Zyrtarët komunal të Ferizajt të pa informuar për Ligjin Mbi mbrojtjen e Informatorit

Ferizaj, 10 Korrik – Lëvizja FOL në serinë e debateve për Ligjin mbi Mbrojtjen e Informatorëve ka mbajtur takimin e radhës në qytetin e Ferizajt me temën “Pakoja Ligjore Anti-Korrupsion: Ligji mbi Mbrojtjen e Informatorëve”.

Në këtë debat të pranishëm ishin përfaqësues të qeverisë komunale, të gjykatës dhe prokurorisë themelore, përfaqësues të partive politike në nivel lokal, përfaqësues të sektorit privat, si dhe pjesëmarrës nga organizatat jo-qeveritare dhe mediat.
Fillimisht, Armend Mazreku, hulumtues në Lëvizjen FOL ka prezantuar të gjeturat e raportit në lidhje me Ligjin për Mbrojtjen e Informatorëve, kur Ferizaj ka qenë një ndër komunat që FOL ka testuar njohurit e zyrtarëve të kësaj komunë për këtë lig.
Ndërsa, Gjyqtari i Gjykatës Themelore, Ibrahim Idrizi, dhe prokurori i Prokurorisë Themelore, Rasim Maloku, kanë deklaruar se ligji në fjalë është një përparim konkret sa i përket normatizimit të fushës së raportimeve nga ana e zyrtarëve publikë, ku ndër të tjera kanë pranuar se gjatë procedurave hetimore dhe gjyqësore ka pasur edhe denoncime nga ana e zyrtarëve të ndryshëm komunalë.

Kryetari i qendrës së Vetëvendosjes në Komunë e Ferizajt, Faton Topalli, ndër të tjera ka shtruar edhe një varg pyetjesh në drejtim të ekzekutivit komunal: “sesa zyrtarët publikë e raportojnë korrupsionin, nëse Komuna e Ferizajt ka emëruar personin përgjegjës për mbikëqyrje të parregullsive, si dhe çfarë ka bërë Komuna konkretisht për informimin e zyrtarëve të saj sa i përket Ligjit mbi Mbrojtjen e Informatorëve”.
Në anën tjetër, drejtori për shëndetësi në Komunën e Ferizajt, Vesel Zhinipotoku, ka thënë se “Komuna e Ferizajt është e përkushtuar për promovimin dhe zbatimin e këtij ligji kaq të rëndësishëm për uljen e korrupsionit, duke shtuar se “zyra ligjore është adresa themelore që ka për detyrim të informojë dhe njoftojë zyrtarët publikë për ekzistimin dhe përmbajtjen e ligjeve”.

Faik Grainca, nënkryetar i degës së LDK-së në Ferizaj, ka pohuar me këtë rast se “Për dallim nga koha sa kishte qenë në qeverisje ai dhe subjekti që ai përfaqëson, personalisht u kishte ofruar ndihmë organeve të ndjekjes për hetimin e disa aferave korruptive që kishte ndodhur atëkohë, ndërkaq tash korrupsion është i rrënjosur tek krerët më të lartë komunalë”.

Mirëpo, akuzat e Graincës i ka hedhur poshtë shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Rafiz Sejdiu, i cili ka thënë se “shkeljet janë kryesisht minore dhe të natyrës administrative, gjë që edhe vetë përfaqësuesi i Vetëvendosjes dhe i LDK-së kanë theksuar të njëjtën gjë”.

Kryesuesi i Kuvendit, njëherit edhe kandidati për kryetar të qyteti të Ferizajt nga radhët e AAK-së, Xhavit Zariqi, ka drejtuar kritikat e tij në drejtim të Policisë, e cila sipas tij shpeshherë pengon zhvillimin e hetimeve nëpërmjet procedurave të ndërlikuara dhe të shumta.
Bashkim Fazliu nga Nisma Qytetare ka thënë se “korrupsioni s’mund të luftohet nga njerëzit që janë vetë të përfshirë në korrupsion”.

Ndërkaq, përfaqësuesi i organizatës INPO, Alban Haliti, ka thënë se “besimi i qytetarëve në institucionet tona është tejet i ulët si pasojë e mbylljes së institucioneve ndaj qytetarëve, e sidomos të asaj të prokurimit”. Në fund të këtij debati, u dhanë edhe rekomandime sa i përket promovimit dhe zbatimit të Ligjit për Mbrojtjen e Informatorëve.
Ky projekt u financua përmes grantit të Ambasadës Amerikane në Prishtinë.

Galeria e aktivitetit

 

Zyrtaret komunal te Ferizajt te pa informuar per Ligjin Mbi mbrojtjen e Informatorit

Zyrtaret komunal te Ferizajt te pa informuar per Ligjin Mbi mbrojtjen e Informatorit2