Raportimi i korrupsionit dhe mediat

Prishtinë, 12 gusht 2021 – Është mbajtur ligjërata e 9-të në ciklin e ligjëratave mbi dispozitat ligjore dhe luftën kundër korrupsion. Muhamet Hajrullahu, nga telegrafi ligjëroi mbi raportimin e korrupsionit dhe mediat, duke shpjeguar më tutje vështirësitë e gazetarëve në raportimet e tyre.

 

Korrupsioni në sistemin shëndetësor

Prishtinë, 9 gusht 2021 – Saranda Ramaj, gazetare në Koha Ditore ishte ligjëruesja e 8-të në serinë e ligjëratave mbi dispozitat ligjore dhe luftën kundër korrupsion.
Temë diskutimi ishte korrupsioni në sistemin e shëndetësisë.

Studentët e fakultetit Juridik, vitituan Prokuroritë Themelore në Pejë dhe Gjakovë

Pejë/Gjakovë – 7 gusht 2021 – FOL ka organizuar vizitat e studentëve të fakultetit Juridik, në Prokurorinë Themelore në Pejë dhe Gjakovë.
Studentët kishin mundësinë që përmes vizitave të njoftoheshin nga afër me punën e Kryeprokurorëve dhe prokurorëve të Pejës dhe Gjakovës.

FOL ka pritur në takim ambasadoren e Mbretërisë së Holandës, Carin Lobbezo

Prishtinë, 3 gusht 2021 – Lëvizja FOL ka pritur të martën, në vizitë Ambasadoren e Mbretërisë së Holandës në Prishtinë, znj. Carin Lobbezoo dhe përfaqësuesen e ambasadës, znj. Venera Ramaj, zyrtare e lartë për sundimin e ligjit. Gjatë këtij takimi është diskutuar për transparencën dhe llogaridhënien e Institucioneve të Kosovës, monitorimin e planit vjetor të punës së qeverisë, reforma në administratën publike, sundimi i ligjit në Republikën e Kosovës, procesi i Vettingut, bashkëpunimin mes institucioneve dhe organizatave të shoqërisë civile në Kosovë.

Shkrimi Kreativ dhe analiza e politikave publike

Lëvizja FOL, Qendra e Debatit, dhe Internews Kosova, në kuadër të “Sektori i Drejtësisë në Kosovë – përgjegjës, i besueshëm dhe transparent” kanë mbajtur trajnimin “Shkrimi kreativ dhe Analiza Politike Publike”. Gjatë trajnimit, pjesëmarrësve iu dha mundësia të kuptojnë më lehtë proceset teknike dhe institucionale që lidhen me procesin e propozimit dhe zbatimit të politikave publike. Ardi Shatri, përveç punës praktike në grup; ligjëratë rreth; (1) analiza në lidhje me situatën aktuale, (2) identifikimi i problemit, (3) analiza SWOT dhe CBA, (4) teknika të analizës së politikave ekonomike, (5) situata kundër-faktike dhe (6) vlerësim.

Pjesëmarrësit do të angazhohen në krijimin e analizave të ndryshme të politikave publike, të cilat do t’i ndajmë me ju shumë shpejt.

Ky trajnim u zhvillua nga Lëvizja FOL, Debate Center dhe Internews Kosovo në kuadër të “Sektorit të Drejtësisë në Kosovë – përgjegjës, i besueshëm dhe transparent”.

Studentët e fakultetit Juridik kanë vizituar Prokurorinë Themelore të Prizrenit

Prizren, 29 korrik 2021 – Lëvizja FOL në kuadër të vizitave në Prokuroritë Themelore të Kosovës sot ka mbajtur takimin e radhës në Prizren, me studentët e fakultetit juridik nga ky qytet.
Studentët patën mundësinë të njihen nga afër me punën Prokurorisë Themelore të Prizrenit , si dhe rolin e kryeprokurorit të kësaj prokurorie – Admir Shala.

