Letër e shoqërisë civile për mandatin e kryetarit Ramadan Muja

Letër e hapur e organizatave të shoqërisë civile drejtuar Qeverisë së Kosovës për mandatin e kryetarit Ramadan Muja

23 qershor 2016, Prishtinë

I nderuari Kryeministër Mustafa,
I nderuari ministër Mariq,

Qeverisja lokale në Komunën e Prizrenit shkel çdo parim të qeverisjes së mirë dhe standard ligjor e kushtetues.

Kryetari i Komunës së Prizrenit po i afrohet fundit të mandatit të tij qeverisës si një kryetar i dënuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Përderisa Kryetari Ramadan Muja ka vendosur që të mos jap dorëheqje dhe të pres vendimin e shkallës së dytë, e ndoshta edhe të Gjykatës Supreme, qeverisja në këtë komunë ka degraduar në një qeverisje kriminale. Këtë javë, një zyrtar i lartë i Komunës së Prizrenit u denua me tri vite burg efektiv për shpërdorim të detyrës zyrtare. Dy javë më parë, për shkak të neglizhencës së pushtetit lokal, një vajzë tre vjeçare humbi jetën si pasojë e shembjes së objektit në Qendrën Historike të Prizrenit. Në vazhdimësi, Komuna e Prizrenit është duke lejuar shkatërrimin e objekteve të trashëgimisë kulturore në qytetin e Prizrenit. Kryetari Muja është ndër të paktët persona zyratrë të cilin përfaqësuesit diplomatik të vendeve të huaja nuk pranojnë ta takojnë.

Duke marë të gjitha këto parasysh, duke u thirrur në Kushtetutën e Kosovës, nenin 123, pika 4, i cili flet për qeverisjen e mirë në nivel lokal, si dhe duke u bazuar në Ligjin për vetëqeverisje lokale, kërkojmë nga qeveria të marrë këtë vendim:

·         Të suspendoj Kryetarin e Komunës së Prizrenit z. Ramadan Muja, konform nenit 64 të Ligjit për vetëqeverisje lokale, sipas të cilit “Kryetari i komunës mund të suspendohet me vendim të Qeverisë së Republikës së Kosovës brenda afatit prej 30 ditëve, nëse kryetari ka cenuar Kushtetutën dhe ligjet në fuqi… Qeveria e Republikës së Kosovës (brenda 30 ditëve) mund të suspendojë me vendim kryetarin e komunës dhe t’i dorëzojë lëndën gjykatës kushtetuese… Nëse gjykata kushtetuese e përkrah vendimin. Qeveria mund shkarkojë nga detyra kryetarin.”   

Largimi i Ramadan Mujës nga pozita publike do të përbënte një precedent pozitiv për qeverisjen demokratike në Kosovë dhe do të tregonte vullnetin tuaj për të siguruar qeverisje me duar të pastra në vendin tonë. Fundja, nëse para disa ditësh e keni liruar nga detyra e ministrit Z. Ferid Aganin për shkak të aktakuzës së ngritur, presim që rasti i Kryetarit të Prizrenit të trajtohet me seriozitet edhe më të shtuar marrë parasysh faktin se ky i fundit tashmë ka Aktvendim të Gjykatës të ngritur përtej dyshimit të bazuar.

Organizatat nënshkruese:

Alter Habitus

Anibar

Autostrada Biennale

CIPOF – Childproof

Community Building Mitrovica – CBM

Development Research Innovation Training

Dokufest

EC Ma Ndryshe

ENCOMPASS

ENEA

Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile – KCSF

Fondacioni Lumbardhi

Fondacioni për Trashëgimi Kulturore LEGATUM

Fondacioni Trashëgimia Kulturore pa Kufij – CHwB

Grupi për Studime Juridike dhe Politike – GLPS

Iniciativa e Femrës Kosovare

Iniciativa Kosovare për Stabilitet – IKS

Iniciativa për Progres – INPO

Institui për Zhvillim të Qëndrueshëm Rinor – ISDY

Instituti Demokraci për Zhvillim – D4D

Instituti Demokratik i Kosovës – KDI

Instituti GAP

Instituti për Politika Zhvillimore – INDEP

Instituti Riinvest

Integra

Konsumatori

Lëvizja FOL

OJQ THY

Organizata e Personave me Distrofi Muskulare

Organizata IAEA

Qendra Artpolis

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë – QKSS

Qendra për Politika dhe Avokim – QPA

Riverside

Syri i Vizionit

Varg e Vi

Women for Women International

X40 – 40 Bunar

Zana