Të ndryshohet edhe neni 410 i Kod-it Penal
Prishtinë, 9 Maj 2012 – Pas vendimit të Presidentes së vendit, znj. Atifete Jahjaga që Kodi i ri Penal i Kosovës të kthehen për rishqyrtim në Kuvendin e Republikës së Kosovës , për shkak të neneve 37 dhe 38 në, të cilët ishin të papranueshme për median dhe opinionin publik, Lëvizja FOL i kërkon ligjvënësve kosovarë që ta rishikojnë nenin 410, i cili sipas përkufizimit aktual lë mundësi të ndryshme interpretimi dhe si i tillë bie ndesh me normat demokratike.
Neni 410, Thirrja për Rezistencë thotë:
Kushdo që thërret të tjerët për rezistencë apo mosbindje ndaj vendimeve apo masave të ligjshme të nxjerra nga organi apo zyrtari kompetent, dënohet me burgim deri në tre vjet. Ndërsa, paragrafi tjetër vazhdon: 2. Nëse vepra penale nga paragrafi 1 i këtij neni rezulton me vështirësi të mëdha apo pamundësi të zbatimit të vendimit, masës apo veprimit zyrtar të ligjshëm, kryesi dënohet me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.
Një përkufizim i tillë krijon mundësinë që pushtetet e ndryshme në Kosovë t”a keqinterpretojnë këtë nen, ndërkohë që pasojat t`i bartin qytetarët e Kosovës.
Lëvizja FOL, e shesh si të domosdoshme rishikimin e formulimit të këtij neni nga ana e Komisionit për Legjislacion dhe Gjyqësi, si dhe nga deputetet e Kuvendit të Kosovës, në mënyrë që të evitohet çfarëdo mundësie e shkeljes së të drejtave të njeriut, të lirisë së tubimit, të protestimit si dhe të demonstrimit të vullnetit të qytetarëve të Kosovës.
Duke besuar në ndërtimin e një shteti më vlera dhe parime demokratike, shpresojmë që kërkesa jonë për ta shqyrtuar këtë nen të Kodit Penal do të merret seriozisht nga institucionet e vendit dhe se përgjigjja ndaj këtij shqetësimi do të jetë pozitive.