Reagim i shoqërisë civile ndaj kërkesës për konfidencialitet nga Komisioni ad hoc për përzgjedhjen e anëtarit të Bordit për Ankesa të Mediave

Prishtinë, 27 korrik 2021 – Komisioni ad-hoc i Kuvendit të Kosovës për përzgjedhjen e anëtarit të Bordit për Ankesa të Mediave, ka kërkuar në takimin e djeshëm nga përfaqësuesit e shoqërisë civile, të cilët janë duke vëzhguar procesin e përzgjedhjes së një anëtari të këtij Bordi, që të nënshkruajnë një Marrëveshje për Konfidencialitet (shih shtojcen 1).

Ne, organizatat e poshtshënuara të shoqërisë civile dhe aktivistët, kundërshtojmë fuqishëm iniciativën e deputetëve përmes së cilës tentohet që të heshtet shoqëria civile dhe t’i mbyllet goja aktivistëve. Kufizimet e përcaktuara me këtë Marrëveshje për Konfidencialitet janë të kundërligjshme, e cënojnë rëndë të drejtën e informimit të publikut dhe e pamundësojnë punën e shoqërisë civile.

Marrëveshja për Konfidencialitet përcakton, mes tjerash, që përfaqësuesit e shoqërisë civile nuk mund të diskutojnë hapur apo të publikojnë materiale lidhur me kandidatët si dhe ecurinë e procesit gjatë kohëzgjatjes së këtij procesi (si dhe përmban kufizime të theksuara që do të vlenin pasi procesi të përfundojë).

Megjithëse çmojmë nevojën e ruajtjes së integritetit të procesit, Marrëveshja për Konfidencialitet është e kundërligjshme. Ligji Nr. 04/L-44 për Komisionin e Pavarur të Mediave përcakton që “[a]nëtarët e Bordit për Ankesa emërohen nga Kuvendi i Kosovës në bazë të procedurave të hapura dhe transparente” (neni 38(1)). Kjo dispozitë pamundëson tendencat e dëmshme të Komisionit ad hoc që procedurat e përzgjedhjes së anëtarëve të mbyllen përmes marrëveshjeve për konfidencialitet. Kushtëzimi i pjesëmarrjes së përfaqësuesve të shoqërisë civile në procesin e përzgjedhjes me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje cenon kërkesën ligjore që procedura të jetë e hapur dhe transparente, duke ua pamundësuar përfaqësuesve të shoqërisë civile që të shprehen lirshëm lidhur me gjetjet eventuale.

Tutje, misioni i organizatave joqeveritare dhe aktivistëve është që të monitorojnë punën e autoriteteve publike, të informojnë publikun për të gjeturat e monitorimit dhe të kërkojnë llogari nga politikanët dhe njerëzit e veshur me pushtet për veprimet e tyre. Duke i detyruar organizatat dhe aktivistët që të nënshkruajnë marrëveshje të tilla të kundërligjshme, Kuvendi do t’ua pamundësojë punën e organizatave dhe do ta privojë publikun nga e drejta për t’u informuar. Si e tillё, kjo kёrkesё i pamundёson organizatave tё shoqёrisё civile qё tё kryejnё njёrin prej funksioneve bazё tё misionit tё tyre, atё tё monitorimit tё punёs sё institucioneve publike dhe informimt tё vazhdueshёm tё publikut.

