Përzgjedhja e Anëtarit të Bordit për Ankesa (KPM)

Prishtinë, 11 nëntor 2022 – Komisioni Ad-Hoc për përzgjedhjen e Anëtarit të Bordit për Ankesa në KPM, në përbërje të deputetëve:Arbëreshë Kryeziu Hyseni(LVV), Agim Veliu (LDK), Fitim Haziri(LVV), Ganimete Musliu (PDK), Hajdar Beqa (PDK), Nijazi Isaku (LVV), Valon Ramadani (LVV), Fidan Jilta (KDTP), Time Kadriaj (AAK), Besim Muzaqi (LVV), sot ka intervistuar tre kandidatë nga katër sa kishin aplikuar për këtë pozitë: Martin Komani, Granit Mavriqi dhe Dren Salihu. Kandidatja Ajsela Ahmeti ishte diskualifikuar sepse nuk kishte plotësuar kushtet e parapara me konkurs.
Dy kandidatët që shkuan pêr votim në Kuvend janë: Granit Mavriqi dhe Martin Komani.

Vlen të theksohet që edhe ky Komisioni Ad-Hoc ka publikuar vetëm pikët totale dhe nuk kanë arsyeturar pikët e dhëna për secilin kandidatë.

Ky aktivitet u bë me mbështetjen financiare të Rockefeller Brothers Fund.

Drejtoresha e Lëvizjes FOL, Mexhide Demolli – Nimani u takua sot me drejtorin e Akademisë së Drejtësisë z. Enver Fejzullahu

Prishtinë, 8 nëntor 2022 – Drejtoresha e Lëvizjes FOL, Mexhide Demolli – Nimani u takua sot me drejtorin e Akademisë së Drejtësisë z. Enver Fejzullahu.
Qëllimi i këtij takimi ishte rritja e bashkëpunimit mes Lëvizjes FOL dhe Akademisë së Drejtësisë sa i përket zhvillimit dhe përditësimit të programit të trajnimit si dhe mbështetjen për Akademinë e Drejtësisë me ekspertizë ndërkombëtare për trajnimin e trajnerëve të Akademisë, e gjitha kjo që të kontribuoj në rritjen e kapaciteteve të gjyqtarëve dhe prokurorëve në luftën kundër korrupsionit.
Drejtori i Akademisë së Drejtësisë, z. Fejzullahu u shpreh i gatshëm për bashkëpunim me Lëvizjen FOL dhe ofroi mbështetjen e tij në realizimin e aktiviteteve të parapara nga FOL.

REAGIM: TERHEQJA E SERBVE NGA INSTITUCIONET E KOSOVËS

Prishtinë, 7 nëntor 2022 – Në ditët e fundit personeli nga Komuniteti Serb në institucionet e Republikës së Kosovës është tërhequr nga jeta institucionale. Kryetarët e Komunave me shumicë Serbe, Deputetët, dhe së fundi edhe Gjyqtarët, Prokurorët dhe  Policët, kanë paraqitur dorëheqjen e tyre tek institucionet gjegjëse. Ky veprim politik i një pjesë të përfaqësuesve Serb në Kosovë, nën dirigjimin dhe pas takimeve me Presidentin serb në Beograd, është bërë me pretekstin se Drejtori i Policisë në Mitrovicë të Veriut u suspendua nga detyra pasi që refuzoi të zbatojë vendimin e ligjshëm të Qeverisë së Kosovës të 28 tetorit 2022.

Pjesëmarrja e qytetarëve serb në institucionet e Kosovës, me theks në Polici e Gjyqësi, ka ardhur si rrjedhojë e një procesi të dialogut të lehtësuar nga ana e Bashkimit Evropian dhe me ndihmën e ShBA-ve që nga viti 2011 e tutje. Nëpërmjet këtij procesi u mundësua shkrirja e institucioneve paralele Serbe dhe integrimi i personelit të tyre në institucionet e Republikës së Kosovës.

Prandaj, tërheqja e tyre nga jeta institucionale minon çdo arritje të dialogut deri më tani, dhe veprimet e një pjese të përfaqësuesve të komunitetit serb të dirigjuara nga Beogradi zhvlerësojnë çdo arritje në dialog. Me këto veprime bien poshtë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani, garantues i zbatimit të së cilave është Bashkimi Evropian.

