3874 aktgjykime të publikuara në dhjetor nga Gjykatat e Kosovës

Prishtinë, 18 janar 2022 – Lëvizja FOL në bashkëpunim me Debate Center, kanë vazhduar me monitorimin e aktgjykimeve edhe për muajin dhjetor 2021.

Gjatë muajit dhjetor 2021, Gjykatat e Kosovës kanë publikuar 3874 aktgjykime. Gjykata Themelore e Prishtinës si dhe e Gjykata e Apelit janë gjykatat me më së shumti aktgjykime të publikuara.

Ky projekt mbështetet nga Departamenti i Shtetit Amerikan, përmes Byrosë së Narkotikëve Ndërkombëtar dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit (INL).

Efikasiteti i Avokaturës Shtetërore gjatë vitit 2021

Thirrje e hapur: Shkolla për përfshirjen sociale

A jeni i ri apo e re nga komuniteti Rom, Ashkali dhe Egjiptian? A po kërkoni mundësi për të fituar njohuri dhe aftësi praktike që do t’ju ndihmojnë të përparoni në shoqëri, të vizitoni institucionet publike, por njëkohësisht edhe të shoqëroheni? Lëvizja FOL ju prezanton programin e Shkollës për Përfshirjen Sociale, për komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian në Kosovë.

Ju ftojmë të aplikoni për të qenë pjesë e Shkollës për Përfshirjen Sociale, duke plotësuar formën më poshtë:
https://docs.google.com/…/1R59C9GAy9ElQVsXXeuTDlmTSnRz…/

Inkurajohet aplikimi për të rinjtë dhe të rejat të cilët vijnë nga qyteti i Pejës, Gjakovës, Prizrenit, Ferizajit dhe Fushë Kosovës. Të gjitha shpenzimet e Shkollës mbulohen nga FOL.

Kush: Të rinjtë dhe të rejat e komunitetit Rom, Ashkali dhe Egjiptian.

Mosha: 14 deri 18 vjeç.

Kur: Shkolla do të mbahet gjatë muajit Shkurt 2022, dhe do të zgjas 5 ditë.

Afati i fundit për aplikim: 1 Shkurt, 2022. 11:59.

Për çdo pyetje apo paqartësi, na shkruani në [email protected]

Thirrje për punë praktike me pagesë

FOL dhe Debate Center hapin thirrje për tre (3) praktikantë, studentë të fakultetit Juridik apo të shkencave tjera (Gazetari, Shkenca Politike, Sociologji, Teknologji dhe të ngjajshme) të nivelit Bachelor dhe Master.

Programi i praktikës është me pagesë dhe zgjat 4 muaj – 30 orë pune në javë, duke filluar nga data 1 shkurt 2022. Nëpërmjet këtij programi, praktikantët do të kenë mundësi të fitojnë njohuri të ndryshme në sektorin e drejtësisë si dhe në fushën e debatit, dhe poashtu të ndihmojnë në punët e përditshme të organizatave.
Për të aplikuar, ju lutemi dërgojeni CV-në tuaj në [email protected] si dhe plotësojeni formën e aplikimit në këtë link: 

Konkursi është i hapur deri me datë 17 janar 2022 në ora 11:00.

Kandidatët e listës së ngushtë do të kontaktohen për intervista.

Ky program realizohet nga Lëvizja FOL në bashkëpunim me Debate Center mbështetur nga nga Departamenti i Shtetit Amerikan, përmes Byrosë së Narkotikëve Ndërkombëtar dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit (INL).

Monitorimi i përzgjedhjes së anëtarëve të Bordit të RTK-së

Arsim Halili, fitues i Çmimit për Guxim Qytetar për vitin 2021

Prishtinë, 22 dhjetor 2021 – Lëvizja FOL edhe këtë vit ka ndarë Çmimin për Guxim Qytetar për vitin 2021, i cili në këtë vit iu nda z. Arsim Halili.

Mexhide Demolli-Nimani, drejtoreshë e Lëvizjes FOL tha se është viti i 13-të që FOL ndan këtë çmim në shenjë vlerësimi për personalitetet më të angazhuara në mbrojtjen e interesit publik dhe të drejtave të njeriut të vendit tonë. “Arsimi dhe banorët e tjerë të lagjes Lakrishtë janë shembull për qytetarët e tjerë sepse me tërë angazhimin e tyre, ata jo vetëm që arritën të ndalin rrënimin pa kontroll të mbetjeve të azbestit kancerogjen, por falë angazhimit të tyre dolën në pah edhe shumë parregullsi në tërë këtë proces”, tha ajo.

Kushtrim Palushi, anëtar i Bordit Këshillëdhënës të Lëvizjes FOL tha se aktivizmi i treguar nga Arsimi duhet të jetë shembull dhe inkurajim për qytetarët që të mos heshtin përballë dukurive negative me të cilat ata ballafaqohen në komunitetin ku jetojnë.

Ndërsa në anën tjetër, Arsim Halili fitues i Çmimit për Guxim Qytetar tha se ngritja e zërit ndaj fenomeneve që cenojnë qytetarët duhet të bëhet e zakonshme për secilin. Ai falënderoi banorët e lagjes Lakrishtë dhe familjen për mbështetjen që i kanë dhënë për të shtyrë përpara këtë reagim i cili solli pezullimin e punimeve të cilat rrezikonin shëndetin e banorëve dhe nxori në pah një varg parregullsish e keqpërdorimesh institucionale nga Komunës së Prishtinës dhe Ndërmarrjes Publike Banesore.

Më shumë rreth rrënimit të kulmit me azbest!

Banorët e lagjes Lakrishtë, në fillim të tetorit, kanë ngritur alarmin pasi, në lagjen e tyre me shpejtësi dhe pa paralajmërim, kishin filluar të shkatërroheshin pa kontroll, me ekskavator, objekte të vjetra me tjegulla të azbestit kancerogjen, në kuadër të realizimit të një projekti afaristo-banesor bashkëinvestim mes Ndërmarrjes Publike Banesore që është nën menaxhimin e Komunës së Prishtinës dhe të një bashkëinvestitori privat.

