Debat publik në Lipjan, në kuadër të matjes së sundimit të ligjit

Lipjan, 3 maj 2016 – Lëvizja FOL, me mbështetjen e partnerëve të projektit “Matja e Sundimit të Ligjit në Administratën Publike në Komunat e Kosovës”- Folke Bernadotte Academy, UNDP-në në Kosovë dhe Missioni i OSBE-së në Kosovë, mbajti sot debatin publik në Komunën e Lipjanit.
Të pranishëm në këtë debat ishin zyrtarë komunal, kryesisht zyrtarët e përfshirë në çështjen e banimit social në këtë komunë si dhe qytetarë të kësaj komune.
Fitore Metbala koordinatore e projekteve në Lëvizjen FOL, ka prezentuar të gjeturat e dy hulumtimeve të realizuara në këtë komunë, atë me zyrtarët komunal dhe me përdoruesit (përfituesit e banimit social, aplikantët e refuzuar dhe aplikantë që janë në pritje).
Të gjeturat e hulumtimeve janë prezentuar në tërësi në kontekstin e vlerësimit nga ana e qytetarëve dhe vetë zyrtarëve për zbatimin e ligjit nga strukturat komunale, veçanërisht të gjashtë parimeve të pranuara ndërkombëtarisht: Ligjshmërinë, qasjen, të drejtën për tu dëgjuar, të drejtën e ankesës, transparencën dhe llogaridhënien.
Të pranishmit në fund diskutuan mbi gjetjet, vështirësit me të cilat kjo komunë po përballet në çështjen e banimit social, hapat e ndërmarra nga kjo komunë, trajtimin e kërkesave të qytetarëve dhe dhanë rekomandime të përgjithshme mbi veprimet që duhet të ndërmerren për përmirësimin e gjendjes.
Të gjithë folësit potencuan se kjo komunë, ka kapacitete të kufizuara për të siguruar banimin social të gjitha kërkesave që paraqiten në komunë, me nevojë banimi por që po bëjnë përpjekje që në rastet e ekzistimit të banesave të lira/ objekteve në dispozicion, tu japin përparësi rasteve më urgjente.
Vërehet se banimi social, mbetet ende një sfidë për komunat dhe se pengesë kryesore paraqitet mungesa e mjeteve financiare e gjithashtu e fondeve banesore.