Në periudhën kur palët me inkurajimin dhe ndërmjetësimin nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë duke biseduar për arritjen e një marrëveshje finale ligjërisht të obligueshme, veprimet e fundit të Listës Serbe me dirigjim nga Serbia, anulojnë vet Marrëveshjen e vitit 2013 dhe marrëveshjet tjera të arritura, si dhe cenojnë çdo mundësi të arritjes së marrëveshjeve të tjera.

Pamundësia e komunitetit ndërkombëtar nën udhëheqjen e Bashkimit Evropian dhe me ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të garantuar zbatimin e marrëveshjeve të arritura nëpërmjet dialogut krijojnë një ambient të mos besimit në këtë proces. Prandaj, Bashkimi Evropian duhet të ketë një qëndrim të prerë karshi këtyre veprimeve, të mos lejojë që marrëveshjet e dialogut të jenë kaq të cenueshme nga politikat ditore të palëve në dialog, si dhe të garantojë që çdo marrëveshje e arritur deri më tani dhe marrëveshjet e reja janë obligative për palët.

Parim i përgjithshëm i funksionit të shtetit ligjor është pavarësia e funksionimit të Gjykatave, Prokurorive, si dhe Polici e orientuar drejt komunitetit. Parime të cilat burojnë nga praktikat më të mira ndërkombëtare dhe të cilat janë të mishëruara në praktikën Evropiane, parime të cilat Kosova është duke i ndërtuar me ndihmën e partnerëve ndërkombëtar. Tërheqja e një pjesë të përfaqësuesve Serb në Kosovë nga jeta institucionale, me theks në sektorin e Drejtësisë cenon pavarësinë e këtyre institucioneve. Tërheqja e gjyqtarëve dhe prokurorëve nga detyra e tyre bazuar në vendime politike pamundëson funksionimin e tyre të pavarur. Po ashtu pamundëson që mekanizmat relevant siç janë Këshilli Gjyqësor dhe ai Prokurorial të marrin vendime të pavarura dhe të bazuara në rregullativën në fuqi. Vendimet e këtyre institucioneve nuk janë subjekt i etnitetit apo edhe zonës gjeografike të Kosovës. Veprimet e tyre në funksion të zbatimit të ligjit janë në funksion të gjithë qytetarëve pa marrë parasysh komunitetin, komunën, fenë, gjuhën, etj. Prandaj, gjyqtarët dhe prokurorët e integruar në sistemin e drejtësisë duhet të mirëmbajnë këto parime dhe të mos ndikohen nga vendimet politike, qofshin ato të Kosovës apo edhe të Serbisë. Tërheqja e gjyqtarëve dhe prokurorëve nga Gjykatat dhe Prokuroritë e Republikës së Kosovës, ka ndikime negative të pa-riparueshme për këto institucione dhe si pasojë edhe për qytetarët.

Nga ana tjetër, parimi i përgjithshëm i dialogut i paraqitur në Rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara është përmirësimi i jetës së qytetarëve të Kosovës dhe Serbisë. Dialogu deri më tani ka arritur, edhe pse me zvarritje të madhe, të përmirësojë jetën e qytetarëve në shumë sfera. Si Qeveria e Kosovës e ashtu edhe ajo në Serbi duhet të jenë më të përkushtuara në zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani pa dallim, dhe të shmangin retorikën dhe veprimet që cenojnë sigurinë dhe stabilitetin e arritur me shumë mund.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të jenë më kategorik në qëndrimet e tyre, duke kërkuar prerazi që serbët të kthehen pa asnjë kusht në pozitat e tyre në institucionet e Republikës së Kosovës, për të vazhduar pastaj me kërkesat për zbatimin e obligimeve të dy palëve ndaj marrëveshjeve të Brukselit, si dhe përkushtim në dialog për arritjen e marrëveshjes finale.

