Asdren Gjikolli (Gjiko) të tërheqë padinë SLAPP kundër gazetarëve të “FrontOnline”

Prishtinë, 20 prill 2022 – Ne, organizatat dhe aktivistët e poshtëshënuar shprehim shqetësimin tonë në lidhje me padinë për shpifje dhe kërkesat për masa të përkohshme të ushtruar nga këngëtari Asdren Gjikolli (Gjiko) kundër gazetarëve të medias online “FrontOnline”. Kërkojmë nga Asdren Gjikolli që menjëherë ta tërheqë padinë dhe të zbrapset nga përpjekjet për t’i frikësuar gazetarët dhe për ta penguar raportimin për akuzat ndaj tij.

Më 23 mars 2022, media online “FrontOnline” informoi publikun që Asdren Gjikolli akuzohet nga Prokuroria Themelore në Prishtinë për dhunimin e një të miture. Aktakuza është ngritur më 3 prill 2017 ndërsa gjykimi i tij dhe tre personave të tjerë të përfshirë në aktakuzë është duke vijuar.[1] Pas raportimit, i akuzuari Gjikolli ka reaguar ndaj raportimit duke paralajmëruar padi ndaj mediave dhe duke i quajtur raportimet si të pavërteta dhe të sajuara.

Gazetarët Lavdim Hamidi dhe Enis Veliu, duke ushtruar të drejtën e tyre të përgjigjes ndaj akuzave publike, kanë komentuar në llogaritë e tyre në Facebook reagimin e Asdren Gjikollit (shih postimet e tyre më poshtë). Ata poashtu kanë kritikuar sistemin gjyqësor për vonesat në trajtimin e këtij rasti.

Më 31 mars 2022, Gjikolli, përmes avokaturës “Kërveshi & Partners” ka ushtruar padi për shpifje kundër Lavdim Hamidit, kërkesë për masë të përkohshme për largimin e statusit në Facebook që flet për akuzën e Prokurorisë, si dhe ka kërkuar dëmshpërblim prej 5.100 euro. Ai poashtu ka kërkuar nga Enis Veliu largimin e statusit nga Facebook lidhur me procesin gjyqësor që po zhvillohet ndaj tij.

Ne konsiderojmë që padia e shoqëruar me kërkesat për masa të përkohshme është Padi Strategjike Kundër Pjesëmarrjes Publike (padi SLAPP) dhe si e tillë nuk ka gjasa që të ketë sukses në gjykatë. Kjo padi ka për qëllim që të pengojë raportimin e akuzave për dhunim që rëndojnë mbi Gjikollin duke i zvarritur gazetarët nëpër gjykata dhe duke ju shkaktuar kosto financiare dhe shqetësim. Përpos kësaj, me padi synohet të dekurajohen edhe gazetarët tjerë nga raportimi lidhur me procesin gjyqësor që po zhvillohet ndaj Gjikollit.

Raportimi i “FrontOnline” bazohet në fakte, përkatësisht në aktakuzën e ngritur nga prokuroria. Statusi i postuar në “Facebook” është përgjigje ndaj akuzave të pabaza të bëra nga i padituri në “Instagram”. Ai përmban edhe opinion i cili është bazuar në fakte, përkatësisht në aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Themelore e Prishtinës në vitin 2017. Opinioni është publikuar në kontekst të një diskutimi të madh publik për dhunën ndaj grave dhe vajzave në Kosovë dhe mos efikasitetin e gjykatave në trajtimin e rasteve të dhunës me bazë gjinore, me theks të veçantë dhunës seksuale ndaj vajzave dhe grave. Subjekti i diskutimit është një këngëtar i famshëm i cili ka për obligim që të tolerojë diskutimin publik të akuzave ndaj tij sepse përbëjnë temë me interes publik.

Ne do të regjistrojmë këto padi në platformat ndërkombëtare për dokumentimin e padive SLAPP, do t’a monitorojmë nga afër procesin gjyqësor dhe nëse z. Gjikolli nuk e tërheqë padinë, ne kemi besim të plotë që Gjykata Themelore e Prishtinës do të trajtojë lëndët në pajtim me Kushtetutën e Kosovës dhe standardet e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Ndërsa, nga Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për të Mitur, kërkojmë që gjykimin lidhur me aktakuzën për dhunim të ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë t’a përfundoj pa vonesë dhe të sigurohet që mos-prania e të akuzuarve të mos jetë shkak për zvarritjen e procesit.

29 mars 2022, Lavdim Hamidi në Facebook “Aktakuza kundër këngëtarit Gjiko është e tmerrshme! Çfarë shkruan aty e mos me shku asnjë ditë në burg vetëm në Kosovë ndodhë. Janë 6 vepra penale me një dokument disa faqësh. Edhe më keq, shkon i paguan avokatët me u bo padi medieve. Unë nuk po mundem me lexu se çka shkruan aty, se çka kanë bërë me një vajzë të mitur! Megjithatë faktet do të prezantohen në gjykatë.

[1] 29 mars 2022, Enis Veliu në Facebook “Aktakuza kundër këngëtarit Gjiko është e kompletuar për krimet që ka bërë ai. Prokurorja Sebahate Hoxha me aktakuzën 7 faqe me plot dëshmi e ka bërë punën e vetë, por jo edhe Gjykata. Me vite lënda flenë në sirtarë. Në seancë herë mungon i akuzuari, herë gjykatësi e herë avokati, me rëndësi seanca nuk mbahet. Sikur ndonjë qytetarë tjetër t’i kish konsumu plotë 6 vepra, edhe atë me video dëshmi, së paku 6 vite burg i kish majtë e ky tipi as 6 orë nuk ka qëndruar prapa grillave. Edhe më keq shkon i paguan avokatët me u bo padi medieve. Unë nuk po mundem me lexu se çka shkruan aty, se çka kanë bërë me një vajzë të mitur! Megjithatë faktet do të prezantohen në Gjykatë.”

1. Statusi i Lavdim Hamidit
2. Statusi i Enis Veliut

_______________________________________________________________________________________________________________

[1] Reperi Gjiko të premten del para Gjykatës, akuzohet për dhunim (Dokument), https://frontonline.net/reperi-gjiko-te-premten-del-para-gjykates-akuzohet-per-dhunim-dokument/?fbclid=IëAR3u5D6piiSrDJ78R47këNSOZOUPrZVPAf0aCpLiJvaSO-2lR2HXN0JO1vY

 

Organizatat dhe aktivistët nënshkrues të kësaj letre:

LËVIZJA FOL

KCSF

ARDIAN NRECAJ

FLUTURA KUSARI

RINA KIKA

SHPRESA LOSHAJ

QENDRA PER POLITIKA DHE AVOKIM (QPA)

AGK

KMDLNJ

YIHR KS

CSGD

PIPS

SYRI I VIZIONIT

FIQ

KOSID

EC Ma NDRYSHE

QIKA

INDEP

GAP

KDAC

KRCT

CSGD

LIRIDONA SIJARINA

GRESA RRAHMANI

OPMDK

SUPPORT GROUPS KOSOVA

JETA BERISHA

QENDRA PER INFORMIM DHE PERMIRESIM

PROGRAMI PER STUDIME DHE HULUMTIME GJINORE NGA UP

OJQ SIT

QKSGJ

CEL KOSOVA

TRINGA KASEMI

ELI KRASNIQI

BALKAN FORUM

RRJETI I GRAVE TE KOSOVES

ERBLIN AJDINI

COLUMBUS

ZANA AVDIU

Ky aktivitet është mbështetur nga Rockefeller Brothers Fund.