Kuvendi i Kosovës është në procedurë të përzgjedhjes së anëtarit të Bordit të Ankesave të Mediave të Komisionit të Pavarur për Media (KPM). Përzgjedhja do të bëhet nga komisioni ad-hoc i Kuvendit të Kosovës për përzgjedhjen e anëtarit të Bordit për Ankesa të Mediave të përbërë nga: Mërgim Lushtaku dhe Floretë Zejnullahu (Partia Demokrative e Kosovës) dhe anëtarët Valon

Ramadani, Doarsa Kica Xhelili, Njazi Isaku, Fitim Haziri dhe Besim Muzaqi (Lëvizja Vetëvendosje), Agim Veliu (Lidhja e Demokratike e Kosovës), Time Kadriaj (Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës), Igor Simic (Lista Serbe) dhe Samra Iljazi (Grupi Multietnik). Marrëveshja e kundërligjshme është propozuar dhe dërguar për nënshkrim në email të disa organizatave pas takimit të parë të komisionit ad-hoc të mbajtur më 26 korrik 2021. Marrëveshja është propozuar nga kryesuesi i komisionit ad-hoc Mërgim Lushtaku dhe nuk është kundërshtuar nga asnjë nga deputetët e tjerë të Komisionit Ad-Hoc që ishin prezentë.

Ne kërkojmë që deputetët e lartëpërmendur të Komisionit ad hoc të Kuvendit të Kosovës për përzgjedhjen e anëtarit të Bordit për Ankesa të Mediave të tërhiqen nga kjo iniciativë dhe të lejojnë organizatat e shoqërisë civile dhe aktivistët që të monitorojnë lirshëm.

Organizatat dhe aktivistët nënshkrues:

1. AMPEK

2. Ardita Metaj Dika

3. Center for Education and Training Prizren

4. D+

5. Flutura Kusari

6. Fondacioni Kosovar pёr Shoqёri Civile (KCSF)

7. GERMIN

8. GLPS

9. GAP

10. KDI

11. QPA

12. PIPS

13. Instituti EPIK

14. Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD)

15. Klubi Alpin Prishtina

16. Lëvizja FOL

17. OJQ “VISION 02”

18. Rrjeti i OJQ-ve, Demokracia Fillon Këtu (DFK)

19. YIHR KS

Shtojca 1

Republika e Kosovës

Republika Kosovo-Republic of Kosovo

Kuvendi – Skupština – Assembly

____________________________________________________________________________

Komisioni ad-hoc për përzgjedhjen e anëtarëve të Bordit për Ankesa të Mediave

Marrëveshje për Konfidencialitet

Kjo Marrëveshje për Konfidencialitet është një dokument i auditueshëm i cili përcakton zotimin e secilit individ për t’u sjellë me integritet në përfshirjen e tyre në procesin e emërimeve.

Marrëveshje për Konfidencialitet

Si vëzhgues i pavarur, përfaqësues i shoqërisë civile, zotohem që do të:

· Ruaj konfidencialitetin e kandidatit duke:

o Mos diskutuar performancën e aplikantit ose kandidatit me askënd jashtë Komisionit ose ekipit të përcaktuar të ekipit.

o Mos ndarë (përveç atyre që janë drejtpërdrejt të përfshirë në procesin e përzgjedhjes) informatat e marra lidhur me kandidatët gjatë asnjë pjese të procesit të emërimeve.

· Ruaj konfidencialitetin dhe integritetin e procesit duke:

o Mos ndarë (përcjellur) asnjë material vlerësimi të marrë si pjesë e procesit të emërimeve.

o Diskutuar çdo pikëpamje ose shqetësim lidhur me procesin e emërimeve me Kryesuesin e Komisionit në radhë të parë.

o Mos publikuar asnjë raport derisa procesi i emërimeve të përmbyllet plotësisht (duke përjashtuar raportet zyrtare që kërkohen si pjesë e vetë procesit të emërimeve) përveç nëse ka leje ekspres për të vepruar një gjë të tillë, nga Kryesuesi i Komisionit.

o Mos dhënë komente ose intervista për shtypin ose mediat deri sa të përfundojë procesi dhe rezultatet të publikohen zyrtarisht, përveç nëse ka leje ekspres për të vepruar një gjë të tillë, nga Kryesuesi i Komisionit– nëse e bën këtë pas përfundimit të procesit, atëherë ta bëjë pa përmendur emra ose folur për performancën e aplikantëve/kandidatëve individual, dhe ta informojë Kryesuesin e Komisionit që ka kontaktuar shtypin.

