32 institucione publike, vetëm njëra transparente

Prishtinë, 18 nëntor 2011– Lëvizja FOL për të dytin vit me radhe ka bërë një studim politikash publike. Ashtu sikurse studimi i vitit 2010, edhe ky studim vlerëson transparencën e institucioneve dhe ndërmarrjeve publike që operojnë në Kosovë. Këtë vit Lëvizja FOL është fokusuar kryesisht në përparimet e bëra që nga studimi i vitit të kaluar në funksionimin e strukturave të brendshme të institucioneve dhe ndërmarrjeve publike që janë përgjegjëse për çështjet e komunikimit dhe informimit publik, natyrisht duke vlerësuar të njëjtat çështje si në raporti i kaluar.

Pra, edhe ky studim fokusohet në atë se deri në çfarë niveli institucionet dhe ndërmarrjet publike kanë zhvilluar kapacitetet e strukturave të tyre formale për të siguruar zbatimin e plotë dhe efektiv të dispozitave kushtetuese dhe ligjore që garantojnë të drejtën e qytetarëve për qasje në dokumentet publike, pra komunikimit dhe informimit publik, me qëllim të forcimit të transparencës dhe llogaridhënies ndaj publikut.

Gjatë konferencës së sotme për media u publikua analiza “Indeksi i Transparencës së Institucioneve dhe
Ndërmarrjeve Publike në Kosovë II” për vitin 2011. Analiza fokusohet në zbatimin e Ligjit për Qasjen në Dokumente Publike, nga ana e Zyrave të Komunikimit me publikun në Institucione përkatëse.

Drejtori i Lëvizjes FOL, Petrit Zogaj, tha se “pyetësori i është dërguar 32 Institucioneve Publike, nga të cilat 16 kanë kthyer përgjigje, ku vetëm 1 është ranguar si institucion i hapur. Doganat e Kosovës, përkatësisht Zyra për komunikim me Publikun, sipas studimit tonë vlerësohet të jetë zyra më transparente dhe e hapur në raport me: institucionet, mediat, shoqërinë civile dhe qytetarët e Kosovës. Prej 100 pikë sa është vlerësimi në total, 93 pikë i ka marrë kjo zyrë. Ndërkaq, Ministria e Komuniteteve dhe Kthimit sipas vlerësimit tonë ka marr vetëm 24 pikë nga 100, të cilat pikë e rangojnë si Institucioni më i mbyllur”.

Ju lutem gjeni në mënyrë tabelare rangimin e Institucioneve

Indeksi i Transparencës së Institucioneve dhe Ndërmarrjeve Publike (rangimi për 2010 dhe 2011 ” pasqyrë krahasuese):

NR. INSTITUCIONI/NDËRMARRJA PUBLIKE INDEKSI TRENDI
2010 2011
1. Dogana e Kosovës (DK) 90 93
2. Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) 47 55
3. Agjencia për Privatizim e Kosovës (APK) N/A 55 N/A
4. Ministria e Shëndetësisë (MSH) N/A 55 N/A
5. Kuvendi i Republikës së Kosovës (KRK) 53 50.5
6. Agjencia kosovare Kundër Korrupsionit (AKK) 69 48
7. Ministria e Integrimit Evropian (MIE) N/A 48 N/A
8. Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) N/A 45.5 N/A
9. Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ) 62 45
10. Zyra e Kryeministrit (ZKM) 41.5 42.5
11. Posta dhe Telekomunikacioni i Kosovës (PTK) 43 42.5
12. Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP) N/A 39 N/A
13. Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) N/A 39 N/A
14. Ministria e Drejtësisë (MD) N/A 29.5 N/A
15. Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZHE) N/A 24.5 N/A
16. Ministria e Komuniteteve dhe Kthimit (MKK) N/A 24 N/A