Gjykata e Apelit me 952 aktgjykime të publikuara për muajin mars 2022

Prishtinë, 18 prill 2022  – Lëvizja FOL ka vazhduar me monitorimin e publikimit të aktgjykimeve nga të gjitha gjykatat e Kosovës në ueb-portalin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Gjatë muajit mars 2022, gjykatat në ueb-portal të Këshillit Gjyqësor të Kosovës kanë publikuar 2898 aktgjykime, mirëpo në databazën e Lëvizjes FOL janë larguar 11 aktgjykime për arsye që disa nga to kanë qenë aktgjykime të publikuara nga dy herë si dhe disa kanë qenë aktvendime për çështje familjare. Gjykata me numrin më të madh të aktgjykimeve të publikuara për muajin mars është Gjykata e Apelit me 952 aktgjykime. Më poshtë mund të shihni infografikat për secilën gjykatë si dhe degë. Poashtu mund të shihni edhe numrin e aktgjykimeve të publikuara sipas natyrës penale, civile, administrative si dhe ekonomike.

IKD, GLPS dhe FOL: Propozimi i Këshillit Prokurorial për emërim të Kryeprokurorit të ri të Shtetit, i papranueshëm

Të mërkurën, më 6 prill 2022, Këshilli Prokurorial i Kosovës votoi unanimisht që Blerim Isufaj të jetë Kryeprokurori i ri i Shtetit. Propozimi i Këshillit Prokurorial do të dërgohet tek Presidentja e vendit, për të vendosur përfundimisht lidhur me emërimin.
Ky propozim për emërim të Blerim Isufajt si Kryeprokuror i Shtetit bëhet nga Këshilli Prokurorial megjithëse organizatat kyçe të vendit që merren me monitorimin e sistemit të drejtësisë, kishin tërhequr vërejtjen se procesi i përzgjedhjes së Kryeprokurorit të ri të Shtetit kishte një varg mangësish të cilat cenonin integritetin e procesit. Kështu, organizatat e sipërshënuara Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Lëvizja FOL, më 24 mars 2022 publikuan Raportin “Integriteti i procesit të përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit: Raport i monitorimit dhe vlerësimit të procesit të përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit.”

Në këtë Raport, IKD, GLPS dhe FOL (tutje: Koalicioni) tërhiqnin vërejtjen që Paneli Vlerësues kishte vlerësuar kandidatët në mënyrë qartazi të pabazuar, duke cenuar meritokracinë e procesit. Ta zëmë, z. Isufaj, i cili u propozua për Kryeprokuror të ri, ishte vlerësuar me 98 nga gjithsej 100 pikë, megjithëse koncept-dokumenti i tij dhe intervista pranë Komisionit kishin mangësi të mëdha në aspektin profesional, që vëreheshin lehtësisht. Njëherit, kandidatët ishin trajtuar në mënyrë të pabarabartë nga Komisioni dhe, krahas kësaj, defektet e caktuara procedurale kishin dështuar të siguronin një vlerësim të mirëfilltë dhe adekuat të kandidatëve. KPK ka dështuar që gjatë procesit të intervistimit të kandidatëve për Kryeprokuror të Shtetit të sqarojë dhe sigurojë se kandidati për Kryeprokuror të Shtetit ka integritet të pakontestuar dhe që i përshtatet pozitës së Kryeprokurorit të Shtetit. Si rrjedhojë, Koalicioni rekomandonte që i tërë procesi i përzgjedhjes dhe emërimit të Kryeprokurorit të ri të Shtetit të anulohej dhe të përsëritej, ashtu që të evitoheshin shkeljet procedurale dhe defektet e evidentuara.

Me gjithë vërejtjet dhe kritikat objektive të bëra, është brengosëse që Këshilli Prokurorial ka propozuar për emërim z. Isufajn, në mënyrë unanime. Është për t’u habitur se si të paktën një anëtar i Këshillit nuk është bindur nga analiza e dhënë përmes monitorimit objektiv të procesit. Një veprim i tillë i Këshillit vetëm sa reflekton edhe më tutje faktin që Këshilli Prokurorial qeveriset me mendësi korporatiste, pa objektivitet në vendimmarrje, ashtu siç kishte tërhequr vërejtjen për një rrezik të tillë edhe Komisioni i Venecias në opinionin për Kosovën CDL-AD(2021)051.

Propozimi i Këshillit Prokurorial për emërim do të dërgohet tek Presidentja e vendit për dekretim përfundimtar, me të cilin z. Isufaj do të emërohej Kryeprokurori i ri i Shtetit, me mandat shtatëvjeçar. Koalicioni i bën thirrje Presidentes që, në kuptim të mandatit të saj kushtetues për të garantuar funksionimin demokratik të institucioneve, të garantojë integritetin e procesit të përzgjedhjes së Kryeprokurorit ashtu që mangësitë e theksuara objektive të këtij procesi t’i marrë parasysh në vlerësimin e saj për emërim.

Nga Vlerësimi i Transparencës së Prokurimit Publik Kosova ka marrë gjithsej 83.36 %, duke u renditur në vendin e 4 (katërt) nga 42 vende të botës

Lëvizja FOL, me mbështetjen e Open Contracting Partnership, ka bërë prezentimin e “Indeksit të Vlerësimit të Transparencës së Prokurimit Publik (TPPR) për Kosovën”.

