U mbajt sesioni informues në Prishtinë për Portalin “Prokurimi i Hapur dhe Flamujt e Kuq”

Prishtinë, 23 shtator 2021 – Lëvizja Fol dhe Democracy Plus organizuan sesionin informues për Portalin “Prokurimi i Hapur dhe Flamujt e Kuq”. Qëllimi i këtij eventi ishte informimi dhe bashkëbisedimi me studentë në lidhje me prokurimin publik në Kosovë, të dhënat e hapura, si dhe platformat që ofrojnë këto të dhëna, siç janë Portali “Prokurimi i Hapur dhe Flamujt e Kuq” në mënyrë që të nxitet qytetaria aktive për të monitoruar dhe kërkuar llogari për shpenzimin e parasë publike nga institucionet shtetërore.

Ky aktivitet u mbështet nga USAID Kosovo-Komuna Transparente, Efektive dhe Llogaridhënëse.

Integrimi i programit elektoral të Vetevendosjes në Programin Qeveritar

Performanca e Prokurorisë në zgjedhjen e lëndëve të korrupsionit janar -qershor 2021

Dështimet e Agjencisë kundër Korrupsion në zbatimin e Ligjit për Deklarimin e Pasurisë

Prishtinë, 26 gusht 2021 – Lëvizja FOL ka mbajtur sot konferencë për media me ç’rast ka publikuar raportin “(Mos) zbatimi i Ligjit për Deklarim të Pasurisë nga Qeveria Haradinaj, Kurti 1 dhe Hoti”.

Mexhide Demolli Nimani, drejtore ekzekutive e Lëvizjes FOL tha ky raport përveç një analize të bërë ligjit aktual që është në fuqi dhe projektligjit që është duke u hartuar nga qeveria aktuale, gjithashtu ka monitoruar publikimin e formularëve të deklarimit të pasurisë nga Agjencia Kundër Korrupsion dhe ofron të dhënat për secilin prej ministrave dhe zëvendësministrave të tri qeverive të kaluara si Qeverisë Haradinaj, Qevrisë Kurti 1 dhe Qeverisë Hoti në lidhje me respektimin e afateve ligjore për deklarimin e pasurisë me rastin e emërimit, deklarimin e rregullt vjetor dhe deklarimin me rastin e shkarkimit apo përfundimit të mandatit.

Ndërkaq, Albana Hasani, hulumtuese në Lëvizjen FOL tha se nga të gjeturat kryesore të raportit sa i përket respektimit të afateve ligjore nga ministrat dhe zëvendësministrat e tri qeverive, del se:

– Nga 131 ministrat/zëvendësministrat e Qeverisë Haradinaj, vetëm 62 nga ta kishin respektuar afatet ligjore për deklarim të pasurisë me rastin e emërimit në këto pozita (pra brenda një muaji nga emërimi në detyrë), si dhe deklarimin e rregullt vjetor, mirëpo asnjë nga ta nuk e ka deklaruar pasurinë me rastin e dorëzimit të detyrës zyrtare.

– Nga 45 ministrat/zëvendësministrat e Qeverisë Kurti 1, vetëm 20 nga ta e kanë respektuar afatin ligjor për deklarim të pasurisë me rastin e emërimit në këto pozita. Ndërkaq vetëm 15 nga ta e kanë bërë deklarimin e pasurisë me rastin e dorëzimit të detyrës zyrtare apo me rastin e shkarkimit nga detyra.

– Ndërkaq nga 77 ministrat/zëvendësministrat e Qeverisë Hoti, vetëm 32 prej tyre e kanë respektuar afatin ligjor për deklarim të pasurisë me rastin e emërimit në këto pozita, duke deklaruar pasurinë brenda periudhës së paraparë me ligj. Ndërkaq asnjë nga zyrtarët e kësaj qeverie nuk e ka deklaruar pasurinë me rastin e dorëzimit të detyrës zyrtare, apo me rastin e shkarkimit.

Këto të dhëna, pra, janë bazuar në formularët e publikuar në ueb faqen zyrtare të AKK-së. Gjithashtu, duhet të duhet të theksohet se, pavarësisht se këta zyrtarë nuk e kanë deklaruar pasurinë me rastin e emërimit, lirimit nga detyra apo shkarkimit, këta zyrtarë nuk figurojnë “në listën e personave që nuk e kanë deklaruar pasurinë”, të publikuar në ueb faqen e AkK-së. Detajet për secilin zyrtarë nga këto tri Qeveri i gjeni në raport, duke klikuar këtu.