Të shqetësuar për shëndetin e tyre dhe të habitur me atë që po ndodhte, banorët përmes videove dhe fotove nga vendi i ngjarjes, i kanë njoftuar institucionet dhe kanë kërkuar ndalimin e punimeve.

Pas ngritjes së këtij alarmi, si pasojë e këtyre veprimeve të sanksionuara me ligj, punimet janë ndërprerë nga Inspektorati i Policisë së Mjedisit dhe Policia e Kosovës ndërsa, me qëllim të vlerësimit mjedisor, është pezulluar për dy ditë mësimi në Gjimnazin “Xhevdet Doda” që gjendet në këtë lokacion. Më vonë një laborator gjerman konstatoi se mostrat e azbestit të shkatërruar i përkasin shkallës së tretë të mbetjeve kancerogjene me rrezikshmëri të lartë kontaminimi.

Banorët i kanë denoncuar këto zhvillime përmes rrjeteve sociale, kanë organizuar protestë me qëllim të sensibilizimit të opinionit teksa kanë kërkuar takim urgjent me ministrin e Mjedisit, të cilin e kanë sinjalizuar se në këtë projekt kishte pasur parregullsi që prej fazës fillestare të ndarjes së parcelave kadastrale.

Denoncimi i skandalit të shkatërrimit të azbestit ishte momenti vendimtar, që nxori në pah një varg parregullsish dhe shkeljesh ligjore lidhur me këtë projekt ku ishin të përfshirë kryesisht Ndërmarrja Publike Banesore dhe Komuna e Prishtinës, e cila i kishte lëshuar lejet.

Shkeljet u ekspozuan në mënyrë sistematike, fillimisht përmes një konferencë të jashtëzakonshme të ministrit të mjedisit edhe më pas nga njëri prej banorëve të lagjes përmes rrjetit social Facebook pas një procesi hulumtues dhe kërkesave për qasje në dokumente zyrtare.

Lidhur me projektin nuk kishte pasur transparencë dhe debat publik paraprak me qytetarë ndërsa realizimi i tij praktik kishte nisur në kohë fushate zgjedhore dhe në përfundim të mandatit të qeverisjes komunale.

Shkeljet e ekspozuara bënë që brenda një kohe të shkurt Policia të njoftonte për fillimin zyrtar të hetimit lidhur me këtë projekt që është një prej investimeve më të mëdha ndërtimore që janë bërë në komunën e Prishtinës nga një investitor privat, i cili pritet të ketë një vlerë prej 120 milionë euro.

Aktualisht procesi është pezulluar.

Pas ekspozimit të shkeljeve të bëra në këtë projekt bordi i NPB-së ka marrë vendim për të shkarkuar drejtorin e NPB-së, por vendimi për shkarkim nuk kishte arritur të protokolohej për tri ditë. Kjo kohë u shfrytëzua nga aksionarët politikë nga Komuna e Prishtinës që të shkarkojnë bordin, duke e lënë në punë kryeshefin që të shtyjë përpara projektin ndërtimor. Dy aksionarët e ndërmarrjes, i kanë zëvendësuar anëtarët e shkarkuar të bordit me katër persona të tjerë, pa konkurs publik.

Deri më tash, Komuna e Prishtinës ka shfuqizuar Lejen e rrënimit që ia kishte lëshuar ndërmarrjes Publike Banesore duke konstatuar se në Elaboratin e dorëzuar nga NPB-ja gjatë aplikimit për leje nuk është cekur askund se në ndërtesat e vjetra  janë të mbuluara me lesonit  me dyshim përmbajtje azbesti të cilat duket të kenë trajtim të veçantë  sipas legjislacionit në fuqi.

Poashtu me kërkesë të Agjencisë Kadastrale të Kosovës, Komuna e Prishtinës përkatësisht drejtoria e Kadastrit ka pezulluar ndyshimet kadastrale që i kishte bërë kundërligjshëm me rastin e përcaktimit të kufirit mes pronës së NPB-së dhe Agjencisë Kosovare të Privatizimit, pa pëlqimin e kësaj të fundit.

Ky aktivitet u mbështet nga Rockfeller Brothers Fund.

REAGIM – Të ngritet llogaridhënia dhe përgjegjësia e Kuvendit ndaj vendimeve të ndërmarra

Prishtinë, 21 dhjetor 2021 – Lëvizja FOL me datën 24 nëntor i ishte drejtuar me kërkesë për sqarime Kuvendit të Republikës së Kosovës, ku kishte kërkuar bazën ligjore për diskualifikimin e një prej kandidatëve nga procesi i rekrutimit për zgjedhjen e drejtorit të Agjencisë kundër Korrupsion. Mirëpo, kanë kaluar afër një muaj nga dërgimi i kërkesës, ndërsa Lëvizja FOL nuk ka pranuar asnjë përgjigjje në lidhje me arsyet e diskualifikimit të kandidates në fjalë.

Kjo kërkesë ishte parashtruar për shkak se, sipas certifikatës së lëshuar nga gjykata, figuron se ndaj të njëjtës është duke u zhvilluar procedura penale, por e njëjta nuk është e dënuar për ndonjë vepër penale me vendim të formës së prerë. Rrjedhimisht, sipas nenit 8 të Ligjit për Agjencinë Kundër Korrupsion, ku përcaktohen kriteret që duhet të përmbushen për tu përzgjedhur drejtori i këtij institucioni, njëra prej këtyre kritereve është që të mos ketë qenë i/e dënuar për vepër penale (ndërsa si kriter nuk përcaktohet që ndaj kandidatit/es të mos jetë duke u zhvilluar procedura penale).

Në qoftë se diskualifikimi i kandidates nuk mbështetet në ndonjë bazë tjetër ligjore, atëherë konsiderojmë se me diskualifikimin e kandidates në fjalë është cenuar parimi i prezumimit të pafajësisë dhe është paragjykuar integriteti i kandidates, përderisa nuk ekziston ndonjë vendim i formës së prerë nga gjykatat e Republikës së Kosovës.