Në mars të vitit 2022, Kosova iu bashkua Vlerësimit të Transparencës së Prokurimit Publik (TPPR) si vendi i 42-të që do të vlerësohet në kuadër të iniciativës ndërkombëtare të Institute for Development of Freedom of Information (IDFI), organizatë e shoqërisë civile me bazë në Gjeorgji. Ky vlerësim është bërë përmes një metodologjie universale për vlerësimin e legjislacionit të prokurimit publik me qëllimin përfundimtar për të identifikuar pikat e forta dhe të dobëta të kornizave ligjore dhe zbatimin e tyre në mbarë globin. Ky vlerësim nuk përfshin aspektin e implementimit të Kornizës Ligjore në praktikë në lidhje me Prokurimin Publik

Carolis Granickas nga “Open Contracting Partnership” fillimisht tha se tri hapat që synojmë t’i përfshijmë është publikimi i të dhënave, përfshirjen e akterëve në procesin e prokurimit dhe hapi i tretë është është të pëmirësojmë politikat e prokurimit. “Nëse e shohim Kosovën që nga viti 2016, vendi ka bërë përparim të madh në këtë aspekt dhe ne më në fund kemi më shumë të dhëna publike publike sesa kemi pasur më parë, dhe Kosova prinë përpara shumë shteteve në botë. Një nga problemet e mëdha nuk është vetëm prokurimi por forcimi i publikimit të të dhënave dhe fuqizimi i shoqërisë civile që i monitoron këto të dhëna. Nga ajo që ne e shohim në Kosovë është se Shoqëria Civile e ka një agjendë dhe mekanizëm të përbashkët për të avancuar këto procese. Kur është fjala tek agjenda e përbashkët TPPR ky indeks është shumë i rëndësishëm dhe ofrues i përmbajtjes së çfarë ka nevojë të ndryshohet, e këto ndryshime dhe avancime duhet të bëhen me veprime të përbashkëta” ka përfunduar Granickas.

Sipas indeksit të prezantuar, Kosova është kategorizuar në grupin e parë, me përqindjen 75-100% dhe është vendi i 4 (katërt) në renditje që ka dalë në bazë të këtij vlerësimi, ku kanë marrë pjesë 42 shtete. Metodologjia që është përdorur ka pasur 64 tregues të cilat në vete kanë pasur komponente të zbërthyera dhe secila është vlerësuar me maksimum 1 pikë.

Metodologjitë e përdorura për këtë vlerësim janë: Metodologjia dhe Standardi i BERZH-it; Standardi GPA (OBT); Metodologjia dhe Parimet e OECD; Standardi i BE-së (Direktiva 2014/24/EU) dhe Standardi i të Dhënave të Hapura të Kontraktimit (OCSD). Periudha të cilën e mbulon ky vlerësim është 2018 -2021.

Metodologjia e këtij vlerësimi është ndarë në këta 5 grupe që përfaqësojnë karakteristikat kryesore të një sistemi të Prokurimit Publik: Uniformiteti i Kornizës legjislative; Efikasiteti; Transparenca, Llogaridhënia dhe Integriteti; Konkurrueshmëria dhe Paanshmëria. Nga këto 5 grupe, performancë më të dobët Kosova ka treguar në Transparencë, përkatësisht 59.17 %, ndërsa në Uniformitet të Kornizës Ligjore ka arritur 88.93%, në llogaridhënie dhe Integritet 85.71 % dhe në Konkurrueshmëri dhe Paanshmëri 95.00%, ndërsa perfomancën më të lartë e ka arritur në efikasitet, përkatësisht 97.50%.

Nga vlerësimi total i indeksit të performancës Kosova ka marrë gjithsej 83.36 %, duke u renditur, pra, në vendin e 4 (katërt).

Sa i përket vlerësimi të fazave të procesit të tendermit, në Fazën e Para-Tenderimit Kosova ka marrë një vlerësim prej 80.56%, në Fazën e Tenderimit 85.29%, në Fazën e Pas-Tenderimit 74.23% si dhe në Karakteristikat e përgjithshme 84.75%.

Raport mbi Monitorimin e Proceseve të Përzgjedhjes së Kandidatëve për Pozita Publike

Raporti mbi Monitorimin e Përzgjedhjes së Kandidatëve për Pozita Publike

Prishtinë, 30 mars 2022 – Lëvizja FOL me mbështetjen e Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS), sot ka publikuar “Raportin mbi Monitorimin e Përzgjedhjes së Kandidatëve për Pozita Publike”, i cili ngërthen gjetjet nga monitorimi i disa proceseve rekrutuese, qëllimi i të cilit është ndjekja e mbarëvajtjes dhe zhvillimit të procedurave parlamentare dhe të proceseve të institucioneve të tjera, duke ndikuar në ngritjen e llogaridhënies dhe transparencës së këtyre proceseve.

Përzgjedhja e personave meritor dhe kompetent në institucionet publike, duke u bazuar në parimet e transparencës, llogaridhënies dhe barazisë së kandidatëve, padyshim se do të ndikoj në ngritjen e performancës dhe kredibilitetit të institucioneve publike përkatëse.

Përkatësisht, ky raport përfshirë gjetjet nga monitorimi i procesit të përzgjedhjes së Drejtorit të Agjencisë kundër Korrupsion, i tre (3) anëtarëve të Komisionit të Pavarur për Media, i dy (2) anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, si dhe gjetjet nga monitorimi i procesit të përzgjedhjes së Drejtorit të Përgjithshëm të Radio Televizionit të Kosovës.

Për më shumë detaje, shfletoni raportin duke klikuar këtu: .

Shkolla për Përfshirje Sociale

Sllatinë e madhe, 24/27 – Lëvizja FOL me mbështetjen e UNMIK Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë gjatë katër ditëve (24/27) ka mbajtur Shkollën për Përfshirjen Sociale me të rinjtë nga komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian. Të rinjtë në ditën e parë patën mundësi që të njoftohen me njëri tjetrin përmes lojërave për socializim dhe punë në ekip, si dhe përmes aktiviteteve për zgjidhjen e problemeve të udhëhequr nga trajnerët Erblin Hoxha dhe Ardi Kaito Shatri.

Poashtu, gjatë ditës së pare pjesëmarrësit dëgjuan nga Megi Demolli-Nimani ligjëratën e parë të titulluar “Institucionet shtetërore, Kuvendi, Qeveria dhe Komunat” ku specifikisht kanë kuptuar funksionin e shtetit, qeverisë (zgjedhjeve, detyrave dhe përbërjes) si dhe Presidentit/Kryeministrit si dhe rolin e tyre brenda komuniteteve lokale.

Gjatë ditës së dytë, vazhdoi ligjërata e Megi Demolli-Nimani me titull “Institucionet shtetërore, Kuvendi, Qeveria dhe Komunat” ku kryesisht u diskutua funksioni i komunave dhe se si kërkesat dhe angazhimi i pjesëmarrësve mund ta ndryshojnë jetën në komunitete.

Poashtu, pjësëmarrësit patën mundësinë të dëgjojnë ligjëratën “Sistemi i Drejtësisë në Kosovë” e udhëhequr nga Albana N. Hasani dhe Erëza Havolli. Gjatë këtij diskutimi, të rinjtë mësuan specifikisht për funksionin e Gjykatës Kushtetuese dhe të drejtat e garantuara me Kushtetutë, rolin dhe detyrat e Sistemit Gjyqësor dhe të Policisë.

Dita e tretë ishte e fokusuar në zhvillimin e aftësive të buta dhe mendimit kritik. Trajnerët Erblin Hoxha dhe Ardi Shatri, diskutuan rëndësinë e CV-së dhe Letrës Motivuese, si dhe integrimin në tregun e punës. Më tej, të rinjtë përmes aktiviteteve të ndryshme u trajnuan në përgaditjen e argumenteve dhe paraqitjen publike.

