Gjykatat e Kosovës shënojnë rritje në publikimin e aktgjykimeve, 4523 aktgjykime të publikuara për muajin maj 2022

Prishtinë, 4 korrik 2022 – Lëvizja FOL ka vazhduar me monitorimin e publikimit të aktgjykimeve në ueb-portalin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës për të gjitha gjykatat në vend. Gjatë muajit maj 2022, gjykatat kanë publikuar 4523 aktgjykime. Gjykata me numrin më të madh të aktgjykimeve të publikuara për muajin maj është Gjykata Themelore e Prishtinës me 1353 aktgjykime. Më poshtë mund të shihni infografikat për secilën gjykatë si dhe degë. Poashtu mund të shihni edhe numrin e aktgjykimeve të publikuara sipas natyrës penale, civile, administrative si dhe ekonomike.

      

Koalicioni i OJQ-ve: Fletëpoentimet e kandidatëve konfirmojnë se procesi i përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit nuk ka qenë i rregullt

Prishtinë, 21 qershor 2022 – Organizatat joqeveritare Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Lëvizja FOL (tutje: Koalicioni), me 24 mars 2022 prezantuan Raportin “Integriteti i procesit të përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit (Raport i monitorimit dhe i vlerësimit të procesit të përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit).”

Në këtë Raport si dhe në vazhdimësi, Koalicioni e shihte të domosdoshme që procesi i përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit të kthehej në pikën zero, duke vlerësuar që Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) kishte dështuar të siguronte integritetin dhe meritokracinë e këtij procesi.

Mes tjerash, Koalicioni kishte vlerësuar që paneli intervistues ka dështuar në një vlerësim objektiv dhe gjithëpërfshirës të kandidatëve. Një parregullsi e tillë e procesit tani dëshmohet më së miri nga formularët e vlerësimeve të kandidatëve (fletëpoentimet) nga secili anëtar i panelit intervistues. Këto fletëpoentime Koalicioni ka arritur t’i sigurojë më 10 qershor 2022, vetëm përmes Agjencisë për Informim dhe Privatësi (AIP), pasi që Këshilli Prokurorial nuk ishte përgjigjur fare në Kërkesën për Qasje në Dokumente Publike të Koalicionit, të dorëzuar më 4 prill 2022 .

Pas analizimit të fletëpoentimeve të secilit anëtar të panelit intervistues, për secilin kandidat për Kryeprokuror të Shtetit, Koalicioni ka vërejtur se arsyetimi i vlerësimit për secilën kategori poentuese është i cekët dhe i mungon analiza e duhur, dhe është në kundërshtim të plotë me Udhëzuesin për nenet 13 dhe 14 të Rregullores për Emërimin e Kryeprokurorit dhe Kryeprokurorëve, të miratuar nga vetë KPK. Anëtarët e panelit intervistues nuk kanë arritur që të japin një arsyetim analitik për vlerësimin e bërë, duke dhënë thjeshtë arsyetime sipërfaqësore, pa një analizë të mirëfilltë dhe arsyetim bindës për vlerësimin e bërë.

Edhe pse arsyetimi dhe argumenti do duhej të organizohej në atë formë që sa më shumë të jetë bindës dhe po ashtu për ta mbrojtur vet poentimin e anëtarit, megjithatë paneli intervistues nuk ka arritur që të ndërtojë një arsyetim të tillë, pasi poentimi i këtyre anëtarëve nuk përputhet me arsyetimin e dhënë dhe kjo më së miri vërehet në disa kategori poentuese ku arsyetimi i anëtarit është plot me lavde dhe pa asnjë vërejtje dhe më pas kandidatit i hiqen disa pikë, pa treguar arsyen se pse po i hiqen ato pikë dhe ku ka dështuar kandidati.

Sipas Udhëzuesit të lartpërmendur, për të siguruar një qasje të drejtë, të qëndrueshme dhe meritore, anëtarët e Panelit duhet të marrin shënime rreth përgjigjeve të pyetjeve dhe ta përdorin atë informacion për të vendosur se çfarë standardi ka arritur kandidati në lidhje me kompetencën specifike në shqyrtim. Mirëpo, me arsyetime kaq të cekëta, më nga vetëm një faqe për kandidat, me minimum fjalish për një kategori poentuese (në raste të caktuara vetëm me një fjali), tregohet qartë se anëtarët e panelit intervistues të KPK-së, të japin përshtypjen se këtë proces e kanë zhvilluar shkel e shko, pa i dhënë kohën dhe rëndësinë që i takon këtin procesi, si dhe nuk kanë arritur të përçojnë në publik bindjen se vlerësimi i bërë për kandidatët ishte adekuat, i bazuar në intervistë dhe ccka është më e rëndësishmja duke cenuar meritokracinë e procesit.

Gjithashtu, në arsyetimin e fletëpoentimeve, është parë se anëtarët e panelit intervistues nuk i kanë as vetë të qarta kompetencat e Kryeprokurorit të Shtetit dhe ato të Këshillit Prokurorial, pasi në arsyetimin e tyre, kandidati vlerësohet se nuk ka treguar vizion, strategji dhe aftësi menaxhuese për sfidat e përgjithshme në sistemin prokurorial të cilat janë në kompetencë të KPK-së si organ kolegjial dhe asesi kompetencë dhe përgjegjësi e Kryeprokurorit të Shtetit. Lidhur me këtë problematikë Koalicioni edhe në raportin e publikuar për procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit kishte theksuar se shumë pyetje në formularin e Koncept Dokumentit ndërlidhen me proceset që janë kompetencë e KPK-së e jo e Kryeprokurorit të Shtetit.

Si përfundim, gjetjet e kaluara të Koalicionit se, mes tjerash, Rregullorja për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe Kryeprokurorëve të Prokurorive të Republikës së Kosovës si dhe Udhëzuesi përkatës nuk kanë gjetur zbatim adekuat në vlerësimin e kandidatëve, duke dështuar të sigurohet integriteti dhe meritokracia e procesit, kjo rikonfirmohet edhe pas sigurimit të fletëpoentimeve të anëtarëve të panelit intervistues. Prandaj, Koalicioni vazhdon të insistojë se procesi i përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit duhet të kthehet në pikën zero, në mënyrë që të garantohet integriteti dhe meritokracia e procesit.