FOL po ashtu ka ndjekur rrugën ligjore për mos dhënien e informatës së kërkuar nga Kuvendi, duke iu drejtuar Agjencisë për Informim dhe Privatësi.

Prandaj, përmes këtij reagimi kërkojmë nga Kuvendi i Republikës së Kosovës që të ndërmarr hapa konkret drejt ngritjes së llogaridhënies, në mënyrë që i gjithë procesi i përzgjedhjes të konsiderohet si proces kredibil dhe i zhvilluar me respektim të plotë të dispozitave ligjore.

Gjykata Themelore e Prishtinës dhe ajo e Apelit me më së shumti aktgjykime të publikuara

Prishtinë, 21 nëntor 2021 – Lëvizja FOL në bashkëpunim me Debate Center, gjatë muajit nëntor kanë monitoruar publikimin e aktgjykimeve për të gjitha gjykatat e Kosovës.

Gjatë muajit nentor 2021, Gjykata Themelore e Prishtinës si dhe e Gjykata e Apelit janë gjykatat me më së shumti aktgjykime të publikuara. Në ueb-faqen e Këshillit Gjyqësor të Kosovës janë të publikuara 2968 aktgjykime. ndërsa Lëvizja FOL ka regjistruar në databazën e saj 2935 aktgjykime. Gjykata Themelore e Prishtinës ka publikuar 33 aktgjykime të përsëriturat e të njejtat nuk janë evidentuar.

Ky projekt mbështetet nga Departamenti i Shtetit Amerikan, përmes Byrosë së Narkotikëve Ndërkombëtar dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit (INL).

56% të bizneseve të anketuara mendojnë se korrupsioni në prokurim publik është i pranishëm

Prishtinë, 09 dhjetor 2021 – Lëvizja FOL sot ka publikuar gjetjet nga hulumtimi “Perceptimet e sektorit privat rreth prokurimit publik”.

Yllka Buzhala nga FOL, tha se “për të marrë vlerësimin dhe perceptimin e përvojave të bizneseve rreth prokurimit publik në Kosovë, janë realizuar 150 anketa. Nga këta biznese, 95 ishin pjesëmarrës në prokurim publik dhe 55 nga to nuk ishin”. Sipas saj, bizneset e anketuara aktualisht konsiderojnë se situata pandemike (67%) është njëra ndër sfidat kryesore me të cilat ata po ballafaqohen. E dyta me radhë përmendet mungesa e investimeve të huaja (14%), pastaj vjen korrupsioni (9%), mungesa e fuqisë punëtore (8%) dhe burokracia e institucioneve (6%). Megjithëse nuk e konsiderojnë korrupsionin si sfidën kyçe aktualisht, afërsisht një në katër prej tyre mendojnë se trajtimi i favorshëm në procedura të hapura (28%), përshpejtimi i një procedure burokratike (26%), shmangia e dënimeve (23%) janë arsye që i shtyjnë bizneset të përfshihen në korrupsion.

Ardi Shatri nga FOL, tha se “mbi gjysma e bizneseve (56%) po ashtu mendojnë se korrupsioni në prokurim publik është i pranishëm”. Nga këto biznese, rreth një në tre mendojnë se faktorët që lehtësojnë ndikimin e korrupsionit në prokurim publik janë pandëshkueshmëria (35%), zvarritja e proceseve gjyqësore (32%) dhe mosraportimi i korrupsionit (32%). Më pak mendojnë se zbrazëtitë ligjore (20%), apo mungesa e vullnetit politik (19%) lehtësojnë korrupsionin. Sipas tij, disa praktika negative që ndikojnë në procesin e prokurimit publik janë përshtatja e specifikave tenderuese për kompani të caktuara, paqartësia e informatave në tenderë, abuzimi me dispozita ligjore për përfitime apo edhe konflikti i interesit. Nga këto praktika, bizneset e anketuara besojnë se më e përhapur është përshtatja e specifikave tenderuese (45%).

Lidhur me perceptimet se prokurimi publik është i lidhur me apo zhvillohet në përputhje me partitë politike në pushtet, 25% e bizneseve pohojnë se bizneset që fitojnë tenderë, ndryshojnë ndonjëherë pas ardhjes së një ministri/eje apo kryetari/je të ri në pushtet, e 27% mendojnë se ndryshojnë shpesh ose pothuajse gjithmonë. Ngjashëm, rreth 31% mendojnë se akterët politikë që tregojnë mirënjohje për biznese që i kanë dhuruar para partisë apo kandidatit për fushatë shpërblehen me kontrata prokurimi pas fitimit të zgjedhjeve dhe 24% mendojnë se kjo ndodh ndonjëherë. Shumica e bizneseve pjesëmarrëse në prokurim publik kishin fituar tenderë dhe atë disa herë dhe në vlera të ndryshme. Mbi gjysma e tyre (53%) u shprehën se kanë hasur në raste kur specifikat e tenderit janë përshtatur për biznese të caktuara. Kurse, 31% e tyre kanë deklaruar se kanë pasur raste kur oferta e tyre për tenderim iu është refuzuar disa herë, tha Shatri. Nga bizneset që deklarojnë se iu janë refuzuar ofertat, vetëm 18% e tyre kanë ndërmarrë hapa të ndryshëm sikurse të ankohen në OSHP (26 prej tyre), të bëjnë kërkesë për rishqyrtim të tenderit (13 prej tyre), apo të bëjnë ankesë tek autoriteti kontraktues (11 prej tyre).