Dita e fundit e Shkollës për Përfshirje Sociale me të rinjtë u përfundua me një simulin të një procesi gjyqësor, ku përmes udhëheqëseve Albana N. Hasani dhe Erëza Havolli ata patën mundësinë të zgjerojnë njohuritë e tyre praktike në lidhje me sistemin gjyqësor.

Përveç kësaj, këta të rinjë patën mundësi të merren edhe me aktivitete të tjera socializuese, me ç`rast u shënua edhe mbyllja e suksesshme e “Shkollës për Përfshirje Sociale”, si aktiviteti i parë i këtij projekti.

This Confidence Building Project is funded by UNMIK – United Nations Mission in Kosovo.

Koalicioni i OJQ-ve rekomandon të anulohet procesi i përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit dhe të shpallet konkurs i ri

Organizatat Jo-Qeveritare Instituti i Kosovës për Drejtësi, Grupi për Studime Juridike dhe Politike dhe Lëvizja FOL (Tutje: Koalicioni), organizuan sot Konferencën për Media për prezantimin e raportit me titull: “Integriteti i procesit të përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit (Raport i monitorimit dhe vlerësmit të procesit të përzgjedhjes së Kryeprokurporit të Shtetit)”.

Koalicioni, monitorimin dhe vlerësimin në fjalë e ka bazuar në katër shtylla: 1) Vlerësimi i strukturës së procesit për përzgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit; 2) Analizimin e Koncept Dokumenteve të kandidatëve; 3) Monitorimin e intervistave; dhe 4) Qasjen e panelit vlerësues ndaj kandidatëve.

Koalicioni ka vlerësuar lartë faktin se për dallim nga rastet e kaluara, KPK ka treguar një shkallë të lartë të transparencës përkitazi me këtë proces ku ka publikuar të gjitha Koncept Dokumentet e kandidatëve, ka lejuar monitorimin direkt të intervistave si dhe ka transmetuar intervistat në televizionin publik. Kjo ka mundësuar që koalicioni të bëjë një vlerësim objektiv dhe gjithëpërfshirës të gjithë procesit.

Koalicioni ka vlerësuar që paneli vlerësues përgjatë këtij procesi nuk arrin që kriteret e përcaktuara me kornizen ligjore t`i zbatoj në praktikë, përmbushja e të cilave përveç që është obligim ligjor, të njëjtat supozohet që të sigurojnë meritokraci në fund të procesit.

Koalicioni vlerëson se paneli intervistues ka dështuar në një vlerësim objektiv dhe gjithëpërfshirës  të kandidatëve ndërsa në anën tjetër kandidatët nuk kanë demonstruar njohuri, aftësi dhe shkathtësi për udhëhequr për një pozitë siç është pozita e Kryeprokurorit të Shtetit duke e bërë të pavlefshëm të procesit.

Koalicioni gjatë monitorimit dhe vlerësimit të procesit ka vërejtur se jo të gjithë kandidatët janë trajtuar në mënyrë të barabartë, ku për disa kandidatë Paneli Vlerësues ka pasur një qasje të privilegjuar e cila qartazi është vërejtur në publik.

Paneli intervistues nuk ka ndërtuar një intervistë të strukturuar. Kjo më së miri vërehet që disa nga kandidatët pyeten me pyetje shtesë, për dallim nga kandidatët e tjerë. Sikurse, ka pasur pyetje të cilat i janë parashtruar vetëm një kandidati dhe jo edhe kandidatëve të tjerë. Për disa kandidat, i tërë procesi i intervistimit është zhvilluar vetëm në raport me Koncept Dokumentin e dorëzuar, por jo edhe duke bërë pyetje të cilat vërtetojnë zotësitë dhe shkathtësitë e kërkuara, si pjesë e intervistës.

Lidhur me integritetin e kandidatëve, paneli vlerësues ka parashtruar pyetje të përgjithshme për secilin kandidat, duke e lënë në diskrecionin e kandidatit për të vlerësuar rastet të cilat ai konsideron se cënojnë integritetin e tij. Nga të gjithë kandidatët, vetëm kandidatit z. Armend Hamiti i bëhen dy (2) nënpyetje shtesë lidhur me rastin e publikuar nga mediat, dy (2) ditë para intervistës.

Në rastin e z. Isufaj, Paneli Vlerësues nuk bënë asnjë nënpyetje lidhur me mbylljen e rastit për deklarim të rremë të pasurisë të parashtruar nga AKK, një trajtim ndryshe nga z. Armend Hamiti i cili sfidohet me dy (2) nënpyetje për një rast të raportuar në media. Po ashtu, z. Isufaj nuk pyetet dhe as nuk jep ndonjë sqarim lidhur me opinionin e AKK-së që konstatonte se emërimi në pozitën e kryeprokurorit brenda periudhës prej (2) viteve pas përfundimit të mandatit si anëtar i KPK-së, përbën konflikt të interesit. Përkundër faktit se z. Isufaj gjatë intervistës së tij thotë se në secilin rast kur ka dyshuar për konflikt të interesit këtë e ka raportuar tek eprori, i njëjti nuk pyetet dhe nuk jep sqarime se pse nuk e ka bërë këtë me rastin e emërimit të tij në krye të PSRK-së, sikurse ka vepruar z. Arben Ismajli.

Tutje, Z. Isufaj po ashtu as nuk është pyetur dhe as nuk ka dhënë sqarime lidhur me akuzat publike të ish-prokurorit special Elez Blakaj të bëra ndaj tij për ndërhyrje në rastin e veteranëve. Në rastin e z. Isufaj, ka pasur edhe raste të tjera që kanë dalur në publik të cilat kanë vënë në dyshim integritetin e z. Isufaj, e të cilat raste janë kaluar në heshtje si nga paneli intervistues ashtu edhe nga ana e z. Isufaj.

Në heshtje kanë kaluar edhe shumë raste të cilat në publik kanë vënë në dyshim integritetin e kandidatit Kujtim Munishi. Raste të kësaj natyre janë rasti i “Bentley të Morena Tarakut”, rastin e dhunë në familje ku ka mbetur e vdekur Sebahate Morina, e që Institucioni i Avokatit të Popullit dhe disa OJQ kanë konsideruar se Prokuroria Themelore në Prishtinë tani të ndjerës Sebahate Morina ia ka shkelur të drejtën në jetë.

Lidhur me këtë Koalicioni vlerëson se pjesa e intervistës lidhur me integritetin ka qenë mundësi adekuate si për kandidatët, panelin vlerësues por edhe për publikun për të marrë sqarimet e duhura nga kandidatët mbi dyshimet e ngritura në publik.

