Lëvizja FOL lanson platformën e Statistikave Anti-Korrupsion
Prishtinë, 14 dhjetor 2013 – Lëvizja FOL sot ka publikuar platformën online të Statistikave Anti-Korrupsion në të cilën do të publikohen statistikat anti-korrupsion në baza të rregullta tre mujore dhe vjetore për Prokuroritë, Gjykatat dhe Policinë.
Fidan Kalaja nga Lëvizja FOL tha se kjo platformë është e inkuadruar në ueb faqen e Lëvizjes FOL (http://levizjafol.org/plateforma-statistikave-anti-korrupsion/) dhe statistikat që do të publikohen në këtë platformë do jenë të krahasueshme dhe krahasimi i tyre do bëhet po ashtu në baza tre mujore brenda për brenda institucionit.
“Duke shkrirë punën katër vjeçare të ekipit të FOL-it në monitorimin e korrupsionit në Kosovë, organizata po bën një hap tjetër më të avancuar në përmbushjen e misionit të saj për të kontribuar në luftën kundër korrupsionit duke krijuar një Platformë të Statistikave Anti-Korrupsion në Kosovë”, tha Kalaja.
Kjo platformë përfshin tri Institucionet të cilat janë drejtpërdrejt të involvuara në luftën kundër-korrupsion si: Prokuroritë, Gjykatat dhe Policinë, ku për secilin institucion janë të përfshira tri kategoritë kryesore: Marrje ryshfetit, Dhënie ryshfetit dhe Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar. Secila nga këto kategori ka nën kategoritë, të cilat janë të inkuadruara në Platformë dhe do përbëjnë totalin e kategorive kryesore.
Platforma është krijuar me qëllim që të përfshihen statistikat anti-korrupsion nga viti 2010, mirëpo për shkak të mos standardizimit të statistikave nga ana e këtyre institucioneve ka qenë e pamundur të përfshihen vitet e mëparshme. Pra, të dhënat të cilat do përfshihen në platformë do jenë për vitin 2013, për prokurorinë, gjykatat dhe policinë në baza tre mujore, pra Janar-Mars, Prill-Qershor dhe Korrik-Shtator.
Lëvizja FOL po krijon një sistem që është tërësisht i ri, jo vetëm në Kosovë por edhe më gjerë, deklarojë Fidan Kalaja. “Këto të dhëna sipas tij do të freskohen në vazhdimësi dhe kategori të reja do të krijohen për të zhvilluar më tej këtë qasje, e cila është jetike në veçanti për matjen e ndikimit të zbatimit të ligjeve, veprimeve dhe politikave anti-korrupsion në vend. Ne, presim që këto të dhëna do të jenë të dobishme për institucionet tona, sidomos për sistemin prokurorial dhe atë gjyqësor, që të reflektojnë dhe të rrisin efektivitetin e luftës kundër korrupsionit”.
Kjo platformë do të krijojë mundësi dhe qasje secilit qytetarë të Kosovës për punën dhe angazhimin e institucioneve të vendit në luftën anti-korrupsion duke u bazuar në të dhëna të matshme dhe të krahasueshme.
Platforma është mundësuar me një mbështetje të rëndësishme nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri të Hapur (KFOS) në Prishtinë.