Ndërkaq, sa i përket asaj se sa nga bizneset e njohin Organin Shqyrtues të Prokurimit, Ardi Shatri tha se “rreth 61% e bizneseve që e njohin Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP-në) mendojnë se ky organ funksionon si duhet”. Nga ato biznese që e përdorin E-prokurimin, 58% e bizneseve janë shumë të kënaqura me sistemin elektronik të prokurimit; 61% e bizneseve janë shumë të kënaqura me ndërveprimin me E-prokurimin; 59% e bizneseve janë shumë të kënaqura me funksionalitetin e dorëzimit të ofertës për tender; dhe po aq biznese janë shumë të kënaqura me lehtësinë e gjetjes së tenderëve për të cilët janë të interesuar, theksoi Ardi Shatri. Sipas gjetjeve të kësaj ankete, duket se bizneset janë të ndara në dysh rreth përshtypjeve të tyre mbi prokurimin publik në të shumtën e rasteve që anketa ka shtjelluar. Shatri tha se, “gjetjet tregojnë se ka ende shumë hapësirë për të përmirësuar proceset në prokurimin publik dhe për të rritur vetëdijen e bizneseve mbi mekanizmat ligjore që ekzistojnë për rregullimin e prokurimit publik”.

 

 

Zbatimi i Ligjit për Mbikëqyrje Elektronike, mund të ndikoj në rritjen e sigurisë së viktimave të dhunës në familje

Prishtinë, 7 dhjetor 2021 – Lëvizja FOL, me mbështetjen e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit – EULEX, ka publikuar sot raportin me titull “Byzylykët elektronik: fokusi në parandalimin e rasteve të dhunës në familje”, qëllimi i të cilit ishte avokimi dhe tërheqja e vëmendjes së institucioneve për rëndësinë e zbatimit të dispozitave të Ligjit për Mbikëqyrje Elektronike në mbrojtjen e viktimave të krimit në përgjithësi, e në veçanti në mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje.

Mexhide Demolli – Nimani, Drejtoreshë Ekzekutive në Lëvizjen FOL, tha se duke u nisur nga fakti i ekzistimit të rasteve të shumta të dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje në përgjithësi, si dukuri negative mjaft të përhapura në shoqërinë tonë dhe që rëndë po e përjetojmë për çdo ditë të jetës, të gjithë jemi të kthyer kah institucionet për të kërkuar veprime dhe masa konkrete institucionale për parandalimin e këtyre veprimeve negative që shpesh herë kanë epilog tragjik.

Albana Hasani, hulumtuese në Lëvizjen FOL, prezantoi gjetjet e këtij raporti. Sipas Hasanit, ajo që mbetet shqetësuese edhe 6 vite pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, është se institucionet e Kosovës vazhdojnë të kenë probleme në ndërmarrjen e hapave konkret në drejtim të funksionalizimit të plotë dhe efikas të Ligjit për Mbikëqyrjen Elektronike. Pra, shqetësuese vazhdon të mbetet ekzistimi i këtij ligji vetëm në letër dhe moskrijimi i kushteve për zbatimin e tij në praktikë.

Hasani theksoj se, sipas të dhënave të siguruara nga Lëvizja FOL, në Kosovë nuk ekzistojnë as salla operative për mbikëqyrjen elektronike, siç përcaktohet me Ligjin për Mbikëqyrjen Elektronike, nuk janë mbajtur trajnime për personelin që i ekzekutojnë vendimet, si dhe nuk ka pajisje për sigurimin e mbikëqyrjes (byzylykë elektronik, siç quhen në bazë të ligjit). Prandaj sipas këtyre të dhënave, nuk ka qenë e mundur marrja e ndonjë vendimi nga gjykatat për shqiptimin e kësaj mase.

“Përkundër garancisë dhe sigurisë që ky ligj mund të ju ofroj viktimave të dhunës në familje, krijimi i kushteve për jetësimin e tij në praktikë nuk është përmendur as në Strategjinë Kombëtare të Republikës së Kosovës për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Plani i Veprimit 2016 – 2020, të sjellë nga Ministria e Drejtësisë një vit pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Mbikëqyrje Elektronike”, tha Hasani.
Në fund, Hasani shtoi se një hap pozitiv në këtë drejtim pritet të bëhet me sjelljen e strategjisë së re kombëtare kundër dhunës në familje. Përkatësisht, krijimi i kushteve për zbatimin e mbikëqyrjes elektronike së fundi është përmendur në Draft – Strategjinë Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Dhuna ndaj Grave 2022-2026, e cila është ende në proces të draftimit.

Shefi i Misionit të EULEX, Z. Lars – Gunnar Wigenmark, tha se në Kosovë ju keni miratuar një kornizë ligjore për të qenë në përputhje me Konventën e Stambollit e cila është mjaft specifike dhe që flet si të zbatohen ligjet kur bëhet fjalë për dhunën në familje. Kosova ka ndryshuar kushtetutën për të luftuar dhunën në familje, dhunën seksuale dhe ju jeni gjithashtu në proces të ndryshimit të ligjit për mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje. Sipas Wigenmark, EULEX ka parë më konkretisht se si duhet t’i mbështesim viktimat e dhunës në familje dhe viktimat e ngacmimeve seksuale dhe ne duhet të dimë se ndonjëherë dhuna nuk duhet të jetë vetëm fizike. Dhuna në familje është krim dhe duhet të trajtohet si çdo krim tjetër dhe gjithashtu të raportohet si krim.

Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj, tha se sa i përket ligjit që u publikua, avokatit i popullit ka dalur me një raport ku ka konstatuar qe shteti ka dështuar në zbatimin e këtij ligji, sepse nuk ka pajisje që të bëhet zbatimi i këtij ligji, gjithashtu policia kanë nxjerrur udhëzime, por që nuk ka pasur mjete.

“Është obligim i të gjithëve që me e dënu dhunën si veprim i kundërligjshëm që s’duhet me pas vend mes neve dhe nëse i shohim rastet, është shqetësuese se kohëve të fundit po rriten numrat dhe besoj qe ka edhe më shumë rritje të numrit të dhunës në familje, e kjo na bënë neve me e luftu edhe më shumë”, tha z. Qelaj.
Arsim Shala, Koordinator i Dhunës në Familje në Policinë e Kosovës, tha se dhuna në familje viteve të fundit u shndërrua në një fenomen shqetësues që kërkon tretman nga policia e shtetit. Sipas Shalës, ka rritje të vazhdueshme të dhunës si dhe rritje të raportimeve. Me punën e gjithë akterëve është shtuar siguria te qytetarët.