· Shpalosë çdo konflikt interesi që është relevant për procesin e emërimeve.

· Shpalosë çdo konflikt interesi me ndonjë aplikant ose kandidat në kuadër të procesit të emërimeve.

· Ngritur me Kryesuesin e Komisionit, çdo shqetësim rreth integritetit në sjelljen dhe performancën e tjerëve gjatë zhvillimit të procesit të emërimeve.

· Theksuar Kryesuesit të Komisionit, çdo çështje apo shqetësim tjetër i cili mund të rrezikojë integritetin e procesit të emërimeve.

Emri:……………………………………………………………………… Procesi:Anëtarët e Bordit për Ankesa të Media

Nënshkrimi:…………………………………………………………… Data:26.07.2021

Studentët e fakultetit Juridik kanë vizituar dy Prokuroritë Themelore në vend, atë të Gjilanit dhe Ferizajt

Ferizaj, 23 korrik 2021 – Lëvizja FOL, Debate Center dhe Internews Kosova në kuadër të projektit “Sektori i drejtësisë në Kosovë – i përgjegjshëm, i besueshëm dhe transparent” kanë vazhduar vizitat në Prokuroritë Themelore të Kosovës, në të cilat përveç vizitës së institucionit, do mbahet edhe takim me Kryeprokurorët e këtyre prokurorive.

Qëllimi i këtyre takimeve është njoftimi nga afër i studentëve me funksionin, efikasitetin dhe kompetencat e këtyre institucioneve.

Në kuadër të këtyre vizitave FOL ka mbajtur takime me dy Prokuroritë Themelore në vend, atë të Gjilanit 22 korrik 2021 dhe Ferizajit 23 korrik 2021.

Gjatë këtyre vizitave studentët  patën mundësinë të bashkëbisedojnë me kryeprokurorët z. Arben Kadriu nga Prokuroria Themelore Gjilan dhe z. Shukri Jashari nga Prokuroria Themelore Ferizaj.

FOL do të realizoj takime të tilla dhe në Prokuroritë e Prizrenit, Pejës, Gjakovës dhe Mitrovicës.

Për të marrë pjesë në vizitat e radhës ju lutem plotësoni linkun më poshtë; https://docs.google.com/…/14UAAE0GJfzcRHOZIBgLYbdl…/edit.

FOL ka mbajtur sesionin informues rreth Portalit Prokurimi i Hapur dhe Transparent

Prishtinë, 09 korrik 2021 – FOL ka mbajtur sesionin informues për gazetarët e Telegrafi.com për Portalin Prokurimi i Hapur dhe Transparent, si platformë e kontratave të hapura të prokurimit. Në këtë sesion gazetarët u informuan për të dhënat që i ofron portali në lidhje me kontratat publike, si dhe për modulet e reja që tashmë janë pjesë e këtij portali, hartëzimi dhe rrjetëzimi. Po ashtu, nga Democracy Plus u prezantua faqja e Flamujt e Kuq në prokurim, e cila është e inkuadruar në Portalin Prokurimi i Hapur dhe Transparent. Flamujt e kuq synon të parandalojë keq menaxhimin dhe korrupsionin në prokurim publik.

Raporti mbi kontratat publike te bizneseve te reja gjate vitit 2019 dhe 2020

Sa e rrezikon sigurinë në vend korrupsioni

Prishtinë, 08 korrik 2021 – Lëvizja FOL ka mbajtur ligjëratën e pestë në serinë e ligjëratave mbi dispozitat ligjore dhe luftën kundër korrupsionit, ku të ftuar kishim Skender S. Perteshi nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë. Përgjatë kësaj ligjërate, z. Perteshi ligjëroi rreth rrezikshmërisë së sigurisë në vend nga korrupsioni, të metave në sistemin e drejtësisë sa i përket sigurisë, dhe rrugëtimin e Kosovës drejt anëtarësimit në organizatat rajonale dhe ndërkombëtare të sigurisë.

