Prokurimi publik në komunën e Gjilanit-rriten aktivitetet e prokurimit, por rriten edhe vendimet e OSHP ndaj autoriteteve kontraktuese

Gjilan, 24 nëntor, 2015. Lëvizja FOL me përkrahjen e Civil Rights Defenders, ka mbajtur sot tryezë për Prokurimin Publik në Gjilan. Në këtë tryezë panelist ishin Drejtori i Prokurimit, z. Salih Kqiku, Udhëheqësja e Komitetit për Politikë dhe Financa, znj.Valentina Bunjaku-Rexhepi. Në këtë debat është diskutuar rreth procesit të prokurimit, ankesave të operatorëve ekonomik, si dhe gjendjes aktuale të prokurimit publik.

Muhamet Halili prezantoi të gjeturat statistikore në lidhje me aktivitetet e prokurimit në Komunën e Gjilanit, të publikuara nga ana e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP) si dhe Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), dhe theksoi se ndonëse është rritur numri (pothuajse dyfishuar) i njoftimeve për kontratë nga KRPP, gjithashtu është rritur edhe numri i vendimeve të OSHP-së kundër autoritetit kontraktues, konkretisht janë marrë 4 vendime kundër Komunës së Gjilanit. Nga këto vendime, vetëm në një raste është refuzuar ankesa e Operatorit Ekonomik ankues kundër Autoritetit Kontraktues, Komunës së Gjilanit. Mandej, ka pasur edhe vetëm një vendim tjetër ku ankesa e Operatorit Ekonomik ankues është aprovuar si pjesërisht e bazuar. Ndërsa në dy raste të tjera, OSHP-ja ka aprovuar ankesat e Operatorit Ekonomik ankues si të bazuara, duke obliguar ose urdhëruar kështu Autoritetin Kontraktues, Komunën e Gjilanit që procedurën e prokurimit ta kthej në Ri-Tenderim ose në Ri-Vlerësim.

Z.Salih Kqiku, Drejtor i Prokurimit Publik në Komunën e Gjilanit, fillimisht prezantoi Raportin e Punës për periudhën Janar-Shtator 2015. Zyra e Prokurimit për këtë periudhë i ka realizuar 116 aktivitete, duke përfshirë këtu edhe ankandet publike. Nga këto aktivitete, kjo zyrë ka pasur 13 ritenderime, si dhe 4 ankesa në Organin Shqyrtues të Prokurimit. Sipas z.Kqiku, brenda Komunës së Gjilanit ekziston një zyrë, e cila bënë menaxhimin e kontratave si dhe inspektimin e projekteve.

Valentina Bunjaku-Rexhepi – Kryesuese e Kuvendin Komunal si dhe udhëheqëse e Komitetit për Politika dhe Financa tha se Kuvendi Komunal është i hapur që të krijoj një komision të pavarur, i cili e bënë mbikqyrjen e kontratave të dhëna, e i cili komision raporton mandej në Kuvend.

Riad Rashiti anëtarë i Komitetit për Politika dhe Financa nga radhët e PDK-së, tha se ne si opozitë i shohim të metat dhe nuk hezitojmë ti flasim. Sipas tij, ka probleme të cilat edhe janë trashëgu nga pushtetet e kaluara. Po ashtu, ai tha se edhe pse ekziston një plan i punës, sipas tij ai nuk është zbatuar, po ashtu nuk i është bërë një analizë e duhun atij plani se sa mund të realizohet dhe a do të ketë buxhet për të. Një problem tjetër sipas tij është edhe stërzgjatja e fazës së vlerësimit të ofertave, të cilat zgjasin mbi 30 ditë. Sipas tij, Komuna e Gjilanit respektivisht Zyra e Prokurimit nuk është dhe aq transparente, dhe nuk kthejnë përgjigje në kërkesat e bëra nga qytetarët. Një problem tjetër i theksuar në këtë zyre është edhe dhënia e tenderëve me procedurë të mbyllur, sidomos me ata tenderë që nuk e kalojnë shumën mbi 10000 euro.

Shaban Terziu, përfaqësues nga ana e shoqërisë civile tha se kish me qenë mirë që zyrja e prokurimit të bëhet më transparente, duke bërë publike vlerat e kontratës, kompanitë të cilat janë fituese, detajet se kur fillon projekti e kur mbaron. Të gjitha këto të jenë të prezantuara në formë tabelare, në mënyrë që të gjithë qytetarët të kenë qasje në to.