“Kemi pasur raste që kanë përfundu me fatalitet dhe është një faktor shtytës për neve si polici dhe për akterët tjerë që me punu në parandalimin e dhunës në përgjithësi. Ne jemi akterët kyç me ndiku në parandalimin e dhunës dhe është e vërtetë që edhe ne kemi ngecë dhe jemi vonu në këtë drejtim por ne kemi personel të mjaftueshëm dhe mekanizma të mjaftueshëm të shtrira në Kosovë, për me realizu edhe obligimin sa i përket Ligjit për Mbikëqyrje”, tha z. Shala.
Alban Muriqi, Këshilltarë i Ministrisë së Drejtësisë, tha se ky ligj e ka pas dhe e ka kuptimin e mirë se çka do të rregulloj dhe duhet si ministri me bo ma shumë me ndërmarrë vendime konkrete me implementu këtë ligj. “Nuk ka pas diçka konkrete në zbatimin e këtij ligji, dhe ka pasë mungesë vullneti. Duket se institucionet tona nuk kanë qenë të përgatitura sa duhet për me zbatu këtë ligj. Policia ka një rol të mirë për siguri por ka me dhanë përgjegjësi në monitorimin e këtij ligji dhe zbatimin e ligjit”, tha z. Muriqi.

Byzylykët elektronikë: fokusi në parandalimin e rasteve të dhunës në familje

Ministri Liburn Aliu të ndërpresë fushatën denigruese ndaj aktivistes Shpresa Loshaj

Prishtinë, 3 dhjetor 2021 – Ne, të poshtëshënuarit, kundërshtojmë fushatën denigruese të ministrit Liburn Aliu ndaj aktivistes Shpresa Loshaj dhe shprehim indinjatën tonë të thellë për ndërhyrjen e tij në lirinë e shprehjes dhe aktivizmin në Kosovë.

Më 22 nëntor 2021, Ministria e Mjedisit publikoi në faqen e saj në “Facebook” një tekst përmes së cilit njoftonte se është përpiluar një ‘koncept dokument’ për restaurimin e “Zallit të Rupës”. Të njëjtën ditë, znj. Loshaj publikoi një reagim përmes së cilit ngriti shqetësime serioze për qasjen e ministrisë ndaj restaurimit të kësaj zone, kritikoi ministrin Aliu për mungesë të transparencës dhe për vazhdimin e politikave të njëjta të qeverive të kaluara karshi mjedisit.

Më 24 nëntor, z. Aliu organizoi konferencë për shtyp me të cilën lansoi fushatë denigruese kundër znj. Loshaj. Duke e shënjestruar atë me emër dhe mbiemër, ai akuzoi znj. Loshaj për shpifje, i kërkoi asaj që të tregojë ‘kujdes’ përpara se të flasë dhe i mbajti ligjëratë në distancë se me cilat kauza do të duhej të merrej ajo. Fushatën dengiruese ndaj saj ministri Aliu e vazhdoi edhe në emisionin “Rubikon” të transmetuar një ditë pas konferencës. Kjo fushatë u vazhdua edhe nga zyrtarë të tjerë të Ministrisë, siç ishte rasti i këshilltarit të ministrit Lulzim Bauman, i cili lansoi akuza të ngjashme përmes komenteve në profilin online të znj. Loshaj.

Deklaratat e ministrit Aliu janë nënçmuese, përbuzëse dhe kërcënuese dhe kanë për qëllim të ulin kredibilitetin e znj. Loshaj në sytë e publikut, frikësimin e saj si dhe heshtjen e kritikës ndaj Ministrisë për vendimet që merr. ‘Udhëzimet’ e një Ministri se me çfarë duhet të merret një aktiviste janë ndërhyrje e shtetit në të drejtën e qytetarëve për t’u angazhuar lirshëm në temat që i konsiderojnë me interes të përgjithshëm. Ministri Aliu, është politikan i fuqishëm, njëri ndër njerëzit më të votuar në vend dhe flet nga pozita e tij si drejtues i Ministrisë së Mjedisit. Është shqetësuese që ai shfrytëzon pushtetin e tij dhe resurset e shtetit për të organizuar konferenca shtypi për frikësimin e aktivistëve të shoqërisë civile, me të cilët kishte bashkëpunuar ngushtë përpara se të vinte në pushtet.

Konsiderojmë se shënjestrimi i znj. Loshaj nga ministri Aliu është ndërhyrje e shtetit në aktivizmin qytetar dhe cenim i lirisë së shprehjes. Fushata ndaj znj. Loshaj është fushatë ndaj të gjithë aktivistëve dhe aktivisteve në Deçan dhe Kosovë dhe pjesëtarëve tjerë të shoqërisë civile, të cilët kanë guximin që të përfshihen në kauza të ndjeshme me interes të përgjithshëm për të kontribuar në përmirësimin e mjedisit dhe jetës në Kosovë.

Znj. Loshaj është aktiviste e mirënjohur për mbrojtjen e mjedisit, puna e saj dhe e aktivistëve të tjerë ka bërë që degradimit të natyrës në Deçan t’i ndalet hovi, gjë për të cilën ajo është shpërblyer me katër çmime.

Kërkojmë nga ministri Aliu që të tregojë nivel të lartë të tolerancës ndaj kritikës, të përmbahet nga deklarata të tilla në të ardhmen, të ndalojë fushatën denigruese ndaj znj. Loshaj dhe të punojë me transparencë të plotë dhe të mbrojë interesin e publikut.