FOL Hapur me gazetarë në Komunën e Prizrenit

Prishtinë, 9 qershor 2022 – Lëvizja FOL me mbështetjen e “Safe Journalists” ka mbajtur të enjten më 9 qershor diskutimin “FOL Hapur” me gazetarë dhe aktivistë të Komunës së Prizrenit.

Në këtë diskutim gazetarët dhe aktivistët kishin rastin të informohen në lidhje me kuptimin e padive SLAPP, nivelin e përhapjes së këtij fenomeni në vendin tonë, si dhe se sa janë të rrezikuar gazetarët dhe aktivistët kosovar nga ushtrimi i këtyre padive.

Ky takim kishte për qëllim që gazetarët të njihen me paditë SLAPP dhe mënyrën e luftimit të këtyre padive, si dhe rolin e rëndësishëm që luajnë gazetarët dhe akterët e tjerë të medias në një shoqëri demokratike.

Diskutime të tilla me gazetarë dhe aktivistë në vazhdim do të mbahen edhe nëpër komuna të tjera të Kosovës.

Ky projekt financohet nga Bashkimi Evropian përmes safejournalists.net.

Lëvizja FOL bashkë me studentë të Fakultetit Juridik kanë vizituar Gjykatën Themelore në Prizren

Prishtinë, 09 06 2022- Lëvizja FOL me mbështetjen e UNMIK Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, dje së bashku me studentët e Fakultetit Juridik kishin vizituar Gjykatën themelore në Prizren.

Studentët u pritën në takim nga Kryetarja e Gjykatës znj. Shpresa Emra. Gjatë këtij takimi studentët u informuan për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Themelore në Prizren si dhe degëve të saj.

Kryetarja Emra tha se “ne punojmë pa reshtur ta rrisim transaprencën, të jemi të hapur për publikun dhe sunduesit e ligjit, por me theks të veçant t’iu ndihmojmë studentëve të juridikut”.

Kryetarja Emra, në bashkëbisedimin me studentët, i’u është përgjigjur pyetjeve të shumta nga studentët, duke ofruar sqarime për natyrën e punës së Gjykatës dhe informacione shtesë për trajtimin e rasteve të veçanta për të cilat studentët kishin interesim.

Kryetarja ka theksuar se viteve të fundit Gjykata ka arritur nivelin e transparencës, duke përmirësuar dhe zhvilluar edhe infrastrukturën me qëllim të rritjes së cilësisë dhe transparencës së procesit gjyqësor dhe shërbimeve ndaj publikut.

Kryetarja Emra u shpreh e gatshme që dhe në të ardhmen do të pres studenta në takime apo dhe grupe tjera që shfaqin interesim për organizimin dhe punën e Gjykatës Themelore në Prizren.

Ky Projekt financohet nga UNMIK – Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë.

FOL Hapur me Yll Buleshkaj, drejtor i Agjencisë kundër Korrupsionit

Prishtinë, 08 qershor 2022 – Lëvizja FOL ka mbajtur sot diskutimin FOL Hapur me drejtorin e Agjencisë kundër Korrupsionit, z. Yll Buleshkaj.
Me z. Buleshkaj u diskutua për ndryshimet ligjore që janë bërë për Ligjin për Agjencinë kundër Korrupsion dhe Ligjit për Deklarimin, Kontrollin, Prejardhjen e Pasurisë dhe Dhuratave si dhe efekti i këtyre ligjeve në mandatin aktual të Agjencisë.
Gjithashtu, gjatë këtij forumi u diskutua rreth zbatimit të Ligjit për Mbrojtën e Sinjalizuesve si dhe Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit.

Ky diskutim u mbështet nga Rockfeller Brothers Fund.

Trajnim me gazetarë për paditë SLAPP

Prishtinë, 3 qershor 2022 – Lëvizja FOL me mbështetjen e “Safe Journalist” ka mbajtur të premten trajnimin njëditor me gazetarë të mediave lokale dhe qendrore.

Në këtë trajnim, gazetarët u njohën nga afër me përvojat e kolegëve të tyre, Ardiana Thaçi dhe Lavdim Hamidi, të cilët po përballen me paditë SLAPP. Ndërkaq ekspertja për media, Flutura Kusari, i ka njoftuar gazetarët për kornizën ligjore të padive SLAPP, lirinë e shprehjes dhe të drejtat e gazetarëve.

Ky trajnim kishte për qëllim që gazetarët të njihen me paditë SLAPP dhe mënyrën e luftimit të këtyre padive, detyrimet e tyre sipas të drejtave ndërkombëtare të njeriut dhe të drejtës humanitare, rolin e rëndësishëm që luajnë gazetarët dhe aktorët e tjerë të medias në një shoqëri demokratike si dhe standardet ndërkombëtare të lirisë së shprehje.

Ky projekt financohet nga Bashkimi Evropian përmes safejournalists.net

Gjykata e Apelit me 676 aktgjykime të publikuara për muajin prill 2022

Prishtinë, 20 maj 2022 – Lëvizja FOL ka vazhduar me monitorimin e publikimit të aktgjykimeve nga të gjitha gjykatat e Kosovës në ueb-portalin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Gjatë muajit prill 2022, gjykatat në ueb-portal të Këshillit Gjyqësor të Kosovës kanë publikuar 2177 aktgjykim. Gjykata me numrin më të madh të aktgjykimeve të publikuara për muajin prill është Gjykata e Apelit me 676 aktgjykime. Më poshtë mund të shihni infografikat për secilën gjykatë si dhe degë. Poashtu mund të shihni edhe numrin e aktgjykimeve të publikuara sipas natyrës penale, civile, administrative si dhe ekonomike.

Forumi “FOL Hapur për Sundimin e Ligjit në Kosovë”

Lëvizja FOL mbështetur nga Departamenti i Shtetit Amerikan, përmes Byrosë Ndërkombëtare për Çështje të Narkotikëve dhe Sundim të Ligjit (INL), ka mbajtur diskutimin “FOL Hapur për Sundimin e Ligjit në Kosovë”. Në këtë diskutim të ftuar ishin Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës z. Jeffrey M. Hovenier si dhe Ministrja e Drejtësisë znj. Albulena Haxhiu.