Trajnimi: Shkrim kreativ dhe analiza të politikave publike

Prishtinë, 04 korrik 2021 – Lëvizja FOL, Debate Center dhe Internews Kosova në kuadër të projektit “Sektori i Drejtësisë në Kosovë – i përgjegjshëm, i besueshëm dhe transparent” kanë mbajtur trajnimin “Shkrim kreativ dhe analiza të politikave publike”. Gjatë mbajtjes së trajnimit pjesmarrësve iu mundësua të kuptojnë më lehtë proceset teknike dhe institucionale që lidhen me procesin e propozimit dhe implementimit të politikave publike.

Ardi Shatri, përveç punës praktike në grupe, ligjëroj rreth; (1) analizës së gjendjes së tanishme, (2) identifikimi i problemit, (3) analiza SËOT dhe CBA, (4) teknikat e analizimit të politikave ekonomike, (5) gjendjën kundër-faktike, dhe (6) vlerësimin.

Pjesëmarrësit tanimë do të angazhohen në krijimin e analizave të ndryshme të politikave publike, të cilat do t’i ndajmë me ju shumë shpejt.

 

Ky trajnim u realizua nga Lëvizja FOL, Debate Center dhe Internews Kosova në kuadër të projektit “Sektori i Drejtësisë në Kosovë – i përgjegjshëm, i besueshëm dhe transparent”

Menaxhimi i konfliktit të interesit si luftë kundër korrupsion

Prishtinë, 29 qershor 2021 – Lëvizja FOL ka mbajtur ligjeraten e katërt të serisë së ligjeratave për dispozitat ligjore dhe procedurat e hetimit në fushën e korrupsionit, ku z.Gzim Shala ligjeroi mbi “Menaxhimi i konfliktit të interesit si luftë kundër korrupsion”.

Kodi i Etikës dhe sjelljes profesionale për prokurorë

Prishtinë, 27 qershor 2021 – Lëvizja FOL ka mbajtur trajnimin dy ditor mbi “Kodin e Etikës dhe sjelljes profesionale për prokurorë”, ku pjesëmarrësit kishin mundësi të mësojnë më shumë rreth parimeve të funksionit të prokurorëve, siç janë: parimi i pavarësisë, paanshmërisë, integritetit, konfidencialitetit, llogaridhënies, profesionalizmit, si dhe parimi i ndershmërisë së prokurorëve.

Ndër të tjera, studentët patën mundësinë edhe të punojnë në grupe rreth krijimit të rasteve hipotetike, të cilat mund të përfshihen në Komentarin e Kodit të Etikës dhe sjelljes profesionale për prokurorë.
Trajnerët me të cilët studentët patën rastin të punojnë, ishin prokurori Armend Hamiti dhe prokurorja Sebahate Hoxha nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Lëvizja FOL ka mbajtur punëtorinë dy ditore në lidhje me Analizën e Kornizës Ligjore

Durrës, 22/24 qershor 2021 – Lëvizja FOL ka mbajtur punëtorinë dy ditore në lidhje me Analizën e Kornizës Ligjore rreth Deklarimit të Pasurisë si dhe Rolin e Agjencisë kundër Korrupsion në përmbushjen e obligimeve të dala nga ky ligj.
Ndryshimet e nevojshme në Ligjin për Deklarim, një bashkëpunim më i mirë ndërinstitucional si dhe një përfshirje më e gjerë e Shoqërisë Civile në draftimin e projektligjit të ri për Deklarimin e Pasurisë janë pjesë e këtij diskutimi të organizuar nga Lëvizja FOL me përkrahjen e fondacionit Kosovo Foundation for Open Society (KFOS)

Mbrojtja e Sinjalizuesve në luftën kundër korrupsionit

Prishtinë, 17 qershor 2021 – Lëvizja FOL në kuadër të serive të ligjëratave për dispozitat ligjore dhe procedurat e hetimit në fushën e korrupsionit,  ka mbajtur ligjëratën e tretë ku folës ishte z. Florent Spahija, këshilltar ligjor në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI).