 

Organizatat e shoqërisë civile që mbështesin këtë reagim:

Çohu

Grupi për Studime Juridike dhe Politika

Iniciativa për Progres

Instituti Columbus

Instituti i Kosovës për Drejtësi

QKSS

Lëvizja Fol

Takim me drejtorin e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit z.Yll Buleshkaj

Prishtinë, 3 nëntor 2022 – Drejtoresha e Lëvizjes FOL, Mexhide Demolli – Nimani u takua sot me drejtorin e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit z.Yll Buleshkaj.
Qëllimi i këtij takimi ishte rritja e bashkëpunimit me Agjencinë, dhe aktivitetet e përbashkëta që mund ti kemi në të ardhmen si FOL dhe APK në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit. Drejtori i APK-së, z. Buleshkaj u shpreh i gatshëm për bashkëpunim me Lëvizjen FOL dhe ofroi mbështetjen e tij në realizimin e aktiviteteve të parapara nga FOL.

DISKUTIMI MBI PADITË STRATEGJIKE KUNDËR PJESËMARRJES PUBLIKE (PADITË SLAPP)

Prishtinë, 31 tetor 2022 – Lëvizja FOL ka mbajtur diskutimin “FOL Hapur” në lidhje me paditë SLAPP me gazetarë, studentë dhe aktivistë. Pjesëmarrësit u informuan dhe diskutuan në lidhje me nivelin e përhapjes së padive SLAPP në Kosovë, sa e rrezikojnë këto padi lirinë e shprehjes së gazetarëve dhe aktivistëve dhe se cilët janë mekanizmat ligjor për mbrojtjen nga këto padi. Ky aktivitet mbështetet nga Bashkimi Evropian, në kuadër të Programit Mbështetës “safejournalists.net”.

Përzgjedhja e kandidatëve për Gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese

Prishtinë, 31 tetor – Komisioni Ad-Hoc për shqyrtimin e kandidatëve për gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese në përbërje të: Adnan Rrustemi(LVV), Mimoza Kusari-Lila (LVV), Driton Selmanaj (LDK), Pal Lekaj(AAK), Abelard Tahiri (PDK), Enes Kervan (Grupi 6 Plus) Albert Zogaj (Kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës), Gresa Caka-Nimani, (Kryetare e Gjykatës Kushtetuese), Naim Qelaj (Avokat i Popullit), Agim Ferati (Këshilli Konsultativ për Komunitete) ka përfunduar sot intervistimin e pesë kandidatëve për dy pozita për gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese.

Nga gjashtë kandidatë sa kishin aplikuar gjithsej, vetëm pesë nga ta i kishin plotësuar kushtet për t’iu nënshtruar testit dhe intervistës.

Komisioni vendosi që për votim në Kuvend të shkojnë që të gjithë kandidatët të cilët janë intervistuar,  të cilët janë: Dukagjin Abdyli, Enver Peci, Bardh Bokshi, Flamur Mrasori, Valon Hasani.

Vlen të theksohet që në fund janë publikuar vetëm pikët totale nga testi dhe intervista por jo edhe pikët individuale të secilit anëtarë të komisionit për kandidatët përkatës.

 

VËSHTRIM I PËRGJITHSHËM MBI PADITË STRATEGJIKE KUNDËR PJESËMARRJES PUBLIKE (PADITË SLAPP)

KONKURS PËR PUNË PRAKTIKE

Prishtinë, 26 tetor 2022- Lëvizja FOL në partneritet me Ministrinë e Drejtësisë, hap thirrjen për gjashtë (6) praktikantë, juristë të diplomuar apo studentë të vitit të katërt të Fakultetit Juridik të Universiteteve Publike dhe Private, të akredituara në Republikën e Kosovës.

Puna praktike do të zhvillohet në Lëvizjen FOL, si dhe në Ministrinë e Drejtësisë dhe konsiston në kryerjen e detyrave dhe udhëzimeve në kuadër të dhënies së asistencës apo hulumtimit ligjor mbi sektorin e drejtësisë në Republikën e Kosovës. Përmes këtij programi, praktikantët do të kenë mundësi të fitojnë njohuri praktike dhe profesionale mbi sektorin e drejtësisë në Kosovë, t’i kuptojnë sfidat me të cilat përballet sistemi i drejtësisë, si dhe të zhvillojnë aftësitë profesionale gjatë procesit të zbatimit të detyrave konkrete në punën praktike.

