Prokuroria Themelore në Mitrovicë kërkon Ligjin Anti-Mafia

Mitrovicë, 17 Prill 2015. Lëvizja FOL ka organizuar debatin e radhës në komuna me temën Konfiskimi i Pasurisë në Kosovë – puna një vjeçare e institucioneve, kësaj radhe në Komunën e Mitrovicës. Pjesëmarrës në këtë tryezë ishin përfaqësues të Gjykatës Themelore, Prokurorisë, përfaqësues të Shoqërisë Civile dhe media. Afërdita Syla tha se qëllimi i këtyre tryezave të organizuara nga Lëvizja FOL është që të shihet zbatimi i bazë ligjore që rregullon konfiskimin e pasurisë në Kosovë.

Kada Bunjaku-Perquku, Kryetare e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, tha se lëndët e konfiskimit kanë një rëndësi të veçantë. Nëse nuk e bëjmë konfiskimin e pasurisë së dikujt, mbetet e kot vetëm dënimi i tij me burg, sepse pasurinë e fituar në mënyrë të paligjshme mund ta gëzojë pas vuajtjes së dënimit. Ne duhet ta luftojmë krimin nga rrënjët. Ne si gjykatë në Komunën e Mitrovicës kemi pas lëndë të ndryshme sidomos për fajde, të cilët e kanë vuajt dënimin me burg, mirëpo pasuria e tij nuk iu është konfiskuar, dhe familjarët e tyre e kanë gëzuar atë pasuri e cila është fituar në mënyrë të paligjshme. Tani me hyrjen në fuqi të Ligjit për Kompetencat e Zgjeruara, shumë gjëra i kemi më të specifikuara.

Në gjykatën tonë kemi raste të sekuestrimit, të cilat ende nuk e kanë marr formën e konfiskimit, por nuk janë për tu lavdëruar sepse janë të krimeve me vlerë të vogël.

Shyqeri Syla-Kryeprokuror në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë tha se mua personalisht ligji i ri nuk më ka pëlqyer, sepse ky ligj parasheh konfiskimin e pasurisë vetëm kur ka një vendim të plotfuqishëm nga gjykata, po ashtu barra e të provuarit e cila bie mbi prokurorin. Sipas tij, Kosovës i duhet Ligji Antimafia. Ne si Prokurorë nuk është që u bëjmë kërkesa për konfiskim, mirëpo ende nuk e kemi pas një rast të përmasave të mëdha. Ndërsa, konfiskim të përkohshëm apo sekuestrim për vitin 2014 i kemi pasur 9 vetura dhe diku rreth 16,000 euro.

Ali Kutllovci – Gjyqtar i Fazës Paraprake në Gjykatën Themelore në Mitrovicë tha se qysh nga hyrja në fuqi të kodit të ri penal si dhe të ligjit, gjyqtarët dhe prokurorët kanë has në pengesa. Duhet të kuptojmë që ky ligj nuk parasheh konfiskime të vlerave të vogla, por ai ka të bëjë me krime të rënda, siç janë krimi i organizuar, financimi i terrorizmit etc. Një tjetër mangësi e ligjit është që prokurorit i bie barra e provës. Është shumë e vështirë të vërtetoj prokurori se një pasuri rrjedh nga ndonjë vepër penale.

Me ligjin e ri, hetimet për konfiskim i fillon vetëm Prokurori, po ashtu ai duhet që të bind gjykatësin që të lëshoj urdhër për sekuestrim dhe në fund me aktgjykim përfundimtar vendos për konfiskim. Mandej këtë pasuri deri në shitje duhet ta ruaj me përgjegjësi Agjencioni për Menaxhimin e Pasurisë së Sekuestruar/konfiskuar.

Fotografi nga debati ne Mitrovice (1)