Temë diskutimi ishte sinjalizimi, përkatësisht mbrojtjen e sinjalizuesve në luftën kundër korrupsionit.

Parlamenti votoi për Komisionere për Informim dhe Privatësi kandidatën e rekomanduar para dy viteve nga britanikët

Prishtinë, 17 qershor 2021 – Në seancën parlamentare të mbajtur më 17 qershor 2021 është votuar Krenare Sogojeva Dërmaku për Komisionere për Informim dhe Privatësi. Znj. Sogojeva Dërmaku është rekomanduar dy herë nga ana e ekspertëve të angazhuar nga ambasada britanike per rekrutim në pozitat e larta mirëpo nuk kishte marrë votat e mjaftueshme.

Ne shprehim zhgënjimin tonë të thellë me bojkotimin e këtij procesi nga ana e opozitës. Deputetët  kanë obligim kushtetues që të qëndrojnë në sallë dhe të votojnë. Ata kanë dështuar në përmbushjen e obligimeve të tyre.

Ne e ftojmë znj. Sogojeva Dërmaku që të fillojë reformimin aq të nevojshëm të Agjencisë për Informim dhe Privatësi, të përzgjedhë stafin e agjencisë  -sidomos inspektorët- në bazë të meritave, të kryej punën me përgjegjësi dhe profesionalizëm në trajtimin e rasteve që kanë të bëjnë me qasjen në dokumente publike dhe të mbrojë të dhënat personale të qytetarëve të Kosovës. Ftojmë znj. Sogojeva që rekrutimin e safit ta bëjë në mënyrë transparente duke lejuar shoqërinë civile që të monitorojë nga afër këto procese. Ne presim që vendimet e agjencisë të jenë të shkruara në mënyrë profesionale, të bazuara në standardet europiane, të arsyetuara mirë dhe lehtësisht të qasshme në uebsite.

Lidhur me dyshimet e ngritura për dokumentet e dorëzuara nga z.Bujari, ushtruesja e detyrës së shefes së grupit parlamentar znj.Mimoza Kusari Lila bëri thirrje që të përfshihet prokuroria. Në mënyrë që të largohen dyshimet e paraqitura gjatë këtij procesi, ne i sugjerojmë panelit intervistues që të ndjekë këshillen e znj.Kusari Lila duke iu drejtuar prokurorisë.

Ne do të vazhdojmë të monitorojmë për së afërmi punën e Agjencisë për Informim dhe Privatësi.

FOL

Flutura Kusari

GLPS

KDI

KCSF

Çohu

D4D

GAP

Të mos procedohet në seancë plenare votimi i Komisionerit për Informim dhe Privatësi

Prishtinë, 16 qershor 2021 – Ne, organizatat dhe aktivistët e poshtëshënuar, pas mbledhjes së dëshmive shtesë rreth kandidatit Enver Bujari, kërkojmë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe partitë në pushtet që të mos  e procedojnë tutje këtë proces.

Pas dyshimeve që z.Bujari ka ndryshuar të dhënat për përvojën e punës dhe edukimit,  përmes te drejtës së qasjes në dokumente publike, ne kemi siguruar dosjen e plotë te aplikimit të tij.

Sipas dokumenteve të ofruara rezulton që z.Bujari nuk ka ofruar dokumentin që dëshmon mbi përvojën e punës, ashtu siç është kërkuar me konkurs dhe ligj, por vetëm raportin e Trustit Pensional.  Ky dokument është i rëndësishëm sepse për këtë pozitë kërkohet që kandidatët të kenë: Të kenë, së paku, tetë (8 vite përvojë pune profesionale, nga të cilat, së paku, pesë (5) vite përvojë në pozita udhëheqëse, dhe vetëm me raportin e Trustit Pensional një gjë e tillë nuk mund të dëshmohet.

