Nga ligji te qytetari: A është tranzicioni i gjelbër i qasshëm për të gjithë?
Prishtinë, 27 tetor 2026 – Lëvizja FOL në bashkëpunim me Institutin Demokracia për Zhvillim (D4D) dhe me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian, ka mbajtur sot konferencë ku ka bërë prezantimin e analizës ligjore “Hartëzimi i Legjislacionit dhe Procedurave të Burimeve të Ripërtëritshme të Energjisë në Kosovë” si dhe raportin “Qasja në Tranzicionin e Gjelbër: Çfarë thonë Qytetarët për Mbështetjen e Energjisë së Ripërtëritshme në Kosovë?”.
Mexhide Demolli – Nimani – Drejtore ekzekutive e Lëvizjes FOL, tha se Kosova ka një bazë të fortë ligjore për energjinë e ripërtëritshme, por zbatimi i saj shoqërohet me pengesa administrative dhe procedura të shpërndara në disa institucione. Sipas znj. Demolli-Nimani, një nga problemet kryesore është se qytetarët duhet të komunikojnë me disa institucione për të realizuar një investim, pa pasur një pikë të vetme që i udhëzon nga fillimi deri në përfundim të procesit.

Getoar Mjeku – Zëvendësministër në Ministrinë e Ekonomisë, theksoi se tranzicioni energjetik duhet të trajtohet si një angazhim afatgjatë, i cili balancon sigurinë e furnizimit, mbrojtjen e mjedisit dhe përballueshmërinë e kostove për qytetarët. Ai vlerësoi se korniza ligjore krijon bazë për investime në burime të ripërtëritshme dhe për përfshirjen e qytetarëve si konsumatorë që prodhojnë energji për nevojat e tyre. Mjeku theksoi rëndësinë e lidhjes ndërmjet legjislacionit dhe përfitimeve konkrete për qytetarët, përmes procedurave më të lehta, masave mbështetëse dhe investimeve në efiçiencë energjetike.

Egzona Shala – Drejtore ekzekutive e organizatës Eco Zngriti çështjen nëse tranzicioni i gjelbër është realisht i qasshëm për të gjithë qytetarët dhe se si mund të sigurohet përfshirja e tyre në këtë proces. Ajo theksoi se tranzicioni duhet të vlerësohet jo vetëm përmes objektivave mjedisore, por edhe përmes ndikimit në përmirësimin e cilësisë së jetës, krijimin e mundësive për të rinjtë dhe zhvillimin e aftësive të nevojshme për të ardhmen.

Mexhide Demolli – Nimani – Drejtoreshë ekzekutive e Lëvizjes FOL, prezantoi gjetjet e analizës ligjore “Hartëzimi i Legjislacionit dhe Procedurave të Burimeve të Ripërtëritshme të Energjisë në Kosovë”, duke theksuar se, ndonëse Kosova ka krijuar një bazë të rëndësishme ligjore për zhvillimin e energjisë së ripërtëritshme, zbatimi i saj në praktikë vazhdon të shoqërohet me pengesa administrative, procedura të fragmentuara dhe paqartësi për qytetarët.
Gjetjet kryesore të analizës ligjore “Hartëzimi i Legjislacionit dhe Procedurave të Burimeve të Ripërtëritshme të Energjisë në Kosovë”:
- Fragmentimi i procedurave: Procesi i investimit përfshin disa institucione dhe akte ligjore, pa një pikë të vetme kontakti që e udhëzon qytetarin nga fillimi deri në përfundim.
- Mungesa e koordinimit institucional: Hapat për autorizim, lidhje në rrjet, marrëveshje me furnizuesin dhe verifikim teknik nuk janë të integruar në një proces të vetëm e të qartë.
- Paqartësitë në procedura: Qytetarët nuk kanë gjithmonë informacion të mjaftueshëm për renditjen e hapave, dokumentet e kërkuara dhe lejet që duhet të sigurohen para fillimit të investimit.
- Plotësimi i kornizës ligjore: Nevojitet nxjerrja e akteve nënligjore që mundësojnë zbatimin praktik të dispozitave ligjore, veçanërisht për komunitetet e energjisë së ripërtëritshme dhe vetëkonsumin kolektiv
- Thjeshtimi i qasjes për qytetarët: Nevojitet një mekanizëm më i centralizuar, procedura më të qarta dhe koordinim më i mirë ndërmjet institucioneve, në mënyrë që investimi në energji të ripërtëritshme të jetë më i lehtë dhe më i parashikueshëm.