Kriteret e përzgjedhjes së kandidatëve:

  1. Të jenë në vitin e fundit të studimeve themelore apo juristë të diplomuar;
  2. Të kenë aftësi të mira komunikimi;
  3. Të kenë shkathtësi në shkrim dhe hulumtim ligjor;
  4. Të kenë njohuri të avancuara të gjuhës angleze në të folur dhe në të shkruar;
  5. Të kenë njohuri të mira të punës me Microsoft Office.

Programi i praktikës është me pagesë dhe zgjat nga 4 muaj – duke filluar nga data 14 nëntor 2022.

Për të aplikuar, ju lutemi plotësojeni formën e aplikimit në këtë link: , si dhe dërgojeni CV-në tuaj në [email protected], me subjekt: Aplikimi për punë praktike.

 

  • Konkursi është i hapur deri me 6 nëntor 2022 në ora 15:00.

Vetëm kandidatët e listës së ngushtë, të cilët do t’i përmbushin kriteret për përzgjedhje në programin e praktikës do të kontaktohen për intervistë.

VËREJTJE: Asnjë telefonatë nuk pranohet dhe çfarëdo përpjekje për të kontaktuar në lidhje me këtë praktikë, do të rezultojë me diskualifikim të menjëhershëm. Po ashtu, aplikacionet e pa kompletuara nuk do të merren parasysh.

Lëvizja FOL ju inkurajon që të aplikoni!

Ky program realizohet nga Lëvizja FOL mbështetur nga Departamenti i Shtetit Amerikan, përmes Byrosë së Narkotikëve Ndërkombëtar dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit (INL).

Gjykata Themelore e Prishtinës, gjykata me numrin më të madh të publikimit të aktgjykimeve për muajin shtator 2022

Prishtinë, 25 tetor 2022 – Lëvizja FOL ka vazhduar me monitorimin e publikimit të aktgjykimeve për periudhën 1 shtator – 30 shtator 2022 për të gjitha gjykatat e Kosovës. Fokus i monitorimit kanë qenë departamentet penale, civile, ekonomike dhe administrative. Gjatë monitorimit të aktgjykimeve të publikuara në ueb-faqen e Këshillit Gjyqësor të Kosovës për periudhën e lartpërmendur, Gjykatat kanë publikuar 2208 aktgjykime.

Gjykata me më së shumti aktgjykime të publikuara për muajin shtator 2022 është Gjykata Themelore e Prishtinës me 406 aktgjykime të publikuara.

Më poshtë mund të shihni infografikat për secilën gjykatë si dhe degë. Poashtu mund të shihni edhe numrin e aktgjykimeve të publikuara sipas natyrës penale, civile, administrative si dhe ekonomike.

Performanca e sistemit gjyqësor dhe prokurorial në zgjidhjen e lëndëve të korrupsionit dhe të dhunës në familje

Gjykata e Apelit, gjykata me më së shumti aktgjykime të publikuara për muajin gusht 2022

Prishtinë, 26 shtator 2022- Lëvizja FOL ka vazhduar me monitorimin e publikimit të aktgjykimeve për periudhën 1 gusht – 31 gusht 2022 për të gjitha gjykatat e Kosovës. Fokus i monitorimit kanë qenë departamentet penale, civile, ekonomike dhe administrative. Gjatë monitorimit të aktgjykimeve të publikuara në ueb-faqen e Këshillit Gjyqësor të Kosovës për periudhën e lartpërmendur, Gjykatat kanë publikuar 2621 aktgjykime.

Gjatë monitorimit tonë kemi vërejtur se nga 2621 aktgjykime, 88 janë aktgjykime për kundërvajtje, e të cilat sipas Udhëzimit Administrativ për publikimin e aktgjykimeve nuk duhet të publikohen si dhe 8 aktgjykime janë publikuar për të mitur si dhe 8 të tjera janë publikuar nga dy here, andaj të gjitha këto nuk evidentohen në databazën tonë.

Gjykata me më së shumti aktgjykime të publikuara edhe për muajin gusht 2022 është Gjykata e Apelit me 508 aktgjykime të publikuara.

Më poshtë mund të shihni infografikat për secilën gjykatë si dhe degë. Poashtu mund të shihni edhe numrin e aktgjykimeve të publikuara sipas natyrës penale, civile, administrative si dhe ekonomike.

