Letër deputetëve: Kuvendi i Kosovës të procedojë me përzgjedhjen e Komisioneres për Informim dhe Privatësi

Prishtinë, 07 gusht 2019 – Komisioni për Siguri i Kuvendit të Kosovës, në takimin e mbajtur me datë 11 korrik 2019, ka rekomanduar kandidatët Krenare Sogojeva Dërmaku, Agron Behrami dhe Enver Bujari për Komisioner të Agjencisë për Informim dhe Privatësi. Komisioner do të emërohet kandidati i cili arrin të marrë 61 vota në Kuvendin e Kosovës. Nga këta tre kandidatë, Krenare Sogojeva Dërmaku ka arritur që të vlerësohet si kandidatja me më së shumti pikë nga anëtarët e Panelit Përzgjedhës i përbërë nga anëtarët e Komisionit për Siguri dhe anëtarët e projektit të Ambasadës Britanike.

Edhe sipas monitorimit tonë, për dallim nga procesi i kaluar në të cilin asnjë kandidat nuk i ka plotësuar kushtet që të rekomandohet për votim nga Kuvendi, kësaj radhe ka pasur të tillë. Për këtë arsye ju bëjmë thirrje juve, deputetë të Kuvendit të Kosovës, që të merrni parasysh vlerësimet e Panelit Përzgjedhës dhe votën e tuaj ta bazoni në këtë vlerësim profesional e jo në preferencat politike apo partiake.

Duke pasur parasysh të gjithë procesin e zhvilluar deri tani ne kërkojmë që në seancën e fundit të legjislatures aktuale të Kuvendit të Kosovës, që pritet të mbahet më 22 gusht 2019, të futet në rend të ditës përzgjedhja e Komisioneres së Agjencisë për Informim dhe Privatësi.

Me përzgjedhjen e Komisioneres së Agjencisë për Informim dhe Privatësi do të fillojë edhe zbatimi i dy ligjeve shumë me rëndësi siç janë Ligji për Qasje në Dokumente Publike dhe Ligji për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Andaj, pozita e Komisioneres së Agjencisë për Informim dhe Privatësi është shumë më e rëndësishme për qytetarët dhe institucionet e vendit sesa preferencat ditore politike. Nëse kësaj i shtojmë edhe mundësinë e përftimit të rreth 2 milion eurosh nga projekte binjakëzimi të financuara nga Bashkimi Evropian, atëherë përzgjedhja e Komisioneres së Agjencisë për Informim dhe Privatësi bëhet e domosdoshme në një kohë sa më të shkurtër të mundshme.

Lëvizja FOL

Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile

Instituti GAP

Instituti D4D

Grupi për Studime Politike dhe Juridike

Çohu

Instituti Demokratik i Kosovës

Flutura Kusari

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës