Qeveria: Nga 367 vendime brenda 2011, vetëm 10 anti korrupsion
Prishtinë, 9 mars 2012 – Kosova si një prej vendeve më të prekura nga korrupsioni më 2011 është përballur me mungesë të gatishmërisë në luftë kundër korrupsionit.
“Qeveria e Kosovës gjatë vitit 2011 ka miratuar gjithsej 367 vendime. Prej këtyre vendimeve vetëm 10 kanë qenë në fushën e parandalimit dhe luftimit të korrupsionit. Në kuadër të këtyre vendimeve hyjnë miratimi i projektligjeve për Prokurimin Publik, Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë dhe të Dhuratave të Zyrtarëve të Lartë Publik, ai për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, projekt-ligji për mbrojtjen e informatorëve (whistle blowers law), projekt-ligji për mbrojtjen e dëshmitarëve, ai për financimin e subjekteve politike, projekt-ligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për përfitimin e ish zyrtarëve të lartë”, tha Nora Bajrami, hulumtuese në Lëvizjen FOL.
Gjithashtu, Qeveria e Kosovës ka përkrahur kërkesën e Prokurorisë Speciale të Kosovës për kompensimin e shtesave dhe stimulimin financiar për punonjësit e saj, është emëruar kryeshefi ekzekutiv në Agjencionin për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe është miratuar projekt-kodi Penal i Republikës së Kosovës.
“Kuvendi i Kosovës gjatë vitit 2011 ka mbajtur gjithsej 37 seanca. Gjatë kësaj periudhe janë miratuar një sërë ligjesh anti-korrupsion, të cilat pritet të ndikojnë drejtpërdrejt ose tërthorazi në luftimin e korrupsionit, krimit të organizuar dhe ekonomisë joformale. Ligjet e aprovuara gjatë këtij viti janë: Ligji për mbrojtjen e dëshmitarëve, Ligji për mbrojtjen e Informatorëve, Ligji për Deklarimin, Prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë së Zyrtarëve të Lartë Publik, Ligji për parandalimin e konfliktit të interesit, Ligji për prokurimin publik, për financimin e subjekteve politike dhe Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për përfitimin e ish- zyrtarëve të lartë” tha Bajrami.
Sipas saj, nga statistikat e Këshilli Gjyqësor shohim se përgjatë vitit 2011 janë ndërmarrë një sërë vendimesh dhe masash në luftë kundër korrupsionit. “Gjatë periudhës raportuese Gjykata e Qarkut ka trashëguar 45 lëndë, 24 lëndë të pranuara dhe 16 lëndë të zgjidhura. Nga 9 lëndë më aktgjykim gjykues, 6 lëndë kanë përfunduar me burg, 3 me dënim me kusht, 1 me dënime të tjera, 2 me aktgjykim lirues dhe 5 lëndë në mënyra të tjera. Në fund të periudhës raportuese kanë mbetur 53 lëndë të pazgjidhura”.
Ndërkaq në gjykatat komunale janë 206 lëndë të trashëguara nga periudha raportuese, 132 lëndë janë të pranuara dhe 120 lëndë të zgjidhura. Nga 82 lëndë me aktgjykim gjykues, 14 lëndë kanë përfunduar me dënim me burg, 45 lëndë me dënim me gjobë, 22 lëndë dënim me kusht, 1 lëndë me dënime të tjera. Me aktgjykim lirues janë shqiptuar 6 lëndë, me aktgjykim refuzues 3 dhe 29 në mënyra të tjera. Viti 2011 është përmbyllur me 218 lëndë të pazgjidhura.
Prokuroritë e Republikës së Kosovës gjatë vitit 2011 kanë paraqitur 959 kallëzime penale për korrupsion kundër 1862 personave. “Gjatë periudhës janar”dhjetor 2011 prokuroritë e vendit kanë zgjidhur 538 kallëzime penale kundër 1038 personave, ndërkaq kanë mbetur të pazgjidhura 421 kallëzime penale kundër 824 personave. Nga rastet e zgjidhura, janë ngritur 107 propozim akuza kundër 139 personave,107 aktakuza kundër 478 personave, janë hedhur 165 kallëzime penale kundër 216 personave dhe janë pushuar hetimet në 31 raste kundër 71 personave”, tha Nora Bajrami, hulumtuese në Lëvizjen FOL.
Galeria e aktivitetit