Organizatat dhe aktivistët nënshkrues (sipas rendit alfabetik):

Ardian Ndrecaj, ATRC, Ballkan Green Foundation, Balkan Sunflower Kosova, CEL Kosova, Community Building Mitrovica, CSGD, Çohu!, D4D, Debate Center, Demokraci Plus, DokuFest, Ec Ma Ndryshe, Flutura Kusari, Fondacioni Lumbardhi, Forumi për Iniciativa Qytetare, GAIA SCI Kosovo, GLPS, Instituti GAP, Instituti i Kosovës për Drejtësi(IKD), IKS, KCSF, KDI, KFOS, KMDLNj/CDHRF, KRCT, Lëvizja FOL, ODK, OMM “Gjethi” Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), PIPS, Pishtarët, Programi për të Drejtat Civile në Kosovë (CRP/K), Qendra për Politika dhe Avokim, Qendra Kosovare për Studime Gjinore, Qytetarë Aktivë, Rina Kika, Rrjeti i Grupit të Grave, Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë, Syri i Vizionit, Shoqata e Intelektualeve të Pavarur të Deçanit, YIHR Kosova, YMCA Movement.

 

 

Integrimi i programit elektoral të Vetëvendosjes në qeverisje dhe realizimi planit të punës

Lëvizja FOL dhe Prishtina Institute for Political Studies – PIPS në kuadër të projektit “Forcimi i Transparencës dhe Llogaridhënies për Reformat”, me mbështetjen e Ambasadës Holandeze në Prishtinë, ka publikuar një video ku shpalosen të gjeturat e raportit “Deri në çfarë mase është integruar programi elektoral i Vetëvendosjes në Programin Qeveritar?”.

Në kuadër të kësaj video poashtu prezantohet një analizë e nivelit të implementimit të Planit të Punës së Qeverisë për gjashtë muajt e parë të Qeverisë Kurti 2.

Për më shumë detaje gjeni videon dhe analizën.

FOL dhe DC vazhdojnë monitorimin e publikimit të aktgjykimeve për të gjitha gjykatat e Kosovës

Prishtinë, 26 nëntor 2021 – Lëvizja FOL në bashkëpunim me Debate Center, janë duke vazhduar me monitorimin e publikimit të aktgjykimeve për të gjitha gjykatat e Kosovës.

Gjatë muajit tetor 2021, Gjykata Themelore e Prishtinës si dhe e Mitrovicës janë gjykatat me më së shumti aktgjykime të publikuara. Në ueb-faqen e Këshillit Gjyqësor të Kosovës janë të publikuara 2544 aktgjykime. Lëvizja FOL ka regjistruar në databazën e saj 2417 aktgjykime. Lëvizja FOL nuk i ka evidentuar aktgjykimet për Kundërvatje, e të cilat janë publikuar nga Gjykata Themelore në Ferizajit si dhe nuk i ka regjistruar aktvendimet, të cilat kanë të bëjnë me konteste martesore, e të cilat janë publikuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Ky projekt mbështetet nga Departamenti i Shtetit Amerikan, përmes Byrosë së Narkotikëve Ndërkombëtar dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit (INL).

 

Komisioni Ad-Hoc për përzgjdhjen e kandidatëve për anëtarë të Bordit për RTK-në përzgjedh 18 kandidatët për votim në Kuvend

Komisioni Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Bordit për RTK-në ka përfunduar intervistimin e 91 kandidatëve nga 132 kandidatë sa kishin aplikuar.

Ky ishte ndër proceset më të mëdha sa i përket rekrutimit që Kuvendi i Kosovës ishte marrë deri më tani, për shkak të numrit të madh të kandidatëve që kishin aplikuar.

Nga monitorimi ynë del se ky proces ka shkuar korrekt dhe të gjithë anëtarët e Komisionit kanë treguar bashkëpunim me shoqërinë civile.

Gjithashtu vlen të theksohet transparenca e tërë këtij procesi, duke bërë që edhe poentimi i kandidatëve të bëhet në prezencë të monitoruesve të shoqërisë civile.

FOL ka mirëpritur që Komisioni Ad-Hoc ka vendosur që të respektohet Ligji për Barazi Gjinore në këtë proces, duke dërguar në Kuvend për votim një listë me përbërje të barabartë me kandidatët gra dhe burra.

Në listën e ngushtë që shkon në Kuvend, janë 16 kandidatë shqiptar, prej të cilëve 8 gra dhe 8 burra dhe 2 kandidatë (një burrë dhe një grua) nga komuniteti serb.

Vlen të theksohet së komisioni Ad-Hoc që nga fillimi i këtij procesi kanë punuar në drejtim që procesi i rekrutimit për Bord të RTK-së të bazohet në meritokraci.

1. Driton Hetemi 847 pikë
2. Besnik Boletini 812 pikë
3. Safet Kabashaj 797 pikë
4. Ejup Gojnovci 792 pikë
5. Bekim Selo 768 pikë
6. Ismet Sijarina 749 pikë
7. Fatime Lumi Qehaja 734 pikë
8. Petrit Qollaku 734 pikë
9. Arta Berisha 726 pikë
10. Enis Halimi 726 pikë
11. Albulena Mehmeti 724 pikë
12. Jehona Ademaj Sejdiu 704 pikë
13. Shukrije Rama 684 pikë
14. Mejreme Krasniqi Sadiku 683 pikë
15. Mihane Nertile Salihu Bala 668 pikë
16. Arta Pllana 670 pikë
17. Nelica Veljkovic 677 pikë
18. Mihailo Scepanovic 735 pikë

FOL i bënë thirrje deputeteve të Kuvendit të Republikës së Kosovës që gjatë votimit të kandidatëve të respektohet Ligji për Barazi Gjinore, si rrjedhojë Bordi i RTK-së të ketë përfaqësim të barabartë gjinor.

Lëvizja FOL përkrahet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Suedia.

FOL dhe DC vazhdojnë monitorimin e publikimit të aktgjykimeve për të gjitha gjykatat e Kosovës

Prishtinë, 29 tetor 2021 – Lëvizja FOL në bashkëpunim me Debate Center, janë duke vazhduar me monitorimin e publikimit të aktgjykimeve për të gjitha gjykatat e Kosovës.
Gjykatat e Kosovës gjatë muajit shtator 2021 kanë publikuar 2736 aktgjykime në ueb-portalin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Ky projekt mbështetet nga Departamenti i Shtetit Amerikan, përmes Byrosë së Narkotikëve Ndërkombëtar dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit (INL).