       

 

Është mbajtur trjanimi “Ngritja e kapaciteteve të juristëve të rinj për shkrimin dhe praktikën ligjore”

Prishtinë, 24/25 shtator 2022 – Me datat 24 dhe 25 shtator, Lëvizja FOL ka organizuar trajnimin dy-ditor “Ngritja e kapaciteteve të juristëve të rinj për shkrimin dhe praktikën ligjore”.

Pjesëmarrësit patën mundësinë të ndjekin trajnimin nga eksperti ligjor Alban Krasniqi sa i përket trajtimit të perspektivës praktike mbi aspektet kryesore të procedurës civile dhe procedurës penale, forcimit të aftësive analitike dhe argumentuese të juristëve të rinj përmes trajtimit të rasteve hipotetike, njoftimin me shkrimin ligjor sipas metodës “IRAC”, si dhe ngritjen e aftësive të të folurit publik dhe lidershipit etik në drejtësi.

Ky aktivitet u organizua në kuadër të projektit “Përfshirja Gjinore në Sistemin e Drejtësisë”, mbështetur nga Departamenti i Shtetit Amerikan, përmes Byrosë Ndërkombëtare për Çështje të Narkotikëve dhe Sundim të Ligjit (INL).

Studentët e Fakultetit Juridik kanë vizituar Gjykatën Themelore në Gjilan

Gjilan, 23 shtator 2022 – Lëvizja FOL mbështetur nga Departamenti i Shtetit Amerikan, përmes Byrosë Ndërkombëtare për Çështje të Narkotikëve dhe Sundim të Ligjit (INL), së bashku me studentët e Fakultetit Juridik kanë vizituar Gjykatën Themelore në Gjilan.
Studentët u pritën në takim nga z. Rilind Sermaxhaj, nënkryetar i Gjykatës Themelore në Gjilan. Gjatë këtyre takimeve, studentët u informuan nga afër me organizimin dhe funksionimin e kësaj gjykate, sfidat me të cilat përballet, fluksin e lëndëve dhe çështje të tjera që ndërlidhen me sistemin gjyqësorë, si dhe patën mundësi që të shohin për së afërmi sallat ku mbahen proceset gjyqësore.
Nënkryetari i Gjykatës Themelore të Gjilanit u shpreh i gatshëm që edhe në të ardhëm të bashkëpunoj me studentë si dhe i inkurajoi studentët që të aplikojnë për punë praktike pranë kësaj gjykatë.
Ky Projekt financohet nga Departamenti i Shtetit Amerikan, përmes Byrosë Ndërkombëtare për Çështje të Narkotikëve dhe Sundim të Ligjit (INL).

Prioritetet në luftën kundër korrupsionit

Prishtinë, 15 shtator 2022 – Lëvizja FOL me mbështetjen IFES, ka mbajtur sot diskutimimin në kuadër të projektit “Lufta Efektive Kundër Korrupsionit (ECAC)”. Gjatë këtij takimi FOL kishte bërë prezantimin e Draft-raportit, ku kishte prezantuar gjendjen aktuale në luftën kundër korrupsionit.

Gjatw kwtij takimi tw pranishmit diskutuan rreth zgjidhjeve afatgjata dhe rekomandimeve potenciale në luftën kundër korrupsionit. FOL do të vazhdojë bashkëpunimin me institucionet në vend, si dhe do të bëjë monitorimin e tyre nga afër në luftën kundër korrupsionit.

 

FOL ishte pjesë e panairit të Oranizatave të Shoqërisë Civile

Prishtinë, 15 shtator 2022 – Lëvizja FOL ishte sot pjesë e panairit të Oranizatave të Shoqërisë Civile, i cili u organizua nën ombrellën e Forumit për Transparencë Parlamentare të Kuvendit të Kosovës. Ky panair ishte organizuar në kuadër të shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë.

#ditanderkombetaredemokracise

 A DËSHIRONI TË MËSONI MË SHUMË RRETH PRAKTIKËS GJYQËSORE DHE TË ZHVILLONI SHKATHTËSITË E ARGUMENTIMIT LIGJOR?