Bazuar në këto gjetje dhe në analizën e kornizës ligjore aktuale dhe projektligjit që është duke u punuar nga Qeveria e Kosovës, FOL jep këto rekomandime:

• Të rritet vigjilenca e zyrtarëve publik në lidhje me respektimin e afateve ligjore për deklarimin e pasurisë me rastin e emërimit, deklarimin e rregullt vjetor dhe deklarimin me rastin e përfundimit të mandatit apo shkarkimit;

• Të largohet kategoria e mjekëve, profesorëve dhe asistentëve universitar nga lista e subjekteve deklaruese të deklarimit të pasurisë, që parashihet të bëhet në Ligjin e ri për Deklarimin e Pasurisë. Kjo ngase përfshirja e këtyre kategorive do të rrezikonte pamundësimin e zbatimit të ligjit në praktikë, për shkak të mungesës së kapaciteteve dhe burimeve njerëzore të AKK-së, si dhe do të ndikonte në dekurajimin e tyre në kryerjen e funksioneve. Ligji duhet të fokusohet në zyrtarët e lartë publik dhe në disa kategori të tjera që janë potencialisht më të ekspozuara ndaj korrupsionit;

• Të largohet mundësia e pranimit të dhuratave të rastit nga zyrtarët publik;

• Të rritet bashkëpunimi i agjencisë kompetente me policinë, prokurorinë, administratën tatimore, Njësinë e Inteligjencës Financiare dhe institucionet e tjera relevante në lidhje me shkëmbimin e të dhënave dhe informacioneve në lidhje me deklarimin e pasurisë;

(Mos) zbatimi i Ligjit për Deklarim të Pasurisë nga Qeveria Haradinaj, Kurti 1 dhe Hoti

Komisioni i Kuvendit fshehurazi përzgjedhë për emërim kandidatët për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese

Prishtinë, 24 gusht 2021 – Ne, organizatat e poshtëshënuara reagojmë ndaj mungesës së transparencës me rastin e propozimit të kandidatëve për Gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese nga Komisioni i posaçëm i Kuvendit.

Komisioni i posaçëm i Kuvendit për shqyrtimin e kandidatëve për emërim në Gjykatën Kushtetuese, i kryesuar nga deputeti Adnan Rrustemi, në mënyrë të fshehur ka zhvilluar procesin për përzgjedhjen e kandidatëve për gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese.

Megjithëse në hapat fillestarë të këtij procesi më 22 Korrik 2021 (në fazën e përgatitjes së pyetjeve testuese) pjesëtarë të shoqërisë civile kishin marrë pjesë në monitorim të procesit, në fazat e mëvonshme (të testimit dhe përzgjedhjes) shoqëria civile nuk është lajmëruar fare për mbledhjet e Komisionit, megjithëse disa organizata të shoqërisë civile kishin parashtruar kërkesa dhe shprehje interesimi tek zyrtarët e Kuvendit dhe kryesuesi i Komisionit. Njëherit, vetë kryesuesi i Komisionit z. Rrustemi i kishte njoftuar të pranishmit në mbledhjen fillestare që për takimet e radhës do të informohen me kohë.

Një informim i tillë nuk ndodhi kurrë (me gjithë kërkesat e bëra), ndërkaq ky Komision, tetë ditë më pas, publikoi në ueb faqe lajmin se procedoi tutje në Kuvend për emërim listën e ngushtë prej gjashtë kandidatësh, ku vetëm dy do të emërohen eventualisht nga Kuvendi në seancat e radhës. Ky proces u zhvillua pa pjesëmarrjen e shoqërisë civile — megjithëse mbledhjet e Komisionit do duhej të ishin të hapura dhe transparente konform Rregullores së Punës së Kuvendit.

Ne si Organizata të Shoqërisë Civile në Kosovë e shohim me shqetësim faktin që ky Komision injoron përfshirjen e shoqërisë civile në një proces kaq të rëndësishëm siç është përzgjedhja e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Komisioni as nuk ka dërguar ftesa për pjesëmarrje në mbledhje të Komisionit e as nuk është përgjigjur në shprehjet e interesimit për pjesëmarrje të dërguara në adresë të tij. Kjo nuk kishte ndodhur në procesin paraprak për shqyrtimin e kandidatëve për gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese, ku shoqëria civile në mënyrë aktive kishte marrë pjesë. Ndryshimi i kësaj praktike, është i pakuptueshëm dhe pa bazë ligjore. Për më tepër, ky veprim i Komisionit prek në thelb edhe vet integritetin e procesit të përzgjedhjes së gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, zgjedhja eventuale e të cilëve do të cilësohej si jo transparente.