Megjithatë, në bazë të asaj që është prezantuar, në bazë të vlerësimit të përgjithshëm, koalicioni rangon kandidatët në këtë mënyrë: 1) Shqipdon Fazliu, 2) Armend Hamiti, 3) Blerim Isufaj, 4) Kujtim Munishi dhe 5) Lulzim Sylejmani.

Sa i përket pjesës së Koncept Dokumentit, Koalicioni ka ranguar kandidatët në këtë mënyrë: 1) Armend Hamiti, 2) Shqipdon Fazliu dhe tre (3) të tjerët rangohen në pozitën e njejtë.

Ndërsa, sa i përket pjesës së intervistës, koalicioni ka ranguar kandidatët në këtë mënyrë: 1) Shqipdon Fazliu, 2) Armend Hamiti, 3) Blerim Isufaj, 4) Lulzim Sylejmani dhe 5) Kujtim Munishi.

Duke marrë parasysh faktet dhe rrethanat e cekura më lartë, koalicioni rekomandon:

  • Të anulohet komplet procesi i përzgjedhjes dhe emërimit të Kryeprokurorit të shtetit për shkak të shkeljeve procedurale dhe defekteve të evidentuara nga koalicioni në procesin e monitorimit dhe vlerësimit të këtij procesi;
  • Komision Vlerësues të publikoj vlerësimin me arsyetim mbi poentimin për secilin kandidat;
  • KPK të plotësoj dhe ndryshoj Rregullorën për Procesin e Përzgjedhjes dhe Emërimit të Kryeprokurorit të Shtetit dhe Kryeprokurorëve, me theks të veçantë formularin e koncept dokumentit;
  • Të shpallet konkursi i ri duke vazhduar me praktikën e njëjtë të transparencës për sa i përket publikimit të koncept dokumenteve dhe procesit të intervistimit;
  • Pyetjet në koncept dokument të orientohen më shumë rreth pozitës së Kryeprokurorit dhe formulohen në atë mënyrë që vlerësojnë shkathtësitë dhe aftësitë se sa njohuritë e përgjithshme;
  • Intervista të jetë e strukturuar dhe ky nivel të ruhet gjatë gjithë procesit dhe me të gjithë kandidatët;
  • Tek elementi siç është vlerësimi i integritetit, paneli vlerësues sipas detyrës zyrtare duhet të hulumtoj të kaluarën e secilit kandidat pastaj duke paraqitur pyetje të njëjta për secilin kandidat të vlerësoj një cilësi të tillë pyetjet të bëhen në atë formë.

Sinqerisht,

Koalicioni i OJQ

(Instituti i Kosovës për Drejtësi, Grupi për Studime Juridike dhe Politike dhe Lëvizja FOL)

Rritja e Transparencës së Gjyqësorit përmes publikimit të aktgjykimeve

Prishtinë, 24 mars 2022 – Lëvizja FOL mbështetur nga Departamenti i Shtetit Amerikan, përmes Byrosë Ndërkombëtare për Çështje të Narkotikëve dhe Sundim të Ligjit (INL) sot ka publikuar “Raportin mbi Monitorimin e publikimit të aktgjykimeve (janar – dhjetor 2021)”.  Raport i cili ngërthen gjetjet nga monitorimi sistematik i publikimit të aktgjykimeve në web-faqen zyrtare të Këshillit Gjyqësor të Kosovës gjatë kësaj periudhe një vjeçare.

Ky raport ka për qëllim që të paraqes gjendjen faktike të publikimit të aktgjykimeve nga ana e gjykatave të Republikës së Kosovës, të identifikoj problemet dhe sfidat në publikimin e aktgjykimeve, si dhe të ofroj një listë rekomandimesh për veprimet që institucionet relevante duhet t’i ndërmarrin për të përmirësuar shkallën dhe cilësinë e këtyre vendimeve.

Gjatë këtij takimi FOL ka ndarë dhe “Çmimin për Gjykatën më Transparente”, sa i përket nivelit të publikimit të aktgjykimeve për vitin 2021.

Këtë vit, ky çmim i’u nda Gjykatës Themelore të Prishtinës, e cila gjatë periudhës janar – dhjetor 2021 kishte publikuar gjithsej 5,593 aktgjykime.

Qëllimi i ndarjes së këtij çmimi përkon me inkurajimin e Gjykatave të Republikës së Kosovës për publikimin e aktgjykimeve, si pjesë e rëndësishme e përmbushjes së mozaikut të madh të parimit të publicitetit dhe transparencës së punës së gjykatave. Me anë të kesaj synohet që të arrihet përmbushja e frymës së dispozitave ligjore dhe misionit të vet gjykatave.

 

Gjeni raportin në gjuhën shqipe këtu: https://bit.ly/3qASqyX dhe në gjuhën angleze në këtë link:

Integriteti i procesit të përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit

Raporti mbi Monitorimin e Publikimit të Aktgjykimeve (janar – dhjetor 2021)

Gjykata e Apelit prinë në publikimin e aktgjykimeve për muajin shkurt me 455 aktgjykime

Prishtinë, 22 mars 2022. Lëvizja FOL edhe gjatë muajit shkurt 2022 ka bërë monitorimin e publikimit të aktgjykimeve për të gjitha gjykatat në Kosovë. Gjatë muajit shkurt janë evidentuar 2605 aktgjykime të publikuara. Gjykatat me numrin më të madh të aktgjykimeve të publikuara për këtë muaj janë Gjykata e Apelit si dhe Gjykata Supreme.

Më poshtë mund të shihni inforgrafikat për secilin gjykatë si dhe degë. Po ashtu mund të shihni edhe numrin e aktgjykimeve të publikuara sipas natyrës penale, civile, administrative si dhe ekonomike.

 

Perceptimi mbi Prokurimin Publik

Të miratohet Ligji që i çelë kuletat e partive politike

Kuvendi i Kosovës pritet të shqyrtojë sot, mes tjerash, Projektligjin për Financimin e Subjekteve Politike. Kjo është hera e tretë, përkatësisht legjislatura e tretë me radhë, që ky projektligj kalon nëpër procedurë ligjvënëse në parlament.

Dështimi për shqyrtimin dhe miratimin e këtij ligji tejet të rëndësishëm ka cenuar vazhdimisht transparencën dhe llogaridhënien financiare të subjekteve politike, të cilat marrin çdo vit mbi 4 milion euro nga buxheti i shtetit, si dhe paraqet regres në zbatimin e Agjendës së Reformave Evropiane (ERA).

Projektligji i ri për Financim të Subjekteve Politike adreson në masë të madhe shqetësimet lidhur me mungesën e transparencës financiare të subjekteve politike. Duke ditur dështimet dhe vonesat e shumta në përzgjedhjen e auditorëve nga Kuvendi, me anë të këtij projektligji, kompetenca për përzgjedhjen e auditorëve kalohet tek Zyra për Regjistrimin e Partive Politike dhe Certifikim, të cilës i është siguruar një nivel i lartë i pavarësisë funksionale dhe buxhetore. Po ashtu, janë definuar kontributet që mund të marrin subjektet politike, si dhe masat sanksionuese në rast të shkeljeve. Njëkohësisht, rikujtojmë që ky projektligj është në përputhje me opinionin e Komisionit të Venedikut si dhe kërkesave dhe rekomandimeve të kahmotshme të shoqërisë civile.