Në këtë diskutim është bërë prezantimi i gjetjeve nga raporti “Performanca e sistemit prokurorial dhe gjyqësor për rastet e dhunës në familje gjatë vitit 2021”, ndërkaq Ambasadori Amerikan ka bërë adresimin e tij të parë sa i përket fushës së sundimit të Ligjit në Kosovë.

Gjithashtu një adresim rreth sundimit të Ligjit në Kosovë e ka bërë edhe Ministrja e Drejtësisë znj. Albulena Haxhiu.

Gjeni raportin në gjuhën shqipe në këtë link:
si dhe në gjuhën angleze këtu:

PËRTEJ NUMRAVE – Performanca e sistemit prokurorial dhe gjyqësor në trajtimin dhe zgjidhjen e rasteve të dhunës në familje gjatë vitit 2021

Mbahet mbledhja e Kuvendit të Anëtarëve: Mexhide Demolli-Nimani rizgjedhet Drejtore Ekzekutive

Prishtinë, 10 maj 2022- Kuvendi i Anëtarëve të Lëvizjes FOL ka mbajtur sot mbledhjen e radhës ku është bërë zgjedhja e Drejtorit/es Ekzekutiv/e të Lëvizjes FOL.

Gjatë këtij takimi ishin diskutuar disa ndryshime në statutin e Lëvizjes FOL, i cili me shumicë të votave është aprovuar me ndryshimet e propozuara.

Po ashtu në këtë mbledhje ishtë bëre zgjedhja e Drejtorit/es të Lëvizjes FOL. Me 22 vota për, asnjë abstenim dhe asnjë kundër, Mexhide Demolli-Nimani rizgjedhet Drejtore Ekzekutiv e Lëvizjes FOL. Numri i anëtarëve të Kuvendit të Lëvizjes FOL arrin në 22, ndërkaq në këtë mbledhje prezent ishin 14 prej tyre.

Mexhide Demolli-Nimani është bashkëthemeluese e Lëvizjes FOL dhe nga maji i vitit 2018, ka shërbyer në pozitën e Drejtoreshës Ekzekutive.

Në mbledhjen e fundit është votuar dhe Kryesuesi i Kuvenit të FOL, me 14 vota pro Gersi Gashi vazhdon dhe një manda si Kryesues i Kuvendit të anëtarëve të Lëvizjes FOL.

Lëvizja FOL, falenderon të gjithë anëtarët e Kuvendit të organizatës për kontributin e dhënë për arritjen e objektivave të organizatës.

Ky aktivitet u mbështet nga Rockfeller Brothers Fund.

Lëvizja FOL ndan Çmimin “FOL për Prokurim”

Prishtinë, 27 prill 2022 – Lëvizja FOL me mbështetjen e Open Contracting Partnership ka ndarë sot çmimin për gazetarë “FOL për prokurim”.

Mexhide Demolli-Nimani drejtore ekzekutive e Lëvizjes FOL, tha se është viti i dytë që FOL tashmë ndanë çmime për artikujt e botuar dhe storiet nga gazetarë hulumtues në fushën e Prokurimit Publik. “Raportimi për prokurimin publik nga gazetaret është i një rëndësië së veçantë. Andaj, për të inkurajuar gazetarët hulumtues në fushën e prokurimit publik, të cilët përmes raportimeve të tyre kanë paraqitur parregullsi dhe keqpërdorime përmes procedurave të prokurimit publik, ne sot po ndajmë çmime simbolike për gazetarët që raportojnë për këtë sektor”, tha Demolli Nimani duke shtuar se raportimi për prokurimin publik në mënyrë të vazhdueshme bën që institucionet publike të përmirësojnë vetën duke rritur në këtë mënyrë transparencën dhe llogaridhënien e shpenzimeve të parasë publike.

Andaj sot, FOL Çmimin e Tretë ia ndau Egzon Dahsylës, për shkrimin “Komunës së Gjakovës nuk i mjaftuan 460 mijë euro për pastrimin e një deponie”. Shkrimi tregon mënyrën e keqpërdorimit të parasë publike. Në Gjakovë është deponia legale në lagjen ‘Ali Ibra’. Aty hudhen gjitha mbeturinat të qytetit të Gjakovës. Komuna kishte siguruar një fond në vlerë prej 400 mijë euro, për eliminimin e deponisë dhe rehabilitimin e lokacionit. Kishte nënshkruar një kontratë me procedurë të negociuar, pa publikim të njoftimit për kontratë. Vlera e kontratës ishte 420 mijë euro. Por kjo shumë nuk ishte e mjaftuar për pastrimin e deponisë. Më pas, Komuna ka nënshkruar edhe një ankes-kontratë për të njëjtin qëllim, me të njëjtën kompani. Plus 41 mijë euro dhe 461 mijë euro në total, nuk i kishin mjaftuar Komunës së Gjakovës për të eliminuar këtë deponi.

Çmimi i Dytë iu nda Alberta Hashanit nga Shqip, për video storien “Dallaveret me tenderin që la rrugët e Kosovës pa sinjalistikë”. Ky hulumtim ka të bëjë me Ramadan Mazrekajn, i cili si hartues i specifikave të tenderit për mirëmbajtjen e rrugëve me sinjalistikë, ia dha vetës  tenderin. Pas ankesave të bëra nga kompanitë e tjera, lënda ka mbetur ende në trajtim nga OSHP-ja. Si rrjedhojë, 40 për qind e rrugëve kanë mbetur pa sinjalistikë tash e katër vjet.