 

 

FOL Hapur me ministrin e MBPZHR-së z. Faton Peci

Prishtinë, 27 tetor 2021 – Lëvizja FOL vazhdon serinë e debateve FOL Hapur me Ministra/e të Kosovës, ku sot i ftuari i radhës ishte Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural z. Faton Peci.
Temë diskutimi ishte realizimi i Planit të Punës së Qeverisë për periudhën mars-shtator 2021, prioritetet si dhe sfidat me të cilat po ballafaqohet kjo ministri.
Ky diskutim u realizua me mbështetjen e programit MATRA të Ambasadës Holandeze në Kosovë dhe zbatohet në bashkëpunim me PIPS.

RTK të tërheqë padinë SLAPP kundër aktivistit Agron Demi

Prishtinë, 23 tetor 2021 – Ne, organizatat dhe aktivistët e poshtëshënuar, shprehim shqetësimin tonë me padinë e ushtruar nga Radio Televizioni i Kosovës (RTK), kundër aktivistit dhe analistit të politikave në Institutin GAP Agron Demi. Kërkojmë nga RTK që menjëherë ta tërheqë padinë dhe në të ardhmen të përmbahet nga veprimet që rrezikojnë lirinë e shprehjes së aktivistëve dhe dekurajojnë monitorimin e këtij institucioni.

Gjatë muajve mars dhe prill 2020 z. Demi kishte shkruar, ndër të tjera, si vijon “E kisha shtu edhe një masë për ruajtjen e shëndetit: mbylljen e menjëhershme të RTK-së”. Televizioni publik pretendon që kritika e Demit përmes statuseve në Facebook, të shoqëruara me kërkesë për mbyllje të transmetuesit publik, përbën gjuhë të urrejtjes dhe fyerje ndaj televizionit dhe punonjësve të tij.

Kritikat e z.Demi janë të drejta dhe paraqesin të vërtetën e hidhur për transmetuesin publik RTK. Këto kritika bazohen në fakte të ditura botërisht dhe të mbështetura me raporte ndërkombëtare dhe vendore dhe vendime gjyqësore, të cilat theksojnë që RTK është institucion i ndikuar politikisht, për shkak të keqpërdorimeve financiare këtë vit bordi i saj është shkarkuar nga Kuvendi i Kosovës, rreth gjysmë milioni euro janë vjedhur nga televizioni nga punëtorët e saj, vazhdimisht ka refuzuar të bëjë auditim dhe gazetarët e pavarur janë censuruar në vazhdimësi gjë që kishte çuar në protestë të vetë gazetarëve kundër televizionit.

Ne shprehim zhgënjimin tonë të thellë, që RTK-ja në vend se të punojë në përmirësimin e situatës së rëndë në të cilën ndodhet transmetuesi, ajo përdor strategji gjyqësore për të heshtur kritikët.

Tutje, ne konsiderojmë se padia e ushtruar nga transmetuesi publik ka karakteristika të Padive Strategjike Kundër Pjesëmarrjes Publike (SLAPP). Kjo padi është e pabazuar dhe nuk ka shanse që të ketë sukses në gjykatë. Qëllimi i saj është zvarritja e z.Demi në gjykata, shkaktimi i stresit dhe kostos financiare dhe frikësimi i tij.

Rikujtojmë që RTK-ja është institucion publik, financohet nga paraja publike dhe i nënshtrohet mbikëqyrjes publike. Si i tillë, ky institucion duhet të tregojë nivel më të lartë të tolerancës ndaj kritikës. Për më tepër, është tronditëse që buxheti publik dedikuar RTK-së keqpërdoret në procedura gjyqësore për heshtjen e kritikës.

Përtej rastit specifik të z.Demi, vetë përdorimi i padive SLAPP mund të ketë efekt frenues edhe tek aktivistët tjerë që monitorojnë dhe kritikojnë punën e transmetuesit publik. Nuk duhet lejuar që të krijohet një precedent i tillë i rrezikshëm që ngulfat lirinë e shprehjes.

Padia është ushtruar pranë Gjykatës Themelore të Prishtinës më 17 prill 2021 dhe është nënshkruar nga z. Ngadhnjim Kastrati. Padia nuk ka emër të avokatit ndërsa lënda do të trajtohet nga gjykatësja Fatbardha Uka Ibrahimi. Z. Demi e ka pranuar padinë më 13 tetor 2021 në vendin e tij të punës.

Ne do të monitorojmë nga afër procesin gjyqësor dhe kemi besim të plotë që Gjykata Themelore e Prishtinës do ta trajtojë lëndën në pajtim me standardet e Gjykatës Europiane për te Drejtat e Njeriut dhe do ta njohë këtë padi si SLAPP.

Po ashtu, mbesim me shpresë që një ndër veprimet e para te bordit të ri të RTK-së do te jetë tërheqja e kësaj padie dhe ndalimi i përdorimit të padive SLAPP në të ardhmen. Në fund, i bëjmë thirrje Komisionit për Media të Kuvendit të Kosovës që të monitorojë zhvillimet që ndërlidhen me këtë rast gjyqësor.