Ne, organizatat e shoqërisë civile, vlerësojmë që zvarritja e mëtutjeshme e këtij projektligji është e paarsyeshme, si dhe dëmton integritetin e subjekteve politike dhe besueshmërinë e publikut ndaj tyre. Ne mirëkuptojmë qëndrimet e ndryshme që mund të kenë subjektet politike lidhur me projektligjin si tërësi apo pjesë të caktuara të tij, megjithatë, kërkojmë që këto qëndrime të shprehen dhe të përkthehen në kontribut gjatë shqyrtimit të projektligjit në mes të dy leximeve.

Prandaj, ju bëjmë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës, si të pozitës ashtu edhe të opozitës, që të votojnë për miratimin e këtij projektligji në parim pa vonesa të mëtutjeshme.

Ne do të vazhdojmë ofrimin e ekspertizës tonë përmes rekomandimeve konkrete në funksion të avancimit të projektligjit gjatë diskutimeve në periudhën mes dy leximeve. Gjithashtu, ne do të monitorojmë nga afër punën e trupave të Kuvendit që do të jenë të përfshira në shqyrtimin e këtij projektligji.

Organizatat:
Lëvizja FOL
Kosova Democratic Institute / Transparency International Kosova
Democracy Plus (D+)
Democracy for Development (D4D)
Organizata Çohu / Preportr

Prokuroria dhe Gjykata Themelore e Prizrenit me performancë më të mirë në trajtimin e lëndëve të korrupsionit për vitin 2021, ndërkaq Prokuroria Themelore e Mitrovicës dhe Gjykata Themelore e Prishtinës me performancë më të dobët

Prishtinë, 15.03.2022 – Lëvizja FOL sot ka publikuar raportin “Performanca e Sistemit Prokurorial dhe Gjyqësor në Zgjidhjen e Lëndëve të Korrupsionit gjatë vitit 2021 (analizë statistikore)”, i cili e adreson çështjen e performancës dhe efikasitetit të shkallës së parë të sistemit gjyqësor dhe të atij prokurorial në zgjidhjen e lëndëve të korrupsionit gjatë periudhës janar – dhjetor 2021, si dhe shtjellon nivelin e ngarkesës së punës së këtyre institucioneve në zgjidhjen e këtyre lëndëve.

Raporti është bazuar në të dhënat statistikore zyrtare të pranuara nga Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës për vitin 2021, ndërsa për matjen e performancës së këtyre institucioneve mbi bazën e këtyre statistikave zyrtare, FOL ka përdorur metodologjinë e Komisionit Evropian për Efikasitetin e Drejtësisë (CEPEJ). Raporti nuk përfshinë cilësinë e lëndëve, apo cilësinë e punës së prokurorive dhe gjykatave, por vetëm matjen statistikore të tyre.

Albana Hasani, Hulumtuese në Lëvizjen FOL prezantoj gjetjet kryesore të këtij raporti, disa prej të cilave janë të listuara si më poshtë.

  • Prokuroria Speciale dhe shtatë prokuroritë themelore të Republikës së Kosovës gjatë vitit 2021 kanë pasur në punë gjithsej 802 lëndë të korrupsionit, prej të cilave ato kanë arritur t`i trajtojnë gjithsej 409 lëndë, përkatësisht 51 % të të gjitha lëndëve që i kanë pasur në punë gjatë këtij viti. Ndërkaq, pjesa prej 393 lëndëve kanë mbetur të pazgjidhura dhe janë bartur për vitin 2022.- Prokuroria Speciale dhe shtatë prokuroritë themelore të Republikës së Kosovës gjatë vitit 2021 kanë pasur në punë gjithsej 802 lëndë të korrupsionit, prej të cilave ato kanë arritur t`i trajtojnë gjithsej 409 lëndë, përkatësisht 51 % të të gjitha lëndëve që i kanë pasur në punë gjatë këtij viti. Ndërkaq, pjesa prej 393 lëndëve kanë mbetur të pazgjidhura dhe janë bartur për vitin 2022.
  • Norma e zgjidhjes së lëndëve të korrupsionit në të gjitha prokuroritë e Republikës së Kosovës për vitin 2021 rezulton të jetë 84 %, që nënkupton së numri i lëndëve të zgjidhura gjatë kësaj periudhe ishte më i ulët se numri i lëndëve të reja të pranuara gjatë vitit.
  • Bazuar në të dhënat e përgjithshme statistikore të pranuara nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, Prokuroria që ka arritur rezultatet më të mira në trajtimin e rasteve të korrupsionit gjatë kësaj periudhe është Prokuroria Themelore e Prizrenit, e cila gjatë kësaj periudhe ka arritur normën më të lartë të zgjidhjes së lëndëve (120 %), normën më të lartë të qarkullimit të lëndëve (4.29 %) si dhe kohën më të shkurtë të nevojshme për zgjidhjen e lëndëve që këtë vit kishin ngelur të pazgjidhura. Me fjalë të tjera, nga 90 lëndë të korrupsionit sa ka pasur në punë kjo prokurori, ka arritur të zgjidh 73 prej tyre, apo 81 %.
  • Ndërkaq prokuroria me rezultatet më të dobëta në trajtimin e lëndëve të korrupsionit gjatë vitit 2021 (njëjtë sikurse në vitin 2020) ishte Prokuroria Themelore e Mitrovicës, e cila gjatë kësaj periudhe ka arritur normën më të ulët të qarkullimit të lëndëve (0.26), normën më të ulët të zgjidhjes së lëndëve (44 %) si dhe indeksin më të lartë të lëndëve të grumbulluara ( 2.96 ). Me fjalë të tjera, nga 133 lëndë sa kjo prokurori ka pasur në punë gjatë këtij viti, ka arritur të zgjidh vetëm 28  prej tyre, apo vetëm 13 % të të gjitha lëndëve që i ka pasur në punë.
  • Sa i përket numrit të aktakuzave të ngritura gjatë kësaj periudhe, shtatë prokuroritë themelore dhe Prokuroria Speciale gjatë vitit 2021, kishin ngritur aktakuza për 335 persona në lidhje me veprat penale të korrupsionit.