Ndërkaq, Çmimi i Parë iu nda autorit Valon Fana nga Kallxo.com, për shkrimin “Vetura që ishte në pronësi të kryesuesit të bordit u ble nga Trafiku Urban”. Ky hulumtim tregon se ish-kryesuesi i bordit i Ndërmarrjes Publike Lokale “Trafiku Urban”, Ruhan Beha veturën e tij personale, e kishte shitur për këtë ndërmarrjeje duke anashkaluar procedurat e prokurimit. Pronësia e veturës është konfirmuar nga Agjencia e Regjistrimit Civil, departamenti i regjistrimit të automjeteve. Në ueb-faqen e prokurimit elektronik nuk figuron asnjë tender i hapur nga “Trafiku Urban” për blerje të veturës në atë kohë. Hulumtimi, tutje zbardh detaje se tenderi për blerjen e kësaj veture dhe nënshkrimi i kontratës ishte bërë disa muaj më vonë. Përveç kësaj, çmimi me të cilën ishte blerë ajo ishte dyfish më i lartë se çmimi i një veture të tillë në treg. Pas këtij hulumtimi, Policia e Kosovës, departamenti i krimeve ekonomike ka nis hetimet. Ndërsa, kryeshefi i “Trafikut Urban” është shkarkuar.

 

Asdren Gjikolli (Gjiko) të tërheqë padinë SLAPP kundër gazetarëve të “FrontOnline”

Prishtinë, 20 prill 2022 – Ne, organizatat dhe aktivistët e poshtëshënuar shprehim shqetësimin tonë në lidhje me padinë për shpifje dhe kërkesat për masa të përkohshme të ushtruar nga këngëtari Asdren Gjikolli (Gjiko) kundër gazetarëve të medias online “FrontOnline”. Kërkojmë nga Asdren Gjikolli që menjëherë ta tërheqë padinë dhe të zbrapset nga përpjekjet për t’i frikësuar gazetarët dhe për ta penguar raportimin për akuzat ndaj tij.

Më 23 mars 2022, media online “FrontOnline” informoi publikun që Asdren Gjikolli akuzohet nga Prokuroria Themelore në Prishtinë për dhunimin e një të miture. Aktakuza është ngritur më 3 prill 2017 ndërsa gjykimi i tij dhe tre personave të tjerë të përfshirë në aktakuzë është duke vijuar.[1] Pas raportimit, i akuzuari Gjikolli ka reaguar ndaj raportimit duke paralajmëruar padi ndaj mediave dhe duke i quajtur raportimet si të pavërteta dhe të sajuara.

Gazetarët Lavdim Hamidi dhe Enis Veliu, duke ushtruar të drejtën e tyre të përgjigjes ndaj akuzave publike, kanë komentuar në llogaritë e tyre në Facebook reagimin e Asdren Gjikollit (shih postimet e tyre më poshtë). Ata poashtu kanë kritikuar sistemin gjyqësor për vonesat në trajtimin e këtij rasti.

Më 31 mars 2022, Gjikolli, përmes avokaturës “Kërveshi & Partners” ka ushtruar padi për shpifje kundër Lavdim Hamidit, kërkesë për masë të përkohshme për largimin e statusit në Facebook që flet për akuzën e Prokurorisë, si dhe ka kërkuar dëmshpërblim prej 5.100 euro. Ai poashtu ka kërkuar nga Enis Veliu largimin e statusit nga Facebook lidhur me procesin gjyqësor që po zhvillohet ndaj tij.

Ne konsiderojmë që padia e shoqëruar me kërkesat për masa të përkohshme është Padi Strategjike Kundër Pjesëmarrjes Publike (padi SLAPP) dhe si e tillë nuk ka gjasa që të ketë sukses në gjykatë. Kjo padi ka për qëllim që të pengojë raportimin e akuzave për dhunim që rëndojnë mbi Gjikollin duke i zvarritur gazetarët nëpër gjykata dhe duke ju shkaktuar kosto financiare dhe shqetësim. Përpos kësaj, me padi synohet të dekurajohen edhe gazetarët tjerë nga raportimi lidhur me procesin gjyqësor që po zhvillohet ndaj Gjikollit.

Raportimi i “FrontOnline” bazohet në fakte, përkatësisht në aktakuzën e ngritur nga prokuroria. Statusi i postuar në “Facebook” është përgjigje ndaj akuzave të pabaza të bëra nga i padituri në “Instagram”. Ai përmban edhe opinion i cili është bazuar në fakte, përkatësisht në aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Themelore e Prishtinës në vitin 2017. Opinioni është publikuar në kontekst të një diskutimi të madh publik për dhunën ndaj grave dhe vajzave në Kosovë dhe mos efikasitetin e gjykatave në trajtimin e rasteve të dhunës me bazë gjinore, me theks të veçantë dhunës seksuale ndaj vajzave dhe grave. Subjekti i diskutimit është një këngëtar i famshëm i cili ka për obligim që të tolerojë diskutimin publik të akuzave ndaj tij sepse përbëjnë temë me interes publik.

Ne do të regjistrojmë këto padi në platformat ndërkombëtare për dokumentimin e padive SLAPP, do t’a monitorojmë nga afër procesin gjyqësor dhe nëse z. Gjikolli nuk e tërheqë padinë, ne kemi besim të plotë që Gjykata Themelore e Prishtinës do të trajtojë lëndët në pajtim me Kushtetutën e Kosovës dhe standardet e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Ndërsa, nga Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për të Mitur, kërkojmë që gjykimin lidhur me aktakuzën për dhunim të ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë t’a përfundoj pa vonesë dhe të sigurohet që mos-prania e të akuzuarve të mos jetë shkak për zvarritjen e procesit.

29 mars 2022, Lavdim Hamidi në Facebook “Aktakuza kundër këngëtarit Gjiko është e tmerrshme! Çfarë shkruan aty e mos me shku asnjë ditë në burg vetëm në Kosovë ndodhë. Janë 6 vepra penale me një dokument disa faqësh. Edhe më keq, shkon i paguan avokatët me u bo padi medieve. Unë nuk po mundem me lexu se çka shkruan aty, se çka kanë bërë me një vajzë të mitur! Megjithatë faktet do të prezantohen në gjykatë.

[1] 29 mars 2022, Enis Veliu në Facebook “Aktakuza kundër këngëtarit Gjiko është e kompletuar për krimet që ka bërë ai. Prokurorja Sebahate Hoxha me aktakuzën 7 faqe me plot dëshmi e ka bërë punën e vetë, por jo edhe Gjykata. Me vite lënda flenë në sirtarë. Në seancë herë mungon i akuzuari, herë gjykatësi e herë avokati, me rëndësi seanca nuk mbahet. Sikur ndonjë qytetarë tjetër t’i kish konsumu plotë 6 vepra, edhe atë me video dëshmi, së paku 6 vite burg i kish majtë e ky tipi as 6 orë nuk ka qëndruar prapa grillave. Edhe më keq shkon i paguan avokatët me u bo padi medieve. Unë nuk po mundem me lexu se çka shkruan aty, se çka kanë bërë me një vajzë të mitur! Megjithatë faktet do të prezantohen në Gjykatë.”