Prishtinë, 9 shtator 2022 – Lëvizja FOL në kuadër të Projektit “Gender inclusive justice sector- GIJS” të mbështetur nga Departamenti i Shtetit Amerikan, përmes Byrosë Ndërkombëtare për Çështje të Narkotikëve dhe Sundim të Ligjit (INL), është duke organizuar një trajnim dy-ditor për forcimin e kapaciteteve të studentëve të drejtësisë dhe juristëve të rinjë.

Përmes këtij trajnimi synohet që studentëve të drejtësisë dhe juristëve të rinjë të ju ofrojë një mundësi alternative për ekspozim ndaj një moduli unik të marrjes së njohurive përmes kombinimit të metodave më të avancuara të facilitimit të trajnimeve ligjore.

Trajnimi do të mbahet përgjatë dy ditëve (24-25 shtator 2022) dhe programi i trajnimit synon të arrijë këto objektiva:

  • Trajtimi i perspektivës praktike mbi aspektet kryesore të procedurës civile dhe procedurës penale;
  • Forcimi i aftësive analitike dhe argumentuese të juristëve të rinjë përmes trajtimit të rasteve hipotetike;
  • Njoftimi i pjesmarrësve me shkrimin ligjor sipas metodës “IRAC”; 
  • Promovimi i aftësive të të folurit publik dhe lidershipit etik në drejtësi.

 Ju ftojmë të aplikoni për të qenë pjesë e këtij trajnimi duke plotësuar formën e mëposhtme: 

Kush mund të aplikoj? Studentët e Fakultetit Juridik të vitit të tretë dhe të katërt të nivelit Bachelor, apo studentët e nivelit Master.

Deri kur mund të aplikoni? Afati i fundit për aplikim është 18 shtator 2022.

Ky trajnim do të mbahet në zyret e Lëvizjes FOL në Prishtinë dhe trajnues do të jetë Alban Krasniqi, ekspert ligjor.

Në fund të trajnimit të gjithë pjesëmarrësit do të certifikohen.

 

 

 

Gjykata e Apelit me më së shumti aktgjykime të publikuara për muajin korrik 2022

Prishtinë, 17 gusht 2022 – Lëvizja FOL ka vazhduar me monitorimin e publikimit të aktgjykimeve për periudhën 1 korrik – 31 korrik 2022 për të gjitha gjykatat e Kosovës. Fokus i monitorimit kanë qenë departamentet penale, civile, ekonomike dhe administrative. Gjatë monitorimit të aktgjykimeve të publikuara në ueb-faqen e Këshillit Gjyqësor të Kosovës për periudhën e lartpërmendur, është vërejtur se në total janë të publikuara 2500. FOL në databazën e saj ka evidentuar 2402 aktgjykime. Gjykata Themelore e Gjilanit ka publikuar 93 aktgjykime për kundërvajtje, e të cilat sipas Udhëzimit Administrativ për publikimin e aktgjykimeve nuk duhet të publikohen, poashtu janë larguar 5 aktgjykime të cilat janë publikuar nga dy herë.

Gjykata me më së shumti aktgjykime të publikuara për muajin korrik 2022 është Gjykata e Apelit me 599 aktgjykime.

Më poshtë mund të shihni infografikat për secilën gjykatë si dhe degë. Poashtu mund të shihni edhe numrin e aktgjykimeve të publikuara sipas natyrës penale, civile, administrative si dhe ekonomike.

 

 

Plani Strategjik dhe Operacional i Qeverisë për periudhën janar-qershor 2022

Qeveria e Kosovës realizoi 48 % të Planit Strategjik dhe Operacional për periudhën e parë gjashtë mujore të viti 2022

Prishtinë, 9 gusht 2022 – Lëvizja FOL me mbështetjen financiare të Rockefeller Brothers Fund ka bërë monitorimin e Planit Strategjik Operacional(PSO) të Qeverisë për periudhën janar – qershor 2022 të 15 Ministrive dhe Zyrës së Kryeministrit. Nga 2077 aktivitete të parapara për këtë periudhë kohore, janë realizuar vetëm 996 aktivitete.

Mexhide Demolli-Nimani nga Lëvizja FOL tha se “nga 2077 aktivitete të parapara për këtë periudhë kohore, janë realizuar 996 aktivitete, ndërkaq 1081 kanë mbetur pa u realizuar”.