Kjo nuk është hera e parë që Komisionet e legjislaturës aktuale shpërfillin pjesëmarrjen e rëndësishme të shoqërisë civile në monitorim të proceseve me interes publik. Ne organizatat e poshtëshënuara, tendencat e tilla i shohim si shumë shqetësuese dhe bëjmë thirrje që të tilla të konsiderohen edhe nga i gjithë spektri politik e shoqëror në Kosovë. Mbi të gjitha, legjislatura aktuale duhet ta ketë të qartë rolin dhe rëndësinë që ka shoqëria civile, duke krijuar kushtet e nevojshme për ushtrimin e misionit të saj.

Organizatat nënshkruese:

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD)

Lëvizja FOL

Grupi për Studime Politike dhe Juridike(GLPS)

Instituti Demokratik i Kosovës(KDI)

Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile(KCSF)

Studentët e fakultetit Juridik kanë vizituar Prokurorinë Themelore të Mitrovicës

Mitrovicë, 24 gusht 2021- Lëvizja FOL në kuadër të vizitave me studentë të Fakultetit Juridik,  ka organizuar vizitën e fundit në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës.

Studentët patën mundësinë që përmes këtyre vizitave, të njoftoheshin nga afër me punën e Kryeprokurorëve dhe prokurorëve të Mitrovicës, Pejës, Prishtinës,Gjakovës, Prizrenit, Gjilanit dhe Ferizajt.

Korrupsioni në prokurimin publik

Prishtinë, 13 gusht 2021- FOL ka përunduar ciklin e ligjëratave mbi dispozitat ligjore dhe luftën kundër korrupsionit.

Në ligjëratën e 10-të të kësaj serie, i ftuar ishte Isuf Zejna i cili ligjëroi rreth korrupsionit në prokurimin publik.

Raportimi i korrupsionit dhe mediat

Prishtinë, 12 gusht 2021 – Është mbajtur ligjërata e 9-të në ciklin e ligjëratave mbi dispozitat ligjore dhe luftën kundër korrupsion. Muhamet Hajrullahu, nga telegrafi ligjëroi mbi raportimin e korrupsionit dhe mediat, duke shpjeguar më tutje vështirësitë e gazetarëve në raportimet e tyre.

 

Korrupsioni në sistemin shëndetësor

Prishtinë, 9 gusht 2021 – Saranda Ramaj, gazetare në Koha Ditore ishte ligjëruesja e 8-të në serinë e ligjëratave mbi dispozitat ligjore dhe luftën kundër korrupsion.
Temë diskutimi ishte korrupsioni në sistemin e shëndetësisë.

Studentët e fakultetit Juridik, vitituan Prokuroritë Themelore në Pejë dhe Gjakovë

Pejë/Gjakovë – 7 gusht 2021 – FOL ka organizuar vizitat e studentëve të fakultetit Juridik, në Prokurorinë Themelore në Pejë dhe Gjakovë.
Studentët kishin mundësinë që përmes vizitave të njoftoheshin nga afër me punën e Kryeprokurorëve dhe prokurorëve të Pejës dhe Gjakovës.

FOL ka pritur në takim ambasadoren e Mbretërisë së Holandës, Carin Lobbezo

Prishtinë, 3 gusht 2021 – Lëvizja FOL ka pritur të martën, në vizitë Ambasadoren e Mbretërisë së Holandës në Prishtinë, znj. Carin Lobbezoo dhe përfaqësuesen e ambasadës, znj. Venera Ramaj, zyrtare e lartë për sundimin e ligjit. Gjatë këtij takimi është diskutuar për transparencën dhe llogaridhënien e Institucioneve të Kosovës, monitorimin e planit vjetor të punës së qeverisë, reforma në administratën publike, sundimi i ligjit në Republikën e Kosovës, procesi i Vettingut, bashkëpunimin mes institucioneve dhe organizatave të shoqërisë civile në Kosovë.