Ndërsa sa i përket gjetjeve në lidhje me sistemin gjyqësor, Hasani deklaroj se:

 

  • Shtatë gjykatat themelore të Republikës së Kosovës gjatë vitit 2021 i kanë pasur në punë gjithsej 383 lëndë të korrupsionit (281 prej të cilave kanë qenë të trashëguara nga viti paraprak dhe 102 lëndë të reja të krijuara gjatë vitit), ndërsa kanë arritur të zgjidhin vetëm 108 lëndë, apo 28 % të të gjitha lëndëve që i kanë pasur në punë.- Shtatë gjykatat themelore të Republikës së Kosovës gjatë vitit 2021 i kanë pasur në punë gjithsej 383 lëndë të korrupsionit (281 prej të cilave kanë qenë të trashëguara nga viti paraprak dhe 102 lëndë të reja të krijuara gjatë vitit), ndërsa kanë arritur të zgjidhin vetëm 108 lëndë, apo 28 % të të gjitha lëndëve që i kanë pasur në punë.
    73 % e lëndëve të korrupsionit që kanë qenë në punë gjatë vitit 2021, përkatësisht 281 lëndë, ishin trashëguar nga vitet paraprake.
  • Norma e zgjidhjes së lëndëve të korrupsionit në të gjitha gjykatat themelore gjatë vitit 2021 ishte  106 %, që nënkupton se numri i lëndëve të zgjidhura gjatë kësaj periudhe e tejkalon numrin e lëndëve të reja të krijuara gjatë vitit.
  • Bazuar në statistikat e përgjithshme të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, rezultatet më të mira në zgjidhjen e lëndëve të korrupsionit gjatë kësaj periudhe i ka arritur Gjykata Themelore e Prizrenit, e cila gjatë kësaj periudhe e ka arritur normën më të lartë të qarkullimit të Lëndëve (1.15), indeksin më të ulët të lëndëve të grumbulluara (1.13), si dhe kohën më të shkurtër të nevojshme për zgjidhjen e lëndëve që këtë vit kishin mbetur të pazgjidhura (317 ditë). Me fjalë të tjera, nga 43 lëndë të korrupsionit sa ka pasur në punë kjo gjykatë, ka arritur të zgjidh 23 lëndë, apo 53% të të gjitha lëndëve.
  • Ndërsa rezultatet më të dobëta në trajtimin e lëndëve të korrupsionit gjatë vitit 2021 i ka arritur Gjykata Themelore e Prishtinës, e cila nga 197 lëndë sa ka pasur në punë në vitin 2021, ka arritur të zgjidh vetëm 34 prej tyre, apo vetëm 17 %. Kjo gjykatë gjatë kësaj periudhe e ka arritur normën më të ulët të qarkullimit të lëndëve (0.20), indeksin më të lartë të grumbullimit të lëndëve (4.61), si dhe kohën më të gjatë për zgjidhjen e lëndëve që këtë vit kishin ngelur të pazgjidhura.
  • Gjykatat themelore  gjatë vitit 2021 kanë nxjerrë 59 aktgjykime fajësuese, 26 aktgjykime liruese, 4 aktgjykime refuzuese, si dhe 19 lëndë janë zgjidhur në mënyra tjera. Nga aktgjykimet fajësuese, për pjesën më të madhe të tyre, përkatësisht për 31 lëndë, janë shqiptuar dënime më gjobë, ndërsa për 22 lëndë janë shqiptuar dënime me burg dhe për 6 lëndë dënime me kusht.

Raportin e plotë dhe rekomandimet mund t’i gjeni duke klikuar këtu.

 

Performanca e sistemit prokurorial dhe gjyqësor në luftën kundër korrupsionit gjatë vitit 2021

Gratë të papërfaqësuara në këshillat lokale: nga 740 kryesues, vetëm 7 janë gra

Prishtinë, 1 mars 2022 – Lëvizja FOL me mbështetjen financiare të Rockefeller Brothers Fund ka mbajtur sot konferencë për media ku ka publikuar monitorimin e raportit “Komunat nuk zbatojnë Udhëzimin Administrativ të MAPL-së Nr.02/2019”.

FOL ka monitoruar nivelin e implementimit të Ligjit Nr. 03/L-040 për Vetëqeverisjen Lokale si dhe Udhëzimin Administrativ (MAPL) nr. 02/2019 për Organizimin, Funksionimin dhe Bashkëpunimin e Komunave me Fshatrat, Vendbanimet dhe Lagjet Urbane ku në mënyrë të hollësishme është shtjelluar çështja e përzgjedhjes së këshillave lokalë.

Ardi Shatri tha se “sipas udhëzimit administrativ në fuqi, komunat duhet të miratojnë rregullore të reja komunale për rregullimin e këshillave lokale në përputhshmëri me kërkesat e këtij udhëzimi administrativ brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e tij”.

Shatri tha se “sipas monitorimit të FOL, nga 38 Komunat e Kosovës, 14 komuna (Prizren, Pejë, Ferizaj, Gjakovë, Mitrovicë, Skenderaj, Kamenicë, Hani i Elezit, Lipjan, Klinë, Kaçanik, Viti, Kllokot, Graçanicë) i kanë të publikuara në ueb-faqet e tyre zyrtare versionet e reja të rregulloreve komunale për organizimin dhe funksionimin e këshillave lokal, të cilat janë në përputhshmëri me kërkesat e udhëzimit administrativ në fuqi”.

Nga komunat që i kanë publikuar rregulloret e reja, vetëm 2 komuna (Komuna e Gjakovës dhe Komuna e Pejës) janë duke e implementuar plotësisht rregulloren e re në praktikë, tha ai. Nërkaq, 13 komuna (Deçan, Istog, Dragash, Obiliq, Leposaviq, Rahovec, Prishtinë, Suharekë, Vushtrri, Gllogoc, Podujevë, Gjilan dhe Novobërdë) janë duke funksionuar me rregulloret e vjetra, që nuk janë në përputhshmëri me udhëzimin administrativ në fuqi. 11 komuna (Fushë Kosovë, Partesh, Shtime, Shtërpcë, Zveçan, Zubin Potok, Mitrovicë e Veriut, Junik, Mamushë, Malishevë, Ranillugë) nuk kanë publikuar asnjë version të rregulloreve.

Sipas Shatrit “komunat të cilat kanë publikuar rregulloren e re komunale në përputhshmëri me kërkesat e udhëzimit administrativ janë Komuna e Mitrovicës, Gjakovës dhe ajo e Pejës”, ndërkaq komuna e Podujevës ka treguar se rregullorja gjendet ende në fazën e konsultimit publik”. Ndërkaq, komuna e Gjilanit e ka të publikuar rregulloren e vjetër komunale që nuk është në përputhshmëri me kërkesat e udhëzimit administrativ.

Shatri tha se sa i përket statusit të përzgjedhjes së këshillave lokal, sipas të dhënave të dërguara nga zyrtarët përgjegjës të komunave, nga gjithsej 38 Komunat e Kosovës, 18 prej tyre (apo 47 %) i kanë themeluar këshillat lokal të cilat janë duke funksionuar normalisht, 8 komuna (apo 8%) kanë raportuar që këshillave lokale ju ka kaluar mandati, apo se ende nuk janë zgjedhur, kurse 12 komuna (apo 31%) nuk kanë kthyer fare përgjigje rreth statusit të themelimit dhe funksionimit të këshillave lokal.