1. Statusi i Lavdim Hamidit
2. Statusi i Enis Veliut

_______________________________________________________________________________________________________________

[1] Reperi Gjiko të premten del para Gjykatës, akuzohet për dhunim (Dokument), https://frontonline.net/reperi-gjiko-te-premten-del-para-gjykates-akuzohet-per-dhunim-dokument/?fbclid=IëAR3u5D6piiSrDJ78R47këNSOZOUPrZVPAf0aCpLiJvaSO-2lR2HXN0JO1vY

 

Organizatat dhe aktivistët nënshkrues të kësaj letre:

LËVIZJA FOL

KCSF

ARDIAN NRECAJ

FLUTURA KUSARI

RINA KIKA

SHPRESA LOSHAJ

QENDRA PER POLITIKA DHE AVOKIM (QPA)

AGK

KMDLNJ

YIHR KS

CSGD

PIPS

SYRI I VIZIONIT

FIQ

KOSID

EC Ma NDRYSHE

QIKA

INDEP

GAP

KDAC

KRCT

CSGD

LIRIDONA SIJARINA

GRESA RRAHMANI

OPMDK

SUPPORT GROUPS KOSOVA

JETA BERISHA

QENDRA PER INFORMIM DHE PERMIRESIM

PROGRAMI PER STUDIME DHE HULUMTIME GJINORE NGA UP

OJQ SIT

QKSGJ

CEL KOSOVA

TRINGA KASEMI

ELI KRASNIQI

BALKAN FORUM

RRJETI I GRAVE TE KOSOVES

ERBLIN AJDINI

COLUMBUS

ZANA AVDIU

Ky aktivitet është mbështetur nga Rockefeller Brothers Fund.

Gjykata e Apelit me 952 aktgjykime të publikuara për muajin mars 2022

Prishtinë, 18 prill 2022  – Lëvizja FOL ka vazhduar me monitorimin e publikimit të aktgjykimeve nga të gjitha gjykatat e Kosovës në ueb-portalin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Gjatë muajit mars 2022, gjykatat në ueb-portal të Këshillit Gjyqësor të Kosovës kanë publikuar 2898 aktgjykime, mirëpo në databazën e Lëvizjes FOL janë larguar 11 aktgjykime për arsye që disa nga to kanë qenë aktgjykime të publikuara nga dy herë si dhe disa kanë qenë aktvendime për çështje familjare. Gjykata me numrin më të madh të aktgjykimeve të publikuara për muajin mars është Gjykata e Apelit me 952 aktgjykime. Më poshtë mund të shihni infografikat për secilën gjykatë si dhe degë. Poashtu mund të shihni edhe numrin e aktgjykimeve të publikuara sipas natyrës penale, civile, administrative si dhe ekonomike.

IKD, GLPS dhe FOL: Propozimi i Këshillit Prokurorial për emërim të Kryeprokurorit të ri të Shtetit, i papranueshëm

Të mërkurën, më 6 prill 2022, Këshilli Prokurorial i Kosovës votoi unanimisht që Blerim Isufaj të jetë Kryeprokurori i ri i Shtetit. Propozimi i Këshillit Prokurorial do të dërgohet tek Presidentja e vendit, për të vendosur përfundimisht lidhur me emërimin.
Ky propozim për emërim të Blerim Isufajt si Kryeprokuror i Shtetit bëhet nga Këshilli Prokurorial megjithëse organizatat kyçe të vendit që merren me monitorimin e sistemit të drejtësisë, kishin tërhequr vërejtjen se procesi i përzgjedhjes së Kryeprokurorit të ri të Shtetit kishte një varg mangësish të cilat cenonin integritetin e procesit. Kështu, organizatat e sipërshënuara Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Lëvizja FOL, më 24 mars 2022 publikuan Raportin “Integriteti i procesit të përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit: Raport i monitorimit dhe vlerësimit të procesit të përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit.”

Në këtë Raport, IKD, GLPS dhe FOL (tutje: Koalicioni) tërhiqnin vërejtjen që Paneli Vlerësues kishte vlerësuar kandidatët në mënyrë qartazi të pabazuar, duke cenuar meritokracinë e procesit. Ta zëmë, z. Isufaj, i cili u propozua për Kryeprokuror të ri, ishte vlerësuar me 98 nga gjithsej 100 pikë, megjithëse koncept-dokumenti i tij dhe intervista pranë Komisionit kishin mangësi të mëdha në aspektin profesional, që vëreheshin lehtësisht. Njëherit, kandidatët ishin trajtuar në mënyrë të pabarabartë nga Komisioni dhe, krahas kësaj, defektet e caktuara procedurale kishin dështuar të siguronin një vlerësim të mirëfilltë dhe adekuat të kandidatëve. KPK ka dështuar që gjatë procesit të intervistimit të kandidatëve për Kryeprokuror të Shtetit të sqarojë dhe sigurojë se kandidati për Kryeprokuror të Shtetit ka integritet të pakontestuar dhe që i përshtatet pozitës së Kryeprokurorit të Shtetit. Si rrjedhojë, Koalicioni rekomandonte që i tërë procesi i përzgjedhjes dhe emërimit të Kryeprokurorit të ri të Shtetit të anulohej dhe të përsëritej, ashtu që të evitoheshin shkeljet procedurale dhe defektet e evidentuara.

Me gjithë vërejtjet dhe kritikat objektive të bëra, është brengosëse që Këshilli Prokurorial ka propozuar për emërim z. Isufajn, në mënyrë unanime. Është për t’u habitur se si të paktën një anëtar i Këshillit nuk është bindur nga analiza e dhënë përmes monitorimit objektiv të procesit. Një veprim i tillë i Këshillit vetëm sa reflekton edhe më tutje faktin që Këshilli Prokurorial qeveriset me mendësi korporatiste, pa objektivitet në vendimmarrje, ashtu siç kishte tërhequr vërejtjen për një rrezik të tillë edhe Komisioni i Venecias në opinionin për Kosovën CDL-AD(2021)051.

