale, civile, ekonomike dhe administrative. Po ashtu, ky monitorim ka përcjellë publikimin e aktgjykimeve sipas gjyqtarëve të gjykatave dhe departamenteve. Kryetari i Gjykatës Supreme, Apelit, kryetarët e gjykatave themelore si dhe gjyqtarët e Divizionit për Kundërvajtje nuk janë përfshirë në këtë monitorim.

Gjatë monitorimit të aktgjykimeve të publikuara në ueb-faqen e Këshillit Gjyqësor të Kosovës për periudhën e lartpërmendur është vërejtur se në total janë të publikuara 1,633 aktgjykime, që i bie të jenë 3 aktgjykime më shumë se ato që FOL dhe BIRN kanë shënuar në bazën e të dhënave. Ky dallim vjen si rrjedhojë e publikimit të 3 aktgjykimeve të dyfishuara.

Edhe gjatë muajit qershor është vërejtur se gjykatat kanë publikuar aktgjykime për gjyqtarët të cilët janë avancuar në pozita më të larta, kanë kaluar në departamentin e kundërvajtjes apo kanë dalë në pension. Kjo është arsyeja pse ka dallime në numrin e gjyqtarëve në gjykata dhe numrin e gjyqtarëve që kanë publikuar aktgjykime gjatë muajit qershor.

*Mohim i përgjegjësisë: Ky monitorim është mundësuar me mbështetjen e popullit Amerikan përmes Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Bashkëpunim Ndërkombëtar (USAID). Përmbajta e këtij artikulli është përgjegjësi vetëm e Lëvizjes FOL dhe BIRN Kosova dhe jodomosdoshmërisht reflekton këndvështrimet e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Bashkëpunim Ndërkombëtar apo Qeverisë së Shteteve të Bashkuara.

Afër 42 milion euro kanë paguar Komunat si pasojë e vendimeve gjyqësore gjatë tri viteve të fundit

Prishtinë, 3 korrik 2020 – Lëvizja FOL ka mbajtur sot konferencë për media, me ç’rast ka publikuar raportin “Pagesat e Vendimeve Gjyqësore nga Komunat – Vitet 2017, 2018, 2019”. FOL me mbështetjen e grantit të Ambasadës Amerikane në Prishtinë, përgjatë një viti ka bërë monitorimin e pagesave nga ana e 38 Komunave të Republikës së Kosovës si rezultat i vendimeve të gjykatave. Elbasan Racaj, nga Lëvizja FOL tha se periudha e monitorimit të këtyre pagesave ka përfshirë vitet 2017, 2018 dhe 2019. “Të dhënat mbi pagesat e Komunave për vitet 2017 dhe 2018 janë marrë nga raportet financiare të komunave dhe nga raportet e Zyrës së Auditorit dhe janë bazuar në përgjigjen e Komunave ndaj kërkesave për qasje në dokumente publike”, tha Racaj. Përveç monitorimit të këtyre shpenzimeve, FOL gjithashtu ka bërë edhe krahasimin me buxhetet fillestare të komunave.
Gjetjet nga ky monitorim tregojnë se vetëm gjatë vitit 2019 Komunat kanë pasur 3115 lëndë në gjykata si rezultat i të cilave kanë paguar 15,966,933.45€. Gjatë vitit 2019 pagesa janë bërë nga pesë kategori ekonomike: 1. Investimet Kapitale; 2. Mallrat dhe Shërbimet; 3. Shpenzimet Komunale; 4. Paga dhe Mëditje; dhe 5. Subvencione dhe Transfere. Pagesat më të larta gjatë këtij viti kanë ndodhur nga kategoria ekonomike e Investimeve Kapitale në shumën prej 10,588,554.82€, me kategorinë ekonomike të Mallrave dhe Shërbimeve nga ku janë paguar 4,033,909.66€ dhe në kategorinë ekonomike të Shpenzimeve Komunale nga ku janë paguar 865,906.06€. Pagesat më të ulëta kanë ndodhur nga kategoria ekonomike e Pagave dhe Mëditjeve në shumën prej 397,334.55€, kurse nga kategoria ekonomike e Subvencioneve dhe Transfereve ka pasur pagesa prej 81,228.36€.
“Gjatë vitit fiskal 2017 Komunat kanë paguar shumën prej 9,565,608.55€ apo 2.12 përqind të buxheteve të tyre fillestare. E njëjta shumë e paguar, kur e krahasojmë me realizimin e të hyrave vetanake të të gjitha Komunave për vitin 2017, arrin në 12.24 përqind. Ndërkaq, gjatë vitit 2018 Komunat kanë paguar gjithsej shumën prej 16,425,330.43€ apo 3.29 përqind të buxheteve të tyre fillestare. Krahasuar me të hyrat vetanake për vitin 2018 shuma e paguar nga Komunat si rezultat i vendimeve të gjykatave arrin në 20.20 përqind”, deklaroi Racaj, duke shtuar se pagat jubilare dhe mospërmbushja e kontratave janë ndër shkaktarët kryesor të këtyre miliona eurove që komunat humbin si pasojë e vendimeve të gjykatave.