Demolli-Nimani theksoi se, Qeveria e Kosovës për periudhën e parë gjashtë mujore të vitit 2022 ka realizuar 48 %  të Planit Strategjik Operacional.

Ministritë të cilat kanë paraparë një numër më të madh të aktiviteteve janë ajo e Kulturës dhe Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, përderisa Ministria për Komunitete dhe Kthim ka paraparë të realizoj vetëm 8 aktivitete i bie që përqindja e realizimit të del më e madhe në krahasim me ministritë e lartcekura për shkak të numrit të madh të aktiviteteve të parapara.

Për më shumë detaje rreth perfomancës së Zyrës së Kryeministrit dhe secilës nga ministritë i gjeni në vazhdim:

Zyra e Kryeministrit – në kuadër të Planit Strategjik dhe Operacional për periudhën janar – qershor 2022, ka paraparë të realizoj 98 aktivitete prej të cilave ka realizuar 46 nga këto aktivitete.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës – në kuadër të PSO-së, për periudhën janar – qershor 2022, ka paraparë të realizoj 35 aktivitete, prej të cilave ka realizuar 15 nga këto aktivitete.

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës –  për periudhën janar – qershor 2022, ka paraparë të realizoj 461 aktivitete, prej të cilave ka realizuar 103 nga këto aktivitete.

Ministria e Drejtësisë – në kuadër të për periudhën janar – qershor 2022, ka paraparë të realizoj 94 aktivitete, prej të cilave ka realizuar 53 nga këto aktivitete.

Ministria e Zhvillimit Rajonal në kuadër të PSO-së, për periudhën janar – qershor 2022 ka paraparë të realizoj 40 aktivitete, prej të cilave ka realizuar 38 nga këto aktivitete.

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit – për periudhën janar – qershor 2022, ka paraparë të realizoj 96 aktivitete, prej të cilave ka realizuar 56 nga to.

Ministria e Ekonomisë – për këtë periudhën ka paraparë të realizoj 135 aktivitete, prej të cilave ka realizuar 77 nga këto aktivitete.

Ministria e Punëve të Brendshme – në kuadër të PSO-së për periudhën janar – qershor 2022, ka paraparë të realizoj 191 aktivitete, prej të cilave ka realizuar 103 nga  këto  aktivitete.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë – për periudhën janar – qershor 2022 ka paraparë të realizoj 123 aktivitete, prej të cilave ka realizuar 63 nga këto aktivitete.

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal – në kuadër të PSO-së për periudhën janar – qershor 2022 ka paraparë të realizoj 25 aktivitete, prej të cilave ka realizuar 22 nga këto aktivitete.

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve – në kuadër të PSO-së për periudhën janar – qershor 2022, ka paraparë të realizoj 126 aktivitete, prej të cilave ka realizuar 80 nga këto aktivitete.

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural – për periudhën janar – qershor 2022 ka paraparë të realizoj 43 aktivitete, prej të cilave ka realizuar 33 nga këto aktivitete.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit – në kuadër të PSO-së ka paraparë të realizoj 512 aktivitete, prej të cilave ka realizuar 259 nga këto aktivitete.

Ministria e Shëndetësisë – kishte paraparë të realizoj 76 aktivitete, prej të cilave ka realizuar 28.

Ministria për Kthim dhe Komunitete –  për periudhën janar – qershor 2022 ka paraparë të realizoj 8 aktivitete, prej të cilave ka realizuar 7 nga to.

Ndërkaq, Ministria e Mbrojtjes – në kuadër të Planit Strategjik Operacional për periudhën janar – qershor 2022, ka paraparë të realizoj 14 aktivitete dhe ka realizuar 13 nga to. Vlen të theksohet se përgjigjja në pyetësorin e FOL-it, nga kjo ministri ka ardh një ditë pas publikimit të rezultateve per ministritë tjera.

Ajo çka duhet theksuar është se shumë nga ministritë kanë dërguar dhe informacione shtesë sa i përket realizimit të planit, mirëpo FOL në këtë periudhë 6 mujore ka bërë vetëm matjen statistikore të realizimit të aktiviteteve duke u bazuar në afatet kohore që ministritë i kanë caktuar në planin e punës, tha Demolli-Nimani.