Propozimi i Këshillit Prokurorial për emërim do të dërgohet tek Presidentja e vendit për dekretim përfundimtar, me të cilin z. Isufaj do të emërohej Kryeprokurori i ri i Shtetit, me mandat shtatëvjeçar. Koalicioni i bën thirrje Presidentes që, në kuptim të mandatit të saj kushtetues për të garantuar funksionimin demokratik të institucioneve, të garantojë integritetin e procesit të përzgjedhjes së Kryeprokurorit ashtu që mangësitë e theksuara objektive të këtij procesi t’i marrë parasysh në vlerësimin e saj për emërim.

Nga Vlerësimi i Transparencës së Prokurimit Publik Kosova ka marrë gjithsej 83.36 %, duke u renditur në vendin e 4 (katërt) nga 42 vende të botës

Lëvizja FOL, me mbështetjen e Open Contracting Partnership, ka bërë prezentimin e “Indeksit të Vlerësimit të Transparencës së Prokurimit Publik (TPPR) për Kosovën”.

Në mars të vitit 2022, Kosova iu bashkua Vlerësimit të Transparencës së Prokurimit Publik (TPPR) si vendi i 42-të që do të vlerësohet në kuadër të iniciativës ndërkombëtare të Institute for Development of Freedom of Information (IDFI), organizatë e shoqërisë civile me bazë në Gjeorgji. Ky vlerësim është bërë përmes një metodologjie universale për vlerësimin e legjislacionit të prokurimit publik me qëllimin përfundimtar për të identifikuar pikat e forta dhe të dobëta të kornizave ligjore dhe zbatimin e tyre në mbarë globin. Ky vlerësim nuk përfshin aspektin e implementimit të Kornizës Ligjore në praktikë në lidhje me Prokurimin Publik

Carolis Granickas nga “Open Contracting Partnership” fillimisht tha se tri hapat që synojmë t’i përfshijmë është publikimi i të dhënave, përfshirjen e akterëve në procesin e prokurimit dhe hapi i tretë është është të pëmirësojmë politikat e prokurimit. “Nëse e shohim Kosovën që nga viti 2016, vendi ka bërë përparim të madh në këtë aspekt dhe ne më në fund kemi më shumë të dhëna publike publike sesa kemi pasur më parë, dhe Kosova prinë përpara shumë shteteve në botë. Një nga problemet e mëdha nuk është vetëm prokurimi por forcimi i publikimit të të dhënave dhe fuqizimi i shoqërisë civile që i monitoron këto të dhëna. Nga ajo që ne e shohim në Kosovë është se Shoqëria Civile e ka një agjendë dhe mekanizëm të përbashkët për të avancuar këto procese. Kur është fjala tek agjenda e përbashkët TPPR ky indeks është shumë i rëndësishëm dhe ofrues i përmbajtjes së çfarë ka nevojë të ndryshohet, e këto ndryshime dhe avancime duhet të bëhen me veprime të përbashkëta” ka përfunduar Granickas.

Sipas indeksit të prezantuar, Kosova është kategorizuar në grupin e parë, me përqindjen 75-100% dhe është vendi i 4 (katërt) në renditje që ka dalë në bazë të këtij vlerësimi, ku kanë marrë pjesë 42 shtete. Metodologjia që është përdorur ka pasur 64 tregues të cilat në vete kanë pasur komponente të zbërthyera dhe secila është vlerësuar me maksimum 1 pikë.

Metodologjitë e përdorura për këtë vlerësim janë: Metodologjia dhe Standardi i BERZH-it; Standardi GPA (OBT); Metodologjia dhe Parimet e OECD; Standardi i BE-së (Direktiva 2014/24/EU) dhe Standardi i të Dhënave të Hapura të Kontraktimit (OCSD). Periudha të cilën e mbulon ky vlerësim është 2018 -2021.

Metodologjia e këtij vlerësimi është ndarë në këta 5 grupe që përfaqësojnë karakteristikat kryesore të një sistemi të Prokurimit Publik: Uniformiteti i Kornizës legjislative; Efikasiteti; Transparenca, Llogaridhënia dhe Integriteti; Konkurrueshmëria dhe Paanshmëria. Nga këto 5 grupe, performancë më të dobët Kosova ka treguar në Transparencë, përkatësisht 59.17 %, ndërsa në Uniformitet të Kornizës Ligjore ka arritur 88.93%, në llogaridhënie dhe Integritet 85.71 % dhe në Konkurrueshmëri dhe Paanshmëri 95.00%, ndërsa perfomancën më të lartë e ka arritur në efikasitet, përkatësisht 97.50%.

Nga vlerësimi total i indeksit të performancës Kosova ka marrë gjithsej 83.36 %, duke u renditur, pra, në vendin e 4 (katërt).

Sa i përket vlerësimi të fazave të procesit të tendermit, në Fazën e Para-Tenderimit Kosova ka marrë një vlerësim prej 80.56%, në Fazën e Tenderimit 85.29%, në Fazën e Pas-Tenderimit 74.23% si dhe në Karakteristikat e përgjithshme 84.75%.

Raport mbi Monitorimin e Proceseve të Përzgjedhjes së Kandidatëve për Pozita Publike

Raporti mbi Monitorimin e Përzgjedhjes së Kandidatëve për Pozita Publike

Prishtinë, 30 mars 2022 – Lëvizja FOL me mbështetjen e Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS), sot ka publikuar “Raportin mbi Monitorimin e Përzgjedhjes së Kandidatëve për Pozita Publike”, i cili ngërthen gjetjet nga monitorimi i disa proceseve rekrutuese, qëllimi i të cilit është ndjekja e mbarëvajtjes dhe zhvillimit të procedurave parlamentare dhe të proceseve të institucioneve të tjera, duke ndikuar në ngritjen e llogaridhënies dhe transparencës së këtyre proceseve.