Shkrimi Kreativ dhe analiza e politikave publike

Lëvizja FOL, Qendra e Debatit, dhe Internews Kosova, në kuadër të “Sektori i Drejtësisë në Kosovë – përgjegjës, i besueshëm dhe transparent” kanë mbajtur trajnimin “Shkrimi kreativ dhe Analiza Politike Publike”. Gjatë trajnimit, pjesëmarrësve iu dha mundësia të kuptojnë më lehtë proceset teknike dhe institucionale që lidhen me procesin e propozimit dhe zbatimit të politikave publike. Ardi Shatri, përveç punës praktike në grup; ligjëratë rreth; (1) analiza në lidhje me situatën aktuale, (2) identifikimi i problemit, (3) analiza SWOT dhe CBA, (4) teknika të analizës së politikave ekonomike, (5) situata kundër-faktike dhe (6) vlerësim.

Pjesëmarrësit do të angazhohen në krijimin e analizave të ndryshme të politikave publike, të cilat do t’i ndajmë me ju shumë shpejt.

Ky trajnim u zhvillua nga Lëvizja FOL, Debate Center dhe Internews Kosovo në kuadër të “Sektorit të Drejtësisë në Kosovë – përgjegjës, i besueshëm dhe transparent”.

Studentët e fakultetit Juridik kanë vizituar Prokurorinë Themelore të Prizrenit

Prizren, 29 korrik 2021 – Lëvizja FOL në kuadër të vizitave në Prokuroritë Themelore të Kosovës sot ka mbajtur takimin e radhës në Prizren, me studentët e fakultetit juridik nga ky qytet.
Studentët patën mundësinë të njihen nga afër me punën Prokurorisë Themelore të Prizrenit , si dhe rolin e kryeprokurorit të kësaj prokurorie – Admir Shala.

Reagim i shoqërisë civile ndaj kërkesës për konfidencialitet nga Komisioni ad hoc për përzgjedhjen e anëtarit të Bordit për Ankesa të Mediave

Prishtinë, 27 korrik 2021 – Komisioni ad-hoc i Kuvendit të Kosovës për përzgjedhjen e anëtarit të Bordit për Ankesa të Mediave, ka kërkuar në takimin e djeshëm nga përfaqësuesit e shoqërisë civile, të cilët janë duke vëzhguar procesin e përzgjedhjes së një anëtari të këtij Bordi, që të nënshkruajnë një Marrëveshje për Konfidencialitet (shih shtojcen 1).

Ne, organizatat e poshtshënuara të shoqërisë civile dhe aktivistët, kundërshtojmë fuqishëm iniciativën e deputetëve përmes së cilës tentohet që të heshtet shoqëria civile dhe t’i mbyllet goja aktivistëve. Kufizimet e përcaktuara me këtë Marrëveshje për Konfidencialitet janë të kundërligjshme, e cënojnë rëndë të drejtën e informimit të publikut dhe e pamundësojnë punën e shoqërisë civile.

Marrëveshja për Konfidencialitet përcakton, mes tjerash, që përfaqësuesit e shoqërisë civile nuk mund të diskutojnë hapur apo të publikojnë materiale lidhur me kandidatët si dhe ecurinë e procesit gjatë kohëzgjatjes së këtij procesi (si dhe përmban kufizime të theksuara që do të vlenin pasi procesi të përfundojë).

Megjithëse çmojmë nevojën e ruajtjes së integritetit të procesit, Marrëveshja për Konfidencialitet është e kundërligjshme. Ligji Nr. 04/L-44 për Komisionin e Pavarur të Mediave përcakton që “[a]nëtarët e Bordit për Ankesa emërohen nga Kuvendi i Kosovës në bazë të procedurave të hapura dhe transparente” (neni 38(1)). Kjo dispozitë pamundëson tendencat e dëmshme të Komisionit ad hoc që procedurat e përzgjedhjes së anëtarëve të mbyllen përmes marrëveshjeve për konfidencialitet. Kushtëzimi i pjesëmarrjes së përfaqësuesve të shoqërisë civile në procesin e përzgjedhjes me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje cenon kërkesën ligjore që procedura të jetë e hapur dhe transparente, duke ua pamundësuar përfaqësuesve të shoqërisë civile që të shprehen lirshëm lidhur me gjetjet eventuale.

Tutje, misioni i organizatave joqeveritare dhe aktivistëve është që të monitorojnë punën e autoriteteve publike, të informojnë publikun për të gjeturat e monitorimit dhe të kërkojnë llogari nga politikanët dhe njerëzit e veshur me pushtet për veprimet e tyre. Duke i detyruar organizatat dhe aktivistët që të nënshkruajnë marrëveshje të tilla të kundërligjshme, Kuvendi do t’ua pamundësojë punën e organizatave dhe do ta privojë publikun nga e drejta për t’u informuar. Si e tillё, kjo kёrkesё i pamundёson organizatave tё shoqёrisё civile qё tё kryejnё njёrin prej funksioneve bazё tё misionit tё tyre, atё tё monitorimit tё punёs sё institucioneve publike dhe informimt tё vazhdueshёm tё publikut.

