Të pavërtetat e kryeministrit dhe të Ardian Gjinit

Petrit Zogaj, aktivist i lëvizjes FOL, ka thënë se deklarata e kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi që Brukseli tashmë ka një qëndrim unik për mbështetjen e plotë për perspektivën evropiane dhe se pret njohjet e pesë vendeve të BE-së, është e pavërtetë pasi, sipas tij, edhe pas vendimit të GJND-së këto pesë vende kanë deklaruar se nuk do të ndryshojnë qëndrimin e tyre për Kosovën.

Edhe dorëheqja e parevokueshme e kryetarit të Rahovecit Qazim Qeska, sipas Zogajt, është vlerësuar e pavërtetë, duke thënë se që nga monitorimi i deklaratave të bëra, kjo ka qenë njëra ndër deklarata më të pavërteta që kanë hasur deri më tani. Zogaj ka shtuar se kryeministri Thaçi në mënyrë joligjore e ka detyruar Qeskën të kthehet në detyrë, ndërsa është skandaloze edhe, siç tha ai, përpjekja e kryeministrit për t”ia mbyllur publikisht gojën Qeskës, i cili po bënte një deklarim publik në ditën e vizitës së Thaçit në Rahovec.

Edhe deklarata e nënkryetarit të AAK-së, Ardian Gjini, i cili ka premtuar që do t”i bëjë publike faktet për gjoja bisedimet sekrete mes zyrtarëve të Kosovës me ata serbë, sipas “Matësit të së vërtetës”, është vlerësuar e pavërtetë, pasi Gjini nuk solli asnjë fakt që dëshmoi se ka bisedime.

Si deklaratë tjetër të pavërtetë, lëvizja FOL, të shtunën në konferencën për media, ka përmendur deklaratën e kryeministrit Thaçi për ndarjen e mjeteve financiare dhe konkretizimin e projektit për hapjen e universitetit të dytë publik, atij të Prizren, për 5 mijë studentë. FOL e ka vlerësuar edhe këtë deklaratë të pavërtetë, sepse numri i të pranuarve do të jetë larg prej premtimit të kryeministrit.

Zogaj ka thënë se në muajt në vijim “Matësi i së vërtetës ” do të ndryshojë formatin e vlerësimit të deklaratave të zyrtarëve shtetërorë, duke u marrë me vetëm një çështje më të spikatur