Në mungesë të këtyre dëshmive, deputetët e panelit intervistues – të përbërë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe partitë tjera në pushtet- nuk është dashur që të ftonin z.Bujari fare në intervistë.

Përgjegjësia për të kontrolluar dosjen i takon deputetëve të panelit intervistues. Për këtë dështim, ne mbajmë përgjegjës këta deputetë: Fatmir Humolli, Shqipe Mehmeti Selimi, Mefail Bajqinovci, Enver Dugolli dhe Arbër Rexhaj nga Lëvizja Vetëvendosje, Erxhan Galushi dhe Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës dhe Slavko Simić nga Lista Serbe.

Duke ditur që z.Bujari nuk e ka dorëzuar aplikacionin e plotë, aplikacioni i tij duhet të konsiderohet si i pavlefshëm.

Ligji për Mbrojtjen e të Dhënave Personale kërkon që seances plenare t’i paraqiten tre kandidatë. Pavlefshmëria e aplikimit të z.Bujari lë në garë vetëm dy kandidatë, në kundërshtim me ligjin në fjalë.

Kujtojmë që ky proces është shoqëruar me më së shumti parregullësi, duke filluar nga perbërja e panelit në kundërshtim me praktikën parlamentare, jotransparenca gjatë vleresimit të kandidatëve dhe vleresimi i lartë i kandidatitët qe nuk ka përformuar më së miri ne intervistë.

Komisioneri për Informim dhe Privatësi do të jetë personi më i rëndësishëm në Kosovë në mbrojtjen e të dhënave personale dhe garantimin e qasjes në dokumente publike. Ai duhet të jetë profesional, pa ngjyrosje politike dhe me integritet të lartë. Shpresojmë që Lëvizja Vetvendosje do të reflektojë dhe nuk do të rrezikojë një institucion kaq të rëndësishëm.

Ndërkaq, për dy kandidatët e tjerë, Krenare Sogojeva Dermaku dhe Edon Miftari jemi në pritje të marrjes së dosjes së plotë nga Kuvendi i Kosovës.

FOL

Flutura Kusari

GLPS

KDI

KCSF

Organizatat e shoqërisë civile kundërshtojnë shkarkimin e Kryetares së KQZ-së

Prishtinë, 14 qershor 2021 – Ne organizatat e poshtëshënuara të shoqërisë civile, kundërshtojmë vendimin e Presidentes së vendit, Vjosa Osmani-Sadriu, për shkarkimin e kryetares së KQZ-së, Valdete Daka. Ky vendim konsiderojmë se është i motivuar politikisht, si rezultat i ndërrimit të pushtetit në Kosovë pas zgjedhjeve të fundit.

Bazuar në vendimin për shkarkim, ne vlerësojmë që argumentet e shtruara nga Presidentja janë të pabazuara dhe paraqesin keqinterpretim të situatave përkatëse. Mes tjerash, kryetares së KQZ-së i atribuohen ekskluzivisht të gjitha përgjegjësitë dhe dështimet e supozuara të KQZ-së, përkundër faktit që Kryetarja e KQZ-së është vetëm një nga njëmbëdhjetë anëtarët me të drejtë vote. Madje, rikujtojmë që puna e KQZ-së është vlerësuar pozitivisht nga raportet vendore dhe ato ndërkombëtare të vëzhgimit të zgjedhjeve.

Gjithashtu, marrja e këtij vendimi në prag të shpalljes së datës së zgjedhjeve lokale përbën ndikim të drejtpërdrejtë në pavarësinë, integritetin dhe mbarëvajtjen e punës së KQZ-së në organizimin dhe administrimin e atyre zgjedhjeve.

Demokracia për Zhvillim (D4D)

Demokracia Plus (D+)

INDEP

INPO

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI)

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD)

Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS)

Lëvizja FOL

Organizata Nënë Tereza