Kuvendi i Kosovës është në procedurë të përzgjedhjes së anëtarit të Bordit të Ankesave të Mediave të Komisionit të Pavarur për Media (KPM). Përzgjedhja do të bëhet nga komisioni ad-hoc i Kuvendit të Kosovës për përzgjedhjen e anëtarit të Bordit për Ankesa të Mediave të përbërë nga: Mërgim Lushtaku dhe Floretë Zejnullahu (Partia Demokrative e Kosovës) dhe anëtarët Valon

Ramadani, Doarsa Kica Xhelili, Njazi Isaku, Fitim Haziri dhe Besim Muzaqi (Lëvizja Vetëvendosje), Agim Veliu (Lidhja e Demokratike e Kosovës), Time Kadriaj (Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës), Igor Simic (Lista Serbe) dhe Samra Iljazi (Grupi Multietnik). Marrëveshja e kundërligjshme është propozuar dhe dërguar për nënshkrim në email të disa organizatave pas takimit të parë të komisionit ad-hoc të mbajtur më 26 korrik 2021. Marrëveshja është propozuar nga kryesuesi i komisionit ad-hoc Mërgim Lushtaku dhe nuk është kundërshtuar nga asnjë nga deputetët e tjerë të Komisionit Ad-Hoc që ishin prezentë.

Ne kërkojmë që deputetët e lartëpërmendur të Komisionit ad hoc të Kuvendit të Kosovës për përzgjedhjen e anëtarit të Bordit për Ankesa të Mediave të tërhiqen nga kjo iniciativë dhe të lejojnë organizatat e shoqërisë civile dhe aktivistët që të monitorojnë lirshëm.

Organizatat dhe aktivistët nënshkrues:

1. AMPEK

2. Ardita Metaj Dika

3. Center for Education and Training Prizren

4. D+

5. Flutura Kusari

6. Fondacioni Kosovar pёr Shoqёri Civile (KCSF)

7. GERMIN

8. GLPS

9. GAP

10. KDI

11. QPA

12. PIPS

13. Instituti EPIK

14. Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD)

15. Klubi Alpin Prishtina

16. Lëvizja FOL

17. OJQ “VISION 02”

18. Rrjeti i OJQ-ve, Demokracia Fillon Këtu (DFK)

19. YIHR KS

Shtojca 1

Republika e Kosovës

Republika Kosovo-Republic of Kosovo

Kuvendi – Skupština – Assembly

____________________________________________________________________________

Komisioni ad-hoc për përzgjedhjen e anëtarëve të Bordit për Ankesa të Mediave

Marrëveshje për Konfidencialitet

Kjo Marrëveshje për Konfidencialitet është një dokument i auditueshëm i cili përcakton zotimin e secilit individ për t’u sjellë me integritet në përfshirjen e tyre në procesin e emërimeve.

Marrëveshje për Konfidencialitet

Si vëzhgues i pavarur, përfaqësues i shoqërisë civile, zotohem që do të:

· Ruaj konfidencialitetin e kandidatit duke:

o Mos diskutuar performancën e aplikantit ose kandidatit me askënd jashtë Komisionit ose ekipit të përcaktuar të ekipit.

o Mos ndarë (përveç atyre që janë drejtpërdrejt të përfshirë në procesin e përzgjedhjes) informatat e marra lidhur me kandidatët gjatë asnjë pjese të procesit të emërimeve.

· Ruaj konfidencialitetin dhe integritetin e procesit duke:

o Mos ndarë (përcjellur) asnjë material vlerësimi të marrë si pjesë e procesit të emërimeve.

o Diskutuar çdo pikëpamje ose shqetësim lidhur me procesin e emërimeve me Kryesuesin e Komisionit në radhë të parë.

o Mos publikuar asnjë raport derisa procesi i emërimeve të përmbyllet plotësisht (duke përjashtuar raportet zyrtare që kërkohen si pjesë e vetë procesit të emërimeve) përveç nëse ka leje ekspres për të vepruar një gjë të tillë, nga Kryesuesi i Komisionit.

o Mos dhënë komente ose intervista për shtypin ose mediat deri sa të përfundojë procesi dhe rezultatet të publikohen zyrtarisht, përveç nëse ka leje ekspres për të vepruar një gjë të tillë, nga Kryesuesi i Komisionit– nëse e bën këtë pas përfundimit të procesit, atëherë ta bëjë pa përmendur emra ose folur për performancën e aplikantëve/kandidatëve individual, dhe ta informojë Kryesuesin e Komisionit që ka kontaktuar shtypin.