Rezarta Delibashzade – Krasniqi – Drejtore në Institutin Demokracia për Zhvillim (D4D) prezantoi gjetjet e raportit “Qasja në Tranzicionin e Gjelbër: Çfarë thonë Qytetarët për Mbështetjen e Energjisë së Ripërtëritshme në Kosovë?”, duke u përqendruar në përvojat e qytetarëve gjatë informimit dhe aplikimit për skemat e mbështetjes. Ajo theksoi se ekzistenca e programeve publike dhe njohja e mundësive për subvencione nuk garantojnë domosdoshmërisht pjesëmarrjen dhe përfitimin e qytetarëve. Sipas të dhënave të prezantuara, 47.7% e të anketuarve kishin aplikuar ose tentuar të aplikonin për mbështetje, ndërsa 25.3% raportuan aplikim të suksesshëm. Gjithashtu, 49% i konsideronin procedurat dhe kriteret e aplikimit të paqarta, ndërsa gati gjysma e aplikuesve i përshkruanin procedurat administrative si disi ose shumë të vështira.
Gjetjet kryesore të raportit “Qasja në Tranzicionin e Gjelbër: Çfarë thonë Qytetarët për Mbështetjen e Energjisë së Ripërtëritshme në Kosovë?”:
- Informimi dhe vetëdijesimi: Informimi i qytetarëve duhet të jetë i qartë, i kuptueshëm dhe lehtësisht i qasshëm; vetëdijesimi, në vetvete, nuk garanton aplikim ose përfitim.
- Pjesëmarrja në skemat mbështetëse: 47.7% kishin aplikuar ose tentuar të aplikonin për mbështetje, ndërsa 25.3% raportuan aplikim të suksesshëm.
- Paqartësia e kritereve: 49% i konsideronin të paqarta procedurat dhe kriteret e aplikimit, duke evidentuar nevojën për udhëzime më të qarta dhe informacion më të centralizuar.
- Vështirësitë administrative: Pritjet e gjata, procedurat e ndërlikuara dhe kërkesat për dokumentacion përbëjnë pengesa për aplikuesit.
- Përballueshmëria ekonomike: Mundësia për të përballuar investimin fillestar mbetet faktor i rëndësishëm për familjet që dëshirojnë të investojnë në energji të ripërtëritshme dhe efiçiencë energjetike.
- Transparenca dhe llogaridhënia: Informacioni për kriteret, afatet dhe mënyrën e përzgjedhjes së përfituesve duhet të jetë i qartë dhe i qasshëm, në mënyrë që qytetarët të kenë besim në skemat publike.

Në panelin e diskutimit morën pjesë: Uran Haxha në cilësinë e moderatorit, Njomza Hoxha – Drejtore Menaxhuese – Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (TBC), Burim Ejupi – INDEP si dhe Jeton Oruçi, Njohës i fushës së legjislacionit. Paneli diskutoi rreth sfidave qe lidhen me luftimin e varfërisë energjetike, qasjen e qytetarëve në skemat e subvencionimit dhe zbatimin e legjislacionit për energjinë e ripërtëritshme. U nënvizua nevoja për rishikimin e kritereve të përfitimit, përfshirjen e familjeve në nevojë, rritjen e buxhetit për masat mbështetëse dhe krijimin e mekanizmave të qëndrueshëm të financimit. Po ashtu, u theksua se procedurat administrative të ndërlikuara, mungesa e koordinimit ndërmjet institucioneve dhe vonesat në nxjerrjen e akteve nënligjore pengojnë zbatimin efektiv të politikave energjetike. Pjesëmarrësit vlerësuan se tranzicioni i gjelbër kërkon përgjegjësi institucionale të qarta, afate konkrete dhe politika që sigurojnë energji të përballueshme dhe mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët.
Ky material është prodhuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e FOL dhe D4D dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian apo të Shkollës së Hapur të Beogradit (BOS)
Hartëzimi i Legjislacionit dhe Procedurave të Burimeve të Ripërtëritshme të Energjisë në Kosovë