Tryezë diskutimi mbi aktivitetet dhe problemet e prokurimit publik në Pejë

Pejë, 23 korrik 2014 –  Lëvizja FOL ka organizuar sot tryezë diskutimi me temën “Aktivitetet e Prokurimit Publik në periudhën e parë gjashtë (6) mujore të vitit”, në të cilën është diskutuar përmbledhja e të dhënave statistikore në lidhje me aktivitetet e prokurimit në komunën e Pejës.

Kenan Tora nga Lëvizja FOL tha se qëllimi i kësaj tryeze është që të diskutohet mbi problemet dhe parregullsitë e mundshme që i shoqërojnë zhvillimin e procedurave të prokurimit publik në komunën e Pejës. Ai më tutje vazhdoi me të gjeturat e raportit për këtë komunë duke theksuar se gjatë periudhës së parë 6 mujore të këtij viti Komuna e Pejës ka shpallur gjithsejtë 54 Njoftime Kontrate, 45 Njoftime për Dhënie të Kontratës, 9 Njoftime Anulimi, 3 Anulime të Dhënies së Kontratës. Në këtë periudhë kohore Organi Shqyrtues i Prokurimit, ka marrë dy vendime kundër komunës së Pejës, në njërin prej të cilëve duke miratuar vendimin e komunës por me shkelje procedurale që nuk kanë ndikuar në rezultatin përfundimtar, ndërsa në tjetrin duke kthyer tenderin në Ri-vlerësim. Për sa i përket problemeve që në përgjithësi janë prezentë në prokurimin publik, ai theksoi problemin e mos-standardizimit të procesit të hartimit të dosjes së tenderit,çmimeve jo-normalisht të ulëta, mos-koordinimit në mes të institucioneve të ndryshme dhe jo-profesionalizmit të komisioneve të vlerësimit.

Kryetari i komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri tha se hapi i parë që ka ndërmarrë si kryetar i komunës ka qenë vendosja e kamerës në zyrën e prokurimit e cila transmeton online në ueb-faqe e komunës, në mënyrë që të shtohet transparenca e gjithë procesit. Për sa i përket problemeve evidente, ai vazhdoi duke thënë se “çmimet jo-normalisht të ulëta janë problem që e përcjellin prokurimin edhe në komunën e Pejës dhe po ndikojnë drejtpërdrejtë edhe në kualitetin e punës dhe dëmtimin e parasë publike, por është handikap i madh që me ligj nuk kemi masa të paracaktuar që mund të ndërmerren në lidhje me këtë problem”. Më tutje ai vazhdoi duke thënë se pikërisht për arsye të rritjes së kualitetit të punës ka punësuar 6 inxhinier të rinj specifikisht për mbikëqyrje të realizimit të kontratave dhe se stafi i komunës ka nevojë për ndërhyrje në kontekstin e profesionalizmit.

Më pas fjalën e mori udhëheqësi i zyrës së prokurimit Xhemë Berisha, i cili tha se problemet e evidentuara nga FOL qëndrojnë edhe për komunën e Pejës dhe se duhet profesionalizëm më i madh dhe korrektësi edhe nga ana e KRPP-së dhe OSHP-së.

Në anën tjetër Myhedin Sylqa-asamblist nga Partia e Drejtësisë tha se ankesat më të mëdha nga këndvështrimi i qytetarëve janë për kualitetin e realizimit të punëve dhe në këtë kontekst komuna duhet të bëjë më shumë. Po të njëjtat ankesa i tha edhe Nazmi Krasniqi- asamblist nga radhët e AAK-së.

Po ashtu Miradije Gashi nga shoqata “Venera” tha se marrëveshjet mes kompanive dhe manipulimet e tyre edhe gjatë procesit të ofertimit po ndikojnë drejtpërdrejtë në kualitetin e punës dhe dëmtimin e parasë publike.

 

Galeria e aktivitetit

Tryeze diskutimi mbi aktivitetet dhe problemet e prokurimit publik ne Peje3Tryeze diskutimi mbi aktivitetet dhe problemet e prokurimit publik ne Peje2Tryeze diskutimi mbi aktivitetet dhe problemet e prokurimit publik ne Peje