· Shpalosë çdo konflikt interesi që është relevant për procesin e emërimeve.

· Shpalosë çdo konflikt interesi me ndonjë aplikant ose kandidat në kuadër të procesit të emërimeve.

· Ngritur me Kryesuesin e Komisionit, çdo shqetësim rreth integritetit në sjelljen dhe performancën e tjerëve gjatë zhvillimit të procesit të emërimeve.

· Theksuar Kryesuesit të Komisionit, çdo çështje apo shqetësim tjetër i cili mund të rrezikojë integritetin e procesit të emërimeve.

Emri:……………………………………………………………………… Procesi:Anëtarët e Bordit për Ankesa të Media

Nënshkrimi:…………………………………………………………… Data:26.07.2021

Studentët e fakultetit Juridik kanë vizituar dy Prokuroritë Themelore në vend, atë të Gjilanit dhe Ferizajt

Ferizaj, 23 korrik 2021 – Lëvizja FOL, Debate Center dhe Internews Kosova në kuadër të projektit “Sektori i drejtësisë në Kosovë – i përgjegjshëm, i besueshëm dhe transparent” kanë vazhduar vizitat në Prokuroritë Themelore të Kosovës, në të cilat përveç vizitës së institucionit, do mbahet edhe takim me Kryeprokurorët e këtyre prokurorive.

Qëllimi i këtyre takimeve është njoftimi nga afër i studentëve me funksionin, efikasitetin dhe kompetencat e këtyre institucioneve.

Në kuadër të këtyre vizitave FOL ka mbajtur takime me dy Prokuroritë Themelore në vend, atë të Gjilanit 22 korrik 2021 dhe Ferizajit 23 korrik 2021.

Gjatë këtyre vizitave studentët  patën mundësinë të bashkëbisedojnë me kryeprokurorët z. Arben Kadriu nga Prokuroria Themelore Gjilan dhe z. Shukri Jashari nga Prokuroria Themelore Ferizaj.

FOL do të realizoj takime të tilla dhe në Prokuroritë e Prizrenit, Pejës, Gjakovës dhe Mitrovicës.

Për të marrë pjesë në vizitat e radhës ju lutem plotësoni linkun më poshtë; https://docs.google.com/…/14UAAE0GJfzcRHOZIBgLYbdl…/edit.

FOL ka mbajtur sesionin informues rreth Portalit Prokurimi i Hapur dhe Transparent

Prishtinë, 09 korrik 2021 – FOL ka mbajtur sesionin informues për gazetarët e Telegrafi.com për Portalin Prokurimi i Hapur dhe Transparent, si platformë e kontratave të hapura të prokurimit. Në këtë sesion gazetarët u informuan për të dhënat që i ofron portali në lidhje me kontratat publike, si dhe për modulet e reja që tashmë janë pjesë e këtij portali, hartëzimi dhe rrjetëzimi. Po ashtu, nga Democracy Plus u prezantua faqja e Flamujt e Kuq në prokurim, e cila është e inkuadruar në Portalin Prokurimi i Hapur dhe Transparent. Flamujt e kuq synon të parandalojë keq menaxhimin dhe korrupsionin në prokurim publik.

Raporti mbi kontratat publike te bizneseve te reja gjate vitit 2019 dhe 2020

Sa e rrezikon sigurinë në vend korrupsioni

Prishtinë, 08 korrik 2021 – Lëvizja FOL ka mbajtur ligjëratën e pestë në serinë e ligjëratave mbi dispozitat ligjore dhe luftën kundër korrupsionit, ku të ftuar kishim Skender S. Perteshi nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë. Përgjatë kësaj ligjërate, z. Perteshi ligjëroi rreth rrezikshmërisë së sigurisë në vend nga korrupsioni, të metave në sistemin e drejtësisë sa i përket sigurisë, dhe rrugëtimin e Kosovës drejt anëtarësimit në organizatat rajonale dhe ndërkombëtare të sigurisë.