Përzgjedhja e personave meritor dhe kompetent në institucionet publike, duke u bazuar në parimet e transparencës, llogaridhënies dhe barazisë së kandidatëve, padyshim se do të ndikoj në ngritjen e performancës dhe kredibilitetit të institucioneve publike përkatëse.

Përkatësisht, ky raport përfshirë gjetjet nga monitorimi i procesit të përzgjedhjes së Drejtorit të Agjencisë kundër Korrupsion, i tre (3) anëtarëve të Komisionit të Pavarur për Media, i dy (2) anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, si dhe gjetjet nga monitorimi i procesit të përzgjedhjes së Drejtorit të Përgjithshëm të Radio Televizionit të Kosovës.

Për më shumë detaje, shfletoni raportin duke klikuar këtu: .

Shkolla për Përfshirje Sociale

Sllatinë e madhe, 24/27 – Lëvizja FOL me mbështetjen e UNMIK Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë gjatë katër ditëve (24/27) ka mbajtur Shkollën për Përfshirjen Sociale me të rinjtë nga komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian. Të rinjtë në ditën e parë patën mundësi që të njoftohen me njëri tjetrin përmes lojërave për socializim dhe punë në ekip, si dhe përmes aktiviteteve për zgjidhjen e problemeve të udhëhequr nga trajnerët Erblin Hoxha dhe Ardi Kaito Shatri.

Poashtu, gjatë ditës së pare pjesëmarrësit dëgjuan nga Megi Demolli-Nimani ligjëratën e parë të titulluar “Institucionet shtetërore, Kuvendi, Qeveria dhe Komunat” ku specifikisht kanë kuptuar funksionin e shtetit, qeverisë (zgjedhjeve, detyrave dhe përbërjes) si dhe Presidentit/Kryeministrit si dhe rolin e tyre brenda komuniteteve lokale.

Gjatë ditës së dytë, vazhdoi ligjërata e Megi Demolli-Nimani me titull “Institucionet shtetërore, Kuvendi, Qeveria dhe Komunat” ku kryesisht u diskutua funksioni i komunave dhe se si kërkesat dhe angazhimi i pjesëmarrësve mund ta ndryshojnë jetën në komunitete.

Poashtu, pjësëmarrësit patën mundësinë të dëgjojnë ligjëratën “Sistemi i Drejtësisë në Kosovë” e udhëhequr nga Albana N. Hasani dhe Erëza Havolli. Gjatë këtij diskutimi, të rinjtë mësuan specifikisht për funksionin e Gjykatës Kushtetuese dhe të drejtat e garantuara me Kushtetutë, rolin dhe detyrat e Sistemit Gjyqësor dhe të Policisë.

Dita e tretë ishte e fokusuar në zhvillimin e aftësive të buta dhe mendimit kritik. Trajnerët Erblin Hoxha dhe Ardi Shatri, diskutuan rëndësinë e CV-së dhe Letrës Motivuese, si dhe integrimin në tregun e punës. Më tej, të rinjtë përmes aktiviteteve të ndryshme u trajnuan në përgaditjen e argumenteve dhe paraqitjen publike.

Dita e fundit e Shkollës për Përfshirje Sociale me të rinjtë u përfundua me një simulin të një procesi gjyqësor, ku përmes udhëheqëseve Albana N. Hasani dhe Erëza Havolli ata patën mundësinë të zgjerojnë njohuritë e tyre praktike në lidhje me sistemin gjyqësor.

Përveç kësaj, këta të rinjë patën mundësi të merren edhe me aktivitete të tjera socializuese, me ç`rast u shënua edhe mbyllja e suksesshme e “Shkollës për Përfshirje Sociale”, si aktiviteti i parë i këtij projekti.

This Confidence Building Project is funded by UNMIK – United Nations Mission in Kosovo.

Koalicioni i OJQ-ve rekomandon të anulohet procesi i përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit dhe të shpallet konkurs i ri

Organizatat Jo-Qeveritare Instituti i Kosovës për Drejtësi, Grupi për Studime Juridike dhe Politike dhe Lëvizja FOL (Tutje: Koalicioni), organizuan sot Konferencën për Media për prezantimin e raportit me titull: “Integriteti i procesit të përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit (Raport i monitorimit dhe vlerësmit të procesit të përzgjedhjes së Kryeprokurporit të Shtetit)”.

Koalicioni, monitorimin dhe vlerësimin në fjalë e ka bazuar në katër shtylla: 1) Vlerësimi i strukturës së procesit për përzgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit; 2) Analizimin e Koncept Dokumenteve të kandidatëve; 3) Monitorimin e intervistave; dhe 4) Qasjen e panelit vlerësues ndaj kandidatëve.

Koalicioni ka vlerësuar lartë faktin se për dallim nga rastet e kaluara, KPK ka treguar një shkallë të lartë të transparencës përkitazi me këtë proces ku ka publikuar të gjitha Koncept Dokumentet e kandidatëve, ka lejuar monitorimin direkt të intervistave si dhe ka transmetuar intervistat në televizionin publik. Kjo ka mundësuar që koalicioni të bëjë një vlerësim objektiv dhe gjithëpërfshirës të gjithë procesit.

Koalicioni ka vlerësuar që paneli vlerësues përgjatë këtij procesi nuk arrin që kriteret e përcaktuara me kornizen ligjore t`i zbatoj në praktikë, përmbushja e të cilave përveç që është obligim ligjor, të njëjtat supozohet që të sigurojnë meritokraci në fund të procesit.

Koalicioni vlerëson se paneli intervistues ka dështuar në një vlerësim objektiv dhe gjithëpërfshirës  të kandidatëve ndërsa në anën tjetër kandidatët nuk kanë demonstruar njohuri, aftësi dhe shkathtësi për udhëhequr për një pozitë siç është pozita e Kryeprokurorit të Shtetit duke e bërë të pavlefshëm të procesit.

Koalicioni gjatë monitorimit dhe vlerësimit të procesit ka vërejtur se jo të gjithë kandidatët janë trajtuar në mënyrë të barabartë, ku për disa kandidatë Paneli Vlerësues ka pasur një qasje të privilegjuar e cila qartazi është vërejtur në publik.