Sipas të dhënave të siguruara nga FOL, nga 740 kryesuesit e zgjedhur të këshillave lokal, 733 prej tyre, apo 99% janë burra, kurse vetëm 7 janë gra (përkatësisht vetëm 1%). Komunat të cilët kanë zgjedhur kryetare gra të këshillave lokal janë: Komuna e Pejës (me 3 gra kryetare të këshillave), Komuna e Shtimes dhe Komuna e Prizrenit (me nga 2 gra kryetare të këshillave), tha Shatri.

FOL i rekomandon Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal që të koordinohet me Asociacionin e Komunave të Kosovës rreth aprovimit të rregulloreve të reja komunale për përzgjedhjen e këshillave lokal, si dhe themelimit dhe funksionimit të këshillave lokal në përputhshmshmëri me rregulloren komunale, udhëzimin administrativ dhe ligjin për vetëqeverisje lokale.

Për më shumë ju lutem gjeni të bashkangjitur linkun e raportit: .

Komunat nuk zbatojnë Udhëzimin Administrativ të MAPL-së nr.022019

Ky aktivitet është mbështetur nga Rockefeller Brothers Fund.

Dëmtimet e buxhetit të shtetit si pasojë e shkarkimeve të paligjshme të të punësuarve në sektorin publik

Prishtinë, 22 shkurt 2022 – Lëvizja FOL, me mbështetjen e Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS), ka publikuar raportin “Shkarkimi i paligjshëm i të punësuarve në sektorin publik – pasojat në buxhetin e shtetit”, ku ka trajtuar në përgjithësi problematikën e largimeve të paligjshme nga marrëdhënia e punës në sektorin publik, si dhe koston e buxhetit të shtetit si pasojë e këtyre largimeve.

Qëllimi kryesor i raportit është tërheqja e vëmendjes së institucioneve përgjegjëse për impaktin dhe pasojat në buxhetin e shtetit me rastin e ndërprerjes së marrëdhënieve të punës të të punësuarve në sektorin publik, kur të njëjtat bëhen duke mos i respektuar dispozitat e legjislacionit në fuqi.

Albana Hasani, nga Lëvizja FOL, tha se në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës gjatë vitit 2019 – tetor 2021 janë parashtruar gjithsej 128 ankesa nga shërbyesit civil ndaj vendimeve për ndërprerje të marrëdhënieve të punës te institucioneve shtetërore. 69 prej këtyre ankesave ishin parashtruar ndaj vendimeve të administratës qendrore (përkatësisht 54 %), ndërsa pjesa tjetër prej 54 ankesash, (apo 46 % ) ndaj vendimeve të administratës lokale.

Sa i përket vendimeve të Këshillit, duhet të theksohet se prej datës 21 janar 2019 deri në tetor të vitit 2020, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës ka qenë jofunksional, andaj gjatë kësaj periudhe nuk ka qenë e mundur marrja e ndonjë vendimi  në lidhje me kërkesat e parashtruara. Mosfunksionimi i Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për gati dy vite ka shkaktuar vështirësi në mbrojtjen e të drejtave të shërbyesve civil të Kosovës, për shkak të pamundësisë së marrjes së vendimeve në njërën anë, dhe grumbullimit të numrit të madh të lëndëve, në anën tjetër”, tha Hasani.

Sipas Hasanit, nga tetori i vitit 2020 deri në tetor te vitit 2021, Këshilli ka vendosur për 40 ankesa për ndërprerje të marrëdhënies së punës, prej të cilave 11 janë aprovuar, 3 janë hedhur poshtë, 22 janë refuzuar, 3 janë shpallur jo kompetente dhe 1 është kthyer në rishqyrtim.

Hasani ka theksuar se gjatë periudhës janar – tetor 2021, nga Gjykatat e Republikës së Kosovës janë sjellë gjithsej 178 vendime për konteste pune, në rastet ku palë ishin institucionet shtetërore të përfaqësuara nga Avokatura Shtetërore. Nga të gjitha këto konteste, 109 konteste janë humbur nga institucionet shtetërore, 44 konteste janë fituar, 9 janë aprovuar pjesërisht, 5 janë kthyer në rigjykim, 3 në rivendosje dhe për 1 rast padia është hedhur për shkak të jo kompetencës.

Sa i përket kostos se këtyre vendimeve, sipas Hasanit, shuma e humbur nga buxheti i shtetit në lidhje me vendimet gjyqësore për ndërprerje të marrëdhënies së punës të sjella gjatë periudhës janar – tetor 2021 ne institucione publike,  tejkalonte shumën 300 mijë euro.

“Pra, kjo nënkupton se më shumë se 300 mijë euro i kanë kushtuar buxhetit të Kosovës shkarkimet e paligjshme nga puna në institucionet publike, si dhe vendimet e tjera në lidhje me punën në këto institucione”, ka përfunduar Hasani.

Në fund, në lidhje me të gjeturat e këtij raporti, Lëvizja FOL ka dhënë këto rekomandime:

  • Ndërprerja e marrëdhënies së punës së të punësuarve nga ana e punëdhënësve duhet të bëhet kryekëput konform dispozitave të Ligjit të Punës së Kosovës dhe të Ligjit për Shërbimin Civil të Kosovës.

 

  • Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike të krijojë një databazë elektronike në të cilën do të regjistrohen të gjitha rastet e shkarkimeve, largimeve vullnetare të punëtorëve dhe kontesteve nga shërbimi civil në institucionet e administrates qendrore dhe lokale.

 

  • Rrjedhimisht, të detyrohen të gjitha institucionet e pushtetit qendror dhe lokal, si dhe organet tjera, të raportojnë të dhënat në databazën elektronike të ketij institucioni, në rastet e tilla, më së voni 1 muaj nga dita e shkarkimit, largimit, apo fillimit të kontestit.

 

  • Gjykatat e Republikës së Kosovës t’i respektojnë afatet ligjore të trajtimit të lëndëve nga kontestet e punës si dhe rastet nga marrëdhëniet e punës t`i trajtojnë me prioritet.

 

  • Ministria e Punëve të Brendshme dhe e Administratës Publike të ndërmarrë hapa konkret me qëllim të informimit dhe vetëdijesimit të institucioneve për mbrojtjen e të drejtave të të punësuarve.

 

  • Të rritet funksioni mbikëqyrës/monitorues i Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil të Kosovës ndaj institucioneve të administratës publike, lidhur me zbatimin e rregullave dhe parimeve të legjislacionit për shërbimin civil. Rrjedhimisht, raportet në lidhje me të gjeturat e monitorimit të publikohen rregullisht në ueb-faqen e KPMShC-së.

 

 

 

Shkarkimi i paligjshëm i të punësuarve në sektorin publik – pasojat në buxhetin e shtetit