Reagim ndaj shkresës së anëtarit të Këshillit Prokurorial, z. Florent Muçaj

Prishtinë, 13 Mars 2015 – Me 11 Mars në zyret e Lëvizjes FOL ka ardhur një shkresë nga anëtari i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Florent Muçaj, në të cilën kërkohet që të “përmirësohen” shprehjet e Drejtorit të Programeve Fidan Kalaja në lidhje me përfaqësimin politik në përbërje të këtij Këshilli. Kërkesa ka ardhur pas një deklarate të Fidan Kalaja, dhënë me 22 dhjetor 2014 në Klan Kosova përkitazi me zhvillimet e fundit brenda Këshillit Prokurorial dhe padyshim me zvarritjet e qëllimshme në përzgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit.
Fidan Kalaja në këtë emision ka shprehur mendimin dhe qëndrimin e tij dhe të Lëvizjes FOL se Florent Muçaj nuk është përfaqësues i shoqërisë civile por i infiltruar politikisht. Ky deklarim është bërë si pasojë e zhvillimeve të fundit të cilat infiltrojnë Florent Muçaj në bllokimin e procesit të zgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit.
Opinioni publik tashmë është në dijeni me faktin që ka afro nëntë muaj që Republika e Kosovës nuk ka Kryeprokuror, po ashtu, qytetarët e Kosovës janë në dijeni që fakti i vetëm që ne nuk kemi Kryeprokuror është vetëm dhe vetëm përfshirja e partive politike në këtë përzgjedhje.

Duke parë gjithë këtë situatë absurde brenda Këshillit dhe mos-përzgjedhjes së Kryeprokurorit, ne marrim letër nga anëtarët e këtij Këshilli, ku kërkohet që të përmirësojmë shprehjet tona për të shpjeguar zhvillimet brenda këtij Institucioni.

Pra, ky anëtarë i Këshillit nuk gjënë kohë që të na shpjegojë arsyen se pse nuk kemi Kryeprokuror? Pse ai personalisht merr udhëzime përmes sms-ve nga dikush nga jashtë apo brenda Këshillit për të ofenduar anëtarët tjerë të Këshillit? Pse ky Këshill nuk po e bënë punën si duhet, ani pse ka një përgjegjësi Kushtetuese dhe ligjore që ta bëjë? Pse ky Këshill nuk na jep shpjegimet e duhura dhe të na thotë se gjendja në sistemin prokurorial dhe në prokuroritë e shtetit të Kosovës është e mjerueshme? Dhe shumë e shumë çështje të tjera. Ky anëtarë, që veten e thërret sikur përfaqëson shoqërinë civile na dërgon shkresa të një niveli të ulët, jo-profesional dhe krejtësisht jashtë obligimeve që ka për të na mësuar, se si t’i referohemi gjendjes në Këshill.

Lëvizja FOL dëshiron t’ia bëjë të qartë Florent Muçaj dhe shumë florent muçajve të tjerë që kjo qasje e kërkesave për ‘përmirësime’ të shprehjeve dhe gjërave të tjera nuk ndodhë në shtetet demokratike, e për të cilat, ndoshta Florent Muçajt i pengon ky fakt pse ne bëjmë përpjekje për një shtet me demokraci të tillë. Florent Muçaj duhet ta ketë poashtu të qartë se pozita nuk i’a garanton që të sillet si t’ia dojë qejfi. Florent Muçaj duhet ta ketë të qartë se ka një mandat të cilin nuk duhet ta keqpërdorë siç po ndodhë tash e disa muaj.

Thirrjeve kërcënuese të z.Muçaj iu përgjigjemi në të drejtën e lirisë së shprehjes, të cilën e kemi të garantuar me nenin 40 paragrafin 1 të Kushtetutës së Kosovës dhe të gjitha praktikat e mira ndërkombëtare. FOL gjithmonë ka përfaqësuar zërin e lirë të të folurit hapur dhe vazhdon të qëndrojë mbrapa qëndrimeve të veta.

Me këtë rast, Lëvizja FOL kërkon që Florent Muçaj të na shpjegoj skandalin e sms-ve që janë shkruar në njërën nga mbledhjet e Këshillit Prokurorial me rastin e të cilin janë nisur edhe hetimet, e jo të tentoj që këtë skandal ta tejkaloj në heshtje.

Lëvizja FOL kërkon nga Prokuroria e Shtetit që të jap shpjegime sa më parë në lidhje me këto hetime të sms-ve dhe të tregoj seriozitetin e duhur. Sepse ky skandal dhe shumë skandale të tjera, kanë bërë që besimi i qytetarëve ndaj këtij Institucioni dhe institucioneve tjera të Drejtësisë, është në nivelin më të ulët. Është përgjegjësi e tyre që ta rikthejnë besimin e humbur tek qytetarët dhe kështu të bëjnë hapat e parë drejtë një Drejtësie që fatkeqësisht mungon me vite.