Miliona euro pasuri e sekuestruar, asnjë vendim i formës së prerë për konfiskim në Ferizaj

Ferizaj, 03 Prill 2015- Lëvizja FOL ka organizuar debatin me temën Konfiskimi i Pasurisë në Kosovë – puna një vjeçare e institucioneve në Komunën e Ferizajt. Pjesëmarrës në këtë tryezë ishin përfaqësues të Gjykatës Themelore, Prokurorisë, Policisë , Odes së Avokatëve të Kosovës, përfaqësues të Shoqërisë Civile dhe media. Avokati Admir Salihu tha e qëllimi i këtyre tryezave të organizuara nga Lëvizja FOL është që të shihet zbatimi i bazë ligjore që rregullon konfiskimin e pasurisë në Kosovë.

Rasim Maloku kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Ferizaj tha se është sfiduese për institucionet e drejtësisë çështja e konfiskimit të pasurisë së fituar me vepër penale. Prokuroria Themelore e Ferizajt gjatë vitit 2014, ka ushtruar rreth 40 kërkesa për sekuestrim të përkohshëm të dobisë pasurore, ku nga këto 28 kërkesa janë aprovuar. Ai tha se janë lloje të ndryshme të dobisë pasurore të sekuestruar siç janë motele, banesa, tokë, lokale afariste, mjete monetare etj, ku vlera e përllogaritur e kësaj pasurie është rreth 1.5 milion euro. Kryeprokurori Maloku tha se për prokurorinë sfidë tjetër është vërtetimi se një person ka fituar pasurinë përmes veprës penale për shkak të kontekstit socio-kulturor dhe për ketë kemi kërkuar që barra e provës ti kalohet personit të dyshuar e jo prokurorisë.

Sahit Krasniqi kryetarë i Gjykatës Themelore në Ferizaj tha se gjykatat sa i përket i konfiskimit të pasurisë shfrytëzohet Kodi i Procedurës Penale dhe Kodi i Penal i Kosovës. Në Gjykatën Themelore të Ferizajt janë duke u zhvilluar disa gjykime që implikojnë edhe konfiskimin e pasurisë.
Muhamet Tahiri nga Policia e Kosovës tha se tanimë ekziston baza ligjore e kompletuar për konfiskim të pasurisë, nevojitet avancim i kapaciteteve humane dhe shtim të ekspertizës në fushën e ekonomisë me qëllim zbatimin rigoroz të ligjit.

Labinota Qosa-Ilazi tha se në bazë të statistikave të përgjithshme del se rreth 30 milion euro është vlera e pasurisë së sekuestruar për vitin e kaluar. Sipas saj është një efikasitet i ultë që kanë treguar institucionet në zbatimin e ligjit për konfiskimin e pasurisë.

Fotografi nga tryeza ne Ferizaj (2)