Letër Publike: Kandidatët Nga Procesi i Kaluar të Mos Zgjedhen Komisioner

Prishtinë, 01 korrik 2019

Letër Publike

Kandidatët Nga Procesi i Kaluar të Mos Zgjedhen Komisioner

Drejtuar: Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Kuvendi i Kosovës

Të nderuar deputetë,

Si përfaqësues të shoqërisë civile, na lejoni të ju drejtohemi në lidhje me procesin e dytë për përzgjedhjen e Komisionerit për Informim dhe Privatësi.

Ne jemi njoftuar që nga 20 kandidatët që kanë aplikuar, Kuvendi pritet të intervistojë nëntë prej tyre. Katër nga këta kandidatë – Bujar Sadiku, Jeton Arifaj, Muharrem Mustafa dhe Nexhat Jashari – kanë aplikuar pa sukses edhe në procesin e parë të përzgjedhjes së Komisionerit për Informim dhe Privatësi.

Edhe pse jemi njoftuar që procesi konsiderohet që të ketë nisur prej fillimit, duke qenë kërkesat dhe kushtet e njëjta, besojmë që kandidatët e procesit të kaluar që kanë aplikuar përsëri do të duhej të vlerësoheshin njëjtë. Bazuar në përvojën e tyre profesionale dhe performacën e tyre gjatë intervistave të mbajtura në procesin e parë, asnjëri nuk arriti të plotësojë kriteret për t’u përzgjedh Komisioner. Ju rikujtojmë që të gjithë ne bashkërisht, Ambasada Britanike, Ju të nderuar anëtarë të Komisionit dhe ne si shoqëri civile patëm arritur në të njëjtin përfundim, pra që asnjëri nga ta nuk i plotëson kushtet për t’u bërë Komisioner. Nuk shohim asnjë bazë që vlerësimi të jetë ndryshe edhe kësaj radhe.

Në veçanti, kërkojmë nga ju që të merrni seriozisht shqetësimet tona lidhur me kandidatët Bujar Sadiku dhe Jeton Arifi, të listuara në letrën e dërguar më parë, të cilën po ua ridërgojmë përsëri. Kërkojmë nga ju ta verifikoni nëse a) Bujar Sadiku është “njeriu i PDK-së” ashtu siç i janë referuar në media, dhe b) nëse Bujar Sadiku dhe Jeton Arifi kanë punësuar familjarët e tyre në Agjencionin Shtetëror për Mbrojtjen e të Dhënave Personale (ASHMDP). Po ashtu, ju lutemi të keni parasysh që Auditori i Përgjithshëm ka gjetur shkelje të shumta në ASHMDP, gjatë kohës sa të dy këta kandidatë kanë qenë duke e udhëhequr këtë institucion.

Poashtu, sipas informatave tona, kandidati Arsim Tërnava ka qenka qenë donator i Partisë Demokratike të Kosovës ndërsa kandidati Burim Sallova duhet të dëshmojë përmes tatimeve të paguara nëse vërtetë ka qenë menaxher për pesë vjet në një kompani private.

Ne jemi duke hulumtuar edhe për kandidatët tjerë dhe në rast që gjejmë informata relevante për procesin,  do të ju drejtohemi menjëherë.

Në fund, ju njoftojmë që ne mbesim të përkushtuar të marrim pjesë gjatë intervistimit të kandidatëve – me një ose më shumë përfaqësues – dhe ju lusim që të na informoni të gjithëve për kohën e mbajtjes së intervistave sa më herët që është e mundur.

 

Me respekt,

 

Lëvizja FOL

Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile

Instituti GAP

Instituti D4D

Grupi për Studime Politike dhe Juridike

Çohu

Instituti Demokratik i Kosovës

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës

Flutura Kusari