Zyra e Prokurimit në Komunën e Gjakovës, me vetëm një tender të kthyer mbrapsht nga OSHP

Gjakovë, 03 dhjetor  2015 – Lëvizja FOL me përkrahjen e Civil Rights Defenders, ka mbajtur sot tryezën e katërt me radhë për Prokurimin Publik, e cila u mbajt në Gjakovë. Në këtë tryezë të ftuar në cilësinë e panelistëve ishin zyrtarja e Prokurimit, znj.Albina Bakalli, Udhëheqësi i Komitetit për Politikë dhe Financa, z.Luan Gola, i cili përkundër asaj se e kishte konfirmuar pjesëmarrjen nuk ishte prezent. Gjithashtu, pjesëmarrës ishin edhe ish Drejtori  Prokurimit në Komunën e Gjakovës, z.Halilosmani, si dhe anëtarë të Komitetit për Politika dhe Financa, pjesëtarë të shoqërisë civile dhe mediave.

Nora Bajrami nga Lëvizja FOL prezantoi të gjeturat statistikore në lidhje me aktivitetet e prokurimit në Komunën e Gjakovës. Ajo tha, se ky raport është një përmbledhje e të dhënave statistikore dhe përmbajtësore në lidhje me aktivitetet e prokurimit në Komunën e Gjakovës. Në të përfshihen numrat e aktiviteteve të prokurimit që Komuna e Gjakovës ka iniciuar, njoftimet për dhënie të kontratës, njoftimet për anulim të dhënies së kontratës. Po ashtu në këtë raport prezentohen vendimet që OSHP ka marrë kundër Komunës së Gjakovës dhe në pjesën e fundit një krahasim i të gjeturave të Lëvizjes FOLgjatë monitorimit me metoda indirekte, nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik, KRPP, nga viti 2014 me vitin 2015.Më tej ajo tha se komuna e Gjakovë në periudhën 01 janar 2015 – 31 tetor 2015, ka shpallur gjithesej 86 Njoftime për Kontratë, 48 Njoftime për Dhënie të Kontratës, 33 Njoftim Anulimi, si dhe 3 Anulime për Dhënie të Kontratës. Duke e krahasuar kështu me vitin 2014, ku Komuna e Gjakovë, gjatë periudhës 01 Janar 2014 – 01 Korrik 2014 ka shpallur 28 Njoftime Kontrate, 14 Njoftime për Dhënie të Kontratës, 14 Njoftime Anulimi, 1 Anulime të Dhënies së Kontratës,  rezulton se gjatë vitit 2015 Komuna ka pasur tre herë më shumë raste prokurimi.

Znj. Albina Bakalli, zyrtare e prokurimit publik në komunën e Gjakovës, tha se komuna e Gjakovës respektivisht zyra e prokurimit, është transparente dhe e hapur për për informata lidhur me ndonjë tenderë. Ajo tha se zyra, të cilën ajo e udhëheq, gjatë vitit 2015 i ka nënshkruar 120 kontrata, nga të cilat vetëm njëri është kthyer në ri-tenderim nga Gjykata e Tenderëve, ndryshe siç njihet Organi Shqyrtues i Prokurimit. Znj. Bakalli ka përmendur edhe kompanitë, të cilat shpesh herë nuk janë aspak të përgjegjshme, sipas saj ka kompani madje që edhe kërcënojnë, siç ishte rasti me kërcnimin kundrejt drejtoreshës së arsimit në Gjakovë.

Nga ana tjetër, Saranda Hyseni, anëtare e Komisionit për Politika dhe Financa nga radhët e AAK-së tha se, prokurimi publik në komunën e Gjakovës është i shoqëruar me mjaft parregullësi. Sipas saj, raporti i auditorit ka gjetur shkelje të shumta nga zyra e prokurimit, po ashtu administrativisht kjo zyrë nuk ka qenë në rregull, kanë munguar shumë dokumente nga kjo zyrë.

Një gjë të tille e mohoi drejtoresha e kësaj zyre, e cila tha se Raporti i Auditorit bie ndesh me atë se cka është punuar gjatë kësaj periudhe.