 

 

Grupi Anti-SLAPP (Flutura Kusari, Shpresa Loshaj, Adriatik Gacaferri, Ardian Nrecaj, Visar Alimehaj, Rina Kika, Lëvizja FOL, KCSF), GAP, Grupi për Mbrojtjen e Ujërave dhe Mjedisit, Qendra për Politika dhe Avokim(QPA), Syri i Vizionit, Qendra Multimedia, Shoqata e Intelektualëve të Pavarur në Deçan, PIPS, Balkan Sun Flowers Kosova, QKSS, Çohu, KDI, EC Ma Ndryshe, Grupi për Hulumtimin e Politikave në Balkan, D+, Qendra për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore – CSGD, INDEP, BIRN, FIQ, Internews Kosova, CHwB Kosova, PEN, Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), GLPS, TOKA, Instituti për Liri dhe Drejtësi, KMDLNj, KRCT, KADC, YMCA Movement, AMPEK, CEL Kosova, Komiteti i Grave të Verbra të Kosovws, Community Building Mitrovica, Instituti COLUMBUS, IKD, YIHR KS, Demokraci për zhvillim (D4D), Kosova – Women 4 Women, IPKO Foundation, Iniciativa Kosovare për Stabilitet – IKS, RRGK, Balkan Green Foundation, EcoZ, Qendra për Arsim e Kosovës – KEC, ATRC, Let’s Do It Peja, OMM “Gjethi”, KFOS, DokuFest.   

 

 

 

FOL Hapur me Ministren e Ekonomisë znj. Artane Rizvanolli

Prishtinë, 20 tetor 2021 – Lëvizja FOL vazhdon serinë e debateve FOL Hapur me Ministra/e të Kosovës, ku sot e ftuar ishte Ministrja e Ekonomisë znj. Artane Rizvanolli.

Temë diskutimi ishte realizimi i Planit të Punës së Qeverisë për periudhën mars-shtator 2021, prioritetet si dhe sfidat me të cilat po ballafaqohet kjo ministri.

Ky diskutim u realizua me mbështetjen e programit MATRA të Ambasadës Holandeze në Kosovë dhe zbatohet në bashkëpunim me PIPS.

Fitore për lirinë e shprehjes – Kelkos heqë dorë nga paditë për shpifje ndaj aktivistëve

Prishtinë, 20 tetor 2021 – Koalicioni ad-hoc i organizatave të shoqërisë civile dhe aktivistëve kanë mbajtur sot konferencë për media, me ç’rast është bërë publike që Kelkos heqë dorë nga paditë e pabaza për shpifje ndaj Shpresa Loshaj dhe Adriatik Gacaferi.

Avokatja Rina Kika përfaqësuese ligjore e aktivistëve tha se me datë 18 tetor është njoftuar zyrtarisht nga përfaqësuesit e Kelkos Energy për heqjen dorë nga paditë për shpifje ndaj aktivistëve mjedisorë Shpresa Loshaj dhe Adriatik Gacaferi. “Avokatët e Kelkos më kanë përcjellë njoftimet zyrtare për heqje dorë nga të dy paditë të cilat iu janë përcjellur Gjykatës Themelore të Pejës – Dega Deçan. Ata kanë hequr dorë nga të dy paditë, pa asnjë kusht dhe menjëherë”, tha Kika.

Sipas saj, me heqjen dorë nga këto dy padi u dëshmua ajo që e kemi thënë gjatë tërë kohës, se Kelkos e ka ditur se nuk mund të fitojë me këto padi të pabaza në gjykatë dhe se qëllimi asnjëherë nuk ka qenë që ata ta fitojnë procesin, qëllimi ka qenë frikësimi i aktivistëve që i kritikojnë operimet e kësaj kompanie. “Padi të tilla që tentojnë ta heshtin debatin publik për çështje të interesit publik siç është mbrojtja e ambientit janë të dëmshme dhe duhet të kundërshtohen fuqishëm nga të gjithë.” deklaroi ajo.

Ndërkaq, aktivistja Shpresa Loshaj, tha se Kelkosi na ka paditur duke menduar se do të jemi vetëm. “Ata menduan se ne do të jemi vetëm dhe do ta shterim energjinë duke u mbrojtur nga ta, por energjia për mbrojtjen e Lumbardhit është e pashtershme, falë mbështetjes së aktivistëve dhe qytetarëve nga e mbarë Kosova”.

Mexhide Demolli-Nimani, drejtore ekzekutive e Lëvizjes FOL tha se fatkeqësisht tashmë rastet e Padive Strategjike Kundër Pjesëmarrjes Publike apo paditë SLAPP, janë pjesë e Raportit Vjetor të Komisionit Evropian për Kosovën. “Në raportin vjetor për Kosovën të Komisionit Evropian vlerëson se gjatë vitit kishte rritje shqetësuese të Padive SLAPP të paraqitura në gjykata, padi këto të cilat përdoren për të kërcënuar dhe paditur gazetarët dhe aktivistët e shoqërisë civile në mënyrë që t’i frikësojnë ata”, tha ajo. Sipas saj, tërheqja e padive nga Kelkos vie si rezultat i kundërshtimit nga një numër i madh i organizatave dhe aktivistëve të shoqërisë civile në Kosovë, të cilët vazhdimisht kanë kërkuar nga Kelkos që të heqë dorë nga paditë ndaj aktivistëve. Madje edhe organizata ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut Amnesty International kishte kërkuar nga Kelkos në qershor të këtij viti që të tërhiqet nga paditë.

“Unë ju bëj thirrje të gjithë aktivistëve apo gazetarëve, të cilët ballafaqohen me paditë SLAPP që të paraqiten tek Lëvizja FOL, sepse ne, përmes një grupi avokatësh të cilët kanë ofruar shërbimet e tyre pro bono për këto raste. Ne poashtu në kuadër të ueb faqes së Lëvizjes FOL tashme kemi filluar të bëjmë dokumentimin e padive SLAPP”.

Aktivistët ishin paditur për shpifje për shkak të deklaratave që kritikonin kompaninë në lidhje me operimet e hidrocentraleve në Grykën e Deçanit. Kelkos në qershor të vitit të kaluar ka kërkuar nga Shpresa Loshaj 100,000 euro kompensim dëmi për kinse “dëmtim të imazhit” për shkak të deklaratave të saj. Ndërkaq, nga Adriatik Gacaferi kanë kërkuar 10,000 Euro kompensim dëmi për shkak të një postimi në Facebook në lidhje me futjen e ujit të lumit në gypat e hidrocentraleve.