Paneli intervistues nuk ka ndërtuar një intervistë të strukturuar. Kjo më së miri vërehet që disa nga kandidatët pyeten me pyetje shtesë, për dallim nga kandidatët e tjerë. Sikurse, ka pasur pyetje të cilat i janë parashtruar vetëm një kandidati dhe jo edhe kandidatëve të tjerë. Për disa kandidat, i tërë procesi i intervistimit është zhvilluar vetëm në raport me Koncept Dokumentin e dorëzuar, por jo edhe duke bërë pyetje të cilat vërtetojnë zotësitë dhe shkathtësitë e kërkuara, si pjesë e intervistës.

Lidhur me integritetin e kandidatëve, paneli vlerësues ka parashtruar pyetje të përgjithshme për secilin kandidat, duke e lënë në diskrecionin e kandidatit për të vlerësuar rastet të cilat ai konsideron se cënojnë integritetin e tij. Nga të gjithë kandidatët, vetëm kandidatit z. Armend Hamiti i bëhen dy (2) nënpyetje shtesë lidhur me rastin e publikuar nga mediat, dy (2) ditë para intervistës.

Në rastin e z. Isufaj, Paneli Vlerësues nuk bënë asnjë nënpyetje lidhur me mbylljen e rastit për deklarim të rremë të pasurisë të parashtruar nga AKK, një trajtim ndryshe nga z. Armend Hamiti i cili sfidohet me dy (2) nënpyetje për një rast të raportuar në media. Po ashtu, z. Isufaj nuk pyetet dhe as nuk jep ndonjë sqarim lidhur me opinionin e AKK-së që konstatonte se emërimi në pozitën e kryeprokurorit brenda periudhës prej (2) viteve pas përfundimit të mandatit si anëtar i KPK-së, përbën konflikt të interesit. Përkundër faktit se z. Isufaj gjatë intervistës së tij thotë se në secilin rast kur ka dyshuar për konflikt të interesit këtë e ka raportuar tek eprori, i njëjti nuk pyetet dhe nuk jep sqarime se pse nuk e ka bërë këtë me rastin e emërimit të tij në krye të PSRK-së, sikurse ka vepruar z. Arben Ismajli.

Tutje, Z. Isufaj po ashtu as nuk është pyetur dhe as nuk ka dhënë sqarime lidhur me akuzat publike të ish-prokurorit special Elez Blakaj të bëra ndaj tij për ndërhyrje në rastin e veteranëve. Në rastin e z. Isufaj, ka pasur edhe raste të tjera që kanë dalur në publik të cilat kanë vënë në dyshim integritetin e z. Isufaj, e të cilat raste janë kaluar në heshtje si nga paneli intervistues ashtu edhe nga ana e z. Isufaj.

Në heshtje kanë kaluar edhe shumë raste të cilat në publik kanë vënë në dyshim integritetin e kandidatit Kujtim Munishi. Raste të kësaj natyre janë rasti i “Bentley të Morena Tarakut”, rastin e dhunë në familje ku ka mbetur e vdekur Sebahate Morina, e që Institucioni i Avokatit të Popullit dhe disa OJQ kanë konsideruar se Prokuroria Themelore në Prishtinë tani të ndjerës Sebahate Morina ia ka shkelur të drejtën në jetë.

Lidhur me këtë Koalicioni vlerëson se pjesa e intervistës lidhur me integritetin ka qenë mundësi adekuate si për kandidatët, panelin vlerësues por edhe për publikun për të marrë sqarimet e duhura nga kandidatët mbi dyshimet e ngritura në publik.

Megjithatë, në bazë të asaj që është prezantuar, në bazë të vlerësimit të përgjithshëm, koalicioni rangon kandidatët në këtë mënyrë: 1) Shqipdon Fazliu, 2) Armend Hamiti, 3) Blerim Isufaj, 4) Kujtim Munishi dhe 5) Lulzim Sylejmani.

Sa i përket pjesës së Koncept Dokumentit, Koalicioni ka ranguar kandidatët në këtë mënyrë: 1) Armend Hamiti, 2) Shqipdon Fazliu dhe tre (3) të tjerët rangohen në pozitën e njejtë.

Ndërsa, sa i përket pjesës së intervistës, koalicioni ka ranguar kandidatët në këtë mënyrë: 1) Shqipdon Fazliu, 2) Armend Hamiti, 3) Blerim Isufaj, 4) Lulzim Sylejmani dhe 5) Kujtim Munishi.

Duke marrë parasysh faktet dhe rrethanat e cekura më lartë, koalicioni rekomandon:

  • Të anulohet komplet procesi i përzgjedhjes dhe emërimit të Kryeprokurorit të shtetit për shkak të shkeljeve procedurale dhe defekteve të evidentuara nga koalicioni në procesin e monitorimit dhe vlerësimit të këtij procesi;
  • Komision Vlerësues të publikoj vlerësimin me arsyetim mbi poentimin për secilin kandidat;
  • KPK të plotësoj dhe ndryshoj Rregullorën për Procesin e Përzgjedhjes dhe Emërimit të Kryeprokurorit të Shtetit dhe Kryeprokurorëve, me theks të veçantë formularin e koncept dokumentit;
  • Të shpallet konkursi i ri duke vazhduar me praktikën e njëjtë të transparencës për sa i përket publikimit të koncept dokumenteve dhe procesit të intervistimit;
  • Pyetjet në koncept dokument të orientohen më shumë rreth pozitës së Kryeprokurorit dhe formulohen në atë mënyrë që vlerësojnë shkathtësitë dhe aftësitë se sa njohuritë e përgjithshme;
  • Intervista të jetë e strukturuar dhe ky nivel të ruhet gjatë gjithë procesit dhe me të gjithë kandidatët;
  • Tek elementi siç është vlerësimi i integritetit, paneli vlerësues sipas detyrës zyrtare duhet të hulumtoj të kaluarën e secilit kandidat pastaj duke paraqitur pyetje të njëjta për secilin kandidat të vlerësoj një cilësi të tillë pyetjet të bëhen në atë formë.

Sinqerisht,

Koalicioni i OJQ

(Instituti i Kosovës për Drejtësi, Grupi për Studime Juridike dhe Politike dhe Lëvizja FOL)